Analisti Mustafa Nano shkruan sot në Mapo se kreu i PD-së, Lulzim Basha është futur në çadër pa një plan B se si do të dalë prej saj.
Sipas tij arsyeja e futjes në çadër mund të jetë për shkak të frikës së humbjes në zgjedhjet e ardhshme.
“Basha ka ndërtuar një fabul të gabuar në kokë. Ka supozuar se ndër dy opsionet (1. rënie e qeverisë; 2. zgjedhje pa opozitën), vetëm ky i dyti, d.m.th. zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën, është i tmerrshëm. i pari, d.m.th. zbythja e shumicës para trilleve ultimative të opozitës është një gjë e pranueshme. Mirëpo nuk është kështu. Sikur Luli të ishte lule në krahasim me këta të tjerët, ultimatumi edhe mund të hahej, por Basha nuk i ka lënë vend vetes për të bërë ndonjë betejë në këtë vend, përveç betejës obskure për pushtet. Basha e të tjerë si ai, edhe ata që sot janë në pushtet, bëjnë mirë ta marrin vesh njëherë e mirë se në këtë vend, ashtu si në çdo vend tjetër, ti mund të bësh një gjë: o zullumet, o betejat në emër të idealeve. Të dyja nuk mund t’i bëjë i njëjti person. Nuk ka pikën e kuptimit që edhe t’i vjedhësh zgjedhjet, edhe të dalësh të luftosh për zgjedhje të lira e të ndershme. Vetëm një i pacipë mund ta bëjë këtë. E vetëm idiotët mund ta ndjekin në një rrethanë të tillë”, shkruan Mustafa Nano.
Sipas tij “Bashës i ka shpëtuar edhe një “detaj” në strategjinë e tij. Është futur në çadër pa një plan B. Thënë ndryshe, nuk ka menduar për një derë daljeje. Pse vallë? Ngaqë është budalla? Jo, të jep përshtypjen se nuk ka pasur rrugë tjetër, se për të çfarëdo qederi që do t’i shkaktojë vetes për shkak të kësaj që po bën do të jetë më i vogël se sa qederi që do kishte nëse do të futej në zgjedhje. Çfarë kuptoj me këtë? Ndoshta është frika prej humbjes së zgjedhjeve, pas të cilave PD-ja nuk mund të mbahet më nën kontroll. Ndoshta është ndonjë frikë tjetër, që veç ai e di. Ndoshta kanë qenë disa zëra të rëndësishëm mediatikë anti Rama që i kanë fryrë në vesh: Bëje, pasi vetëm kështu mund t’ia tregojmë vendin atij horrit që është në zyrën e kryeministrit! Ndoshta në këtë histori janë në lojë interesat e frikërat e të vetmes perëndi që Basha ka, e që emri i fillon po me B; e këta interesa e frikëra këtij B-së nuk ka kush t’ia mbrojë apo kurojë tjetër, veç beniaminit të tij. Të gjitha këto janë supozime, sidoqoftë. Që nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Rëndësi ka një gjë tjetër: Ja ku jemi; ai nuk ka këllqe e muskuj për këtë lojë që po bën”.
“Nuk besoj se është bërë ndonjë llogari. Disa janë me mendimin se opozitarët kanë në dorë të pengojnë mbajtjen e zgjedhjeve, me fjalë të tjera mund të nxjerrin të fortët e tyre ditën e votimit me synimin që të pengojnë apo të frikësojnë votuesit, që t’i bëjnë këta të fundit të kthehen në shtëpi, e kështu pjesëmarrja në zgjedhje të jetë sa më e vogël. Mund t’ia dalin ta bëjnë këtë gjë sidomos në fshatra e periferi, ku është më e lehtë të intimidosh njerëzit pa rënë në sy. Por është e zorshme të besosh se ata mund të rrezikojnë më shumë se sa duhet, pasi kështu i bie që të komprometojnë diçka apo gjithçka prej statusit, kamjes e terezisë, mes të cilave jetojnë. Por edhe nëse të fortët e Bashës vijojnë të jenë në krye të detyrës, nuk është se do arrijnë ndonjë gjë me këtë, pasi zgjedhjet do jenë gjithsesi legjitime. Kështu, të gjitha planet e Bashës, që veç plane nuk duken, do të jenë një pesë me hiç”.
Komentet