Ndoshta e gjithë kjo
përftohet në një laborator?
Poshtë një llampe të vetme ditën
e miliarda llampave natën?
Noshta jemi gjenerata eksperimentale?
Transportuar nga njëra enë në tjetrën,
tundur nëpër lambikë,
vrojtuar jo vetëm me sy,
e në fund marrë një nga një
me pinceta?
O ndoshta krej ndryshe:
asnjë ndërhyrje?
Shndërrimet vijnë vetvetiu
në pajtim me planin?
Gjilpëra e diagramës i përshkon pak nga pak
zigzaget e parashikuara?
Ndoshta deri tani nuk përbëjmë ndonjë interes të madh?
Monitorët e kontrollit janë ndezur rrallëherë?
Vetëm në raste luftërash, më mirë nëse të mëdhenj,
fluturimesh sipër thelës sonë të Tokës,
ose emigracionesh të rëndësishme mes pikave A dhe B?
Apo mbase është e kundërta:
aty pëlqehen vetëm gjërat e vogla?
Ja një çupërlinë në një ekran të madh
qep një komçë në mëngë.
Alarmohen sensorët,
personeli ngarend.
Ah, shikoje çfarë camërdhoke
me një zemërz që i troket brenda!
Çfarë serioziteti magjepsës
në përbirimin e gjilpërës!
Dikush thërret i mahnitur:
Njoftojeni Shefin,
të vijë ta shikojë personalisht!
Komentet