VOAL

VOAL

Mediat izralite: Presidenti palestinez ka punuar për KGB-në

September 8, 2016

Komentet

Putini uron Trumpin për fitoren në zgjedhje

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane të mbajtura më 5 nëntor.

Këto janë deklaratat e para publike të udhëheqësit rus lidhur me rezultatin e zgjedhjeve amerikane, ku Trump mposhti nënpresidenten demokrate, Kamala Harris.

Putin uroi Trumpin pas një fjalimi që mbajti gjatë një konference ndërkombëtare në Soçi në Detin e Zi.

“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta uroj atë për zgjedhjen si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Putin.

I pyetur nëse është i hapur për të mbajtur bisedime me Trumpin, udhëheqësi rus tha: “Jam gati”.

Putin shtoi se Trumpi ka thënë se “ka dëshirë të rivendosë raportet me Rusinë, për të ndihmuar në përfundimin e krizës ukrainas dhe për mendimin tim, ai të paktën meriton vëmendje”.

I pyetur se çfarë pret nga mandati i dytë i Trumpit si president, Putin tha “nuk e di se çfarë do të ndodhë tani, nuk e kam idenë”.

“Për të, ky do të jetë mandati i fundit presidencial. Ai do të bëjë punën e tij”, tha Putin.

Trump tha se ishte gjithashtu i përgatitur për një bisedë me Putinin.

“Mendoj se do të flasim”, tha Trump në një intervistë për NBC News.

Ai shtoi se kishte folur me “ndoshta” 70 liderë botërorë që nga mëngjesi i 6 nëntorit, por Putin nuk ishte në mes tyre.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte deklaruar se nëse zgjidhej president, ai do t’i jepte fund shumë shpejt luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022. Po ashtu, ai ka kritkuar dihmën miliardëshe që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës.

Më herët, Kremlini kishte mirëpritur pretendimin e Trumpit se mund të negociojë përfundimin e luftës në Ukrainë “brenda 24 orëve”, por theksoi se do të presë për hapa konkretë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më herët gjatë ditës se nuk përjashtohet mundësia e bisedimeve mes Putinit dhe Trumpit, para inaugurimit të këtij të fundit më 20 janar 2025.

Më herët gjatë 7 nëntorit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha do të ishte “vetëvrasëse” për Evropën nëse i ofron koncesione Kreminit për të ndalur pushtimin e Ukrainës.

Ai kritikoi ata që i bëjnë thirrje Ukrainës që të plotësojë disa nga kërkesat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe i bëri thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që të mos i dobësojnë raportet pas zgjedhjes së Donald Trumpit president të SHBA-së.

Rusia ka paraqitur disa kërkesa për luftën në Ukrainë, sikurse është marrja e kontrollit të plotë të pesë rajoneve ukrainase, edhe të pjesëve që akutalisht kontrollohen nga Kievi. Po ashtu, Moska kërkon që të ketë një ndalesë të përhershme për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. REL

OKB: Gati 70% e të vdekurve nga lufta në Gazë janë gra dhe fëmijë

Palestinezët reagojnë pasi, një shkollë që strehonte personat e zhvendosur, u godit nga një sulm izraelit, në kampin e plazhit në qytetin e Gazës, 7 nëntor 2024.

 

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka thënë të premten se gati 70 për qind e viktimave që i ka verifikuar në luftën e Gazës, janë gra dhe fëmijë, duke thënë se e dënon shkeljen sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar.

Gjetjet e OKB-së mbulojnë shtatë muajt e parë të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës, e cila nisi para më shumë se një viti.

Zyra e OKB-së i verifikoi 8.119 viktima gjatë shtatë muajve të parë të luftës. Por, kjo shifër është jashtëzakonisht e ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të të vrarëve, mbi 43.000, gjatë 13 muajve luftë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Megjithatë, verifikimi i moshës dhe gjinisë së viktimave nga OKB-ja mbështet pohimet e palestinezëve se shumica e të vrarëve në luftë janë gra dhe fëmijë.

Këto gjetje tregojnë “për një shkelje sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar”, tha zyra e OKB-së në një komunikatë.

Izraeli nuk i ka komentuar ende gjetjet e raportit 32-faqesh të OKB-së.

Ushtria izraelite – e cila e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit 2023, pasi luftëtarët e Hamasit i vranë rreth 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe i rrëmbyen më shume se 250 të tjerë – thotë se kujdeset që të mos i dëmtojë civilët në Gazë.

Për vrasjen e civilëve ajo e fajëson Hamasin, duke e akuzuar atë se i përdor ata si mburojë njerëzore.

Hamasi i ka mohuar akuzat se i përdor civilët dhe infrastrukturën civile, përfshirë spitalet, si mburoja njerëzore.

Viktima më e re vdekja e të cilit u verifikua nga vëzhguesit e OKB-së ishte një djalë njëditësh, ndërsa më e vjetra ishte një grua 97-vjeçare, thuhet në raport.

Në total, 44 për qind e viktimave ishin fëmijë. REL

Putini shfaqet i patrazuar nga fitorja e Trumpit

Steve Gutterman

Teksa liderët nga e mbarë bota nisën të uronin kur u bë e qartë se Donald Trump kishte fituar mandatin e dytë presidencial, nuk kishte asnjë sinjal të ndonjë mesazhi nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe zëdhënësi i tij sugjeroi se një mesazh i tillë mund të mos vinte kurrë.

Ueb-faqja e Kremlinit, ku postohen gjërat e tilla, ishte e dominuar nga pjesëmarrja online e Putinit në ceremoninë për lansimin e një akullthyesi që funksionon me energji bërthamore – një simbol i rolit të Rusisë në Arktik, ku ajo është në garë për burime me Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera.

Sinjali ishte i pastër si loti dhe do të kishte qenë i tillë edhe nëse zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk do të thoshte se lansimi i akullthyesit ishte “më i rëndësishëm” për rusët sesa zgjedhjet amerikane. Kjo ishte pjesë e përpjekjeve nga Putini, Kremlini dhe mediat e lidhura me shtetin për ta paraqitur Rusinë dhe Qeverinë e saj si indiferentë ndaj rezultatit të zgjedhjeve amerikane.

Putin nuk komentoi për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane deri në mbrëmjen e 7 nëntorit, kur ai uroi Trumpin disa orë pasi mbajti një fjalim në një forum në qytetin turistik të Soçit.

Putin lavdëroi Trumpin, duke thënë se ai kishte treguar “guxim” kur një sulmues i armatosur tentoi ta vriste në korrik. Putin foli edhe për ato që i quajti deklarata të Trumpit lidhur me dëshirën për të “rivendosur marrëdhëniet” me Moskën dhe “të për të shtyrë përpara përfundimin e krizës së Ukrainës” – referencë për luftën e plotë që Putini nisi kundër shtetit fqinj më 2022 – duke thënë se këto deklarata,“meritojnë vëmendje”.

Deklaratat e bëra në Soçi duket se mbështesin vlerësimin e vëzhguesve se indiferenca e shfaqur nga Putini ishte vetëm për të krijuar paqartësi.

Për më tepër: Kremlini po shpresonte për fitoren e Trumpit, gjerësisht për shkak se do ta vinte në dyshim mbështetjen amerikane për Ukrainën në të ardhmen ose, Rusia po shpresonte për një fitore të ngushtë të nënpresidentes Kamala Harris, që potencialisht mund të shkaktonte kaos në SHBA, nëse një fitore e tillë do të kontestohej nga Trumpi dhe mbështetësit e tij.

Ideja ishte që nëse Trump fiton, “mundësitë për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën do të viheshin në rrezik, Evropën do ta kapte paniku dhe aleanca e NATO-s do të rrezikonte të prishej”, shkroi analisti për Rusinë, Mark Galeotti.

“Sidoqoftë, edhe nëse Harrisi do të fitonte, ata prisnin që mbështetësit e Trumpit do të pretendonin se kishte pasur mashtrime zgjedhore dhe të kishte akuza dhe sfida pasuese që do ta paralizonin administratën e re”, tha Galeotti në një artikull të botuar në gazetën britanike, The, më 6 nëntor.

Putin, të cilit i pëlqen të tallet me Perëndimin dhe ta lë atë që të hamendësojë për shpresat, planet dhe motivet e tij, pohoi në shtator se ai preferonte Harrisin. Ajo deklaratë ishte pjesë e asaj që mund të ketë qenë një përpjekje e përbashkët e Kremlinit për të shmangur përshtypjen se Putini dhe Qeveria e tij shpresonin se Trump do të fitonte.

Për këtë qëllim, pati mjaft kritika ndaj Trumpit në televizionin shtetëror në kohën kur fushata presidenciale në SHBA po zhvillohej.

Duke folur për televizionin shtetëror, Channel One, në fund të korrikut, vëzhguesi ushtarak Dmtry Drozdenko e quajti Trumpin “skllav të shtetit të thellë: ai nuk mund të bëjë asgjë për këtë, ai nuk ka fuqi, në këtë mënyrë është e organizuar Amerika”.

“Më 2016, në pjesën më të madhe të atij viti, ne e donim shumë Trumpin”, tha në qershor një komentator në kanalin në internet të prezantuesit televiziv pro Kremlinit, Vladimir Solovyov. “Ne madje kishim… njerëz që pikturuan triptikë: Trump, [politikanja franceze e ekstremit të djathtë, Marine] Le Pen dhe [Putin]. Epo, në fund, çfarë fituam nga kjo?”.

Pasi fitoi Trumpi, toni mes komentuesve pro Kremlinit ishte më optimist.

Por, gjatë emisionit të tij mbrëmjen e 6 nëntorit, Solovyov paralajmëroi kundër entuziazmit të tepruar.

“Nuk kemi nevojë për festë. Ne nuk duhet të jemi shumë të lumtur apo që të festojmë për të”, tha ai. “Ne duhet të vëzhgojmë atë që po ndodh dhe të nxjerrim përfundime të arsyeshme”.

Përderisa Putini ofroi urimin e tij jozyrtar përmes deklaratave të bëra më 7 nëntor, ka disa arsye se pse ai priti kaq gjatë dhe nuk iu bashkua udhëheqësve të tjerë botërorë më 6 nëntor në urimet e tyre dhe po ashtu duket se ky urim i bërë nga Putini nuk është bërë në mënyrë shumë zyrtare.

E para, Putin ka demonizuar SHBA-në dhe e ka paraqitur pushtimin e Ukrainës, që Rusia e nisi më 2022, si pjesë e një lufte civilizuese kundër një Perëndimi agresiv dhe të pamoralshëm.

Në këtë kontekst, Putin dëshiron të shmangë çdo përshtypje se ai po shpreson për një shkrirje të marrëdhënieve me Uashingtonin, ose ka të ngjarë që të zbutet dhe të bëjë koncesione për çdo çështje kontestuese – siç është lufta në Ukrainë – me Trumpin në pushtet.

Dëshira që të duket i përmbajtur ndoshta është edhe më e fortë pas raportimeve se Trump dërgoi fshehurazi pajisje për testim të COVID-it te Putini gjatë pandemisë së koronavirusit dhe se të dy kanë biseduar disa herë që kur Trump u largua nga detyra, diçka që ekipi i Trumpit e ka mohuar.

Përveç optikës – dëshira për t’u dukur i paanshëm dhe i pashqetësuar – kujdesi i Kremlinit mund të pasqyrojë po ashtu pasigurinë se si Trump saktësisht do ta trajtojë pushtimin rus të Ukrainës.

Kritikat nga Trumpi dhe nga i përzgjedhuri i tij për nënpresident, JD Vance, për dhjetëra miliarda dollarë në armë dhe ndihmë tjetër që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës gjatë administratës së presidentit Joe Biden, rriti shpresat në Kremlin se mbështetja perëndimore për Kievin do të dobësohet shpejt, duke i dhënë Rusisë një avantazh të madh në fushëbetejë.

Trump gjatë fushatës presidenciale vazhdimisht pretendoi se nëse zgjidhej do t’i jepte fund luftës shumë shpejt, duke shkaktuar frikë në Kiev dhe në mesin e mbështetësve të tij se SHBA-ja mund të shtyjë përpara një marrëveshje që i jep shumë pak Kievit dhe shumë Moskës, duke përfshirë territorin që Ukraina aktualisht e kontrollon.

Por, Trump ka thënë pak lidhur me atë se si do t’i sillte palët në tryezën e negociatave. Pra, për momentin, të paktën duket se nuk ka asnjë motiv që Putini të sinjalizojë se ai është i përgatitur për paqe dhe të pranojë diçka tjetër që nuk janë kushtet e vendosura nga Rusia.

Ndër të tjera, kushtet e Rusisë përfshijnë kontrollin e plotë rus mbi pesë rajone të Ukrainës, përfshirë pjesë që aktualisht nuk janë të pushtuara nga forcat e Moskës dhe ndalimin e përhershëm të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Pak kohë para se Putini të fliste në Soçi, sekretari i tij në Këshillin e Sigurisë dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, foli për luftën në Ukrainë, duke thënë se “Perëndimi përballet me një zgjedhje: të vazhdojë të financojë [mbrojtjen e Kievit kundër pushtimit rus] dhe të shkatërrojë popullsinë ukrainase, apo të njohë realitetet aktuale dhe të nisë negociatat”.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Rusia po mbledh dhjetëra mijëra trupa në Kursk, thotë Ukraina

Gjenerali Oleksandr Syrskiy (djathtas) i jep informacion presidentit Volodymyr Zelensky (në mes) mbi situatën në vijën e frontit, në gusht.

 

Rusia ka mbledhur rreth 45 mijë trupa në Kursk, si sinjal se mund të jetë duke e përgatitur një kundërofensivë për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni, tha komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskiy, më 6 nëntor.

Ai shtoi se Moska po tenton gjithashtu ta forcojë efektivitetin e saj me ushtarë nga Koreja e Veriut.

Komentet e Syrskiyt në rrjetet sociale erdhën të njëjtën ditë kur dhoma e sipërme e parlamentit të Rusisë, Këshilli i Federatës, ratifikoi një traktat me Phenianin që parashikon ndihmë ushtarake të ndërsjellë, një veprim që ndodhi pasi Uashingtoni konfirmoi dërgimin e 10.000 ushtarëve nga Koreja e Veriut në Rusi.

“Armiku ka grumbulluar rreth 45.000 trupa atje. Dhe po përpiqet ta shtojë numrin e tyre. Ushtria ruse vetë nuk është e mjaftueshme në këtë drejtim, prandaj po përpiqet të tërheqë personel ushtarak nga Koreja e Veriut”, shkroi Syrskiy në Telegram.

Ukraina pretendohet se kontrollon më shumë se 1.000 kilometra katrorë territor në Kursk pas një ndërhyrjeje të papritur brenda rajonit rus që ka filluar më 6 gusht.

Lëvizja e Kievit erdhi si një befasi, pasi forcat e tij të shterura po luftonin në lindje të Ukrainës kundër një ofensivë të ashpër nga forcat ruse, që ishin më të shumta, më të pajisura dhe më të armatosura.

Syrskiy tha se ndërhyrja ishte e nevojshme si një goditje parandaluese kundër një sulmi të mundshëm rus nga Kursku në rajonin ukrainas të Sumyt.

“Për këtë arsye, u vendos të zhvillohet një operacion ofensiv parandalues, duke e transferuar luftën në territorin e armikut në rajonin e Kurskut”, shkroi Syrskiy.

Ai gjithashtu pretendoi se që nga fillimi i ndërhyrjes së Ukrainës në Kursk, janë vrarë 7.905 ushtarë rusë, 12.220 janë plagosur dhe 717 janë kapur.

Shifrat e paraqitura nga Syrskiy nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

Më herët më 6 nëntor, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 38 nga 63 dronët e lëshuar nga Rusia në nëntë rajone, njoftoi Forca Ajrore në Telegram.

Njëzet e dy dronë të tjerë u humbën pasi sistemet e tyre të navigacionit u bllokuan nga njësitë e luftës elektronike ukrainase, shtoi forca ajrore.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit juglindor të Zaporizhjas tha se numri i viktimave pas një sulmi me raketë të Rusisë në rajonin e tij kishte arritur në shtatë të vdekur dhe 25 të plagosur.

Rusia ka shtuar sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës ndërsa po afrohet dimri i tretë në luftë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi tre dronë ukrainas mbi rajonet e Kurskut dhe Oryolit.REL

Trumpi shpalli fitoren, Mark Rutte: Udhëheqja e tij, kyçe për ta mbajtur NATO-n të fortë

Donald Trump shpalli pak më parë fitoren në fjalimin e tij në Florida, ndërkohë që urime kanë nisur të vijnë nga e gjithë bota.

Mes tyre ka qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili në një postim në rrjetin social “X” shkruan se udhëheqja e Trump do të jetë kyçe për ta mbajtur NATO-n të fortë.

“Sapo urova Donald Trumpin për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Udhëheqja e tij do të jetë edhe një herë kyçe për ta mbajtur aleancën tonë të fortë. Mezi pres të punoj me të dhe të avancojmë paqen përmes NATO-s”, ka shkruar Rutte në platformën “X”. sn

Udhëheqës botërorë përgëzojnë ish Presidentin Trump

VOA

Udhëheqës nga e gjithë bota përgëzuan të mërkurën ish Presidentin Donald Trump, i cili është më afër fitores në zgjedhjet e së martës.

Kryeministri britanik Keir Starmer e uroi zotin Donald Trump, pak pasi kandidati republikan shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim”, tha kryeministri Starmer në një postim në rrjetin X të mërkurën.

“Unë e di se marrëdhënia e posaçme ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të përparojë në të dyja anët e Atlantikut për vitet në vijim”, shkroi ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron uroi zotin Trump duke theksuar se është I gatshëm të punojë me të “ siç bëmë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe begati”, shkroi ai në rrjetin X.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke e uruar Presidentin Trump, shkroi se “Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku me sukses për një kohë të gjatë për të nxitur përparimin dhe lirinë në të dyja anët e Atlantikut. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë”.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha në urimin e saj për zotin Trump se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të palëkundur”.

“Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se tani do ta forcojmë edhe më tej”, shkroi ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se e ka uruar zotin Trump pëe fitoren, duke theksuar se “udhëheqja e tij do të jetë përsëri thelbësore për të mbajtur të fortë aleancën tonë. Mezi pres të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes NATO-s”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen uroi zotin Trump duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë “më shumë se thjesht aleatë”.

“Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike…”, tha ajo në një postim në rrejtin X.

Edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgëzoi zotin Trump për atë që e quajti një fitore “mbresëlënëse”.

“Unë e çmoj angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të sjellë më afër paqen në Ukrainë”, shkroi Presidenti Zelensky në rrjetin X.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përgëzoi zotin Trump për “rikthimin më të madh ndonjëherë”.

“Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë mundëson një fillim të ri për Amerikën dhe një përkushtim të ri të madh për aleancën e mrekullueshme mes Izraelit dhe Amerikës. Kjo është fitore e madhe!”, shkroi kryeministri Netanyahu.

Forcat ukrainase bombardojnë trupat e Koresë së Veriut në Rusi

VOA/Marrë nga Associated Press

KIEV – Trupat e Koresë së Veriut që u dërguan në Rusi kohët e fundit për të mbështetur ushtrinë ruse në luftën e saj në Ukrainë, janë sulmuar nga forcat ukrainase, tha të martën një zyrtar ukrainas.

Kjo është hera e parë që një zyrtar ukrainas njofton se njësitë ushtarake të Phenianit janë sulmuar pas dislokimit të tyre, i cili paraqet një ndërlikim të ri në luftë.

“Trupat e Koresë së Veriut janë bombarduar, në rajonin e Kurskut”, tha shefi i sektorit të kundërpërgjigjes ndaj dezinformimit Andrii Kovalenko përmes një postimi në platformën Telegram. Ai nuk dha detaje tjera.

Qeveritë perëndimore kishin parashikuar që ushtarët e Koresë së Veriut do të dërgoheshin në rajonin kufitar të Kurskut, në brendësi të Rusisë, ku para 3 muajsh ushtria ukrainase mori nën kontroll disa territore ruse, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke turpëruar Kremlinin.

Sipas vlerësimeve të agjencive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara, të Koresë së Jugut dhe Ukrainës, Pheniani ka dërguar rreth 12,000 forca në luftë në kuadër të një marrëveshjeje me Moskën.

Forcat e Koresë së Veriut, cilësia e të cilëve në fushëbetejë mbetet e panjohur, po i kontribuojnë përkeqësimit të situatës në fushëbetejë në Ukrainë.

Ushtria ukrainase, sidomos në rajonin e Donetskut, ka filluar të ndjejë trysninë e sulmit të vazhdueshëm rus.

Përparimet e Rusisë në terren janë përshpejtuar gjatë muajve të fundit, me fitore në fushëbetejë, që në disa raste shkojnë deri në 9 kilometra në zona të ndryshme të Donetskut, njoftoi të martën Ministria britanike e Mbrojtjes përmes një postimi në platformën X.

Sipas saj, Rusia ka numerikisht më shumë forca dhe përkundër numrit të madh të humbjeve në ushtarë, Kremlini po tregohet i suksesshëm në procesin e rekrutimit, duke arritur të dërgojë forca të reja në fushëbetejë.

Rusia ka përparuar në fushëbetejë gjatë vitit të fundit. Zyrtarët ukrainas janë ankuar prej kohe që përkrahja ushtarake e Perëndimit po vonon.

Në fillim të tetorit, forcat ruse morën nën kontroll Vuhledarin, një qytet në maje të një kodre me rëndësi taktike në pjesën lindore të Ukrainës.

Ai ishte pjesë e rëndësishme në frontin lindor të mbrojtjes së Ukrainës. Objektivat e ardhshme të Rusisë mendohet të jenë një pikë logjistike në Pokrovsk dhe qyteti i rëndësisë strategjike Chasiv Yar.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj vendbanimeve, sipas autoriteteve.

Një sulm të martën në mëngjes në qytetin Zaporizhia shkaktoi vdekjen e gjashtë personave dhe plagosjen e 16 të tjerëve, sipas guvernatorit rajonal Ivan Fedorov.

Shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andrii Yermak, tha se sulmet ruse “duhet të ndalen me një veprim të fuqishëm”.

“Duhet një qëndrim më i fuqishëm i aleatëve perëndimorë të Ukrainës”, shkroi ai në platformën Telegram.

Zjarre misterioze në ujërat e Detit të Zi të Rusisë, ç’po ndodh pranë ishullit të gjarpërinjve

Fotot satelitore tregojnë një seri zjarresh me origjinë të panjohur në ujërat e Detit të Zi të Rusisë pranë një ishulli ukrainas, sipas Fire Information for Resource Management (FIRM) të NASA- s.

Zjarret ndodhen në Detin e Zi në vende pa pajisje për prodhimin e gazit dhe naftës, tha grupi i monitorimit të Erës së Krimesë në Telegram.

Grupi postoi foto të gjetjeve të tij duke shkruar: “diçka serioze po ndodh në det, për të cilën ne nuk dimë pothuajse asgjë. Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës nuk komentojnë praninë dhe shkaqet e zjarreve në det.”

Grupi i monitorimit të Erës së Krimesë vuri në dukje gjithashtu se shenjat e përhershme të zjarrit u regjistruan në vendin e “pushimeve Boyko” dhe theksoi se krahasuar me fotot nga 2 tetori, një “shenjë e re zjarri u shfaq më 2 nëntor” e ndjekur nga dy të tjera një ditë më vonë.

Zjarret janë në ujërat ngjitur me ishullin e gjarpërinjve, i njohur gjithashtu si ishulli Zmiinyi, në veriperëndim të Detit të Zi pranë Rumanisë. Ky mbetet një territor i kontestuar në luftën Rusi-Ukrainë.

Ishulli i gjarpërinjve është thelbësor për aktivitetet civile, tregtare dhe ushtarake, pasi është një pjesë kyçe e transportit brenda dhe jashtë Detit të Zi, sipas kreut të agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës GUR.

Rusia mbajti kontrollin e territorit derisa Ukraina e rifitoi atë në qershor 2022 pasi Moska tërhoqi trupat e saj në një ” gjest vullneti të mirë”.

Ishulli ukrainas ishte një nga objektivat e para ruse në fillim të luftës. Para vitit 2022, Moska kishte kapur disa platforma të shpimit të gazit menjëherë pasi aneksoi Krimenë në 2014.

Vitin e kaluar, Ukraina tha se rifitoi kontrollin e platformave, të njohura si Boyko Towers .

Në fillim të tetorit, u shfaq një video e trupave ukrainase dhe ruse që luftonin pranë postës së Detit të Zi në perëndim të Krimesë.

Në pamjet, shihen ushtarë ukrainas duke sekuestruar platformat e prodhimit të gazit gjatë natës, të cilat mbetën nën kontrollin rus.

Një zjarr u regjistrua gjithashtu në Feodosia në bregun e Krimesë në fillim të muajit të kaluar, por nuk u publikuan detaje se çfarë e shkaktoi zjarrin, sipas Reuters.

Oleg Kryuchkov, një këshilltar i kreut të Krimesë nuk raportoi për viktima pavarësisht se disa tanke karburanti u ndezën.

Kullat Boyko gjithashtu morën zjarr më parë në fund të gushtit, pasi të tre platformat e shpimit në lindje të ishullit Zmiinyi u sulmuan. bw

Irani ekzekuton një hebre për vrasje që ai pretendoi se e kishte kryer në vetëmbrojtje

Arvin Ghahremani

 

Irani, në një kohë tensionesh së rritura me Izraelin, e ka ekzekutuar një burrë hebre të dënuar për vrasje. Familja e tij e ka mohuar akuzën duke thënë se ai kishte vepruar për t’u vetëmbrojtur pasi ishte sulmuar.

Agjencia e lajmeve Mizan, e cila është e lidhur me gjyqësorin e Iranit, e citoi Hamidreza Karimin, prokurorin e qytetit perëndimor iranian, Kermanshah, duke thënë se Arvin Ghahremani, 23 vjeç, u ekzekutua më 4 nëntor.

Ghahremani u shpall fajtor për therjen e një burri për vdekje më 2022 pranë një palestre në Kermanshah. Viktima i kishte para borxh Ghahremanit dhe, sipas familjes së tij, kjo mosmarrëveshje nxiti një përleshje mes tyre atë ditë.

Viktima ishte e armatosur dhe Ghahremani veproi në vetëmbrojtje, thanë ata, duke shtuar se ai madje kishte ndihmuar në përpjekjet për ta mbajtur të gjallë viktimën pas përleshjes.

Pasi u dënua me vdekje, avokati i Ghahrmanit nuk ia doli ta dërgojë familjen e tij për vizitë te familja e viktimës, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, për ta falur atë dhe për t’ia shpëtuar jetën.

Legjislacioni islamik mundëson hakmarrjen, pra me ndëshkim, në rastet e vrasjes.

Megjithatë, grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë për kohë të gjatë se ky ligj është diskriminues ndaj jomyslimanëve, të cilët shpesh ndëshkohen më ashpër sesa myslimanët e dënuar për vepra të njëjta.

Avokatët e Ghahremani kishin kërkuar rigjykim në tri raste të ndryshme, por të gjitha kërkesat e tyre ishin hedhur poshtë nga gjykatat iraniane.

Grupi Iranian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Norvegji (IHR) e dënoi ekzekutimin e Ghahremani, i cili, sipas grupit, ishte 20 vjeç, dhe jo 23.

Grupi gjithashtu kundërshtoi fajësinë e Ghahremani, duke thënë se ai ishte sulmuar me thikë nga viktima. Ai tha gjithashtu se familja e viktimës fillimisht kishte pranuar ta falte Ghahremani, por ndryshoi mendje pasi mësoi se ai ishte hebre.

“Arvin ishte hebre, dhe antisemitizmi i institucionalizuar në republikën islamike pa dyshim luajti një rol vendimtar në zbatimin e dënimit të tij”, tha drejtori i IHR, Mahmood Amiri-Moghadam, në një deklaratë, duke shtuar se çështja kishte “të meta të mëdha.”

Hebrenjtë përbëjnë një pakicë të vogël prej rreth 20.000 vetash në Iran, i cili është komb me shumicë myslimane shiite dhe ka gati 92 milionë banorë. Shumë hebrenj u larguan nga Irani pas Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979, pasi regjimi i ri zbatoi një qëndrim të ashpër kundër Izraelit, duke përfshirë mosnjohjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar.

Izraeli dhe aleatët e tij në Liban dhe Rripin e Gazës janë duke luftuar tash e një vit, prej se njëri prej grupeve, Hamasi, kreu një sulm brenda Izraelit dhe vrau rreth 1.200 njerëz në një sulm të paprovokuar.

Ky grup, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, gjithashtu i rrëmbeu 240 pengje gjatë sulmit. REL

VIDEO- Protestoi kundër veshjes dhe hoqi rrobat jashtë Universitetit, arrestohet studentja në Iran

Një studente u zhvesh me të brendshme jashtë universitetit të saj në Iran, në atë që disa studentë dhe grupe të të drejtave thonë se ishte një protestë kundër kodit të rreptë të veshjes islame të vendit, raporton CNN.

Një video që qarkullon në mediat sociale dhe e shpërndarë nga grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International tregon gruan e ulur jashtë universitetit me të brendshme dhe me flokët e saj të zbuluar.

Ajo bën gjeste drejt kolegëve të saj studentë, shumë prej të cilëve janë femra dhe të veshur me shami, përpara se të shëtisin nëpër ambiente.

Një video tjetër e tregon atë duke ecur nëpër një rrugë, ende në një gjendje të zhveshur, përpara se një grup burrash ta rrethojnë, ta futin në një makinë dhe të largohen.

Amnesty tha të shtunën se gruaja ishte ” arrestuar me dhunë ” pasi ajo protestoi kundër kodit të veshjes në Universitetin Islamik Azad të Teheranit. Panorama

Liderja e re e konservatorëve në Britani premton “të vërteta të hidhura”

Kemi Badenoch ka thënë se do t’i tregojë “të vërteta të hidhura” si shtetit, ashtu edhe partisë së saj, teksa ka nisur punën si lidere e Partisë Konservatore në Britani të Madhe.

Në paraqitjen e parë para mediave, Badenoch ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se Britania po varfërohet dhe po humb garën me shtetet tjera.

Përgjatë intervistës, ajo ka thënë se “duhet analizuar se si mund të riorganizojmë ekonominë tonë për të qenë gati për të ardhmen, dhe jo vetëm për atë që kemi bërë deri më tani”.

“Mendoj që në këtë pikë kemi sfidë, por jam shumë optimiste për atë që mund të bëjmë”.

Brenda ditësh, ajo pritet t’i bëjë publikë emrat e kabinetit të saj brenda partisë, që aktualisht është në opozitë.

Badenoch është bërë gruaja e parë me ngjyrë që udhëheq një parti të madhe politike evropiane.

Përzgjedhjet e saj në kabinet do të tregojnë se në çfarë drejtimi mëton të çojë partinë, teksa konservatorët tentojnë të marrin veten, pas humbjes në zgjedhjet e fundit.

Në fjalimin e saj të fitores të shtunën, Badenoch e ka pranuar se partia e saj ka shumë punë për të bërë dhe që duhet të jetë e sinqertë për gabimet që ka bërë.

“Ka ardhur koha për të thënë të vërteta, për të rritur zërin për parimet tona, për të planifikuar të ardhmen, për të rikrijuar politikat dhe mënyrën e të menduarit, dhe për t’i dhënë partisë e shtetit tonë fillimin e ri që e meritojnë”.

Sipas saj, Qeveria aktuale e laburistëve “do të dështojë”, sepse “janë duke përsëritur shumë gabime tonat në këtë sistem të thyer”.

Zgjedhjet e radhës në Britani do të duhej të mbaheshin më 2029. REL

Kërcënim për Iranin- Bombarduesit amerikanë B-52 mbërrijnë në Lindjen e Mesme

Bombarduesit amerikanë B-52 kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, njoftuan dje të shtunën forcat e armatosura amerikane, një ditë pasi Pentagoni njoftoi se do të vendoste më shumë mjete ushtarake për “mbrojtjen e Izraelit ” si një paralajmërim për Iranin.

 

“Bombarduesit strategjikë B-52 kanë mbërritur në zonën e përgjegjësisë së CENTCOM”, sipas një postimi të komandës së ushtrisë amerikane për Lindjen e Mesme.

Pentagoni amerikan njoftoi mbrëmjen e së premtes së kaluar vendosjen e pashmangshme të forcave shtesë në rajon, me një horizont të “muajve të ardhshëm”, për “mbrojtjen e Izraelit” dhe si një paralajmërim për Iranin, një armik i betuar i shtetit hebre dhe një dele e zezë për Uashingtonin. sn


Send this to a friend