Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka ftuar sot për një drekë një emër të rëndësishëm të Partisë Socialiste, ish Presidentin Rexhep Meidani.
Dreka ka nisur pak para ores 14:00 në një restorant në zonën e ish Bllokut.
Burimet bëjnë të ditur për “panorama.al” se Meidani ka qenë duke pushuar në Pogradec deri në momentin kur ka marrë një telefonatë nga Meta për drekën e sotme.
Ai ka ndërprerë pushimet dhe është nisur drejt Tiranës.
Drekes se Metes dhe Meidanit i eshte bashkuar edhe ish deputeti i PS-se, Koço Kokëdhima.
Prej javësh po flitet për marrëdhënien e krisura tashmë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe ky fundit me lëvizjet që po bën duket se po planifikon diçka për në shtator.
Ajo që diskutohet në kafet e Tiranës është një dalje nga Qeveria e Ilir Metës dhe 20 deputetëve të tij dhe diskutimi i një qeverie teknike.
Ndërkohë që 24 orët e fundit emri i Rexhep Meidanit është përfolur si kandidati i mundshëm për kryeministër i kësaj qeverie teknike.
Marrëdhëniet brenda koalicionit të majtë qeverisës, nuk janë më ato të shtatorit 2013, kur ata hynë në zyrat e pushtetit.
Ish-kryeministri Pandeli Majko pohoi para disa ditësh se koalicioni qeverisës po përjeton tensione të brendshme, gjë që u bë më e dukshme gjatë diskutimit të reformës së drejtësisë.
Duke pohuar se ka tendenca nga ana e LSI-së për një afrim me Partinë Demokratike, deputeti socialist thotë se këto lëvizje nuk duhen gjykuar negativisht. Partia Socialiste, tha ai, në marrëdhënie me partnerët në koalicion, ka për detyrë të diktojë tonin e qeverisjes, larg aludimeve, larg akuzave, apo intrigave, por me diskutim të hapur e transparent.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Vasilit, i cili tha se Majko nuk e njeh mirë realitetin.
Komentet