– Ka në këtë botë gjëra të pabesuara, të papara nga sytë dhe të padëgjuara nga veshët e njeriut. Por ja që kanë ndodhur. Jashtë kanoneve. Përtej mendjes dhe kapakut të kokës, nëpër llohërat e kohërave.
Njeriu i moshuar që rrëfente me zë të lartë, ulur në një tavolinë të klubit të qytetit të vogël, thoshin se ishte nga ato vise aty pranë lumit. Tjetri më i ri, e ndiqte rrëfimin vetëm me tundje koke. Herë-herë e shoqëronte plakun me pasthirrma si për t’i mbajtur ison: “Po-poo!”, “Uahh!!” ,“Ashtuuu!?”
Në fund të çdo ligjërate, lëshonte një habi: “Allaaah… allaaah!”
Kjo e fundit ishte për raste të padëgjuara kurrë më parë në historitë e asaj ane të jugut të vendit.
Gjatë rrëfimit, plaku i moçëm, mbështetur me të dyja pëllëmbët e stërmëdha mbi bastunin prej panje, sikur të mos i mjaftonte përqendrimi i dëgjuesit, herë pas here tundte qafën e stërgjatë, gati të rrjepur, si të përpiqej t’i shpëtonte një laku të padukshëm. Një lak i vendosur në zverkun e tij të rreshkur qyshkur, ndoshta që nga fëmijëria, apo më tej akoma, nga lindja e vështirë në ndonjë shtëpi guri fshati, a në ndonjë plevicë të mbuluar me kashtë thekre.
Dy klientët e tjerë të klubit, ulur pranë tyre në këndin e djathtë të derës, herë shikonin nga dritarja, herë hidhnin bishtin e syrit drejt fqinjëve rrëfimtarë.
– Një minutë! — tha papritur njëri prej tyre, ardhur nga qyteti fqinj.
– Çfarë?
-Më duket se plakun që po tregon këto historira, të që duket sikur ka dalë nga përrallat, e njoh.
– E nga e njeh ti? Nuk ka mundësi. Unë po, që e njoh. Ai është nga një fshat në kufi me rrethin tuaj dhe në skaj të rrethit tonë.
– Prit! Ule zërin! Po ti nga, dhe si, e njeh?
– Ka pasur vëllain në qytetin tonë dhe vinte herë pas here tek ai. I vëllai, ishte kollovar në një shtëpi me origjinë nga anët e Beratit, fqinj me shtëpinë e tim eti — dhe bëri me dorë në horizont, andej nga binte Berati.
– Ndoshta…
-Tani, ti nga e njeh këtë plak?
– Nga fëmijëria…
– Nuk të kuptoj. Po tallesh tani? Lëre të shkretin në shenjtërinë e tij. Ai ka moshën e gjysh-stërgjyshit tënd, të plakut Mere po deshe, dhe ti thua: “e njoh nga fëmijëria”?! – ironizoi tjetri me një grimasë talljeje.
– Nuk hedhim bast, por po deshe, pyete: a ka punuar dikur si postier në kooperativë? Dhe a ka pasur aso kohe një çantë të madhe të zezë, krahëqafë, ku fuste gazetat që merrte çdo ditë nga qyteti dhe i çonte në fshat, në Sajmol?
– E hedhim bastin po është kështu? Me një drekë sot, te lokali i Krojeve, te Shkëmbi i Bardhë.
-Më falni, xha Mina, – iu drejtua të moshuarit bashkëqytetari.
– A mund ta pyes xhaxhin, mikun tuaj të nderuar, nëse ka punuar dikur si postier në kooperativë?
Ai që quhej Mina i tha diçka me zë të ulët njeriut të moçëm, i cili, tani në profil, dukej sikur e kishte qafën edhe më të gjatë se më parë dhe ball të lartë. Dy tufëza flokësh të bardhë borë sa krahët e në harabeli i qëndronin si të ngjitura anash çaçkës së kokës.
Plaku vuri duart te llapat e veshëve dhe ia ktheu me zë të lartë:
– Lepe? Po, more zotni, po. Kam punuar dikur si postier në kooperativë. Çdo ditë shkoja nga fshati në qytet për të marrë shtypin e Partisë në kohë të Enverit, domethënë gazetat…
Rrëfimtari i moçëm që ngjante i dalë nga përrallat, dukej qartë se kishte probleme me dëgjimin. Por kishte qejf të fliste.
– Kisha një çantë të madhe meshini ku futja gazetat: Zëri i Popullit, Bashkimi, Puna, Zëri i Rinisë, Drita…
Heshti pak, sikur të kujtonte diçka, sikur kërkonte ndonjë titull tjetër gazete të mbetur në fund të çantës së famshme.
– Edhe Ylli, Pionieri… po, edhe Hosteni, edhe Shqiptarja e Re… Dale…
-Çanta rëndonte shumë kur mbushej plot, sidomos nga revistat që peshonin plumb në supet e mia. Por mua më dukej e lehtë, sepse njerëzit i prisnin me padurim në fshat për t’i lexuar. Nuk thoshin: “Erdhi shtypi apo gazeta?”, por: “Erdhi gjë Andoni?” Kjo më jepte forcë. Pastaj… unë këtë jetë e kisha të dytë. Qar e kisha, se i kisha shpëtuar njëherë plumbit të gjermanit, në atë jetën e parë…
Plaku nuk dha më shumë shpjegime. As pse e quante “qar” këtë jetë të dytë, as se cila kishte qenë ajo jeta e parë. Mos vallë ajo e përrallave, andej nga dukej se kishte dalë, me ato veçori psikofizike dhe qafën dramatike prej xhirafe, që fqinjëve kureshtarë u sillte ndër mend portretin e skulpturës së famshme të Odhise Paskalit, “I Urituri”?
-Faleminderit shumë! – thanë pothuaj me një gojë ata të tavolinës, që tani dinin më shumë për rrëfimtarin e moçëm.
– E dini ç’thoshim ne, kur ishim fëmijë, për xha Andonin e Sajmolit? – foli njëri prej tyre. – Kur e shihnim si e lëvizte qafën dhe kokën, herë nga njëra anë e herë nga tjetra?
– Çfarë thoshit?
– Një gjë që e kishim mësuar si të vërtetë nga të rriturit. Kur gjermanët hynë në fshatin e tij, mblodhën burrat që nuk arritën të largoheshin dhe i rreshtuan për t’i pushkatuar si njerëz që kishin ndihmuar partizanët. Mes tyre ishte edhe Andoni , atëherë një fëmijë kureshtar. E kishin kapur në rrugë dhe e rreshtuan bashkë me të rriturit. Kur u dha urdhëri për të hapur zjarr, atë, e mbuluan më të mëdhenjtë e rreshtit të dytë dhe nuk e kapi plumbi se, trupat e të pushkatuarve e kishin shpëtuar fëmijën.
-Ouu! Po pastaj?
-Pastaj tërë jetën fatkeqi, nuk u shërua dot nga qafa. Le që ku kishte spitale atëhere…Vite e vite më vonë ne e njohëm me zanatin e ri, atë të postierit të kooperativës që vinte çdo ditë nga fshati në qytet me atë çatën gjigande krahëqafë mbushur dingas me gazeta….
Por tani në pezulli mbetën pa përgjigje shumë pandehma të tjera: Përse e kishte jetë të dytë këtë tl sotmen? dhe as: Cila ishte ajo jeta e parë që kishte bërë ?Mos vallë në përralla, andej nga kishte dalë, me ato veçori psikofizike dhe qafën dramatike prej xhirafe që fqinjëve të tavolinës kureshtare, u kujtonte portretin e skulptorit të famshëm Odhise Paskali: “I Urituri”.?
-E habitshme. Hesht pak!-shtoi i ardhuri nga qyteti tjetër -Diçka po tregon për luftën italo-greke.
-Këtu mbi lumë,- dëgjohej zëri i lartë i plakut,- ishte vija e frontit të luftës dhe janë bërë disa beteja. Të përgjakshme. Ushtarët grekë me ata italianë. Ditë e natë. Bile, edhe trup me trup.
Duke gjerbur kafenë dhe ndjerë aromën e uzos në klubin e qytetit të vogël, të dy fqinjët e rrëfimtarit po përtypnin secili në heshtjet vet tregimet e të moçmit aty pranë.
***
– E di ti more byrazer ku ishte vija e frontit italo-grek? Nuk e di. Ta them unë. Ja, atje në majë kreshtash Pastaj shtrihej që nga majat, mbi fshatin tonë e deri sipër, në Golik e deri në Sheshin e Bukur. Bora kishte zbardhur çdo majë e luginë, çdo breg e kodër, e shpat e pemë….Unë isha fëmijë dhe pas luftimeve shikonim me habi borën e kuqe nga gjakut i të vrarëve.
Tymoste herë pas here cigaren e dredhur me duhan të rëndë fshati shtëllungat e së cilës në trajtë rrathësh mjegullonin hapësirën mes dy tavolinave me klientët e vetëm dhe të fundit të asaj dite.
– Gjaku ishte njëlloj: I kuq. I kuq gjaku i italianëve, i kuq edhe i ushtarëve grekë. Një ditë, vëllai im i madh më mori me vete te Sheshi i Bukur për të prerë degë hilqesh për dhitë. Kur shkuam të prisnin hilqe, mbetëm gojëhapur nga ajo që na panë sytë: Ushtarë të ngrirë në dëborë. Të përqafuar. Në të vërtetë, dukeshin ashtu në pamje të përqafur por, me armët ia kishin ngulur njeri-tjetrit .Të dy të ngrirë. Në përqafim. Ishin disa ushtarë kështu.
-Allah allah! O Zot i madh!-tha burri që dëgjonte i lebetitur.
-O zot!-u dëlgjua edhe bashkëbiseduesi i tavolinës fqinje.
-Pas dy ditësh nuk dëgjuam më krisma bombash pranë fshatit.
– Ç’kishte ndodhur?
Pranë fshatit tonë ishin vrarë atë ditë shumë ushtarë grekë dhe italianë. Plot. Vendi nxinte nga trupat e vrarë. Dëbora ishte skuqur vllanga-vllanga nga gjaku i tyre.
Pastaj nga pala italiane u shfaqën disa ushtarakë dhe një prift.
Të vrarët i kishin vendosur në rreshta, në dy krahët.
“Do bëjnë meshë”, më tha vëllai.
Ne e dinim ç’ishte mesha se në fshat kishim edhe Kishë, atë të Shën Mërisë edhe teqe se jemi edhe të krishterë, edhe myslimanë. Hapën dy kanale për varrosjen e tyre. Thanë se ishin dhjetra të vrarë nga grekët dhe shumë të tjerë nga italianët. Grupi me priftin italian thirrën edhe dy djem te rritur nga fshati, nja gjashtëmbëdhjet vjeçarë mbaj mend.
Dy djemve të rritur të fshatit tonë u dhanë nga një fletëz të vogël dhe u thanë të shkruanin gërmat “GR” , domethënë “Grecce”për t’i vendosur në trupat e ushtarëve grekë te kanali i parë. Me shenjën tjetër, “IT” për trupat e italianëve që i shtrinë në kanalin e dytë.
Pastaj hapën fletë çadre, domethënë, mushama mbi secilin kanal.
-Oh, Zot i madh,-përsëriste burri që dëgjonte ish fëmijën e dikurshëm që për ata të tavolinës tjetër ishte njeriu që dukej se kishte dalë nga përrallat.
-Mbaj mend se dy djemve u dhanë diçka, më duket ca lireta për punën që kishin bërë. Për këtë nuk jam i sigurt.-shtoi rrëfimtari që tani e lëvizje tragjikisht edhe më shpoesh qafën sa në njerin krah, edhe në tjetrin.
***
Imazhet dhe hollësitë e përcjella nga tavolina e rrëfimit u përjetuan thellë edhe nga dëgjuesit pranë tyre.
Prifti i huaj kishte nisur rituain e meshës duke folur për jetën mes atyre maleve dhe asaj dëbore të kuqe, të skuqur nga gjaku i ngrohtë i çasteve të fundit të jetës të këtyre ushtarëve që kishin luftuar edhe trup me trup, disa për liri dhe të tjerë, si pushtues.
Njeriu i perëndisë kishte bërë disa herë kryqin në ajrin e ftohtë. Qetësia u mbush me zërin e tij që jehoi në atmosferën e akullt dhe cikmave të ngrira ngado.
“Ati ynë që je në qiell…fali mëkatarët e tu. Pranoji ne gjirin tënd për t’u prehur në paqe….AMIN! (Padre nostro che sei nei cieli… perdona i tuoi peccatori. Accettalo nel tuo seno per riposare in pace. AMEN!)…
Një shi i imtë kish nisur rizonte atë ditë tragjike dimri në faqet e luginës së thellë, përfund shpateve të thukta shkëmbore dhe fushës së pjerrët aty pranë, ku ende dukeshin gjurmët e tymërat e betejës së fundit. Erërat e Vjosës rrihnin degët e ngrira të lisave, bredhave dhe valanidheve ndërsa dëbora vazhdonte të ishte e kuqe.
Parë nga fshati sipër, nën Golik, lumi poshtë në luginë dukej si një shall i madh blu i harkuar ardhur prej larg, sikur të ish nisur nga duart e dridhura të nënave dhe të dashurave për të fshirë lotët e fundit të ngrirë të të vrarëve barbarisht nga shiu i bombave që ranë mbi pozicionet e ushtarëve atë ditë të acartë kur avionët që shfaqeshin dy e nga dy dhe tre nga tre si shpendë të zinj metalikë, lëshonin tonelata bombash mbi vendstrehimet dhe transhetë malore të vijës së frontit.
Retë e buzëmuzgut, të bardha e të dendura në fillim, rrëshqitën ngadalë mbi luginën poshtë vijës së frontit, si shtëllunga leshi të shpërndara nga një dorë e padukshme. Ato mbuluan ngadalshmëm pllajën e pjerrët dhe tokën që mbante në gjirin e saj trupat e të vrarëve.
Dëbora e përzier me gjak, e humbi pak nga pak të kuqen e ndezur dhe mori më pas të purpurën e errët, si plagë e madhe që ftohet. Ajo dëborë ishte fjala e fundit e asaj dite lufte, përzier me amanetet e mbetura pezull për nënat, motrat dhe të dashurat që nuk do t’i shihnin më kurrë të dashurit e tyre.
Dukej, sikur vetë Zoti po thoshte përshpëirtjen, një rekuiem të heshtur për shpirtrat që po ngjiteshin lart, ndërsa pas tyre mbeteshin vetëm gjurmët e kuqe mbi savanin e bardhë të dëborës.
Dukej sikur mjegulla u trash e ndau luginën e mbarsur me dhimbje nga bota e të gjallëve. Atje poshtë mbetën trupat e të vrarëve ndërsa lart në qiell u ngjitën shpirtrat. Ndoshta përtej, kësaj mjegulle që ndante luginën e mbarsur me dhimbje shtriheshin hapësirat eterne të mjegullnajave të Hadit.
Ndërsa bora, ende e njomur nga gjaku, mbeti si dëshmitare e fundit e një lufte ku njerëzit, përpara se të ishin armiq, dikur kishin qenë thjesht bij nënash.///
