VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Meta zbulon “marrëveshjen” mes Ramës e Bashës: Donin konfrontim. Një police e humbi gishtin, s’mund të prisja të humbte jetën…

By | September 9, 2019

Komentet

Intervista: Mandl: Nuk mund të ketë anëtarësim të Serbisë në BE pa njohjen e pavarësisë së Kosovës

Festim Gashi

Kam besim se do të formohet një qeveri e re në Kosovë, e cila duhet të fokusohet në forcimin e sundimit të ligjit dhe reformat, thotë Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Lukas, i cili është anëtar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Bosnjen dhe Kosovën, tha se ideja e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka mbështetje në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mandl, dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Kosova vazhdon të jetë pa qeveri të re, pjesërisht për shkak të një ngërçi politik të shkaktuar nga mungesa e një marrëveshje mes partive politike për krijimin e një koalicioni qeverisës. Si i shihni zhvillimet e fundit politike në Kosovë?

Lukas Mandl: Kosova është një vendi i strukturuar demokratik. Natyrisht, ka mungesa të disa reformave në disa fusha të shtetit dhe shoqërisë, por demokracia po funksionon. Unë isha pjesë e Delegacionit të Parlamentit Evropian, që vëzhgoi zgjedhjet dhe jam i kënaqur që demokracia po funksionon. E theksoj këtë për çdo vend ku kjo është e vërtetë sepse unë e respektojë vendimin e votuesve. Votuesit në Kosovë kanë vendosur në mënyrë të qartë të mbështesin dy partitë fituese në Kosovë dhe ato po negociojnë për formimin e një qeverie. Unë kam besim se mund të formohet një qeveri e mirë. Do të jetë e rëndësishme që të bëhen reforma të brendshme, që të fitohet dhe të pranohet mbështetja nga pesë vendet e tjera të Ballkanit. Nëse krijohet, unë mendoj se qeveria e re do të ketë një mandat të mirë.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, cilat do të jenë sfidat kryesore të qeverisë së re në Kosovë, që pritet të drejtohet nga udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti? Çfarë pret Parlamenti Evropian dhe Delegacioni i tij për Bosnjën dhe Kosovën nga qeveria e re e Kosovës?

Lukas Mandl: Unë mendoj se gjatë mandatit të qeverisë së re të Kosovës, për njerëzit e Kosovës, pesëdhjetë për qind e vendimeve të rëndësishme do të vijnë nga Bashkimi Evropian, dhe ndoshta 50 për qind nga qeveria e Kosovës. Pjesa që duhet të bëhet nga qeveria e Kosovës është forcimi i sundimit të ligjit. E theksoj këtë sepse sundimi i ligjit është drejtpërdrejt i lidhur me investimet dhe investimet janë drejtpërdrejt të lidhura me punësimin, vendet e punës. Dhe nëse ka vende pune dhe investime, njerëzit do të qëndrojnë në Kosovë. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë, punëtorët e fortë, të arsimuarit qëndrojnë në vend dhe e forcojnë vendin e tyre. Në anën e Bashkimit Evropian do të jetë e rëndësishme që të mbahet premtimi për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe kjo të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë luftoj për këtë në parlament dhe shumica e anëtarëve të Parlamentit Evropian janë në favor të liberalizimit të vizave me Kosovën. Përveç forcimit të sundimit të ligjit, për qeverinë e re të Kosovës do të jetë e rëndësishme që të forcohet sistemi i arsimit, veçanërisht në fushën e teknologjisë, programeve kompjuterike, kodeve, arkitekturës së softuerëve, sepse Kosova nuk ka shumë burime natyrore dhe nuk ka një industri tradicionalisht të fuqishme. Por Kosova ka një numër të madh të të rinjve, mesataren më të madhe të popullsisë së re në Evropë. Ka shumë të rinjë që duan të punojnë në fushën e inxhinierisë së programve kompjuterike, dhe një numër i tyre tashmë e bëjnë këtë. Disa kompani të mëdha austriake punojnë me këta të rinjë në Kosovës. Për këtë arsye, unë nganjëherë them se Kosova, ndoshta mbarë Ballkani Perëndimor një ditë mund të bëhet Silikon Valley i Evropës. Por, duhet të forcohet sistemi i arsimit në këtë fushë, duhet të forcohet arsimi për vajzat, gratë dhe për të gjithë në shoqëri. Unë mendoj se mund të mbështetet çdo qeveri që përpiqet të realizojë këto synime.

Zëri i Amerikës: Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’ia lehtësuar Bashkimit Evropian marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave?

Lukas Mandl: Unë kam qenë shumë i sinqertë për kët çështje. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Kosova i ka plotësuar mbi 90 kushte të parashtruara nga Bashkimi Evropian. Kjo është bllokuar për arsye politike. Pesë vende të Bashkimit Evropian akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe disa vende të tjera që dyshojnë se liberalizimi i vizave me Kosovën do të funksiononte pasi ata kanë frikë se njerëzit do të largohen nga vendi dhe nuk do të kthehen, do të qëndrojnë në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi do të kenë përpjekjet për reformimin e Bashkimit Evropian dhe moshapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

Lukas Mandl: Për mua këto dy gjëra janë të ndërlidhura dhe të rëndësishme në këtë fushë. Unë jam miqësor me Kosovën, si raportues i grupit të Partisë Popullore Evropiane dhe Parlamentit Evropian për Kosovën dhe unë jam i angazhuar me Kosovën, por kjo nuk do të thotë se unë e vë në dyshim rëndësinë e Serbisë. Serbia është e rëndësishme, populli serb është i rëndësishëm. Serbia është ekonomia me fuqishme në rajon dhe ajo ka një përgjegjësi për shkak të kësaj force. Unë gjithmonë ia them Serbisë se është e rëndësishme që ajo ta kuptojë se shumica e vendeve të botës e kanë njohur Republikën e Kosovës. Nuk është e arsyeshme që të mendohet se mund të ketë një anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian pa njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këto fusha nevojitet përgjegjësi nga Serbia dhe për këtë çështje të gjithë udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian duhet t’i dërgojnë një mesazh të qartë Serbisë se kemi nevojë për ju, ju duam në familjen evropiane, por ju lutem jepni fund këtij konflikti të vjetër. Pra, është obligim i Komisioni të Bashkimit Evropian që të kujdeset për procesin e dialogut (Kosovë-Serbi). Unë shpresoj që jo vetëm Komisioneri për Punë të Jashtme, Josep Borrell, por edhe Komisioneri për Fqinjësinë, Oliver Varhelyi do të angazhohen në procesin e dialogut. Të them të drejtën, ky proces nuk është një përgjegjësi e vetëm Presidentit francez, Emmanuel Macron. Shpresoj që ai nuk do ta dëmtojë këtë proces, por zoti Macron, të them të drejtën, nuk ka mandat evropian për këtë çështje, ai ka mandat francez, ashtu si udhpheqësit e 27 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Mandle, zyrtarët austriakë kanë mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për normaliziminKosovë Serbi. Si e shihni ju këtë?

Lukas Mandl: Ideja lindi në Austri, në alpet e Tirolit, gjatë një diskutimi publik mes presidentit austriak, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Unë nuk dua të jem në mesin e atyre që imponojnë një zgjidhje nga jashtë mbi çështjet për të cilat Kosova dhe Serbia flasin ose janë dakord. Ka qenë një gabim i madh në historinë e Ballkanit Perëndimor, që nganjëherë janë imponuar zgjidhje nga jashtë për Ballkanin Perëndimor. Unë nuk dua që të imponohet një zgjidhje nga jashtë. Unë do të jem i kënaqur nëse vazhdojnë diskutimet dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe unë nuk dua që të imponohen gjëra në axhendën e këtyre bisedimeve. Përvoja ime pas idesë së shkëmbimit të territoreve ishte dhe vazhdon të jetë se shumica e njerëzve në Kosovës nuk e mbështesin atë. Kështu që nuk duket se ka shanse të mëdha që kjo ide do të funksinonte mirë. Prandaj, ndoshta do të ishte më mirë që të gjenden çështje për të cilat palët mund të arrijnë marrëveshje.

Zëri i Amerikës: A do ta mbeshtesnit një zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë që përfshinë shkëmbim territoresh, pavarësisht nëse ajo është e imponuar apo jo?

Lukas Mandl: Unë do të mbështesja çdo zgjidhje që mbështetet nga Kosova dhe Serbia. Për mua është e rëndësishme që të ketë një zgjidhje me respekt reciprok mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është detyra ime që të imponojë një zgjidhje. Unë vërtetë kam përshtypjen se imponimi i zgjidhjeve nga jashtë nuk ka qenë axhenda e duhur për Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti Mandl, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeminstër i qeverisë së re të Kosovës, ka kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufirit. Sipas mendimit tuaj, çfarë ndikimi mund të ketë fitorja e zotit Kurti në dialogun Kosovë-Serbi?

Lukas Mandl: Përshtypja ime nga jashtë është se ndoshta kryeministri i ardhshëm Albin Kurti tani është më i moderuar në politikat e tij se sa në të kaluarën. Unë gjithashtu kam përshtypjen se mund të formohet një qeveri e mirë dhe profesionale nga dy partitë fituese në Kosovë. Negociatat janë pjesë e sistemit politik, veçanërisht në demokraci, ku bisedimet me njëri-tjetrin janë një instrument i rëndësishëm i gjetjes së zgjidhjeve. Për mua paraqitja e qëndrimeve në mbështetje ose kundër propozimeve për çështje të caktuara para negociatave nuk është ndonjë problem. Do të ishte problematike nëse palët nuk flasin me njëra-tjetrën. Kështu që nëse Albin Kurti ose Aleksandër Vuçiçi thonë se nuk duan të bisedojnë, atëherë do të ishte problem. Për aq kohë sa ka njerëz që janë të gatshëm të bisedojnë, do të ketë një rrugë për gjetjen e një zgjidhjeje. Unë jam gjithmonë optimist për këtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mandl, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar angazhimin e tyre në Ballkan, duke emëruar dy dërguar për Ballkanin dhe për bisedimet Kosovë-Serbi? Cili do të jetë roli i Bashkimit Evropian në procesin e bisedimeve pas përfshirjes më të madhe amerikane?

Lukas Mandl: Për Bashkimin Evropian kjo është një përparësi e madhe. Kjo do të thotë se vetë Presidentja Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e sapozgjedhur nga Parlamenti Evropian, do të kujdeset për çështjen e dialogut. Unë ia kam kërkuar këtë disa herë, dhe e kam kuptuar përgjigjen e saj se ajo është dakord me këtë dhe e sheh këtë si një përparësi. Por do të ketë edhe komisionerë të tjerë që do të merren me këtë si Komisioneri për Punë të Jashtme, Komisioneri i Fqinjësisë dhe të tjerë që do të angazhohen në nivel politik. Do të ketë gjithashtu edhe të dërguar të posaçëm që do të mbikqyrin aspektin teknik të procesit. Por, kjo vazhdon të jetë një përparësi për Komsionin Evropian dhe Parlamentin Evropian. Nëse do të kem përshtypjen se Komisioni Evropian nuk po angazhohet aq shumë për këtë çështje unë do të kërkojë me forcë si anëtar i parlamentit që gjerat të ecin përpara.

Zëri i Amerikës: Disa analistë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet të sigurojë një prani në Ballkanin Perëndimor përmes pengimit të zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. A mund ta pengojë Rusia në fakt arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit?

Lukas Mandl: Shpresojë që jo. Varet nga ne, evropianët nëse ne lejojmë ndikim nga pjesë të tjera të botës, që nuk janë dakord me vlerat dhe qasjen tonë ndaj dinjitetit dhe lirive njerëzore. Këtu nuk përfshihet vetëm ndikimi nga Rusia, por edhe nga Turqia, Kina, madje edhe Arabia Saudite. Disa njerëz nuk e dinë që Serbia zhvillon më shumë stërvitje me NATO-n, dhe se Rusia nuk po shpenzon aq shumë në Serbi. Bashkimi Evropian po shpenzon shumë në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi. Kjo nuk është një dhuratë, por pjesë e përpjekjeve për një zhvillim të qëndrueshëm të mbarë kontinentit, për mbarë Bashkimin Evropian. Kështu që ka shumë arsye për të qëndruar të bashkuar, si një familje evropiane e bashkuar, që të mos lejojmë ndikime të tilla brenda Bashkimit Evropian. Por unë e di që ky rrezik ekziston, jo vetëm nga Rusia por edhe nga vende të tjera. Në duhet të shmangim sa më shumë që të mundemi këto lloje të ndikimit negativ.

Zëri i Amerikës: Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kohët e fundit tha se masakra e vitit 1999 në Reçak të Kosovës ishte fabrikuar. Në Kosovë, mohimi i krimeve të luftës nga Serbia shihet si një kundërshtim ndaj frymës së pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve. Sipas mendimit tuaj, çfarë ndikimi mund të kenë këto lloje deklaratash mbi bisedimet Kosovë-Serbi?

Lukas Mandl: Pyetja ime është se për cilën audiencë janë dhënë këto mesazhe. Shpresoj që të mos jetë e nevojshme për një zyrtarë ose politikanë në Ballkanin Perëndimor që të mohojë ngjarje të tmerrshme si kjo. Duhet të jetë e mundur që të nderohen dhe të kujtohen viktimat dhe të arrihet një ardhme pozitive dhe e begatë në të gjitha pjesët e botës. Unë nuk jam dakord me mohime të tilla. Kjo akoma po ndodh edhe në rajone të tjera, si në Turqi, e cila mohon gjenocidin armen. Nuk dua të krahasoj njërën ngjarje me tjetrën, ato janë të ndryshme. Por, të mohosh vuajtjet viktimave është diçka për të cilën ne nuk kemi nevojë në Evropë, e as në zona të tjera. Ne nuk e duam këtë nga asnjëra palë. Historia e suksesshme e Bashkimit Evropian është e bazuar te tejkalimi i këtyre mohimeve dhe agresionit që ato përmbajnë në vete. Unë i bëj thirre të gjitha palëve që t’u japin fund konflikteve etnike, kombëtare dhe fetare. Këto janë konflikte të gabuara dhe jo racionale. Të punojmë për një të ardhme të begatë për rajonin, duke mbështetur gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor.

Historike! – Teatri Kombëtar renditet i pari ndër monumentet më në rrezik në Europë

VOAL – Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar bën të ditur:

Teatri Kombetar listohet tek lista e ngushte e 7 Monumenteve ne rrezik, me karakteristike speciale si nga pasurite me ne rrezik ne Europe.
Qe nga ky moment, Teatri me vendimin e 28-29 Nentorit ne Hage, nga ana e jurise te perbere nga autoritetet me te larta ne Europe, Teatri Kombetar dhe ai Eksperimental Kombetar shpallen monumente te mbrojtura si pjese e pasurise se trashegimise europiane.
Hera e pare ne histori qe nje kauze e ngritur nga rrenja, nga aktiviste, fiton kete status, fale qendreses dy-vjeçare.
Hera e pare qe nje godine publike, uzurpohet nga qytetare dhe kalon ne administrim horizontal.
Kemi fituar nje monument, kemi fituar nje beteje, kemi fituar nje kauze, kemi fituar nje dite demokracie.

 

 

 

Nëse nuk nxjerrim mësime nga tërmeti, nuk vemë mend kurrë – Nga Artan Fuga

 

Cfarë na mësoi tërmeti?

Jemi komb i stërlashtë, nuk na ka hije të sillemi si çiliminj, si komb aventurierësh të papjekur, që në jetën e vet nuk mban parasysh rriskun e asaj që bën!

Rrisku maksimal, siguri zero!

Ky është budallalliku ynë kolektiv!

Dhe tani i kërkojmë llogari njeri tjetrit : Pse më janë çarë muret muaaaaaa?

Na çaftë ujku, na çaftë, do të gjejmë fajtorin tani. Fajtori? Ne jemi, ne!

Të ndalemi o të marrë, se do të marrim më qafë le veten, por edhe ata që do të lindnin në shekuj nga 50 të vrarët e që mundet në potencë të bëheshin mijra!

Poqese nuk i vemë gishtin kokës dhe në çaste frike, tragjedie dhe ankthi kolektiv, kurrë nuk do të arsyetojmë ndonjëherë!

Mos mendoj njeri se nuk jemi paralajmëruar. As mos thotë njeri se nuk e ka ditur.

Të gjitha janë thënë!

Rozhaja nderon diplomatin Shaban Murati me Çmimin e Lartë “Ora e maleve”

Në Manifestimin e njohur Tradicional Kulturor mbarëkombëtar “Ora e maleve” në Rozhajë, Mali i Zi, u zhvillua promovimi i librit “Bosnja: Një pikpamje nga Tirana” të autorit Shaban Murati, ku merrnin pjesë shkrimtarë, poetë, studjues, artistë, gazetarë, etj.nga të gjitha trevat shqiptare.
Fjalën e hapjes në këtë promovim e mbajti drejtori i këtij manifestimi z.Ali Daci, i cili theksoi vlerat e librit në shkallë kombëtare dhe rajonale. Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” z.Ismet Azizi foli për rëndësinë e kontributit të librit dhe të autorit në ndriçimin e të vërtetave dhe të drejtave të dy popujve për liri dhe për mesazhin e rëndësishëm të librit për miqësinë midis dy popujve.
Analizë të gjërë për librin paraqiti shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur z.Çerçiz Loloçi.
Në fund, drejtori i Manifestimit Tradicional Kulturor, z.Ali Daci, i dorëzoi autorit Shaban Murati “Çmimin e Lartë “Ora e maleve””, me këtë motivacion:
“Për kontribute të çmuara në diplomaci, histori, kulturë dhe studime, duke sjellë refleksione të çmuara në fushën e politikës dhe diplomacisë, në Ballkan dhe më gjërë”.

Njihuni me “Lagjen e hajdutëve të politikës”, blloku i 122 vilave të bardha, blerë me miliarda “të zeza”

Vetëm 4 kilometra larg Tiranës në Petrelë, pasanikët e bërë të tillë me lekë krimi e korrupsioni shtetëror dhe lidhjeve me botën e mafies, kanë krijuar një bllok banimi me vila luksi, ku janë bashkuar e jetojnë pa pikë morali, agallarët dhe shërbestarët e tyre, të çdo lloji, ngjyre politike e mëkatesh.

Janë 122 vila të bardha, me sipërfaqe nga 350 m2, në mbi 600 m2, të blera me miliarda të zeza, prej deputetësh, ministrash, ambasadorësh, moderatorësh televizivë, opinionistë të medias, dashnore shtetarësh, prokurorë, gjyqtarë, krye-doganierë e krye-tatimorë, kryepolicë, kriminelë, trafikantë dro ge, arm ësh e femrash.

Ky bllok banimi, me sipërfaqe 226 mijë m2, nga të cilat 79 mijë m2 janë vila, është pagëzuar me emrin “Lagja e hajdutëve të politikës” dhe me plotë të drejtë, mbasi çmimi më i ulët i një vile është 500 mijë euro.

“Vdekje e paralajmëruar”, Berisha me akuzë të fortë: Viktimat e Thumanës, vrasje shtetërore

Viktimat e Thumanes dhe disa nga te Durresit mund te ishin te gjalle!
Ato jane vrasje shteterore, pa dashje apo pa qellim dhe duhet te trajtohen te tilla.

Te dashur miq, termeti i 26 nentorit u parapri nga nje termet prej 5,6 te shkalles richter me qender ne te njejten zone dhe thellesi. Termeti i 22 shtatorit u shoqerua me demtim te shkalleve te ndryshme te 1528 objekteve, shkaterroi plotesisht 50 banesa dhe demtoi dukshem 160 pallate etj etj ne Durres, Kruje dhe Tirane.

Nder ndertesat e demtuara ne menyre serioze dhe qe ishin raportuar si te pabanueshme nga banoret e tyre ishin edhe dy pallatet qe i moren jeten 22 banorve nen rrenojat e tyre por me siguri edhe te pallateve dhe banesave ne Durres.

Ne rast se autoritetet zyrtare qe inspektuan keto pallate ne Thumane dhe Durres nuk do te nenvleftesonin demtimin ne strukture, te shkaktuar nga termeti, banoret me detyrim do te ishin zhvendosur ne vendsterhime te tjera dhe do te ishin gjalle sot. Pra ata de fakto vertet vdiqen nga termeti i 26 nentorit por kjo ishte nje vdekje e paralajmeruar per sa kohe nuk u larguan forcerisht nga pallatet e tyre te bera te pabanueshme me 22 shtator. Per rrjedhoje kemi te bejme me nje vrasje shteterore, natyrisht jo e qellimte por detyrimi i shtetit ndaj familjeve te ketyre viktimave ka rregulla te tjera dhe eshte demshperblim i plote sikunder pergjegjesia e atyre qe u treguan indiferent ne detyre ne rastin konkret eshte personale dhe direkte.

Pikerisht per te fshehur gjurmet, provat e ketij krimi shteteror Edvin Mafia emeroi Çuçin e tij, ministrin e Familjes shef te gjendjes se jashtezakonshme nje rast unik ne historine e botes qe nje minister bujqesie emerohet ne nje detyre te tille. Ky i fundit, ne misionin e tij familjar, ne nje akt te paster kriminal oret e para te dites se pare te punes shembi ne kundershtim flagrant me ligjin dy pallatet prova te gjalla te krimit shteteror ne Thumane dhe pallatin nen hetim ne Durres etj etj. Nderkohe shpresat per nje hetim te ndershem me Edvinin, krye kreu i meduzes, jane zero.

Ndaj duke denuar me ashpersine me te madhe qendrimin kriminal ndaj pasojave te termetit te 22 shtatorit 2019 dhe veprimet kriminale te zhdukjes se proave te krimit nga Edvin Mafia dhe Çuçi i tij dhe duke patur parasysh faktin se mafia veten nuk e heton kurre, bej thirrje per nje hetim te ndershem te pavarur nderkombetar te ketij krimi te shemtuar qe kushtoi dhjetra jete dhe qe rendon e do rendoje ne ndergjegjen e çdo shqitari. sb

Midis humanizmit dhe barbarisë – Çfarë fitimesh do të kenë tani disa kompani ndërtimi!!! – Nga Artan Fuga

 

Midis humanizmit dhe barbarisë

Çfarë fitimesh do të kenë tani disa kompani ndërtimi!!!

Dy gjera i pengonin.

E para: Njerëzit nuk kishin lekë për të blerë apartamentet e ndërtuara dhe e dyta nuk kishte hapësira të mjeftueshme ndërtimi.

Tani vuuuuuu!

Tërmeti e zgjidhi problemin.

Industrisë të ndërtimit i doli fati!

Lekët erdhën dhe do të vijnë nga kontributet speciale, nga buxheti, nga ndihmat, etj.

Spastrimin e ndërtesave të vjetra e bëri tërmeti.

Sa të negociohej me banorët jo ashtu jo kështu, jo dalim jo nuk dalim, jo ku do të strehohen jo ku nuk do të strehohen banorët nëse në vend të të të vjetrave bëhen ndërtesa të reja, tërmeti e zgjidhi problemin me një të rënë të dorës!!!

Faaaap! Hapi pa fund terrene.

Hajde tërrrrrmet hajde!

Tani mjafton një krisje në pallat, vuuup hidhet në erë dhe hapen vende plot për ndërtim.

Nuk doniiiiii? Mirë po kini mendjen se do t’u zejë brenda dhe ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi pastaj!

Jo mos prishja, por prishja e ndërtesave është politika e duhur! – Do të thoshte ndonjë skile e zgjuar! Edhe në Lezhë madje ku u bë debati në rrugë!!!

Fatkeqësia për disa është fatmirësi në drejtime të tjera për të tjerë!

Po mos shkaktoheshin të vrarë?!

Për disa tërmetet do të ishin bekim i Zotit për biznes!

Ndërto, prishu, përsëri ndërto përsëri! Ohoho! Mrekulli. Gjithë kanceri i industrisë është se e ngop konsumatorin dhe i prish tregun vetvetes. Me tërmetin edhe kjo u zgjidh. Konsumatori është tani gjithmonë i uritur.

A nuk i dha hov të paparë ekonomisë shkatërrimi në Europë gjatë Luftës së dytë botërore?

Shkatërrimi është krijues – thotë dikush!

Ca kohë në hotele me pesë yje banorët dhe ec përpara!

Na doli fati edhe neve të industrisë hoteliere. Nuk kishim turistë gjatë dimrit. Tërmeti na i solli. Bëjmë edhe ne pak derman.

E kthejnë fatkeqësinë në forcë! – sipas sloganit të vjetër komunist!

Shqiptari më i fortë se tërmetet!

Puna është se ne na duhet një model tjetër urban! Nuk duhet të përsërisim të njejtat gabime duke ndërtuar qendra urbane të superpopulluara. Po na vdes qyteti i bllokuar. Po na merr frymën! Po na kancerigjon! Po biem cip më cip mbi njeri tjetrin.

E eeee mirë , fol ti fol!

Ne gjetëm për 20 vjetët e ardhshëm truaje të reja për ndërtim!

Atje ku ishin zënë tashmë. Atje do të ndêrtojmë përsëri, ose pak më tutje.

Ajo që ishte kanceri i industrisë të ndërtimit dhe i pushtetit lokal, ajo që po e mbështillte lakun në fyt ekonomisë u zgjidh.

E zgjidhi tërmeti!

Ritmet e rritjes ekonomike do të shkojnë për tre ose katër vite në stratosferë, fitimet e industrisë së ndërtimit gjithashtu, pushteti lokal do të bëjë qejf me terrenet për ndërtim.

Dhe mbi të gjitha : E gjitha kjo do të vishet me një vello humanitare: Po zhdukim pasojat e tërmetit të 26 nëndorit 2018!

Po mos ishin të vrarët?!

Dyshoj se poshtë jorganeve disa ndoshta do të fërkonin duart: Rrofsh moj natyrë! Rrofsh o Zot! Rrofsh o tërmet!

Edhe ligjin e gjendjes së katastrofave, gjendje e jashtëzakonshme e mbajmë nja njëzet vjet!

Edhe zgjedhje nuk bëjmë më derisa të zhduken aty nga viti 2050 pasojat e tërmetit!

Gjendje e jashtëzakonshme! Fitime të jashtëzakonshme! Rritme të jashtëzakonshme rritjeje ekonomike!

Na ktheve shpresën !

Por drama është se nëse sot u vramë në 50 nga ne, në rast të një tërmeti tjetër, poqese vazhdojmë kështu, me këtë model urban, pa bërë korrigjimet e duhura mund të kemi kushedi sa herë më shumë viktima. Mund edhe të mos kemi, por gjithë jetën do të jetojmë me frikën se komshinjtë do të na bien mbi kokë ose ne do të biem mbi kokën e komshinjve. Frika nga një vdekje makabre do të na qendrojë gjithë ditën në nën-ndërgjegje.

Kushedi sa herë do të vritemi gjatë jetës sonë të gjatë nëse nuk vemë mend nga budallalliqet që kemi bërë ose kanë bërë mbi kokat tona.

Nuk na duhen modele urbane që na mbajnë si në gjendje lufte!

Prandaj t’i vemë gishtin kokës!

Ne qytetarët apo ekonomia e ndërtimit?

Zgjedhja është e qartë, ne jetojmë në qytetet që ndërtojnë ata, kurse ata nuk jetojnë në qytetet që ata ndërtojnë për ne!

“Heronjtë e metropolit, revista gjermane ‘Theater der Zeit’ për teatrin

Gazetari gjerman Tom Mustroph i kthehet edhe një herë temës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, këtë herë me një artikull në revistën “Theater der Zeit”.
Luftën për Teatrin që zhvillohet në Tiranë përmes qëndresës ai e ka pasuruar me shumë finesë me luftën e teatrit e me mjete teatrore në Prishtinë kundër keqbërjes së mafies së ndërtimit nëpërmjet analizës së pjesës “Pesë stinët e armikut të popullit” nga Jeton Neziraj.
Një ndërthurje që Mustroph e ka sjellë nën titullin “Helden den Großstadt – Heronjtë e metropolit”. Nga artikulli është shkëputur pjesa që ka të bëjë me qëndresën për mbrojtjen e teatrit dhe me pjesën e Jeton Nezirajt që më 6 dhjetor vjen në skenën e Teatrit Kombëtar.

ARTIKULLI
Heronjtë e metropolit.
Në Tiranë artistët mbrojnë teatrin e tyre përballë investuesve lakmitare, në Prishtinë një pjesë teatrale fajëson mafien e ndërtimit – dy aksione jo tërësisht të parrezikshme
“Monument kulture, mbrohet nga populli” qëndron e shkruar në një banderolë të madhe në hapësirën e lirë mes Ministrisë së Brendshme dhe Teatrit Kombëtar nga qendër të Tiranës. Pikërisht këtu, në pikëprerjen mes këtyre dy institucioneve, policët në korrik 2019 goditen fizikisht aktorë dhe regjisorë (shih, gjithashtu, TdZ 09/2019). “Ishte absurd: Policët që paguhen nga taksat tona, sulmuan qytetarët, që donin të mbronin nga shembja një monument kulture si Teatri Kombëtar”, thotë Neritan Liçaj, pjesëtar i trupës së Teatrit Kombëtar në kryeqytetin shqiptar dhe asokohe në mes të trazirave. Liçaj bashkë me kolegët e trupës së tij zhvillon shfaqje në një skenë rezervë sepse Teatri është larguar nga ndërtesa e teatrit e ndërtuar në vitin 1939 nga një arkitekt italian. “Por Teatri im është këtu”, thotë ai dhe tregon për nga ndërtesa historike, që ai tani, bashkë me rreth pesëdhjetë aktivistë të tjerë, e ruan në një sistem me turne. Për ta është me rëndësi ruajtja e ndërtesës së vjetër të teatrit, por para së gjithash është me rëndësi qëndresa ndaj shndërrimit të plotë të bërthamës së qytetit në një parajsë tregtare dhe ndaj shitjes së pronës publike. Kulla prej 17 dhe 21 katesh janë parashikuar në planin e zhvillimit të zonës. Më shumë se 8000 m2 duhet të privatizohen.

Në shkurt 2018 nisi protesta. “Fillimisht zhvillonim një herë në javë takime para Teatrit, shpejt për shkak të mbështetjes së madhe nisi të zhvillohet në ritëm të përditshëm. Por kur në korrik 2019 policia deshi të sulmonte Teatrin, ne e morëm dhe prej atëherë e ruajmë ditë e natë”, tregon Lindita Komani, shkrimtare dhe një nga organizatorët e qëndresës. Për çdo mbrëmje artistë e qytetarë mblidhen para Teatrit. Janë sajuar mundësi për t’u ulur, është krijuar një arenë e vërtetë për debate politike. “Njerëzit flasin për probleme të përditshmërisë si papunësia, korrupsioni dhe mbi atë sesi shumë njerëz të rinj në moshë ende largohen nga vendi”, raporton Komani.
Më 28 tetor debatet u ndoqën nga monologu për teatër “Amerika”, një shfaqje e Teatrit Thalia Hamburg me regjinë e Bastian Kraft. “Duam t’i sigurojmë kolegët dhe koleget për mbështetjen dhe solidaritetin tonë”,-thotë aktori Bekim Latifi, i lindur në vitin 1994 në Durrës. Ai shpreson që të tjerë do të ndjekin shembullin e tij. “Nëse këtu ka artistë ndërkombëtare, për policinë do të jetë e vështirë që të sulmojë ndërtesën”,-mendon ai teksa sheh për nga ndërtesa e Ministrisë së Brendshme që nuk do të preket nga planet e shembjeve.

Disa ditë më vonë në Teatrin Kombëtar kosovar të Prishtinës aktori Armend Smajli sulmohet me shkumë të bardhë nga shuarësit e zjarrit. Një vdekje metaforike. Sepse Smajli luan në “Pesë stinët e armikut të popullit”, një përshtatje e “Armikut të popullit” nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj për urbanistin Rexhep Luci, i cili në vitin 2001 u vra në rrugë. Për kryeqytetin e Kosovës së pasluftës Luci kishte planifikuar parqe dhe transport lokal. Me këtë gjë, sikurse tregohet në pjesën teatrale, ai i kishte zënë rrugën mafies së ndërtimit. Në skena të përqendruara tregohet sesi një investues prototip josh sindikalistët – fjala kyçe: vende pune dhe sesi ai lidh pas vetes mediat përmes fushatave të reklamave. Urbanisti në fund është i izoluar – dhe vritet.
Me figurën e Rexhep Lucit, që ndërthuret me atë të heroit Stockmann nga drama “Armiku i Popullit” i Ibsenit, Neziraj arrin në një tjetër dimension të shkrimtarisë së tij. Përmes figurës tragjike të Lucit/Stockmann-it ai krijon çaste empatie. Arkitektura e tërësishme e kësaj përshtatjeje është më e pasur, shkon përtej humorit sardonik, që ishte tashmë shumë i theksuar edhe në pjesët mbi tendencat homofobike në shoqëri (“55 hijet e Gay”) ose për trafikun e organeve dhe korrupsionin në shëndetësi (“Hipokritet ose Pacienti anglez”).

DOKUMENTI – Agron Tufa ngre padi kundër Spartak Brahos dhe Fatos Tarifës pas ikjes nga vendi

Ish-kreu i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa ka paditur në gjykatë deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho dhe publicistin Fatos Tarifa.

Duke marrë shkasë nga një artikull i Brahos i një dite më parë, Tufa shkruan në padi, se ai pa shpifur dhe fyer në forma të ndryshme si :”Hajdut e mashtrues i neveritshëm”, “njeri ordiner” dhe “bëmat e ndyra të këtij njeriu”, si “vjedhjet e institucionit që drejtonte”, “abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë” e “plagjiaturë në universitet”.

I akuzuari Spartak Braho është i vetëdijshëm që viktima nuk ka qenë asnjëherë i ndjekur penalisht apo i proceduar administrativisht për hajtur dhe mashtrues, madje edhe i cilësuar si njeri ordiner, por me këto fraza të përdorura, ka fyer dhe shpifur me qëllim për t’i ofruar opinionit publik se Agron Tufa, nuk është ai që ju njihni për njeri të ndershëm”.

Gjithashtu në padi thuhet se Braho ka shpifur kur akuzon zt.Tufa sikur ka vjedhur fondet publike dhe është larguar nga vendit. Në padi thuhet se nuk ka asnjë akt kontrolli administrativ që tregon për vjedhje të fondeve.

Edhe ndaj Zt. Tarifa renditen të njëjtat akuza penale bazuar mbi një artikull të tij po në të njëjtën gazetë, me titull “Iku Tufa, një mashtrues e një plagjiator më pak”.

Për sa më sipër, Agron Tufa thekson se në “kushtet e sulmeve të paprecedenta ndaj tij por kryesisht edhe ndaj familjes së tij, bashkëshortes dhe fëmijëve, më datë 3 dhjetor 2019, vendosi të largohej nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në një nga vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në midis të tjerash në padi.

Në fund të padisë, Tufa kërkon nga gjykata shumat prej 250 mijë lekësh për secilin nga personat e akuzuar.

 

KUSH E MBRON Z. AGRON TUFA DHE FAMILJEN E TIJ? Nga Frank Shkreli

Ja dhe lajmi i papritur, i çuditshëm, por edhe shqetësues.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi se Agron Tufa, tani ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri ka kërkuar azil politik në një vend të Europës.  “Azil politik”, është ky një term që nuk e kam dëgjuar për pothuaj 30-vjet tani, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.  Por, kur flitet për Shiqpërinë post-komuniste, asgjë nuk është dhe nuk duhet të na çudit –madje as të kërkuarit e azilit politik në vendet perëndimore nga shtetasit shqiptar, si dikurë në kohën e komunizmit, megjithëse është një rast tepër shqetësues.  Heshtja e autoriteteve ndaj faktit se Agron Tufa largohet nga vendi për të kërkuar azil politik në Evropë, i kërcënuar me jetë, është diçka që duhet të shqetësojë të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë.

Për më tepër në këtë rast nuk kemi të bejmë me një shtetas të thjesht shqiptar, jo.  Është fjala për një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, i cili deri dje kryesonte Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.  Agron Tufa i tha “Zërit të Amerikës, se kërkoi azil politik në një vend të Europës, “Për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij për shkak të detyrës”

Me anë të një letre të cilën mund ta lexoni më poshtë, dërguar Kryetarit të Bordit të Institutit të lartëpërmendur, Uran Butka dhe përcjellë për dijeni edhe Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Prokurores së Përgjithshme, Z. Tufa ka paraqitur dorëheqjen e tij si Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, një detyrë kjo që ai e mbante ç’prej vitit 2010.   Që të jemi të qartë, duhet theksuar se Agron Tufa nuk ishte kryetar i ndonjë do si do organizate jo-qeveritare ose të ndonjë grumbullimi të ish-përndjekurish të regjimit komunist që politika dhe shoqëria shqiptare i injoron dhe i anashkalon, jo.  Ai ishte Drejtor i një enti shtetëror, i themeluar, i sanksionuar dhe financuar nga vet qeveria dhe shteti shqiptar, me akt të Kuvendit të Shqipërisë.  Ai dhe familja e tij janë kërcënuar në kapacitetin e detyrës që ai ka mbajtur në një detyrë shtetërore.

Të rifreskojmë kujtesën se sipas legjislacionit shqiqptar, “Misioni dhe qëllimi i punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është grumbullimi, studimi, analizimi, evidentimi i fakteve dhe informimi i publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri (1944-1991), në të gjitha aspektet e tij”.   Sipas nenit 5, të Ligjit Nr. 10 242, datë 25.2.2010, Instituti, ndër të tjera: “Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist; analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit….”  Misioni i Institutit që drejtonte Agron Tufa ishte dhe është i qartë dhe i sanksionuar me ligj.  Sipas shumë vërejtësve, Agron Tufa e kryente detyrën e tij me përgjegjësi ndaj ligjit, me përpikëmëri morale dhe me ndershmëri akademike.   Atëherë ku qendron problemi me punën e bërë nga Z.Tufa dhe pse ai dhe familja e tij u kërcënuan me jetë nga individë të njohur ose të panjohur, disa në nivele të larta të pushtetit socialist.

Problemi është se një ndër pikat e misionit të Institutit Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është se këtij enti i kërkohet me ligj që të, “Evidentojë personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit”.  Dhe për të gjitha këto të “vëjë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave”, pikërisht nga personat që dikur ishin pjesë e organeve shtetërore në regjimin komunist — që mund të kenë kryer edhe krime kundër njerëzimit — e të cilët vazhdojnë edhe sot të mbajnë poste të larta në shtet dhe në qeverinë e qashtuquajtur “demokratike” të Republikës së Shqipërisë, madje edhe 30 vjet pas asaj që mendonim se ishte një “shembje” njëherë e mirë e komunizmit.

Agron Tufa thotë në letrën e dorëheqjes nga detyra e tij, se si përfundim i kërcënimeve kundër tij dhe familjes, ai sidomos këtë vit, “ishte vënë përballë falangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ”.  Tufa shprehet se përball kërcënimeve të vazhdueshme dhe“Pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër”, është shprehur Tufa në letrën drejtuar Kryetarit të Bordit të Institutit, Z. Uran Butka.  Mjafton të përmendet fakti se media të ndryshme kanë ndjekur, për pothuaj një vit tani, debatin e ashpër publik me ish Kryetarin e Komisionit të Sigurisë, deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho, për të cilin thuhet se ka patur detyra të larta edhe në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe që vazhdon gjithnjë të ushtrojë influencë në Partinë Socialiste, pasardhëse e Partisë Komuniste/Partisë së Punës si dhe në Kuvendin aktual të Shqipërisë, i dominuar nga kjo parti.

Unë nuk jam në dijeni të ndonjë krimi nga Agron Tufa.  Kjo duhet të jetë puna e Prokurorisë dhe e enteve të tjera të drejtësisë, ashtu siç janë, fatrkeqsisht dhe jo e ndonjë “aparatçiku” komunist.  Por ajo që dihet është se ai nuk ka asnjë mbështetje nga askush.

Pa asnjë garanci mbrojtjeje nga autoritetet shqiptare, Agron Tufa detyrohet të kërkojë azil politik në Evropë për veten dhe familjen e tij.  E kush duhet ta mbrojë, në parim, Z. Agron Tufën dhe familjen e tij përball kërcënimeve serioze për jetë?  Ku është Kryeministri?  Ku është Ministri i Mbrendshëm.  Po ku është Prokuroria?  Po opozitën, çfarë e dallon nga pozita përsa i përket kërcënimeve ndaj Z. Tufa dhe familjes së tij.   Ndanë opozita të njëjtat vlera me pozitën në lidhje me këtë rast???   Në një vend normal, këta dhe zyrtarë të tjerë të lartë në pushtet do jepnin menjëherë dorëheqjen para një rasti të tillë mosveprimi e heshtjeje.  Po ku është Kuvendi i Shqipërisë, i cili miratoi ligjin në bazë të cilit veproi Z. Tufa???  Z. President?

 Askush nuk reagon!  Shteti heshtë, qeveria heshtë opozita heshtë, mediat e mëdha heshtin, organizatat jo qeveritare heshtin.   Po Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka gjë të thotë për të drejtat e njeriut për Z. Agron Tufën?  Po mbrojtësit e fjalës së lirë në Shqipëri, ku janë, pse nuk flasin?   Po ndërkombëtarët ku janë, të cilët nuk lënë gjë pa reaguar në Shqipëri?  Ku jeni përfaqsues të Perenëndimit demokratik në Tiranë që nuk reagoni????   Po Diaspora, sidomos ajo në Amerikë, ku është, pse nuk flet, si individ, si organizata, a po në terësi???  Ku janë akademikët shqiptarë, anë e mbanë trojeve?  Një papërgjegjësi e tmershme morale e kombëtare, jo vetëm në nivelin politik por edhe mbarë shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar!  Të gjithë heshtin përball kërcënimeve me jetë nga elementë të krimit ndaj shtetasve të vet, ndaj një akademiku dhe një zyrtari të lartë të një enti shtetëror e familjes së tij – me ndonjë përjashtim të vogël, aty këtu!

 

Bravo Gentiana Sula dhe Jonila Godole!   Znj. Gentiana Sula, Shefe e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit shprehu keqardhjen e saj për largimin e Agron Tufës nga atdheu për të kërkuar azil politik në Evropë përballë kërcënimeve për jetën e tij dhe të familjes sës tij, ndërkohë që shprehu shqetësimin e saj për mosveprimin e ligjeve dhe të organeve të shtetit, në këtë rast.  “Kam ndjekur me shqetësim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar që këto do të trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do të ndaleshin.  Që një zyrtar i lartë shtetëror ndërmerr një hap të tillë, tregon se institucionet që duhet ta mbrojnë, ligjet tona, nuk kanë vepruar.”, ka shkruar Znj. Gentiana Sula në faqen e saj të internetit.   Edhe anëtarja e Bordit të të Përndjekurve Politikë, Znj. Jonila Godole ka komentuar rastin e Agron Tufës, si një zë kritik ndaj qeverisjes aktuale që u detyrua të largohej, duke shtuar se “Fatkeqsisht, Shqipëria i është rikthyer, sërish trashëgimisë të kalbur komuniste, që katandisi Shqipërinë sërish në një vend mono-partiak”.

 

Në mungesë të reagimeve të autoriteteve shqiptare dhe të organizatave jo-qveritare në Shqipëri përball kërcënimeve ndaj jetës së Agron Tufës dhe familjes së tij, reagoi Platforma Evropiane e Kujtesës dhe e Ndërgjegjës (PEMC), duke shprehur shqetësimin e kësaj organizate evropiane ndaj trajtimit të Agron Tufës:  “PEMC mësoi me shqetësim të madh për kërcënimet që i janë drejtuar Z. Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.  Platforma u bën thirrje autoriteteve përkatëse të garantojnë sigurinë e tij dhe të sigurojnë punën e Institutit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në Deklaratën e Paltformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjës(PEMC).

 

Po, në mungesë të mbrojtjes nga autoritetet shqiptare dhe përball kërcënimeve të reja, madje edhe pas largimit të tij nga Shqipëria, kush do e garantojë sigurinë e Agron Tufës dhe të familjes së tij, qoftë në Shqipëri, qoftë në Evropë ku po kërkon azil politik?  Është shumë vështirë të shihet, nën këto rrethana, se kush do t’i dalë në mbështetje për t’i garantuar sigurinë Z. Agron Tufa dhe familjes së tij.

 

Frank Shkreli

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të skanuar të Agron Tufës drejtuar Kryetarit të Bordit të ISKK, me dijeni për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta, Z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Znj. Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.

 

 

Kush është Olsian Çela, kryeprokurori i sapovotuar

Me 101 vota pro Olsian Çela u zgjodh këtë e enjte kryeprokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, duke zënë kështu vendin që më parë e mbante përkohësisht Arta Marku. 

Çela ishte i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgoi Kuvendit, pasi mori më shumë pikë gjatë procesit të intervistimit. Cela beri edhe betimin sot ne Kuvend, per te nisur keshtu detyren e re.

PROFILI

Olsian Çela është konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’.

Kjo pasi ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa.

Si prokurori ai hetoi edhe mbi masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.

Çela e ka nisur karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror te Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.

Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar. Është njohës i 4 gjuhëve të huaja.

Olsian Çela zgjidhet Kryeprokuror i Republikës së Shqipërisë

“Kuvendi” ka zgjedhur sot Kryeprokurorin e ri të Përgjithshëm, Olsian Çela, me 101 vota pro 2 kundra 10 abstenim, Çela u miratua kryeprokurori i ri.

Ai do te beje betimin ne Parlament ne fund te seances plenare. Nderkohë Çela ishte i pranishëm në lozhën e Kuvendit ku ndoqi nga afër votimin e Kuvendit.

 

Arta Marku mori 11 vota pro, 22 kunder, 78 abstenim dhe 2 nuk kane marre pjese ne votim.

 

Fatjona Memcaj mori 8 pro, 6 kundër 87 abstenim dhe 3 s’kanë marrë pjesë në votim.