Midis shekullit XII dhe XIV, (ende kronikanët e kujdesshëm bizantinë grinden, përleshen për saktësinë e kohës, ashtu siç kanë diskutuar me vrazhdësi apokaliptike teologët sedërmëdhenj për shumë shekuj për çështjen ftillëzuese dhe të brishtë se çfarë seksi kanë engjëjt), ndodhi një mrekulli.
Murgu muzikant dhe këngëtar i hatashëm (mbase i paarritshëm) Jan Kukuzeli në manastirin Laura e Madhe në gadishullin religjioz Athos rrinte në këmbë, stoik, i paepur, duke u lutur ritualisht përpara ikonës së madhe të shën Marisë.
Ah, ikona e shën Marisë! Ah, shën Maria Çudibërëse. Mëmësore! Me Krishtin fëmijë në gjoks! Tokësorja që lind Hynoren. Zoti pa moshë si fëmijë? Ose edhe si fëmijë! Ç’fëmi i pazakontë! Kush vallë e fëmijërëzon Zotin At? Pse vallë? Fëmi më i lashtë se e ëma! Amëshimi i limituar në një pamje fëmijore. Amshimi që lind nga vetvetja më tepër se sa nga një grua. I maskuar si fetus. Universalja e fshehur si fragment. Eva që lind vetë Jahovain. Krishti është Jahovai. Ose Jahovai që lind pambarimisht vetveten! Ah, Betlehemi! Ah yjet e ndritshëm të Betlehemit! Ah, mbretërit magë që ndoqën yllin kometë për të gjetur të Shenjuarin! Mbretërit magë që sollën dhuratat e mijëvjeçarëve. Dhuratat profetike të përcaktuara nga astronomia lëvizëse që nuk ndal asnjëherë. Ah, dhuratat! Ah, Kryqëzimi si Epilog! Ah, Epilogu si Prolog! Krishtlindja si Zanafillë. Ah, Maria! Ah, matriarkati si paradhoma e Zotave! Ah, Zotat që janë muskujt e vetë Jahovait! Ah, Jahovai, që është gjithashtu foshnje!
Jan Kukuzeli qëndronte para ikonës së shën Marisë si përpara Amshimit.
Përpara gruas së të gjitha femrave të botës.
Në Athosin e murgjëve çdo gjë qe mashkullore. S’lejohej aty asgjë femërore. Në shpatet kullosnin vetëm cjep, jo dhi, vetëm deshër, jo dele, vetëm gjela jo pula. Femërorja qe e mallkuar. Tunduese.
Seksi qe i ndaluar për murgjërit e përbetuar. Seksi qe Djalli.
Seksi qe Tmerri!
Po pikërisht në Athos adhurohej shën Maria!
Burrat e thinjur që urrenin aktin seksual përkuleshin, dridheshin para Femrës së Vetme, më të rëndësishme se gjithçka.
Jan Kukuzeli përgjërohej për shën Marinë.
Thuhet se qëndroi gjashtë ditë e net në këmbë para ikonës së saj.
Madje flinte në këmbë. E habitshme se si nuk rrëzohej përdhe.
Kështu e pa ëndrrën e pabesueshme. Shën Maria doli nga ikona. Ju afrua dhe i la në dorë një monedhë të artë.
Ditën e shtatë, në mëngjes Jan Kukuzeli u përmend.
Ajo që kishte ndodhur në ëndërr qe një realitet.
Jan Kukuzeli e pa në pëllëmbën e tij monedhën e artë.
Ikona e zbukuruar me ar qe zbehur. Pikërisht ky ar qe koncentruar tek monedha.
Ç’qe kjo monedhë? Askush nuk mund ta shpjegonte. Hyjnorja nuk shpjegohet.
Jan Kukuzeli e pa në ëndërr monedhën e artë. Kjo monedhë vinte nga Parajsa. Qe simboli i pakuptueshëm i Parajsës.
Qe shpërblimi që shën Maria i dha përgjëruesit të saj?
Po pse e shpërbleu me një monedhë dhe jo me diçka tjetër?
Për murgun Jan Kukuzeli dhe murgjërit e tjerë vlera e monedhave nuk ekzistonte fare. Ahere, ahere, ahere pse kjo monedhë e artë? Dhe nga kush? Nga vetë shën Maria? S’ka shpjegim! S’ka argumenta!
Por mrekullia kishte ndodhur. Kjo qe e pamohueshme dot. Mrekullia qe e pranishme. Sendet në ëndërr janë reale, mund të mbeten kur ëndrra zhduket. Jo të gjitha! Por monedha e artë mbeti!
Murgjërit i kënduan psalmet e bekuara. I kënduan monedhës së artë mariane.
Jan Kukuzeli e la monedhën parajsore përpara ikonës. Ajo ndriste krejt inkandeshente netëve.
Thuhet se mbas 527 viteve monedha u zhduk vetvetiu dhe u rikthye në zbukurimin e përjetshëm së ikonës së shën Marisë.
Në shekullin XIX poeti anglez Coleridge-i shkruan për një njeri që e përshkruan Parajsën në ëndërr ku i dhanë një lule të jashtëzakonshme, kur u zgjua pa se në dorën e tij qe pikërisht kjo lule.
Kjo përsëritje e dhuratave të Parajsës nëpërmjet ëndrrave e lidh shqiptarin Jan Kukuzeli me anglezin Goleridge, monedhën me lulen.
A thua të jenë e njëjta gjë?
A thua se në Parajsë ka sende të ndryshueshme, që herë marrin formën e monedhës dhe herë të lules?
Simboli i lules mund të ketë shpjegime poetike. Por simboli i monedhës është pafundësisht i mbyllur. I pazbërthyeshëm.
Të dy subjektet, i monedhës dhe lules janë i vetmi subjekt (me ndryshueshmëri të formës, por jo të përmbajtjes).
Ideja është se pikërisht nga Parajsa mund të vijnë dhurata për tokësorët e vdekshëm. Shembujt janë më të shumtë se ato të monedhës dhe të lules.
Në shekullin XV një murg i Venedikut në Itali, i njohur si Prohor Mistiku e shkroi një traktat në latinisht dhe në greqisht “Objektet hyjnore”.
Ai e nis traktatin me faktin e pakundërshtueshëm dot në Biblën e Shenjtë ku thuhet se në Tempullin e Solomonit kishte “enë bronzi po pa asnjë peshë”. Ç’të qenë këto enë, përveçse objekte misterioze, të ardhur nga vise jashtëtokësore, nga vetë Parajsa.
Po kështu në këtë Tempull qe edhe një kandil i ndezur, por pa vaj, që nuk shuhej në mijëvjeçarë.
Moisiu e pa në mal një shkurre që digjej por nuk konsumohej.
Prohori i përshpirtshëm arsyetoi me mendje të kthjellët. Ai nënvizoi se enët prej bronzi, kandili, shkurrja janë njëkohësisht objekte të mirënjohura në tokë, të shqisuara prej njerëzve. Diçka konkrete.
Mungesa e konkretësisë tek objektet (që ai i quan biblike) është e veçanta e tyre.
Enët s’kanë peshë (s’i tërheq toka, rrinë pezull e mund të lëvizin në çdo pikë) zjarri i kandilit s’ushqehet nga vaji, kurse shkurrja mbetet po ajo, pavarësisht se në vështrim të parë duket sikur degët e saj shndërrohen në zjarr të vazhdueshëm që gllabëron gjithçka.
Ahere Prohori i ditur argumentoi befas se enët, kandili, shkurrja janë modele hyjnore të të gjitha enëve, kandilave, shkurreve, që i imitonin, por pa cilësinë e thelbëshme të mistikes që këto sende kanë në rendin jashtëtokësor, hyjnor.
Por ato tregojnë kthjelltësisht se në Parajsë ka sende, madje një numër infinit sendesh arketipalë. Çdo gjë në qiell i ka paraprirë çdo gjëje në tokë.
Kjo do të thotë se Atlantida që e përmend Platoni e ka modelin qiellor që as nuk fundoset dhe as shkatërrohet.
Të gjithë shenjtorët e kishës përpara se sa të martirizohen në tokë kanë ekzistuar në qiell. Prohori, që u mbiquajt Mistiku studioi, rrëmoi biblioteka të tëra, hulumtoi e përgatiti lista të tëra të dukjeve të dhuratave, sendeve apo qenieve hyjnore në historinë e njerëzimit.
Nëpër legjendat ai gjeti fakte të sigurtë, të pakundërshtueshme.
Në një legjendë romake flitej për lypësin thrakas, i cili thonte se jetonte në një pallat, që të tjerët s’e shihnin dot.
Por ata mund ta shihnin se si lypësi (që natyrisht nuk gënjente aspak) në muzg të ditës lëvizte duart për të hapur një portë, ngjiste shkallë dhe pikërisht në lartësinë 20 metra shtrihej horizontalisht në atë që ai e quante shtratin e tij mbretëror në katin e pestë të pallatit.
Në këtë pozicion rrinte tërë natën, në mëngjesin e ditës së re ngrihej, zbriste shkallët dhe dilte nga porta (e padukshme për të tjerët) në truallin e qytetit (ky qytet qe pikërisht Roma). Dëshmitarët e çmerituar s’thonin dot asnjë fjalë, por nuk dyshonin se lëvizjet lart poshtë të skllavit thrakas në hapësirë (mes qiellit dhe tokës) mund të vërtetonin (edhe vërtetonin) ekzistencën e një pallati të vërtetë, por të një rendi të arkitekturës të tjetërllojtë.
Prohori në traktatin e tij tronditës me një stil të përkorë e përmend edhe historinë e Jan Kukuzelit dhe të monedhës së artë që ja dha vetë shën Maria, Mëma e Zotit.
Monedha qe një komunikim, por jo një shkëmbim.
Me këtë monedhë nuk mund të blihej asgjë, që e pashpenzueshme dot në çfarëdolloj tregu.
Vlera e monedhës qe kozmike, dritë e metalizuar, pra objekt metafizik i vetëmjaftueshëm, qe monedhë dhe njëkohësisht gjithçka. Ajo siç u duk, ashtu kinse edhe u zhduk.
Në shekullin XX eruditi argjentinas Jorge Luis Borges shkroi diçka për lulen për të cilën foli (me përmallim dhe këndellje) anglezi Coleridge-i1).
Por Borgesi s’dinte asgjë për monedhën e artë që ju dha Jan Kukuzeli, por as për traktatin e Prohor Mistikut.
Ky traktat i depozituar në arkivat e Bibliotekës Mbretërore të Amsterdamit në Holandë ende nuk është publikuar, madje nuk e ka studiuar askush.
Në skedën shoqëruese thuhet se dorëshkrimi i traktatit i përket një farë murgu Prohor Mistiku, me shumë gjasa i lindur në Epir, mbase në qytetin Nikopoja dhe i vdekur në Venedik në fund të shekullit XV.
Çdo dituri është hapja e lëvozhgave, e botëve të mbyllura. Këto fosile të madhërishme të mençurive të hatashme ende presin.
Por ato janë, sepse nuk mundet të mos jenë.
Në disa raporte të një ekspedite shkencore të botanistëve amerikanë të Universitetit të Kembrixhit në vitin 1981 në xhunglën e Amazonës thuhet se u zbuluan disa lule të panjohura kurrë më parë.
Në fillim të ditës kishin formën e luleve, në fillim të mbrëmjes shndërroheshin në formën e monedhave të arta vezulluese. Për t’u kthyer sërisht çdo mëngjes në formën e luleve. Ah!
POST SCRIPTUM
Jorge Luis Borgesi nënvizon se rasti i treguar nga Coleridge-i për lulen nuk është i vetmi.
Kështu në një libër të Herbert Wellsit flitet për një personazh që udhëton në të ardhmen. Ai kthehet i dërmuar, melankolik, i pluhurosur dhe bjen nga e ardhmja një lule të çuditshme.
Mbase një lule qiellore a një lule, atomet e së cilës ishin të shpërndara në askund për t’u bashkuar në pëllëmbën e udhëtarit enigmatik.
Akoma më i skajshëm është një subjekt i Henry James-it. Për personazhin e tij lidhja midis reales dhe imagjinares nuk është një lule (a një monedhë ari) por një portret që daton që nga shekulli XVIII dhe që në mënyrë të mistershme është portreti i personazhit që udhëton në kohë. Ky personazh nuk udhëton në të ardhmen, por në të kaluarën.
Ai shkon në shekullin XIII dhe takon piktorin e pazakontë në studion e të cilit ishte pikërisht portreti i njeriut të lindur në shekullin XVIII, po që për arsye të çuditshme, qe kthyer pesë shekuj pas në atë që quhej e kaluar, pra me një regressus in infinitum të pakrahasueshëm.
Personazhi i Henry James (më duket se quhej Ralph Pendrel-i) zhvendoset në shekullin XIII për hir të joshjes dhe portretit të tij të veçantë dhe identik. Kështu shkaku bëhet paraardhës kundrejt pasojës.
Gjithçka ndodh në një botë ekumenike, iluzore, pavetore dhe njëkohësisht vrazhdësisht reale.
Komentet