VOAL- Të hënën në mbrëmje, më 16 tetor, në sinagogën e komunitetit hebre të Bernës u mbajt një ceremoni përkujtimore për viktimat e sulmeve terroriste kundër Izraelit nga Hamasi. Në emër të Zvicrës mori pjesë këshilltari federal Albert Rösti.
Në fjalën e tij Rösti tha: “Unë jam sot këtu për t’ju përcjell juve, hebrejve në Zvicër, në emër të Këshillit Federal, ngushëllimet më të thella të qeverisë së vendit. Ne ndajmë dhimbjen tuaj, ne ndajmë tmerrin tuaj”.
Këshilli Federal dënoi “sulmet barbare terroriste” në termat më të ashpër dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi, tha Rösti. Këshilli gjithashtu njohu dëshirën legjitime të Izraelit për të mbrojtur dhe garantuar sigurinë kombëtare. Dhe ai arriti në përfundimin se Hamasi duhet të klasifikohet si një organizatë terroriste.
Sulmet terroriste të Hamasit ishin “të pashembullta dhe të tmerrshme”, tha Federata Zvicerane e Komuniteteve Hebraike (SIG). Komandot terroriste pushtuan fshatra, qytete, kibuci dhe një festival muzikor. Objektivi i tyre ishin civilët e pafajshëm. Burra, gra, të rinj, fëmijë dhe të moshuar keqtrajtoheshin, ekzekutoheshin dhe merreshin peng. rsi-eb