Ditën e sotme zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në këtë mbledhje marrin pjesë edhe deputetët e Komisionit të Rithemelimit edhe pse nuk janë lajmëruar.
Atje ka mbërritur edhe lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, i cili rikthehet pas 6 muajsh në mbledhje grupi. Ai nuk ka pasur një prononcim për mediat gjatë hyrjes në selinë e PD.
Po ashtu kanë mbërritur edhe deputetët Edmond Spaho, Flamur Noka, Luan Baçi, Tritan Shehu dhe Edi Paloka.
“Grupi i bashkuar është, duhet të kthehet në normalitet”, tha Edi Paloka në hyrje të selisë së Partisë Demokratike.
Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar brenda mbledhjes: “Duhet të pranoni realitetin”, teksa ka debatuar me Enkelejd Alibeajn.
Alibeaj: Prezenca juaj në këtë sallë është një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti. Me prezencën tuaj ju po zhvlerësoni vendimet e organeve të kësaj partie. Ju jeni i përjashtuar nga grupi parlamentar dhe çdo forum.
Berisha: Alibeaj më vjen keq për këtë qëndrim, vendimi i Lulzim Bashës është anti-statutor, ua kam thënë edhe pak ditë më parë dhe po ua përsëris, unë ju respektoj si kryetar grupi, por çdo organ vendimarrës në këtë parti ka qenë ilegjitime pas 11 dhjetorit. I vetmi organ që merr vendime është Komisioni i Rithemelimit.
Ja 8 deputetët që mungojnë në mbledhjen e grupit të PD
Ka nisur mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Nga 52 deputetë, 8 prej tyre nuk janë të pranishëm në sallë.
Mungojnë në mbledhje:
Agron Gjekmarkaj
Alfred Rushaj
Flutura Açka
Grida Duma
Ilda Dhori
Kreshnik Çollaku
Lulzim Basha
Orjola Pampuri
Berisha: PD të bashkohet në diversitetin e saj
Lideri historik demokrat, Sali Berisha, foli për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së.
Ai tha se vendimi për përjashtimin e tij nuk ekziston.
“Vendimi që pretendon zoti Alibeaj është nul dhe nuk ekziston. Ky është qëndrimi i bazuar në të gjithë ligjet e vendit dhe të PD-së,” tha Berisha.
“Mbledhje grupi do të ketë sërish. Grupi është organ legjislativ i PD-së, që do të bëjë debate për gjithçka. Është një rast unik që PD të bashkohet edhe në diversitetin e saj. Ka një diversitet, i cili e bën edhe më demokratike, Partinë Demokratike,” tha Berisha.
I pyetur se a e njeh Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar, Berisha tha se partia është në proces.
“Jemi në një proces. Në proces e sipër, Alibeaj mund të qëndrojë kryetar,” tha Berisha.
“Zyra ime do jetë një zyrë midis këtyre zyrave. Nuk ka zyrë kryetari tani. Kryetari nuk është këtu. Tani për tani çdo zyrë është zyrë,” shtoi Berisha.
Alibeaj: Duam bashkimin, por të tërhiqet Berisha
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, kërkon sërish që ish-kryeministri Sali Berisha të bëjë një hap pas për të bashkuar demokratët e selisë blu.
Sipas Alibeajt për të gjetur një gjuhë të përbashkët duhet të bëhen disa akte; duhet të ndalet gjuha linçuese dhe procesi i Kuvendit të 30 prillit në PD dhe duhet që Sali Berisha të tërhiqet.
“Sinjalet nuk mund të jepen duke pushuar selinë, duke ardhur në mënyrë të dhunshme si Berisha. Ka një vendim të parlamentit, i cili ka konstituar cili është grupi parlamentar i PD, Berisha nuk është pjesë.
Për të gjetur gjuhën e përbashkët, ca akte të rëndësishme që të perceptohen nga njerëzit, ndërprerja e gjuhës linçuese, proceset paralele që zhvillohen për të thelluar ndasinë nuk japin sinjale bashkimi.
Të ndërpritet kjo gjuhë dhe këto sinjale të njëanshme që demokratët në bazë të bashkohen. Ky është hapi i parë drejt bashkimit. E rëndësishme është që të kemi të bashkuar, por mbi të gjitha të jemi fitues.
Ka diçka të rëndësishme, ashtu si Basha mori pasojat e veta me dorëheqjen e vet, duhet të ndodhë me simetrikë logjike, si një sinjal i fortë bashkimi.
Ndërkohë, unë besoj se e kemi detyrë dhe pa u lodhur që ta kërkojë diçka e më tepër, njerëzve të vuajtur, të sakrificës. Ndërkohë ne të bëjmë këtë tollovi, Edi Rama fërkon barkun.”, tha Alibeaj.
Berisha: Nuk krahasohet fituesi me humbësin!
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha iu përgjigj komenteve të Enkelejd Alibeajt se ai duhet të tërhiqet pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.
“Të krahasosh fituesin me humbësin është një gabim i madh”.
“Cilido që mendon, bën zgjidhjen e tij. Demokratët kanë folur më 11 dhjetor, më 18 dhjetor dhe me 6 mars”.
“Kombinacionet Rama-Basha marrin fund. Ajo kohë ka marrë fund. Ai vendim ka qenë nul. E thashë në mbledhje dhe e them këtu, para atij vendimi, unë zgjodha anëtarësinë e partisë. Po të kisha bazë, do të shkoja te gjykatat e anëtarësisë. Anëtarësia e gjykoi dhe i dha Bashës shkarkimin që meritoi. Sot ai nuk është këtu”, tha Berisha.
I pyetur për mungesën e Lulzim Bashës në mbledhjen e grupit, Berisha tha: “Pyeteni zotin Basha pse nuk mori pjesë. Ai është anëtar i grupit parlamentar. Ai nuk përjashtohet”.
syri.net
Komentet