Rastësisht, tetë vjet më parë, Besi ishte njohur me Zanën. Ky nuk ishte vendim i menduar prej tij dhe as i qëllimshëm. Për Besin, kjo ishte një rastësi, një ironi e fatit, kundër të cilit ai luftoi për gjashtë vjet me radhë. Ai nuk kishte dashur të martohej me Zanën. Madje as nuk e dinte se kush ishte ajo. Atëherë Zana ishte 20 vjeç, ndërsa ai njëzet e dy, të dy në universitetin e Tiranës.
Në fillim ajo ishte thjesht një studente në vitin e dytë. Por, pas dy takimeve, ai u çmend pas saj. Ata u shoqëruan për pesë muaj deri sa dikush shkaktoi një krisje, duke thënë se Besi ishte treguar i zgjuar, që shoqërohej me Zanën, bukuroshen e vogël. Më pas ai e kuptoi përse. Zana ishte e bija një ofiqari të lartë. Besi u xhindos, madje u zemërua me gjithë furinë dhe naivitetin e një njëzetedyvjeçari, bile edhe me Zanën, që nuk ia kishte thënë.
– Si munde ta bësh këtë? Pse nuk më ke thënë ? – i shfryu ai asaj.
– Çfarë të thosha? Kush ishte babai im? Nuk mendova se do të të interesonte.
Ajo u zemërua nga ky sulm i tij. Se e kishte kuptuar tani sa krenar ishte i pëlqyeri i saj dhe gjëndjen shoqërore të familjes së tij.
– Ti e dije se do të më interesonte. Ç’të bëj tani?…
Ai e dinte më mirë se kushdo tjetër se nuk i përkiste asaj bote dhe se kështu do të ishte gjithmonë. Por e dinte se edhe Zana nuk do të mundëte të ishte pjesë e të jetonte kurrë në një familje të përbuzur të botës së tij. Por problem i vërtetë ishte se edhe ai nuk i përkiste as botës së tij. Nuk kishte rëndësi se sa kishte punuar ai për të qënë njëri prej tyre, por edhe t’i tregonte botës së atyre se ata ishin posi ata dhe ndoshta më shumë.
Besi, që në fëmini, kishte ulur kokën dhe kishte mësuar pa u lodhur. Dhe, falë aftësive të tij, kishte mbaruar gjimnazin shkëlqyeshëm. Nga kjo, në kërkesën e tij për të vazhduar shkollën e lartë, si degë të parë kishte vendosur mjekësinë, por dëshirës së tij i kishin thënë jo dhe ia kishin aprovuar për fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega matematikë, që gjithsesi ishte i kënaqur. Ai kishte patur disa histori dashurie të parëndësishme në gjimnaz e në lagje, por gjithçka ishte shumë e ngatërruar dhe lidhjet ndikoheshin në mënyrë të pashmangëshme që askush nuk priste të shkonte më tej se e nesërmja.
Pas mbarimit të universitetit me rezultate të larta dhe ishte kthyer në qytetin e tij të vogël, ai e kishte kuptuar se nuk i përkiste më atij vendi. Ideja për të punuar larg vendlindjes së tij, të cilën ia ushqeu edhe babai i vet, i pëlqeu dhe shprehu dëshirën vullnetarisht, për të punuar në Veri. Ashtu bëri, shkoi atje ku “kishte nevojë Atdheu”.
Sado i pasionuar që ishte pas punës e profesionit të vet, Besi nuk ndihej i plotësuar dhe kërkonte hapsira të reja kërkimi. Ato vite kishte filluar të përdorej programimi linear në ekonomi dhe ai u lidh me shumë ndërmarrje shtetërore dhe kooperativa bujqësore, për të dhënë kontributin e tij, ku fillimisht pritej me skepticizëm, duke u ndeshur edhe me specialistë të dobët e mosbesues. Mirëpo është e pamundur që e mira të neglizohet pa kufi. Shpejt ai u bë shumë i dëshiruar nga shumë ndërmarrje e kooperativa, sa nuk gjente dot kohë për t’iu përgjigjur të gjithëve.
Me kalimin e kohës, ai e ndjeu dhe e kuptoi se nuk ishte i lindur vetëm për kaq. Ambicia e tij shkonte edhe më tej. Ishte koha kur kishte filluar një bashkëpunim intensiv me revistën më prestigjioze në vend “Shkenca dhe jeta”. Ndonëse gjatë shkollimit të mesëm e të lartë si gjuhë të huaj kishte bërë rusisht e frëngjisht, i ishte futur vet edhe anglishtes. Gjatë viteve që ishte në Veri, të dielat e ditët e festave shkonte në Shkodër, ku, me anë të një miku të tij, u lidh me një ish-prift katolik, i cili dinte anglisht. Prifti i përbuzur e kuptoi karakterin e fortë të djaloshit dhe i besoi. Ai pranoi me qejf të punonte me të për mësimin e anglishtes. Pavarësisht se prifti nuk pranoi pagesë, ndonëse punonin me orë të zgjatura, djaloshi gjente mënyra për t’ia shpërblyer disi. Në moshën 25-vjeçare djaloshi zotëronte tri gjuhë të huaja: rusisht, italisht dhe anglisht. Italishten e kishte mësuar thjesht nga televizori, pasi, për fatin e tij, gjatë verës në vendbanimin e tij televizori merrte shumë kanale italiane.
Në këto rrethana Besi iu fut një pune më të gjerë studimore, si të thuash vjedhurazi, nëpërmjet kanaleve të komunikimit informativ edhe në gjuhët e huaja që zotëronte. Më pas shpesh ishte dukur nëpër institutet studimore të kryeqytetit, por, jo vetëm që e prisnin me mosbesim, por i vinin edhe epitete, siç u ndodhte shpesh njerëzve që binin pas studimeve të thelluara. Por kjo nuk zgjati shumë, se filluan ta ftonin vetë nëpër konferenca dhe grupe pune për studime shkencore. Kështu u bënë tre vite që Besi nuk kishte lidhje fare me Zanën, megjithëse ajo i kishte dërguar një kartolinë urimi për Vitin e Ri, por atij iu duk më e lehtë të mos i shkruante. Çdo t’i thoshte? Më vjen keq që ti je kaq e pasur dhe unë kaq i varfër? Paç një jetë të lumtur me njerëzit rreth Bllokut, ndërsa unë po përmirësoj biografinë nëpër zonat e thella…
Në mbarim të vitit të tretë mësimor, kur fillonin pushimet verore, duke u kthyer për në shtëpinë e tij, vendosi të kalonte dy – tri ditë në Tiranë. Rastësisht takoi një shokun e vet, që kishte ditëlindjen. Ai e ftoi dhe Besi pranoi. Atje gjeti dhe Zanën. Ajo ishte në prag të diplomimit në mjekësi. Besi mbeti pa frymë kur e pa. Ajo ishte më e bukur se kurrë. Kishin kaluar pothuajse tre vjet që s’ishin parë. Ishte shume i hutuar për të kuptuar që dhe pas katër vjet përpjekjesh për t’i qëndruar larg e për ta harruar, dridhej i tëri vetëm duke e parë.
– Ç’bën këtu? – e pyeti i frikësuar, a thua se ajo duhej të jetonte vetëm me kujtimet e tij të shkollës. Ajo e kishte kërkuar për muaj të tërë, pasi ai mbaroi universitetin, sidomos në fillim, kur ende s’kishte marrë emërimin. Ndërsa ai për shumë kohë e kishte përfshirë në të shkuarën dhe priste që ajo të qëndronte po aty. Po ky takim e solli menjëherë në të tashmen.
– Po përfundoj universitetin, – tha ajo, duke mbajtur frymën teksa e shihte. Ai dukej më i gjatë e më elegant, sytë i kishte më blu dhe flokët më të errët nga sa e mbante mend ajo. Gjithçka rreth tij dukej më intëresante tani. Ajo nuk e kishte harruar për asnjë çast. Besi ishte i vetmi, që ishte larguar prej saj, duke menduar se nuk mund t’i falte asgjë.
– Urime! – I tha ai shkurt dhe vazhdoi ta admironte.
– Kam dëgjuar se je emëruar në Veri, – i tha ajo me qetësi dhe ai pohoi. Duhet të ketë qënë e tmerrshme për Zanën. Nguronte të mos e trembte, duke bërë ndonjë lëvizje të gabuar. E dinte sa krenar ishte ai dhe nuk do t’i afrohej kurrë. Edhe ai e vështronte pareshtur. Pyeste veten, ç’kishte bërë ajo dhe çfarë kërkonte prej tij. Por dukej krejt e pafajshme, pavarësisht nga e kaluara në dukje kërcënuese. Për të ajo kishte qënë një kërcënim për lirinë dhe pavarësinë e tij, një lidhje e pabazuar përmes të shkuarës, që ai nuk mund ta jetonte për shumë kohë dhe të ardhmes, që dëshironte. Kishte parë shumë që nga koha kur ishin takuar për të fundit herë dhe teksa e shihte tani, kujtonte me vështirësi gjërat, prej të cilave trembej dikur. Ajo dukej e frikësuar, por e re, naive dhe jashtzakonisht tërheqëse. Folën për orë të tëra atë natë dhe ai e shoqëroi për në shtëpi.
Ndonëse e dinte se nuk duhej ta bënte, të nesërmen i telefonoi. Dukej kaq e lehtë në fillim, saqë ai mendoi se mund të ishin vetëm shokë, çka asnjëri prej tyre nuk e besonte. Por ai dinte vetëm se donte të rrinte pranë saj. Ajo ishte rrezatuese, gazmore dhe i kuptonte ndjenjat e tij të çmendura, pse ai nuk e gjente veten në asnjë vend dhe se çfarë donte të bënte në jetë. Thellë-thellë ai donte ta ndryshonte botën ose të paktën të bënte një ndryshim. Ajo ishte e vetmja që mund ta kuptonte këtë. Gjithçka te Besi tregonte se ai ishte udhëheqës, me një shtat mbresëlënës, në se e shihje në sy do të gjeje mirësi, forcë, një zemër të ngrohtë dhe një ndjenjë humori. Kishte diçka më tepër tek ai, se sa një kostumi të qepur mirë, një këmishe të hekurosur mirë, kravate të bukur apo një çante lëkure të kushtueshme.
Tirana ishte e veçantë për Besin, ishte kulmi i gjithçkaje, që kishte ëndërruar. Kishte punuar shumë për gjithçka kishte arritur e megjithatë, i dukej se një pjesë të tyre e kishte arritur me lehtësi. Kjo buronte nga energjitë e tij të pakonsumuara. Por ai e dinte më mirë se kushdo tjetër se nuk ishte kështu. Nuk kishte lehtësira në jetë. Njeriu punon për të patur ato që ka ose ndryshe nuk ka asgjë. Por papritur, po atë verë e thirrën në ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Nevoja e kishte detyruar ministrin ta afronte pedagog në fakultetin e Shkencave të Natyrës. Por Tirana kishte tani diçka më shumë, atje jetonte Zana tërheqëse.
Dhe kështu Besi mbajti dy vjet lidhje me Zanën, pasi e gjeti sërish. Pas diplomimit ajo zuri punë në spitalin ushtarak. Ajo çmendej pas tij, por ai ishte i prerë se ata nuk mund të martoheshin. Bile ai i thoshte që ajo të përqëndrohej tek puna dhe të shoqërohej me djem të tjerë. Në të vërtetë ai nuk mund të ndahej prej saj as ta detyronte të bënte këtë. Ishin shumë të lidhur në një kohë që Zana nuk ishte e bindur në se ai e donte me të vërtetë apo jo, deri sa ndërhyri babai i saj. Ishte burrë i mençur. Nuk foli asgjë për historinë e tyre. Ai e ndiente se kjo ishte mënyra e vetme që Besi të mos ishte aq i kujdesshëm. Ai, ndryshe nga formimi dhe bindjet e tij, dëshironte që e bija të martohej me Besin. Vetë ai kishte dalluar diçka tek ai djalosh, diçka që as ai vetë nuk e kishte kuptuar. Besi kishte cilësi udhëheqësish, që pak burra e kanë, një forcë të qetë dhe kurajo të rrallë. Ai e dinte se kudo që të punonte Besi do të punonte mirë…
Në muajt e ardhshëm, Besi u përqëndrua më tepër në punë, se në dashuri. Kjo në fillim e mërziti Zanën, por, kur iu ankua të atit, ai me mençuri i tha të tregohej e duruar. Dhe në fakt Besi ndihej më i çlodhur, shqetësohej më pak dhe për çdo projekt që kishte për të ardhmen. Ndërkohë edhe Zana u qetësua, sepse ai linte më shumë hapësira për zbavitje dhe argëtim. Vetë Besi u habit se sa mirë ndihej me ata dhe se sa i qetë ndihej në botën e saj. Karriera po i shkonte mirë dhe pavarësisht nga habia e tij, asnjërit nuk i interesonte se nga ishte apo si arriti aty. Në fakt dukej se të gjithë e pëlqenin dhe e pranonin. Bile Besit kishte filluar t’i dukej se ai i përkiste asaj bote, kurse Zana nuk kishte dyshuar kurrë se ai do të ishte burri i duhur për të.
Së pari Besi i telefonoi dhe i tregoi motrës. E motra nxitoi te nëna e saj dhe të dy u emocionuan, duke shtrënguar njëra-tjetrën në qafë. Përfundimisht vetëm i ati ishte kundër asaj martese. Kjo ishte zhgënjyese për Besin. I ati ashtu siç mendonte se puna na Tiranë do të ishte mundësi e shkëlqyer për të, po ashtu ishte kundër kësaj martese. Ishte plotësisht i bindur se Besi do të pendohej për këtë hap gjithë jetën.
– Ti gjithmonë do të jesh i huaj, po të martohesh me atë, bir. Nuk është e drejtë, nuk është e ndershme, por kështu ka për të qënë. Sa herë ata do të shohin, do të kujtojnë si ke qënë në fillim e jo si je tani. Por Besi nuk e besonte këtë. Ai ishte rritur në botën e saj. Ajo tashmë ishte e tij dhe bota e tij dukej një tjetër jetë. E shkuara nuk ishte më pjesë e tij, ishte e huaj tashmë. Dukej sikur ishte rritur aksidentalisht në atë qytet të vogël periferik ose sikur kishte qënë dikush tjetër dhe nuk kishte qënë më kurrë atje…
FUNDI I PJESES SE PARE
Komentet