VOAL

VOAL

McMaster: SHBA të jenë të përgatitura për deatomizim të Koresë Veriore

December 19, 2017

Komentet

Biden: Nuk e di nëse Izraeli po mban pezull marrëveshjen e paqes për të ndikuar tek zgjedhjet amerikane

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden tha të premten se nuk e dinte nëse Kryeministri Benjamin Netanyahu po mbante pezull bisedimet e paqes për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane.

“Asnjë administratë nuk e ka ndihmuar Izraelin më shumë se unë. Bibi (Benjamin Netanyahu) duhet ta ketë parasysh këtë gjë. Nuk e di nëse ai po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet amerikane, nuk e di, por nuk po e llogaris këtë”, tha Presidenti Biden.

Në një dalje të rrallë në sallën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Biden u pyet lidhur me komentet e Senatorit demokrat Chris Murphy, i cili tha këtë javë për rrjetin CNN se ishte i shqetësuar sepse zoti Netanyahu por tregonte një interes të vogël për arritjen e një marrëveshjeje për paqen, pjesërisht për shkak të politikës në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Biden ka kërkuar prej kohësh arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi. Ai dhe ndihmësit e tij kanë thënë disa herë gjatë muajve të fundit se një marrëveshje e tillë ishte pranë arritjes.

Por marrëveshja në fjalë nuk është materializuar ndonjëherë, dhe në disa raste zoti Netanyahu ka shprehur publikisht rezistencën ndaj kësaj mundësie, ndërsa zyrtarët amerikanë dhe izraelitë vazhdojnë bisedime në rrugë private për arritjen e një armëpushimi.

Ndërkohë, Izraeli ka bërë përparime në dy fronte, duke zhvilluar një inkursion tokësor kundër Hezbollahut në Liban, ku humbën jetë tetë ushtarë izraelitë dhe ka ndërmarrë sulme në Gazë, ku janë vranë dhjetëra njerëz, përfshirë fëmijë.

Izraeli gjithashtu është zotuar të hakmerret për sulmin iranian me raketa ndërsa shtohet frika për një konflikt rajonal.

Presidenti Biden tha se ende nuk ishte marrë një vendim lidhur me reagimin ndaj Iranit, pavarësisht zërave për një sulm izraelit ndaj rezervave iraniane të naftës.

“Po të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera, në vend të rezervave të naftës”.

Presidenti Biden gjithashtu hodhi poshtë zërat se ai po kërkonte një takim me zotin Netanyahu për të diskutuar lidhur me përgjigjen ndaj Iranit.

“Kur të marrin vendimin se si do të përgjigjen, atëherë ne do të bisedojmë”, tha Presidenti Biden.

Sidoqoftë, marrëdhëniet mes dy udhëheqësve kanë lënë për të dëshiruar. Presidenti Biden bëri të njohur publikisht ndalimin e dërgimit në Izrael të bombave të rënda dhe ka shprehur gjithnjë e më shumë shqetësimin mbi mundësinë e një konflikti të gjerë në Lindjen e Mesme.

“Nuk besoj se do të ketë një konflikt të gjerë”, tha Presidenti Biden të enjten në mbrëmje. “Unë mendoj se mund ta shmangim atë. Por ka ende shumë për të bërë”.

Me urdhër të Presidentit Biden, ushtria amerikane ka shtuar praninë në rajon për të mbrojtur Izraelin nga sulmet e Hamasit, Hezbollahut, Iranit dhe rebelëve Houthi. Në muajin prill dhe në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor në rrëzimin e raketave iraniane që kishin si objektiv Izraelin.

Këlliçi publikon foton me Trumpin: Kushtoi zero lekë. Pavarësisht nga fushata, gjeti kohë të dëgjonte për shqiptarët

Në një takim në SHBA, drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, ish-deputeti dhe ish-kandidati për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi, u takua me kandidatin për president të SHBA-ve, Donald Trump.

Ky takim, i cili u zhvillua në Ryder Center, Saginaw Valley State Ujiv, u përqendrua në diskutimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve, si dhe mundësive për të forcuar bashkëpunimin politik ndërkombëtar.

Këlliçi, si një prej figurave më të njohura të Partisë Demokratike, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e SHBA-ve në procesin e demokratizimit të Shqipërisë dhe rolin e tyre të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Pavarësisht fushatës intensive, Presidenti Trump gjeti kohën për të dëgjuar mbi Shqipërinë dhe zhvillimet e fundit në të.

Nga ana e tij, Presidenti Trump vlerësoi përpjekjet e Këlliçit për të sjellë ndryshime pozitive në Shqipëri dhe rajon, duke nënvizuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes vendeve dhe promovimit të vlerave të përbashkëta demokratike.

Në një postim në facebook Belind Këlliçi shkruan:
“Foto e vitit 🇦🇱🤝🇺🇸
Pavarësisht fushatës intensive, Presidenti Trump gjen përherë kohë për të dëgjuar për Shqipërinë dhe shqiptarët!
Shpresoj që foton e radhës ta bëjmë në Shqipëri, kombin që në masë kërkon kurorëzimin e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Për kureshtarët: Kosto???
ZERO lekë, vetëm 1 buzëqeshje 😃”. bw

Liz Cheney në fushatë me demokraten Harris

VOA/Marrë nga Associated Press

Liz Cheney, një ndër kundërshtaret më të ashpra të ish-Presidentit Donald Trump nga Partia Republikane, do t’i bashkohet kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris, në një aktivitet elektoral në Viskonsin të enjten, që synon të mobilizojë votuesit e moderuar.

Zonja Cheney ishte zyrtarja kryesore republikane në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021. Ajo u sulmua ashpër nga ish-presidenti republikan dhe u detyrua praktikisht të largohej nga kjo parti.

Zonja Cheney u mund dy vite më parë në zgjedhjet paraprake në Uajoming nga një kandidate që mbështetej nga ish-Presidenti Trump. Muajin e kaluar, zonja Cheney i dha mbështetjen kandidaturës së nënpresidentes demokrate. Dy gratë do të shfaqen së bashku në një shkollë në Ripon, ku në vitin 1854 u mbajtën një seri takimesh për të kundërshtuar zgjerimin e skllavërisë dhe që solli lindjen e Partisë Republikane.

Nënpresidentja Harris do të vazhdojë dy ditë aktivitetesh në Viskonsin dhe Miçigan. Ish-Presidenti Donald Trump do të jetë në Miçigan të enjten, ndërsa palët përpiqen të fitojnë terren në këto shtete kryesore për betejën elektorale.

Presidenti Joe Biden tha të enjten se nuk ishte i shqetësuar për garën e ngushtë Trump-Harris pasi, “gjithnjë del e afërt”, tha ai.

Nënpresidentja Kamala Harris

Nënpresidentja Kamala Harris

“Do ja dalë mbanë”, u tha Presidenti Biden gazetarëve për Nënpresidenten Harris në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa nisej për të vizituar zonat e dëmtuara nga stuhia në Xhorxhia dhe Florida. Ai shtoi se kandidati demokrat për nënpresident, guvernatori i Minesotas Tim Walz, pati paraqitje të mirë në debatin e së martës në Nju Jork me kandidatin republikan për nënpresident JD Vance.

“Tjetri e humbi debatin”, tha Presidenti Biden. “Dha variante të rreme për çdo gjë”.

Vizita e Nënpresidentes Harris në Uiskonsin bëhet një ditë pasi gjykata bëri publike një padi prej 165 faqesh ndaj ish-Presidentit Trump për përpjekjet për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Ish-Presidenti Trump ka deklaruar pafajësinë për akuzat për konspiracion dhe pengim të drejtësisë.

Është shumë e pazakontë që kandidatja e një partie kryesore të shfaqet në javët e fundit të fushatës elektorale aty ku i ka fillimet partia kundërshtare. Për më tepër, emri i familjes Cheney ishte dikur i papranueshëm për demokratët, të cilët kritikonin Dick Cheney-in, babain e Liz Cheney-it, për rolin e tij si nënpresident gjatë administratës së ish-Presidentit George W. Bush.

Por tashmë dy anëtarët e familjes Cheney mbështesin zonjën Harris, së bashku me një grup zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh republikanë që janë shkëputur nga pjesa më e madhe e partisë së tyre, e cila ka kaluar në mbështetje të zotit Trump. Nënpresidentja Harris dëshiron ta paraqesë kandidaturën e saj për presidente si një zgjedhje patriotike për votuesit e pavarur dhe konservatorë, të cilët mund të jenë trazuar nga mungesa e vullnetit për të dorëzuar pushtetin nga ish-Presidenti Trump. Ish-presidenti vazhdon ta mohojë humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, me pretendimin se pati manipulime në zgjedhje.

Të premten, zonja Harris do të ketë një aktivitet elektoral në Flint të Miçiganit, duke vazhduar kështu turneun e saj në shtetet që kanë qenë jetike për fitoren e demokratëve.

Ish-Presidenti Donald Trump

Ish-Presidenti Donald Trump

Në vitin 2016, ish-Presidenti Trump fitoi në Pensilvani, Viskonsin dhe Miçigan, ndërsa në vitin 2020 në këto shtete fitoi Presidenti Joe Biden.

Ish-Presidenti Donald Trump do të ketë një aktivitet elektoral në zemrën e shtetit Miçigan, në Qarkun Saginav, që ka shërbyer si tregues elektoral.

Kandidati republikan për president ka shtuar fokusin tek Miçigani, ku më pak se një javë më parë mbajti dy tubime të tjera. Në zgjedhjet e vitit 2020, Presidenti Biden fitoi në Qarkun Saginav me një diferencë të ngushtë prej 303 votash.

Pse po hetohen investimet e Kushnerit në Shqipëri e Serbi?

Shefi i diplomacisë në Serbi, Marko Gjuriq, tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për hetimet e investimeve të planifikuara në Beograd të Jared Kushnerit, dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gjuriq u përgjigj negativisht në pyetjen nëse ai, gjatë kohës kur ishte ambasador në Uashington, kishte njohuri për hetimin që Komisioni i Financave i Senatit të Kongresit Amerikan po zhvillon mbi veprimtarinë e kompanisë së dhëndrit të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ndërsa Shqipëria, ku Kushner po ashtu ka planifikuar investime, deri më tani nuk ka reaguar ndaj një hetimi që ka nisur Komiteti për Financa i Senatit të SHBA-së lidhur me to.

Investimet potenciale në Shqipëri dhe në Serbi të firmës Affinity, në pronësi të Kushnerit, janë bërë pjesë e një hetimi që ka nisur senatori amerikan, Ron Wyden, mbi ndikimet e mundshme politike të qeverive të huaja në familjen Trump.

Wyden, kryesues i Komitetit për Financa në Senatin amerikan, më 24 shtator i ka nisur një letër zyrtare kompanisë së Kushnerit, Affinity Partners, nëpërmjet së cilës ka kërkuar informacione në lidhje me këto investime.

Në këtë letër, ai ngre dyshime mbi detajet e investimeve potenciale në dy shtetet dhe nëse kjo u jep qeverive të huaja “kontroll potencial me mundësi detyrimi mbi investimet e familjes së presidentit të mundshëm të ardhshëm të SHBA-së”.

Donald Trump, tashmë është i nominuari i republikanëve për president të SHBA-së në zgjedhjet e nëntorit.

Në administratën e kaluar të Trumpit, Kushner kishte rolin e këshilltarit të lartë të presidentit.

Komiteti për Financa në senatin amerikan merret me çështje që lidhen me taksat dhe të ardhurat në përgjithësi, dhe ka autoritetin të hetojë, rishikojë dhe vlerësojë ligjet ekzistuese dhe agjencitë që i zbatojnë ato.

Për çfarë investimesh bëhet fjalë?

Kushner, i cili themeloi kompaninë e tij më 2021, bëri publike në mars të këtij viti, planet për investime në Shqipëri dhe në Serbi, të dyja të parapara në vlerë prej mbi 1 miliard dollarësh.

Derisa në Serbi planet janë konkretizuar me marrëveshje qeveritare me firmën e tij, në Shqipëri ato kanë mbetur ende “një shprehje interesi” për investim.

Letra e re e senatorit është vazhdimësi e një hetimi të nisur në qershor.

Ndër të tjera, senatori ngre dyshime për faktin se, siç thuhet, firma e Kushnerit është e financuar krejtësisht nga investitorë të huaj dhe atë në shumicë nga një fond i Qeverisë së Arabisë Saudite, derisa fonde të tjera përfshijnë ato nga qeveritë e Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ndër tjera.

Sipas letrës, këto fonde paguhen gradualisht dhe parashihet të arrijnë vlerën totale prej 3 miliardë dollarësh deri në vitin 2026.

Megjithatë, senatori shton se kompania e Kushnerit ende “nuk ka gjeneruar ndonjë fitim për investitorët e tij”.

Në letrën e tij, kryesuesi i Komitetit shpreh edhe shqetësim për nivelin e ndikimit që këto qeveri të huaja mund të kenë mbi familjen e kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump, nëse ai zgjidhet sërish president.

“Kjo krijon një situatë ku qeveritë e Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të kenë ndikim të rëndësishëm mbi familjen Trump nëse kërcënojnë t’i tërheqin investimet e tyre dhe të ndalojnë pagesën e miliona dollarëve në tarifa ndaj Kushnerit dhe njëkohësisht, vajzës së Trumpit, Ivanka Trump”, thuhet në letër.

Me qëllim të hetimit të mëtejmë, senatori i ka kërkuar kompanisë Affinity të dhëna të detajuara mbi fondet dhe planet investuese dhe për këto pyetje ka kërkuar përgjigje deri më 9 tetor.

Radio Evropa e Lirë deri më tani nuk ka arritur të marrë një koment nga kompania Kushner lidhur me këtë çështje.

Në një deklaratë për New York Times, Affinity e quajti letrën e Wydenit një veprim politik, duke shtuar se firma kishte ndjekur të gjitha ligjet federale dhe rregullat etike.

Investimet në Shqipëri dhe shqetësimet e senatorit

Në mars, Kushner postoi disa fotografi në rrjete sociale për dizajnet potenciale të investimeve të firmës së tij në Shqipëri.

Ai kishte thënë se synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, në Detin Mesdhe, në një destinacion luksoz për turistët.

Ky ishull kryesisht i braktisur, aktualisht është bazë ushtarake dhe është gjysmë i hapur për publikun.

Kushner, gjithashtu, kishte thënë se synon t’i ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.

Deri më tani, sipas autoriteteve të Shqipërisë, kompania ka shprehur interes zyrtar për të qenë investitor potencial në Sazan dhe do t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit.

Në të kaluarën, sa i përket Zvërnecit, Qeveria kishte thënë se zyrtarisht nuk ka pranuar ndonjë shprehje interesi lidhur me këtë investim.

Planet e Kushnerit u përballën me kundërshtime në Shqipëri, sidomos nga ambientalistët që thonë se mund të shkaktohen dëme në zonat e mbrojtura bregdetare.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 19 mars, kishte thënë se “do të negociohet pjesëmarrja e shtetit në investimin e planifikuar të Jared Kushnerit në ishullin e Sazanit”.

Rama kishte shtuar se për investimet në ishullin Sazan, Qeveria e drejtuar prej tij “nuk zgjedh persona, por në bazë të legjislacionit shqiptar u referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen”.

Në anën tjetër, në letrën e fundit të Wydenit, thuhet se “Affinity i tregoi Komitetit se Qeveria serbe dhe ajo shqiptare fillimisht iu afrua individëve të lidhur me kompaninë Affinity në lidhje me një investim për projektet potenciale”.

Kështu, senatori ka kërkuar që kompania të tregojë se kush saktësisht i është afruar kompanisë për të diskutuar për plane të mundshme investimi.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë deri më tani nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me këtë çështje.

“Investimet në Serbi, rrezik për rishkrim të historisë”

Shqetësimet e njëjta me investimet në Shqipëri, senatori i shprehu edhe për ato në Serbi, përveçse te kjo e fundit, Wyden thotë se mund të çojë edhe në rishkrim të historisë në kontekst “antiamerikan”.

Më 15 maj, Serbia e nënshkroi një marrëveshje për rivitalizimin e kompleksit të ish-Sekretariatit Federal për Mbrojtjen Kombëtare me kompaninë Affinity të Kushnerit.

Kompania e Kushnerit planifikon të ndërtojë një kompleks biznesi-banesor në vendin e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm ishte bombarduar natën mes 29 dhe 30 prillit dhe më 7 e 8 maj 1999, nga forcat e NATO-s.

NATO-ja filloi bombardimin e ish-Jugosllavisë më 24 mars të atij viti si përgjigje ndaj persekutimit të shqiptarëve në Kosovë nga forcat serbe të sigurisë.

Ndërkohë, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Serbisë, Goran Veshiq, tha në maj se investitori (Affinity) ka për obligim që në të njëjtën parcelë të ndërtojë një kompleks memorial kushtuar të gjitha viktimave të bombardimeve të NATO-s.

Pikërisht këtë pikë, Wyden e ka parë si problematike pasi thotë se monumenti u përshkrua si i dedikuar për “viktimat e agresionit të NATO-s”.

“Është krejtësisht e papërshtatshme që një qeveri e huaj t’i kërkojë një kompanie amerikane të marrë pjesë në atë lloj revizionizmi historik antiamerikan, një akt që mbulon spastrimin etnik dhe gjenocidin dhe e përshkruan në mënyrë të rreme NATO-n si një antagoniste, dhe është skandaloze që një firmë e themeluar dhe pronë e familjes së një ish-presidenti dhe presidenti të mundshëm të ardhshëm, të Shteteve të Bashkuara, do të pajtohej me këtë”, thuhet në letër.

REL-i i është drejtuar me pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë lidhur me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje./REL

I akuzuari për tentim vrasjeje të Trumpit deklarohet i pafajshëm

Një burrë që, sipas autoriteteve, kaloi 12 orë jashtë fushës së golfit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, përpara se Shërbimi Sekret ta pikaste, u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave federale, që përfshijnë akuzën për tentim vrasjeje.

I akuzuari Ryan Wesley Routh u paraqit në gjykatën federale në West Palm Beach disa ditë pasi u paraqit aktakuza me pesë pika, që lidhej me përpjekjen e dytë për të vrarë Trumpin që nga korriku.

Routh hyri në sallën e gjyqit i prangosur dhe i përshëndeti gazetarët e mbledhur për ta ndjekur procesin. Avokatët e tij refuzuan të komentojnë pas seancës.

Përpjekja e pretenduar për vrasje u pengua kur një anëtar i Shërbimit Sekret vuri re tytën e pushkës e Routh që dilte përtej gardhit të fushës së golfit, ku po luante Trump, sipas autoriteteve. Një agjent qëlloi në drejtim të Routhit, i cili u largua me shpejtësi dhe pastaj u arrestua pranë vendit të ngjarjes.

Zyrtarët kanë thënë se Routh nuk qëlloi asnjë plumb dhe nuk e kishte Trump në rrezen e shikimit të tij. Ai la pas një kamerë digjitale, një çantë shpine, një pushkë dhe një qese plastike me ushqime.

Prokurorët kanë thënë se Routh kishte shkruar për planet e tij për ta vrarë Trumpin në një shënim të shkruar me dorë disa muaj para arrestimit të tij më 15 shtator, ku e përshkruante veprimin e tij si një “përpjekje të dështuar për vrasjen e Donald Trump” dhe ofronte 150.000 dollarë për këdo që mund ta “mbaronte punën”.

Ky shënim ishte në një kuti që Routh raportohet se e kishte dorëzuar në shtëpinë e një dëshmitari të paidentifikuar disa muaj para arrestimit të tij.

Seanca e ardhshme në këtë rast do të mbikëqyren nga gjyqtarja federale Aileen Cannon, e cila u emërua në këtë post nga Trump dhe gjithashtu është caktuar të merrej me çështjen penale ku ish-presidenti akuzohet për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago.

Cannon ka tërhequr vëmendje për mënyrën e saj të trajtimit të çështjes penale të Trumpit, të cilën e hodhi poshtë në korrik, vendim që tani po apelohet nga ekipi i këshilltarit special Jack Smith.

Arrestimi i Routhit ndodhi dy muaj pasi Trump u qëllua dhe u plagos në vesh gjatë një përpjekje për vrasje në një tubim fushate në Pensilvani. Shërbimi Sekret ka pranuar se ka pasur mangësi në sigurinë para atij sulmi, por ka thënë se masat e sigurisë funksionuan siç duhet për të parandaluar një sulm të mundshëm në Florida.

Fillimisht, Routh u akuzua vetëm për vepra penale që lidheshin me armët, përpara se prokurorët të ngrinin akuza të tjera më serioze. Prokurorët shpesh ngrenë fillimisht akuzat më të lehta për t’u provuar dhe më pas shtojnë akuza më të rënda gjatë zhvillimit të hetimit.

Akuzat e tjera përfshijnë posedimin e paligjshëm të armës, pavarësisht se ai kishte disa dënime penale, duke përfshirë dy akuza për posedim të mallrave të vjedhura në vitin 2002 në Karolinën e Veriut. Ai gjithashtu akuzohet për posedimin e një arme me numrin serik të fshirë, në kundërshtim me ligjin federal. rel

“Vrasës të ftohtë, përbindësha”- Donald Trumpi përshkallëzon retorikën kundër emigrantëve

Kandidati republikan për president, Donald Trump ka përshkallëzuar retorikën e tij kundër emigrantëve dhe ka shtuar fyerjet personale kundër Kamala Harrisit, gjatë një tubimi të shtunën në shtetin e Wisconsit.

 

Fjalimi i Trump atje iu kushtua në mënyrë të pazakontë pothuajse tërësisht emigrantëve pa dokumente.

Ai pretendoi se emigrantët në SHBA janë kriminelë të dhunshëm, duke iu referuar atyre si “vrasës të ftohtë”, “përbindësha” dhe “kafshë të neveritshme”.

Kandidati republikan për president ishte i rrethuar nga postera të emigrantëve në SHBA, të cilët janë arrestuar për vrasje dhe krime të tjera të dhunshme, dhe pankarta që shkruanin “Fund krimit të migrantëve” dhe “Dëboni ilegalët tani”.

Trump sulmoi Harrisin e cila të premten vizitoi kufirin SHBA-Meksikë për herë të parë në fushatën e saj presidenciale 2024, duke e quajtur atë “të paaftë mendërisht”.

Ish-presidenti fajësoi Harrisin dhe presidentin Joe Biden për lejimin e emigrantëve pa dokumente në SHBA, duke akuzuar disa emigrantë se duan të “përdhunojnë, plaçkisin, vjedhin dhe vrasin njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Panorama

Senati amerikan hetim për lidhjet e qeverisë shqiptare me dhëndërrin e Trump Jared Kushner!

Senati amerikan heton lidhjet e zyrtarëve serbë dhe shqiptarë me projektet e Jared Kushner

Ivan Angelovski

Komiteti i Financave në Senatin e Shteteve të Bashkuara tha të mërkurën se hetimi i tij mbi ka zbuluar se zyrtarë të qeverive serbe dhe shqiptare iu afruan proaktivisht kompanisë me propozime për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre.

Kompania që merret me aksione dhe investime është e lidhur me ,  dhëndri dhe këshilltari i ish-presidentit të SHBA-ve, .

Në një letër drejtuar Affinity, kryetari i Komitetit të Financave i Senatit, Senatori tha se komiteti tani po kërkon të identifikojë zyrtarët dhe ndërmjetësit e përfshirë në këto komunikime.

Letra nga Komiteti i Financave u dërgua afërsisht në të njëjtën kohë kur djali i madh i Trumpit, Donald Trump Jr., ndodhej në Beograd për të takuar biznesmenë serbë, ndërkohë që fushata presidenciale e SHBA-së, në të cilën Trump është kandidat republikan, po hyn në fazat e saj përfundimtare.

Senatori Wyden, një demokrat nga Oregoni, nisi hetimin mbi Affinity Partners në qershor, pas raporteve për investimet e planifikuara në dhe . Në Serbi, kompania pritet të rikonstruktojë ish-Shtabin Ushtarak të Jugosllavisë në Beograd që u dëmtua rëndë gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999.

Në komunikimet e saj me Komitetin, Wyden tha se Affinity kishte konfirmuar se zhvillimi i planifikuar i sitit në Beograd do të përfshinte një “muze që përshkruhet si një monument për ‘viktimat e agresionit të NATO-s’”.

Wyden është shumë kritik ndaj këtij memoriali të propozuar: “Është krejtësisht e papërshtatshme që një qeveri e huaj të kërkojë që një firmë amerikane të marrë pjesë në këtë lloj revizionimi anti-amerikan të historisë, një akt që përpiqet të fshijë spastrimet etnike dhe gjenocidin dhe bën NATO-n të duket personazh negativ. Është tronditëse që një firmë e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti dhe një kandidati që mund të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA, e pranon këtë” shkroi ai.

Kompania gjithashtu planifikon të investojë në projekte luksoze të pasurive të paluajtshme në bregdetin shqiptar. Mediat kanë raportuar se ndër investitorët e tjerë të huaj, Affinity Partners ka marrë 2 miliardë dollarë financim nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite.

Në letrën e tij fillestare drejtuar kompanisë, Wyden kërkoi të dhëna dhe informacion mbi “dhjetëra milionë [dollarë] që Kushner po merr nga sauditët dhe burime të tjera të huaja çdo vit duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore mbi transparencën e fondeve private të investimeve për të fshehur këto marrëveshje nga publiku”.

Në një letër të mëvonshme, të publikuar këtë javë, Wyden kërkoi “një listë të detajuar të personelit të qeverisë shqiptare, ose individëve që kanë kontaktuar Affinity në emër të qeverisë shqiptare, të cilët e kanë kontaktuan së pari Affinity për të diskutuar investimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri”. Ai ka bërë një kërkesë të ngjashme për zyrtarët serbë.

Wyden gjithashtu kërkon kopje të të gjitha komunikimeve midis punonjësve të Affinity dhe anëtarëve të familjes Trump në lidhje me këto projekte, duke përfshirë gruan e Kushner, .

Affinity ka konfirmuar për Wyden se qeveritë serbe dhe shqiptare do të kenë kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e këtyre projekteve të mundshme, përfshirë fuqinë vendimmarrëse mbi lejet, taksat lokale dhe licencat për projektet.

Megjithatë, Wyden shkroi se kjo do të thotë që Serbia dhe Shqipëria do të kenë “kontroll potencialisht shantazhues mbi investimet e familjes së atij që mund të jetë presidenti i ardhshëm”. Sipas Wyden, një nivel i tillë i përfshirjes së qeverisë ngre pyetje në lidhje me natyrën e këtyre marrëdhënieve.

“Për të dy zhvillimet e propozuara të pasurive të paluajtshme, qeveritë serbe dhe shqiptare duket se zotërojnë tokën dhe kanë diskrecion të gjerë mbi mënyrën se si përdoret ajo. Këto kushte u lejojnë qeverive serbe dhe shqiptare të kërkojnë përfitime të pazakonta nga Affinity gjatë procesit,” deklaroi Wyden.

Pyetje mbi lidhjen saudite

Sipas letrës së Wyden, Affinity ka fituar 157 milionë dollarë në pagesa nga klientët e huaj, përfshirë 87 milionë nga qeveria e Arabisë Saudite.

Affinity i ka bërë me dije Komitetit se i faturon investitorit kryesor të tij, Fondit Publik të Investimeve të Arabisë Saudite, një interes vjetor prej 1.25 për qind mbi 2 miliardë dollarët në fonde të premtuara dhe se investitorët e tjerë po paguajnë më shumë se 2 për qind interesa mbi fondet e premtuara.

Wyden pretendon se struktura e tarifave të Affinity është jashtëzakonisht e lartë, duke marrë parasysh tendencat e tregut dhe mungesën relative të përvojës së Kushner dhe të punonjësve të tjerë të lidhur me Trump në këtë industri.

Affinity thotë se fondet e saj nuk kanë gjeneruar asnjë kthim investimi deri më tani dhe se nuk kanë shpërndarë asnjë fitim për klientët.

Wyden pretendon se varësia e Affinity nga një grup i vogël investitorësh të lidhur me qeveri të huaja ngre gjithashtu shqetësime në lidhje me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, FARA, që rregullon lobimin e huaj në SHBA.

“Meqenëse 100 për qind e kapitalit të jashtëm të Affinity dhe burimeve të të ardhurave vijnë nga burime të huaja, kryesisht fondet sovrane, jam i shqetësuar që fondet private të investimeve të Affinity po shfrytëzohen nga ish-zyrtarë të qeverisë amerikane si një mënyrë për të marrë kompensim nga qeveritë e huaja pa i deklaruar këto pagesa sipas FARA-s,” shkroi Ëyden.

Madhësia e investimit saudit ka ngritur prej kohësh pikëpyetje. New York Times raportoi në prill 2022 pretendimet se investimi “duket si një shpërblimi i mundshëm për veprimet e Kushner në Shtëpinë e Bardhë – ose si një përpjekjeje për favore në të ardhmen nëse Trump kërkon dhe fiton një mandat tjetër presidencial në vitin 2024”.

Opozita e Serbisë e zbuloi për herë të parë informacionin që kompania amerikane do të investonte në Serbi në mars.

Projekti u kritikua në raporte për shkak të dyshimeve për korrupsion, por edhe për shkak të vlerës arkitektonike dhe kulturore të ish-Shtabit Ushtarak të Jugosllavisë të dëmtuar në Beograd. Ndërtesa u ndërtua në vitin 1965 dhe është projektuar nga arkitekti i njohur serb Nikola Dobrovic./Reporter.al

Letra e plote:

Republikanët “ndalojnë” Kostelancik të vijë në Shqipëri, kandidatura e tij si zëvendësues i Yuri Kim, pengohet në senat

Mosmarrëveshjet mes republikaneve dhe demokratëve në senatin amerikan për çështje të brendshme vijojnë të mbajnë të bllokuar rreth 40 emrat të cilët administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka kandiduar për të qenë ambasadorët e rinj amerikane në vende të ndryshme të botës, duke përfshire edhe të nominuarin e Biden për ambasador të Shteteve te Bashkuara në Shqipëri David J. Kostelancik.

Në një seancë të 24 shtatorit, senatorja demokrate nga New Hampshire Jeanne Shaheen prezantoi në senat një mocion ku kërkonte miratimin e të nominuarit të presidentit Biden në Shqipëri David J. Kostelancik, por serish u përball me pengesën republikane,

“Vij sot këtu për të mbështetur nominimi i David Kostelancik per te qene Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri. Për mbi 35 vjet, z. Kostelancik ka shërbyer si diplomat karriere I Shërbimi i Jashtëm dhe një kandidat i kualifikuar dhe shembullor për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në një kryeqytet aleat.  Ai ka shërbyer më parë në Shqipëri, si dhe detyra jashtë vendit si në Turqi, Rusi dhe Hungari, ku ai drejtoi Ambasadën tonë si i Ngarkuar me Punë për gati 2 vjet. Është e qartë se ne kemi një kandidat shumë te kualifikuar për të shërbyer si ambasador në Shqipëri. Dua te theksoj se perse është kaq kritike që ne te konfirmojnë një ambasador në Shqipëri dhe që ta bëjmë pa vonesë. Shqipëria është një histori e vërtetë suksesi për Politiken e jashtme amerikane. Vetëm 30 vjet më parë Shqipëria po zgjohej nga më shumë se katër dekada të sundimit komunist”, tha senatorja.


Deklarate e cila u kundërshtua nga senatori republikan nga Utah Mike Lee i cili dha disa argumente kundër kësaj kandidature.

“Kryqëzata e vazhdueshme e diplomatëve të karrierës për të përhapur ideologjinë “woke” në emër të Shteteve të Bashkuara shpesh vepron qartësisht kundër interesave tona dhe minon aktivisht reputacionin dhe ndikimin e kombit tonë. Ashtu si shumë nga të nominuarit e Biden-Harris, z. Kostelancik ka treguar paaftësi për të lënë mënjanë pjesëmarrjen e tij personale politike ndërsa përfaqëson interesat e SHBA-së jashtë vendit. Performanca e tij e kaluar si i ngarkuar me punë në Hungari duhet ta diskualifikojë atë për t’u besuar sërish me përgjegjësinë diplomatike. Z. Kostelancik ndërhyri hapur në politikën hungareze. Ai sulmoi lirinë e shtypit dhe u përfshi në aktivizëm të hapur social, të cilin qeveria hungareze e konsideroi si një ndërhyrje të papërshtatshme në politikën e brendshme të Hungarisë. Kostelancik dëmtoi marrëdhënien tonë me një aleat të besueshëm dhe të rëndësishëm për hir të përhapjes së ideologjisë partiake jashtë vendit, në një kohë kur ai ishte thjesht një zëvendës deri sa administrata e Trump-it të nominonte një ambasador. Tani administrata Biden-Harris dëshiron ta bëjë atë përgjegjësin kryesor për interesat e qeverisë amerikane në Shqipëri. Administrata Biden-Harris kishte çdo mundësi të paraqiste një kandidat të ri për këtë pozicion kur emërimi i z. Kostelancik iu kthye Presidentit në fund të vitit të kaluar, por në vend që të paraqiste një kandidat me një reputacion më të favorshëm, një të kaluar më pak kontradiktore dhe një përqendrim të dëshmuar në interesat kryesore të SHBA-së, Presidenti Biden po e promovon z. Kostelancik.

Imperializmi kulturor vazhdon të dominojë, të shpërqendrojë dhe të shkatërrojë reputacionin dhe efektivitetin e trupit tonë diplomatik. Nuk do të jem i paangazhuar në përpjekje të tilla, dhe për këtë arsye kundërshtoj”, tha Lee.

Ne dhjetor te vitit te kaluar Senati amerikan nuk e miratoi emërimin e Kostelancik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri duke e kthyer këtë kandidature te presidenti Biden. Nuk dihet ende se kur do te jete seanca e radhës ne senat per shkak te procesit elektoral të nëntorit ku e gjithë vëmendja e politikes amerikane fokusohet te presidencialet.bw

Trumpi dhe Zelensky u takuan në Nju Jork

Takimi mes Donald Trumpit dhe Volodymyr Zelenskyt në Nju Jork.

 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua në Nju Jork me Donald Trumpin, kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara.

Trump tha se nëse zgjidhet president, “ne do të punojmë me të dyja palët” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, që ai tha se beson se “mund të zgjidhet shumë shpejt”.

“Kam raport shumë të mirë [me Zelenskyn] dhe po ashtu kam një raport shumë të mirë, siç e dini, me presidentin [rus, Vladimir] Putin”, tha Trump më 27 shtator në Kullën Trump në Nju Jork, ku u mbajt takimin.

“Mendoj se nëse fitoj [në zgjedhjet presidenciale të nëntorit], do të kemi një zgjidhje shumë të shpejtë”, shtoi ai.

Takimi vjen mes rritjes së tensioneve mes dy zyrtarëve lidhur me mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Mbajtja e këtij takimi ishte vënë në pikëpyetje paraprakisht, por Trump tha se “vetë fakti që jemi bashkë sot është shenjë e mirë”.

“Mendoj se kemi një qëndrim të përbashkët se lufta në Ukrainë duhet të ndalet dhe [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk mund të fitojë”, tha Zelensky në nisje të takimit.

Takimi u zhvillua në Kullën Trump në Nju Jork, një ditë pasi nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kundërshtarja demokrate e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, u takua me liderin ukrainas dhe shprehu mbështetje të palëkundur për Ukrainën.

Trump dhe Harris kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mbështetjes së Ukrainës, teksa lufta mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdon.

Trump në ditët e fundit ka lavdëruar fitoret historike ushtarake të Rusisë dhe ka insistuar se SHBA-ja ka nevojë “të largohet” dhe t’i japë fund përfshirjes me Ukrainën.

Gjatë një interviste për The New Yorker, që u publikua më herët gjatë kësaj jave, Zelensky la të kuptohet se Trumpi nuk e kupton dhe e thjeshton konfliktin. Udhëheqësi ukrainas tha se kandidati i Trumpit për nënpresident, JD Vance, ishte “shumë radikal” dhe po avokon që Ukraina “të bëjë një sakrificë” duke “hequr dorë nga territori i saj”.

Gjatë kësaj jave, Trumpi në dy raste ka kritikuar Zelenskyn. Duke folur gjatë një ngjarjeje në Karolinën e Veriut të mërkurën, Trump tha:

“Çdo marrëveshje – qoftë marrëveshja më e keqe – do të ishte më e mirë nga ajo që kemi tani”.

Ndërkaq, Harris në takim me Zelenskyn tha se Trumpi po kërkon që Ukraina të arrijë një marrëveshje të shpejtë dhe propozimet e tij, sipas saj, “nuk janë propozime për paqe, por propozime për dorëzim”. Por, Trump ka deklaruar se ai nuk po avokon për dorëzim.REL

Lufta në Ukrainë- Trump dhe Zelensky do të takohen në Nju Jork, mes debateve në rritje

Donald Trump ka thënë se do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Nju Jork të premten. Kandidati republikan për president tha në një konferencë shtypi se dyshja do të takohen në pronën e tij Trump Tower.

Takimi është vendosur të vazhdojë pavarësisht raporteve të mëparshme se ishte anuluar në mes të zemërimit në rritje nga republikanët, pasi Zelensky vizitoi më herët shtetin kyç amerikan të Pensilvanisë.

Të enjten, Zelensky u takua me Presidentin e SHBA Joe Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar “planin e tij të fitores”, i cili ai shpreson se do të bëjë presion ndaj Rusisë për të rënë dakord për një fund diplomatik të luftës. “Presidenti Zelensky ka kërkuar të takohet me mua dhe unë do të takohem me të nesër në mëngjes”, u tha Trump gazetarëve në Nju Jork.

“Dhe është turp ajo që po ndodh në Ukrainë. Kaq shumë vdekje, kaq shumë shkatërrime. Është një gjë e tmerrshme.” Trump tha se besonte se do të ishte në gjendje të “bënte një marrëveshje” midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Zelensky “mjaft shpejt”. Kur u pyet për të dhënë detaje të një marrëveshjeje të tillë, ai u përgjigj: “Nuk dua t’ju them se si duket”.


Ish-presidenti amerikan po fliste pasi Zelensky ishte takuar më parë me Biden dhe Harris. Disa orë më parë, Biden kishte njoftuar një paketë shtesë prej 7.9 miliardë dollarësh (5.9 miliardë paund) të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Duke folur së bashku me presidentin ukrainas pas takimit të tyre, Harris tha se ka “disa njerëz në vendin tim” që “do ta detyrojnë Ukrainën të heqë dorë nga pjesë të mëdha të territorit të saj sovran”.

“Këto propozime janë të njëjta me ato të Putinit,” tha ajo, duke i quajtur ato “propozime për dorëzim”. I pyetur në konferencën për shtyp nga një gazetar nëse Ukraina duhet t’i lëshojë tokë Rusisë për t’i dhënë fund luftës, Trump nuk u përgjigj drejtpërdrejt. “Le të kemi pak paqe,” tha ai. “Ne kemi nevojë për paqe. Ne duhet të ndalojmë vdekjen dhe shkatërrimin.”

Takimi i së premtes vjen në mes të tensioneve midis Zelensky dhe partisë Republikane përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA. Disa republikanë u zemëruan nga vizita e Zelenskyt në një fabrikë armësh në qytetin e lindjes së Biden, Scranton, Pensilvani.

Vizita e Zelenskit në shtetin kyç u etiketua nga republikanët kryesorë si një ngjarje e fushatës. Në një letër publike, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson tha se vizita ishte “projektuar për të ndihmuar demokratët” dhe pretendoi se ajo përbënte “ndërhyrje në zgjedhje”. Trump dhe Zelensky kanë një marrëdhënie të ndërlikuar.

Në vitin 2019, Trump u fajësua nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së për akuzat se ai i bëri presion liderit të Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për një rival politik. Një transkript i përafërt i telefonatës zbuloi se Trump i kishte kërkuar Zelenskyt të hetonte Bidenin, si dhe djalin e Bidenit. Trump gjithashtu është bërë gjithnjë e më kritik ndaj financimit të vazhdueshëm të SHBA-së për Ukrainën, dhe ditët e fundit ka ashpërsuar sulmet e tij kundër Zelenskit, duke e quajtur atë “shitësin më të madh në Tokë”.

Zelensky kohët e fundit i tha revistës New Yorker se ai beson se Trump “nuk di vërtet se si ta ndalë luftën”. Kur u pyet për komentet e Zelenskyt të enjten, Trump u përgjigj: “Unë besoj se nuk jam dakord me të. Ai nuk më njeh”.bw

Studiuesja në SHBA jep alarmin e fortë: ‘Vuçiçi njësoj si Putini, po përgatit hakmarrje ndaj Kosovës’

“Ashtu siç Putini akuzoi Perëndimin për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe kaloi jetën e tij duke u përgatitur për hakmarrjen e vitit 2022, Presidenti serb po përgatit hakmarrjen e tij për vitet ’90”.

Këtë skanim i bëri studiuesja e njohur që vepron në Shtetet e Bashkuara, Ivana Stradner, fjalimit të Aleksandër Vuçiç në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Ai po pret vetëm momentin e duhur gjeopolitik”, lëshon alarmin ekspertja e njohur e sigurisë. Ndërsa, studiuesi europian, Jakub Bielamowicz, vlerëson se presidenti serb shkoi plotësisht me një retorikë anti-perëndimore duke dënuan dominancën e kapitalizmit perëndimor.

“Ai fajësoi perëndimin për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe rrëzimin e Jugosllavisë, gjithashtu dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999 që i hapën rrugën pavarësisë së Kosovës”, thekson eksperti evropian. sn

Skandal në SHBA- Gazetarja publikon foto nudo me pinjollin e familjes Kennedy

Një skandal seksual ka përfshirë sërish familjen Kennedy.

Gazetarja Olivia Nuzzi e revistës së njohur New York Magazine i ka dërguar foto thuajse nudo ish-kandidatit të sapo tërhequr presidencial Robert F. Kennedy Jr. Mediat thonin se Nuzzi dhe kandidati Kennedy kishin një marrëdhënie online romantike, dhe se 31-vjeçarja tërheqëse i kishte dërguar foto pinjollit të familjes së famshme Kennedy, që nga ana tjetër është i martuar.

Dyshja thuhet se kishin shkëmbyer shumë mesazhe pasi Nuzzi ishte njohur me 70-vjeçarin në një event në nëntor. Prej zhurmave të aferës, Nuzzi aktualisht është pezulluar nga puna.

Grupi i Kennedy thanë se ai është takuar personalisht vetëm një herë me Nuzzin në nëntor, por rrjeti Puck News shkruante se dyshja ishin takuar disa herë.

Në një tjetër deklaratë një zëdhënës i Kennedyt i quante deklaratat e marrëdhënies “të rreme”, duke përsëritur se ish-kandidati presidencial dhe Nuzzi ishin takuar vetëm një herë personalisht.

Edhe Nuzzi thotë se mes tyre nuk kishte një marrëdhënie fizike dhe se ajo nuk e kishte përdorur Kennedin si “burim informacioni”.

Kennedy, i biri i senatorit amerikan Robert F. Kennedy të vrarë në një aksident ajror, dhe nip i ish-presidentit President John F. Kennedy, të vrarë në atentat, akuzohet nga mediat se ishte në lidhje me Nuzzi, teksa ajo është e fejuar dhe ai vetë i martuar.

Kennedy është i martuar prej një dekade me aktoren Cheryl Hines, që u bë gruaja e tij e tretë.sn


Send this to a friend