Një kompani e sanksionuar minerare, e cila më herët ishte në pronësi të ndërmarrjes së një oligarku ukrainas të dyshuar për tradhti dhe që vazhdon të mbetet në duart e familjes së tij, vazhdon të operojë dhe i paguan miliona taksa Moskës, gjeti një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.
Skemat, njësia hulumtuese e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, po ashtu gjeti se miliarderi dhe ish-deputeti Vadym Novynskiy duket se është vendosur në Kroaci, ku ka regjistruar vendbanimin dhe vitin e kaluar ka blerë një pronë të madhe afër Zagrebit.
Novynskiy, 62 vjeç, dyshohet për tradhti për shkak të aktiviteteve të supozuara në emër të Kishës Ortodokse Ruse, e cila mbështet luftën e Moskës kundër Ukrainës, dhe ai u fut në listën e të kërkuarve pasi një gjykatë në Kiev urdhëroi arrestimin e tij në mungesë në vitin 2025.

Një magnat, pasuria e të cilit nga revista Forbes vlerësohet të jetë 1.2 miliard dollarë, Novynskiy zotëron Smart Holding Group, që kishte në pronësi kompaninë minerare Balaklava Mining Management Company, ose BALAKLAVSKOE RU, nga viti 2006 deri në vitin 2014. Ky ishte viti kur Rusia pushtoi dhe mori kontrollin e Gadishullit ukrainas të Krimesë.
Në vitin 2014, pronësia e BALAKLAVSKOE RU kaloi te Kagerol Holdings Limited, një kompani me seli në Qipro, në pronësi të gjysmëvëllait të Novynskiyt, Ashot Malkhasyan.
Në vitin 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Këshilli i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare i Ukrainës vendosi sanksione ndaj kompanisë BALAKLAVSKOE RU, e cila është e specializuar në nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror dhe gipsit. Në janar të vitit 2023, Byroja Shtetërore e Hetimeve e Ukrainës nisi hetim ndaj kompanisë, nën dyshimet për veprimtari subversive, terrorizëm dhe tradhti të lartë.
Sipas hetuesve ukrainas, BALAKLAVSKOE RU ka furnizuar në mënyrë të vazhdueshme kompani shtetërore ruse me materiale dhe ka qenë po ashtu e përfshirë në disa projekte infrastrukturore shtetërore ruse, përfshirë dy aeroporte dhe një autostradë të madhe në Krimenë e pushtuar, si dhe Parkun Patriot, një park me tematikë ushtarake afër Moskës.
Arka e luftës
Të dhënat nga regjistrat rusë, të verifikuara nga Skemat, tregojnë se kjo ndërmarrje ka paguar më shumë se 2 miliardë rubla (26.7 milionë dollarë) taksa nga viti 2022 deri në vitin 2025. Përveç kësaj, dëshmi nga punonjës dhe raportime të mediave lokale tregojnë se pajisje ushtarake ruse janë riparuar në ambientet e kompanisë BALAKLAVSKOE RU gjatë pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, që tashmë është në vitin e tij të pestë.

Në vitin 2024, një anëtar i legjislaturës së vendosur nga Rusia në qytetin e Sevastopolit në Gadishullin e Krimesë, nga partia pro-Kremlinit Rusia e Bashkuar, i cili ishte regjistruar për të luftuar kundër Kievit, publikoi një video-mesazh ku shprehu “një falënderim të veçantë… për faktin që ekipi juaj, së bashku me ndërmarrjen tuaj në tërësi, ofron mbështetje aktive për luftëtarët në zonën e ‘operacionit të posaçëm ushtarak’” – term që përdoret nga shteti rus për luftën e tij kundër Ukrainës.
“Nuk ka pasur asnjë rast kur ushtarët nga vijat e frontit, që u janë drejtuar juve, nuk kanë marrë ndihmë”, tha ai.
Sipas YouControl, një platformë ukrainase për monitorimin e të dhënave të korporatave, Malkhasyan lidhet me Smart Holding si pronar i një prej kompanive nën ombrellën e saj. Kërkesat e Skemave për koment nga Malkhasyan, të dërguara me email dhe përmes aplikacioneve të mesazheve, kanë mbetur pa përgjigje.
Skemat i dërgoi po ashtu Novynskiyt një kërkesë për koment lidhur me aktivitetet e biznesit të Malkhasyanit në Krime dhe nëse ai ka ndonjë ndikim mbi to, si dhe për origjinën e fondeve të përdorura për atë që dokumentet zyrtare dhe raportimet mediale tregojnë se ishte blerja e një shtëpie luksoze në Kroaci në vlerë prej 10.5 milionë eurosh ( apo12.3 milionë dollarë).
Përfaqësuesi ligjor i Novynskiyt, avokati spanjoll Gonzalo Boye, në përgjigje të pyetjeve të dërguara nga Skemat, deklaroi se Novynskiy “është një mbështetës i vendosur i Ukrainës” dhe se “ai prej kohësh i është nënshtruar sanksioneve nga Federata Ruse, gjë që në vetvete përjashton çdo pretendim të bazuar për lidhje të tij të supozuara me entitete ruse”.
Megjithatë, në përgjigje të avokatit nuk u ofrua asnjë provë për pretendimin se Novynskiy aktualisht është nën sanksione ruse. Një dokument i Qeverisë ruse tregon se sanksionet ndaj tij janë hequr në vitin 2020 dhe nuk ka asnjë tregues se ndonjë sanksion tjetër është vendosur që atëherë.
Raportet me Rusinë
Novynskiy, i lindur në Rusi dhe që ka marrë shtetësi ukrainase në vitin 2012, u zgjodh deputet në Parlamentin e Ukrainës në vitin 2019 si anëtar i Platformës së Opozitës – Për Jetën, një parti e madhe proruse që u ndalua pas pushtimit në shkallë të plotë. Në vitin 2023, shteti konfiskoi pasuri në vlerë mbi 10 miliardë hrivnia (228 milionë dollarë), teksa nisi hetime ndaj tij nën dyshimin se ishte “bashkëpunëtor i një shteti agresor”.
Më pas, ai u vu nën dyshim zyrtar për tradhti për rolin e tij të supozuar si “kurator i Kishës Ortodokse Ruse në Ukrainë” dhe për mospagimin e taksave në vlerë prej 4 miliardë hrivnia (91 milionë dollarë). Në vitin 2025, një gjykatë në Kiev urdhëroi arrestimin e tij në mungesë në lidhje me akuzën për tradhti, dhe më pas ai u vendos në listën e të kërkuarve.

Në fund të marsit të këtij viti, Novynskiy dha një intervistë për COMPACT-TV të Gjermanisë, ku kritikoi Zelenskyn dhe pretendoi se ishte larguar nga Ukraina pasi ishte paralajmëruar se së shpejti do të ndiqej penalisht.
Ai deklaroi se një oficer i shërbimit të sigurisë ukrainase “më paralajmëroi paraprakisht se ishte dhënë urdhri për t’u larguar, sepse Zelensky kërkon çdo ditë që ne t’ju arrestojmë. Prandaj u detyrova që të largohem jashtë vendit”.
Të pyetur për këtë pretendim, nga Zyra e Zelenskyt thanë për Skemat se: “Ne nuk na intereson shumë çfarë thotë ai”, duke e përshkruar Novynskiyn si “një oligark që… u përpoq ta shndërrojë Ukrainën në Rusi, u diskreditua politikisht dhe u largua, dhe tani po fshihet diku jashtë vendit”.
Në intervistën për median në Gjermani, Novynskiy gjithashtu tha se “kushti më i rëndësishëm për sigurinë e Ukrainës janë raportet miqësore me Rusinë. Çdo gjë tjetër është marrëzi. Nëse Ukraina ka raporte fqinjësore, miqësore dhe strategjike me Rusinë, ne gjithmonë do të kemi siguri”.
Largimi nga Ukraina
Sipas burimeve që kanë qasje në informacionin përkatës dhe që folën për Skemat me kusht anonimiteti, Novynskiy u largua nga Ukraina në qershor të vitit 2022 dhe nuk është kthyer më që atëherë në këtë shtet.
Në intervistën për COMPACT-TV, Novynskiy tha se aktualisht jeton në Evropë, pa e përmendur shtetin se ku saktësisht jeton. Duke analizuar pamjet filmike, njësia hulumtuese Skemat arriti në përfundimin se intervista me të është realizuar në Hotel Bellevue në Opatija, Kroaci.

Dokumentet kroate, që i ka analizuar Radio Evropa e Lirë, tregojnë se ai ka regjistruar vendbanimin në një kompleks apartamentesh në Split, Kroaci, ndërsa informacionet në sistemin kroat të regjistrit të tokës dhe kadastrës tregojnë se ai është bërë pronar i një prone prej gati 7 hektarësh në Samobor, afër kryeqytetit kroat, Zagreb.
Prona përfshin një vilë prej mbi 1.400 metrash katrorë dhe një strukturë më të vogël banimi, si dhe vreshta dhe kopshte, një pishinë, një zonë golfi, disa ndërtesa ndihmëse dhe një bodrum për ruajtjen e verës prej 200 metrash katrorë. Media kroate Jutarnji list raportoi në vitin 2025 se Novynskiy e bleu këtë pronë nga një biznesmen lokal për 10.5 milionë euro (12.3 milionë dollarë).
Një njoftim për shitje të pronës i vitit 2023 e përshkruante atë si “një nga ndërtesat më të bukura të banimit në Kroaci”.







Komentet