Ka vdekur në Michigan, Mërgim Korça, inxhinier, autor, e lektor kolegji, por dikur edhe administrator i gazetës “Illyria”.
Më lidh me të edhe një histori personale.
Kur e arrestuan babain tij të shquar, Xhevat Korçën, komunistët ia sekuestruan shtëpinë, kurse familjen e tij e nxorrën në rrugë me gjithë plaçka. Gjyshi i im, Batoja, shkoi dhe i mori në shtëpinë e tij. Kjo sigurisht kërkonte jo thjesht humanizëm por edhe një lloj guximi në atë kohë. Djali i vogël i Xhevatit, Mërgimi ishte ende i ri atëhere, mbase 13-vjeçar. Aty jetuan së bashku deri sa erdhi urdhëri i deportimit që familja e tyre të largohej nga Tirana.
Gati gjysëm shekulli më vonë, në 1999, kur filluam punë në gazetën “Illyria”, në New York, botuesi i atëhershëm i gazetës Ekrem Bardha na ftoi bashkë me kolegun Dalip Greca që ta vizitonim në Detroit.
Në aeroportin e Detroitit na priti Mërgim Korça, i cili pas rënies së komunizmit ishte vendosur edhe ai në SHBA dhe në atë kohë punonte si këshilltar e ndihmës i Ekrem Bardhës. Nga aeroporti na çoi me makinë në motelin ku do të qendronim dhe që aty në shtëpinë e Ekremit.
Rrugës, me duart në timon, duke parë ngultas përpara, dhe me sytë gati me lot, më tha: “Gjyshi yt më mësoi makinën, kur isha i vogël dhe banonim në shtëpinë tuaj afër Medreses, në Tiranë. Shpresoj se po na sheh nga lart që tani kam në makinë nipin e tij.”