15:47
Prosper kritikon Prokurorinë lidhur me dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes
Pas Tavakolit, fjalën e mori mbrojtësi tjetër i Thaçit, Pierre-Richard Prosper. Ai kritikoi ZPS-në për mënyrën se si i ka trajtuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes.
Prokuroria, tha ai, pretendoi se shtatë dëshmitarët nuk kishin njohuri të thella për UÇK-në, nuk kishin lexuar rregulloret e as komunikatat e saj dhe nuk ia njihnin strukturën.
“Këto komente tregojnë arrogancë, mungesë respekti që ka qenë e pranishme qysh në fillim të këtij procesi”, tha Prosper.
“Duhet të kujtojmë rëndësinë e dëshmitarëve. Duhet të respektoni rolin që kanë pasur, shtetet që përfaqësojnë”, shtoi Prosper, duke theksuar se ata nuk dolën para gjykatores si persona privatë, por në kohën e luftës kishin pasur role të rëndësishme dhe përfaqësonin SHBA-në, NATO-n e OKB-në.
15:34
Tavakoli flet për thirrjet e Thaçit për tolerancë në verën e vitit 1999
Pas pushimit, avokatja Nina Tavakoli foli kundër pretendimeve të Prokurorisë se Thaçi ishte në dijeni dhe nuk kishte vepruar për të ndëshkuar apo parandaluar krimet e kryera në verën e vitit 1999.
Tavakoli tha se përgjegjës për ndjekjen e këtyre krimeve atëbotë ishte UNMIK-u dhe Thaçi krejt çfarë mund të bënte, si kryeministër i Qeverisë së përkohshme, ishte të fliste për to dhe ai ka folur.
Tavakoli tha se Thaçi ka bërë thirrje për tolerancë, ka kërkuar që serbët të mos largohen nga Kosova dhe kjo e ka ekspozuar, pretendoi ajo, ndaj rreziqeve personale dhe politike.
Ajo tha se ZPS-ja është bazuar kryesisht në një dëshmitar ndërkombëtar, që sipas Tavakolit, ishte i ri në mision ndërkombëtar dhe nuk e kuptonte pse pavarësisht deklaratave, dhuna nuk ndaloi. Ai doli në përfundimin që Thaçi e ka orkestruar këtë dhunë”.
“Ne mendojmë se pse vazhdojë dhuna në verën e 99-tës, pavarësisht thirrjeve për tolerancë nga Thaçi, ishte pikërisht se Thaçi nuk e kishte pushtetin ndaj këtyre kryesve”, tha Tavakoli.

15:16
Rinis seanca
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka rinisur seanca ku mbrojtja e Thaçit po mban fjalën përmbyllëse.
14:05
Mbrojtja kundërshton pretendimin se Thaçi synonte marrjen nën kontroll të Kosovës
Avokatja Tavakoli tha se Thaçi në cilësinë e kryeministrit në Qeverinë e përkoshme nuk kishte pushtet të vërtet.
“Ai nuk mundte të nënshkruante asnjë angazhim domethënës për kosovarët në rolin e tij si kryeministër”, tha ajo, duke kujtuar dëshminë e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan se Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për çarmatosje e UÇK-së si kryeministër i Qeverisë së përkohshme.
“Kryeministër ishte një titull, nuk ishte shtysë përmes së cilës Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale [term që ZPS-ja përdor në aktakuzë për t’iu referuar të akuzuarve dhe disa ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së] mund të jetësohej”, tha ajo.
Tavakoli tha se fillimisht, në ditët e para të UNMIK-ut, Thaçi kishte konkurruar me këtë institucion për pushtet, por më pas e pranoi autoritetin e kësaj administrate dhe bashkëpunoi me të.
Ajo ngriti pyetjen se si Thaçi synonte të merrte nën kontroll Kosovën, kur ai ishte pajtuar për çarmatosjen e UÇK-së, pranoi të bashkëpunonte me UNMIK-un, kishte pranuar humbjen në zgjedhje pasluftës deri më 2007, kur i fitoi ato.

