VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Miratohen ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

By | January 11, 2019

Komentet

Maqedoni, botohet ligji që lejon përdorimin e gjerë të shqipes

Në Maqedoni, Gazeta Zyrtare botoi të martën Ligjin për përdorimin e gjuhëve, gjë që shënon një hap drejt përdorimit të gjerë të gjuhës shqipe në vend.

Ligji nuk u nënshkrua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe për muaj të tërë mbeti në sirtarët e kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi, e cili e dërgoi mbrëmë për botim.

Drejtuesit e “Gazetës zyrtare” thanë se publikimi i ligjit bëhet sipas Nenin 52/2 të Kushtetutës.

Partia maqedonase e opozitës VMRO-DPMNE, kërcënoi drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski se mund të dënohet me burg për “vepër penale”.

Zoti Kostovski u përgjigj se çdo përpjekje për të njollosur Gazetën Zyrtare do të denoncohet në organet gjyqësore.

Së bashku me ligjin e gjuhëve, zoti Xhaferi dërgoi për botim edhe ligjin e fundit për ndryshimet kushtetuese – ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut.

Ligji thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”.

Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.

Kjo ka shkaktuar debate prej muajsh nëse gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni apo vetëm zgjerohet përdorimi i saj.

Me ligjin e ri, gjuha shqipe pritet të ketë shtrirje në përdorimin e saj në organet më të larta shtetërore, gjyqësore, në institucionet publike dhe ato lokale.

Ligji do t’i mundësojë mes tjerash, kryetarit të parlamentit, duke qenë shqiptar, që seancat t’i drejtojë në gjuhën e tij amtare. Edhe ministrat shqiptarë në seancat e qeverisë do të mund të flasin shqip.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga shumica parlamentare, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerësohet si përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur në gusht 2001.

Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare përbëjnë 25 përqind të popullsisë së Maqedonisë.

Marrëveshja e Ohrit që rezultoi pas një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001, përfshinte një sërë ligjesh që e rrisnin pozitën e shqiptarëve në vend, por gjuha shqipe mbeti gjatë me një status të cunguar, duke nxitur pakënaqësi të shumta tek popullata shqiptare.

Ndryshimet kushtetuese u publikuan në Gazetën Zyrtare

Vendimi për shpalljen e amendamenteve 33,34,34, dhe 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë është publikuar të shtunën në numrin gjashtë të Gazetës Zyrtare të RM-së.

Vendimin e ka nënshkruar kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar i miratoi ndryshimet kushtetuese që dalin nga Marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin, me çka pala e Maqedonisë e plotësoi detyrën e saj nga ajo që u dakordua, ndërsa tani  e ka radhën Parlamenti grek që të ratifikojë Marrëveshjen me çka do të hapet rruga për integrimin e vendit në BE dhe në NATO.

Deputetët me shumicë prej dy të tretave në suaza të seancës së 75-të i miratuan amendamentet 33,34,35 dhe 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, ndërsa pastaj edhe i shpallën ato. U miratua edhe u shpalle edhe Ligji kushtetues për zbatimin e amendamenteve.

Ndryshimet kushtetuese me të cilat emri i shtetit ndryshohet në Republika Maqedonia e Veriut do të hyjë në fuqi pasi Marrëveshja e Prespës dhe Protokolli për inkuadrimin e vendit në NATO do të ratifikohet në parlamentin grek.

Miratohen ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Parlamenti i Maqedonisë, miratoi të premten ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ndryshimin e emrit të saj në Maqedonia e Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë.

Tetëdhjetë e një deputetë në parlamentin 120 vendesh votuan për ndryshimet kushtetuese, duke miratuar së pari veç e veç katër amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit, me preambulën, me shtetësinë, kujdesin e shtetit për diasporën dhe më pas ligjin kushtetues ose paketën e ndryshimeve kushtetuese. Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, që kundërshtojnë marrëveshjen, bojkotuan votimin.

Shumica parlamentare arriti dy të tretat e nevojshme të votave pas një marrëveshjeje në orët e pasdites mes kryeministrit Zoran Zaev dhe drejtuesve të krahut opozitar të Lëvizjes Besa, dy ligjënësit e së cilës patën një rol kyç në plotësimin e shumicës së nevojshme për këto ndryshime.

Kryeministri Zaev dhe partia shqiptare ranë dakord që në kushtetutën e re, në përcaktimin e termit të shtetësisë do të përdoren dy emërtime “maqedonase dhe qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Për shqiptarët do të ketë një sqarim për përkatësinë e tyre etnike. Po ashtu letërnjoftimet personale do të përfshijnë edhe deklarimin e shtetasve sipas përkatësisë së tyre etnike.

Në preambulën e re të Kushtetutrës thuhet, mes tjerash:

“Qytetarët е Republikës së Maqedonisë, populli maqedon, pjesa e popullit shqiptar, pjesa e popullit turk, e popullit vlleh, popullit serb… duke marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre…”; Nga këtu është hequr referenca “si dhe pjesëtarët e komuniteteve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj e që janë pjesë e popullit…”

Zoti Zaev gjatë mbrojtjes së amendamenteve në parlament, shprehu mirënjohjen për ata deputetë të opozitës të cilët përmes votës së tyre e ndihmuan procesin. Ndërkaq, ligjvënësja Elizabeta Kançevska Milevska nga grupi i tetëshes së përjashtuar prej VMRO_DPMNE-së i hodhi poshtë akuzat dhe ofendimet nga krerët e kësaj partie se “tetë deputetët ishin tradhtarë”, ndërsa pyeti nga foltorja kryetarin e VMRO-së Hristijan Mickovski se cilat ishin alternativat e tij, duke lënë të kuptohet nga ana tjetër se edhe ish-partia e saj në të kaluarën favorizonte një propozim identik për ndryshimin e emrit.

Para parlamentit, dhjetra protestues të mbështetur edhe nga VMRO-ja kishin bllokuar bulevardin, ndërsa lëshonin thirrje ofenduese kundër deputetëve që votuan ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimi i emrit të republikës ish-jugosllave përmes amendamenteve kushtetuese pasoi marrëveshjen e 17 qershorit në Prespë midis qeverive të Shkupit dhe Athinës dhe do t’i hapë rrugën Maqedonisë drejt integrimeve më të shpejta në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Por këto ndryshime do të hyjnë në fuqi vetëm pasi parlamenti grek ta ketë ratifikuar marrëveshjen e Prespës.

Ndërkohë në Greqi vazhdon paqartësia për këtë çështje që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohëshme në vend. Kryeministri Alexis Tsipras dhe aleati i tij i së djathtës, shtynë një debat për marrëveshjen me Shkupin, duke e mbajtur çështjen pezull.

Zoti Tsipras ka thënë se do të kërkojë votëbesim nëse humb mbështetjen parlamentare të partisë së djathtë ANEL, Grekët e Pavarur e cila ka thënë se do të votonte kundër marrëveshjes me Maqedoninë nëse ajo sillet në parlament.

Zaev siguron votat për ndryshimet kushtetuese

Isuf Kadriu

Shumica parlamentare në Maqedoni ka siguruar dy të tretat e votave për të kaluar ndryshimet kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.

Siç bëhet e ditur nga Lëvizja Besa, kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami, dhe kryeministri Zoran Zaev, janë marrë vesh që kërkesat e opozitës shqiptare të realizohen përmes Ligjit kushtetues dhe jo përmes amendamenteve plotësuese.

Sipas marrëveshjes, çështja e shtetësisë në dokumentet personale për maqedonasit do të jetë sipas formulimit /maqedonase/ qytetar i Maqedonisë së Veriut/ ndërsa për shqiptarët /e Maqedonisë/ qytetar i Maqedonisë së Veriut.

Opozita kishte kontestuar variantin e parë pasi sipas saj, predikonte përkatësinë etnike të shqiptarëve si maqedonas. Marrëveshja parashikon që me ligj të rregullohet edhe çështja e letërnjoftimet me çka do të shtohet një grafikë e përkatësisë etnike. Për kujdesin ndaj diasporës pranohet amendamenti i Lëvizjes Besa që të përmenden të gjitha bashkësitë etnike të pranuara me Kushtetutë.

Këto ndryshime së bashku me amendamentet tjera pritet të votohen në seancën që pritet të mbahet më vonë gjatë mbrëmjes.

Me votimin e tyre zbatohet edhe Marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar, me të cilat zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe nisja në qershor e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Që të jetë e plotfuqishme, Marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë, por vetëm pasi më parë të jetë zbatuar tërësisht nga Maqedonia. Marrëveshja parasheh ndërrimin e emrit të Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut.

Ndryshimet kushtetuese, dallime edhe mes ekspertëve

Dallimet ndërmjet partive politike lidhur me përkufizimin e shtetësisë së qytetarëve në dokumentet personale, ka ndarë në qëndrime edhe disa nga njohësit e çështjeve politike dhe juridike në vend.

Ekspertët maqedonas kundërshtojnë kërkesën e Lëvizjes Besa, e cila dy votat e saj vendimtare për të votuar ndryshimet kushtetuese me 80 vota, i ka kushtëzuar me ridefinimin e shtetësisë, e cila është formuluar si /maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut.

“Mendoj se Kasami dhe Sela kanë zgjedhur një periudhë shumë të pakëndshme dhe me veprimet e tyre po humbin edhe atë pozitë të dobët që kishin edhe para qytetarëve të Maqedonisë, por edhe para faktorit ndërkombëtar. Tani nuk është koha për kushtëzime apo kërkesa të tilla pasi tani është koha që të gjithë të bashkohemi për të ardhmen evropiane të Maqedonisë pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për maqedonas, shqiptar apo të tjerë”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, ish-diplomati Nani Ruxhin.

Ai ka theksuar rëndësinë që ka për vendin mbyllja e kontestit të emrit me Greqinë, që sipas tij, për 27 vjet sa edhe ka zgjatur, e ka bllokuar procesin euro-integrues dhe me këtë edhe perspektivën dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ne duhet ta kryejmë këtë obligim dhe besoj se jemi në fazën e fundit të mbylljes së këtij kapitulli të gjatë. Të gjithë ne nuk duhet ta lëshojmë këtë shans historik dhe përfundimisht ky shtet të nisë të shkëputet nga vendi ku është katandisur”, thotë Ruzhin.

Ai, sikurse dhe ekspertë tjerë maqedonas nuk e përjashton mundësinë, që pas kushtëzimeve të Lëvizjes Besa, të qëndrojnë edhe qarqe të jashtme, që duan që Maqedonia të mbetet e izoluar, por pa saktësuar sa për çfarë qarqesh bëhet fjalë.

Por, ndryshe vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe gjuhësore shqiptare. Ata i arsyetojnë kërkesat e opozitës shqiptare duke kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme që shqiptarët, në përkufizimin e shtetësisë në dokumentet personale të mos ndihen maqedonas.

Dervish Alimi, jurist dhe njohës i çështjeve të gjuhësisë, thotë se shqiptarët nuk mund të pajtohen që ta pranojnë formulimin /maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut”, pasi kjo do të prejudikojë edhe përkatësinë e tyre etnike. Ky formulim, sipas Alimit, nuk është në përputhje as me zgjidhjen e deritanishme, e cila për shqiptarët ka formulimin /e Maqedonisë.

“Zgjidhja më e mirë për dalje nga kjo situatë dhe ngërçi politik është në gjetjen e kompromisit në aspektin e përkatësisë etnike dhe shtetërore të fjalës maqedonase, sepse ka një konfuzion këtu edhe gjuhësor edhe juridik. Gramatikisht maqedonase e ka kuptimin e mbiemrit dhe kjo gramatikisht e përshkruan edhe emrin”.

“Nëse thua se shtetësia është maqedonase, i bie se është e maqedonasve, ndërsa nëse e themi në rasën gjinore, shtetësia e Maqedonisë së Veriut, domethënë në këtë rast, eliminohet përkatësia etnike dhe ekskluziviteti etnik i përkatësisë së shtetit”, thotë Dervish Alimi, duke shtuar se drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike nuk duhet ta lënë zvarrë këtë çështje në emër të zgjidhjes së një zgjidhjeje tjetër, siç është ajo e emrit me Greqinë.

“Këtu ka një mashtrim politik. Pala maqedonase në emër të zgjidhjes së një problemi tenton që të privojë shqiptarët nga e drejta e përkatësisë etnike dhe nga e drejta e shtet-formësisë”, thotë Alimi.

Me votimin e ndryshimeve kushtetuese në fakt zbatohet edhe marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar, me të cilat zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe nisja në qershor e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shkup: Parlamenti do të fillojë debatin për ndryshimin e emrit

Ligjvënësit në Maqedoni do të fillojnë të mërkurën debatin në Parlament për ndryshimin e emrit që do t’i jepte fund mosmarrëveshjes me Greqinë.

Kryeministri Zoran Zaev ka mbështetur ndryshimin e emrit të vendit në Republikën e Maqedonisë Veriore dhe po përpiqet për miratimin e propozimit në debatin e planifikuar për 9 janar.

Megjithatë ai nuk e ka shumicën prej 120 deputetëve të Parlamentit.

Kjo do të thotë, se atij i duhen edhe votat e deputetëve të partisë opozitare VMRO-DPMNE për të kaluar propozimin.

Kështu ndodhi edhe në nëntor kur filloi procesi i ndryshimit të emrit.

Nëse parlamenti e voton ndryshimin e emrit, Greqia ka premtuar se do të ndalë bllokimin e përpjekjeve të Shkupit për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Por edhe nëse Maqedonia e voton propozimin, ai duhet të miratohet edhe nga parlamenti grek.

Lëvizja Besa i vë kusht Zaevit për t’i votuar ndryshimet kushtetuese

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami përkrahjen e tij për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese e kushtëzoi me pranimin e amendamenteve të paraqitura nga partia e tij.

“Nëse Zaevi nuk ka vesh për kërkesat tona, që deri tani nuk kishte, le të mendojë të gjejë ende vota për ndryshime kushtetuese”, tha Kasami pas mbledhjes së djeshme partiake.

Grupi parlamentar i Besës dhe Aleancës për Shqiptarët kërkoi që në amendamentet e marrëveshjes së Prespës të fshihet fjala “maqedonas” në grafën për shtetësinë dhe të shkruajë vetëm “qytetarë të Maqedonisë Veriore”.

Vendimin se a do t’i përkrahin deputetët e tyre ndryshimet kushtetuese do ta marrë kryesia qendrore e Besës.

Besa ka dy deputetë në Kuvend, po aq sa edhe Aleanca për Shqiptarët.

Për t’u pranuar ndryshimet kushtetuese duhen votat e dy të tretave, që do të thotë se nga 120 anëtarët e Kuvendit “për” duhet të votojnë 80 deputetë.

Shqiptari mund të bëhet përkohësisht president i Maqedonisë

Qeveria në Maqedoni do të iniciojë ndryshime të reja kushtetuese për zgjedhjen e presidentit në mënyrë që ai të zgjidhet në Kuvend, në rast se opozita vendos të bojkotojë zgjedhjet, thonë nga burimet e qeverisë, raporton agjencia Ina.

Derisa të zhvillohen procedurat për ndryshimet të cilat zgjasin 100 ditë, detyrën e presidentit sipas Kushtetutës së Maqedonisë përkohësisht do ta kryejë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Zgjedhjet presidenciale duhet të paraqiten me 2 ose 3 shkurt, ndërsa duhet të zhvillohen në fund të muajt mars.

VMRO-DPMNE nuk ka paralajmëruar bojkotim të zgjedhjeve, por në rast të tillë nëse nuk ka konsensus për zgjedhjen e presidentit të vendit, Qeveria nuk e hedh poshtë mundësinë e bërjes së ndryshimeve kushtetuese me të cilat do të ndryshohej mënyra e zgjedhjes së presidentit.

Zgjedhjet që të jenë të suksesshme, në raundin e dytë duhet të dalin 40 për qind e atyre të cilët janë të regjistruar në Listën Zgjedhore.

Ligji për shqipen hyn në fuqi së bashku me Marrëveshjen për emrin

Isuf Kadriu

Ligji për përdorimin e gjuhëve, që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe do të fuqizohet së bashku me marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Kjo marrëveshje, sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, por edhe zyrtarëve të Qeverisë pritet të miratohet në seancën e caktuar për 9 janar, ndërsa më pas së bashku me Ligjin e gjuhëve do të dërgohet për botim në Gazetën Zyrtare. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i pyetur të komentojë refuzimin e presidentit, Gjorge Ivanov për të dekretuar Ligjin për gjuhën, por edhe fazën e parë të Marrëveshjes me Greqinë, ka thënë se askush nuk do të mund të ndalojë fuqizimin e këtyre akteve ligjore.

“Nuk kam nevojë të merrem vesh me dikë kur janë në pyetje kompetencat kushtetuese të institucioneve. Presidenti Ivanov ishte i obliguar që këtë ta bënte, por nuk e bëri, kështu që konsideroj se është një çështje e absorbuar. Mendoj se askush nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e deputetëve dhe kjo edhe do të ndodhë”, ka deklaruar Xhaferi.

Kryeparlamentari Xhaferi është shprehur i bindur se amendamentet kushtetuese do të votohen në afatin e paraparë, ndoshta edhe më herët se 15 janari, pasi nuk pret debat nga deputetët, edhe për faktin se VMRO-ja opozitare ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në seancë, duke e quajtur farsë gjithë debatin për shkak të refuzimit të vërejtjeve të saj që kanë të bëjnë me kundërshtimin e Marrëveshjes për emrin, të cilën e vlerëson si “kapitulluese për vendin”.

Por nga opozita shqiptare e cila edhe më parë ka pasur vërejtje për statusin e gjuhës shqipe, thonë se tashmë kanë hartuar amendamente me qëllim avancimin e gjuhës shqipe, përkatësisht barazinë e saj me gjuhën maqedonase.

“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuhë tjetër zyrtare përveç gjuhës maqedonase është edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj latin. Pra, kërkojmë një ndryshim vetëm të paragrafit 2 të amendamentit 5 të Kushtetutës”, ka deklaruar Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa, parti kjo e cila vepron në dy pjesë, njëra në Qeveri, e tjetra në opozitë.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar më 14 mars ndërsa tre ditë më vonë presidenti Ivanov kishte njoftuar se refuzon dekretimin e tij. Ligji sërish është miratuar më 19 mars, por presidenti sërish ka refuzuar ta nënshkruajë atë edhe pse Kushtetuta e detyronte ta dekretojë pas kalimit të dytë në Kuvend.

Presieden Ivanov Ligjin për përdorimin e gjuhëve e ka vlerësuar “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”.

Ligji ndërkohë mbeti anash për shkak të rrethanave politike, arritjes së Marrëveshjes me Greqinë për emrin në qershor, referendumit si dhe procedurave tjera për zbatimin e saj.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni”.

Neni 7 i Kushtetutës së Maqedonisë, ku flitet për gjuhën të cilën e flasin “20 për qind” e popullsisë së Maqedonisë.

Ligji avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si në të folur ashtu edhe në shkruar, në të gjitha institucionet e nivel lokal dhe qendror.

Në Shkup mbahet gara tradicionale e babadimrave

SHKUP – Në kuadër të festave të fundvitit, sot në qendër të Shkupit u mbajt “Gara e Babadimrave”, e pesta me radhë, organizuar nga shoqata për sport dhe rekreacion “I pari në majë”, me mbështetje të Qytetit të Shkupit.

Gara krahas karakterit garues, kishte edhe atë argëtues, ku në të morën pjesë persona nga të gjitha grupmoshat. Gjatësia e shtegut të vrapimit ishte 2 kilometra. Starti dhe finishi i garës u realizua në sheshin “Maqedonia”.

Qindra pjesëmarrës të veshur në kostume të Babadimrit vrapuan drejt Portës së Maqedonisë, Parkut Gruaja Luftëtare, ura tek MPJ-ja, përgjatë lumit Vardar drejt Urës së Gurit dhe përmes urës arritën deri te caku.

Në ndarjen e çmimeve mori pjesë edhe kryetari i Shkupit, Petre Shilegov. Ai theksoi se ndjehet mirë që gara tradicionale e Babadimrit mbahet për vitin e pestë me radhë dhe të gjithëve ua uroi vitin e ri.

“Unë shpresoj se jo vetëm sot, por edhe javët e kaluara, kemi arritur të krijojmë një atmosferë të bukur këtu në qytetin tonë. Ju dëshirojë të gjithëve shëndet dhe fat në vitin e ri 2019”, theksoi Shilegov.

Në konkurrencë të “babadimrave” femra vendin e parë e fitoi Renata Sokolovska, të dytin Naumovska Bojana, ndërsa të tretin Marija Bogdanovska.

Në konkurrencë të meshkujve vendin e parë e fitoi Nikolla Tanevski, të dytin Stojçe Petrovski, ndërsa të tretin Filip Stojanovski. aa

A po rrezikohet marrëveshja për Maqedoninë e Veriut?

Isuf Kadriu

Marrëveshja ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit të emrit ka hyrë në fazën e fundit të zbatimit, para së gjithash në Maqedoni, pasi vetëm pas realizimit të detyrimeve nga Shkupi zyrtar, kjo marrëveshje duhet të aprovohet edhe në Parlamentin e Greqisë. Por, reagimet e shumta të ditëve të fundit në Athinë kanë ngritur dilemat nëse marrëveshja do të zbatohet nga pala greke.

Partia e Grekëve të Pavarur, një nga partitë me ndikim në Qeverinë e kryeministrit grek, Alexis Tspiras, është kërcënuar se nuk do ta mbështesë ratifikimin e marrëveshjes për shkak të, siç ka thënë kreu i saj, Panos Kammenos, fjalorit nxitës të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, se gjuha maqedonase dhe identiteti garantohen me marrëveshjen mes dy vendeve, të arritur më 17 qershor në Prespë.

Madje, Kammenos, që është ministër i Mbrojtjes, ka thënë se do të largohet nga Qeveria sapo marrëveshja të jetë miratuar në tërësi nga pala maqedonase për të pamundësuar ratifikimin e saj në Parlamentin e Greqisë.

Njohësit e çështjeve politike reagimet e tilla të zyrtarëve grekë më tepër i ndërlidhin me afrimin e zgjedhjeve në Greqi, se sa me ndonjë ndryshim në politikën e tyre, sa i përket zgjidhjes më se 27-vjeçare të emrit me Maqedoninë.

“Duhet ta dimë një fakt se atje si duket ka filluar fushata parazgjedhore. Tani liderët dhe partitë politike atje, ndërtojnë pozicione në bazë të disponimit të elektoratit të tyre. Fatkeqësisht, atje ekziston një bindje, e cila po interpretohet si vullnet i qytetarëve kundër Marrëveshjes së Prespës”.

“Kjo përqindje sikur po i ngacmon udhëheqësit e partive politike, të cilët mendojnë se do të kenë përkrahje të madhe nëse do të kenë qëndrim kundër kësaj marrëveshjeje”, thotë Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë dhe këshilltar i jashtëm i kryeministrit Zaev.

Video nga arkivi: “Bie Aleksandri i Madh”

Ramadani thotë se kjo marrëveshje është arritur falë angazhimit të madh të faktorit ndërkombëtar, SHBA-së, BE-së dhe NATO-s dhe ato, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë dështimin e marrëveshjes.

“Është një e vërtetë që vlen edhe për këtu, se ky proces, kjo marrëveshje dhe këto procedura janë mirë të kontrolluara nga faktori relevant ndërkombëtar. Kështu që, Greqia sigurisht se do t’u përshtatet ndikimeve që vijnë nga partnerët e saj, qoftë nga BE-ja, NATO-ja apo SHBA-ja”, thekson Ramadani.

Sa i përket Maqedonisë, marrëveshja ka kaluar në fazën e fundit dhe pas hartimit të amendamenteve që janë në përputhje me marrëveshjen për emrin e ri “Maqedonia e Veriut”, ka mbetur edhe votimi në seancën plenare, e paraparë të mbahet më 9 janar 2019. Edhe kësaj radhe, ajo pritet të votohet me dy të tretat e nevojshme në Kuvend dhe këtë numër pritet ta sigurojnë 6 deputetët e përjashtuar nga VMRO DPMNE-ja që fituan amnistinë për ngjarjet e dhunshme në Kuvend.

Këtë formë të sigurimit të votave, analisti Alajdin Demiri, e vlerëson të turpshme dhe pafuqi të pushtetit për të garantuar proces të ndershëm.

“Kjo është nonsens, është keqpërdorim i pushtetit. Është e vërtetë se kjo bëhet për qëllime sublime, të mëdha siç i quajnë ato, por është keqpërdorim. Kjo është ajo situatë, e cila e tregon gjendjen shpirtërore dhe reale si të politikës, e cila nuk ka kapacitet që një proces ta çojë në mënyrë demokratike, por shumë lehtë hynë në situata të kriminalitetit”, vlerëson Demiri.

Kontesti mes dy vendeve daton që nga viti 1991, kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë, ndërsa Greqia ka bllokuar integrimin e saj në NATO dhe BE, me arsyetimin se fqinji i saj mund të ketë pretendime ndaj territorit të saj verior që, po ashtu, quhet Maqedoni. 27 vjet më vonë dy vendet janë pajtuar me një zgjidhje që parasheh që Maqedonia të quhet “Maqedonia e Veriut”, ndërsa maqedonasit e sotëm të mos kenë lidhshmëri me maqedonasit antik, ndërsa gjuha maqedonase të pranohet se i takon grupit të gjuhëve sllave.

Zaev u përgjigjet zyrtarëve bullgarë: Jam maqedon, flas maqedonisht

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev iu është përgjigjur deklaratave të fundit të zyrtarëve të lartë të Bullgarisë lidhur me pohimet e tij për gjuhën dhe kombin maqedon duke theksuar se askush në botë nuk mund t’i kontestojë dikujt të drejtën e përcaktimit etnik, që sipas Zaevit, është vlerë evropiane e cila duhet të pranohet nga të gjithë.

“Unë jam maqedon, flas gjuhën maqedone, kjo është e drejtë e imja. Kjo është vlerë evropiane. Unë pres që vlerat evropiane të pranohen nga të gjithë. Ashtu siç kam shtrirë dorën dhe kam pranuar të ndajmë historinë e përbashkët, do të vazhdojë të flas në frymën e miqësisë dhe do të vazhdojë të ndërtojë fqinjësi të mirë, pa marrë parasysh se në çka i bazojnë deklaratat e tyre. Unë besoj se zoti Karakaçanov, ministrja e jashtme Zaharieva dhe kryeministri Borisov, por para së gjithash populli bullgar është popull mik i popullit tonë”, ka deklaruar kryeministri Zaev duke shtuar se të drejtën e përcaktimit e garanton marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit me të cilën Maqedonia do të ketë emër të ri, Maqedonia e Veriut.

Reagimet e zyrtarëve bullgarë kishin pasuar një deklaratë të kryeministrit Zaev se “Marrëveshja e Prespës vërteton ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe se askush më nuk do të ketë të drejtë që këtë ta kontestojë”.

“Zoti Zaev, mos e keqpërdorni temën me gjuhën maqedonase. Kjo mund t’ju kushtojë me anëtarësimin në NATO dhe BE… Maqedonia e Veriut është emërtim gjeografik që përfshin edhe territore të Republikës së Bullgarisë. Zaevi nesër mund të dëshirojë një dialekt të ngjashëm bullgar të mësohet si gjuhë zyrtare e huaj te ne. Kjo është e papranueshme. Ky është provokim”, kishte deklaruar Krasimir Karakaçanov, Zëvendëskryeministër për siguri dhe Ministër i Mbrojtjes.

Maqedonia dhe Bullgaria marrëveshjen e fqinjësisë së mirë e kanë arritur më 1 gusht dhe me të dy vendet pretendojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet historike që kryesisht kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase të paraluftës së dytë botërore. Marrëveshja ishte nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase të cilën tani zyrtarët bullgarë e mohojnë.

Amnistia për 27 prillin, pazar me Gjyqësorin

Isuf Kadriu

Amnistia e mundshme për pjesëmarrësit në dhunën në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017, nuk është asgjë tjetër pos pazar politik, apo kontrabandë me Gjyqësorin për qëllime tjera politike, thonë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar lirimin e diskutueshëm të dhjetëra personave, në mesin e të cilëve edhe të gjashtë deputetëve që po gjykohen për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Propozimi për amnisti apo falje është iniciuar nga kryeministri Zoran Zaev, para votimit të nismës për ndryshime kushtetuese, ndërsa filloi të finalizohet pasi mori mbështetje nga deputetët që po gjykohen për 27 prillin, pa votat e të cilëve do të ishte i pamundur kalimi i fazës së parë të zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Këta duan që në njërën anë të mos dëmtohet Gjyqësori, ndërsa në anën tjetër ndërhyjnë në mënyrë indirekte, që është e papranueshme për sistemin e drejtësisë. Vetëm pasi të jetë sjellë vendimi gjyqësor apo pasi të jetë shqiptuar masa e dënimit, mund të bisedohet për falje apo të ngjashme, kjo është ana juridike”.

“Por, kjo siç bëhet tani, është e pakuptimtë dhe e papranueshme në aspektin juridik. Këtu, thjesht, kemi të bëjmë me pazare politike, me të cilat kontrabandohet sistemi gjyqësor”, thotë Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetin e Tetovës.

Ligji i mundshëm për amnisti nuk është asgjë tjetër pos shpërblim për ata deputetë që siguruan dy të tretat në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, thotë ndërkohë Vlladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike.

“Ideja ishte që të binden disa deputetë që të votojnë për Marrëveshjen me Greqinë. Pra, nëse nisemi nga qëllimet për miratimin e Ligjit për amnisti, gjithçka është e qartë, ai propozohet për t’i shpërblyer ata deputetë që siguruan dy të tretat e votave të nevojshme”.

“Nëse nuk do të kishte nevojë për votat e tyre, as që do të hapej ndonjëherë debati për amnisti apo falje dhe kjo duhet të përfshijë të gjithë ata që janë përfshirë në padinë për ngjarjen në Kuvend. Si reflektohet kjo tani në Gjyqësor, unë vlerësoj se nuk ka njeri në vend që beson se Gjyqësori është i pavarur”, vlerëson Bozhinovski

Me mbylljen e dhunës në Kuvend me amnisti, jo vetëm që rrënohet sundimi i së drejtës, por edhe përçohet mesazhi se Maqedonia ende nuk është e gatshme për zbatimin e vlerave evropiane për Gjyqësor të pavarur dhe luftimin e krimit, konsideron Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike.

Ai thotë se Maqedonia ka të drejtë të arrijë marrëveshje dypalëshe, siç është edhe kjo me Greqinë për emrin, por assesi nuk guxon që zbatimin e saj ta realizojë përmes shkeljeve tjera që mund të kenë pasoja për vendin.

“A ka legjitimitet një strukturë qeverisëse që për hir të realizimit të koncepteve të saj politike, të bëjë koncesione në dëm të sistemit juridik? Kjo është çështja që shtrohet aktualisht. Është e pamohueshme se Qeveria ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe dhe ndërkombëtare, por vënia në funksion e atyre marrëveshjeve, a duhet të shkojë në dëm të Gjyqësorit?”

“Sigurisht se jo, pasi këto dy procese, gjykimi për 27 prillin dhe Marrëveshja për emrin, janë përjashtuese njëra me tjetrën, njëri proces është politik dhe tjetri juridik. Është diskutabile se sa këto janë kompatibile me vlerat themelore të BE-së dhe NATO-s për sundim të ligjit, për eliminimin e dukurive devijuese, etj”, thotë Zyberi.

Ndryshe, në dy proceset e fundit gjyqësore për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017, disa nga të akuzuarit për herë të parë kanë folur për organizatorët e ngjarjeve të dhunshme, duke apostrofuar personalitete të larta të Qeverisë së kaluar dhe të VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ka fituar azil politik në Hungari pas arratisjes nga Maqedonia për t’i ikur dënimit prej dy vjet burgim për shpërdorim detyre. Po për vepra të njëjta ai po gjykohet edhe në të paktën katër procese tjera gjyqësore.