Fatmir Musai është nga ata të paktët shkrimtarë, që s`ka lëvizur nga qyteti i tij, duke mos rreshtur ta njohë botën. Përfaqësues i atij brezi, që, për nga ëndrrat: u duk se do t`i ngjante metalurgjikut, gjë që s`ndodhi, për nga shpirti: ditës së verës, krejt e vërtetë kjo në Elbasan dhe për nga karakteri: kalasë në qendër të qytetit, që i shkon të gjithë atyre, të cilët themelet i ngrenë mbi shkëmb. “Dikur shtëpi të vogla plot me zemra,/Sot shtëpi të mëdha bosh përbrenda!”-vë në dukje këtë kontrast, jo pa qëllim. Edhe pse ardhur nga një kohë, kur poetit i kërkohej të ishte i angazhuar, e refuzon rrobën e ushtarit në kuptimin militantesk. Halli i tyre, si të dilnin nga rreshti, edhe pse urdhëri ishte aty me shokët. “Gjenerali i këngës po s’u ngrit nga varri/Për një Hall të Madh, bëjeni lanet!”-shkruan ai. Elbasani është në mesin e Shqipërisë, por Fatmir Musaj vetë s`bën pjesë tek “mesi i artë”, jo se s`ia di vlerën floririt, por ka bindjen se jo se çdo gjë që shkëlqen është ar, duke i ndenjur larg shkëlqimit të rremë. E kisha ndjekur krijimtarinë e tij një këtu e një atje, tani m`u dha rasti t`i lexoja katër libra. Tre më poezi: “Anonimi i artë”, “Kitarë e dehur”, “E di një shteg” dhe në prozë: “Guacka”. Mos vallë anonimi i artë i dehur nga kitara duke ecur në një shteg, që e di vetëm ai: përfundon në një guackë, sikurse i ndodh dhe margaritarit?
I frymëzuar nga libri I. Kadaresë “Autobigrafia e popullit në vargje”, synon dhe ai të krijojë autobiografinë e vetë poetike. “Poezia popullore është një botë e pajisur me gjithçka, e përgatitur për një jetesë autonome”, citon Kadarenë duke parashtruar para vetës të njëjtat pretendime, si ato të “gjeneralit të këngës”. I bën përshtypje që poeti popullor anonim s`di të thotë kurrë “unë”, gjë që e manifeston dhe vetë. Duke fshehur unin mos po rrezikohet individualiteti? Ndaj sqaron: “Egoizmi është si tapa,/Lartësitë kërkon të kapë,/S’di të bëjë një hap prapa,/S’di sepse ka lindur tapë!” Nga të gjitha pijet shampanja është euforike, duke e hedhur tapën përpjetë, por qejfliu i gotës preferon rakinë dhe verën. E merr malli të hyjë në folklor, ngaqë një zanë prej andej ia bën me dorë, duke ngjasuar me dervishin, i cili bën hajmali dhe “për ethe dhe për dashuri”. Nëse zana i qëllon të jetë Hankoja, që i ngjall të vdekurit dhe të gjallin e humb fare, nxiton t`i ngjajë ashikut: “Hapuni ju sorra se po vjen gjeraqina!” Në poezi ndihet një piskamë, është “Klithma e ikjes”, që vjen nga nizami përtej Urës së Qabesë, apo kurbetliu humbur dherave të huaj: “Ju të liq e ju sakatë,/Amanet ju lemë gratë!” Një klithmë kjo, që ndihet edhe sot. Veç të shkruarave në libra, shqetësohet për ato që ende s`i ka thënë, gjë që ndodh me të gjithë ata që duhet të kërkojnë nga vetja. “Merak kam: ca të pathëna/Do t’i them si t’ma marrë mendja,/E pastaj do shkoj të fle.” Prapë s`i flihet përderisa shkruan: “Unë shpesh flas me të ikurit,/Po ju mos më quani mistik,/Në mëngjes, pas gjumit të natës,/Kanatat mbyll që dhe vetë të mos ik!” Mos këto të pathëna do i shpreh me kitarën e dehur? “Një kitarë e dehur/Varur në mejhane,/Telat si ushkurë/Çakorduar fare!”
Dashuria erotike, duke e bërë me krah, e ngre përmbi re me shpejtësi reaktive, por “kur të përplas t`i thyen brinjët”, shkruan ai. Dhe ja shkaku: “Përse xhinset m`i ke grisur/atje sipër përmbi gju?!” Kur femra luan me gjuhën e trupit, një e grisur mbi gju jep një të krisur në zemër. Por në botën erotike gjendjet shpirtërore ndryshojnë me orë. “Po bëhesh xheloze dhe jetën po ma nxin/dhe kur një re të duket sikur po tund shaminë.” Tallet me të dashurën, sikurse do vuaj dhe vetë: “Keni parë të qajë një burrë/Ndënë shi kur zbrazen retë?/…Mos prisni të bëhet qull/Kur e marrin poshtë rrëketë!” Apo: “E mpakur, moj mike, e mpakur…/S’të njoha nga dorë e tretur.”
Duke i përkitur një brezi, që s`është mësuar t`i marr fitoret në tavolinë, por duke u përleshur, shpërthen kundër hilanjosit:
Ti nuk je njeri me huqe,
Se huqe te të gjithë gjen!
Ti je mola në sënduqe
Që krejt pajën na e bren!
Kësaj gjendje i bashkohet dhe Ridvan Dibra në romanin “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, kur shkruan: “Gjithçka e drunjtë në Kullën time ka tenjën brenda. Kjo e vërtetë nuk më shqetëson më, qysh kur jam bindur se çdo gjë në këtë botë ka brenda tenjën e vet: por njerëzit janë plot paragjykime dhe janë mësuar ta kërkojnë atë, domethënë tenjën, vetëm në gjërat e drunjta.”
Në poezinë e Fatmirit nuk mungon humori, që ai e bën pa të keq, sikurse dhe në poezinë “Tradhëtia e poetit”:
-U plake, poeti im, u plake,
Si kukudh rri pas mesnate!
– M’u plake, poezi dhe tinë,
S`e duron më yzengjinë!
– Yzengjia do dragua,
Jo maçok brenda n’katua!
– Ah, e di, je bërë xheloze,
Që kur pas i rashë një proze.
Kur e ngushtë të rri këmisha,
Zgjidh një tjetër në dyqan!
Duke i ndenjur e ngushtë këmisha e poezisë zgjedh atë të prozës. “Një libër që u shkrua vetë” e titullon ai librin me ese të shkruara në kohën e Covidit, i cili nis me njoftim se autori sapo ka krijuar një shoqatë të emërtuar “Kërmilli” dhe kush del jashtë guackës përjashtohet. E gjithë proza ka disa komunikata të renditura njëra pas tjetrës, ku dekori është po ai, veçse ndryshojnë situatat. Ligaveci tenton të përçajë shoqatën. Presidenca, ngaqë ka hapur thesin e dekoratave, tenton ta dekorojë shoqatën me titullin “Nderi i kombit”. (Është njësoj si ta nxjerrësh heroi nga garuzhja e kuzhinierit.) “Kërminjtë e mi të dashur, o paqësorë të avashtë, që bëheni luanë vetëm kur ju prishin rehatinë brenda guackës suaj!”-u drejtohet autori të gjithë atyre, që tregojnë kthetrat sapo i preket interesi e u prishet rehati.
Sikurse në një komunikatë tjetër: “Mirëmëngjes, butakë! Mos dyshuat gjë për këtë fjalën “butak”?! Oooo, jojooo! Nuk po ju denigroj, se unë vetë jam Kriebutaku i madh! Ndaj mos u merakosni! Përkundrazi, merreni si sihariq, sepse, në këtë klasën e Butakëve, ku hyjmë dhe ne Kërmijtë, paskemi disa mijëra kushurinj-specie të të gjitha llojeve të Guaskorëve ku janë e ku s’janë… sepse është Guaska tipari identifikues i Familjes sonë të madhe!”
Prozën e shoqëron dhe me vargje satirike, sikurse është dhe kjo në kohën e plehrave dhe të inceneratorëve. (Metalurgjiku mos u kthye në një mallkim dhe për inceneratorët, që pretendojnë ta nxjerrin energjinë, rrymën dhe nga plehërat, si një ngushëllimë për uzinat të kthyera në skrap?)
Sot jam vrer, sot jam bosh,
Asnjë letër s’hedh në kosh.
Se ca plehra një njeri,
Duhet të bëjë, gjithsesi!
Në një komunikatë tjetër: “Duhet të pranojmë se Heronjtë nuk u zhdukën menjëherë, por, si dinozaurët u zhdukën gradualisht, në tranzicion”, duke e zëvendësuar fillimisht me heroin e fabrikuar dhe më pas me antiheroin. Dikur meskini kritikohej, tani ai imitohet, ndaj dhe poeti nuk ia kursen talljen:
Tri herë e kam shpëtuar nga tymi e zjarri
Pijetarin tim të katit të tretë.
Ai fërkonte sytë si të ngrihej nga varri
E më thoshte: Po ti, pse vjen me vonesë?!
Përkundër mosmirënjohësve ai shpalos bujarin e tij, sikurse janë vargjet për kolegët.
Tash po qaj për Fadil Krajën,
Me k’to vargje plot amshim,
Në s’besofshi, punë e madhe,
S’ishte vetëm miku im!
Meqë e nisëm me Kadarenë, ja vlen ta përmbyllim po me atë, “punë e madhe” do thoshte Fatmir Musai, nëse të tjerëve nuk u pëlqen:
Kadaresë i shterën fjalët
Edhe tha:-Nuk shkruaj më?!
O të mjerë, po flet me zotat,
Që e kuptojnë më mirë se ne!
Kam nxirë shumë letra, por mos m`i shihni me mikroskop, shkruan ai në një poezi. Besoj se këtë kërkesë ia kam respektuar. Eja, Nexhip, mos u qell/…po më kërcasin trarët si film pa zë!” I drejtohet mikut të tij, Nexhip Ejupit. Kur të bjerë rruga këndej nga Elbasani, më tako, më tha një ditë. Dhe unë nuk u qella…
Shënim: Fotoja është shkrepur nga Fatmir Musai, kur u takuam në Elbasan. Përfitoj nga rasti t`i uroj shërim të plotë, pas atij operacioni “ku kish zënë vend një djall i fshehtë”, sikurse ai më shkruante.
Fatbardh Amursi