Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar një pjesë nga dosja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të SPAK, i cili lëshoi pak ditë më parë 8 masa sigurie, 6 prej të cilave u ekzekutuan.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi u lanë në arrest shtëpie, ndërsa dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndaj të cilëve është dhënë masa e arrestit në burg, janë në kërkim. Të përfshirë janë edhe Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta, si edhe zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i cili u pezullua nga detyra. Të gjithë të përfshirët, SPAK i akuzon se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminalë.
Në pjesën e dosjes së publikuar nga Bardhi, theksohet se si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri vepronin për të përfituar në mënyrë të paligjshme fondet e marra nga kontratat publike me AKSHI. Sipas dosjes, kompania “EA Solution” e Agasit ka kryer faturime fiktive ndaj tre kompanive të tjera “Fastech” rreth 23.2 milionë euro, 1.4 milionë euro te “First” dhe 5.4 milionë euro te “Soft & Solution”, me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal.
Po ashtu në pjesën e publikuar zbardhen disa biseda të Agasit, i cili flet për një projekt dhe thotë që “projekti bën 2 milionë, ne do ta bëjmë 4. Në një tjetër bisedë, ai shton: “T’ia them…ka një gjë që, i them Kapos që e ka gjithë një raport”, që sipas Bardhit, i referohet Ramës.


“Hetimet tregojnë se në sistemin “@CATS” të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezulton se subjekti “EA Solution” ka faturuar shitje në drejtim të subjektit “Fastech” sh.p.k. për periudhën 11.12.2024 – 26.09.2025 shumën prej 2 235 761 543 ALL. Në drejtim të subjektit “First” sh.p.k. shumën prej 139 317 172 ALL. Në drejtim të subjektit “Soft & Solution” sh.p.k. shumën prej 527 765 506 ALL. Si konkluzion, rezulton se faturimet e kryera nga “EA Solution” sh.p.k. në drejtim të tre subjekteve të tjera të përshkruara më sipër janë fiktive dhe me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal. Ky fiktivitet konstatohet në faktin që subjekti “EA Solution” sh.p.k. nuk ka ambiente për realizimin e aktivitetit të biznesit por përdor ambientet e “Soft & Solution” sh.p.k., punonjësit e deklaruar në emër të këtij subjekti janë rekrutuar nga punonjës të burimeve njerëzore të subjektit “Soft & Solution” sh.p.k. dhe nuk kanë pasur asnjëherë kontakt me administratorin e subjektit “EA Solution” sh.p.k., shtetasen Ina Ciko. Nga ana tjetër kjo e fundit nuk ka kryer asnjë veprimtari dhe nuk ka asnjë dijeni lidhur me kontraktimin e punëve që merren nga subjektet e tjera. Gjithashtu, në deklarimet e shtetasit Andis Papa dhe Gëzim Hoxha thuhet se ata kanë kontraktuar shërbimet në “EA Solution” nëpërmjet shtetasit Ermal Beqiri i cili i ka drejtuar te ky subjekt. Pra, të gjitha aktivitetet drejtohen nga shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi me qëllimin përfundimtar përfitimin e paligjshëm të fondeve të marra nga kontratat publike me institucionin e AKSHI.”, thuhet në dosje.

Në pjesën e publikuar nga Bardhi përmendet edhe skema e organizuar nga të akuzuarit për të përtifuar fondet publike në mënyrë të paligjshme. Sipas SPAK, kjo skemë konsistonte në përcaktimin e paligjshëm të kritereve konkurruese për procedurat e prokurimit, të cilat vendoseshin me qëllim për përjashtimin nga gara të operatorëve ekonomikë ofertues dhe paracaktimin e fituesit duke nxjerrë arsye të ndryshme për skualifikim. Ndaj operatorëve ekonomikë të skualifikuar, që kërkonin informacion përmes ankimit te Autoriteti Kontraktor dhe te Komisioni i Prokurimit përdornin dhunë, heqje të paligjshme të lirisë për t’i detyruar me forcë që të tërhiqeshin nga ankimimimet.
Nga kontrollet e ushtruara në banesat dhe bizneset në emër të Ergys Agasit dhe bashkëshortes Megi Agasi, Prokuroria thotë se janë sekuestruar disa aparate celularë, kamera, kompjuter dhe dokumente fizike”.
“Ndër to është sekuestruar dhe pajisja kompjuterike “4 – Smart battery camera” e cila është ekspertuar me Aktin e Ekspertimit Kompjuterik me nr. 207, datë 17.07.2025. Nga ekspertimi kompjuterik janë ekstraktuar të dhëna kompjuterike. Nga këqyrja e këtyre të dhënave rezulton se në këtë pajisje gjendet dosje kompjuterike e emërtuar “DCIM”. Brenda kësaj dosje ndodhen disa nën-dosje elektronike të emërtuara me datë, muaj dhe vit. Secila nga këto nën-dosje përmban të dhëna kompjuterike të formatit “MP4 Video File”, me emërtime të veçanta. Nga këqyrja e këtyre të dhënave kompjuterike janë konstatuar pamje filmike me interes për hetimin. Nëpërmjet aplikacionit VLC Media Player, pikërisht funksioni “Take Snapshot”, u fiksuan fotografi të gjendura në filmimin video si dhe u transkriptuan komunikimet e kryera gjatë këtij …”, thuhet në dosje.

Krahas fotove që ka publikuar, Bardhi thotë se “Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh”, duke shtuar se vetëm qytetarët shpëtojnë vetëm me largimin e tij. Ai thotë se përmes kësaj skeme, Agasi ka përfituar 30 mln euro vetëm nga AKSHI “për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro”.
“Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.”, shkruan mes të tjerash Bardhi.
Reagimi i plote i Bardhit:
Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh. Largimi i tij i menjëhershëm është shpëtimi i vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka kryer genocid ndaj Buxhetit të Shtetit dhe parave të qytetarëve shqiptarë!
Dosja e AKSHI-t provon se skema korruptive e ndjekur është identike me atë që kemi parë edhe në çështjet e tjera. Paracaktim i kritereve, paracaktimi i fitueseve, dyfishimi i fondit limit, ndarja e parave mes kompanisë fituese dhe autoritetit që përcakton fituesin. Sepse korrupsioni nuk është një akt i izoluar i Belinda Ballukut apo dikujt tjetër, por skemë qeverisjeje e Edi Ramës.
Logjika që ndiqet është se, nëse shërbimi kushton 2 milion, fondi limit bëhet 4 milion. Pra, taksa e korrupsionit merret po nga paratë e Buxhetit të Shtetit, jo nga vlera e fitimit të kompanive private.
Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.
Kjo nuk është vjedhje! Ky është genocid ndaj Buxhetit të Shtetit. Prandaj nuk kanë fonde për të rritur pensionet dhe pagat. Prandaj nuk kanë fonde për t’u dhënë punonjësve të shtetit shpërblim për fundvit, prandaj s’kanë fonde për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Këta nuk janë Qeveri. Këta janë një bandë që ka marrë peng vendin përmes një Kryeministri të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ndryshe nga Belinda Balluku që e quante “Palloshi i gjatë”, Ergys Agasi e respektonte dhe e quante “Kapo”! Prandaj, ka nisur pengimin e drejtësisë, sepse e ka kuptuar që ka rënë në rrjetën e drejtësisë, në mos si “Palloshi i gjatë”, ka rënë si “Kapo”!




Komentet