VOAL

VOAL

Metaverse – Ideja e Mark Zuckerberg për të transformuar të ardhmen e teknologjisë dixhitale

October 30, 2021
blank

Komentet

blank

PËR GJUHËN SHQIPE! Ende gabime të rënda gjuhësore në mediat dhe shtëpitë botuese- Nga Skifter Këlliçi, ish-redaktor gjuhësor, shkrimtar

Prej vitesh, si kolegë të tjerë që merren me gjuhësi, në artikuj të ndryshëm kam trajtuar disa nga problemet e mësipërme, që lidhen me domosdoshmërinë që ta shkruajmë sa më mirë dhe sa më saktë gjuhën tonë amëtare. Po përpiqem përsëri që në këtë punim t’i ngrej ato përsëri, duke shtuar dhe të dhëna të tjera që, mjerisht, dëshmojnë se gabimet gjuhësore po shtohen në shqipen e shkruar dhe radio-televizive.
Vendosja pluralizmit demokratik në Shqipëri pas gati 50 vjetëve të diktatures komuniste, nuk do të thotë që edhe në gjuhën shqipe të vendoset një “pluralizëm demokratik” ashtu si, për fat të keq, e përceptojnë shumë nga mediat e të gjitha ngjyrave, TV-të, si edhe nga shtëpitë botuese në Shqipëri.
Ky biçim “pluralizmi…gjuhësor”, i cili ka nisur pas vitit 1991, ka sjellë si pasojë që gjuha shqipe, e shkruar dhe e folur në këto institucione, të ketë gabime, të cilat mund të viheshin re gjatë periudhës ‘20-‘40-të, të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri ende nuk ishin vendosur normat e drejtshkrimit.
Në këtë shkrim do të ndalem në gabimet më tipike që vihen re në të shtypin shqiptar :

-Mënjanimi thuajse i plotë i kohës së kryer e thjeshtë të mënyrës dëftore të foljes:
”Dje presidenti… ka deklaruar… “, kur duhet shkruar dhe lexuar edhe në mikrofon, ose kamera: ”Dje presidenti… deklaroi…”.
Dhe kjo, sepse e kryera e thjeshtë tregon një veprim të përfunduar plotësisht para çastit të ligjërimit, ose një gjendje, a veprim të kaluar. Kurse e kryera tregon një veprim, a gjendje të kaluar, në mënyre të tillë që rezultatet janë të pranishme edhe në çastet e ligjërimit. (“Fjalor i gjuhës shqipe”, faqe 897,1981).
Mendoni për një çast sikur ky shtrembërim të bëhej normë në veprat letrare!..
Po shkëpus një dialog të shkurtër nga vepra “Përballë pasqyrës së një gruaje” të Kadaresë, (faqe 148).
-Eshtë krej ashtu ,-i thashë…
-Bëjnë sikur na kanë harruar, po mendjen e kanë te ne, -_përsëriti ai ngadalë… .
Shkrimtari ynë i madh, si çdo shkrimtar tjetër shqiptar, ka përdorur foljet them dhe përsëris në kohën e kryer e thjeshtë, pra ai shkruan: thashë dhe përëriti.
Mendoni sa sa do të qeshnim, sikur Kadareja të shkruante:
-Eshtë krejt ashtu, – i kam thënë.
-Bëjnë sikur na kanë harruar ,por mendjen e kanë te ne, – ka përsëritur ai.

-Zhdukja e pjesëzes “të” në kohën e ardhme e tashme të mënyrës dëftore të foljes:
“Do shkojmë…” dhe jo:”Do të shkojmë..,.ose: ”Do e bëjmë…” dhe jo:”Do ta bëjmë..”
Madje edhe në tituj artikujsh!..

-Mënjanimi i trajtës së shquar të emrit ,madje edhe gjatë lakimit:
”Makron bisedoi me Putin.”, kur duhet shkruar :”Makroni bisedoi me Putinin.”(Pas parafjalës “me” duhet të përdoret rasa kallzore).

-Përdorimi ndajfoljes “pavarësisht” si parafjalë në rasën rjedhore:
Pavarësisht rezultateve të arritura…”, kur duhet shkruar:”Pavarësisht nga rezultatet e arritura…”.
Ose shkruhet:
“Pavarësisht mungesës sate”, kur duhet shkruar: ”Pavarësisht se ti mungove”.
Ky gabim vjen kryesisht ngaqë përkthyesit prej anglishtes në shqip, ose ata që njohin anglishten, gabojnë në përkthimin e fjalës “despite”, që në anglishte është parafjalë e cila përdoret me gerundin e foljes që ka mbaresën -ing. Por në gjuhën tonë ajo duhet të të përkthet me ndajfoljen “pavarësisht”+ lidhësen ftilluese “se”.

– Përdorimi i gabuar foljes “join” në anglisht gjatë përkthimit të saj në fjali në gjuhën shqipe:
Jo rallë në shtypin e shkruar shohim të shkruhet: “X politikan iu bashkua opinioneve te shprehura nga Y koleg i tij”.
Edhe në kët rast kemi përkthimin mekanik të foljes “join” që do të thotë në shqipe bashkoj, lidh. Ja një shembull i marrë nga “Fjalori anglisht-shqip”, (1999):” To join the navy”-“ Hyj në flotën ushtarake”. Kurse një përkthimin mekanik i kësaj fjalie, (siç ndodh sot rëndom në shtypin tonë), do të ishte: ”T’i bashkohesh flotës ushtarake”. Ndonëse nga ana morfologjike në këtë rast nuk kemi gabim gjuhësor, duhetv të nënvizojmë se një ndërtim i tillë, me përdorimin e rasës dhanore të trajtës së shkurtër të përemrit “(t)’iu” dhe të emrit, po në këtë rasë, “flotës ushtarake”, nuk është në natyrën e gjuhës sonë.
Duke u kthyer te shembulli i parë i mësipërm, nënvizoj se nuk duhet të shkruhet “X politikan iu bashkua opinioneve të shprehura nga Y koleg i tij”, por: ”X politikan u bashkua, (ose ra dakord, ishte i njëmendjeje ), me opinionet e shprehura nga Y koleg I ij.

– Ne veprat e veta jetëshkrimore Enver Hoxha jo rallë ka shkruar: “Bëj kujdes” në vend që të shkruante :” Kam kujdes”. Dhe kjo, sepse ai është ndikuar nga shprehja në frengjishte “faire attention”.
Me ta përdorur diktatori, një pjesë e madhe e atyre që botonin aso kohe materiale në shtypin e përditshëm, gazetarë a shkrimtarë, zunë ta përdornin shprehjen “bëj kujdes” dhe jo “kam kujdes” e cila vazhdon të përdoret edhe sot, madje edhe në gjuhën e përditshme. Po të pranonim këtë shprehje, atëherë në vend të shprehjes ”Ki mendjen”, duhej të shkruanim: ” Bëj mendjen”, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret në gjuhën shqipe.

– Në gjuhën juridike tashmë ka nisur të përdoret rëndom emri “ankimim”. Eshtë absurditet qesharak, sepse në gjuhën shqipe kurrsesi nuk mund të përdoren dy prapashtesa të njejta. Pra, nga folja”ankoj”, ( më dendur dhe më saktë përdoret në trajtëv vetvetore- ankohem), me prapashtesën -im krijohet emri foljor “ankim”. Por specialistët tanë të nderuar në fushën juridike, i ngjisin emrit “ankim” të njejtën prapashtesë, me sa duket për të përforcuar edhe më shumë “forcën” e…“ ankimit”(1?). Pra, përdorin termin e ri “ankimim”. Atëherë u dashka të themi dhe shkruajmë “punimim”, “lehtësimim”, “zemërimim”…

– Shkrimi i fjalëve, termave, titujve, emrave të personaliteve të huaja etj., sipas drejtshkrimit të këtyre gjuhëve:
”The Neë York Times”, George Bush, Ollbright…, kur sipas rregullave të drejtshkrimit emrat, titujt dhe emërtimet në gjuhë të huaja duhen shkruar sipas parimit fonetik të gjuhes shqipe,pra, ashtu sic shqiptohen:”Dhe Nju Jork Tajms” , Xhorxh Bush, Ollbrajt…

– Vërshimi pa asnjë arsye të fjalëve të huaja ne media, për të cilat është shkruar vazhdimish, shumica e të cilave zëvendësohen fare mirë me fjalë të gjuhës shqipe, si dhe mosrespektimin e shenjave të pikësimit. Po përmend vetëm një xhevahir të tillë: Fjala “ surprizë” të paktën prej 30 -40 vjetësh është zëvendësuar me fjalën “befasi”, ose “ e papritur”. Sot atë nuk e gjen vetëm të ringjallur në shtypin e përditshëm, por, për më tepër, gjen edhe foljen… “suprizoj”, që rjedh prej saj, e cila nuk ka qenë pëdorur…

– Duke imituar në mënyrë dogmatike titujt e marrë nga gjuhë të huaja, sidomos nga anglishtja, janë krijuar emërtime që nuk i përshtaten natyrës së gjuhës shqipe.Kështu kemi emërtime të tilla “Tirana Bank” ,kur ky institucion duhet titulluar “Banka Tirana”, aq më tepër që funksionon në Shqipëri dhe jo në ndonjë vend të huaj.
Mania për të vënë emërtime me terma nga gjuhë të huaja është bërë “rregull” nga pronarë kompanish, hotelesh, restorantesh, dyqanesh…, sa që pandeh se nuk ndodhesh në Shqipëri, por në një vend të huaj.
Dhe të mendosh se në vende të tilla, me vendime qeverie ndalohet rreptësisht përdoromi i emërtimeve të huazuara nga gjuhë të huaja.

Gabime të rënda gjuhësore në vepra të shtëpive botuese

Por e keqja më e madhe vërehet në botimin e librave, ku me përjashtime të rralla, mungon emri i redaktorit dhe korrektorit letrar. Si rrjedhim, librat botohen me gabime gjuhësore.
Pronarët e shumë shtëpive botuese, pa përjashtuar, natyrisht as ata të gazetave, siç duket, duan të kursejnë në kurriz të gjuhës dhe kështu parapëlqejnë që librat e të gjitha llojeve t’i botojnë, pa ua nënshtruar redaktimit dhe korrekturës letrare dhe gjuhësore. Madje rastis që në një vepër letrare mund të gjesh vetëm emrin e…recensuesit(!?). Për redaktor a korrektor letrar, as që bëhet fjalë.
Gabime gjuhësore vërehen sidomos në veprat e përkthyera dhe botuara nga disa shtëpi botuese. Ka përkthyes që njohin mirë gjuhët nga të cilat i përkthejnë ato, por nuk njohin mirë gjuhën shqipe. Si pasojë, gjuha e këtyre veprave paraqet dobësi të theksuara.
Me këtë rast do të përmend vetëm një rast: Romani “Kodi i Da Vincit” , i shkrimtarit të njohur amerikan Dan Broun, me sa di është botuar nga dy shtëpi botuese. Në njerën, përkthyer nga një krijues i talentuar, fatkeqësisht ka gabime të mëdha gjuhësiore dhe logjike. Duket se libri nuk ka kaluar fare në procesin e redaktimit gjuhësor dhe korrekturës letrare. Eshtë e çuditshme si e ka lejuar një dukuri të tillë botuesi që ka studiuar për gjuhë-letërsi shqipe.
Ndodh, gjithashtu, edhe një dukuri tjetër: ribotohen vepra të përkthyera, që janë botuar dekada me parë, sidomos para se të vendoseshin përfundimisht regullat e drejtshkrimit, (shtator 1972), por pa kurrëfare redaktimi, a korrektimi. Si pasojë, vende-vende, ndonëse këto vepra, të përkthyera nga shqipërues të njohur dhe me pervojë, kanë nivel të lartë artistik dhe gjuhësor, çalojnë nga ana drejtshkrimore.

Nga këta pak shembuj del në pah një dukuri shumë shqetësuese: gjuha e shkruar,ose e folur edhe në mediat eletronike, si dhe gjuha e librave, jo vetëm nuk është përmirësuar, por, për, mjerisht, po shfaq të meta që kurrë nuk janë vërejtur në botimet e të gjitha llojeve gjatë periudhës komuniste.
Na vjen ose nuk na vjen mirë, por duhet të pranojmë se në atë periudhe, edhe në gjuhë kishte “diktaturë”, por në kuptimin e mirë të fjalës. Por kjo “diktaturë” ishte e domosdoshme. Nga të gjitha shtëpitë botuese, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Shtëpia Botuese “8 Nentori’, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Shtëpia Botuese e Librit Universitar…Mjekësor, Bujqësor,Ushtarak, si dhe se fundi,Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, asnjë vepër nuk mund të botohej pa iu nënshtruar rreptësisht redaktimit dhe korrektimit letrar dhe gjuhësor. Madje, edhe korrektimit teknik në shtypshkronjë. Dhe, në qoftë se pas këtyre procesve ndonjë libër do të kishte gabime, cilado shtëpi botuese, në bashkëpunim me shtypshkronjat, ishte e detyruar të shtonte në fund të tij një flete-korigjimi. Dhe kjo, për të respektuar lexuesin dhe gjuhën shqipe.
Gjithashtu, çdo gazetë ishte e detyruar të kishte në organikën e vet redaktorin, ose korrektorin letrar. Madje me përvojë.
Po kështu dhe në RTVSH kishte nje redaktor qe kontrollonte titrat dhe dialogët, të përkthyer nga filma te huaj.
Edhe Këshilli i Ministrave kishte gjithashtu një redaktor që merrej me redaktimin gjuhësor të “Gazetës Zyrtare” dhe të urdhëresave më të rëndësishme të dala nga prej tij, në mënyrë që të mënjanoheshin gabimet e mundshme gjuhësore. (Do të ishte çudi që të mos ishte edhe sot një redaktor i tillë).
Veç ketyre, herë pas here në shtyp botoheshin rubrika për pastërtinë e gjuhës dhe për probleme te tjera, të cilat ritrajtoheshin më thellë në revistën “Gjuha Jonë”.
.
Ta shkruajmë gjuhën amëtare sa më mirë, kjo është detyrë atdhetare e cilitdo shqiptari. Mbi të gjitha, e gazetarëve, publicistëve, shkrimtarëve, nga krijmtaria e të cilëve mëson secili nga ne, mëson qytetari shqiptar kudo që ndodhet.

blank

Imazhet si kurrë më parë të Jupiterit të shkrepura nga teleskopi James Webb

NASA këtë javë publikoi imazhe spektakolare të fillimit të universit të shkrepura nga teleskopi më i madh në botë i shkencës hapësinore, James Webb.

Raundi i parë i imazheve na dha një pamje befasuese të kozmosit, me imazhet më të thella dhe më të mprehta infra të kuqe të universit të largët deri sot.

Tani janë publikuar fotografi të reja që janë bërë gjatë testeve të kalibrimit të teleskopit hapësinor, duke na dhënë një pamje të paparë të Jupiterit, planetit të pestë nga dielli dhe më i madhi në sistemin diellor.

blank

blank

blank

Adhuruesit e Jupiterit do të identifikojnë disa tipare të njohura të gjigantit të gazit – unazat e tij, tre nga hënat e tij: Europa, Thebe dhe Metis, si dhe Njollën e Madhe të Kuqe, “një stuhi mjaft e madhe për të gëlltitur Tokën”, sipas NASA-s.

Rrethi ikonë duket i bardhë në këtë imazh për shkak të mënyrës se si u përpunua imazhi me infra të kuqe nga Webb.

“Të kombinuara me imazhet e fushës së thellë të publikuar një ditë më parë, këto imazhe të Jupiterit demonstrojnë kuptimin e plotë të asaj që Webb mund të vëzhgojë, nga galaktikat më të zbehta dhe më të largëta të vëzhgueshme deri te planetët në oborrin tonë kozmik që mund t’i shihni me sy të lirë nga oborri juaj aktual”, tha në një deklaratë Bryan Holler, një shkencëtar në Institutin Shkencës të Teleskopit Hapësinor në Baltimore.

Imazhet janë marrë me dy filtra të ndryshëm që nxjerrin në pah gjatësi vale të veçanta të dritës.

Një pjesë e testit ishte të sigurohej që teleskopi mund të gjurmonte objektet që lëvizin shpejt nëpër sistemin diellor, siç është Jupiteri.

blank

Shkencëtarët krijojnë ‘fëmijë me inteligjencë artificiale’

Shkencëtarët kanë krijuar një inteligjencë artificiale që është në gjendje të mendojë dhe të mësojë si një fëmijë.

blankZbulimi jo vetëm që mund të ndihmojë në avancimin e kërkimit të AI, por edhe mënyrat se si ne kuptojmë mendjen e njeriut, thonë shkencëtarët.

 

Mendjet e fëmijëve janë veçanërisht interesante për studiuesit e AI, pasi ata janë në gjendje të kuptojnë rregullat dhe sensin e përbashkët në një mënyrë që mbetet kryesisht misterioze. Studiuesit kanë sugjeruar se kompjuterët mund të jenë të suksesshëm në imitimin e këtij sistemi dhe se mund të jetë më mirë të simulohet truri i një fëmije dhe të mësohet ai, në vend që të përpiqen të kopjojnë funksionet e mendjes së të rriturve.

Një nga aftësitë e tyre është “fizika intuitive” – ​​njohuritë që kemi për mënyrën se si gjërat ndërveprojnë që na vijnë në moshë të re. Njerëzit e dinë, për shembull, se një top do të bjerë në dysheme nëse personi që e mban atë bie, dhe e kuptojnë këtë në një moshë shumë të re, por është ende e paqartë se si ta zgjidhim saktësisht këtë.

Sistemet e inteligjencës artificiale kanë luftuar me koncepte të tilla, madje edhe kompjuterët e avancuar nuk janë në gjendje t’i kuptojnë ato rregulla në të njëjtën mënyrë që një fëmijë tre muajsh mund t’i kuptojë. Por tani shkencëtarët kanë krijuar një sistem të ri që ishte në gjendje të mësonte një sërë konceptesh të ndryshme fizike.

Sistemi i të mësuarit të thellë quhet PLATO, shkruajnë autorët. Ai u trajnua duke parë objektet që ndërveprojnë në mënyra të ndryshme: topa që bien në tokë, rrotullohen dhe kërcejnë nga njëri-tjetri.

Për ta testuar, më pas u shfaqën video që përmbanin skena të pamundura, në të cilat fizika nuk kishte kuptim. Hulumtuesit më pas zbuluan se sistemi shprehte llojin e vet të habisë, në të njëjtën mënyrë si bebet e vërteta.Ajo ishte në gjendje të mësonte një fizikë të tillë në vetëm 28 orë pas shikimit të videove, tregojnë autorët.

Gjetjet raportohen në dy punime të reja, “Mësimi intuitiv i fizikës në një model të të mësuarit të thellë i frymëzuar nga psikologjia e zhvillimit” dhe “A mund të mendojë një kompjuter si një fëmijë?”, botuar në Nature Human Behaviour./Lapsi.al

blank

Bebja e famshme – e pavdekëshme Nga Sinad Guraziu

 

…më dilte në lajmet gjithandej, andaj ja dhe nga unë një lajm bebulushçe – para 3 ditësh, në moshën 95 vjeç, paska vdekur “bebja e shëndetshme… e Gerber” – vetë s’e dija por siç mësova, pothuaj 1 shekull më parë, “Gerber Baby” qenkësh vizatuar nga artistja Dorothy Smith, atëbotë “bebja” qenkesh modeluar sipas bebes 5-muajshe (e quajtur Ann Turner Cook), për t’u bërë pastaj dhe “logoja” e kompanisë Gerber, si dhe ikona industriale e ushqimit të shëndetshëm për bebet…

…e lehtë ta marrim me mend suksesin një-shekullor të bebulushizmit, parë me lupën “industriale”… ashtu-kështu shek. XX ishte shekull marramendës, bebet famoze dhe komercializmat e kësaj bote e kishin rrugën e vet, madje qe bërë dhe “trade mark” (markë e mbrojtur), padyshim dhe sot e kësaj dite Gerber krenohet me beben ikonike…

…ndërsa vetë ikona (meqë ra fjala, nënë e 4 bebeve të shëndetshme, 95-vjeçarja Ann Turner Cook, 1926-2022 – ndjesë pastë) gjatë jetës së vet s’paska bërë kushedi çfarë… asgjë të jashtëzakonshme, më së shumti paska qenë e njohur si bebe, famën e paska fituar si modelja artistike për “Gerber Baby” (fytyra e bebulushizmit do ishte ikona për 1 shekull të tërë në pakot e kompanisë Gerber) – gjithsesi, famën dhe famozitetin si fenomene jo gjithkush i kupton “drejt”…

…dmth. desha të them ndoshta jo gjithkush i justifikon meritat dhe meritokracinë në mënyrë adekuate – kuptohet se është lajm i keq që paska vdekur, secila vdekje përcillet me dhimbje dhe na pikëllon, ama sa për “beben e pakove” sikur m’u ngjall buzëqeshja… sepse në fakt ka ngelur e pavdekshme, thelbi i vetë thelbit; t’jesh një bebe-engjëll 5-muajshe dhe të ngelesh e famshme gjatë gjithë jetës pa bërë as hiç as gjë… përveç t’i ëmbëlsosh zemrat e botës me ëmbëlsinë “komerciale”, s’duhet mohuar, s’është meritë e vogël, apo jo : )

…psh. yjet e Hollivudit duhet ta shpenzojnë gjithë jetën duke vrapuar pas famozitetit, na i falin një milion e një buzëqeshje “fals”, që të duken gjoja si yje duhet të shtiren, të aktrojnë, të gënjejnë sa më ëmbël, u duhet t’i stisin me qindra filma të gënjeshtërt (dmth. me lloj-lloj aso gënjeshtrash simpatike-estetike), ose psh. për ta patur sadopak iluzionin e famozitetit shkrimtarët duhet t’i ujdisin me dhjetra e dhjetra libra, na vërshojnë me panumër vëllime, me qindra përrallash germatike, me panumër faqe, librashitësit do i “kopjojnë” pastaj dhe panumër kopje, imagjinata e shkrimtarëve thjesht s’ka kufij sepse deshën-s’deshën, imagjinata e tyre duhet t’jetë e pakufishme, e imponon “industrializmi”… etj etj. ka sa të duash shembuj : )

blank

Makina fluturuese në treg në vitin 2024

Është kineze makina e parë fluturuese hibride elektrike. Deri sot janë prezantuar shumë projekte të cilat janë në fazën e zhvillimit për mjete elektrike me ngritje dhe zbritje vertikale që quhen eVTOL, por janë më shumë të ngjashme me dronët sesa me automjetet. Xpeng X2 është një makinë fluturuese e plotë, me dy vende, dhe lëviz me të njëjtën lehtësi si në tokë ashtu edhe në ajër.

Sipas grupit industrial, mjeti është i pajisur me një sistem kontrolli të fluturimit inteligjent dhe me mundësinë për funksionim autonom.

Është gjenerata e fundit, sipas presidentit të kompanisë Xpeng, ky mjet që mund të udhëtojë në tokë e qiell dhe ndryshimi i modalitetit është mjaft i thjeshtë. Sipas tij, së shpejti do të hyjë në prodhim masiv dhe dorëzimet e para do nisin në vitin 2024.

Grupi i inxhinierëve që po punon për këtë mjet të ri, bëjnë të ditur se sipas projektit, fluturimi mund të ketë një autonomi prej 150-200 km, mund të transportojë dy pasagjerë, ka 2 helika dhe ka një sistem me parashutë në brendësi.Lapsi

blank

Kultura tumulare dardane e Shqipërisë Verilindore – PROF.ASOC.DR. MUHAMET BELA

Studimi i kulturave prehis torike dhe ilire të zonave të veçanta përbën një detyrë të rëndësishme për shkencën arkeologjike shqiptare. Një studim i tillë mundëson, që mbi bazën e një njohje sa më të plotë të tyre, të realizohen përgjithësime në një shkallë më të gjerë dhe të arrihet në përfundime sa më të sakta lidhur me zhvillimin kulturor dhe historik të vendit tonë në lashtësi. Në këtë drejtim mjaft të rëndësishme janë dhe gërmimet e studimet e kryera në qendrat prehistorike e protohistorike në Shqipërinë Verilindore, e cila në lashtësi ishte pjesë e kulturës dardane. Në plotësimin e tablosë historiko-kulturore të kaluarës së largët të vendit tonë, krahas studimeve të vendbanimeve, me mjaft interes janë të dhënat e përftuara nga varrezat tumulare në territoret e Kukësit, Hasit e Tropojës (dardanët alpinë).

Rezultatet e arritura janë rrjedhojë e punës kërkimore e studimore disavjeçare të kryer në terren dhe kabinet, duke u mbështetur mbi një lëndë relativisht të pasur e të larmishme, të zbuluar në gërmimet e kryera nga ana e autorit në katërmbëdhjetë tuma, si dhe nga gërmimet e studimet sistematike të kryera nga kolegë të tjerë, profesorët B. Jubani, A. Hoti, Zh. Andrea, L. Përzhita etj. Pozicioni i favorshëm gjeografik i këtij rajoni ka mundësuar lidhjen me mjediset fqinje më të afërta apo më të largëta. Përmes luginës së Drinit të Bardhë siguronte lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me Kosovën dhe më tej me kulturat e Ballkanit Qendror, ndërsa nëpërmjet luginës së Drinit të Zi janë krijuar lidhje me Shqipërinë Juglindore, pikësëpari me zonat rreth liqenit të Ohrit, e më në lindje me ato të Pelagonisë. Ndërsa përmes luginës së Drinit të Bashkuar komunikonte me ultësirën bregdetare dhe ishte në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me viset e Adriatikut Lindor. Luginat e dy Drinave, të lumit të Valbonës, të Krumës, Lumës si dhe arterieve më të vogla lumore, ofronin në anët e tyre fusha aluvionale mjaft pjellore.

Më në lartësi spikasin malet e Gjalicës, Koretnikut, Pashtrikut, Shkëlzenit etj., të cilët shquhen për mjedisin e tyre alpin. E tërë ky territor, i cili përbën visorin verilindor të Republikës së Shqipërisë, dallohet për pasuritë e shumta metalifere, siç janë bakri, kromi, hekur nikeli etj., të cilët ndodhen në Gjegjan, Kalimash, Shëmri, Gdheshtë(Kukës), Golaj, Nikoliq (Has), Ragam, Kam-Tropojë (Tropoje) etj. Të dhënat e para mbi praninë e tumave e kemi në vitin 1918 nga austriaku Budaj Arpad. Në raportin e botuar flitet për ekzistencën e 10 tumave në fushën e Krumës. Gërmimet e kryera në tuma, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shek. XX në Çinamak, Kënetë, Bardhoc, Përbreg, Mamëz (Kukës), Krumë, Bjeshkë e Krumës, Myç-Has, Mujaj (Has), Bujan (Tropojë) etj. kanë ofruar një lëndë relativisht të pasur arkeologjike, që ndihmon ndjeshëm në shpjegimin e kulturës materiale e shpirtërore të “dardanëve alpinë”. Tumat gjenden jo vetëm në zonat e ulëta, apo buzë lumenjve. por dhe në zonat kodrinore e të larta malore. Në përgjithësi janë ngritur pranë njëra-tjetrës, të ndara në grupe, në përputhje me vetë konfiguracionin e terrenit.

Ndeshen gjithashtu dhe tuma të vetmuara. Vlen të theksohet varreza më e madhe tumulare në trevën dardane, ajo e Çinamakut, e cila përmbante 80 tuma. Për nga forma, tumat janë gjysmësferike, me bazë të rrumbullakët ose vezake. Ato janë ndërtuar me gur e dhe bashkë, ku mbizotëron më së shumti dheu. Nuk mungojnë dhe rastet ku për ngritjen e tumës është përdorur më shumë guri sesa dhéu. Tumat ngrihen mbi një varr qendror dhe mbulojnë një ose më shumë varre. Në periudhën e bronzit të hershëm, në tumat e kësaj treve, varret qendrore janë me gropë nën taban (Tuma X në Çinamak dhe tuma IV në Kënetë). Gjithashtu, varrimi kolektiv lidhet me traditën që vjen nga bronzi i hershëm. Në tumën V të Krumës varri qendror shoqërohet edhe me unazën rrethuese, element ky i njohur dhe në tumat e Kosovës, Matit etj.

Ka varreza tumulare, si ajo e Bujanit, në të cilën nga nëntë tuma, vetëm njëra prej tyre përmbante varre. Varret janë me ose pa mbulesë po prej gurësh. Mbizotëron varrimi me trupvënie ndërsa varrimi me djegie është një dukuri e rrallë. Në këto tuma janë të pranishme dhe varret “kenotafe” (varre të ngritura në përkujtim të një personi të vdekur dhe të varrosur diku gjetkë, ose trupi i të cilit ende nuk është gjetur). Në disa tuma skeletet nuk janë ruajtur plotësisht, ka pjesë të vogla të tyre ose mungojnë fare. Karakteristikë e varreve, si atyre qendrorë dhe anësorë, është se jo gjithmonë janë me inventar. Një mënyrë e tillë e ndërtimit të varreve, mbulimit me dhé e gurë dhe rrethimit të një pjese të tyre me unazë të gurtë, është e njohur në disa qendra të tjera të Kosovës fqinjë si në Romajë, Suharekë, Përçevë, Karagaç e treva tjera të Ilirisë. Në dhéun e mbushjes së tumave dhe në nivele të ndryshme të tyre janë gjetur fragmente qeramike, objekte metalike etj. Nuk mungojnë në ndonjë tumë pjesë të pareteve të furrave të ardhura këtu, siç duket nga vendbanimi.

Sjellja e tyre në tumë, për mendimin tonë, ndoshta ka të bëjë me profesionin që ka ushtruar i vdekuri gjatë jetës, gjë që duhet ta vazhdojë dhe në botën e nëndheshme. Element i veçantë i zbuluar në një pjesë të tumave, në anë të veçanta të tyre, nën humus, ishte prania e një sheshi me dhé të djegur e të skuqur, pa kurrfarë gjetjesh, që njihen si vatra rituale. Vatrat, ndonëse të rralla, janë të njohura në tumën I të Krumës, tumën II të Çinamakut. Ato janë zbuluar dhe në tumën e Romajës në pellgun e Drinit të Bardhë, si dhe në jug të Shqipërisë në Patos, e shpjeguar si çështje që lidhet me anën botëkuptimore. Inventari i gjetjeve në tuma, së bashku me gjetjet jashtë varreve, është relativisht i pasur, duke na ofruar një sërë të dhënash me rëndësi. Në tërësinë e gjetjeve vendin kryesor e zënë qeramika, armët, dhe më pak stolitë.

Gjetjet më të shumta të qeramikës, armëve dhe stolive janë zbuluar në tumat e Çinamakut, Kënetës, Myç-Hasit dhe Bardhocit. Nga pikëpamja e teknikës së punimit të qeramikës dallojmë dy kategori kryesore: qeramikë të punuar me dorë dhe qeramikë të punuar me çark. Kategoria e parë, është prodhim lokal, e përgatitur prej një baltë në përgjithësi cilësisht të mirë. Në sipërfaqe dallohen kryesisht ngjyra të errëta, gri, gri në të zezë dhe kafe. Qeramika e kategorisë së dytë është e importuar. Ajo dallohet për brumin argjilor mjaft të pastër, pjekjen shumë të mirë, ngjyrat përgjithësisht të çelura dhe lyerjen e sipërfaqes me breza verniku të zi e rrallë kafe, të vendosur horizontalisht në trupin e enës. Enët përfaqësohen nga këto forma kryesore: broka; enë me qafë të gjatë; enë me trup dykonik; enë dyvegjake; enë njëvegjake; tenxhere; filxhanë; tasë; pjatanca; kilikë, skifosa etj.

Brokat paraqiten me dy variante: a) broka me trup të rrumbullakuar, me qafë relativisht të lartë konike etj., që kanë analogjitë tipologjike të kësaj forme me gjetjet e bronzit të hershëm të krahinave të Adriatikut Qendror e të prapatokës së tij, në rrethin e kulturës Cetina; b) brokë me fund të rrumbullakuar ose të sheshtë e me një vegjë të vogël nën buzë. Kjo formë ene është e ngjashme me atë të zbuluar në tumën VII të Shtojit (Shkodër), si dhe me një tjetër të gjetur në shtresën Nezir IVa, në zonën e Matit. Jashtë vendit tonë ajo gjen analogji me qeramikën e fazës protocetina. Enë me qafë të gjatë, e cila ka përkime të dukshme me gjetjet e shtresave të bronzit të hershëm të disa vendbanimeve të krahinave veriore si në shtresën Gajtan I, Shkodër Ia (Shkodër), si dhe në atë Nezir Iva (Mat).

Analogji ka njëkohësisht dhe me qeramikën bashkëkohëse në disa vendbanimeve të Adriatikut Qendror.. Enët me trup dykonik, që tipologjikisht lidhet shumë me format analoge të bronzit të mesëm të Nezirit V (Mat). E njëkohshme me këtë kategori është dhe ena me trup bikonik të lartë e të rrumbullakuar, që njihet dhe shtresën Shkodër Ib, Nezir V si dhe në qeramikën e fundit të bronzit të hershëm e fillimin e bronzit të mesëm në vendbanimin e Varvarës, faza Varvara A. Dyvegjaket, përbëjnë një nga format më të njohura të enëve të varrezave tumulare të kësaj treve. Sipas profilit të trupit, dallojmë këto variante kryesore: a) variantit të parë u përkasin dyvegjaket shpatulllarta. Për nga mënyra e modelimit këto enë përbëjnë një formë të njohur në dyvegjaket e shek. XII-VIII para Kr., në Mat, në dyvegjaket e shek.XII-VIII para Kr, të zbukuruara me kanelyra të pjerrta në Pazhok, në dyvegjaken e luginës së Drinosit në shek. XII-X para Kr. b) varianti i dytë përfaqësohet nga dyvegjake, te të cilat spikat barku i gjerë bikonik.

Bikoniciteti i enëve dyvegjake është përdorur që në epokën e bronzit; c) varianti i tretë përfaqësohet nga dyvegjake me qafë konike e cilindrike, me buzë të drejta apo të kthyera lehtë nga jashtë dhe me bark të rrumbullakuar. Dyvegjaket me trup të rrumbullakuar paraqesin një mënyrë modelimi mjaft të njohur dhe në qendra të tjera tumulare të Kukësit dhe Hasit si në tumat e Kënetës, Myç-Hasit, si dhe në tumën e Romajës, të datuara në shek.VI-V para Kr. Enë njëvegjake. Ky tip ene, aq i parapëlqyer në zonën e bashkimit të dy Drinave, riprodhon pothuajse të njëjtin profil si tek enët dyvegjake. Njëvegjaket ndeshen në variante të ndryshme: a) me bark të rrumbullakuar b) shpatulllarta; c) dykonike; ç) me bark të rënë.

Enët njëvegjake përfaqësojnë një nga tipat më të zakonshëm të periudhës së hekurit të hershëm të vendit tonë, sidomos në shek.VI-V para Kr. Tenxhere: Paraqiten me qafë konike e trup të rrumbullakuar. Kjo kategori enësh njihen dhe në Bërnicën e Poshtme, Toponicën e Poshtme dhe datohen në shek. VIII para Kr. Gjenden gjithashtu tenxhere me grykë të gjerë dhe vegje gjysmëhorizontale. Si tip nga zbulimet e mëparshme të bëra në Kukës, është datuar në shek. VIII-VII para Kr. Ajo përfaqëson një formë tradicionalisht të njohur që nga koha e bronzit në vendin tonë. Krahasimet e afërta e lidhin atë edhe me tipin e enëve të Bërnicës së Poshtme, që datohen në mesin e shek. VIII para Kr; b) varianti i dytë përfaqësohet nga një enë me trup konik, buzë të pjerrtë, e cila tipologjikisht ofron me enët e Bellaçevcit të shek. VIII para Kr. Filxhanë.

Përbëjnë një formë të rrallë enësh për varrezat tumulare të kësaj zone. Janë me përmasa të vogla. Ndër ta mund të përmendim filxhanë që kanë trup dykonik të rrumbullakuar. Prej vendeve më të afërta të gjetjes së tyre, kjo formë të kujton enët e Gajtanit dhe më tutje ato të Glasinacit. Në varrezën tumulare të Myç-Hasit ato janë gjetur bashkë me maja heshtash fletëgjerë hekuri, që nuk i datojnë më herët se shek. VIII-VII para Kr. Tasat. Përbëjnë një nga format e qeramikës së varrezave tumulare. Janë përdorur variante të ndryshme.

Tasat me buzë të mbledhura paraqesin formën më të pëlqyer të tyre në këtë treve për shek.VI-V para Kr. Pjatancat. Enët e këtij lloji janë mjaft të kufizuara. Kanë trup konik, buzë të trashura të rrumbullakuara, buzë të drejta ose të pjerrëta etj. Megjithë praninë e ngjashmërive me tradita të hershme, përsosja që vihet re në modelimin e formave dhe teknika e punimit i ofron me qeramikën e shek.VI-V para Kr. Kilikët janë të punuar me baltë të pastër me ngjyrë okër në rozë, të lyer me vernik të zi të dobët në sipërfaqe me breza horizontalë.

Kilikë tipologjikisht të ngjashëm kanë dhënë me shumicë varrezat tumulare të Kukësit, Matit dhe datohen në fundin e shek. VI para Kr. dhe gjysmën e parë të shek. V para Kr. Skifosa të vegjël të lyer plotësisht ose pjesërisht me vërnik të zi etj. Zbukurimet e enëve janë të rralla dhe ndeshen zakonisht në enët dyvegjake. Janë realizuar me trekëndësha të vargëzuar dhe të inkustruar, rombe dhe vija paralele, vija vertikale të incizuar, kanelyra, thëmtha etj., të cilat paraqesin mënyra modelimi të njohura dhe në treva tjera si ato të Kosovës, Matit, Shkodrës, etj. Nuk mungojnë dhe motive të karakterit lokal, siç ndodh në zbukurimet e realizuara me motivin e halave të peshkut në objekte të zbuluara në Mujaj, Bjeshkë të Krumës e Myç-Has. Armët. Armët përfaqësohen nga majë heshtash, majë shigjetash, shpata, thika, hanxharë, sëpata kryqore etj. Përveç pak thikave prej bronzi të tipit mikenas, të gjitha armët janë punuar prej hekuri, të cilat në përgjithësi kanë qenë të dëmtuara nga oksidimi.

Majat e heshtave. Përbëjnë një ndër kategoritë kryesore të materialit të lëvizshëm arkeologjik. Ekzemplarët e ruajtur më mirë gjenden së bashku me enë qeramike të datuar në shek. VIII-VII para Kr, dhe sidomos në shek.VI-V para Kr. Maja shigjetash dhe shpatat ndeshen rrallëherë në varret e tumave të Kukësit… Gjetje të tilla janë zbuluar në Çinamak, Kënetë, Bardhoc. Maja shigjetash analoge njihen në Romajë dhe i përkasin shek.VI-V para Kr. Hanxharët. Në varrezat e këtyre tumave janë zbuluar hanxharë hekuri të përmasave të ndryshme. Janë të shpeshtë në tumat e MyçHasit, Kënetës, Bardhocit. Thikat. Shumica e gjetjeve janë prej hekuri, më së shumti të gjetura në tumat e Çinamakut, ndërsa thikat prej bronzi janë të kufizuara në numër. Nga këto të fundit, ka prej tyre që janë të ngjashme me thikat e zbuluara në periudhën e bronzit të vonë në Maliq (Korçë), Argos (Greqi), si dhe Punta del Tonno (Itali). Vegla hekuri, përfaqësohen nga sëpata e latusha hekuri që njihen dhe në qendra të tjera Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe Glasinac dhe datohen në shek. VI-V para Kr. Objektet e zbukurimit janë të rralla. Përbëhen nga byzylykë, thëmthore, saltaleone, gjilpëra, sumbulla, spirale, pincetë, rrathë, vargonj prej bronzi, rruaza prej argjendi, qelibari dhe qelqi si dhe objekte hekuri, etj. Byzylykët, spiralikë janë prej shiriti bronzi, me prerje në formë trekëndëshe janë gjetur në tumat e Kënetës, Krumës etj., janë përdorur edhe nga krahinat fqinjë të Ilirisë. Në Kosovë, në tumat e Suharekës, janë zbuluar byzylykë të ngjashëm, të datuar në periudhën HaC.

Me karakteristikat e përgjithshme dhe me pamjen e prerjes së shiritit përfaqësuesit më të mirë i ka Trebenishti, në shek. VIII-VI para Kr. Në tumat e Myç-Hasit janë zbuluar dy cope byzylykë, në varret 12 dhe 14 të tumës III. Byzylykë të përafërt shfaqen në Glasinac që në bronzin e mesëm, vazhdojnë në bronzin e vonë e deri në fillim të epokës së hekurit. Gjetja e byzylykut të varrit 14, në tumën e MyçHasit bashkë me një thikë të tipit mikenas, na shtyn ta datojmë në bronzin e vonë, ndërsa byzylyku i varrit 12 në bazë të inventarit datohet jo më vonë se fillimi i epokës së hekurit. Mjaft interes paraqet dhe gjetja e një byzylyku në tumat e Bujanit, i cili është përgatitur prej teli të trashë bronzi. I përket tipit me skaje të hapura pak të larguara njëri nga tjetri. Profesoreshë Zhaneta Andrea me të drejtë citon se ky lloj byzylyku, origjina evropiane qendrore e së cilës është e padyshimtë, tregon se nuk arriti të bëhet një formë e preferuar dhe të krijojë traditën e vet të përdorimit të gjerë tek ilirë. Fibulat e gjetura në këto treva njihen dhe në krahina të tjera dhe datohen në shek.VI-V para Kr.

Janë gjetur thëmthore prej shiriti të gjerë bronzi dhe prej teli spiralik bronzi dhe hekuri, si dhe gjilpëra prej bronzi e hekuri. Në Bardhoc e Çinamak janë gjetur gjilpëra bronzi, të cilat simbolizojnë gjarprin etj. Rruazat përbëjnë një dukuri të zakonshme në tumat e kësaj zone. Ato janë kryesisht prej qelqi dhe qelibari. Rruazat prej qelqi kanë pasur një përdorim të gjerë kohor në kulturën e Matit dhe variantin e saj kuksian. Mes tyre shquhen rruaza prej brumi qelqi të kaltër me shirita sythash të bardha të Krumës e MyçHasit, që njihen edhe në tumat e Kuçit të Zi. Ngjashmëri kanë dhe me ato të gjetura në “Crkvistë” Beranci të Pelagonisë, që datohen në periudhën arkaike.

Të pranishme janë edhe rruazat prej qelibari, të cilat paraqesin forma të njohura jo vetëm në Kukës, por në tërë Ilirinë. Konteksti ku janë zbuluar i daton në shek.VI-V para Kr. * * * Siç u vërejt më lart topografia e shtrirjes së tumave në trevën perëndimore dardane ishte e larmishme. Ato gjenden, si në afërsi të lumenjve, ashtu dhe në zonat kodrinore dhe malore. Tumat janë përdorur në bronzin e hershëm, të mesëm të vonë dhe hekurin e hershëm, në të tri fazat suksesive të tij. Natyrisht, nuk mungojnë rastet, ndonëse sporadike, kur tumat të jenë shfrytëzuar për varrim edhe në periudhat e mëvonshme antike mesjetare.

Kultura tumulare në verilindje të Shqipërisë, në tërë përbërësit e saj, qoftë në arkitekturën e tumave, si dhe në treguesit e tjerë, teknikës së punimit të qeramikës, formës e dekorit të saj, qoftë për objektet metalike dhe gjetjeve të stolive etj., paraqet tipare të njëllojta me zbulimet e kryera në treva të ndryshme të Ilirisë, brenda e jashtë vendit tonë, veçanërisht për krahinat veriore, qendrore, juglindore e jugore, duke qenë ngushtësisht e lidhur sidomos me mjaft qendra të zemrës së Dardanisë, territorin e Republikës së Kosovës. Shfaqjet e veçanta që vihen re në këtë mikrozonë të trevës dardane janë të karakterit lokal dhe nuk e cenojnë aspak tablonë e unitetit etnokulturor të bartësve të kulturës së tumave të Kukësit, Hasit, Tropojës, Rrafshit të Dukagjinit e Fushë Kosovës. Përmes një sërë argumentesh është provuar se kjo kulturë e Dardanisë inkuadrohet në një grup etnokulturor më të gjerë, në grupin ilir qendror Mat-Glasinac, karakteri ilir i të cilit as që mund të vihet në dyshim.

Duke u përfshirë në grupin kulturor MatGlasinac, si një variant i veçantë i saj, me veçoritë lokale e tiparet individuale që manifeston, kjo kulturë, me shtrirjen e saj, përputhet me territorin e banuar historikisht nga dardanët. Mendimet e shprehura nga arkeologët J. Glisiç, N.Duriç etj., për të lidhur kulturën e epokës së hekurit të Kukësit dhe të Rrafshit të Dukagjinit me Autarjatët është e paargumentuar shkencërisht, sepse nuk ka asnjë të dhënë burimore historike që t’i lokalizojë Autarjatët, qoftë edhe për një periudhë të caktuar të zhvillimit të tyre historik, në trevën e Qarkut të Kukësit apo në Rrafshin e Dukagjinit. Të dhënat e ofruara nga vendbanimet e nekropolet tumulare kanë provuar se trevat e këtij qarku, si dhe ato të Republikës së Kosovës, janë banuar nga dardanët, popullsi shumë e njohur e Ilirisë.

blank

E pabesueshme- Ja si dukej Antarktida miliona vite më parë

Tingëllon si e pabesueshme, por rezulton e vërtetë. Shkencëtarët e Alfred-Wegener-Institut në Gjermani, kanë nxjerrë në pah sesi do dukej Antartiku perëndimor 90 milion vite më parë – atëherë ku nuk ishte i ngrirë, njofton Express.

Pas disa viteve hulumtime, shkencëtarët thonë se përveç botës së pasur bimore dhe shtazore në Antartik (shih foton) në atë kohë ka qenë për dy grade më ngrohtë sesa në Gjermani 2019 – rreth 12 gradë celsius. Gjithashtu ka pasur reshje të shumta të shiut. Pra në kohën e verës, kur nuk perëndon dielli, pa problem në Antartik mund të kishe jetuar 4 muaj.

Pse më pas erdhi deri te ftohja e klimës, shkencëtarët nuk kanë një ide të qartë. Me siguri të plotë, ata mund të thonë vetëm se përqendrimi i dioksidkarbonit në atmosferë ka qenë shumë herë më i lartë sesa është paramenduar./Express

blank

Misioni “Psyche” nga NASA do të studiojë një asteroid të rrallë

VOA/Verónica Villafañe

Pas vitesh përgatitjeje dhe testimi, një anije e re hapësinore e NASA-s është pothuajse gati për misionin e saj në një asteroid, me orbitë midis Marsit dhe Jupiterit. Shkencëtarët shpresojnë se misioni do të zbulojë të dhëna mbi origjinën e Tokës. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Verónica Villafañe, ishte në Pasadena të Kalifornisë, në laboratorin ku NASA po ndërton anijen hapësinore.

Në këtë laborator të NASA-s, inxhinierët janë në fazat e fundit të montimit të anijes hapësinore Psyche.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo do të jetë anija e parë hapësinore, që do të rrotullohet rreth një asteroidi, ndërsa shkencëtarët shpresojnë të zbulojë të dhëna mbi origjinën e Tokës.

Asteroidi i quajtur Psyche, ndodhet midis Marsit dhe Jupiterit, rreth 2.4 miliardë kilometra larg Tokës. NASA është përgjegjëse për menaxhimin e përgjithshëm të misionit, të udhëhequr nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Zëri i Amerikës bisedoi me Lundy Elkins-Tanton, e cila drejton kërkimet e misionit hapësinor.

“Është moment shumë emocionues. Pas meje ndodhet anija hapësinore që është plotësisht funksionale dhe është gati për t’u integruar në një raketë dhe për t’u lëshuar në hapësirë. Janë dashur 11 vite punë për të arritur deri këtu.”

Anija i është nënshtruar testimeve rigoroze. Misioni i saj është të hartojë dhe të studiojë moshën dhe karakteristikat e asteroidit.

Ekspertët thonë se asteroidi Psyche duket të jetë bërthama e ekspozuar me përbërje nikeli dhe hekuri, e një planeti të hershëm, një bllok kyç përbërës i sistemit diellor.

“Ka një teori se kjo është bërthama e një planeti. Si rezultat i përplasjeve me trupa të tjerë, shtresa rrethuese është shkëputur duke e lënë bërthamën të ekspozuar. Ne po eksplorojmë atë. Studimi i asteroidit do të na mundësojë të kuptojmë më mirë se si u formua, dhe cila është origjina e tij. Kjo do të na lejojë gjithashtu të kuptojmë origjinën e Tokës dhe të sistemit diellor”, thotë për Zërin e Amerikës inxhinierja María de Soria.

Shkencëtarët besojnë se bërthama e Tokës është e ngjashme. Por meqenëse bërthama e Tokës nuk mund të shihet, ose matet drejtpërdrejt, misioni Psyche mund të ofrojë njohuri të rëndësishme për formimin e sistemit tonë diellor dhe planeteve të tjera shkëmbore si Mërkuri, Afërdita dhe Marsi.

“Gjithmonë shtrojmë pyetjen se çfarë e bën të banueshëm një planet? Pse është e mundur jeta në të? Asteroidët ofrojnë përbërësit e asaj që sot është planeti Tokë. Mendojmë se në asteroidin Psyche do të gjejmë pjesë përbërëse që njerëzimi nuk i ka parë kurrë. Duam të gjejmë një tjetër përbërës të krijimit të një planeti shkëmbor në të cilin ka jetë”, thotë për Zërin e Amerikës Lindy Elkins-Tanton.

Anija hapësinore do të lëshohet në muajin gusht nga Cape Canaveral në Florida. Do të fluturojë përtej Marsit për të arritur asteroidin Psyche. Udhëtimi pritet të zgjasë rreth tre vjet e gjysmë. Pasi të arrijë, anija do të rrotullohet rreth asteroidit në një hark kohor prej 21 muajsh.

Misioni Psyche do të testojë gjithashtu teknologjinë e re të komunikimit me rreze lazer, që do të mundësojë transmetimin më të shpejtë të një sasie më të madhe të dhënash mes një sonde hapësinore dhe Tokës.

blank

Mbillen bimët e para në dheun e Hënës

Shkencëtarët ia kanë dalë që për herë të parë rritin bimë në një tokë hënore. Ky është konsideruar si një hap i rëndësishëm për të bërë të mundur qëndrimin afatgjatë në Hënë.

Studiuesit përdorën mostra pluhuri të mbledhura gjatë misioneve Apollo 1969-1972 për të rritur bimë. Për habinë e tyre, farat mbinë pas dy ditësh.

“Nuk mund t’ju them se sa të habitur ishim” – tha Anna-Lisa Paul, një profesoreshë e Universitetit të Floridës, e cila ishte bashkëautore e studimit.

“Çdo bimë dukej e njëjtë me ato që rriten në tokë të zakonshme deri rreth ditës së gjashtë” – tha ajo.

Pas kësaj, u shfaqën dallime. Bimët e rritura në tokën e Hënës filluan të shfaqin stres, u zhvilluan më ngadalë dhe përfunduan të rrëgjuara.

Por ata që janë përfshirë në zbulim janë të entuziazmuar.

“Ky hulumtim është domethënës për qëllimet afatgjata të eksplorimit njerëzor të NASA-s, pasi ne do të duhet të përdorim burimet e gjetura në Hënë dhe Mars për të zhvilluar burime ushqimore për astronautët e ardhshëm që jetojnë dhe veprojnë në hapësirën” – tha shefi i NASA-s, Bill Nelson.

Një sfidë për studiuesit është se thjesht nuk ka shumë tokë hënore për të eksperimentuar. Gjatë një periudhe 3-vjeçare nga viti 1969, astronautët e NASA-s sollën 382 kg shkëmbinj hënorë, mostra bërthamore, guralecë, rërë dhe pluhur nga sipërfaqja hënore.

Ekipi i Universitetit të Floridës iu dha vetëm 1 g tokë për eksperimentin të cilat janë mbajtur të mbyllura për dekada të tëra. NASA planifikon të zbarkojë njerëzit në Hënë për herë të parë që nga viti 1972 në një mision të planifikuar për vitin 2025. Lapsi

blank

Imazhi i parë i vrimës së zezë në galaktikën tonë

RFE/RL

Bota mundi të shihte për herë të parë imazhin e një vrime të zezë gjigante në qendër të galaktikës sonë që njihet edhe si “Rruga e Qumështit”, me astronomët që e etiketuan si një “gjigant të butë” me një dietë gati ekstreme.

Astronomët besojnë se të gjitha galaktikat, përfshirë tonën, kanë këto vrima të zeza në qendër të tyre, ku drita dhe materia nuk mund të shpëtojnë, çka e bën shumë të vështirë fotografimin e tyre.

Drita thyhet në mënyrë kaotike dhe përdridhet nga graviteti, ndërsa tretet në humnerë së bashku me gazin dhe pluhurin e mbinxehur.

Imazhi me ngjyra i publikuar të enjten vjen nga konsorciumi ndërkombëtar që qëndron pas teleskopit Event Horizon, një koleksion prej tetë radioteleskopësh të sinkronizuar në mbarë botën.

Tentativat e mëparshmëve kishin arritur të lokalizonin vrimën e zezë në qendër të galaktikës sonë, por pa arritur të fokusonin një imazh të qartë.

Feryal Ozel nga Universiteti i Arizonës e quajti vrimën e zezë, “gjiganti i butë në qendër të galaktikës sonë” teksa publikoi imazhin. Vrimat e zeza gëlltisin material galaktik, por Ozel tha se kjo është “duke ngrënë shumë pak”.

Vrima e Zezë në Rrugën e Qumështit quhet Sagittarius A(asterisk), pranë yjësive të Shigjetarit dhe Akrepit. Ajo është 4 milionë herë më e madhe se dielli ynë”, deklaroi Katherine Bouman, astronome, gjatë një konference për shtyp.

Kjo nuk është fotografia e parë e një vrime të zezë. I njëjti grup astronomësh publikoi në vitin 2019 një të tillë nga një galaktikë larg 53 milionë vite dritë. Vrima e zezë në Rrugën e Qumështit është shumë herë më pranë, rreth 27.000 vjet drite larg. Një vit dritë është 9.5 triliardë kilometra.

Kostoja e këtij projekti është afërsisht rreth 60 milionë dollarë, me 28 milionë prej tyre që u financuan nga Fondacioni Shkencor i SHBA-së.

blank

NASA: Qielli është shumë më afër

VOAL- Yjet e portretizuara në imazhet e para testuese të kapura nga teleskopi hapësinor James Webb pas përfundimit të shtrirjes së pasqyrës shkëlqejnë si ari (dhe kjo është e vërtetë për shkencëtarët e hapësirës): vënia në punë e instrumenteve shkencore, të cilat duhet të jenë plotësisht funksionale, është tani duke filluar zyrtarisht pas dy muajsh. Kjo është raportuar nga NASA e cila kryen misionin me Agjencinë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe CSA kanadeze.

blank

(NASA/STScI)

“Këto imazhe të jashtëzakonshme demonstrojnë atë që njerëzit e vendeve dhe kontinenteve të ndryshme mund të arrijnë kur ekziston një vizion i guximshëm shkencor për të eksploruar universin,” tha Lee Feinberg, kreu i elementeve të teleskopit optik në Qendrën e Fluturimit Hapësinor Goddard.

Performanca optike e teleskopit konfirmohet të jetë më e mirë se sa pritej. Pasqyrat fokusojnë dritën e mbledhur në hapësirë ​​në çdo instrument dhe secili instrument po kap imazhet e dritës që u shpërndahet atyre. rsi-eb

blank

Një vështrim grafiko-ortografik mbi “ Mesharin” e Gjon Buzukut – Nga Bledi Filipi dhe Marin Frani

 

 

Për të folur për vendin që zë alfabeti i Buzukut në traditën e shkrimit shqip, duhet ta shohim problemin në retrospektivë, para vitit 1555. E para, ngre problemin se a ka pasur traditë shkrimore para Buzukut, duke parë këtë vetëm në një linjë, lidhur me zbatimin dhe dhe përdorimin e alfabetit latin për gjuhën shqipe, krahasuar me aktet e ndryshme të Venedikut, “Formulën e Pagëzimit” dhe me vetë “Mesharin”, e dyta , është jehona dhe ndikimi i këtij alfabeti te bashkëkohësit dhe më vonë. (Osmani, 1995:413)
Ka një limit pak a shumë të caktuar kur mund të flitet për premisat që një popull e shkruan dhe e kultivon gjuhën dhe shkrimin e tij. Kjo për shqipen mund të lidhet me formimin e shtetit të Arbërit dhe do të vazhdojë me principatat e tjera që u krijuan më vonë.
Për këtë çështje studiuesit, si.: Jokli, Petrota, Çabej, Domi, Ajeti, Demiraj etj., kanë thënë fjalën e tyre për ekzistencën e një tradite shkrimore para Buzukut. Pra ka të ngjarë që Buzuku të jetë mbështetur në një traditë. Kjo sigurisht nuk ka qenë e pëparuar, e stabilizuar dhe e ngulitur, mund të ketë qenë e kufizuar dhe pak e njohur për disa, dhe e panjohur për të tjerë, rrjedhojë e vetë kushteve të jetës.
Lidhur me përdorimin e alfabetit latin, Çabej thekson:” me këtë shkruajtën të gjithë shkrimtarët veriakë pas tij. Kjo duket të ketë qenë qëmoti tradita e shkrimit sëpaku në Shqipërinë katolike, gjë që pajton edhe me të dhënat e Brokardit…” (Çabej,V/1977:27)
“Meshari”, është i shkruar vërtetë me alfabet latin por në gjysëm gotik, që ishte i rëndomtë në Italinë veriore. Por përdoren edhe pesë shkronja të posaçme për tingujt e shqipes që s’i ka latinishtja, për u, g, gj, th, dh, z, x. Këto pesë shkronja kanë përgjasim me alfabetin cirilik të sllavëve të jugut; ndonjëra prej tyre është bosnjake, e përdorour po me atë vlerë…”
(Domi, 1959:193)
Lidhur me këtë çështje, prof. Shuteriqi thekson: “ …autori u ndikua nga botimet katolike të sllavëve bosnjakë. Libra të ndryshme me gërma cirilike dhe glagolitike, në kohëne Buzukut, kanë qenë botuar në Fiume, Shkodër dhe Malin e Zi. Mendojmë se libri i shkrimtarit tonë u shtyp në Venedik ose në ndonjë shtypshkronjë venedikase të vendosur gjetiu, sepse gërmat latine janë të tipit që përdorej në atë qytet në fillim të shek.XVI.” (Shuteriqi, 1969:43)
Por për vendin e botimit të “Mesharit” ka mendime dhe gjykime të ndryshme, si: mund të jetë botuar në Napoli, Romë etj., prof. Çabej si përmend mendime të studiuesve të ndryshëm, del në mendimet e tij: “ …mund të jetë botuar në ndonjë vend të Shqipërisë Veriore, apo në ndonjë trevë aty afër, në grupin e dytë mund të jetë shtypur në ndonjë qytet të Italisë.”(Çabej, 2008:111)
Alfabeti i “Mesharit” nuk është aq i komplikuar. Ndonëse për 36 fonemat e shqipes përdori mbi 60 shenja (disa të përsëritura, pasi një fonemë e jep me një, dy ose tre variante), përsëri ishte ekonomoik, mbasi 27 vetëm 27 shenja (22 latine+ 5 të veçanta) , pasqyronin të gjitha fonemat e shqipes, aq sa ka edhe alfabeti i sotëm. (Osmani,1995:417)

Por a ka ndjekur Buzuku të njëjtën grafikë në libër? Për këtë do të na vijë në ndihmë kritika e prof. Rizës, i cili vë në dukje:
…praktika grafiko-ortografike e Buzukut ndryshon gjithandej nga e sotmja. Në anë tjetër ajo as përsëlargu nuk është e njëtrajtshme gjatë gjithë tekstit të tij. Prandaj kalimi shkencërisht i kënaqshëm nga sistemi grafiko-ortografik buzukjan me sistemin grafiko-ortografik të sotëm ngre një numër të madh problemesh (Riza, IV-2004:407)
Por gjithsesi, vepra e Buzukut dhe autorëve të tjerë pas tij, janë një tregues që flet se është arritur deri në një farë mase për një gjuhë të përbashkët dhe gegërishtja ka marrë një formë letrare përmes një përpunimi me shkrime të përdorimit fetar. (Çabej, 1955:73)
Vlerësimi i këtij alfabeti është bërë është bërë nga studiues të ndryshëm që kanë vënë në dukje të mirat dhe të metat e tij. Sidoqoftë, përveç të tjerave , dy çështje dalin: e para, alfabeti i Buzukut ecën në vazhdën e zbatimit të alfabetit latin të shqipes që para “Mesharit”, e dyta, alfabeti i “Mesharit” u bë pikë mbështetje përpasardhësit, gur themeli për historinë e shkrimit të shqipes. (Domi, 1959:195)
Ai do të jetë pikë referimi në rrugën e gjatë të hartimit të alfabeteve të shqipes, bazë e shkrimeve të vjetra, pavarsisht se nga pasardhësit do të ketë mjaft risi. Disa nga elementet e këtij alfabeti dhe të pasardhësve që vijuan këtë sistem i rezistuan kohës, u konsoliduan dhe ndonjëri prej tyre arriti deri në Kongresin e Manastirit. (Demiraj, 1988:127)


Send this to a friend