VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Misioni Apollo 11, përmes filmave

By | July 14, 2019

Komentet

Zbulohet një nga misteret e Stonehenge

VOAL – Një nga misteret që rri pezull rreth Stonehenge, objekti i famshëm neolitik anglez, është zgjidhur falë një suveniri të marrë nga një njeri që në vitet pesëdhjetë punonte në ekipin e konservimit të zonës. Më 1958 Robert Phillips kishte marrë një fragment shkëmbi si kujtim dhe e kishte dërguar në Florida, në Shtetet e Bashkuara. Ai e ktheu atë në vitin 2018, duke lejuar studiuesit ta analizojnë atë.

Nga analizat e kryera është bërë e mundur të kuptohet vendi i origjinës së blloqeve, 7 metra i lartë dhe pesha 20 tonë, të cilat përbëjnë zonën të famshme. Studiuesit arritën në përfundimin se ato vijnë nga një zonë e Wiltshire dhe se shumica e gurëve më të mëdhenj (50 nga 52) janë “vendas” nga West Woods, rreth 25 kilometra nga zona ku ndodhen megalitët më të famshëm në botë. Tani do të përpiqemi të kuptojmë se si ato u transportuan për këtë distancë nga ndërtuesit e rrethit prej guri që datojnë rreth 5000 vjet më parë.

Pasja e një fragmenti të nxjerrë tashmë është thelbësor, sepse ju lejon të analizoni një copë shkëmb pa prekur monolitët pranë Amesbury. rsi/eb

ARSHI PIPA LEXON LETËRSINË BASHKËKOHORE Nga Prof. Dr. Dhurata Shehri

 

Në shkrimin e tij të hershëm të botuar në numrin e parë të revistës “Kritika” të themeluar nga ai vetë në vitin 1944, Pipa ndan dy detyra për kritikën: “me vlerësue traditën dhe me ndjek hap pas hapi prodhimin e kohës”. Në këtë paraqitje do të ndalemi tek mënyra si e ka “kryer” detyrën e dytë, pra, tek Pipa si lexues i bashkëkohësisë. Rendi i gjërave na çon pashmangshëm tek Pipa si lexues i vetvetes dhe tek kanonizimi i letërsisë bashkëkohore gjë që duket një oksimoron i pastër.
Edhe pse në dukje, kritika shqiptare e ka synuar objektiven si vlerë të kritikes, ajo s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka përdorur atë si “mbështetje”, mburojë a mbrojtje. Prirja është aq e fortë dhe e vjetër sa ka prodhuar një model: modelin e kritikës binare, ku për të argumentuar objektivisht pëlqimin e një shkrimtari, ai vihej përballë një shkrimtari tjetër me të cilin kishte mundësi krahasimi, mundësisht kundërshtie. Kritika shqiptare e realizmit socialist, kryesisht (ose tërësisht) për arsye ideologjike, ka imponuar modelin ose/ose në vend të modelit edhe/edhe. Në rend kronologjik, me argumente e qëllime ideologjike kritika ka zgjedhur: ose De Radën, ose Skiroin, ose Naimin ose Fishtën, ose Fishtën ose Mjedën, ose Nolin ose Poradecin, ose Koliqin ose Migjenin në një varg dikotomik që ka krijuar dy kanone përjashtuese që nuk mund të funksionojnë veçse përballë njëri-tjetrit deri sa vjen sanksionimi në kanonin “solid” të realizmit socialist. “Një emër i përshtatshëm për këtë lloj kritike është shijim ideologjik” e përkufizon Pipa kritikën e realizmit socialist në të cilën “gjykimi estetik është i reduktuar në kompilimin e një kolone me pluse dhe një me minuse që lidhen me faktin nëse vepra përputhet me një set të dhënë rregullash”.
Citimi i mësipërm gjendet në një nga veprat e fundit të botuara nga Pipa, në Letërsinë bashkëkohore shqipe, e cila është ndarë po në dy pjesë: Realizmi socialist shqiptar dhe Poezia dhe poetika e Martin Camajt. Dy pjesë, të lidhura me ose/ose, por edhe dy mënyra të të bërit kritikë. Dy lexime që edhe vizualisht të çojnë tek modeli ose/ose. Ku model nuk shfaqet së pari tek këto shkrime të Pipës, një model të ngjashëm gjejmë edhe në shkrime të tjera për letërsinë bashkëkohore, si tek Fshatari në letërsinë bashkëkohore ku edhe aty gjen dy tipa personazhesh që ndajnë dy tipa letërsie: me raja dhe me kolkozë; ose ndarja që bëhet mes shkrimtarëve që kanë pak interes për fshatin (Kadare) dhe atyre që fshatin e kanë identitet (Agolli).
Modeli ose/ose është i fortë në kritikën e letërsisë bashkëkohore tek Pipa, paradoksalisht po aq i fortë sa ç’është edhe vrulli për ta kundërshtuar kritikën ideologjike të realizmit socialist. Po të kemi parasysh letërsinë që analizohet, kritikën sociologjike të Pipës një hap e ndan nga kritika ideologjike (apo anti/ideologjike) e realizmit socialist.

1. Realizmi socialist shqiptar

Në pjesën e parë të punimit, Letërsia bashkëkohore shqipe zhvillimi i letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri ndjek dy linja: analizën e veprave dhe autorëve kanonikë të kësaj letërsie dhe krahasimin me mendimin e kritikës zyrtare për të njëjtat vepra dhe autorë.
Zgjedhjen e vet Pipa e bën në një tension mes dy leximesh: duke kërkuar kryesisht politiken si rezistencë dhe duke e gjetur atë edhe aty ku nuk është si dhe duke anashkaluar përmasën e letërsisë së pastër aty ku ajo është e ndjeshme.
Shenjat e këtij modeli ideologjik apo anti-ideologjik leximi janë të dukshme që në “periodizim” pasi veprat dhe autorët interpretohen nisur prej rrethanave politike si Revolucioni kulturor, Pleniumi i 1974-s, vdekja e Hoxhës, etj. e sidomos në analizën që autori i bën veprës “Dasma” dhe “Kronikë në gur” të Kadaresë si dhe veprave të para të autorëve të viteve 1985.
“Dasma është vepra e vetme e Kadaresë që nuk përmendet në Historinë e letërsisë shqiptare të realizmit socialist, – dhe me të drejtë: romani është krejt e kundërta e modelit të vlerësuar në këtë punim, – ajo është manifesti i anti realizmit socialist” – shkruan Pipa. Por, intuita e kritikut nuk e lë që dy paragrafë më pas të mos pohojë se Dasma nuk është roman i mirë, madje nuk është as roman.
Për veprën më të mirë të Kadaresë, Kronikë në gur Pipa shkruan se “është pikë së pari një roman politik, heretik në frymëzimin e tij.” ose se “perversiteti seksual dhe terrorizmi janë rrugët që përdor autori për të hedhur mbi qytetin e lindjes zemërimin e tij të dëshpëruar për gjendjen politike në kohën që ai e shkroi romanin.”
Shumë më bindës në provën e krahasimit është John Updike me recensionin e tij për Kronikë në gur kur të njëjtin aspekt e analizon: “Qyteti i tij i gurtë paraqitet si një analogji bindëse e fëmijërisë së çdokujt – miqësor deri edhe në misteret e tij, i vyer deri edhe në vuajtjet dhe barbarizmat e rrëfyera.”
Duke u nisur sërish nga parametra politikë, jashtëletrarë, me vdekjen e Enver Hoxhës, Pipa, po ashtu paramendon lindjen e një letërsie të re, më pak të angazhuar pas vitit 1985 dhe e kërkon këtë tek autorë si Petriti, Marku, Zogaj, Ahmeti, Rukaj etj. Por sot, me kritere shijeje i vetmi dallimi i tyre me pararendësit Kadare e Agolli ishte talenti më i pakët poetik i “pasardhësve”.

2. Poezia dhe poetika e Martin Camajt

“Martin Camaj është në gati çdo aspekt i kundërti i Kadaresë. Ndryshe nga Kadare, një shkrimtar toskë, i lindur mysliman, marksist-leninist, urban, Camaj është një shkrimtar gegë, katolik, demokratik fshatar. Dhe ndërsa Kadare është një narrator që ka provuar dorën edhe në ‘poema të shkurtra dhe të gjata’, Camaj është një poet lirik i pastër dhe mbetet i tillë edhe kur shkruan prozë, duke shkëlqyer në një gjini, poemën në prozë, ku lirizmi mbërrin shkallën më të lartë.”
Vetëm në fillim, në hyrjen e punimit, Camaj klasifikohet prej Pipës përmes kundërshtisë. Më pas kritika e tij është veçuese dhe përzgjedhëse. Pipa veçon Dranjen nga gjithë krijimtaria e Camajt; veçon prozën poetike, por, sipas tij “askush përpara Camajt nuk ka përdorur atë lloj letrar për të strukturuar një rrëfim autobiografik” (duke harruar politikisht Pasqyrat e Narçizit të Koliqit); veçon poetikën e të ndërmjetmes si domosdo: “Mes epizmit të Fishtës që ngre lart heroizmin e malësorëve dhe prozës epike të Migjenit që ankohet për zvetënimin e tyre, Camaj i bie një kordhe të ndërmjetme, e cila nuk është as mburrje, as dhembshuri, por një ndjenjë e thellë, gati-gati fizike identiteti me vendin e vet.” Arshi Pipa zgjedh etikën si përplotësuese të poetikës së Camajt duke e marrë Dranjen si personifikim të “së vërtetës poetike”; zgjedh Camajn si poet të thellësisë së mendimit përkundër poetit lirik; zgjedh mundësinë e poetikës së të papërkryerës përkundër pamundësisë së lirikës së përkryer. Pipa dëshmohet subjektiv në zgjedhje, jo në veçim. Në këtë zgjedhje ai është edhe ekzilanti edhe veprimtari politik, edhe kundërshtari i komunizmit, edhe socialisti evropian, por edhe shijuesi i Montale-s përballë Ungaretti-t. Ai zgjedh Camajn, prozën poetike, gegnishten folklorike etike dhe antiheroike për ta çuar deri në fund modelin e tij ose/ose, por zgjedhja e tij është edhe ideologjike, edhe politike, edhe sociologjike kur e përshkruan poezinë e Camajt si: “Një poetikë e të pakryerës që përmban një etikë antiheroike dhe formulon një politikë demokratike të gjuhës dhe një politikë demokratike tout court.” Ose kur shkruan se: “Camaj i shkroi poezitë e veta më të mira kur modernizmi nuk e kishte prekur atë dhe kur ende mund t’i përgjigjej thirrjes së gjakut me një dëshirë të zjarrtë për emancipim të shtrirë në mënyrë bujare tek njerëzit e tjerë përtej vetes.”

3. Autoportret

Modeli ose/ose është sa ideologjik, aq edhe subjektiv tek Pipa kur bëhet fjalë për autoportretin. Në studimin Letërsia shqipe dhe perspektiva shoqërore Camaj do ta klasifikojë poezinë e tij tek “Poezia e mërgimit”, grupim në të cilin përfshihet Camaj dhe ai vetë. “Poeti i vetëdijshëm për artin e vet, mund të bajë, thomi na, kritikë me dinjitet” – shkruan Pipa shumë vite më parë, siç shkruan edhe se: “Objektiviteti asht kushti i parë i çdo kritike. Por kritika letrare – trill i poezís! – ka dhe një kusht tjetër; ajo bahet edhe me simpati. Si me i pajtue kto dy anë të kundërta? Kjo asht mjeshtria e kritikut t’aftë.”
Përligjja e modelit ose/ose që ka zgjedhur Pipa, sa ç’është ideologjike, aq është edhe përmbushje e “simpatisë” kur ai do të përkufizojë vetveten. Pipa e simpatizon Camajn; të qe për të, ai është poeti. Aq e madhe është simpatia për Camajn sa atij i duhet të zgjedhë midis toskut dhe gegut, midis poetit dhe prozatorit, midis shkrimtarit politik dhe poetit apolitik, midis qytetarit dhe fshatarit të mërguar, midis mërgimtarit dhe shkrimtarit të regjimit. Me simpati, Pipa do t’ia gjejë vendin vetes pranë Camajt brenda grupimit të ngushtë: “Poezia e mërgimit”, por shenjat e tendosjes në këtë pranëvënie do të shfaqen shpejt: “Poezia e Arshi Pipës u shkrua e gjitha në Shqipëri” – shkruan ai (atëherë pse brendashkruhet tek “Poezia e mërgimit”?) dhe më pas “Pipa u lind nga një familje qytetare, pati rastin të njohë fshatarë në burg. Paraqitja e tyre nga ana e tij është ajo e një shkrimtari qytetës, i cili ndjen SIMPATI për ta.” Kundërshtuese me pranëvënien e parën del një pjesë tjetër e autoportretit të Pipës, rreshtimi me disa kolegë të tij, që në kushtet e mërgimit nuk shkruan më letërsi. Kjo kundërshti e rrok fort Camajn, që letërsi shkroi vetëm në mërgim.
Modeli ose/ose bëhet jo funksional prej sublimimit në autoportretin e Pipës. Simpatia e subjektit kritik Pipa e sublimon njeriun politik për hir të letërsisë së kulluar që nuk e ka shkruar dot vetë. Camaj sublimohet si alteregoja e Pipës me të cilën ai do të njësohet. Poeti i poetikës së ndërmjetme, poetika e të papërkryerës së mundshme është modeli subjektiv i poetit që ai nuk u bë dot ndërsa kërkonte në fillime poezinë e kulluar me një gjuhë “qytetare” të kultivuar. Edhe kjo është simpati prej kritiku “të aftë”, subjektivitet në shkallën më të lartë.

***

Modeli ose/ose është themelor tek Pipa. Ai parashtron dhe zgjedh. Të njëjtën gjë i kërkon edhe lexuesit të kritikës së tij dhe të kritikës së realizmit socialist: lexuesi duhet të bëjë një zgjedhje mes subjektit kritik dhe shërbëtorit politik, mes “artit që e plotëson moralitetin me atë që i mungon” dhe “moralitetit që nuk e shterron dinjitetin njerëzor.” Zgjedhja është e pashmangshme sidomos me këtë paragraf nga “Letërsia shqipe bashkëkohore” ku përshkruan një nga denoncuesit apo “kritikët” e tij:
“Një nga studentët e mi në Durrës, Koço Bihiku, më rrinte para mbrapa ca kohë, duke më bërë pyetje të tilla si: ‘A lexoni letërsi sovjetike?’ dhe ‘A e pëlqeni Majakovskin?’ Mua nuk më pëlqen në mënyrë të veçantë Majakovski (i përgjigjesha). ‘Po Stalini ka thënë se ai është poeti më i madh sovjetik’ – përgjigjet studenti. ‘Ai mund të jetë – kundërshtoj unë – por jo sepse këtë e thotë Stalini. Stalini nuk është kritik letrar.”
Modeli ose/ose edhe një herë është thelbësor, modeli edhe/edhe i pamundur.
____________________
1) Arshi Pipa, “Shpirti kritik” në: Kritika, Princi, Tiranë, 2006, f. 30.
2) Arshi Pipa, Contemporary Albanian literature, New York 1991, f. 112.
3) Arshi Pipa, Contemporary Albanian literature, New York 1991, f. 54.
4) Po aty.
5) Po aty, f. 59.
6) Arshi Pipa, Contemporary Albanian literature, New York 1991, f. 64.
7) Arshi Pipa, Contemporary Albanian literature, New York 1991, f. 64.
8) John Updike, “Kronika dhe procesione”, në: Kadare, Vepra 4, Onufri 2008, f. 37, botuar si parathënie recensioni, i përkthyer në shqip nga John Updike, botuar për herë të parë në: “The New Yorker” 14. 03. 1988.
9) Arshi Pipa, Contemporary Albanian literature, New York 1991, f. IV.
10) Arshi Pipa, “Camaj’s poetry and Poetics”, në: Contemporary Albanian literature, New York 1991, botuar shqip në përkthimin e M. Gjanajt, edhe në: Camaj, Vepra 8, parathënia “Dranja”, Onufri 2010, f. 38.
11) Arshi Pipa, “Fshatari në letërsinë bashkëkohore”, në: Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore, Princi, Tiranë, 2013, f. 172.
12) Arshi Pipa, “Camaj’s poetry and Poetics”, në: Contemporary Albanian literature, New York 1991, botuar shqip në përkthimin e M. Gjanajt, edhe në: Camaj, Vepra 8, parathënia “Dranja”, Onufri 2010, f. 42
13) Arshi Pipa, “Camaj’s poetry and Poetics”, në: Contemporary Albanian literature, New York 1991, f. 140.
14) Po aty, f. 30.
15) Arshi Pipa, “Shpirti i kritikës”, në: Kritika, Princi, Tiranë, 2006, f. 32.
16) Po aty, f. 174.
17) Po aty, f. 174
Arshi Pipa, Skicë e një konceptimi mbi jetën, Princi, Tiranë 2011, f. 76.
18) Po aty.
19) Arshi Pipa, Contemporary Albanian literature, New York 1991, f. 2

Helikopteri Ingenuity përgatitet për eksplorimin e Marsit

Kur sonda Perseverance të zbresë në Mars, ajo do të sjellë mbi Planetin e Kuq teknologji të jashtëzakonshme që do ta bëjnë atë robotin shkencor më të sofistikuar në historinë e këtij planeti. Rreze lazer do të shkrijnë shkëmbinj dhe do të mbledhin avujt që çlirohen për të analizuar përbërësit. Po ashtu sonda do të përcjellë në Tokë zhurmat dhe imazhet e planetit. Por sekretet më të interesante pritet të zbulohen nga helikopteri novator, Ingenuity, që do të eksplorojë Planetin e Kuq.

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, helikopteri Ingenuity do të zbresë në Mars në shkurt 2021. Çdo etapë është llogaritur në detajet më të hollësishme.

Zbritja pa dëmtime është shumë e rendësishme për të garantuar funksionimin e rregullt të helikopterit që të përmbushë misionin e eksploruesit dhe grumbulluesit të informacionit.

“Helikopteri Ingenuity që po dërgohet me sondën Perseverance është një ndër aspektet më interesante të kësaj ekspedite, pasi për herë të parë do të demonstrojmë se mund të fluturohet në një planet tjetër. Fluturimi është një mënyrë shumë e efektshme për të eksploruar një objekt hapsinor,” thotë shkencëtarja e NASA-s, Bethany Ehlmann.

Sipas planit, sonda duhet të zbresë në kraterin Jezero, një nga mjediset më të mbrojtura në planet.

Shkencëtarët besojnë se kjo zonë është e pasur me depozita silikoni, mineralesh dhe përbërësish që do të vërtetojnë nëse planeti ka pasur ujëra neutrale që kanë mundësuar ekzistencën e jetës para 3 mliardë vjetësh.

Helikopteri Ingenuity u krijua në një nga laboratorët e NASA-s në Institutin Teknologjik të Kalifornisë. Një nga sukseset më të mëdha është fakti që ky helikopter është i aftë të ngrihet në fluturim në mjedisin marsian.

Profesor Ken Farley shpjegon përse helikopteri u ndërtua në formë unike:

“Helikpteri është i vogël, por ka helika gjigande krahasuar me trupin e vogël, secila rreth 1 metër e gjatë, pasi në Mars presioni atmosferik është shumë i ulët, vetëm sa 1% e presionit atmosferik në Tokë”.

Sipas shkencëtarit nuk është e mundur të imitohet me saktësi në Tokë presioni atmosferik i Marsit:

“Marsi është shumë i ftohtë, ka presion shumë të ulët atmosferik. Për të imituar këto kushte nevojitet një mjedis i madh në vakum. Ekipi që krijoi helikopterin ndërtoi një mjedis të madh për të krijuar kushte sa më të përafërta, por në realitet funksionimi do të vërtetohet në sipërfaqen e Marsit” thotë zoti Farley.

Përveç kushteve shumë të ndryshme atmosferike, Ingenuity ka edhe sfida të tjera përpara:

“Helikopteri mund të fluturojë vetëm disa minuta pa ndërprerje, pastaj i duhet të zbresë që të rikarikojë motorin. Prandaj duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm kur planifikojmë çdo fluturim. Do të fillojmë me detyra të thjeshta si për shembull ngritjen mbi sipërfaqe dhe qëndrimin pezull për pak minuta e pastaj zbritjen në sipërfaqe. Gradualisht do t’i bëjmë fluturimet më të gjata e më të ndërlikuara për të eksploruar me sukses Marsin,” thotë zoti Farley.

Nëse helikopteri kapërcen të gjitha sfidat, shkencëtarët besojnë se do të transformojë fluturimet hapsinore në të ardhmen:

“Do t’i bëjë lëvizjet e sondës më efiçente dhe do të provojë vlerën e teknologjisë së helikopterit. Kjo do të ofrojë një rrugë të re për eksplorime. Më pas mund të dalin gjenerata të reja helikopterësh, por fillimisht duhet të provojmë se teknologjia funksionon,” thotë zonja Elhmann.

Sfida e parë e helikopterit është rruga drejt Marsit. Nëse zbret me sukses në planetin e kuq, më pas do të duhet të demonstrojë se mund të funksionojë në temperaturë -90º celcius. zëri i amerikës

Camaj, parathanës i vendformimit të Neostandardit – Nga Ledi Shamku-Shkreli

Jemi mbledhë sot përreth Camajt, ndaj Martini s’mund të mungojë. E më fort se kur flitet për atë vetë, ai duhet me qenë i pranishëm sa herë që flitet për Shqipen – gjuhë amtare e tija dhe jona. Kështu pra, meqë krye-verb i fjalës sime sot është Shqipja, përmasa jonë etno-kulturore, ju grish të kthehemi 30 vjet mbrapa në kohë, në 2 dhjetor të 1991, në Seminarin e Salernos kushtuar shtresimeve të shqipes. Ky seminar u çel nga Camaj, pikërisht nga Camaj dhe nuk është gand që Adolorata Landi dhe Patrizia del Puente zgjodhën atë për me hapë një seminar, i pari i një kohe kur besohej se fryma e lirisë dhe demokracisë do ta rimte sërish edhe pëlhurën tonë gjuhësore të ngrirë nga diktatura. Thashë pak parit se Camaj sot nuk mund të mungojë, ndaj le t’i ndëlgojmë kumtet e tij: “Ka rreth 30 vjet qi në Shqipní po vazhdon procesi i normalizimit të gjuhës, i cili nuk merr parasysh randësinë e dialekteve e të historisë, ase të dokumentave si: dorëshkrime, tekste letrare etj. Teoria themelore qi drejtoi procesin e ndjekun për zbatimin e normës, qi në të vërtetë âsht vû në jetë me dhunë, i përket Stalinit. Hoxha (nuni i saj sipas Camajt) në vend të gjuhës, imponoi praktikisht dialektin e vet, ase mâ mirë, nji prej nëndialekteve të tosknishtes lindore. Çdo variant tjetër gjuhësor letrar u ndalue, në veçantí ai i veriut. U pengue edhe zhvillimi i tosknishtes tradicionale letrare, në veçanti përbâsja e saj perëndimore, qi âsht zhvillue në hapsinën prej bregut shqiptar të Jonit deri në Peloponez e prej aty bashkohet me zonat arbëreshe të Italís Jugore. Këtu âsht trashigue nji traditë letrare e zgjedhun e tanë sqimtí, e ngjashme me klimën e butë mesdhetare”.
Ngula këmbë që për punë të shqipes së përbashkët sot Camaj të shprehej vetë, ashtu shkipët e pa “dragomâj”, për t’ia shkëputë kumtet e tij cergave tjetërsuese, të cilat vijimisht e përmes manipulimesh, e kanë cilësuar si hiperlokalist, anti-unitar e anti-kombëtar. Porse Camaj është ndër të rrallët, për të mos thënë i vetmi që iu referohet gjithnjë tri koineve sa herë rrihet argumenti i normës. Ai dëshmon për këtë trinì si in varietate concordia, apo për t’ia dhënë fjalën atij vetë: “Për gati nji gjysë shekulli para ardhjes së stalinizmit, tre variantet letrare janë zhvillue lirshëm në nji simbiozë harmonike. Weigand-i, Nahtigal-i, Pekmezi, Xhuvani e deri edhe autorë veriorë si Fishta e Gurakuqi, këshilluen qi unjisimi i gjuhës zyrtare të mbërrihej nëpërmjet “avitjes” së këtyne varianteve. Kjo gja duhej me u krye jo në mënyrë të vrazhdë. E në të vërtetë, deri në 1944 shoqnija shqiptare zhvillohej në nji rreth simbiozet familjare, kulturore e gjuhsore. Në veçanti në Tiranë kryheshin kontaktet e para gjuhësore mes atyne që përdorojnë dialekte të ndryshme; aty kryhet afrimi. Treguesit e këtij afrimi ishte dashtë me u ndjekë me kujdes, duke gjetë rrugën mâ të drejtë për unjisimin e gjuhës”.


Në duam ta përmbledhim, kumti kryesor i citimit të mësipërm është se Camaj, tridhjet vjet të shkuara, gjykonte se shqipja e përbashkët evolutive, do ta kish pas epiqendrën e vet të formimit në truallin sociolinguistik të Tiranës kryeqytet. Natyrisht, mendonte Camaj, do ta kish pasë po të mos ia kish zënë vendin Shqipja Totalitare. Madje, shton gjuhëtari, n’atë truall jo vetëm do të latohej entiteti gjuhësor prej miliona replikash kompromise nga çdo areal shqipfolës, por po në atë amë sociolinguistikte duheshin zgjedhur edhe elementet rregullarizuese të induktuara (Treguesit e këtij afrimi ishte dashtë me u ndjekë me kujdes, duke gjetë rrugën mâ të drejtë për unjisimin e gjuhës). Nuk është i vetmi Camaj që e mendon kësisoj. Guiraud në vitet ’70 shkruan: “duhet shqyrtuar mirë ligjërimi popullor parizian, që sot në fakt është ligjërimi popullor i thuajse të gjithë francezëve, apo së paku i atyre që e përdorin frëngjishten në mënyrë të natyrshme”.
Çfarë ndodhi në fakt në këto 30 vjet? Për nga pikëpamja sociolinguistike gjithë këto kohë lëvizjesh të lira demografike, Tirana, në aspekt gjuhësor, nisi të shërbejë si truall pritës për nivelet dhe regjistrat e ndryshme gjuhësore që konvergojnë aty si ligjërime ardhëse. Saussure pohon se të gjitha gjuhët ardhëse do të ndryshojnë nën trysninë e sistemit gjuhësor pritës; por nuk është vetëm gjuha ardhëse ajo që ndryshon, pasi edhe idioma pritëse pëson ndikime nga përplasja me të parën. Kështu ndodh që trualli gjuhësor konservativ (i Tiranës) modifikon ligjërimet ardhëse, por njëkohësisht modifikohet prej tyre. Nga ky “proces alkimik” lind njëri ndër nivelet më të rëndësishme ligjërimore të Shqipes së Sotme, i cili në terma bashkëkohorë përkufizohet si Substandarti i Metropolit.
Por vini re, është shumë i rëndësishëm fakti që trualli gjuhësor pritës i Metropolit ja ka dalë ta ruajë karakterin konservativ. Për nga pikëpamja strukturore, ky fakt shpjegon edhe pse një pjesë e mirë e akomodimeve të sotme të shenjuesve zyrtarë, akomodime të cilat kryhen prej këtyre forcave vetëstrukturuese, ndjekin shpesh për inerci hullinë konservative. Ndaj duke i parë në çelës diakronik, shumica e përftesave të sotme, ndonëse rezultojnë si inovacione në raport me normën, në raport me shqipen vetë dhe në thelb të tyre del se shpesh janë konservacione. Nga ana tjetër, prurjet e shumta e të shumëllojshme qoftë diatopike, qoftë diastratike që derdhen në Substandardin e Metropolit, janë kryesisht të llojit inovativ. Fakti që këto inovacione përpunohen në një truall gjuhësor, substrati i të cilit, siç e kemi analizuar në punime të mëparshme, është me karakter konsevativ, bën të mundur që neoformat e Shqipes së Sotme të mos jenë mutacione por fraktale të mëtejshme të së njëjtës lëndë historike. Me fjalë të tjera duam apo nuk duam ne, Substandardi i Metropolit bëhet kështu njëri ndër garantët e evolucionit të pandërprerë të Shqipes Publike, i cili jo rrallë rezulton se po korrigjon edhe ndërhyrjet e djeshme subjektive në lëndë të Shqipes. Ndodhemi përpara një situate jo vetëm interesante nga pikëpamja gjuhësore, por edhe historike. Kjo “gjendje” duhet studiuar sa më shpejt, pikërisht se po të shqyrtohet dhe të përkrahet në kohë, do të shpjerë në forcimin dhe rivlerësimin mbi baza reale të kodit gjuhësor mbarëshqiptar. Gjithë kjo ngaqë sociolekti, me epërsinë e tij komunikuese, thyen te çdo idiomë atë që Saussure e quan esprit de clocher – mendësinë e izolimit – dhe vë kësisoj në lëvizje proceset e uniformizimit objektiv. Z. Ardian Vehbiu, lidhur me domosdoshmërinë e marrjes në konsideratë të këtij entiteti nga studiues dhe planifikues të shqipes shkruan se: “Në të vërtetë, standardi ekzistues i shqipes e ka potencialin për t’u rishikuar pa çuar kjo në ndonjë shkoqje të identitetit gjuhësor dhe kulturor të shqipfolësve; por se çfarë do të rishikohet pikërisht, dhe si do të realizohet kjo, varet në masë të madhe nga çfarë është adoptuar prej folësve vetë përtej llogoreve dialektore, në atë ‘rain forest’ të biomasës së shqipes së sotme, që është Tirana. Me fjalë të tjera Substandardi i Metropolit mund të konsiderohet si “gjuhë në kontakt” që farkohet në rastin tonë ndërmjet dialekteve dhe shqipes standarde të të gjitha stileve, ndaj dhe paraqet një fond të pasur gjuhësor. Veç të tjerash është edhe një vënie në provë e gramatikës, duke qenë se bazohet mbi mekanizma pragmatike që priren ta thjeshtojnë sistemin e kodit formal parashkrues. Saussure dëfton se ,“ai që e krijon gramatikën, e ka në dorë sa kohë s’e ka hedhur në qarkullim, por që nga çasti kur ajo përmbush misionin e saj duke u bërë pronë e gjithkujt, kontrolli del dore. Sikur njeriu të pretendonte se po krijonte një gjuhë të pandryshueshme, të cilën pasardhësit duhet ta pranonin të pacenuar, ai do t’i ngjasonte një pule që klloçkit vezë rose: gjuha e krijuar prej tij, me hir a me pahir, do të përfshihej në rrjedhën që merr me vete të gjitha gjuhët”.
Gjallimi i Substandardit të metropolit është një tjetër element prove në mbështetje të tezës se shqipja, si çdo gjuhë tjetër, zhvillohet përmes një continuum-i gradual evolutiv duke kaluar në këto etapa:

Dialekte → Varietete Krahinore → Shqipe Popullore → Substandart i Metropolit → Shqipe e Njësuar (Standard ↔ Neostandart)
Këtë iter do të ketë pasë në mend edhe Camaj tridhjet vjet të shkuara kur tërhoqi vëmendjen tek rëndësia parake e asaj përziemje të vetvetishme që ka ndodhë e ndodh prore në Tiranë. Kjo prurje substandarte popullore, e cila mungon krejt në kodin standard, vijon të ushqejë përditë proceset ristandartizuese të shqipes. Dhe prania e substandartit është në të vërtetë prani e folësit e madje e një folësi kolektiv trashendental, i cili është bartës i shqipes që ka qenë po dhe i asaj që do të jetë. Gjithë këtë trashëgimi kodesh stilesh e regjistrash, të shkruar e sidomos të folur, tok me tharmin unitar të ardhmënisë, Substandarti e ofron pareshtur e përmes procecesh mirëfilli vetërregulluese, në ristandardizimin e shqipes letrare. Dhe në fakt, matjet e kanë dëshmuar tashmë se ka lindur e po fuqizohet varieteti Neostandard si formë e thjeshtuar dhe e pasuruar e Standardit, që ka përdorim masiv dhe që gjuhësisht e kulturalisht paraqitet më i hapur se Standardi, pasi mund të përmbushë të gjitha nevojat e komunikimit publik, deri edhe ato praktike e të përditshme. Neostandardi gjendet në kapërcyell të gjuhës së shkruar e asaj të folur. Përbërësit e këtij varieteti del se janë: Substandardi i Metropolit + Tiparet e Gjuhës së Shkrimit. Ky rezultat është mirëfilli pohim i parathanës së Camajt: vendformimi i Neostandardit të Shqipes është Tirana Metropol. Po ashtu matjet dëftojnë se ky Neostandart po realizohet në plotninë e vet diamezike, pra si në rrafsh të folur, ashtu edhe në rrafsh të shkruar.
Neostandardi i shkruar është ai varietet i shqipes së përbashkët me të cilin po identifikohen gjithnjë më shumë përdoruesit e shqipes, duke filluar nga përdorimi i saj si gjuhë publike e deri te përdorimet vetjake nga nxënës, studentë apo shkrues të mesëm. Epërsia e këtij varieteti ndaj normës standarde qëndron pikërisht në dy tiparet karakteristike të tij:
– në prakticitetin e repertorit të tij gjuhësor, me të cilin mund të përmbushet një gamë mjaft më të madhe situatash shkrimore, pra jo vetëm situatat thellësisht formale;
– në afërinë që ngërthen ky varietet me përdorimet e folura dhe me formate trashëguara të traditës.

Neostandardi i folur është varieteti i Shqipes së Sotme drejt të cilit synojnë gjithë ata përdorues që, duke zgjedhur ta përvetësojnë në të folurën e tyre prestigjin që ofron gjuha letrare, e deskematizojnë dhe e ristandartizojnë vijimisht këtë të fundit në përputhje me kushtet e reja social-kulturore. Natyrisht që Neostandardi i Shqipes së Sotme ka edhe një gjurmë të ndjeshme të pragmatizmit gjuhësor, prej të cilit në mjaft situata ai paraqitet edhe si i varfër në mjete, por kjo çështje i takon më shumë kulturës së gjuhës sesa gjuhës vetë. Dhe si e tillë mund të përballet duke i kundërvënë mes tjerash një edukim gjuhësor demokratik, i cili nxit qarkullimin e mjeteve shprehëse, të atyre mjeteve të simbiozës së trashëgueme – siç e quan Camaj, duke pasuruar ksodore kompetencën e mandej performancën e shqipfolësve.
Këtu e 30 vjet më parë Martin Camaj përfytyroi ringjalljen e unitarizmit gjuhësor në Shqipen që pat shkizmuar ideologjia. Parathana e tij shenjoi Tiranën e çliruar si vatër të unitarizmit gjuhësor. Tridhjet vjet më pas, koha po i jep të drejtë vegimeve poetike e andrrimtare të atij që rrëfeu se: “ngjarjet qi i kanë ra për hise gjuhës time qenë edhe shkaku mâ i thellë qi më ka shtye me u marrë si shkencëtar me gjuhën”. Kjo që po ndodh në Tiranë është vetëm fillimi i një reforme nga poshtë mbi Shqipen.

Shqiptaro-Amerikani Niko Qafoku futet në listën e shkencëtarëve më eminentë të SHBA

Shqiptaro-Amerikani Niko Qafoku sapo ka marrë një gradë të re prestigjioze në PNNL, që është pararoja e kërkimit shkencor energjitik dhe mjedisor në SHBA dhe në botë, gradën Lab Fellow, që e fut atë në listën e shkencëtarëve më eminentë të SHBA.
Voal.ch e uron shkencëtarin shqiptaro-amerikan dhe ndërkohë për lexuesin e gjërë sjell një intervistë të tij marrë nga Zëri i Amerikës. Është e vitit 2010, pra e dhjetë viteve të shkuara, e megjithatë tregohet shumë mirë rruga e suksesit përmes punës e Niko Qafokut.

Zëri i Amerikës: Me shkencëtarin shqiptaro amerikan Niko Qafoku

Laboratori kombëtar Pacific Northwest, në Riçland të Shtetit Uashington është një prej qëndrave më të sofistikuara në botë në fushën e biologjisë molekulare. Laboratori është pjesë e Departamentit të Energjisë dhe nëpërmjet studimeve, eksperimente të shumta e zbulime, ky institucion shkencor ndihmon për nevojat e vendit në fushën e energjisë e të mjedisit. Prej disa vjetësh në këtë laborator punon shkencëtari shqiptaro amerikan, doktor Niko Qafoku, i cili është edhe redaktor shkencor i revistës së njohur të Shoqatës Amerikane mbi Shkencat e Tokës, një revistë e njohur shkencore cila del dy herë në muaj dhe shpërndahet në qëndrat më të rëndësishme shkencore në mbarë botën. Le të ndjekim në vazhdim, intervistën që kolegu ynë Astrit Lulushi i mori zotit Qafoku nëpërmjet telefonit.

Zëri i Amerikës: Doktor Qafoku, laboratori ku ju punoni, ështe një prej laboratorëve të Departamentit amerikan të Energjisë, dhe ndonese i krijuar relativisht më vonë, ka arritur të bëhet shumë i njohur në disa fusha të kerkimeve shkencore e madje të rendidet krahas laboratorëve të tjerë të njohur si për shembull ai në Los Alamos në fushën e fizikës bërthamore. Sigurisht po të kihet ketu parasysh edhe buxheti prej disa qindra milionë dollarësh, kjo tregon se ju dhe shkencetarë të tjere atje dicka bëni, çfarë konkretisht?

Dr. Qafoku: Laboratori ka aktualisht rreth 4000 punonjës. Aty kryhet kërkim teorik dhe i zbatuar shkencor në fushat e biologjisë molekulare dhe mikrobiologjike, mbrotjes së mjedisit, radiologjisë, kimisë analitike, informatikës dhe të teknologjisë. Laboratori u krijua në vitin 1965 mbi bazën e disa laboratorëve egzistues, të cilët ishin pjesë e projektit Manhatan, ku sic dihet u kryen eksperimentet e para të aplikuara në fushën e fizikës bërthamore, gjatë viteve të luftës së dytë botërore. Rezultatet cilësore të punës shkencore në këtë laborator kanë bërë që ai të fitojë një emër shumë të mirë në qarqet shkencore dhe akademike këtu ne Amerikë, por edhe në Botë.

Zëri i Amerikës: Mbrojtja e mjedisit është tashmë në vetëdijen e secilit. Këshilla e udhëzime praktike për mbrojtjen e tij ka plot. Shkencat molekulare japin një ndihmesë të madhe në këtë drejtim. Cilat janë disa nga rezultatet e kësaj ndihmese?

Dr. Qafoku: Eshtë e vërtetë që studimet në nivelin molekular japin informacion bazë pa të cilin nuk mund të kuptohen proceset tepër të ndërlikuara dhe të ndërthurura, me karakter fizik, kimik, mikrobiologjik, dhe hidrologjik, që ndodhin në mjediset e ndotura. Për vetë natyrën e tyre komplekse, këto procese mund të studjohen vetëm nga një grup shkencëtarësh të specializuar në fusha të ndryshme. Si pjestar i këtij grupi, unë merrem me studimin e lëvizjes se disa nga formave molekulare të uraniumit dhe të kromiumit, në shtresat e tokës dhe të nëntokës si dhe në ujërat nëntokësore. Për këto studime kërkohet eksperimentim në laborator si dhe përdorimi i teknikave moderne të mikroskopisë elektronike dhe sperktroskopisë. Kam arritur që rezultatet e studimeve të mija t’i botoj në revista cilësore me qarkullim botëror.

Zëri i Amerikës: Doktor Qafoku, ju keni perfunduar Institutin Bujqësor të Kamzës në Shqipëri, me planet për t’u bërë agronom. Sot ju punoni në një nga laboratorët më të sofistikuar në bote. Si ndodhi ky kapërcim? Apo ishte një evolim i juaj?

Dr. Qafoku: Unë erdha në Amerikë në vitin 1994 si Fulbright Scholar në Institutin Politeknik dhe Universitetin Shteteror të Virxhinias. Po atë vit u pranova në shkollën pasuniversitare të Universitetit të Xhorxhias. Mbarova aty studimet ne 1998 dhe fitova njëkohësht gradat shkencore Master në Matematikë të Aplikuar dhe Informatikë, dhe titullin PhD në kiminë e tokës dhe të mjedisit. Gjithashtu, bëra një specializim 3 vjecar post-doktorature, dhe vetëm pas kësaj mu afrua pozicioni i studiuesit në laboratorin ku punoj aktualisht.

Zëri i Amerikës: Revista e Shoqatës Amerikane të Shkencave të tokës u shpërndahet instituteve të njohura shkencore në mbarë botën. Ju merreni me redaktimin shkencor të punimeve dhe shkrimeve që botohen në këtë revistë. Ku e gjeni kohën?

Dr. Qafoku: Puna e redaktorit shkencor më tërheq jo vetëm për faktin që kjo revistë amerikane, por edhe ndërkombetare, renditet si më e mira në botë ndërmjet revistave të së njëjtës fushë. Artikujt që dërgohen për botim në këtë revistë janë vërtet cilësor dhe jo vetëm që mësoj shumë prej tyre, por është edhe kënaqësi për mua të miratoj botimin e tyre. Puna si redaktor shkencor më ka krijuar gjithashtu mundësinë që të njihem e bashkëpunoj me studiues të shumtë nga e gjithe bota. Pa dyshim ja vlen mundimi dhe koha që i dedikohet këtij aktiviteti.

Zëri i Amerikës: Doktor, nga sa thatë, duket se ju keni pasion të madh për shkencën dhe dëshira juaj sikur e mposht edhe lodhjen. Me këtë dua të them se ju redaktoni e administroni edhe një tjetër revistë, këtë herë ne internet, për t’u ardhur në ndihmë shkencëtarëve shqiptarë kudo në botë që të shkëmbejnë mendime, të krahasojnë studime e te bashkëpunojnë. Nuk është kjo pak si shumë, për një 40 vjecar familjar si ju, në një vend si Amerika e me një vendpune të zgjedhur si në laboratorin ku ju punoni?

Dr. Qafoku: Ju falenderoj për këtë pyetje. Eshtë vërtet kënaqësi e vecantë për mua që të kontribuoj me mundësite që kam për zhvillimin e shkencës shqiptare nëpërmjet botimit të revistës ANASH, e cila boton më të mirën e shkencës shqiptare pavarësisht se ku prodhohet ajo, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Diasporë. Por jo vetem kaq. Rreth 5 vjet me parë u krijua në internet Forumi Alb-Shkenca që aktualisht ka rreth 1300 antarë, shumica e të cilëve jane studiues, studentë dhe intelektualë shqiptarë nga e gjithë bota. Me nismën edhe të disa kolegëve të tjerë, u krijua para disa muajsh Instituti Alb-Shkenca i cili aktualisht ka rreth 170 anëtarë. Instituti ka 8 seksione shkencore dhe, me sa di unë, është grupimi i parë i Diasporës shkencore shqiptare dhe i studiuesvet shqiptarë nën ombrellën e një institucioni të vetëm. Qëllimi kryesor i ngritjes së Institutit Alb-Shkenca është që të ndikojë në zhvillimin e shkencës shqiptare nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit mes studiuesve shqiptarë. Instituti do të organizojë takimin e dytë vjetor të tij në Prishtinë, më 15-16 gusht 2007. Interesi për këtë takim ka qenë vërtet i madh dhe pritet që gjatë këtij takimi të paraqiten rreth 150 punime shkencore. Ne jemi shume te interesuar qe te zgjerojme rradhet e Institutit Alb-Shkenca me studiues shqiptarë, dhe të gjithë të interesuarit mund të na shkruajnë pa hezitim në adresën elektronike alb-shkenca.org

Zëri i Amerikës: Doktor, ju në këtë rast, sic e thatë, keni krijuar një ombrellë për të gjithë shkencëtarët shqiptarë kudo në botë dhe me këtë nismë apo ambicje sikur ua keni kaluar apo u keni bërë një sfidë Institucioneve shkencore e akademike të themeluara prej kohësh si në Shqipëri e Kosovë. Si është pritur kjo nismë prej tyre dhe a ju kanë ofruar zyrtarisht ndonjë përkrahje apo bashkëpunim?

Doktor Qafoku: Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Në fakt deri tani nuk kemi patur shumë përkrahje. Megjithatë ne po punojmë e po përpiqemi që në radhë të parë Instituti ynë të njihet në Shqipëri, Kosovë e kudo nëpër botë dhe mendoj se do të marrë pak kohë derisa ky institut të zerë vendin që i takon mes institucioneve të tjera shkencore e akademike. Por një gjë është e sigurt që koncepti i organizimit të Diasporës shkencore është një koncept i ri jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vende të tjera dhe unë mendoj se Instituti Alb Shkenca po bën një punë të mirë në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.

Më 21 qershor 1646 lindi Gottfried Wilhelm Leibniz, filozof dhe shkencëtar gjerman, bëri studimin e parë për gjuhën shqipe dhe shqiptarët

Gotfrid Vilhelm Lajbnici (Gottfried Wilhelm Leibniz, 21 qershor/ 1 korrik 1646 – 14 nëntor 1716), ishte filozof, shkencëtar, matematikan, diplomat dhe jurist gjerman. i cili kryesisht shkruante në gjuhën latine dhe frënge.

Lajbnici konstruktoi makinën e parë llogaritëse që ishte e aftë të kryejë shumëzimin dhe pjesëtimin. Ai gjithashtu futi në përdorim sistemin e numrave binar që sot përdoret në sistemet kompjuterike. Pavarësisht nga Isak Njutoni ai, “zbuloi” ,,njehsimin diferencial,, dhe futi në përdorim simbolet për integralin, derivatin dhe diferencialin të cilat edhe sot janë në përdorim për dallim nga simbolet e Njutonit të cilat ishin më konfuze , për integralet zgjodhi germën latine (S germa e parë e fjalës suma), të cilën e zgjati pak dhe për simbol të derivatit respektivisht të diferencialit germën D (germa e parë e fjalës latine diferentia). Lajbnici mendonte që simbolet janë shumë të rëndësishme për t’i kuptuar gjërat. Ai gjithashtu provoi të formojë një alfabet për mendimet njerëzore, në të cilin do t’i pasqyroje të gjitha konceptet bazike të përdorimit të simboleve dhe kombinimet e tyre për të pasqyruar mendime më komplekse. Lajbnici asnjëherë nuk e përfundoi këtë. Kontributi i tij filozofik për matematikën është bazë e Monadologjisë, në të cilën fut Monadat si “formë substanciale e qenies”, të cilat janë të ngjashme me atomet shpirtërore, i përjetshëm, i patretur, individual, të ndjekur nga vet ligji i tij, pa bashkëveprim (“xham dritareje”) por që nuk reflektonin Universin si tërësi. Në këtë rrugë skema e mësipërme si nocion që tret monadën në problemin e bashkëveprimit të mendjes dhe dukjes së lëndës. Ai bashkë me Rene Descartes, dhe Baruch Spinoza është njëra nga tre figurat më të rëndësishme të racionalizmit të shekullit XVII. Ai zë një pjesë të madhe në historinë e filozofisë dhe në historinë e matematikës. Është i njohur konstatimi i tij se universi ynë është më i miri i mundshmi me fjalë tjera as Zoti vetë nk do të mund të krijonte një më të mirë. Lajbnici dha kontribute të çmueshme edhe në Fizikë, teknologji, biologji, mjekësi, gjeologji, psikologji, linguistikë. Ai gjithashtu shkroi edhe për tema nga politika, Jurisprudenca,Etika, Teologjia, historia, dhe Filologjia.

Lajbnici, njëherit, ka bërë studimin e parë ndër gjermanët dhe evropianët për prejardhjen e gjuhës shqipe e të shqiptarëve. Lajbnici me tri “letrat shqiptare[1] që ai i ka dërguar bibliotekarit mbretëror në Berlin, së bashku me albanologun Erik Hemp, “një dijetar të hershëm të vërtetë të gjuhës shqipe”[2] paraqesin të parët teorin “ilire” të prejardhjes së gjuhës shqipe.

Biografia[

Gotfrid Vilhelm Lajbnici lindi më 5 korrik 1646 në Leipzig, babai i vdiq kur ai kishte 6 vjet kështu që mësimet e para nga feja dhe morali i mori nga nëna e tij. Këto mësime zgjuan tek ai një nxitje për tu marrë me filozofi. Në moshën madhore prezantohej si “von Leibniz”. Babai i tij ishte profesor i filozofisë së moralit në Universitetin Leipzigut i la një bibliotekë personale mjaft të pasur në të cilën Lajbnici filloi të studionte libra që në moshën 7 vjeçare. Kur i mbushi 12 vjet pa problem e zotëronte gjuhën latine e cila në atë kohë ishte gjuha e shkencës. Pastaj filloi të interesohej për gjuhën greke. Në moshën 14 vjeçare i filloi studimet në Univerzitetin ku punoi babai i tij të cilin pas 4 vjetësh e mbaroi në degën e jurisprudencës aty ai gjithashtu mori leksione nga logjika dhe filozofia skolastike. Edukimi i tij matematik ishte në nivelet si në Francë dhe Britani. Në vitin 1666 (ai e publikoi librin e tij të parë si temë diplome Mbi artin e Kombinatorikës.

Letrat shqiptare

Janë të njohura tri letra, si duket letërkërkesa të Lajbnicit dërguar një bibliotekisti në Berlin. Në letrën e parë të datës 24 janar të vitit 1705, Lajbnici shprehte mendimin se shqipja duhej të ishte një gjuhë sllave, kurse gjuha e ilirëve të lashtë mund të ekzistonte diku në Epir.

Letrën e dytë ai e shkroi pothuajse pesë vjetë më vonë, më 10 dhjetor 1709, pasi kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, që ishte identifikuar (nga Erik Hemp), përkatësisht Fjalorin latinisht-shqip të frang Bardhit (Dictioarium latinoepiroticum, Romë 1635 ) dhe veprën e Pjetër Budit.

Duke hedhur poshtë mendimin e shprehur në letrën e parë se “gjuha e ilirëve të lashtë ishte një gjuhë krejt e ndryshme nga shqipja”, në këtë letër të dytë ai arriti në përfundim se: “… kjo ishte gjuha e ilirëve të lashtë”. [1]

Filozofia e Leibniz

Laibnici ishte i pakënaqur nga mënyra se si Dekarti dhe Spinoza kishin përshkruar natyrën e substancës, sepse ai e ndiente që ata i kishin shtrëmbëruar idenë tonë për natyrën njerëzore, lirinë dhe Zotin. Të thuash, siç thoshte Dekarti, që mendimi dhe shtrirja janë dy substanca të pavarura, do të thotë të krijosh një dilemë të fortë për shpjegimin e ndërveprimit mendje-trup, si tek njeriu ashtu edhe tek Zoti. Spinoza u përpoq ta zgjidhte këtë dilemë duke thënë se egziston vetëm një lloj substance me dy lloj atribute të ndryshme, që janë mendimi dhe shtrirja. Por të reduktosh të gjithë realitetin në një substancë të vetme, do të thotë të humbësh dallimin midis elementeve të ndryshëm natyror. Megjithse Spinoza u përpoq të na e jepte botën e përbërë nga shumë mënyra, të krijuara nga format e ndryshme që merrte mendimi dhe shtrirja, përsëri monizmi i tij ishte një panteizëm ku Zoti ishte gjithçka dhe çdo gjë ishte pjesë e diçkaje tjetër. Për Laibnicin konceptimi i tyre për substoncën ishte i përshtatshëm, sepse ai turbullonte dallimin midis Zotit, njeriut dhe natyrës, të cilat Laibnici donte t’i veçonte. Në mënytë paradoksale, Laibnici pranoi teorinë e Spinozës për një substancë të vetme dhe modelin e tij mekanik të universit; por ai e paraqiti në një mënyrë kaq unike teorinë e një substonce, sa që ishte në gjendje të fliste për individualitetin njerëzor, transhendencën e Zotit, si dhe për realitetin e përbërë nga liria dhe qëllimet universale.

Laibnici ishte ai që ndryshoi supozimin bazë, mbi të cilin Dekarti dhe Spinoza kishin ndërtuar teorinë e tyre të substancës, dhe pikërisht atë që shtrirja merr përmasa dhe formë të caktuar. Dekarti supozonte se shtrirja i referohet një substance materiale, që shtrihet njësoj në hapsirë dhe nuk është e ndashme në diçka më parësore. Spinoza, nga ana tjetër, e konsideronte shtrirjen të reduktuar vetëm në vetitë e Zotit apo Natyrës. Laibnici nuk pojtohej me asnjë nga idetë e mësipërme. Duke vërejtur me anë të shqisave tona, se të gjithë trupat apo objektet janë të ndarë në pjesë më të vogla, atëherë, pyeste Laibnici, pse ne nuk mundemi të supozojmë se të gjitha gjërat janë agregate ose të përbëra? “Duhet të ketë substanca të thjeshta, – thoshte ai, “përderisa ka substanca të përbëra; përderisa një përbërje nuk është gjë tjetër veçse bashkim apo agregat i substancave të thjeshta”.

Megjithatë, në thënien se çdo gjë përbëhet nga substanca më të vogla, nuk ka asgjë të re sepse, që në kohën e Demokritit dhe Epikurit është diskutuar që substancat përbëhen nga atome. Por Lajbnici ishte ai që e hodhi poshtë nocionin e atomit, sepse Demokriti e kishte përshkruar atë si trup në shtrirje, si një pjesëz të reduktuar të materies. Këto pjesëza të vogla konsidëroheshin pa jetë ose interne dhe të cilat duhet ta merrnin lëvizjen nga diçka që ndodhej jashtë tyre. Duke hedhur poshtë idenë e materies si primare, Lajbnici argumentonte se substancat vërtet të thjeshta janë monadat, të cilat “janë atomet e vërteta të natyrës…elementet e gjithçkaje”. Monadat ndryshojnë nga atomet, pasi këto të fundit deri tani ishin parë si trupa në shtrirje. Ndërsa Lajbnici i përshkruante monadat si forcë ose energji. Ai, më tej, thoshte se materia nuk është element primar i sendeve, por monadat, me elementin e tyre forcë, përbënin substancat bazë të sendeve.

Lajbnici donte të vinte në dukje se substanca përmban jetë ose forcë dinamike. Ndërkohë që atomi material i Demokritit duhej të ndikohej nga jashtë, me qëllim që të lëvizte apo të bëhej pjesë e tufës së madhe të atomeve, Lajbnici thoshte, se substanca e thjeshtë, monada është, “e aftë për të vepruar”. Fjala monadë rrjedh nga fjala greke monas, e cila do të thotë bashkim, prandaj ai shtonte se “substancat e përbëra janë një bashkim monadash. Kështu pra, substancat e thjeshta, jetët, shpirtërat janë njësi. Rrjedhimisht e gjithë natyra është plot me jetë”.

Sipas Lajbnicit, monadat janë elemente pa shtrirje, ato nuk kanë formë apo përmasa. Një monadë është një pikë, e cila nuk nënkupton as pikë fizike dhe as atë matematike, por një pikë metafizike ekzistence. Çdo monadë është e ndarë nga tjetra dhe ato nuk kanë ndonjë lidhje të rastit me njëra-tjetrën. Megjithëse ishte e vështirë të imagjinoje një pikë pa përmasa dhe formë, Lajbnici donte ta theksonte këtë me qëllim që të bënte diferencimin nga atomi material i Demokritit. Mendimi i tij në këtë fazë është i ngjashëm me nocionet e shekullit XX, ku thuhet se pjesëzat e vogla fizike janë forma të veçanta të energjisë. Kryesisht, Lajbnici thoshte se monadat janë logjikisht parësore ndaj çdo lloj forme tjetër trupore. Atëherë, vazhdonte ai, substanca e vërtetë janë monadat, të cilat i quante substanca shpirtërore, për të theksuar natyrën e tyre jomateriale. Çdo monadë është e ndryshme nga të tjerat dhe zotëronte forcën dhe parimet e saj të veprimit, dhe, thoshte Lajbnici, “ato kanë një siguri të mjaftueshme, që shërben si burim i lëvizjeve të tyre të brendshme. Ato, gjithashtu, përmbajnë brenda vetes burimin e veprimeve të tyre”. Përveç kësaj, për të theksuar se gjithë pjesa tjetër e universit nuk mund të ndikonte në sjelljen e tyre, Lajbnici thoshte se monadat janë krejt të mbyllura (pa dritare) ndaj tij. Por duhet të jenë lidhjet midis monadave ato që i japin universit shpjegimet për veprimet e tyre të rregullt. Këto shpjegime, Lajbnici i gjeti në idenë e tij të harmonisë së paravendosur.

Çdo monadë vepron në përputhje me qëllimin e saj. Monadat e mbyllura, të cilat ndjekin qëllimet e tyre formojnë një bashkim apo univers të rregullt. Megjithëse secila prej tyre është e ndarë nga tjetra, qëllimet e tyre të veçuar formojnë një harmoni të një shkalle të lartë. Kjo është njësoj sikur një shumicë sahatesh të ndryshëm të bien të gjithë në të njëjtën orë, pasi secili e llogarit kohën mjaft saktë. Lajbnici i krahasonte të gjitha këto monada me një numër koresh dhe bandash muzikantësh të cilët luanin secili pjesët e tyre të ndara, që as mos e dëgjonin apo shikonin njëri-tjetrin, por, megjithatë, shkonin së bashku në mënyrë të përsosur secili duke ndjekur notat e tij, sa dikush, që i dëgjonte nga jashtë, gjente tek to hormoninë e mrekullueshme dhe habinë për mos ekzistencën e asnjë lloj lidhjeje midis tyre”. Pra, sipas kësaj, çdo monadë ishte një botë më vete, por secila prej tyre vepronte në harmoni me të tjerat. Kështu mund të thuhet se çdo monadë pasqyronte universin (por sipas një prespektive unike) në mënyrë të tillë që sikur një gjë “të ndryshonte apo të largohej prej tij, të gjitha të tjerat do të ndryshonin”. Një harmoni nuk mund të jetë pasojë e një krijimi të rastësishëm monadash, por, thoshte Lajbnici, duhet të jetë si rezultat i veprimtarisë së Zotit; pra, kjo lloj harmonie është e paravendosur.

Harmonia, që ekziston tashmë në botë, e bëri Lajbnicin të argumentonte se Zoti jo vetëm i kishte paravendosur gjërat në botë, por, gjithashtu, ai kishte krijuar më të mirën e mundëshme të gjithë botëve. Megjithëse kjo është më e mira e botëve ose qoftë vetëm e mirë, gjithmonë mbetet e hapur pyetja për arsyen e rrëmujës dhe të këqijave të saj. Në të vërtetë, Shopenhaueri mendonte se, me gjithë këtë të keqe që mbizotëron në të, kjo është më e keqja e të gjithë botëve; kështu ne nuk jemi të bindur, nëse Zoti ekziston apo ai Zot që e ka krijuar atë ka qënë një Zot i mirë. Lajbnici ishte i ndërgjegjshëm për rrëmujën dhe të keqen që ekziston, por ai e konsideronte këtë të pajtueshme me konceptin e një krijuesi me vullnet të mirë. Në njohjen e tij të përsosur, Zoti merr parasysh të gjithë llojet e botëve që ai mund të krijojë; por zgjedhja e tij duhet të jetë në përputhje me kërkesat morale që një botë duhet të përbëhet nga e mira, sa më shumë që të mundet. Por, botë të tilla nuk mund të jenë të përsosura. Përkundrazi, një botë e krijuar konsiston në kufizime dhe papërsosmëri të sendeve, “pasi Zoti nuk mund t’i japë krijesës së tij gjithçka të përsosur, pa e bërë atë gjithashtu Zot, prandaj gjithçka në botë ka kufizime të çforëdo lloji”. Burimi i së keqes nuk është Zoti, por natyra jo e përsosur dhe e kufizuar e sendeve që Ai ka krijuar. Akoma më tej, e keqja nuk është thelbësore, por thjesht një mungesë përsosje, apo privim. Prandaj Lajbnici thotë se “Zoti dëshiron të paraprijë e mira dhe rrjedhimisht më e mira.” Përfundimisht, Lajbnici mendon se ne nuk mund të bëjmë një vlerësim të drejtë të së keqes, në qoftë se do ta shikojmë atë, vetëm nëpërmjet objekteve apo ngjarjeve të veçanta. Shumë gjëra, të cilat në vetvete duken se janë të këqia, shndërrohen në paraprirëse të së mirës; si për shembull, “ëmbëlsirat bëhen të mërzitshme, në qoftë se ne hamë vetëm ato; por po t’i kombinonim me diçka të thartë, të athët apo qoftë dhe pak të hidhur, atëherë do të stimulonim shumë shijen tonë”. Akoma më tej, ngjarjet e humbin prespektivën e tyre të vërtetë. Lajbnici pyet: “Në qoftë se shikoni një pikturë të mrekullueshme, pasi kemi mbuluar një pjesë fare të vogël të saj, çfarë tjetër do të shikoni prej saj, pamvarësisht nga analiza e kujdesshme, që mund t’i bëni, veçse një masë ngjyrash pa zgjedhje dhe pa art? Por në qoftë se do të hiqni mbulesën dhe do të shikoni të gjithë pikturën prej një këndvështrimi të duhur, do të kuptoni se ajo, çfarë ju duk si një shkarravinë e pakujdesshme, është në të vërtetë një punë e bërë prej piktori me shumë art”.

Si mund të ketë liri, vazhdon Lajbnici, në një botë të krijuar prej Zotit, ku ai përcakton një rregull sistematik, duke futur qëllime specifike brenda çdo monade? Secila monadë është e përfshirë në zhvillimin e qëllimeve të saj dhe “çdo gjëndje e një substance të thjeshtë është rrjedhim i një gjëndje paraprirëse”. Çdo person, identiteti i të cilit përqëndrohet rreth një monade mbisunduese, mund të paraqesë, në këtë pamje mekanike, një shpalosje të jetës së tij që prej fillimit. Më tej, përderisa natyra bazë e këtij përsoni është mendimi, sipas tij, zhvillimi jetësor konsiston në mposhtjen e mendimeve konfuze dhe arritjen e ideve të vërteta, të cilat ndodhen të gjitha brenda nesh në formën e potencialeve të errëta, që kërkojnë të marrin përmasa aktuale.

Kur këto potenciale bëhen aktuale, atëherë ne i shohim gjërat siç janë dhe kjo, thotë Lajbnici, do të thotë të jesh i lirë. Me këtë të fundit nuk kuptohet vullneti i lirë, apo fuqia e zgjedhjes, por një vetëzhvillim i brendshëm, që tregon se pamvarësisht nga përcaktimi që secili të veprojë sipas drejtimeve specifike, është natyra e tij e brendshme ajo që përcakton veprimet dhe jo forcat e jashtme. Sipas këtij kuptimi, liria nënkupton aftësitë e dikujt për t’u bërë pa kufizime, çfarë ai është përcaktuar të jetë që më parë dhe kjo, njëkohësisht, nënkupton një ekzistencë cilësore, pamvarësisht se njohja e tij ka kaluar nga konfuzja tek më e qarta. Njeriu i lirë është ai që e di pse dhe për çfarë e bën diçka. Kjo ishte rruga që Lajbnici zgjodhi për të pajtuar pikëpamjet e tij të determinizmit në natyrë me konceptin e lirisë.

Se si Lajbnici arriti në pajtimin e botës së monadave me nocionin e lirisë, është e dyshimtë. Gjithashtu ishte ai që fliste për lirinë si një “zgjidhje e vullnetit të lirë” dhe shtonte se “liria dhe vullneti i lirë nënkuptojnë të njëjtën gjë”. Akoma, këtu, duket se ai e vë theksin, më shumë se kudo, mbi idenë e determinimit, mbi nocionin e universit mekanik dhe makinës shpirtërore. Në këtë kohë Lajbnici nuk përdori modelin e tij mekanik për shpjegimin e universit, sepse, në qoftë se do ta bënte, ai do të thoshte se pjesë të ndryshme të universit ndikojnë mbi njëra-tjetrën në mënyrë të tillë siç ndikojnë pjesët e orës në lëvizjen e njëra-tjetrës. Në njëfarë mënyrë shpjegimi i tij ishte shumë më rigoroz në pikëpamjen determinuese, se sa si sugjerim i modelit mekanik. Monadat e tij ishin krejt të pavarura dhe nuk ndikoheshin nga njëra-tjetra, por vepronin në përputhje më qëllimin e tyre, të cilin i kishin që prej momentit të krijimit nga Zoti. Ky lloj determinizmi është më rigoroz, sepse nuk varet nga shkaqet e jashtme, por nga natyra e brendshme, e përhershme dhe e fiksuar e çdo monade.

Shpjegimi përfundimtar i botës, thotë Lojbnici, është se “disa gjëra ekzistojnë më shumë se disa të tjera, posi kjo është përcaktuar nga fjala e shenjtë…”. Gjërat janë kështu, siç janë, pasi Zoti i donte ato të tilla. Duke dëshiruar që disa gjëra të jenë kështu, siç janë, ai kufizoi numrin e mundësive të tjera dhe përcaktoi se cilat ngjarje mund të jenë të bashkemundshme. Zoti mund të ketë dëshiruar universe dhe bashkime të tjera të mundësive, por dëshira për këtë lloj universi bëri që tani të ekzistojnë këto lloj lidhje të domosdoshme midis sendeve. Gjithashtu, nga prespektiva e arsyetimit njerëzor, thëniet në lidhje me botën e fakteve janë sintetike ose i referohen përvojës apo verifikimit, në qoftë se do të kërkojmë të vërtetën e tyre, duhet të dimë që janë thënie analitike të përcaktuaro ngo Zoti. Vetëm Ai mund të arrijë në të vërtetën e të gjithë substancave. Dhe është vetëm injoranca, ajo që na pengon të shikojmë, në persona të veçantë, të gjitha të vërtetat që janë lidhur me to. Së fundi, të vërtetat e faktit, sipas Lajbnicit, janë po ashtu analitike. Kështu një njeri i përmban brenda tij të gjitha të vërtetat për veten dhe, në qoftë se do të arrijmë ta njohim atë, sipas një nocioni të plotë, atëherë do të arrijmë në zbulimin e asaj që është e vërtetë prej tij, si për shembull, “çfarë përfaqëson mbreti Aleksandri i Madh…”. Zoti duke njohur nocionin individual të Aleksandrit, e shihte atë, në të njëjtën kohë, si krijuesin dhe shkakun e të gjitha të vërtetave, të cilat i atribuoheshin vërtetë atij. Për shembull, ai dinte nëse do të mposhtëte Darius-in dhe Porus-in; nëse ai vdiq në mënyrë natyrale apo i helmuar, të vërteta këto të cilat ai i dinte a priori [jo nga përvoja], ndryshe nga ne [me intelektin tonë të kufizuor njerëzor], që i njohim këto vetëm nga historia”.

Pra për Lajbnicin, logjika ishte çelësi i metafizikës. Nga gramatika e thënieve, ai arriti në konkluzionin e botës reale. Së fundi, ai hodhi idenë se të gjitho thëniet e vërteta janë analitike. Si rrjedhim, si substancat ashtu dhe njerëzit, për Lajbnicin janë të njëjta me kryefjalët e një thënie analitike, të cilat përfshijnë kollëzuesit (pohimet, të vërtetat) brenda tyre. Ai, gjithashtu, zbatoi ligjin e tij të vazhdimësisë tek ideja e tij e substancës, me qëllim që të vërtetonte teorinë e tij, që çdo substancë i shpalos të vërtetat e saj sipas një renditje dhe parashikimi të përcaktuar nga Zoti. Ligji i vazhdimësisë hedh idenë se “natyra nuk bën shmangie”. Në botën e krijuar prej Zotit çdo pozicion është i zënë; kështu të gjitha ndryshimet janë në vazhdimësi. Pra monadat e mbyllura, mbajnë brenda tyre gjithë reagimet për të ardhmen. Dhe ashtu siç është e vërtetë për monadat, po oshtu është e vërtetë se të gjitha kombinacionet dhe mundësitë e ndryshme të ngjarjeve mbajnë brenda tyre gjithë të ardhmen e botës dhe arsyeja e mjaftueshme për këtë rregull është “shkaku suprem, i cili e bën gjithçka në mënyrën më të përsosur”. Gjithashtu, pamvarësisht se mendja njerëzore përmban shumë ide të lidhura dhe të vërteta, ajo nuk mund të njohë realitetin ashtu siç e njeh Zoti. Një fëmijë nuk mund të njohë gjithshka menjëherë, por duhet të presë derisa të rritet dhe derisa raste të veçoantë të përvojës së përditshme, t’ia vërtetojnë ato. Pikërisht fakti që këto ide bëhen të njohura vetëm në raste të tillë, i bën ato tepër të natyrshme. Megjithatë doktrina e idesë së lindur, shoqëruar me realitetin, pasqyroi vlerësimin e tij optimist, për aftësinë e arsyes në njohjen e realitetit dhe besimin e tij që nga të vërtetat e brendshme të natyrshme mund të burojnë dije, pothuajse të plota, të botës reale.

Veprat

  • 1666. De Arte Combinatoria
  • 1671. Hypothesis Physica Nova
  • 1673. Confessio Philosophi
  • 1684. Nova methodus pro maximis et minimis
  • 1686. Discours de metaphysique
  • 1705. Explication de l’Arithmetique Binarie
  • 1710. Theodicee
  • 1714. Monadologie

Burimi i të dhënave[

  1. ^ a b M. Reiter, Leinizen's Albanerbriefe, Zeitschrift feur Alkanologie. Jg. XVI, 1980, fq.82-93. nxjerr nga Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.43, botimi i tretë, Prishtinë 2004
  2. ^ E.P. Hamp. On Leibniz's Third Albanian Letter. Zeitschrift feur Balkanologie nxjerr nga Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.43, botimi i tretë, Prishtinë 2004

Shiko edhe

Shoqata Leibniz

Varreza princore e Banjës së Pejës – Nga Haxhi MEHMETAJ

Gjetje të varrezës princore të Banjës së Pejës (dizajni: Dukagjin Mehmetaj)

Me 1974, kur po ngrihej hoteli Onix në Banjë të Pejës, pranë burimeve të ujit termal në shpatin mbizotërues të një kodre u zbulua një kodërvarr princor, çiftit bashkëshortor dardan, princit në moshën e pjekurisë dhe princeshës më të re. Çifti princor u gjet i varrosur mbi një konstruksion drejtkëndor të shtruar nga gurët e shtufit, të venë shtrëngueshëm në formë kalldrëmi, tipike për varrime në  tuma. Kjo mënyrë varrimi njihet edhe nga shumë kodërvarre të Kosovës, të Shqipërisë dhe trojeve të tjera ilire.

Mbi shtrojën e varrit u gjeten një thesar i pasur arkeologjik i përberë nga armët, stolitë dhe enëve luksoze të pikturuara  – takëmit për pirje të verës. Sipas natyrës së gjetjeve sikurse edhe pozicionit të tyre në varr mund të ndahen në inventar të princit dhe inventar të princeshës. Nga inventari i princit veçohen armët e hekurit, tashti të ndryshkura , tri përkrenare të tipit ilir, tri fibula argjendi, një unazë argjendi, një salteleon argjendi, një qaforeje të thurur nga perla qelibari, perla qelqi dhe guaska kërmilli dhe një mbajtës bronzi i grihës në formë trekëndëshi.

Inventari i princeshës përbehet nga një parë byzylykë argjendi më mbaresa të kokave të gjarpërinjve, një parë byzylykët argjendi të tipit Mramorc, një parë gjilpëra argjendi të tipit omega, një unazë argjendi, dhe një qafore e përberë nga 100 perla qelibari.

Varrit të princeshës, të sjellë si pajë nusërie i kanë takuar edhe gjetjet e pazakonshme për varre të femrave, tetë maje shigjetash bronzi, trefletëshe, çfarë  janë gjetur në Atenicë të Pazarit të Ri dhe konsiderohen importe nga skitët.  Andaj më gjasë princesha do të ketë qenë nga Novi Pazari, ndërsa princi vendas nga Banja e Pejës.

Thesari arkeologjik i kodërvarrit të Banjës së Pejës i përberë kryesisht nga armët, stolitë dhe enët e poçarisë, dëshmon për formimin e  një shtrese të aristokracisë princore ushtarake, në shek. VI – V para Krishtit,  e cila kishte shije të hollë për vepra të artit aplikativ, po edhe për zbrazje të kupave të verës. Kjo aristokraci ilire, e quajtur në literaturën arkeologjike Princat e Argjendtë i ka parapri formimit të  Mbretërisë Dardane në shek. IV para Krishtit.

 

 

Më 24 maj 1543 u nda nga jeta Nikolla Koperniku, një nga astronomët më të shquar evropianë

Nikolaus Kopernikus (Koperniku), polonisht: Mikołaj Kopernik (lindi me 19 shkurt 1473 ne Thorn (sqt.: Torn) Poloni dhe vdiq me 24 maj 1543 në Frauenburg) u bë njëri nga astronomët më të shquar evropianë me teorinë e tij të lëvizjës së planetëve nëpër orbita rreth diellit. Me zbulimet e tij ai krijoi një botëkuptim të ri pas mesjetar. Përveç kësaj ai ishte astrolog, astronom, jurist, fizikant, diplomat, ekonomist matematikan, mjek, qeveritar dhe ushtarak.

Kombësia e Kopernikut që nga shekulli i 19 u bë shkak për shumë kundërshtime të ashpra. Një gje por është e qartë se ai ishte ose polak, ose gjerman. Kjo gjë pasqyrohet në emrin e tij. Në gjermanisht ai quhet përgjithsisht Nikolaus Kopernikus, për shkak të versionit të latinizuar Copernicus nga mbiemri Koppernigk. Polonisht ai quhet Mikołaj Kopernik. Koperniku ishte biri i një gruaje gjermane, kombësia e të atit është e paqartë. Qyteti i tij i lindjes Torn pak kohë pas lindjes së tij kaloi nën sundimin e mbretit polak, kështu që ai formalisht njihet si polak.

Jeta

Koperniku, biri i një tregtari, lindi më 1473 në Poloni në qytetin Torni. Në Krakov dhe shumë universitete ai studioi matematikën, astronominë, teologjinë, drejtësinë dhe mjekësinë. Që nga viti 1512 derisa vdiq, më 1543, jetoi në Frauenburg, një qytet i vogëlth në Prusinë Lindore, ku u emërua kanonik në katedrale. Koperniku në fakt është specialist i së drejtës kanunore, disiplinë në të cilën arriti gradën doktor. Puna si kanonik në katedrale i plotësonte nevojat ekonomike, kështu që mund t’u kushtohej hulumtimeve shkencore të trupave qiellorë. Astronomia ishte disiplina e preferuar e tij. Pozicioni gjeografik i Frauenburgut, që ndodhej në bregdet, e favorizonte punën ajgëtuese të tij. Kopereniku e vendosi observatorin dhe vendbanimin në një nga kullat mbrojtëse të bregut. Instrumentat e tij ishin shumë të thjeshtë, por më i madhi i vazhduesve të veprës së tij, Tiho Brahe, ishte më i lumturi i njerëzve kur i ofruan një të tillë.

Koperniku ishte më shumë teoricien se vrojtues. Ndihmesa e tij në astronomi, që është një ndihmesë mjaft e madhe, qëndron në një teori:në kundërshtim me idetë e pranuara deri atëherë, nuk është kupa qiellore që bën një rrotullim të përditshëm përreth tokës, por është toka që rrotullohet rreth boshtit të saj imagjinar, dhe përshkon në të njëjtën kohë një rrotullim rreth diellit. Koperniku arriti në këtë përfundim pasi studioi astronomët grekë e arabë, por edhe nga vrojtimet vetjake. Toka nuk është qendra e universit, por një nga planetet që rrotullohen rreth diellit. Kjo frazë e thjeshtë e thjeshtë është parimi themelor i “pikëpamjes kopernikiane për një nga miliona trupat e tjerë qiellorë. Koperniku në përfundimet e tij arriti pas shumë fakteve shkencore, por do të duhej të vinte gjysma e shekullit XIX për ta provuar atë përfundimisht.

Sot ende, anipse Koperniku vërtetoi që kjo nuk ishte e vërtetë, ne themi “ngritja”, apo “ulja” e diellit në fillim dhe në fund të ditës.

Zigmund Frojd, në një nga veprat e tij, thotë se gjatë rrjedhës së kohëve, shkenca i ka dhënë dy goditje krusmuese mendimit naiv që njeriu kishte për vlerat e tij: herën e parë, kur Koperniku nuk e pranoi tokën si qendrën e universit dhe e dyta kur Darvini provoi t’i heqë njeriut pozicionin e privilegjuar që besonte se zinte përballë botës së kafshëve. Përpara Kopernikut mendohej se dielli dhe yjet iahin krijuar në funksion të tokës dhe toka në funksion të njeriut. Kur ai shpalli se universi nuk rrotullohej rreth planetit tonë, vetëdija njerëzore pësoi një trandje shungulluese. Koperniku pati një ndikim aq revolucionar në botëkuptimin që njerëzit kishin për botën, sa vetëm bashkëkohësi i tij, Kristofor Kolombi, mund të mendohej se kishte arritur një lavdi të atillë. (Wikipedia)

Zogjtë, “kontrolluesit natyrorë të insekteve të dëmshme”, kërcënohen me zhdukje

Llojet e shpendëve luajnë një rol kryesor si “kontrollues natyrorë të insekteve të dëmshme” në mjedis, por ato janë të kërcënuar me zhdukje, tha një ekspert për Anadolu Agency (AA).

“Dhjetë për qind e specieve aktuale të zogjve (1.200 specie) janë të kërcënuar me zhdukje”, tha ornitologu Jose Tavares.

“Le të sigurohemi që të mos humbasim më shumë”, theksoi ai.

Sot shënohet Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë (WMBD), ndërkohë që Tavares tha se bota tashmë ka humbur afërsisht 140 specie nga gjithsej 10 mijë.

“Zogjtë nuk njohin kufij dhe lidhin tundrën e Arktikut me brigjet e Afrikës Perëndimore, pyjet e Evropës qendrore me brigjet e Mesdheut. Zogjtë janë udhëtarë të shkëlqyeshëm dhe ata varen nga shumë zona”, tha ai, duke shpejguar temën e këtij viti të WMBD-së, “Zogjtë Lidhin Botën Tonë”.

Migrimi është një ngjarje shumë stresuese dhe e rrezikshme për shumicën e zogjve, tha ai.

“Këto ditë, vdekshmëria me të vërtetë është rritur, dhe paraqet një presion shtesë. Zogjtë duhet të pushojnë dhe të ushqehen në stacionet migratore gjatë rrugëtimit të tyre, por këto janë zhdukur nën qytete ose fusha”, tha Tavares, i cili kryeson Fondacionin e Konzervimit të Shpendëve Grabitqarë (VCF).

Ndikimi i COVID-19

Që kur u ndëromorën hapat kryesore nga qeveritë për frenimin e koronavirusit që rezultoi me kufizimin e lëvizjeve të njerëzve; rënie në prodhimin industrial si dhe në transport, ambientalistët kanë parë shenja pozitive në mjedis për shkak të prirjes në rënie të emetimit të karbonit në atmosferë.

Por Tavares, si shumë ekspertë, beson se është ende herët të flitet se çfarë efekti kanë pasur masat në natyrë.

“Meqenëse është e vërtetë se ka shumë më pak shqetësime dhe njerëz në zonat rurale, dhe kështu jeta e egër po rimerr hapësirën dhe besimin – prandaj kemi edhe imazhe të kafshëve të egra kudo, duke bredhur në qytete dhe rrugë – kjo lehtë mund të kthehet në gjendjen e mëparshme plotësisht nëse i kthehemi jetës tonë”.

Habitatet kanë vuajtur për dekada nga presioni njerëzor, që do të thotë se dy muaj është kohë shumë e shkurtër që një periudhë të ketë ndonjë rezultat pozitiv mbi mjedisin, tha ai.

Duke theksuar nevojat për mbrojtjen e zogjve dhe habitatet e tyre, ai tha se përveç rolit jetik të shpendëve në ruajtjen e një mjedisi të shëndetshëm, turizmi i ruajtjes së zogjve, gjuetia e qëndrueshme, frymëzimi për art dhe muzikë janë disa rezultate pozitive të zogjve.

“Pandemia e koronavirusit na rikujton se jetojmë në një botë të lidhur. Kjo është një mundësi që të rishikojmë marrëdhëniet tona me natyrën dhe të rindërtojmë një botë më të përgjegjshme ndaj mjedisit”, tha agjensia e OKB-së të premten, përpara Ditës Botërore të Zogjve Shtegtarë.

WMBD është një ngjarje ndërgjegjësuese që mbahet dy herë në vit të shtunat e dyta në maj dhe tetor.

Kalorësi i hyjnizuar i Dardanisë – Nga HAXHI MEHMETAJ

 

Stela e kalorësit dardan

 

Gjatë punimeve bujqësore brenda mureve rrethuese të qytetit të antik të Ulpianës (gjendet 8 km larg Prishtinës), në jugperëndim të tij u zbulua një stelë mermeri me epitaf, e cila ka vlerë jashtëzakonisht të madhe për njohje të kulteve, të antroponimisë dhe artit të Ulpianës në veçanti dhe të Dardanisë në përgjithësi (fig.1). Stela është e dëmtuar pjesërisht në të gjitha anët. Është përmasash 70 x40 x 25cm. Ka trajtë pesëkëndëshi. Përbehet nga edikula dhe fusha mbishkrimore. Në edikulë është skalitur portreti i kalorësit duke kalëruar. Ai është veshur më një këmishë të shkurtër, sipëri së cilës ka hedhur klamidën e cila e stilizuar në trajtë të tri flatrave valëvitet mbi shpinë.

Kalorësi është i armatosur dhe i kthyer frontalisht. Më dorën e djathtë të ngritur lartë mbanë heshtën e përgatitur për sulm, ndërsa në brez e ka venë thikën. Kali është dhënë në pozicioni vrapimi dhe pajisur më takëmin e tij, shalë dhe frerë. Në profil nën barkun e kalit është skalitur qeni i gjahut i cili shoqëron të zotin poashtu i dhënë në pozicion vrapimi. Cilat janë figurat tjera që shoqëronin kalorësin, derri i egër apo ndonjë figurë tjetër, për shkak të dëmtimit të stelës është vështirë të dihet. Megjithatë mbi këmben e majtë të përparme të kalit vërejmë kokën e gjarprit.

Në fushën mbishkrimore (30 x 21 x 10cm) është skalitur epitafi i shkruar më shkronja të mëdha dhe të hijeshuara me serife në disa rreshta. Lartësia e shkronjave 2 – 4cm. Liguaturat në përdorim në rreshtin e katërt AV dhe në rreshtin e pestë LI. Shkurtesat janë ndarë me shenja pikësimi në formë të shigjetës. Ruhen të plotë tre rreshta. Ndërsa janë dëmtuar pjesë të rreshtit të katërt dhe te pestë.

Epitafi : FL.PAETINUS/VIX.ANN. XV./H.S.E./FLAVI. LYCA…/CORNELI…

Lexohet: T. Fl(avius) Paetinus / Vix(it) Ann(is) XV/ H(ic) S(itus) E(st) /Flavi Lyca(i)/Cornel(ia?)…

Mbishkrimi dëshmon që djaloshit T. Flav Petinit të vdekur në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare përmendoren ia ngritën i ati, me gjasë nëna Cornelia dhe ndonjë anëtar tjetër i familjes. Cilat ishin të bëmat e djaloshit për t’u përjetësuar në mermer, mbrojta e nderit të familjes apo lufta kundër armikut. Këtë nuk e jep mbishkrimi. Gentilici Flavius i shkruar dy herë, se pari në cilësinë e nomenit dhe se dyti në cilësinë e pranomenit është tregues që të paret e djaloshit, të drejtën e qytetarisë së lirë, të Perandorisë Romake e kishin fituar në fund të shek. I pas Krishtit, gjatë sundimit të dinastisë së Flavëve. Ndërsa monumenti sipas stilit të germave do vendosur në fillim të shek. III pas Kr.

Bartësit e mbishkrimit ishin më origjinë ilire. Këtë e përligj nomeni i antroponimisë ilire Lycus,  i dhëne në trajtën Lycai.  Ky emër në Ilirinë Veriore dëshmohet në trajtat Liccaius, Liccai, Liccaius, Licco etj., ndërsa në Dardani në trajtën Lucus (Lucae) dhe Licco (Licconis).

Kulti i kalorëseve shfaqet qysh në epokën parahistorike, ndërsa adhurim më të madh gjënë në antikitet. Jam i mendimit që kalorësi i Ulpianës paraqet heroin e hyjnizuar sipas shembullit dhe kuptimit të hyjit dardan Tato. Monumentet i hyjit Tato më ikonografi kalorësi është dëshmuar në Bulesavc të Vranjës (Serbi e sotme) dhe në mbishkrimin e një altari votiv në qytezën dardane të Kleçkës së Malishevës (Kosovë). Adhurohej si perëndi i stërgjyshërve, pajtor i shtëpisë, i vatrës dhe i fisit.

Më 13 prill 1970 ndodhi aksidenti në Apollo 3

VOAL – Më 13 prill 1970, në orën 21.08, anëtari i ekuipazhit të Apollo 13, Jack Swigert, raporton në selinë e NASA-s: “Përshëndetje, Houston, kemi pasur një problem këtu.” Tetë sekonda më vonë, Misioni i Kontrollit në Houston përgjigjet: “This is Houston. Say again, please.” – ” Houston këtu, të lutem përsërite”.

APOLLO 13

Kalojnë edhe shtatë sekonda. Këtë herë është Komandanti Lovell që flet:  “Houston, we’ve had a problem” – “Houston, ne kemi pasur një problem ” dhe fillon të shpjegojë detajet teknike të dështimit. “Kishte një shpërthim në bord dhe anije kozmike po humbet me shpejtësi oksigjenin.”

Kështu fillon, për ekuipazhin dhe tërë Amerikën, odisea e kthimit të vështirë në Tokë , e cila do të ndodhë 4 ditë më vonë. Apollo 13 ishte misioni i tretë i programit Apollo drejtuar Hënës. Në komandë ishte James Lovell, në fluturimin e katërt hapësinor, John Swigert, i thirrur “Jack” ishte piloti i modulit të komandës (Odissea ) dhe Fred Haise ishte në komandë të modulit hënor (Ujori).

JAMES LOVELL

Nisja nuk ishte e përkryer për shkak të një problemi me motorin e fazës së dytë, i cili u zgjidh shpejt. Problemi i vërtetë ndodhi dy ditë më vonë, kur dështoi sistemi elektrik i njërit prej rezervuarëve të oksigjenit të modulit të shërbimit: presioni u rrit derisa shkaktoi një këputje që shpërtheu sistemin elektrik dhe nxori jashtë shërbimit të dy rezervat e oksigjenit të modulit.

JACK SWIGERT

Vetëm moduli i komandës vazhdoi të funksionojë falë baterive të tij dhe rezervuarëve të oksigjenit, të cilat megjithatë ishin të mjaftueshme për t’u përballur me orët e fundit të misionit. Gjithë sa mbeti ishte të braktisej qëllimi i vajtjes në Hënë.

FRED HAISE

Qendra e kontrollit e NASA-s në Houston vendosi për një kalim rreth Hënës për të shtyrë anijen dhe për ta bërë atë të marrë një rrugë të kthimit të lirë në Tokë.

 

Ndërkohë, astronautët kishin lëvizur në modulin hënor, i cili, i lidhur me modulin e komandës, ishte bërë një varkë shpëtimi. Në modulin hënor, astronautët jetuan orë kritike të cilat e gjithë bota i ndoqi me frymë në fyt: tre burra për katër ditë në një hapësirë ​​të krijuar për të mbajtur dy persona për dy ditë. Rezervat e energjisë ishin të pakta, dhe gjithashtu uji, nxehtësia u ul. Filtrat e dioksidit të karbonit nuk ishin të mjaftueshëm për tre persona, por duke u mjaftuar me atë që gjetën në bord dhe nën udhëzimin e qendrës së kontrollit, astronautët ndërtuan një përshtatës të cilin e quanin “kuti postare”.

QENDRA E KONTROLLI HAPËSINOR

Sapo Apollo 13 iu afrua Tokës, ekuipazhi u largua nga moduli i shërbimit dhe të tre burrat u zhvendosën në modulin kryesor, i cili zbarkoi në Paqësor. Ishte 17 Prill 1970. Jim Lovell dhe Jeffrey Kluger atëherë shkruan një libër për misionin, Lost Moon, i cili frymëzoi filmin e Ron Howard “Apollo 13”, me Tom Hanksin në rolin e Lovell. Vetë komandant shfaqet në një skenë në rolin e një kapiteni të anijes Iwo Jima./Elida Buçpapaj

Një vepër e re shkencore e Prof.dr. Eshref Ymerit: Fjalor frazeologjik anglisht-shqip – Nga Prof.dr. Hajri Shehu

 

 

 

                       (Parathënie e Fjalorit)

Fjalorët japin tablo të ndryshme të gjuhës dhe, kur janë dygjuhësh, japin tablo të gjuhëve që ballafaqohen. Për pasojë, nëse një fjalor leksemor dygjuhësh është ndërkombëtar, sepse ka dy gjuhë, dy struktura gjuhësh, dy semantika dhe dy barasvlerës, një fjalor frazeologjik dygjuhësh është dyfish ndërkombëtar, për shkak të shtresës social-kulturore specifike. I tillë është edhe “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, që jep një tablo të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe. Është një tablo mjaft e gjerë sepse, siç dihet, njësitë frazeologjike (dhe fjalët e urta) janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe burim të dhënash për jetën social-kulturore (dhe materiale) të një populli. Edhe nga një vështrim i pjesshëm i këtij Fjalori shihet shtresa social-kulturore specifike e botës anglosaksone po edhe e jetës shqiptare, që e sjell barasvlerësi në gjuhën shqipe.

Fjalorët frazeologjikë hyjnë te fjalorët specialë (kësisoj, janë diferencues). Dhe sa më gjerë të konceptohet detyra e fjalorit frazeologjik, aq më i rëndësishëm është roli i tij si mjet i kulturës së gjuhës. Por, po kaq i vështirë është hartimi i tij. Në fjalorët frazeologjikë dygjuhësh, vështirësia më e parë është barasvlerësia. Sepse barasvlerësia nuk vjen me përkthim, por, siç do ta themi më tej, me gjetje.

Por te fjalorët frazeologjikë, në dallim nga fjalorët e përgjithshëm, ka edhe një vështirësi tjetër. Ajo lidhet, më së pari, me natyrën e njësisë frazeologjike. Autori i njeh mirë konceptin njësi frazeologjike dhe kufijtë e fondit frazeologjik të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe – veçoritë strukturore tipologjike dhe përmbajtjesore figurative të njësive frazeologjike dhe variantet e tyre, funksionet e tyre gramatikore dhe kushtet e tyre përdorimore, pra, rolin e tyre komunikues-funksional.

Në këtë Fjalor, përveç shprehjeve frazeologjike të mirëfillta, përfshihen edhe fjalë të urta, proverba e fjalë fluturake, çka është në përputhje me konceptin mjaft të gjerë për frazeologjinë në leksikografinë angleze. P.sh., në Fjalor gjejmë proverba, si: long absent, soon forgotten larg syve, larg zemrës; when it is not of your business, keep your nose of it kur s’ke pula, mos bëj “ish!”! (kur s’ke pula, pse hahesh me dhelprat?); fool’s haste is no speed kush nxitohet, pengohet (kush e mban hapin shtruar, më larg ka për të shkuar); strain at a gnat and swallow a camel lë miellin e merret me krundet (i lirë në miell dhe i shtrenjtë në krunde); who keeps company with the wolves, will learn to howl kush fle me qenin (qentë), ngrihet me pleshta (kush shkon pas brumbullit, te plehu do ta shpjerë, më thuaj me kë rri, të të them se cili je), etj.

Proverbat, janë mjete gjuhësore që afrohen me frazeologjinë, ngaqë kanë përdorim të qëndrueshëm (për të karakterizuar ngjarje e ndodhi jetësore), kanë kuptim të figurshëm dhe shprehësi emocionale. Nga proverbat mund të vijnë fjalë të urta. Si për fjalët e urta, edhe për proverbat, përdoruesi e ka më të lehtë t’i kërkojë e t’i gjejë në një fjalor frazeologjik sesa në një fjalor të përgjithshëm gjuhësor.

Duke përfshirë në Fjalor edhe fjalë fluturake (p.sh., there is but one step from the sublime to the ridiculous (“madhështoren një hap e ndan nga qesharakja”, madhështia me absurditetin janë pranë e pranë), me origjinë nga frëngjishtja, me autor Napoleon Bonapartin), mendojmë se është vepruar drejt, sepse, duke u frazeologjizuar, fjalët fluturake e humbasin lidhjen e drejtpërdrejtë me tekstin nga janë formuar. Tashmë, janë me karakter të figurshëm dhe, si citate, janë modele të njohura letrare.

Sa i përket cilësisë së Fjalorit, për këtë mund të gjykohet nga: 1. zgjedhja e fjalësit. 2. gramatika e fjalësit. 3. barasvlerësia; 4. përveçimi i dallimeve kulturore. 5. shembullsimi.

Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof. dr. Eshref Ymerit i ka zgjidhur të gjitha shkencërisht drejt e leksikografikisht qartë.

  1. Fjalori është diferencues (Ai është fjalor frazeologjik dhe jo fjalor i përgjithshëm leksemor.) Dhe detyra e tij ka qenë përzgjedhja e njësi frazeologjike, gramatikisht dhe leksikografikisht drejt. Ato janë të gjuhës standarde (vetëkuptohet, bashkë me gramatikën e tyre) – edhe në anglishte, edhe në shqipe; kanë kuptim të mbartur e të figurshëm. Çfarë u tha më sipër, besojmë se e plotëson këtë vlerësim. Një krahasim i thjeshtë i disa njësive më poshtë në anglishte e në disa gjuhë të tjera, besojmë se e vërtetëson këtë: Ariadne’s clew (thread) / fil d’Ariadne (frëngjisht) / filli i Arianës; the heel of Achiles / talon d’Achile (frëngjisht) / thembra e Akilit; appetite comes with eating (nga frëngjishtja) oreksi vjen duke ngrënë; look for a needle in a haystak (stack of hay) kërkon gjilpërën në kashtë etj.
  2. Në një fjalor dygjuhësh, barasvlerësia është një ndër vështirësitë më të para. Mund të vendoset, thuajse gjithnjë barasvlerësí përkthimore midis fjalive – gjuhë burimore – gjuhë përkthimore. Jo gjithnjë është e mundshme barasvlerësia midis njësive leksikore. Arsyeja? Dallimet gjuhësore dhe kulturore (p.sh., fjalët e përbëra ekzocentrike). Te shprehjet ekzocentrike (pra, tek idiomat), te njësitë frazeologjike, te fjalët e urta e te proverbat, dallimet gjuhësore (strukturore e semantike) e kulturore (kulturore-gjeografike, kulturore-historike etj.) janë edhe shumë më të mëdha. Atëherë, barasvlerësit idiomatikë, frazeologjikë etj. duhet të vijnë jo për nga tipologjia strukturore e thënies (sigurisht, kjo ka vlerën e vet), por për nga koncepti (si mjet leksiko-semantik) që përcjellin. Krahaso, p.sh., dy konceptet: make hay while the sun shines dhe rrihe hekurin sa është i nxehtë. Atëherë, barasvlerësia në një fjalor frazeologjik dygjuhësh është onomasiologjike dhe jo semasiologjike, është gjetje barasvlerësish konceptorë dhe jo thjesht transferim simbolesh, kuptimesh e motivimesh. Por, përveçse përmbajtjesore, barasvlerësia idiomatike, frazeologjike, proverbore etj. duhet të jetë edhe funksionale. Nuk mund të vlerësohet shkëputurazi përmbajtja e njësisë nga funksionimi i saj në gjuhë. Kjo do të thotë atëherë që barasvlerësit përkthimor i duhen krijuar kushte identike përdorimi me ata në mjedisin e saj të mëparshëm. Ky është përkthim frazeologjik ndërgjuhësor. Ky është përkthim i vërtetë. Dhe ky është përkthimi në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të prof. dr. Eshref Ymerit. Aty ka gjetje barasvlerësish. Aty ka ndërkëmbim frazeologjik ndërgjuhësor. Kësisoj, ai është krejt i besueshëm. Shih, p.sh.: be between two fires është midis dy zjarreve; better late than never më mirë vonë se kurrë; fish in troubled waters peshkon në ujëra të turbullt; set the wolf to keep the sheep vë ujkun bari; thread breaks where it is the weakest peri këputet ku është më i hollë; with a stone kill two birds me një gur vret dy zogj. Shih barasvlerësit (fjalë të urta) e gjetur për fool wants his cloak in a rainy day: guna nuk qepet kur ka filluar lloha [langoi s’ushqehet ditën që del për gjah, s’shëndoshet (s’majmet) kau (pata) ditën që do të theret, ushqeji qetë para se t’i mbrehësh] etj.

Para barasvlerësit, autori jep në thonjëza motivimin strukturor ose kuptimor të njësisë së huaj. Është një lloj kalkimi në gjuhën shqipe. Kjo është shumë ndihmuese për përdoruesin e Fjalorit. Te njësia frazeologjike në origjinë janë dy kuptime: kuptimi aktual dhe kuptimi etimologjik (forma e brendshme, motivimi). Në aktin e ligjërimit, në plan të parë del kuptimi aktual. Kjo rrethanë bën, siç e përmendëm më parë, që të çsemantizohen gjymtyrët e saj përbërëse dhe shkallë-shkallë të harrohet forma e brendshme. Por në shumë njësi frazeologjike mund të njihet a të kuptohet forma e brendshme, sepse ajo mbështetet në togfjalëshin që e përbën atë. Forma e brendshme e njësisë frazeologjike (edhe e fjalës së urtë), domethënë, struktura e saj semantike është vetë përmbajtja konkrete. Dhe kjo përmbajtje i tregohet përdoruesit për t’i thënë: ja barasvlerësi, ja si motivohet ky barasvlerës. Nga pikëpamja psiko-linguistike, shpjegimi a kalkimi në thonjëza shton shumë  në njohjen dhe përvetësimin e të dy shënuesve ndërgjuhësorë.

Si në “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” (2015) të prof. dr. Eshref  Ymerit, edhe këtu, në shtyllën e gjuhës shqipe kemi një fjalor të vërtetë sinonimik frazeologjik. Sinonimet – barasvlerëse të njësisë së huaj – në shqipe janë edhe përmbajtjesore, edhe funksionale. Për shembull, te gaunt (as gaunt) as bone: e ka qafën me një dell (është bërë bark e shpinë bashkë, është bërë për në plasë të derës, është bërë cipë e kockë,  është bërë kockë e lëkurë,  është me dy fije brinjë, i është bërë qafa fije peri, i ka hyrë shtati në shtat, i numërohen brinjët). Dhe te throw a mist before smb’s eyes: i hedh hi (pluhur, kashtë) syve, i hedh trutë e gomarit, e hedh kodër më kodër, ia shet sapunin për djathë, ia shet shkumën për ajkë, ia shet ujin e pusit për verë, e nis me shoshë për ujë, e vë në bisht të lugës) etj.; te fly on the wheel mbi dhjetë sinonime të tjera frazeologjike: e ka hundën të gjatë, e mban bishtin cakërr, i duket hunda dyfek, i kullot hunda lart, kapardiset si maçoku në thekër (si qeni në qerre, si gjeli majë plehut) etj.

Vargu sinonimik në gjuhën shqipe shkon deri mbi 40 njësi. Së pari, kjo tregon zhvillimin e vrullshëm të frazeologjisë shqipe; së dyti, tregon shkallën e zhvillimit të letërsisë artistike, publicistike etj.; së treti, tregon mundësitë për përdorimin stilistik të njësive frazeologjike; së katërti, tregon njohjen e thellë të sinonimisë frazeologjike të gjuhës shqipe nga autori. Në vargun sinonimik te kolona e shqipes, njësia e parë është barasvlerësi më i parë i njësisë së huaj. Sinonimet që e ndjekin atë, janë relative. Zgjedhja e tyre i takon përdoruesit të Fjalorit (le të themi, përkthyesit nga gjuha burimore) për kontekstin, që e kërkon ai.

  1. Frazeologjia, në masë, i përket ligjërimit bisedor. Prandaj të gjitha njësitë frazeologjike mund të etiketohen si bisedore. Por ato përdoren në stile të ndryshme. Ka frazeologji me ngjyrim mospëlqyes; ka frazeologji të ligjërimit të shkujdesur; ka edhe frazeologji me burim ose me përdorim libror. Frazeologjitë kufizohen edhe nga figurshmëria. Atëherë, duhet njëfarë kujdesi në punë të ngjyrimit shprehës-emocional, kohësor-historik etj. Autori i ka shenjuar stilistikisht aty ku është dashur. Janë përdorur dy lloje shënimesh: a) gjuhësore: bisedore, librore, e vjetruar etj.; b) sociale: përçmuese, përbuzëse etj.

Fjalori është filologjik. Çdo njësi frazeologjike është glosë më vete. Kur janë variante, bashkohen në një glosë. Përbërja leksikore e njësisë frazeologjike, e fjalës së urtë etj. jepet e plotë (sipas fjalorëve të anglishtes standarde).

Renditja ka të bëjë me vendosjen e lidhjeve ndërmjet aksh frazeologjie me frazeologjitë e tjera në sistemin e gjuhës. Njësia (frazeologjike) mund të pasqyrohet aq herë, sa gjymtyrë ka (përveç fjalëve shërbyese). Vendosja sipas gjymtyrëve përbërëse na e sjell njëherësh të njëjtën frazeologji në grupe të ndryshme. Por kjo kërkon shumë hapësirë. Në një fjalor dygjuhësh, njohja e grupeve nuk vlen edhe aq shumë. Prandaj në këtë Fjalor renditja është bërë vetëm një herë: a) sipas boshtit semantik (shih, p.sh., te fjala battle); b) sipas gjymtyrës së parë (kur nuk është fakultative dhe kur nuk ka variant leksikor); c) sipas vokabulit, d.m.th. vetë njësisë frazeologjike.

Duke i përmbushur të gjitha kriteret e mësipërme, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, u përgjigjet më së miri kërkesave të përdoruesit, qoftë ky lexues i thjeshtë apo përkthyes. Kushdo që lexon, rilexon, përkthen e ripërkthen letërsi artistike, publicistike, fetare etj. nga anglishtja, do ta ketë tashmë në tryezën e tij të punës këtë fjalor si një ndihmëtar të veçantë.

Leksikografia lidhet ngushtë me zhvillimin e gjuhësisë dhe, para së gjithash, me zhvillimin e leksikologjisë, si shkenca për leksikun e gjuhës. Fjalorët frazeologjikë dygjuhësh të botuar deri tani, pasqyrojnë bindshëm arritjet në fushën e leksikografisë e veçmas, të frazeologjisë si disiplinë gjuhësore. Në këto arritje një vend të veçantë zënë tre fjalorët frazeologjikë të prof. dr. Eshref Ymeri, në një si bashkautor dhe në dy si autor i vetëm.

Në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të tij studiuesve të frazeologjisë u jepen zgjidhje të caktuara shkencore në ballafaqimin anglisht-shqip. Etnolinguistët kanë përpara fushat konceptore e grupet tematike të frazeologjisë (edhe të leksikut) së gjuhës angleze e të gjuhës shqipe. Leksikografët shqiptarë kanë përpara një fjalor sinonimik frazeologjik te kolona e shqipes. Etnografët kanë përpara doket e zakonet angleze, të materializuara gjuhësisht. (shih, p.sh., të ashtuquajturën privacy). Kushdo që dëshiron të njihet me histori frazeologjizmash, fjalësh të urta, fjalësh fluturake etj., mund ta lexojë me ëndje në këtë Fjalor. Fjalorët janë zakonisht libra referimi dhe nuk lexohen. Por ky Fjalor mund të lexohet mu për këto histori, shpjegime e motivime jashtëgjuhësore. Shih, p.sh., te: Teddi boy qejfli huqesh (rrebesh, trillesh). Shpjegimi e motivimi jashtëgjuhësor: Teddy është shkurtim i emrit Edward. Shprehja e ka prejardhjen nga emri i mbretit anglez Eduardi VII (Edward VII 1841-1910), i cili dallohej për mënyrën origjinale të të veshurit. Teddy boys kanë qenë imituesit e tij në radhët e rinisë së viteve ’50 të shekullit të kaluar. Shih edhe te punic faith; Knights of the Round Table; There is but one step from the sublime to the ridiculous; Fortune’s wheel; put on the buskin(s); fools rush in where angels fear to tread; strain at a gnat and swallow a camel etj.

Anglishtja është gjuha e huaj nga e cila përkthehet më shumë në shqip dhe e cila mësohet më shumë në Shqipëri. Rrjedhimisht, fjalorët me anglishten janë më të përdorurit. Ky fjalor u vjen në ndihmë të gjithë përkthyesve, pedagogëve e mësuesve të gjuhës angleze dhe të gjithë studentëve dhe nxënësve që duan ta thellojnë njohjen e saj. Në mësim, edhe për të krahasuar, për të njohur ose për të gjetur universale frazeologjike (tipi hekuri rrihet sa është i nxehtë / strike while the iron is hot) ose universale kuptimore, p.sh. përdorimin mbiemëror të emrave për të shënuar një njeri të dobësuar në trup te gaunt (as gaunt) as bone: është bërë fshikull [furde, furkë,  gisht, grep, gjethe, kërrabë,  kufomë, labot, lapër, laskar, lëkurë maceje, liktyrë, lipsanë, një dorë, një grusht, pe, petë, qiri, (si) bisht luge, shirit, shkarpë, (si) shkop, trëndelinë]. Si do të ishin korresponduesit e tyre në anglishte ose në një gjuhë tjetër?

Dhe në fund, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje edhe përmasat e këtij Fjalori. Me rreth 1300 faqe, mijëra njësi frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze e mijëra barasvlerës shqip, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” është një vepër madhore, që mund ta bënte vetëm dija e gjerë dhe vullneti i paepur i prof.dr. Eshref Ymerit. Me këtë Fjalor frazeologjia shqipe dhe leksikografia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë angleze.

Tiranë, 12 korrik 2019