Moj pikë,
e vogël sa të duash,
e madhe sa të duash,
Ti lind,
ti vdes,
ti ringjallesh,
ti dukesh,
ti zhdukesh,
ti zmadhohesh,
ti zvogëlohesh,
ti hepohesh,
ti ndjehesh,
ti prekesh,
ti dëgjohesh,
ti ndizesh,
ti shuhesh,
ti tretesh,
ti fantazohesh,
ti ngulesh,
ti shkulesh,
ti pritesh,
ti s’ngopesh,
ti dashurohesh,
ti urrehesh,
ti sprovohesh,
ti shahesh,
ti vetëlëvdohesh,
ti ngrin,
ti shkrin,
ti harrohesh,
ti s’vlerësohesh,
ti ngjysoresh,
ti nuk ndal,
ti nuk ec,
ti nuk fle,
ti shformohesh,
ti çmendesh, ti veten përsërit pa plagjiaturë
apo pathologji të kujtesës,
ti transformohesh.
E prapë,
dhe pse foljet e secilës gjuhë
mund të mbarojnë,
për ty kurrë mbarim nuk mund të ketë,
moj pikë,
e vogël sa të duash,
e madhe sa të duash.
Edhe ju, gjini të kundërta,
ashtu në aktin riprodhues,
prapë një pikë formoni,
e ngjashme me një trung
se merimangën thënë e kam njëherë,
ku në vend të gungave dhe zgjatimeve
mbi tokë e nën tokë,
këmbët e duart e ngatërruara
në shumime formash
të hutuara,
të imagjinueshme,
të pa imagjinueshme.
Vijat e jetës,
vijat e dashurisë,
ashtu të ndërthurura njëra me tjerën,
sikur venat, damarët, qelizat në trup.
Pikë,pikë,pikë…e gjithë vija e jetës,
a këtë tregon dhe rënia e shiut?
Pikë,pikë,pikë…e gjithë vija e dashurisë,
a këtë rrëfen dhe e qara me lot?
Njëra vijë, krijohet për të vazhduar,
tjetra vijë, vazhdohet për të krijuar.
Ju lutem shumë, shumë ju lutem,
edhe kur pikën mbi zanore
a në shenja pikësimi ta vendosni,
si do që të jetë,
kurrë mos mallkoni:
“-Të rëntë pika!”, Se pika vetëvetja është,
vetvetja,
vetvetja,
e vogël sa të duash,
e madhe sa të duash.
Komentet