Nga mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit Kombëtar të PD, kryetari Lulzim Basha, i ka kushtuar rëndësi të veçantë përgënjeshtrimit të çdo zëri që flet për marrëveshje me kryeministrin Edi Rama.
Teksa thotë se kryeministri përdor dezinformimin dhe thashethemet politike për të ngjallur dyshime dhe pasiguri, Basha deklaroi se “Nuk ka asnjë negociatë me Edi Ramën. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën. Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës”.
“Ka dy gjëra që duhet t’i dini qartësisht- iu drejtua lideri i opozitës anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
-Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i yni. Kjo nuk ka ndryshuar.
-Dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat tona, votat e shqiptarëve është kusht i panegociueshëm.”
Duke theksuar këto dy pika që qëndrojnë në themel të kërkesave të opozitës, Basha u kërkoi anëtarëve të Këshillit Kombëtar të sqarojnë çdo demokrat dhe çdo qytetar që të mos bien pre e propagandës së Edi Ramës.
“Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte çmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”, mësohet të ketë deklaruar Basha.
Gjatë mbledhjes, Basha mësohet të ketë deklaruar se objektivi kryesor i PD-së dhe i opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Edi Rama, si mënyra e vetme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
“Ne ia dolëm që të ndalojmë procesin fals dhe kriminal të 30 qershorit. Tashmë është e qartë që nuk do ketë zgjedhje lokale pa opozitën..-u shpreh kreu i opozitës, duke vënë në dukje se gjithçka ka ndodhur deri tani për frenimin e një procesi kriminal një partiak është meritë e drejtpërdrejtë e qëndresës së shqiptarëve të bashkuar, përtej bindjeve politike. Basha përforcoi mesazhin kryesor të opozitës se “zgjedhjet pa dekret presidenti nuk janë zgjedhje dhe se zgjedhjet pa opozitën nuk janë zgjedhje”.
Lideri i opozitës u kërkoi anëtarëve të forumit më të lartë politik vendimmarrës të Partisë Demokratike që gjatë gjithë kësaj kohe të rrisin angazhimin publik qytetar në nivelin më maksimal.
“Ne duhet të jemi gati të bëjmë detyrën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues dhe për të mos pranuar asnjë proces votimi fallco, në shkelje dhe dhunim të Kushtetutës”- u shpreh zoti Basha i cili tha se këto javë janë përcaktuese për 10-15 vitet e ardhshme
Komentet