Njerëzimi është përballur gjithnjë me katastrofa të mëdha, dhe nga këto sfida njerëzimi ka nxjerrë gjithnjë mësime të vyera. A do të jetë kështu edhe kësaj here?
Në një moment kur e gjithë bota i është nënshtruar pandemisë së Covid-19, gjithsecili prej nesh po reflekton nëse jeta jonë do të jetë e njëjtë, pasi kjo situatë të kalojë.
I nderuar Moikom, si po e përjetoni ju personalisht situatën e krijuar nga pandemia, në kushtet e karantinës?
Me qetësi të plotë, -pa ankth,- pa panik në aspektin vetjak,- duke lexuar dhe shkruar si përherë, – por shqetësuese është,- se pandemia është e tërë planetit, -pra mbijetesa e njerëzimit është në provë!
Kjo është diçka e pazakontë,- tronditëse.
Hidhëruese, shumë pikëlluese, alarmuese janë vdekjet e shumta të njerëzve- të infektuar nga corona virusi në botë.
Ç’mendim keni për situatën e krijuar në mbarë botën, çfarë na mëson historia dhe përvoja njerëzore?
Planeti ynë me miliarda vjet ka pësuar katastrofa të mëdha,- të pabesueshme.
Dinosaurët që e sunduan planetin për 150 milion vjet u zhdukët nga përplasja e një meteori vigan,-por jeta e gjallë nuk u zhduk,- evolucioni i jetës bazohet tek përshtatja ekzistenciale- dhe mbijetesa.
Njeriu si gjitari me inteligjent,- me imagjinatën dhe me të menduarin analizues dhe sintetizues ka krijuar njerëzimin dhe qytetërimet e ndryshme.
Por njeriu si qenie biologjike ka qenë në mijëvjeçarë i kërcënuar nga sëmundjet, epidemitë shfarosëse,- nga shumë pandemi.
Le të përmendim,- se edhe Homeri i pavdekshëm i bëri epet e tij në një situatë post-epidemike,- “Iliada” fillon me rrëfimin,- që Hyu Apolon kishte goditur me murtajë vdekatarët e tokës.
Në Mesjetë pandemitë e murtajes dhe të kolerës qenë fatale,- duke zhdukur me vdekje më shumë se gjysmën e popullsisë së Europës,-po kështu gripi, tifoja dhe lija kanë qenë apokaliptike.
Në kohërat moderne sëmundje e tmerrshme qe tuberkulozi,- Tomas Mani në romanin “Mali Magjik” përshkruan ankthin e të prekurve nga tuberkulozi,- kurse shkrimtarja Suzana Santag ka një libër të quajtur “Sëmundja si metaforë”,- dhe ne kuptojmë se si vdiqën të rinj,-para kohe- nga kjo sëmundje e TBC-së, Franc Kafka dhe Migjeni ynë.
Në shekullin XX romani “Murtaja “ e Albert Kamysë si dhe libri “Paniku “ i shkrimtarit japonez Takesi Kaiko ( që përshkruan epideminë e minjve të bambuve) janë referenca tashmë të pashlyeshme ,- të ngujimit të njerëzve- dhe të mbijetesës së tyre nga virozat vdekjesjellëse, të papërmbajtura,-si mallkimet biblike.
Në dijeninë tuaj, cilat kanë qenë epidemitë më të rënda nga të cilat është prekur vendi ynë ndër shekuj?
Në një shkrim eruditi Faik Konica e ka bërë një pasqyrë kronologjike të dukurive epidemike në shekuj të ndryshëm në Shqipëri.
Mesjetarologu i shquar Pëllumb Xhufi në librin e madh studimor “Arbërit e Jonit “ , ku përshkruan situatat sinoptike të historisë në hapësirat e Vlorës, Delvinës dhe Janinës në shekujt XV-XIII, në kapitullin e III , në faqet 1206-1226 ( libri është 1440 faqe) flet me citime dokumentash për përmasat katastrofike të murtajës në hapësirat e Shqipërisë.
Historia e një populli është dhe historia e sëmundjeve të tij.
Në shekuj shqiptarët kanë vuajtur sidomos nga dy sëmundje masive : malarja dhe tuberkulozi.
Por edhe nga sëmundje të tjera si sifilizi dhe lebra.
Kam një kujtim nga fëminia ime-kur shkova në klasën e parë në Durrës, isha vetëm 7 vjec, tërë nxënësve u jepej kininë dhe vaj peshku si masë mbrojtëse dhe preventive.
Mbas 1944 shqiptarët e luftuan dhe gati i zhdukën malarien dhe tuberkulozin, sifilizin dhe lebrën dhe kjo është një metaforë madhështore dhe shpresëdhënëse e historisë sonë.
Si i vlerësoni masat e marra nga Qeveria Shqiptare për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe a po funksionojnë siç duhet ato?
Masa të domosdoshme, jetike – por dhe standarde,- sepse rreziku nga covid 19 nuk është aspak një çështje specifike shqiptare, -por botërore.
Por kapacitetet tona spitalore janë të kufizuara dhe në rrafshin strategjik,-perspektiv,- ne ende nuk e dimë se kur do të bjerë kurba e pandemisë dhe për më tepër nuk dimë asgjë nëse infeksioni mund të përsëritet, pra të ketë disa edicione ciklike të sëmundjes.
Nuk ka asnjë arsye mburravecllëku dhe protoganizmi të stimuluar mediatik,- sepse shteti ynë potencialisht është shumë i dobët- e them me pikëllim këtë të vërtetë, – me shpresë për një përmirësim serioz.
Për vendimin për dërgimin në Itali të 30 mjekëve dhe infermierëve?
Është një gjest solidariteti i kuptimshëm, përtej nënkuptimeve, keqkuptimeve dhe artikulimeve publicitare,- është padyshim diçka pozitive dhe humanitare,-është një mesazh.

DITA 05 prill 2020
Pandemia ka imponuar masa të ashpra, që kanë kufizuar shumë liritë themelore të qytetarëve. Përballë rritjes së atij që quhet “shteti i mbikëqyrjes”, shumë analistë janë shprehur të shqetësuar se në demokracitë e brishta, ku futet edhe ajo shqiptare, mund të kemi të shtim të dozave të autoritarizmit dhe kontrollit shtetëror. A ka bazë një frikë e tillë?
Në kushtet e pandemisë rregullat kufizuese janë gati të pashmangshme dhe proceduriale,- pra bëhen si strukturë manuale- kjo nuk duhet harruar,- por as mbivlerësuar.
Ndonëse unë më shpesh këtë trysni të jashtëzakonshme të ngujimit të gjatë e ndjej si atmosferën e librit të tmerrshëm të Oruellit si një utopi negative,- të vërtetuar nga historia si totalitarizëm me përvoja të frikshme,- të vëshgimit ,- këqyrjes nga Big Brother.
Nuk e di se cfarë do të ndodhë në të ardhmen. Por nuk besoj në një skenar totalitar, -negativ.
Nga ana tjetër shihni se si një virus i skualifikoi edhe fetë e mëdha,- që janë krejt neutrale dhe gati të heshtura në këtë zgrib kohor,- krejt të pafuqishme ndaj pandemisë së pamëshirshme.
Në shumë analiza të bëra së fundmi, është theksuar që pandemitë kanë zbuluar historikisht fytyrën e vërtetë të shoqërive që kanë prekur. Çfarë ka zbuluar tek shqiptarët kjo pandemi?
Padyshim pandemitë i kanë zbulesat e tyre,- që duhen lexuar dhe përkthyer seriozisht,- në aspektin njerëzor universal pandemia e fundit , (por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë më pandemi futuristike) tregoi se lidhjet shoqërore janë të brishta,- pandemia individualizoi gjithçka, – bëri ,që Tjetri, të shndrohet në një subjekt armiqësor, -madje antagonist, i rrezikshëm,-një potencial i infektimit dhe vdekjes.
Por kjo do të thotë njëkohësisht, se njerëzimi është gjithashtu i brishtë- dhe duhet të korrigjojë diçka kryesore në substancën e tij- a nuk është polarizimi i llahtarshëm në një pakice të pasurish dhe një shumicë plebejane pa asnjë pasuri dhe mjetë jetese- një variant i Tjetrit,- që nuk përputhet, nuk njesohet dot dhe kjo burimëson një dehumanizim të madh, -a duhet menduar edhe për këtë?
Kjo pandemi tek shqiptarët tregoi një shoqëri patetike ,- por të prapambetur, me një ekonomi shërbimi, -që tani është krejt e paralizuar,- pra me një modul ekonomik të mangët,- të papërgatitur fjala vjen edhe përballë një krize ushqimore,-por dhe bankare.
Ekonomia shqiptare është e fragmentizuar,- pa autonomi fuksionale ,- pa të ardhme në kushte emergjence të papritur.
Ne mburremi si komb me ndjenjat e bujarisë, dhembshurisë, solidaritetit me njëri-tjetrin? A po i tregojmë sa duhet në këto ditë të vështira?
Humanizmi nuk i ka munguar popullit shqiptar asnjëherë- edhe në rastet e kësaj pandemie- shpirti i shqiptarëve ende nuk është tjetërsuar.
Por pandemia e ka shkatërruar ekonominë improvizuese dhe diletante, pa aspektin e mirëfilltë profesional të shqiptarëve- kjo mund të sjellë një kolaps financiar shumë shpejt.
Varfërimi do të jetë progresiv për fat të keq.
Shqipëria pati dy katastrofa: tërmetin e vitit 2019 dhe pandeminë e covid 19, janë shumë barrë e papërballueshme lehtë për të. Këtë e kuptojnë të gjithë, pa përjashtim.
Shteti shqiptar e kishte nënvleftësuar marrëzisht dimensionin shpëtimtar të emergjencë- prandaj u gjend fillimisht si “nje shtet kartoni”.
Jam i bindur se edhe në kushtet e një pandemie “kapacitete e tij të përballimit” të emergjencës “ janë ta vogla, aspak të menduara si një teori e mirëfilltë sigurimi.
Pra jemi një shoqëri që përjeton të tashmen , përditshmërinë rutinore dhe jo befasitë dhe të panjohurat e së ardhmes.
Këto 30 vjet klasa parapolitike shqiptare ( për fat të mbrapsht në të tëra viset dhe shtetet , ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptarësh) e ktheu konceptin e shtetit në një instrument dekorativ të triumfalizmit idiot dhe të rremë të partive në pushtet dhe nuk mendoi thellësisht për zhvillimin poliform dhe sovranist të ekonomisë në sintezë dhe jo në varësi të ekonomisë botërore.
Si shpjegohet që kjo krizë nxori në pah një BE jo shumë solidare, një vlerë që Brukseli e cilëson themeltare, teksa vendet që etiketohen nga Perëndimi si diktatoriale, janë shprehur më të gatshme për të ndihmuar të tjerët?
BE nuk është një matricë ekzistenciale e përsosur,- përtej fytyrës propogantistike BE- ka probleme të papërballueshme, -kjo i nxit sërish nacionalizmat “e fjetur”, kontradiktat,- mungesën e solidaritetit, cinizmin , individualizmin ekstrem, revoltat, luftërat etj.
Nga ana tjetër zhvillimi i shfytyruar i Neoliberalizmit- ka provokuar paradokse të jashtëzakonshme, -rendi botëror (establishment i shenjtëruar, i vjetër ) duhet të ndryshojë jo vetëm në procesin e prodhimit,- por dhe të ndarjes së të ardhurave,- që polarizimi të paktën të zbutet,- të rikthehemi tek Humanizmi, -qe shkenca dhe teknologjia e hatashme t’i shërbejë Njeriut.
Thuhet se pas kësaj pandemie bota nuk do të jetë më e njëjta, se do të ndryshojë rendi botëror, nga monopolar me vetëm SHBA-në në krye, në bipolar me dyshen SHBA-Kinë, apo shumëpolar, me disa poliqendra të pushtetit. Cili është mendimi juaj, dhe a do të sjellë ky ndryshim më shumë gjëra pozitive apo negative?
Ndryshimet e mëdha bëhen vetëm në substancën shoqërore- dhe nuk kanë të bëjnë me frikën virale të pandemisë (pandemive.)
Politikanët dhe qeveritarët e botës janë të prirur nga tabuja e statukuove dhe jo nga evoluimi pozitiv.
Si skema e bipolaritetit dhe ajo e shumëpolaritetit janë konvencione që nuk kanë prodhuar paqe dhe harmoni, përkundrazi.
Unë nuk jam profet për të bërë parashikime. Por ëndërroj për një Humanizëm dhe Njerëzim të Ri.
*****
Intervistoi S.Tresa DITA
Komentet