(Pёrsiatje historike nё 10 – vjetorin e hyrjes nё NATO)
Njëqind vite në historinë mijravjeçare të një populli përbëjnë një periudhë relativisht të shkurtër. Përceptimi i elementit kohë historike është i ndërvarur nga intensiteti i ngjarjeve që mbushin hapësirën e saj dhe nga pesha e tyre në përcaktimin e fateve të tij. Po t’i hedhim një sy panoramës së historisë shqiptare që fillon të jetë e dokumentuar nga shekujt VII e VI para Krishtit, me themelimin e Qytet-Shteteve bregdetare e marredhëniet e tyre me popullsitë autoktone ilire e arrin në ditët tona, kur synojmё hapjen e bisedimeve pёr hyrjen në Bashkimin evropian, mendoj se duhet të veçojmë, për nga pesha e fuqia përfaqësuese e ngjarjeve, dy qindvjetorë, atë të XV-in dhe atë të XX-in.
I pari hyri në legjendë si “Shekulli i madh”, u lidh me emrin e Gjergj Kastriotit dhe ishte përpjekja e parë e krijimit të një entiteti shqiptar të bashkuar nën kërcënimin e një pushtimi të huaj, që nuk ishte Roma apo Bizanti por një fuqi që vinte nga lindja, Perandoria turke. I dyti shënon historinë bashkëkohore të Shqipërisë, në kuadrin e lindjes së shtetit të parë shqiptar të pavarur e të bashkuar, në një kontinent të fshikulluar nga dy luftëra botërore e nga dalja me forcë në skenën e tij e sistemeve diktatoriale. Qe ky qindvjetor që shënoi parabolën e lindjes, të arritjes kulmore e të rënies së zhurmëshme, duke kaluar mbi dhjetra miljona viktima të nazifashizmit e të komunizmit. I pari u mund në fushat e betejave të luftës, i dyti humbi një “luftë të ftohtë” me demokracitë e Perëndimit, si pasojë e dështimit të sistemit të bazuar mbi dhunën që zotëronte të gjitha fushat e veprimtarisë së shtetit e të shoqërisë.
Në këta shekuj ngjarjesh të fuqishme, që ngriheshin mbi vullnetet e shqiptarëve, bie në sy një element i përbashkët. Është prirja e arbërve për të kërkuar ndihmë e bashkëpunime nga deti, nga Perëndimi i kontinentit e duke pritur rreziqet nga toka, nga Lindja e tij. Skënderbeu, në epopenë e tij madhështore, bazën e lidhjeve të tij me të huajt e mbështeti tek fqinjtë e përtej Adriatikut, tek Kisha e Romës, tek Mbretëria e Napolit, tek Republika e Venedikut. Interesat ishin të ndërsjellta dhe miqësia erdhi duke u forcuar. Në mbarim të jetës së tij e të qëndresës shqiptare Vendi ynë, i pushtuar nga Osmanët, përfaqësoi pjesën evropiane më perëndimore të një Perandorie që shtrihej në tre kontinente. Shqipëria shkëputi lidhjet politike me Perëndimin dhe u bë pjesë aktive e jetës së Perandorisë Otomane për afër gjysëm mijëvjeçari.
Fundi i shekullit të XIX dhe agimi i të XX-it i gjeti shqiptarët në përpjekjet e tyre për të dalë të pavarur nga kuadri i Perandorisë që kishte bjerrur forcën e dikurshme e pregatitej të pësonte shpërbërjen e pashmangëshme, përfundimin e natyrshëm të të gjitha përvojave të tilla në historinë e Botës. Mbasi kishin dhënë një ndihmesë të konsiderueshme në Administratën Osmane gjatë gjithë kohës së pushtimit (37 kryeministra e një numur i pafund kuadrosh të tjera të të gjitha shkallëve), duke arritur nivele të larta edhe vetëadministrimi (Pashallëqet e Shkodrës dhe të Janinës), gjithmonë në kuadrin e Perandorisë, shqiptarët, nëpërmjet klasës së tyre politike, i kthyen sytë nga Perëndimi për të gjetur mbështetjen për krijimin e Shtetit të tyre të parë të pavarur.
Vështrimi nga Perëndimi, nga kultura e zhvillimi ekonomik i tij, nga modeli i shtetit dhe organizimit shoqëror, qe një konstante që përshkoi Rilindjen shqiptare dhe periudhën e parë të Shtetit të pavarur. Duke u kthyer saktësisht 110 vite mbrapa, më 1908, në Manastir, kryeqendër vilajeti, mëndjet më të holla të inteligjencës kulturore shqiptare morën vendimin e parë të madh në përputhje me atë konstante. Atje u vendos përfundimisht alfabeti i gjuhës së shkruar shqipe, themeli mbi të cilin do të ngrihej godina e arsimit dhe kulturës së Vendit. Zgjedhja e shkronjave latine qe dëshmi e fitores së idhtarëve të kulturës evropiane mbi ata të kulturave të tjera. Prirja për t’u njëjtësuar me të, për të marrë shkronjat prej saj, qe paralajmëruese e dëshirës së brëndëshme të shqiptarëve për t’u kthyer idealisht në Evropën perëndimore mbas pesë shekujsh qëndrimi në botën lindore.
Hapat e para të prijësve të Shtetit shqiptar në kanceleritë e kryeqyteteve evropiane, pranimi prej tyre i statusit të mbretërisë me një princ gjerman në krye, prirja për të krijuar inteligjencën e ardhme të Vendit në shkollat përkatëse të atyre Vendeve, dëshmonin se në vetëdijen kombëtare e ardhmja projektohej e lidhur me përvojat evropiano-perëndimore. Ngjarje të tilla si rrebelimi i Haxhi Qamilit apo prirja e Nolit për të lidhur marrёdhënie të posaçme me Shtetin e Sovjetëve tregojnë se përjashtimet forcojnë rregullën. Përparësia e marrёdhënieve me shtetet perëndimore, kryesisht me Italinë, në funksion jo vetëm të zhvillimit ekonomik e kulturor të Shqipërisë, por edhe të krijimit të një sistemi shtetëror e administrativ bashkëkohor, qe edhe vija politike e Mbretit Zog, i cili pati meritën, më shumë se të tjerët, në formimin dhe funksionimin e institucioneve të Shtetit shqiptar.
Fatkeqësisht këtij zelli properëndimor të shqiptarëve Perëndimi politik e diplomatik i u përgjigj me vendime historike dëmtuese për ta e përkrahëse të fqinjëve të tyre. Kështu Shteti shqiptar, një vit mbas lindjes së tij, u përgjysmua duke ndarë nga trungu i tij Kosovën, Dibrën e madhe, Çamërinë e vise të tjera me vendime të Konferencës së Ambasadorëve në Londër apo traktatit të Paqes në Versajë. Këtij qëndrimi dashakeq, që arriti kulmin me 7 prillin 1939 dhe moskokëçarjen e fuqive perëndimore ndaj pushtimit të Shqipërisë, shqiptarët i qëndruan me të gjitha mjetet e mundëshme, por gjithmonë me kthjelltësinë mendore që i bënte të mos përzienin konjukturat politike të pafavorëshme me një vijë të qartë afërsie me një sistem mendësish, kulturash, vlerash që mbeteshin gjithmonë synim i tyre e që ishin pronë e popujve t’Evropës. Kështu mëndjet më të ndritura të tyre e projektuan t’ardhmen e Shqipërisë të rrjeshtuar në realitetin evropian, pavarësisht nga përfundimet e luftës.
Por, fatkeqësisht, pati edhe nga ata shqiptarë që t’ardhmen e Vendit të tyre i a besuan një ideologjie, sa tërheqëse në pamje aq e dëmshme në përmbajtje, për më tepër e përçuar nga përfaqësues të armiqve shekullorë. Qe një zgjedhje fatale që përkoi me një sistem terrori e mungese lirie, me një rrënim shpirtëror e intelektual, me varfëri, mungesë zhvillimi e plagë të pashëruara kombëtare. Komunizmi, fitues i mbas luftës II botërore, i rezervoi Shqipërisë një përsëritje të fatalitetit historik të pesëqind viteve më parë, kur rënia e Shkodrës, kështjellës së fundit të qëndresës antiosmane, përcaktoi shkëputjen e saj nga Evropa e periudhës së Rilindjes e hyrjen e saj në mesjetën otomane. Në nëndor 1944, përsëri me rënien e Shkodrës këtë herë në duart e partizanëve të Enver Hoxhës dhe Dushan Mugoshës, Shqipëria provoi të njëjtën përvojë, duke lidhur fatin e saj me një tjetër bashkësi që u quajt “Perandoria e së keqes” e duke zënë pozicionin më jugëperëndimor të saj. Gati pesë shekujve të pushtimit turk do t’i përgjigjej pothuajse gjysëm qindvjeti regjimi komunist. Dëmet për Shqipërinë qenë të pallogaritëshme e pasojat ndihen ende sot e kësaj dite.
Shëmbja e komunizmit si sistem në shkallë evropiane i solli edhe Shqipërisë mundësinë që të kryente ndryshimet e saj, me braktisjen e shtetit të “demokracisë popullore” e të shoqërisë “socialiste”, të kolektivizuar skajshmërisht nga një dhunë e pashëmbullt, e me përqafimin e rendit demokratik. Modeli ishte demokracia perëndimore, sirenat e së cilës nuk kishin pushuar kurrë, në forma të ndryshme, të ndillnin tek shqiptarët dëshirën për ndryshime. Të vetmit të shurdhër ndaj atyre sirenave ishin drejtuesit e lartë të Partisë komuniste e të Shtetit, njerëz të sklerotizuar në bindjet e tyre enveriste e në kultin e dhunës, të paaftë të kuptonin e të pranonin ndryshimet, jo vetëm në botën përreth, por madje as në bijtë e tyre, qënie të papërgjegjëshme pa fijen e ndërgjegjes qytetare. Këta “zotërinj” mund të kishin liberalizuar sistemin dhe evropianizuar Vendin, duke bërë më të këndëshme jetën e qytetarëve të tyre, por parapëlqyen të njëjtësoheshin me komunizmin mesjetar kinez të revolucionit kulturor të Mao Ce Dunit, duke i vënë mure erërave liberalizuese, sado të dobëta, që vinin nga Vendet simotra evropiane. Në mediokritetin e tyre kriminal besuan se i bënë një shërbim të madh marksizëm leninizmit “ngadhnjimtar”, duke flijuar në altarin e tij të gjitha aspiratat e bashkëqytetarëve të tyre për liri e përparim, duke mbajtur nën terror e gjak bijtë më të mirë të tyre.
Ndërrimi i sistemit në Shqipëri, në sajë të dogmatizmit të theksuar që linte pas, dashje pa dashje u kushtëzua prej tij e nuk pati një zhvillim linear e të shpejtë, si në Vendet ku liberalizmi komunist kishte arritur frutet e tij. Shqipëria u luhat mes gjysmё ligjesh, gjysmё projektesh e gjysma reformash që paragjykuan rëndë zhvillimin e saj të shpejtë, por klasa drejtuese, për llogari, për bindje apo për nevojë të domosdoshme, pati meritën të mos nguronte të kërkonte futjen e Vendit në organizmat më të rëndësishme ndërkombëtare, të gjitha shprehje të sistemit demokratik Perëndimor. Kështu më 1992 qeveria Meksi kërkoi hyrjen në NATO dhe nisi kërkesat për bisedime me BE.
Institucionet evropiane dhe ndërkombëtare janë të pranishme në Shqipëri që nga fillimi i tranzicionit. Misioni i tyre ishte të shoqëronin klasën politike paskomuniste në një përvojë të re për të, në atë të shoqërisë demokratike e të ekonomisë së tregut. Se sa i vështirë qe ky mision mund t’a kuptojmë po të shohim rezultatet e punës së tyre, që janë mjaft të diskutueshme, jo aq për mungesat e tyre se sa për mangësitë tona. Mendësia komuniste, e rrënjosur thellë në botkuptimin e klasës politike që nuk arrin të evoluojë e të përtërihet në masën e kohën e duhur, ka qenë pengesa kryesore në ritmet e ulta të ndryshimeve thelbësore, të domosdoshme për t’u afruar me Evropën.
Sot të gjithë flasin për reforma, për ndryshime, për marrëveshje mes forcave politike për të plotësuar kushtet që kërkon Evropa për të na futur në gjirin e saj. Çuditërisht askush nuk kujton se ato reforma duhet të ishin bërë që në vitet e para e “nëna” e të gjitha atyre duhet të kishte qënë një kundër reformë, ajo e njohjes së plotë dhe e kthimit të pronave e pasurive të gjithë atyre qytetarëve që diktatura komuniste u kishte grabitur. Që aty do të niste rruga jo e lehtë por frytdhënëse drejt standarteve evropiane. Duke e kryer keq e pjesërisht atë kundër reformë, që do të kishte qënë si “filli i Arianës” për të dalë nga labirinti i ndërlikuar i trashëgimisë komuniste, ne e komprometuam rëndë zinxhirin e ecjes përpara e të përshtatjes ndaj rregullave e ligjeve të Evropës së bashkuar. Nuk e di se sa e si kanë ndikuar përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare në këtë pikë, por mendoj se një punë më ngulmuese nga ana e tyre mund të kishte sjellë përfundime krejt të tjera. Po ashtu sikurse një ndërhyrje më e fuqishme e FMN apo Bankës Botërore në kohë pranë Qeverisë shqiptare mund të kishte shmangur tragjedinë e 1997 ës, të lidhur me krizën e financiareve e pasojat e saj ogurzeza.
Është një rastësi e çuditëshme, po me emrin e kryeqytetit rumun lidhen dy ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, në largësi kohe nga njëra tjetra gati gjysëm shekulli. Në nëntor 1960 PKSH në Bukuresht, nëpërmjet sekretarit të saj Hysni Kapo, i komunikonte partive të tjera simotra se nuk kishte ndër mënd të përqafonte kursin e ri të Nikita Hrushovit, se nuk donte të bënte ndryshimet e diktuara nga dënimi i kultit të individit, se nuk donte të shkëputej nga stalinizmi, se tani e tutje pika e riferimit nuk do të ishte më Moska, por Pekini i Mao Ce Dunit. Ishte një qëndrim i prerë, shqiptarçe, që ktheu mbrapa kursin e Vendit duke shuajtur ato shpresa e iluzione të vakta, të lindura mbas Kongresit të tretë. Atyre qarqeve politike apo të medias ndërkombëtare që ushqyen sado pak iluzionin se prishja me BS ishte prelud i hapjes nga Perëndimi, Enver Hoxha shpejt u dha të kuptojë se shprehja e Hrushovit “ U shitën për 30 aspra tek imperializmi” i duhej kthyer mbrapsht të zotit. Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia etj. dëshirës së tyre për kolltuk të përjetshëm i veshën petkun e “mbrojtjes së parimeve të marksizëm leninizmit”, një mision kaq “madhështor” saqë do t’i kthente shqiptarët në barngrënës të thjeshtë….
Duhej të kalonin 48 vite që, përsëri nga Bukureshti, të vinte një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë, madje për një opinion të gjërë, duke filluar nga ai i Kryetarit të Shtetit si më i rëndësishmi në historinë e saj. Lajmi i shumëpritur ishte ftesa për të qënë pjestare e NATO-s, Aleancës së Atlantikut verior. Lajmi ishte madhor, nga ata që shënojnë kthesa të forta në historinë e popujve, ishte sendërtimi i ëndrrës qindvjeçare shqiptare për të qënë pjesë përbërëse e Botës perëndimore. Megjithatë mendoj se vendin e parë në renditjen e ngjarjeve me përparësi në historinë tonë vazhdon t’a mbajë Shpallja e Pavarësisë, ai 28 nëntor 1912, datëlindja e Shtetit shqiptar, pa të cilën nuk do të kishte kuptim vetë historia e tij. Hyrja në NATO, në Aleancën më të fuqishme ushtarake që ka njohur njerëzimi, ishte për Shqipërinë garanci e mbrojtjes së integritetit të saj ndaj çdo rreziku të mundshëm, dëshmoi besimin e Bashkësisë ndaj saj, por dhe interesin strategjik ndaj pozicionit gjeografik e politik të saj.
“Marrja e ftesës për të hyrë në NATO, ka shënuar kalimin e një pragu të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e institucioneve euroatlantike. Por, kjo ftesë nuk duhet të shikohet si fundi i një proçesi. Ajo shënon fillimin e një faze të re në zhvillimin e Shqipërisë”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, holandezi Scheffer. Optimizmi, që na frymëzoi ky akt besimi i Aleancës, duhej tё ishte më shumë racional se emotiv, nxitës në punën e përditëshme e në projektet për të ardhmen e aspak narçizizëm politik frenues e i dëmshëm. Arritja e ftesës nuk duhej të na largonte vëmëndjen nga njëfarë vlerësimi autokritik që do të gjente shprehje në përgjigjen e ndonjë pyetjeje të rastit. Qeveria shqiptare e kishte kërkuar hyrjen në NATO më 1992. Përse u desh të kalonin plot 16 vite për të marrë një përgjigje pozitive? Këta vite peshojnë mbi mangësitë tona e paaftësinë për të realizuar parametrat e domosdoshëm të praktikës së pranimit, apo mbi strategjinë e përgjithëshme të Aleancës, që zgjerimin e konsideron një veprim politik të planifikuar, pavarësisht nga arritjet e një Vëndi apo të një tjetri? Në të dy rastet më duket se nuk kishte vend për entuziazëm të shfrenuar, për eufori, apo për një apoteozë të meritave tona, por për një vlerësim realist të punës së institucioneve tona në dritën e detyrave që na impononte gjendja e re e që nuk ishin as të pakta as të lehta.
Mendoj se detyrat kryesore që kemi sot përpara, qoftë për të arritur parametrat e pranueshme të integrimit në Evropë, qoftë për të shpejtuar proçesin e përparimit të Vendit, objektiva që përkojnë, janë të natyrave politike e të ligjëshmërisë nga njëra anë dhe ekonomike e shoqërore nga ana tjetër. Ne na duhet të modernizojmë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, politikën dhe Shtetin. Modernizim i politikës do të thotë dobishmëri, konkretësi, moralitet, korrektësi, vendimarrje në kohën e duhur, zbatim ligji dhe ndëshkim përkatës për shkeljen e tij, besueshmëri tek qytetari, respekt i ndërsjelltë për kundërshtarin, përtëritje e vazhdueshme, kulturë pune, aftësi për të bindur nëpërmjet argumentave, për t’u paraqitur denjësisht para të tjerëve, për të përfaqësuar me nivel Vendin dhe institucionet e tij, për të thjeshtuar kuadrin politik të rënduar tej mase nga një keqinterpretim i termit “demokraci”. Për të arritur këto objektiva duhet një punë e zellshme dhe e gjatë, ndihmesa e të gjithëve, vendime të shumicës që nuk paralizohen nga veto të interesave të veçanta e, po qe nevoja, edhe ndryshimet e duhura në ligjet, përfshirë edhe në Kushtetutë. Për të mos patur kompleksin e inferioritetit në tryezat ku do të ulemi me të tjerët duhet të ndërtojmë një Shtet të zhdërvjelltë, që t’i ngjasë një makine që funksionon përsosmërisht, gjë të cilën nuk mund t’a sendërtojmë nëse nuk vemë në pjedistal meritokracinë, si të vetmin kriter të vlefshëm në jetën institucionale.
Ky Shtet duhet të ketë si përparësi interesat themelore të qytetarëve të tij që janë, jo vetëm garantimi i lirisë dhe i të drejtave, por edhe një standart jetese i pranueshëm. Kjo nuk arrihet thjesht nëpërmjet ndihmave për shtresat në nevojë, por kërkon një politikë aktive e largpamëse ekonomike, në përshtatje me kushtet e Vendit, krizën globale dhe kërkesat e Bashkësive ku duam të bëjmë pjesë. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm për mangësitë me të cilat përballet Vendi prej shumë vitesh, pa mundur t’i shmangë e t’i ndreqë e këto dukuri tregojnë paaftësi e dështim, jo vetëm të politikës, por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Hyrja në NATO nё 2008 ndikoi në shtimin e besueshmërisë në sistemin Shqipëri por nuk qe vendimtare nё zhvillimin e gjithanshёm tё Shqipёrisё, nuk qe “shkopi magjik” që do të zgjidhte, me një të rënë, problemet e shumta të shqiptarëve, siç besonte shumkush nё euforinё e asaj ngjarjeje.
Sot pёrballemi me tё tjera iluzione qё lidhen me fillimin e bisedimeve pёr hyrjen nё Evropёn e bashkuar. Ai veprim sigurisht do tё kishte pasojat e tij pozitive, por nuk duhet tё gёnjejmё veten se Evropa do tё na i zgjidhё tё gjitha problemet tona. Ata duhet t’i zgjidhim vetë, duke huajtur edhe përvojat e të tjerëve, duke hartuar njё strategji fituese, edhe me ndihmёn e mendimit ekonomik evropian, qё pёrputhet me mundёsitё potenciale tё Vendit tonё. Por ai projekt nuk mund tё ketё sukses, nёse nuk do tё shrrёnjosim mendёsinё mafioze tё drejtimit tё shtetit dhe bartёsit e saj tё pasuruar jashtёligjёrisht, e nёse nuk do tё zbatojmё kriterin e meritokracisё nё tё gjitha hallkat e jetёs sonё shtetёrore, shoqёrore, ekonomike. Përndryshe do të vemë në diskutim edhe vetë integrimin në Evropë, duke bërë të pamundur kthimin e mirazhit shekullor në një realitet të bukur për fëmijët tanë.
Komentet