Për mëngjes përgatis zakonisht porixh (poridge), tërshërë me pak miell orizi që e ziej me qumësht dhije dhe e shtoj me fara, mjaltë dhe arrorë;
për t’i alternuar përgatis vezë omletë, vezë sy apo të përziera me djathtë e proshutë që i shoqëroj me ndonjë sallatë e çfarë të ketë shtëpia.
Të dy me Skënderin mund të kënaqemi mrekullisht me tërshërë të zjerë, që e shtojmë me kos dhe pak mjaltë, por preokupimi janë djemtë që t’u ofroj një mëngjes sa më të shëndetshëm.
Për porrixh bëjnë reaksion dhe unë për t’i marrë me të mirë u them se nesër do t’ju përgatis palaçinka. Dhe si me magji nuk i zgjasin më kritikat.
Si sot. Në mes të punëve dhe të ngarkesave të ditës, natyrisht që gjej kohën për të gatuar dhe kënaqur gjithë familjen time.
Palaçinkat janë të traditës tonë familjare: stërgjyshja i përgatiste për fëmijët e saj dhe gjyshen time e pastaj për nipat e mbesat;
gjyshja ime për mamin, tezen dhe dajat e pastaj për nuset, nipat e mbesat;
mami për mua dhe kur u zgjerua familja për ne dhe veçanërisht për Prizrenin dhe Endritin;
tani që mamit po i bëhen 3 vjet që na sheh nga Parajsa, i përgatis unë.
Djemtë kënaqen, i shijojnë, heshtin, kujtojnë gjyshërit e tyre dhe aty këtu më hedhin ndonjë fjalë të mirë!
Unë i lutem Zotit që të kem mundësi t’ju përgatis palaçinkat edhe nipave e mbesave tanë apo stërnipave dhe stërmbesave!
Kushedi, këtu e ka Zoti fjalën!
Receta e palaçinkave
Qumësht,vezë, miell, një majë luge kafeje kripë dhe që të gjitha përzihen që të jenë një masë e lëngët por konsistente
Në tigan me temperaturë të lartë hidhet pak gjalpë dhe pastaj fillon skuqja sikur vezët omlet, duke u kthyer nga të dy anët.
Kur përfundon skuqja, u shpërndahet mjaltë, u hidhen arra të grira dhe pastaj bëhen si rule duke u pudrosur me pak kanellë.
Në vend të mjaltit, përdoret reçel ose edhe me të kripura.
Ju bëftë mirë

Komentet