MOS!
Mos e trazoni shpirtin tim të lodhur
Ju mashtrues, gënjeshtarë
Barkdhjamosur, halldupëe zagarë
Lërmëni në qetësinë e dëshiruar
Ju, përgojues, shpifës e tradhtarë
Jeta është lodhur, shkurtuar këmbësh
Nuk duron ecje të tilla shpirti i ganduar
Shikojeni sa e keni ndotur hapësirën
Tani hapni rrugë, ikni!…
Lëreni të lirë frymëmarrjen njerëzore
Të gjejë pa dhunë rrugëtimet e veta
Dëshiroj të thith avullimet e mia të valëta
Mos e trazoni shpirtin tim
Krejt nata si zjarr i ndezur pafund
Në mëngjes lëpij djersë të kripura
Lodhjeve të natës….
Dita rebelohet zallinave të shkrifëta
Kullojnë helm dhimbjet
Në vallen e çmendur të kohës….
EDHE KJO VERË PO IKËN
Edhe kjo verë në ikje po le gjurmë
Zjarrmia çan tokën në thellësi
Në lojën e zjarrit qiellin rrok flaka
Në ndërrime motesh….
Piskamë treni të ngadaltë ofrohet
Qetësia ime në dhomën e vetmisë
Sa larg dëgjohet zëri i ndrydhur i saj
Stacioneve të humbura të botës
Do hyj në tren pa biletë kthyese
Në një rrugëtim tjetër do shkoj
Verën tjetër vapa nuk më shkrin shpirtin
Nën hijen e pemëve do rri i buzëqeshur
Do ju shikoj ëmbël nga ajo hije e bukur
Nga muri i lotëve lexoj kujtimet
Ngadalë tërheq e numëroj goglat
Thurë në penjët e jetës
Edhe kjo verë po ikën përmallshëm
Si shkarravina në letër të djegur…..
ËNDËRR
…
Mbrëmë
Ëndërr me babën
Në oden e burrave si dikur
Në kullën e rrënuar
Babi im
Mbulonte gacat në tangar
Kur rreshkej buka n ‘saxhak
Me tri palë këmisha hini
E kishte mbështjellë zjarrin
Lahej në djersët e veta
E unë nga këndi e shihja
Digjesha flakë nga malli
Para alveolës baba ishte tretur
Ditën luaja me hirin e zjarrit
Vrapova ta puth vatrën
Akoma i del tym, kishte zjarr brenda
Po ngrij nga malli
Sot e gjithë jetën…