VOAL

VOAL

Më 9 maj 1978 Brigadat e Kuqe, vranë kryeministrin italian Aldo Moro, pas 50 ditësh nga rrëmbimi

May 9, 2021

Komentet

Mustafa Merlika-Kruja të gjitha energjitë e tij ia kushtoi Atdheut- Nga Prof. dr. Nevila Nika

Të nderuar të pranishëm,
E nderuara familja Merlika
Zonja e zotërinj

Kur përpara disa muajsh z. Eugjen më foli për vendosjen e bustit të gjyshit të tij Mustafa Merlikës në qytetin e tij të lindjes natyrisht e urova, por njëkohësisht e vlerësova si një gjest patriotik e qytetar të banorëve të këtij qyteti emërmadh. E vlerësova si të tillë pasi që të gjithë jemi dëshmitarë se ende shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e ndarë në llogoret e përcaktuara duke nisur qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore filimisht nga Partia Komuniste dhe e vazhduar më pas nga qeverisja e saj, Diktatura e Proletariatit. Kërkesës së Eugjenit për të thënë dy fjalë në këtë ditë të shënuar për familjen Merlika, vendlindjen e Mutafait, por gjykoj për mbarëshqiptarët kudo që janë ju përgjigja pa mëdyshje pozitivisht. Ishin dy arsyet që më shtynë të pranoja ftesën. E para se gjyshi i Eugjenit dhe gjyshi im Hoxha Kadri Prishtina kanë qenë miq e kundërshtarë në mendime, por që të dy punuan, me gjithçka mundën për të realizuar bashkimin e trojeve amtare e për të sjellë përparimin e begatinë atdheut. Dhe e dyta lidhet me profesionin tim, atë të arkivistit. Sipas Kodit Deontologjik të Arkivistit, një arkivist është i detyruar të ndajë me publikun atë ç’ka për shkak të detyrës ai ka mundësinë të njohë.
Njohja ime me këtë personalitet të historisë tonë kombëtare ka qenë e hershme, fillimisht nga familjet e prindërve të mij e më pas natyrisht edhe gjatë viteve të shkollimit. Kontrasti me atë që dëgjoja në mjedisin familjar me atë çka mësoja në shkollë ishte dukshëm kundërshtues, i turbullt dhe kuptoje menjëherë që ishte shtrëmbëruar me dashje e vërteta historike nga historiografia zyrtare. E kjo në ato vite ishte një normë, të cilës nuk i shpëtonte askush, e veçanërisht për historianët.
Por fillimi i punës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në sektorin e dokumenteve të para vitit 1912, më njohu për herë të parë nëpërmjet dokumenteve të kohës të riun Mustafa Asim. Në letërkëmbimin e kohës ai nënshkruan kështu. Nga ky letërkëmbim u njoha me veprimtarinë e tij atdhetare. Është mjaft aktiv në Lëvizjen mbarë kombëtare për Pavarësi si pjesë e forcave kryengritësve, por mbi të gjitha ai është i pranishëm në ditën e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, si përfaqësues i krahinës së vet. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe pjesë e administratës së Qeverisë së Përkohëshme të Ismail Qemalit. Por njohja me kontributin e Musafait nuk u ndal me ngritjen e flamurit në Vlorë.
Trashëgimia dokumentare e tij është e shumëllojshme dhe si e tillë na lejon të gjykojmë për veprimtarinë e tij të gjithanëshme në dobi të çështjes kombëtare, si shtetar, politikan, studjues e pa harruar atë si bashkëshort e prind.
Vlerësimi për të apo thënë ndryshe perceptimi se kush ishte, cila ka qenë veprimtaria e roli i tij në botën shqiptare gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar me kalimin e viteve të punës në Arkiv, si arkivste e historiane po arrija të krijoja në gjithë përmasat që i përkisnin kësaj figure aq shumë të përfolur, të përbuzur, të nëpërkëmbur deri edhe të harruar. Gjithçka kishte ndodhur para vitit 1990 në fushën e njohjes të së kaluarës historike tonë, ishte shtrëmbëruar, fshehur ose thënë ndryshe ishte trajtuar sipas udhëzimeve partiake e jo bazuar mbi dokumentet origjinale.
Duke lënë mënjëanë për pak atë çfarë shkruhet në dokumentet origjnale, që fatmirësisht ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, takimi me dy zonja në derën e Drejtorisë së Përgjithsme të Arkivave në vitin 1993, do të më shtyjë edhe më shumë të njihem me familjen Merlika. Zonjat ishin të veshura thjesht, të dyja kishin lidhur kokën me shall dhe në qafë ju dallohej qartë varëse me kryq. Ishin zonjat Klara e Elena Merlika. Ka qenë një takim, që nuk do ta harroj kurrë. Dallohej qartë se vuajtjet fizike e ato shpirtërore kishin qenë të pandërprera prej 45 vjetësh në jetët e tyre. Foli e para znj. Klara Mirakaj-Merlika e cila u prezantua se kush ishin dhe çfarë kërkonin. Për mua ishte me të vërtetë befasi, po i jepja dorën e po flisja me dy nuset e familjes Merlika. Fisnikëria e tyre të linte pa fjalë. Vinin nga dekada vuajtjesh të papërfytyrueshme, por asgjë nuk kishte mundur t’jua fshinte qytetarinë e fisnikërinë. E vetmja gja që mund të bëja për to, e plot të tjerë si to, ishte ti ndihmoja sa mundja për të plotësuar kërkesat e tyre sa më shpejt e sa më mirë. Prej atij viti jam me fat që konsiderohem mike prej krejt familjes.
Jeta e Mustafa Asim Merlika-Kruja ka disa etapa të rëndësishme, por në të gjitha ajo që është në themel të gjithçkaje ishin e mbetën deri në fund familja e atdheu. Dha gjithçka pati, të gjitha energjitë e tij sa jetoi ishin në dobi të atdheut, u sakrifikua pa asnjë mëdyshje për arritjen e bashkimit kombëtar dhe rreshtimin e atdheut krah familjes të cilës i takojmë historikisht, Evropës e jo Lindjes sllavo-koministe, për përparimin e kombit duke ndërmarë një nga nismat më domethënëse, atë të ngritjes së të parit institucion shkencor në Shqipëri, Institutit të Studimeve Shqiptare.
Veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, që kulmoi me Shpalljen e Pavarësisë, firmëtar i Aktit Themeltat të shtetit shqiptar; nëpunës në Qeverinë Ismail bej Vlorës; pjesë e delegacionit në Konferencën e Paqes të Parisit; deputet; antizogist; politikan në mërgim; pjesë aktive e mërgatës politike të viteve 1925-39; si shumë të tjerë bashkëkohës të tij në mbështetje të bashkimit të kurorës mbretërore shqiptare me atë të Savojës; refuzues i ashpër i italianizmit të vendit e sidomos të simboleve tona kombëtare; përkrahës i rikthimit të Mbretit Zog, e në fund në krye të Institutit të Studimeve shqiptare, veprimtaria e të cilit ishte kryesisht e drejtuar ndaj çështjes së bashkimit kombëtar. E bash veprimtaria e ethshme e këtij Instituti për ti bërë të njohur mbarë botës të vërtetat e hidhura për coptimin e trojeve amtare, të dhuruara vendeve fqinje nga Konferenca e Paqes e Parisit, vendimet e të cilës kishin sjellë Luftën e Dytë, me anë të botimeve me karakter historik, etnografik, gjuhësor, hartografik, në ndihmë të Komisionit të rivendikimeve shqiptare etj., ishin në qendër të veprimtarisë së Mustafait gjatë atyre viteve. Ky angazhim tij i fundit tregon më së mirë arsyen që e kishte shtyrë atë, si edhe shumë të tjerë, të përkrahnin në fillim Italinë fashiste, që për qëllimet e saj kishte realizuar në një farë mënyre bashkimin e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar të para Luftës.
Mustafai u largua nga atdheu për shkak të djalit të tij të sëmurë. I shtruar në një spital në Austri sëmundja kishte përparuar, dhe babai Mustafa nuk mund të braktiste të birin vetëm në shtratin e vdekjes. Ashtu bëri, ju gjend pranë tij në gusht 1943. U largua me zemër të thyer për atë që e priste në Austri, e vetëm pak muaj më vonë e pati të pamundur të përqafonte e përkëdhelte bijtë e tij e sidomos nipin, Eugjenin. Ky largim, të cilin nuk e kishte menduar kurrë që do të ishte pakthim, pati edhe një pasojë tjetër, ai la në atdhe edhe punën e tij shkencore që e kishte aq për zemër, Fjalorin e Gjuhës Shqipe që ende s’kishte parë dritën e botimit. U përpoq me sa mundi në mërgim, por vetëm gërmat A e B mundi ti rishkruante përsëri.
Ai nuk mundi më të kthehej në Atdhe, regjimi komunist, që ai e shumë të tjerë e kishin parë e gjykuar që do të ishte fatkeqësi në se do të vendosej në Shqipëri, izoloi vendin për gati 45 vjet vendin nga bota e qytetëruar. Pushteti i ri, që vetëquhej “popullor”, e që asgjë nuk kishte të bënte me popullin. U eliminuan fizikisht kontribues të jetës politike, ekonomike, shoqërore, të dijes e kulturës, u ushtrua që në ditët e para dhunë e terror mbi familjet e të afërmit e kundërshtarëve të hapur, por edhe ndaj atyre që hamëndësohej se mund të ishin të tillë. Nuk u kursyen as edhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë. U rrëmbyen e u shkatëruan biblioteka e arkiva, objekte arkeologjike e etnografike, relike të shenjta e vepra arti, prona të familjeve të mëdha shqiptare e të komuniteteve fetare, e në fund arritën të përdhosnin edhe varre.
Duke qenë se tashmë prej pjesës dërmuese të studjuesve e natyrisht edhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi është pranuar fakti se, rrëfimi i gjymtuar, i shtrëmbëruar apo edhe i trilluar i jetës dhe veprimtarisë së personaliteteve që kontribuan aq shumë për Atdheun, ka qenë një normë e rregjimit të kaluar, sot kemi një detyrë përpara nesh. Atë të ç’bërjes me çdo mjet e mënyrë këtë normë partiake që aq shumë na ka dëmtuar. Duke marrë shkas pikërisht nga z. Mustafa Merlika, kemi detyrimin moral si qytetarë e studjues të rishikojmë me më gjakftohtësi , paanëshmëri e profesionalizëm bazuar në dokumente origjinale të kohës jetën e veprën e kujtdo që morri përsipër të ishte në rreshtin e atyre që sakrifikuan gjithçka patën për atdheun. Mustafa Merlika i takon atij grupi personalitetesh të historisë tonë kombëtare që me shumë burrëri e ndershmëri i kanë bërë analizë të thellë qëndrimeve e veprimeve të tyre ndër vite, duke mos lënë asnjë shteg për hamëndësime të rrejshme.
Në fund të fjalës time do të përmendja disa prej “mëkateve” të Mustafa Merlika Kruja për të cilat edhe u anatemua nga rregjimi i kaluar. E deshi pa masë Atdheun e bashkëatdhetarët e vet, punoi pa rreshtur për bashkimin e trojeve shqiptare, dëshmoi respekt të admirueshëm për familjen, si themeli i një shoqërie të shëndetshme, punoi me përkushtim të veçantë për gjuhën amtare, punoi për ndriçimin historisë të kaluarës tonë si popull, ishte shëmbëlltyrë e patriotit fisnik e të ndershëm dhe mbi të gjitha ai ishte kundër komunizmit si ideologji e realitet pasi e gjykonte si zgjidhjen më të keqe e të dëmshme për vendin. E ky ishte pa asnjë dyshim edhe “mëkati” i tij më i madh në sytë e komunistëve.

Krujë, 24 nëndor 2024 Prof.Dr. Nevila Nika

Mustafa Merlika- Kruja ishte gjithmonë aty ku caktoheshin fatet e Shqipërisë- Nga Suadela Balliu

Zonja dhe zotërinj!
Qytetarë të Krujës!
Shqiptarë të të gjitha trojeve dhe të diasporës!
Katër ditë nga sot, Shqipëria do të kremtojë 112 vjetorin e Pavarësisë dhe, nuk kishte ditë më të bukur, më të gjetur e më simbolike se kjo e sotmja, kjo vigjilje festimesh për ta kthyer firmëtarin e Pavarësisë në shtëpi.
Sot përjetësimi i Mustafa Merlika Krujës në një shtatore bronzi është dëshmi se e vërteta e gjen gjithnjë rrugën e vet. Edhe nëse vonon. Kjo ditë jep shpresë se historia i korrigjon gabimet.

Biri i Krujës, një 25- vjeçar me ëndrra dhe ideale për Shqipërinë e tij u nis drejt Vlorës për të hedhur firmën në dokumentin e Pavarësisë, me atë dashuri e vizion siç më 1443-shin e kishte bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu kur ngriti flamurin kuqezi, pikërisht këtu, në kalanë e Krujës.

Kjo shtatore bëhet realitet dhe vjen si përmbushje e përpjekjeve të gjata të familjes Merlika, që për tri dekada kanë luftuar të heqin baltën mbi patriarkun e tyre dhe një prej personaliteteve të shquara të historisë, politikës e studimeve albanologjike.

Botimet e veprave, konferencat e simpoziumet mbi veprimtarinë e tij shumë dimensionale, shtruan rrugën që historia t’i hapë vend kësaj figure, një prej kryeministrave të Shqipërisë. Vendosja e shtatores në një prej shesheve të Krujës është hapi i parë konkret. Një falënderim i shkon padyshim edhe atyre që dhanë dakordësinë për ta vendosur shtatoren në një prej shesheve të Krujës – Këshilli Bashkiak i Krujës dhe prefektura e qarkut Durrës.

Për jetën dhe veprën, për kontributet si atdhetar, politikan e studiues flasin historianë, studiues e profesorë, por ajo që mund të them është se mjegulla po davaritet nga emri dhe figura e Mustafa Merlika Krujës, ashtu siç u davarit mjegulla e propagandës së regjimit të shkuar për ta dalluar qartë firmën e tij në Dokumentin e Pavarësisë.

Firmëtari i Pavarësisë, Sekretari i parë i qeverisë së Vlorës, Prefekti i Vlorës, Pjesëmarrës në Kongresin e Durrësit, Përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, Deputet në Parlamentin e parë shqiptar dhe Kryeministër i vendit…
Mustafa Merlika- Kruja ishte gjithmonë aty ku caktoheshin fatet e Shqipërisë, për të luftuar për të.
Sot historiografia e regjimit të vjetër ia ka lënë vendin pluralitetit të mendimit dhe studimeve të pavarura e serioze që synojnë të hedhin dritë në periudha të caktuara e te figura të lëna në terr e në harresë.
Në 100 Vjetorin e Pavarësisë, Merlika Kruja do të merrte titullin “Nder i Kombit” nga presidenti i asokohe, Bamir Topi.
Sot kjo shtatore e rikthen përgjithmonë në shtëpi, shtëpinë e atdheun që nuk pati mundësi t’i shohë në të gjallë, me brengën për vendin e për familjen e cila vuajti tmerret e regjimit komunist, në burgje e kampe përqendrimi, vetëm pse ishin pinjollë të një prej politikanëve më të shquar të shekullit XX.
Kur flasim për Mustafa Merlikën i referohemi një figure që e ngriti veprimtarinë e tij në shekullin e 20, jo edhe aq larg në kohë, në përpjekjet për ravijëzimin e Shqipërisë si një shtet modern dhe europian.
Gjatë administratës së qeverive në kohën e Princ Vidit qe këshilltar i arsimit publik dhe inspektor i arsimit në Elbasan dhe më 1940-n qe nismëtar për themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe drejtues i saj. Me vepra si “Antologji Historike”, “Fjaluer Kritik i Shqipes”, “Lashtësi Shqiptare” e shumë të tjera ai ka dhënë kontribut të vyer në studimet albanologjike, të cilat për fat të keq, si për komunitetin e studiuesve ashtu edhe lexuesin e gjerë, janë bërë të njohura pas vdekjes së tij.
Një prej trashëgimtarëve të tij ishte vetëm katër muajsh kur gjyshi, që e mbante në krahë, do të largohej për të mos e parë kurrë më. Por ai nip, sot një intelektual fisnik si Eugjen Merlika, nuk është lodhur për ta çuar te shqiptarët veprën e Mustafa Merlika Krujës si albanolog, historian, publicist, politikan e padyshim burrë shteti.
“Po të na detyronte fati të zgjedhim njërën nga të dyja: të humbim Kosovën, apo pavarësinë, ne do të dëshironim të humbnim pavarësinë sepse të bashkuem me Kosovën, pavarësinë do ta rikthenim ndonjë ditë”, shprehej Merlika Kruja në prill të vitit 1941 dhe shumë janë thënë për këtë nga historiografia e shkuar.
Bashkimi i Shqipërisë etnike ishte dita më e lumtur e Mustafa Merlikës, ndërsa 24 nëntori 2024 do të jetë i familjes së tij.
Mustafa Merlika Kruja do t’i mbyllte sytë larg, shumë larg vendlindjes, në Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetorin e vitit 1958, por sot qytetarët e Krujës e çdo kalimtar do të ndalet e përshëndetet me shtatoren e birit të këtij qyteti që më shumë se gjithçka e desh Shqipërinë të lirë, të pavarur e të bashkuar.
Historia qoftë e drejtë me burrat e kombit!

*Suadela Balliu, fjala e mbajtur gjatë moderimit të ceremonisë së përurimit të bustit të Mustafa Merlika-Krujës. Krujë, 24 nëntor 2024.

Shqipëria ndër vendet më obeze të Europës! Eurostat: 56.5% e shqiptarëve mbi 16 vjeç konsiderohen mbi peshë

Përqindja e njerëzve të moshës 16 vjeç e lart që konsideroheshin mbipeshë (para-obez dhe obez) në vitin 2022 ishte 50.6% në Bashkimin Europian, sipas të dhënave që janë përditësuar së fundmi nga Eurostat.

Shifrat përfshijnë dhe Shqipërinë, ku sipas Eurostat 56.5% e shqiptarëve mbi 16 vjeç konsiderohen mbi peshë. Në këto nivele, Shqipëria renditet e 11 dhe konsiderohet si një ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të obezitetit në Europë, duke u ngjyrosur në hartë me blu.

Më të shëndoshët e Europës janë maltezët, 62% e të cilëve konsiderohen mbipeshë. Pas tyre vjen Finlanda (59.5), Letonia (59.2), Rumania (58.9), Lituania (58.5), Polonia (57.8), Hungaria (57.5), Sllovakia (57.5), Kroacia (57.2), Turqia (57.1) dhe më pas Shqipëria (56.5).

Më elegantët e Europës janë italianët, që kanë dhe përqindjen më të ulët të obezitetit, me 41.3%, të ndjekur nga zviceranët (45.2%) dhe francezët (45.4%).

Në rajon, për elegancë kryeson Mali i Zi, që e ka treguesin ndër më të ulëtit në Europë (47%). Për Serbinë ky tregues është 51.8%, ndërsa mungojnë të dhënat për shtetet e tjera të Rajonit. Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues 55 në vitin 2017.

Meshkujt shqiptarë më të shëndoshë se femrat

Femrat shqiptare duket se janë shumë më të kujdesshme se meshkujt. Sipas Eurostat, 62.3% e meshkujve shqiptarë mbi 16 vjeç konsiderohen mbipeshë, ndër më të lartat në Europë. Meshkujt më të shëndoshë janë në Maltë dhe Sllovaki (69.4%) dhe më elegantët në Francë (51.5).

Gjysma e femrave shqiptare (50.9%) konsiderohen që janë mbipeshë, sipas të dhënave të Eurostat.

Me elegantet e Europës janë italianet (31.3%) dhe malazezet (34.6%).

Femrat më të shëndosha janë në Letoni (56.7%) dhe Turqi (55.2%).

Eurostat e mat obezitetin bazuar në treguesin e BM (Body mass index) që është një rregull i përshtatshëm i përdorur për të kategorizuar gjerësisht një person bazuar në masën e indeve (muskujt, yndyrën dhe kockat) dhe lartësinë.

Treguesi mat përqindjen e njerëzve obezë bazuar në indeksin e tyre të masës trupore (BMI). Njerëzit e moshës 18 vjeç e lart konsiderohen obezë me një BMI të barabartë ose më të madhe se 30.

Kategoritë e tjera janë: nënpesha (BMI më pak se 18.5), pesha normale (BMI midis 18.5 dhe më pak se 25) dhe para-obeze (BMI midis 25 dhe më pak se 30). Kategoria mbipeshë (BMI e barabartë ose më e madhe se 25) kombinon dy kategoritë para-obez dhe obez. bw

Nuk është koha për të simuluar bajraktarizëm – Thesari ynë më i çmuar është strukturimi dhe pozicionimi i Kosovës në BE dhe organizatat më të fuqishme ndërkombëtare- Nga Prof. Dr. Fejzulla Berisha

 

Në këtë fazë vendimtare, Kosova duhet të përqendrohet në forcimin e institucioneve sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Ndërtimi i besueshmërisë dhe partneriteteve strategjike me BE-në dhe organizatat globale është rruga drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të suksesshme. Bajraktarizmi – si një qasje fragmentare dhe emocionale – dëmton imazhin dhe objektivat afatgjata të një shteti të vogël si Kosova.

Prioritetet Kryesore për Kosovën

Për të pasur një qasje të mençur dhe strategjike, Kosova duhet të përqendrohet në këto drejtime:

1. Reforma Institucionale dhe Sundimi i Ligjit:

          Përmbushja e kritereve të BE-së për integrim, duke përmirësuar sistemin e drejtësisë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

2. Diplomacia Aktive dhe Partneritetet Strategjike:

          Rritja e bashkëpunimit me vendet kryesore të BE-së dhe SHBA-në për të siguruar mbështetje të qëndrueshme për pavarësinë dhe sovranitetin.

3.Anëtarësimi në Organizata Ndërkombëtare:

          Përfshirja më e thellë në NATO, OKB dhe organizata të tjera për të konsoliduar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

4. Ekonomia dhe Investimet:

          Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm për të tërhequr investime të huaja dhe për të ndërtuar një ekonomi konkurruese.

Shembuj të Qasjeve të Suksesshme

1. Dialogu i Brukselit (2013):

      Rëndësia e ndërmjetësimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe anëtarësimin në organizata si OKB.

2. Marrëveshja e Uashingtonit (2020):

          Vlera e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në për njohje të reja dhe investime.

3. Anëtarësimi në NATO dhe BE:

       Shembulli i Shqipërisë në NATO dhe procesi i reformave në Malin e Zi dëshmojnë përfitimet e qarta të angazhimit të vendosur.

4. Diplomacia dhe Lobimi:

         Përvoja e Sllovenisë dhe Izraelit tregon se diplomacia aktive dhe mbështetja nga aleatët strategjikë sjellin rezultate konkrete.

5. Reformat Ekonomike:

          Rasti i Irlandës tregon se reformat ekonomike të qëndrueshme mund të transformojnë një vend të vogël në një ekonomi të fuqishme.

 

Çfarë i Duhet Qeverisë së Kosovës Tutje

1. Udhëheqje e Përgjegjshme dhe Profesionale:

          Largimi nga populizmi dhe fokusi te udhëheqja bazuar në fakte dhe politika të strukturuara.

2. Qasje e Bazuar në Strategji, Jo Emocione:

          Vendimet duhet të bazohen në analiza të thella dhe interesa afatgjata, duke shmangur retorikën emocionale që krijon tensione të panevojshme.

3. Zhvillimi i Diplomacisë Profesionale:

          Forcimi i shërbimit diplomatik dhe ndërtimi i koalicioneve ndërkombëtare për të siguruar mbështetje dhe njohje të reja.

4. Përmirësimi i Komunikimit me Qytetarët:

          Rritja e transparencës dhe përfshirja e popullit në proceset vendimmarrëse për të ndërtuar besimin dhe mbështetjen publike.

5. Lufta Kundër Korrupsionit:

          Asgjë nuk minon më shumë besimin ndërkombëtar dhe investimet sesa korrupsioni dhe keqmenaxhimi. Qeveria duhet të ketë një qasje të pakompromis ndaj tij.

Kosova duhet të lë pas individualizmat dhe bajraktarizmin, duke u përqendruar në shtetndërtim, reforma të qëndrueshme dhe diplomaci efektive. Një udhëheqje me vizion dhe përkushtim mund të përmirësojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të sigurojë një të ardhme më të qëndrueshme për qytetarët e saj.

Proces gjyqësor kundër më të shenjtës që kemi– gjuhës shqipe!- Nga Kim Mehmeti

Të jesh 30 për qind i numrit të përgjithshëm të banorëve të shtetit, të kesh pas shpine dy ‘mëmëdhe’  – Shqipërinë e Kosovën – e për gjuhën tënde të vendosin gjykatat dhe ligjet, kjo shpjegon dhe shpërfaq edhe mjerimin politikë të një populli.

Ndërkohë, a ju kujtohet sa herë deri më tani kryesuesit e BDI-së lëvdoheshin se e kishin zyrtarizuar gjuhën shqipe dhe sa herë deri më tani Tirana e Prishtina zyrtare atyre ua uronin arritjen epokale?!

Pastaj a ju kujtohet sa herë ne thoshim se gjuha shqipe nuk zyrtarizohet çdo katër vite gjatë fushatave parazgjedhore, e as me ligje e përqindje, por vetëm nëse si e tillë shpallet në kushtetutën e vendit dhe vetëm nëse  trajtohet si gjuhë e popullit autokton pa të cilin nuk mund të ekzistojë Maqedonia.

Pa marrë parasysh nëse e kujtoni të shkuarën tonë të turpshme politike apo nëse atë e keni harruar, mbetet e vërteta se ne kurrë nuk e kuptuam se në këtë Ballkan dukemi më pakë seç jemi ngaqë jetojmë të ndarë në pesë shtete dhe se, disa nga këto shtete i frikohen gjuhës sonë ngaqë ajo është ‘atdheu’ i vetme që i bashkon të gjithë shqiptarët.

Më në fund edhe sot si dikur, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipëri e të Kosovës, nga Tirana e Prishtina zyrtare shpeshherë trajtohen si ‘mbeturina’ të parëndësishme të shqiptarisë.

Dhe duke i trajtuar si të tillë, ndodhë që kryeministri i Kosovës ta përkrahë qeverinë më proserbe që kurdo qoftë ka pasur Maqedonia – atë të VMRO-DPMNE’së me VLENIn e pavlerë shqiptarë në të, e Tirana zyrtare t’i qëndrojë mbrapa Frontit Evropian, i cili front e bëri Maqedoninë pjesë të botës serbe – të ‘Ballkanit të Hapur’, por duke i lënë shqiptarët e këtushëm në një pozitë thuajse qesharake: që edhe duke qenë 30 për qindëshi i numrit të përgjithshëm të banorëve të vendit, edhe duke pasur pas shpine dy mëmëdhe – Shqipërinë dhe Kosovën, të mos dinë si ta shpëtojnë nga proceset e montuara antishqiptare gjyqësore më të shenjtën që kanë – gjuhën e tyre amtare?!

‘Le Monde’ ‘çertifikon’ Edi Ramën në atlasin vjetor të situatës gjeopolitike në botë si autoritar dhe Shqipërinë vend me korrupsion endemik

Prestigjozja franceze, ‘Le Monde’ në altasin vjetor të saj, ku klasifikon demokracitë dhe autokracitë në botë, e ka renditur Shqipërinë dhe Edi Ramën në vendet autoritare në botë.

Autori i shkrimit është JEAN-BAPTISTE CHASTAND një nga gazetarët më të mirë të Ballkanit.

Edhe një media tjetër me prestigj ndërkombëtar në botën perëndimore i ve damkën regjimit autoritarist të Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij.

Ndër të tjera në artikull shkruhet:

Kryeministri Edi Rama u shfaq në vitin 2023 si mjeshtër në artin e tij për t’u paraqitur si një shtyllë moderimi dhe stabiliteti në një skenë ballkanike të trazuar, ndërkohë që ishte i paaftë për të zbutur polarizimet e thella në skenën politike shqiptare, pjesërisht për shkak të prirjeve të tij autokratike.

Z. Rama nuk është shkëputur plotësisht nga metodat e tij autoritare të qeverisjes, nuk ka përmirësuar lirinë e shtypit dhe ende duhet të dëshmojë vullnetin e tij të vërtetë për të luftuar kundër një korrupsioni endemik. sn

Image

 

“Lista me librat që duhet të zhduken nga qarkullimi”- Vendimi i Enver Hoxhës në 1975, si u persekutuan shkrimtarët- Nga Prof. dr. ELMAS LECI

Këtu te ne u zhvillua para pak ditësh Panairi i Librit, i bukur dhe i suksesshëm, por për ne që e kemi jetuar kohën e kaluar na kujtoi një kohë tjetër, vitin 1975, ku sipas dokumente arkivore u dha goditja nga regjimi i kohës ndaj kulturës e njerëzve të saj, u dha urdhri për heqjen nga qarkullimi të shumë librave “me kulturë borgjeze”, për grisjen prej shumë nga ata tituj librash, si dhe për fatin që patën më pas ata njerëz vetë të indoktrinuar që realizuan inkuizicion ndaj librit. Ishte koha që regjimi mendonte se duhej larguar vëmendjen nga një situatë e rëndë ekonomike brenda vendit, por dhe synimi i mbajtjes sa më gjatë të pushtetit. Për këto regjimi komunist i Enver Hoxhës organizoi goditjet më të fuqishme njërën pas tjetrës në një seri fushash të jetës, si në ekonomi, në ushtri, por edhe në kulturë e arte. Në këtë të fundit, furtuna ra mbi autorët dhe librat e tyre. Ato u bënë pre e persekutimeve, ndërsa librat dhe literatura u bënë veprim i djegieve masive, veprime që të kujtonin periudhën e nazizmit në Gjermani.

 

PAS USHTRISË, FRONTI I LUFTËS, KULTURA

Në vitin 1974, sipas dokumenteve arkivore, udhëheqja e kohës zbuloi dhe dënoni “grupin puçist” në Ushtri, ku tre gjeneralë, njëkohësisht tre drejtuesit kryesor të ushtrisë, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, muaj më pas, u pushkatuan. Njëkohësisht, si pjesëtarë të këtij “grupi armiqësor”, dhjetëra gjeneralë e oficerë të tjerë madhorë u dënuan me burgime të gjata e internime familjare. Ishte koha ku vendi përballej me një izolim të paparë e total ndërkombëtar dhe “grupet armiqësore” në vend do të ndiqnin njëri-tjetrin. Radhën e pati “grupi armiqësor” në kulturë, ku drejtues të kësaj fushe e krijues të njohur si Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Dashnor Mamaqi etj., do të përfundonin në pranga e do të dënoheshin, gjithashtu, me burgime të gjata. Ndërsa Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, shënoi një ndëshkim masiv jo vetëm ndaj tendencave bashkëkohore në muzikë e art, por dhe ndaj krijuesve e interpretuesve më në zë të fushave të ndryshme të artit e të kulturës në vend.

FURTUNË MBI LIBRAT DHE KRIJUESIT

Në vitin 1975, sipas dokumenteve arkivore dhe dëshmive, Enver Hoxha dhe udhëheqja e kohës ndërmarrin një hap tjetër për thellimin e luftës ndaj krijuesve e ndaj librit. Kështu, sipas arkivave zyrtare (AQSH, ”Vendimi për heqjen e librave nga qarkullimi”, viti 1975, një vendim i posaçëm u dërgohet ishKomiteteve të Partisë së Punës së Rretheve për zbatim. Ky vendim, shoqërohej me një listë për heqjen e shumë librave nga qarkullimi. Më parë ishte dhënë goditja ndaj njerëzve të kulturës, arsimit dhe artit, ndërsa kjo ndaj librit ishte goditje në vijim e thellim. Librat e Frederik Rrepshjes përfundojnë me tituj, të udhëzuar për t’u kthyer në karton. Shkaku ishte “për faj të qëndrimit të autorit”. Si ky ishin edhe shumë shkrimtarë të tjerë, si dhe komunistë, të cilët në vitin 1975 përfshihen në Qarkoren e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës mbi heqjen e librave nga qarkullimi. Ky vendim i përcillet gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore, bibliotekave dhe ndërmarrjes së librit.

Cili ishte shkaku i zhdukjes së këtyre librave?

Edhe pse i paprecedent në të gjithë Europën, përfshi edhe vendet e Lindjes, siç del nga urdhri shtetëror (pas vendimit përkatës të Byrosë Politike), udhëheqja nuk e fsheh shkakun dhe qëllimin e ndëshkimit të rëndë ndaj krijuesve (me mohim të së drejtës të botimit, internime, burgime e deri ekzekutime) si dhe ndaj librit (me bllokime, magazinime e deri asgjësime): “Autorët – thuhej ne qarkore-nuk përkrahin vijën e Partisë në krijimtarinë e tyre, ndërsa librat janë të dëmshëm në edukimin komunist të masave!”. Urdhri qarkore jepte deri dhe hollësi e detaje të veçanta. Sipas tij, për të gjithë librat që do të fshihen nga qarkullimi udhëzohej të ruheshin të mbyllura në Bibliotekën Shtetërore në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t’i dorëzonin ato lloje librash me proces-verbal të rregullt në Degët e Librit dhe të Filmit në rrethe, të cilat po me proces-verbal i dorëzonin për karton. Urdhri për djegien e librave

Urdhri për djegien e librave

Pas vendimit të posaçëm të ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës (AQSH, po aty), del Qarkorja e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës e firmosur nga zëvendësministri Mantho Bala. Në fakt, urdhri apo qarkorja e firmosur nga titullari i Arsimit, është i njëjti vendim që ka marrë Byroja Politike e Partisë Punës së Shqipërisë. Për fat të keq, ashtu siç kishte ndodhur dhe më parë e do të ndodhte dhe me “armiq” të tjerë në të ardhmen, edhe Mantho Bala, firmosësi i këtij vendimi, do të kishte fatin e dhimbshëm, atë të ndëshkimit. Ja teksti i plotë i Qarkores, marrë nga arkivat zyrtare, (AQSH. “Vendimi për heqjen e librave nga qarkullimi”, viti 1975) të kohës: Republika Popullore e Shqipërisë

Ministria e Arsimit, Drejtoria e Botimeve, Nr.3237 Prot., Tiranë, më 15.09.1975, Lënda: Heqje librash nga qarkullimi. Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit (seksionit te arsimit). Gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore.

Drejtorisë së Përgjithshme të PTT-s.

Bibliotekave Qendrore, Ndërmarrjes së Librit Tiranë. Të hiqen nga qarkullimi librat e poshtëshënuara:

1. A.Këllezi: Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH, 1966

2. A.Këllezi: Rritja e rendimentit të punës dhe forcimi i disiplinës shtetërore. Diskutim në Kongresin e I-rë të PPSH, 1971

3. K.Theodhosi: Fjala e mbajtur në Kongresin e IV të PPSH, 1961

4. K.Theodhosi: Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH, 1966

5. K.Theodhosi: Industria Mekanike dhe progresi teknik. Diskutim në Kongresin e VI të PPSH, 1971

6. K.Theodhosi: Raport i mbajtur në Plenumin e III-të të PPSH, 1967

7. R.Xhangolli: Fronti demokratik, armë e fuqishme në duart e Partisë për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e masave. Kumtesë në Konferencën Kombëtare të Studimeve Shoqërore, seksioni i Historisë së PPSH-së, 1973

8. Të gjithë librat ku përmenden Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe Ramadan Xhangolli.

9. A.Zaka: “Buzë dashurive”, 1972 (për shkak të qëndrimit të autorit)

10. Frederik Rreshpja: “Në këtë qytet”, “Rapsodi shqiptare”, “Erenda”, “Trofta hutaqe”, “Trimi i fshatit të Bardhë”, “Zëri i largët i kasolles” (për shkak të qëndrimit të autorit)

11. “Bredhi i bardhë”, 1971 (përmban një tregim të T.Lubonjës i dënuar për faje politike)

Këto libra, Bibliotekat Shtetërore të Rretheve t’i mbajnë në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t’i dorëzojnë me proces-verbal të rregullt në Degët e Librit dhe të Filmit në rrethe, të cilat po me proces-verbal t’i dorëzojnë për karton. Zëvendësministri Mantho Bala

Vazhdon lufta ndaj librit dhe krijuesve

Pas kësaj Qarkoreje të firmosur nga zëvendësministri, Mantho Bala, precedenti dënoi edhe Manthon, edhe ministrin e arsimit Thoma Deliana dhe gjithë stafin drejtues apo politik të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Kështu e pësuan edhe shumë nga njerëzit e artit e të kulturës. Persekucion, internim, dënim, shkatërrim. Dhe kjo histori përsëritej, sa herë që Partia dhe Sigurimi i Shtetit komunist “zbulonin armiq të rinj”, “tradhtarë” dhe të “shitur” tek imperializmi dhe social-imperializmi. Ata lloje njerëzish përfunduan në burgje, internime, madje edhe në vrasje, ndërsa librat e botuar prej tyre digjeshin me vendime të turpshme, si në kohën e Inkuizicionit mesjetar. Ndër ndëshkimet më të rënda në art e kulturë mbeten pushkatimi i dy poetëve, Vilson Blloshmi e Genc Leka, si dhe varja e tërheqja zvarrë nëpër qytet e poetit kuksian, Havzi Nela.

/Gazeta Panorama

Në zgjedhje pa qeveri teknike me këtë reformë zgjedhore, një lloj sikur të vetë dorëzohesh në xhungël – Nga Ndriçim Kulla

Do ishte shume gabim të pranonim një të pa vërtetë në lidhje me rezultatin e pritshëm të reformës zgjedhore. Rezultati është ky që është.

Kemi një reformë të munguar me tërë problemacitetin e tmerrshëm të krimit elektoral , kemi rekomandimet dramatike të OSBE-ODIR, kemi rezultatin e pushtetit të grabitur mbi prova të pa fundme.

Kemi një bilanc të pa ndryshuar në thelb në raport me zgjedhjet e manipuluara , të 2025 që na presin. Bëhet fjalë jo thjeshtë për një rotacion normal, ku zgjedhjet si mekanizmi i demokracisë përbëjnë provën e vullnetit të popullit, por për ndarjen e dy epokave.

Në raport me gjendjen e rrënuar të demokracisë në Shqipëri, domosdoshmërisht, që duhej të kishte një reforme, ku konsensusi duhej të ishte vullneti i të gjitha palëve që të krijonin një formulë të re zgjedhore në mënyrë që përfaqësimi real të mund të bëhej forca   e madhe  që do ti hapte udhë një të ardhmeje të re, e cila  duhet që të lejë mbrapa ,dale –  ngadal, Shqipërinë e brejtur nga konfliktet e ndërsyera nga regjimi, Shqipërinë e trukuar në çdo drejtim, Shqipërinë reale të zbrazur nga banorët e saj, Shqipërinë e diferencave të mëdha sociale ndërmjet njerëzve të mjerë e të këputur dhe oligarkëve, dhe si përfundim; Shqipërinë, e cila sot para së ardhmes së saj ka pikëpyetjen e madhe ekzistenciale të qenies. Por në raport me atë që ne kërkojmë të gjithë, kjo i ngjanë aq shumë konceptit të Fadajevit për letërsinë, e cila sipas tij “ është si një kopsht me mollë, jo ashtu siç është në të vërtetë, por ashtu siç duhet të jetë”.

Në fakt, në se e përshtatim këtë filozofi krijuese të shkrimtarit të njohur rus me realitetin tone, është një vizatim i bukur. Kopshti ynë tashti është mbuluar nga ferrat që ka mbjellur i paudhi që qeveris me diktatin e forcës së parave të krimit dhe drogës. Kopshti ynë në të cilin kishin filluar të mbinin dhe të lulëzonin edhe “lulet edhe mollët e para për dy dekada me radhë  tashti është i pushtuar nga gjembat dhe barërat e këqia. I ka ikur ajo hijeshia modeste që kishte filluar të përhapej dhe është kthyer në një rezervat krokodilësh, gjarpërinjsh dhe grabitqarësh.

Ne e shikojmë Evropën sot mes  dekadash të kthyer mbrapsht,ndërkohë  që  duhej të ishim pjesë e  saj me të gjitha të drejtat.

Do ishte një moment i rëndësishëm kthese ,ku pas gjithë gjithë  kësaj periudhe të jetës në xhungël tërë qytetareve të dhunuar, të shfrytëzuar dhe të diskriminuar, t’iu jepej  shansi, që të shprehnin vullnetin e lirë pa represion, pa blerje dhe rrëmbim votash, pa manipulim dhe histori të pa fundme truqesh për ta mbajtur pushtetin nën zotërim.

Vota e lirë  dhe vullneti i shumicës realizohet vetëm atëherë, kur ligji i zgjedhjeve formulon,  aprovon dhe zbaton rregullat të detyrueshme që përfaqësojnë tërë problematikën e një përvoje   të dështuar dhe dramatike.

Cili është produkti reformës zgjedhore sot ? Fitore, humbje apo edhe ashtu edhe kështu. Në perceptimin tim jemi aty ku kemi qenë. Reformë zgjedhore thelbësore s’ka.  Kodi   zgjedhore nuk  është prekur,përveç disa arnimeve që nuk i prishin punë regjimit për të tjetërsuar vullnetin e votueseve . E vetmja gjë e vogël që ka ndryshuar   është se regjimi ka future hundët me propagandë dhe po bën lojën e trukut të radhës ,duke i paraqitur disa ndryshime të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese si reformë. Jemi aty ku ishim, tek barrikada që i ka vënë regjimi me kreun e tij drejtës tone  për të vazhduar më tej.  Sjelljet e tij politike as mund të imagjinohet të ndryshojnë ,sepse është diktator dhe diktatorët e niveleve  të tilla respektojnë vetëm parimet e zanatit  të tyre  për të mbajtur pushtetin.

Makthi i pushtetit të diktatorëve mund të krijoj  çdo lloj situate për këtë pushtet.

Bisedimet dhe retorika mbi to tashmë mbeten  një kohë e humbur.

Vetëm forca i tmerron diktatorët.

Gjithashtu, vlen ti rikujtojmë vetes si  opozitarë të çfarëdo rangu qofshim, se ky  regjim  asnjëherë nuk  i ka fituar zgjedhje me votë. Ai votën gjithmonë e ka tjetërsuar  dhe ne e kemi toleruar. Ka blerë gjithë reagimet e mundshme brenda dhe jashtë vendit dhe ka ecur përpara mbi krimin elektoral. Në qoftë se do ishte ndryshe s’kishte pse ta kapte pengë Lulzim Bashën me renegatët dhe kokrrat e disa inaçinjëve qejfmbetur që i grumbullohen  përreth. Po qe se nuk   kishte një gjykim  si humbës për të gjitha zgjedhjet, s’kishte pse të udhëtonte kaq shumë në rrugën e krimit makbethian me kamën e pabesisë  të fshehur nën kostumet dhe kravatat shumëngjyrëshe, për të vrarë kundërshtarin e tij politikë. Po të ishte i bindur në fitoret  e tij s’kishte pse të shpenzonte, të gjente dhe të korruptonte Mcgonigal, kryeagjentin e superfuqisë globale, vetëm e vetëm, që te shkatërronte opozitarizmin në Shqipëri.

Po qe se kishte siguri në pushtetin e tij, nuk kishte pse ta “sakrifikonte” me një  ekspozim  banal së bashku me vëllain e tij të vogël Aleks, Sekretarin Amerikan të Shtetit z. Antoni Blinken, për ta shënjestruar pa prova     kundërshtarin e tij Sali Berisha me një nongrata të   gabuar historike.

Po të ishte kaq i qetë në  vijimësinë e pushtetit të tij, nuk kishte pse futej në kurthin e vetvetes, duke e përndjekur dhe burgosur politikisht kryetarin e opozitës  shqiptare dhe shumë opozitarë të tjerë.

Është thënë dhe provuar me fakte të pa numërta, (që po ti radhitësh kërkojnë shumë faqe), se Edi Rama është në politikë një trumcak  në mes të errësirës. Ai sot jo vetëm që nuk është në ditët e tij normale në politikë,  por është në pikun e ditëve më të zeza të tij.

Atëherë çfarë duhet bërë më prej nesh?

Pikë së pari problemi i refuzimit  ose sorollatja  e bërjes së reformës zgjedhore sipas standardeve  nga regjimi, duhet sqaruar publikisht  me të gjitha detajet e rëndësishme që ka.

Për shumë njerëz ka  një amulli dhe paqartësi interpretimi  në lidhje me këtë problem, që dëmtojnë ndjeshmërinë e domosdoshme të njerëzve në lidhje me përkushtimin e tyre.

Duhet konsumuar në mënyrë shteruese nëpërmjet një komunikimi të kujdesshëm dhe të vendosur  problematika e këtij refuzimi, me OSBE-në, ODIR-in, përfaqësinë diplomatike të BE-së dhe SHBA në Tirane dhe përfaqësitë e tjera diplomatike të përfshira në këtë çështje.

Duhet krijuar një dinamike  e re  reaguese nga PD-ja  dhe tërë forcat opozitare and blok në mënyrë që ta çajmë   me forcë digën e betonuar të regjimit për ti hapur rrugë zgjedhjeve të lira me një kod zgjedhor demokratik dhe të sigurt.

Përtej retorikës duhet organizuar një mobilizim  i forte presioni për  ta detyruar regjimin ti hapi rrugë qeverisë teknike, pa të cilën nuk ka si të ketë zgjedhje.

Të futesh në zgjedhje me këtë kod zgjedhor   është një lloj sikur të vetë dorëzohesh në xhungël.

Prandaj  çdo kërkesë apo kusht i opozitës  , si ndaj regjimit ashtu edhe tërë faktorëve ndërkombëtar, duhet fokusohet  tek krijimi i qeverisë teknike. Është kërkesa më modeste që po bën opozita e shtypur prej këtij regjimi.

Regjimit i kanë rënë maskat dhe besueshmëria po i futet nënë dhe.  Kreu i tij  nuk ka më fuqi të  rendë poshtë e lartë në arenat e diplomacisë ndërkombëtare si prestigjator me  kanavacën e ngjyrave në krahë, me anën e së cilës na ka munduar 12 vjet me lobimet e pista të diplomacisë sorosiane.

Pëlhurat e Penelopës po grisen një nga një dhe po i dalin sheshit zhgarravinat e mbuluara të krimit ,korrupsionit mashtrimit dhe padrejtësive që po bën.

Pse strategjia e PD-së ndaj Ramës nuk është si ajo e opozitës hungareze ndaj Orbanit- Nga Genc Burimi

Ku është pika e përbashkët e pushteteve të Ramës në Shqipëri dhe Viktor Orbanit në Hungari? Të dy akuzohen nga opozitat vendase se kanë instaluar regjime autoritare. Por dallimi është tek opozitat që nuk po adoptojnë të njëjtën ligjëratë. Në Shqipëri, mesazhi i opozitës anon më shumë nga politika (Shteti i të drejtës) ndërkohë që një opozitë e re po lind në Hungari me një mesazh që anon më shumë nga ekonomia. Dhe rezultatet e para “pozitive” po fillojnë të bien për opozitën hungareze: për herë të parë pas 14 vitesh në pushtet në Hungari, Orban dhe partia e tij Fidesz kanë pësuar një rënie masive në sondazhe. Ai dhe partia e tij ndodhen tani 11 pikë më poshtë se rivali i tij i opozitar Peter Magyar i partisë Tisza ndërkohë që Orban i fitoi masivisht zgjedhjet e fundit europiane të qershorit të kaluar. Le t’i hedhim një vështrim krahasues të këtyre dy metodave.

Doktrina opozitare e PD-së bazuar tek të drejtat politike
Në 23 dhjetor, tre dekada e gjysëm pas dhjetorit studentor të kryengritjes për demokraci, lideri i Partisë Demokratikë të Shqipërisë fton simpatizantët dhe të gjithë shqiptarët që e ndjekin të organizojnë një protestë tjetër të radhës për demokraci. Kjo protestë e re do të jetë më e fuqishmja sipas tij në vazhdën e lëvizjes së PD-së për mosbindje civile. I inkurajuar dhe nga rezoluta e fundit e grupimit botëror të partivë të djathta “IDU”, Berisha si politikan me përvojë, kërkon të kapitalizojë në opinion pakënaqësitë që po krijon në nivel ndërkombëtar devijimi autoritar i pushtetit të Ramës. Sipas Berishës që citon për këtë dhe pjesë nga rezoluta e partive të djathta në botë, Shqipëria e Edi Ramës po njeh që prej 12 vitesh “përqendrimin e pushtetit në duart e një personi i cili i ka reduktuar zgjedhjet në një farsë. Udhëheqësit e opozitës po përballen me persekutim politik. Përgjimet zbulojnë bashkëpunimin mes zyrtarëve të qeverisë dhe grupeve kriminale të karteleve të drogës për pastrim parash dhe për të manipuluar zgjedhjet”. Ndaj, bën thirrje Berisha, në kuadrin e protestës së 23 dhjetorit, “opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt duke e grabitur atë”.

Në mënyrë të qartë, dhe pa asnjë ekuivok, opozita shqiptare e PD-së e ka vënë kështu luftën për demokraci në krye të axhendës së saj, dhe kjo pa asnjë devijim nga kjo mënyrë e të bërit opozitë që prej tre vjetësh kur Berisha bëri një “come-back” në krye të PD-së.

Rasti hungarez nuk ka qenë shumë më ndryshe se ai shqiptar deri tani.

Të njëjtat lejtmotive politike janë përdorur për më shumë se një dekadë nga opozita hungareze kundra pushtetit pa kufi të Viktor Orbanit akuzuar se ka sheshuar si me rryl kundra-pushtetet. Veçse ky mobilizim i kahershëm i opozitës hungareze faktualisht është përkthyer në më pak rezultate pozitive për të, si në kutitë e votimit ashtu dhe në sondazhe. Kjo megjithë përpjekjet reale të opozitës hungareze për të treguar sesi shtypet realisht demokracia në Hungari nga pushteti i Orbanit që ka marrë të gjitha pushtetet e tjera në dorë, nga mediat te drejtësia duke përfshirë Parlamentin, Presidencën, dhe pa dyshim pushtetin ekonomik me korrupsion galopant.

E megjithatë asgjë nuk po ndodhte. Në zgjedhjet e fundit, ato europiane në qershorin e kaluar, sërish partia Fidesz e Orbanit dominoi totalisht me 45% të votave ose dy herë më shumë se opozita.

Por ja që një parti e re opozitare u krijua këtë vit në vorbullën e zgjedhjeve europiane, Partia Tizsa. Krijuesi dhe drejtuesi i saj, Peter Magyar, avokat 45 vjeç që e njihte thellësisht nga brenda regjimin e Orbanit sepse ish-bashkëshortja e tij, Judit Varga, me të cilën është divorcuar para një viti, ishte ministre e Drejtësisë e Orbanit dhe “ylli në ngjitje” i Orbanizmit.

Peter Magyar, ka vendosur që partia e tij e re të ndjekë një strategji të re, duke vënë në qendër të luftës së tij politike, ekonominë më shumë se politikën. E megjithatë ashtu si Berisha që konsiderohet si i persekutuar nga pushteti i Ramës, dhe vetë Peter Magyar ka përjetuar muaj të vështirë këtë vit, ku ish-bashkëshortja e tij, bashkëpunëtore e ngushtë e Orbanit hapi padi kundra tij për dhunë fizike në mënyrë që t’i mbyllej goja. Kryeopozitari i ri hungarez mendon se strategjikisht do të jetë më efikase të vihen në plan të parë vuajtet e hungarezëve në lëmin ekonomik sesa makiavelizmi politiko-juridik i Orbanit.

Ekonomia si erzat më stimulues për “masat” sesa politika
Peter Magyar po shfaqet si një kundërshtar që po e godet Orbanin aty ku i dhemb. Inflacioni ka rënë kudo në BE (2.3% mesatarja), por në Hungari është dyfishi (4%). Në vend që të sulmojë Orbanin për çështjet e shtetit të së drejtës që është refreni kryesor kundra Orbanit si në Hungari dhe në Europë, kryeopozitari i ri e ve gishtin te degradimi i shërbimeve publike dhe rënia e standardeve të jetesës për hungarezët. Nga maja e mitingjeve të tija por dhe nga Parlamenti Europian ku ai është eurodeputet, Peter Magyar i flet Orbanit në mënyrë të veçantë për nivelin ekonomik të hungarezëve: paga minimale është 668 euro në Hungari, por në Slloveni 1253 euro, në Poloni 1000 euro, si shpjegohet kjo pyet shefi i opozitës hungareze. Biles dhe “vende që ishin pas nesh si Rumania, po ia kalojnë Hungarisë ekonomikisht”, thotë Peter Magyar, duke dhënë shifra krahasuese tronditëse për hungarezët: “Rumania i ka rritur rrogat 5-fish ! Ushqimet janë atje deri 30% më lirë së tek ne në Hungari”, këmbëngul ai duke vazhduar me dështimet në sistemin shëndetësor: “Një në tre hungarezë vdes para moshës 65 vjeç. Mungojnë 40 mijë infermierë që të merren me shendetin e hungarezëve. Në spitale nuk ka detergjent, as dezinfektues, biles as letër higjenike”, lëshon kështu ai fraza që shkojnë më shumë se kapja e pushteteve nga Orbani.

Opozitari i tij numër 1, nuk lë pasdore as çështjen e emigracionit pasi të rinjtë nuk gjejnë më shpresë. “Një në dy të rinj hungarezë të moshës 18 vjeç thotë së mendon të largohet nga Hungaria”, ia rikujtoi Peter Magyar Viktor Orbanit në një fjalim pasionant nga salla plenare e Parlamentit Europian duke konkluduar: “Të gjithë e dimë se fundi yt është i afërt megjithë kërcënimet tuaja. Pa ty, hungarezët do të ndërtojnë një Hungari paqësore, evropiane dhe të jetueshme”.

Rezultati i kësaj strategjie të re opozitare bazuar tek një shpresë e re ekonomike duket se po reflektohet për herë të parë në sondazhe. Vetëm në pak muaj që nga vera e kaluar kur doli në skenë Peter Magyar me një ligjërim të ri bazuar të ekonomia, 10% më shumë e hungarezëve duan ndryshim politik. Një shifër që mund të shtohet shumë më tepër deri në zgjedhjet e ardhshmë legjislative më 2026.

Në Shqipëri, mosbindja civile e Opozitës duhet të shoqërohet detyrimisht nga një program ekonomik. Deri tani, ka patur aty tek – tuk idera programatore ekonomike të lëshuara si me pikatore nga kryetari i PD-së, por në më pak së 6 muaj para zgjedhjeve nevojitet një përqasje ekonomike në formën e një programi të strukturuar qeverisës.

Përvoja e fitores së fundit elektorale të Trump është po ashtu domethënëse. Ai foli gjatë fushatës më pak për dhunën e drejtësisë që po binte padrejtësisht mbi të se sa për nevojën urgjente të uljes së çmimeve për amerikanët. Një stratëgji e ndjekur aktualisht dhe nga Le Pen në Francë, që ndonëse po bllokohet nga drejtësia franceze që mos të marrë pjesë në zgjedhje, ajo e motivon luftën e saj politike deri në rrëzimin e qeverisë për hir të interesave ekonomike të francezëve.

Shqipëri, shqetësim transparenca e financimit në zgjedhje

VOA Mimoza Picari

Në Shqipëri ka një debat të hapur mbi transparencën e burimeve të financimit në zgjedhje. Megjithë rekomandimet e disa institucioneve ndërkombëtare kjo fushë mbetet problematike dhe në disa aspkete ende e parregulluar me ligj. Ambasadori i OSBE në Tiranë, Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve, përfaqësues politikë dhe ekspertë të fushës i thanë Zërit të Amerikës, se ende ka punë për të bërë sidomos kur bëhet fjalë për forcimin e rolit të KQZ, rritjen e transparencës për donacionet në fushata zgjedhore, dhe rregullimet ligjore për përfshirjen e palëve të treta. Këto masa siç shprehen ata, do të shërbenin për të ndaluar burimet e paligjshme të financimit në zgjedhje.

Në Shqipëri janë shënuar disa hapa para në rregullimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, por organizatat ndërkombëtare që monitorojnë proceset zgjedhore dhe ekspertë të fushës mendojnë se ato janë të pamjaftueshme. Pas çdo fushate zgjedhore, lindin dyshime që lidhen me saktësinë e raporteve financiare të partive politike, me faktin se kush qëndron pas këtyre financimeve, se sa realë janë donatorët që raportojnë partitë në KQZ apo dhe sa efektive janë rregullat në fuqi. Kodi Zgjedhor përcakton katër burime financimi për subjektet zgjedhore: nga buxheti i shtetit, të ardhurat e vetë subjektit, dhuratat, huatë dhe kreditë. Megjithë insistimin e OSBE- ODIHR-it, disa rekomandime në këtë kuadër ende nuk janë adresuar. Reforma zgjedhore e këtij viti, që i paraprin zgjedhjeve politike të vitit 2025, nuk e preku kapitulllin e financimit të partive politike. Në një imtervistë për Zërin e Amerikës ambasadori i OSBE-së Michel Tarran shprehu keqardhje për këtë, ndërsa veçoi disa elementë që duhen përmirësuar.

“Kolegët tanë të ODIHR kanë insistuar që duhet të forcohen mjetet e KQZ sepse nuk ka mundësi tani me mjetet që ka në dispozicion për të kontrolluar me të vërtetë situatën. Së dyti duhet të ketë transparencë me të madhe në raportime për donacionet dhe shpenzimet gjatë fushatave zgjedhore dhe jo vetëm pas zgjedhjeve. Së treti duhet të përmirësohet kuadri ligjor përsa i përket palëve të treta që ndëryjnë në jetën e brendshme politike të Shqipërisë”- shprehet Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Edhe Instituti Demokratik Amerikan i tha Zërit të Amerikës se nevojitet forcimi i rolit të KQZ, si dhe rregullime ligjore në lidhje me fushatën nga palët e treta, ose thënë ndryshe nga aktorë që nuk garojnë në zgjedhje.

“Legjislacionit zgjedhor të Shqipërisë, i mungon rregullimi për fushatën e “palëve të treta”. Ky boshllëk i lejon aktorët me burime të dyshimta financimi të ndikojnë në fushatat elektorale duke bërë fushatë në favor apo kundër një partie apo kandidati të caktuar. Kjo i jep mundësi partive të anashkalojnë detyrimin lidhur me tavanin e shpenzimeve për fushatë zgjedhore, duke i kanalizuar burimet e financimit nëpërmjet palëve të treta, ndaj të cilave KQZ-ja nuk ka asnjë kompetencë mbikëqyrëse apo rregullatore”- thotë Instituti Demokratik Amerikan, në përgjigjen me shkrim.

Përfaqësues të dy partive të mëdha politike, PS dhe PD Milva Ekonomi dhe Ivi Kaso thonë për Zërin e Amerikës arsyet, sipas këndvështrimeve të tyre, se përse problemet e financimit të zgjedhjeve dhe partive politike nuk u pasyquruan në ndryshimet që pësoi Kodi Zgjedhur në verën e këtij viti.

“Propozimet që erdhën nga OSBE-ODIHR dhe nga NDI ( Instituti Demokratik Amerikan) për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, janë ndryshime që kalojnë në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Dhe në patëm momente që komisioni funksionoi, pastaj ndërpreu aktivitetin, pastaj pala opozitare u ul me vështirësi në tavolinë dhe u arrit një dakortësi minimaliste”- thotë Milva Ekonomi, Sekretare për Programin në PS.

“Kemi kërkuar që të diskutohet të gjitha propozimet e ODIHR-it për dy proceset e fundit zgjedhore. Kjo nuk është pranuar nga pala tjetër, e cila nuk ka pranuar të adresojë asnjë problematikë që nuk kishte të bënte me dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, atë për llogaritjen e shpërndarjes së mandateve dhe atë për votën e diasporës”- shprehet Ivi Kaso, Sekretar për çështjet zgjedhore në PD.

Zgjedhjet politike pritet të mbahen në Maj të vitit të ardhshëm. Zonja Ekonomi dhe Zoti Kaso mendojnë se koha e mbetur është e pamjaftueshme për t’i reflektuar në Kodin zgjedhor problematikat mbi financimin e fushatave zgjedhore dhe partive politike.

Shqetësime në këtë kuadër vijnë edhe nga deputetë të shumicës parlamentare. Kryetari i komisionit për dezinformimin dhe format e tjara të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike Erion Braçe, i tha Zërit të Amerikës, se ka nevojë për transparencë kur bëhet fjalë për burimet financiare të donatorëve të partive apo kandidatëve.

“ Është e pambuluar nga pikpamja ligjore. Pra ne nuk kontrollojmë sot veprimtarinë e të tretëve që financojnë në procese zgjedhore. Përshembull unë jam donator i një partie. Problemi që kemi është që unë nuk deklaroj, deklaron partia për mua dhe unë nuk deklaroj burimin e të ardhurave të mia. I keni dëgjuar këta që thonë arkëtojmë kaq para nga donacione që vijnë nga brenda dhe nga jashtë vendit. Ky është shqetësimi. Kjo duhet të rregullohet urgjentisht para këtyre zgjedhjeve. Përndryshe lumi i parave që derdhen në fushatë elektorale nuk do të ketë asnjë limit”- thotë Z. Braçe.

Nga ana tjetër Instituti Demokratik Amerikan vëren me shqetësim se edhe “çështja e vetëfinancimit të kandidatëve mbetet e parregulluar me ligj, duke krijuar avantazhe për kandidatët me mundësi më të mëdha financiare kundrejt atyre me mundësi të pakta financiare”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi edhe pse pranon se ka përparime në kuadër të deklarimit të burimeve të financimit në zgjedhje, sërish thotë se ky proces është formal.

“Duhet të pranojmë jemi në kuadër formal të këtij procesi. Partitë dhe kandidatët raportojnë ato që ata duan të raportojnë, dhe ne thjesht bëjmë vlerësimin e atyre që kanë raportuar, por pak mundësi dhe mekanizma kemi për për të verifikuar në thellësi, se sa para marrin partitë dhe se si i kanë shpenzuar këto para. Jemi përpjekur të bëjmë kryqëzim informacioni, pra ky donator i ka apo jo kapacitetet për t’i dhënë këto para. Do duhet që ky proces të jetë më i rregulluar në aspektin ligjor dhe të ketë më shumë kompetencë KQZ-ja për të verifikuar edhe mbi donatorin”- argumenton Z. Celibashi.

Pas denoncimeve të organizatës “Qëndresa Qytetare” në KQZ, për zgjedhjet vendore të vitit 2023, 20 zyrtarë u gjobitën për përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë. Kodi zgjedhor parashikon sanksione, ndaj partive dhe donatorëve për shkelje të rregullave të financimit në fushatë, që përfshijnë gjoba deri në 5 milionë lekë dhe pezullim të financimit publik të një partie politike deri në pesë vjet, por ajo që shqetëson jo vetëm drejtuesit e kësaj organizate, lidhet me faktin se regjimi i sanksioneve është shumë i dobët për të qenë imponues.

“Ka patur dhe gjoba më pak se 25 euro, pra më pak se rruga që i ka kushtuar kandidatit apo zyrtarit nga një qytet në Tiranë. Ajo që kemi menduar në zgjedhjet e ardhshme është të vëmë në lëvizje prokurorinë. Ekzistojnë nene specifike në Kodin Penal për keqpërdorimin e burimeve publike në zgjedhje. Jemi në komunikim me SPAK-un, për zyrtarët e lartë por dhe me prokuroritë e rretheve për nivelet e tjera dhe çdo identifikim që do të kemi do ta adresojmë në këto institucione”- thotë Rigels Xhemollari, Drejtues i “Qëndresa Qytetare”.

Nga ana tjetër ekspertët vërejnë gjithashtu se mbetet krejtësisht e parregulluar me ligj edhe çështja e financimit të fushatave zgjedhore online.

“Kërkohet një ligj specifik që mediat online të jenë të rregulluara, me qëllim që paratë hije nga aktorë të tretë, që nuk janë të detyruar me ligj për të deklaruar financimet të mund të levrojnë para që bëjnë pis procesin zgjedhor”- shprehet Gerta Meta, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike.

Por Zoti Celibashi thotë se në lidhje me financimin e fushatave zgjedhore që zhvillohen online KQZ ka ndërmarrë një nismë.

“Ne si institucion po shohim mundësinë që të ndërtojmë një njësi e cila do të merret posaçërisht me monitorimin e mediave online, dhe për të kryqëzuar atë që raportohet si shpenzim nga subjektet zgjedhore me atë që ne verifikojmë realisht. Kjo kërkon dhe angazhimin e platformave sociale , ndërsa çështja e portaleve është në kaos të plotë”- vijon Z. Celibashi.

Ekspertët në vijimësi kanë ngritur shqetësime se financimet informale kryesisht në zonat me grupe kriminale aktive mund të ndikojnë deri në rezultatin e zgjedhjeve.

“ Grupet kriminale siç e kemi parë dhe nga skandalet kanë asete të mëdha financiare të padeklaruara dhe interesi i tyre është që të kenë njerëzit e tyre në nivelet vendimarrëse. Legjislacioni ynë aktual nuk e pengon këtë gjë, nuk e heton, edhe nëse ka indicie nga raportimet në media apo diku tjetër nuk e përdor këtë si indicie të mjaftueshme për të shkuar tek hetimi”- thotë Afrim Krasniqi, Drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.

Shqetësim për financimin e kandidatëve në fushata zgjedhore nga bota e krimit shprehu edhe ambasadori i OSBE-së, duke e cilësuar këtë si rrezik për demokracinë.

“Nuk është në interesin e Shqipërisë që kandidatë të botës së krimit të vijnë në fuqi. Dhe fatkeqësisht ka interesa të ndryshme këtu që janë kundër interesave të vendit. Kjo dëmton demokracinë, dhe për këtë arsye në si organizatë jemi kaq të angazhuar, sepse qëllimi ynë kryesor është forcimi i demokracisë në Shqipëri. Dhe është e qartë se nëse aktorë të padëshiruar gri ndërhyjnë në zgjedhje, kjo shkon kundër intersave dhe demokracisë në Shqipëri”-thotë Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Problemtikat e financimit të fushatave zgjedhore dhe partive politike janë sfida edhe për vendet e zhvilluara perëndimore, por ekspertët vërejnë se në vende si Shqipëria me demokraci të brishtë, informalitet të lartë, qarkullim të parave gri në ekonomi, me përpjekje në rritje të botës së krimit për të depërtuar në vendimarrje politike dhe parlamentare, këto sfida janë edhe më të mëdha.

Gjykata Kushtetuese dhe gjuha shqipe – Nga Lutfi Dervishi

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë se Veriut ndodhet në një udhëkryq historik. Vendimi i pritshëm për statusin e gjuhës shqipe ka një rëndësi që tejkalon kuadrin juridik, pasi prek identitetin historik, kombëtar, mbijetesën kulturore dhe vetë natyrën e themeleve të shtetit.

Historia e gjuhës shqipe është një histori sfide dhe qëndrese. Mbijetesa e saj është një dëshmi e një populli që refuzoi asimilimin që përfshiu pjesën më të madhe të kontinentit. Ndërkohë që gjuhët e tjera në pjesën latinofolëse të Perandorisë Romake, (Portugali, Spanjë apo Francë) u romanizuan, shqiptarët e ruajtën me fanatizëm gjuhën e vet.
Për më shumë se dy mijëvjeçarë, shqipja mbijetoi perballë dallgëve të gjuhëve të mëdha perandorake, nga latinishtja e Romës te greqishtja e sllavishtja kishtare, nga turqishtja osmane te arabishtja.

Rëndësia e gjuhës shqipe shkon përtej funksionit komunikues. Shqipja është bartëse e një identiteti unik kulturor dhe historik. Jo më kot, poeti Pashko Vasa shpalli moton që nuk i gjen të dytë në planet: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Kjo thënie kumton se: identiteti shqiptar, i mishëruar nga gjuha, e tejkalon fenë, politikën dhe presionet/kercenimet e jashtme.

Kjo moto u shpreh më së miri në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Në Manastir u mblodhën intelektualë dhe patriotë shqiptarë për të standardizuar alfabetin e gjuhës shqipe, duke zgjedhur përfundimisht alfabetin latin.

Ky vendim i guximshëm, i marrë nën sundimin osman dhe përballë debateve e kundërshtimeve të ashpra, simbolizoi shkëputjen nga e kaluara dhe një hap drejt të ardhmes perendimore. Shqiptarët u bënë kombi i parë në botë, me shumicë myslimane, që përqafuan alfabetin latin. Ky vendim i marrë në Manastir jo vetëm unifikoi gjuhën, por edhe shenjoi Perëndimin si Yllin polar të shqiptarëve.

Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, gjuha shqipe nuk është vetëm një gjuhë që e flet më së paku ⅓ e banorëve; gjuha shqipe është një shtyllë kushtetuese. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, i njohu shqiptarët si komb përbërës të shtetit. Kjo marrëveshje jo vetëm që i dha fund viteve të diskriminimit, por edhe sanksionoi parimin e barazisë gjuhësore dhe identitare.

Të vihet në diskutim sot statusi i gjuhës shqipe me artifice juridike do të thotë të vihet në pikëpyetje vetë themeli i Maqedonisë së Veriut si një shtet multietnik. Argumenti se shteti i përket njëlloj maqedonasve dhe shqiptarëve nuk është vetëm politik, ai është sa historik aq dhe moral.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për gjuhën shqipe nuk është thjesht një çështje juridike; ai është një provë e përkushtimit të vendit ndaj barazisë dhe unitetit. Shqiptarët kanë vuajtur mjaft, kanë luftuar gjatë, kanë derdhur gjak për të ruajtur gjuhën, edhe përballë sfidave në dukje të pakapërcyeshme.

Narrativa historike është e qartë: shqiptarët i kanë mbijetuar perandorive, sundime të huaja dhe konvertimeve fetare, por kurrë nuk e kanë braktisur gjuhën. Që nga njohja e rrënjëve të saj të lashta, deri te vendimi historik i Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ka qëndruar si emeruesi i perbashket i të gjithë shqiptarëve pavarësisht perkatesise fetare.

Gjykatesit e Gjykatës Kushtetuese tani përballen me një zgjedhje të thjeshtë. Ata ose mund ta nderojnë këtë histori duke konfirmuar statusin e barabartë të gjuhës shqipe, duke forcuar kështu themelet e një shteti multietnik; ose mund të kthejnë orën pas, duke ringjallur tensionet e vjetra dhe duke minuar jo vetëm progresin e arritur që nga Marrëveshja e Ohrit, por ndoshta vetë ekzistencën e shtetit.

Maqedonia e Veriut, fqinji ynë lindor ka vuajtur me dekada dhe ende po vuan, në rrugën e saj drejt BE për shkak të mos marrëveshjeve me fqinjet: me greket 30 vite bllokim sa i përket emrit dhe tani me bullgarët (mes të tjerash) edhe për çështje gjuhës. (Në udhëtimin e lodhshem dhe të gjate drejt BE-se, maqedonasit nuk kanë aleat më të mirë se shqiptarët, por nuk duhet ta marrin mirësinë per dobësi)

Siç na ka mësuar historia, gjuhët janë më shumë sesa fjalë; ato janë enet qarkulluese të identitetit. Dhe historia e gjuhës shqipe është një nga historite më të jashtëzakonshme të mbijetesës në historinë njerëzore.
Është një histori nga e cila Maqedonia e Veriut nuk duhet të trembet, por duhet ta përqafojë, sigurisht nëse dëshiron të ndërtojë një të ardhme të bazuar në barazi dhe respekt të ndërsjellë.
Ata që nuk mësojnë nga historia rrezikojnë të përsërisin gabimet.


Send this to a friend