Alket Veliu: Lajm i hidhur për të gjithë shqiptarët
Të nderuar miq, bashkëatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare dhe
të diasporës!
Mjeshtri i Madh i diplomacisë Profesori i shquar, personaliteti poliedrik, humanisti,
historiani, gazetari e polemistë i flaktë, Profesor Shaban Murati, iku në amshim. U
prehtë në paqe Shpirti i Tij! Ngushëllime familjes dhe gjithë atdhetarëve shqiptarë!
Shpirti i të ikurve vjen nëpërmjet kujtesës. Prof. Shaban Murati do të komunikojë
me të gjallët përjetësisht, për të verifikuar testamentin e veprave të shumta
kombëtare. Kjo është një e vërtetë që u përket studiuesve të vërtetë. Vdekëtarët e
rëndomtë, nuk mund të luajnë rolin e pasvdekjes. Vdektarët e pazakontë, si Shaban
Murati, patjetër mund ta luajnë.
Me një karrierë të gjatë në diplomaci, Prof. Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët
dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të
tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri
kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e
kombit.
Me një aktivitet të gjatë publicistik, diplomatik, filozofik e letrar, Profesor Shaban
Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i
apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë
shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv
reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë
sonë kombëtare.
Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për
diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim.
Në Shqipërinë tonë, ku rrallë flitet për atdhetarizëm normal dhe ku në diplomaci po
ndodh një fenomen i gjemetrisë ireale dhe absurde, Shaban Murati, vizionar dhe
kurajoz, u përpoq të fshijë tabu dhe antitabu, duke u përfshirë me një zell të pashoq
në jetën publike të vendit, për një lulëzim të ri të energjive kombëtare, me moton që
mbikombëtarja të mbështetet në themele kombëtare.
Personalitete të tilla janë garancia më e mirë për kombin, që ai të shkundet nga
izolimi dhe inferioriteti, për të kuptuar fuqinë e tij të mirëfilltë, cilado qoftë ajo.
Ai përfaqësonte një shkollë më vete të diplomacisë shqiptare. Duke i quajtur gjërat
me emrin e tyre, sentencat diplomatike të ambasadorit janë pohime sublime për të
hequr dorë nga hallaktjet e deliri spontan dhe për të mos u trembur nga fantazma e
vetvetes.
Murati është, para së gjithash, themeluesi i modelit kulturor kritik të diplomacisë
shqiptare, duke nxitur shkollën diplomatike shqiptare të përshtatet me sfidat e reja
të integrimit euro – atlantik. Veprat e tij janë një manual me interes si për
diplomacinë dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu dhe për studiuesit dhe të
apasionuarit e diplomacisë dhe të politikës së jashtme.
Ato përbëjnë një kontribut të çmuar në drejtim të zhvillimit të mendimit diplomatik
shqiptar, aq i domosdoshëm për formimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të saj.
“Ata që kanë drejtuar Shqipërinë dhe diplomacinë, përgjithësisht kanë qenë profanë
në diplomaci dhe nuk patën as vizion e as dimension shtetëror, që të kërkonin dhe
t`i jepnin identitet diplomacisë shqiptare. Ata nuk qenë në gjendje të ndërmarrin
qoftë edhe një nismë të vetme diplomatike shqiptare.
Në disa libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”,
Shaban Murati ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej
çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori
emrin “Çështja e detit”.
Ndërsa për çështjen çame Ambasadori Murati është shprehur në mënyrë të qartë
dhe prerë: “Një nga provat më ulëritëse të asimetrisë së marrëdhënieve dypalëshe
apo thënë më hapur, të përulësisë dhe të kompleksit të inferioritetit të diplomacisë
shqiptare gjatë gjithë periudhës postkomuniste, është çështja çame”.
Në librin “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” Murati e ka përcaktuar
çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan: “Çështja
çame është një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë dhe e cila
duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”.
Mund të shprehemi pa droje se në historinë e diplomacisë shqiptare Shaban Murati
renditet pas Mehmet Konicës, Medi Frashërit e Rauf Ficos.Murati, ashtu si Fico,
mbetet gjithmonë një evropian i madh i një vendi të vogël, një studiues vizionar dhe
me ndërgjegje të pastër kombëtare, prijës i diplomacisë shqiptare, me kontribute të
jashtëzakonshme në themelin e diplomacisë sonë.I qoftë dheu i lehtë në gji të
Parajsës! 15 Shkurt 2024.