Historia e Shqipërisë komuniste mbetet e mbushur me figura të cilat u zhdukën nga jeta politike dhe publike përmes dhunës, burgosjeve dhe eliminimit fizik.
Mes tyre qëndron edhe emri i Kol Kuqali, një nga deputetët opozitarë të pasluftës, intelektual, ishfunksionar i Legatës Amerikane në Tiranë dhe një prej njerëzve që refuzoi të nënshtrohej përballë makinës represive të regjimit komunist.
Sot, pas dekadash heshtjeje, kujtesa për të dhe për kunatin e tij, Loni Adhami, po rikthehet në vëmendje përmes nderimit të bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Pak ditë më parë në ambientet e ambasadës amerikane, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, mirëpriti familjarët e Loni Adhami, duke vlerësuar guximin dhe sakrificën e tij gjatë diktaturës komuniste.
Ambasada Amerikane theksoi se si Loni Adhami, ashtu edhe Kol Kuqali, u burgosën dhe u torturuan pasi refuzuan të dëshmonin në mënyrë të rreme kundër Shteteve të Bashkuara. Të dy humbën jetën në burgjet e regjimit, duke u kthyer në simbol të qëndresës morale dhe të besnikërisë ndaj së vërtetës.
Në nder të tyre, pranë flamurit amerikan në ambasadë është vendosur një memorial përkujtimor, si simbol i sakrificës së dy shqiptarëve që u përballën me terrorin shtetëror në emër të dinjitetit dhe të së drejtës. Nderimi i bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë është një akt simbolik me rëndësi të madhe historike dhe morale. Megjithatë, mbetet domethënëse që institucioni ku ai shërbeu si deputet. Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka ngritur një memorial për deputetët e pushkatuar, të burgosur apo të zhdukur gjatë diktaturës. Nuk ekziston një sallë përkujtimore, një pllakë memoriale apo një hapësirë institucionale që të kujtojë përfaqësuesit e zgjedhur që u eliminuan nga regjimi komunist. Historia e Kol Kuqali mbetet një dëshmi e fortë e fatit tragjik të opozitës shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore dhe e mënyrës se si regjimi komunist eliminoi çdo zë të pavarur politik. Por mbi të gjitha, ajo është historia e një njeriu që refuzoi të dëshmonte në mënyrë të rreme dhe që pagoi me jetën e tij besnikërinë.
NGA EMIGRACIONI NË SHBA, TE LEGATA AMERIKANE
Jeta e Kol Kuqalit ishte e lidhur ngushtë me zhvillimet politike dhe diplomatike të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX. I lindur në Progër të Korçës më 14 qershor 1891, ai emigroi fillimisht në Rumani dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetoi dhe punoi deri në vitin 1924. Pas kthimit në Shqipëri, Kuqali u emërua funksionar në Legatën Amerikane në Tiranë, ku shërbeu për gati një dekadë si sekretar dhe përkthyes. Në dëshminë e tij hetimore të 30 majit 1947, ai përshkruante aktivitetin në Legatën Amerikane, kontaktet me diplomatët amerikanë dhe rolin e tij në përkthime, komunikime dhe marrëdhënie diplomatike. Për vite me radhë, ai kishte ndihmuar në ndërtimin e urave të komunikimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke krijuar lidhje të forta me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë. Pas largimit nga legata në vitin 1938, Kuqali vijoi karrierën në administratën shtetërore dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, u emërua zëvendësdrejtor i Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, ndryshimet politike që solli ardhja në pushtet e komunistëve do ta vendosnin atë shumë shpejt në shënjestër.
DEPUTETI OPOZITAR QË SFIDOI REGJIMIN
Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, të parat pas luftës, Kol Kuqali ishte një nga dhjetë deputetët opozitarë që guxuan të kandidonin jashtë Frontit Demokratik, organizatës politike të kontrolluar nga Partia Komuniste Shqiptare. Ishte një akt i rrallë guximi në një kohë kur pushteti po konsolidohej shpejt dhe opozita po shtypej sistematikisht. Por regjimi nuk kishte ndërmend të toleronte zëra të pavarur. Më 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi heqjen e imunitetit për dhjetë deputetë opozitarë, mes tyre edhe Kuqalin. Ata u arrestuan dhe u akuzuan për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor. Hetuesia e asaj kohe përdorte torturën si metodë standarde pune. Në procesverbalet e kohës dhe në dëshmitë e mëvonshme të ish-funksionarëve komunistë përmendet qartë përdorimi i dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të arrestuarve politikë. Në gjyqin ndaj Koçi Xoxes, ish-zyrtarë të Sigurimit pranuan se tortura dhe provokacioni ishin pjesë e metodave të hetuesisë.
TORTURAT DHE VDEKJA NË BURG
Kol Kuqali u mbajt në Burgun Ushtarak të Tiranës, ku iu nënshtrua torturave të vazhdueshme për të firmosur deklarata të fabrikuara nga Sigurimi i Shtetit. Ai akuzohej si pjesë e një organizate që synonte përmbysjen e pushtetit me ndihmën e faktorëve të huaj, veçanërisht të misioneve anglo-amerikane. Në procesverbalet hetimore ai pranonte kontaktet me diplomatët amerikanë dhe diskutimet politike me figura opozitare të kohës, por refuzonte të pranonte akuzat e montuara për komplot dhe tradhti. Torturat vazhduan për ditë me radhë. Më 30 maj 1947, Kol Kuqali ndërroi jetë nën tortura. Regjimi tentoi të manipulonte rrethanat e vdekjes së tij, duke ndërtuar versione të rreme hetimore, por dokumentet e mëvonshme dhe dëshmitë e ish-hetuesve zbuluan realitetin brutal të asaj që kishte ndodhur. Pak ditë më vonë, edhe kunati i tij, Loni Adhami, i cili kishte shërbyer gjithashtu në ambasadën amerikane, do të vdiste i torturuar në burg. Ironia tragjike e historisë qëndron në faktin se Kol Kuqali kishte mbështetur Luftën Nacional-Çlirimtare dhe kishte sakrifikuar shumë për vendin. Dy nga djemtë e tij humbën jetën gjatë luftës, njëri në kampin e Prishtinës dhe tjetri në kampin nazist të Mathauzenit. Megjithatë, kjo nuk e shpëtoi familjen nga persekutimi. Njëri prej djemve të tij, Gjikë Kuqali, u njoh edhe si artist dhe piktor, ndërsa veprat e tij ruhen sot në fondin e Muzeut Historik Kombëtar. Por emri i të atit për dekada mbeti i heshtur, i fshirë nga historia zyrtare e regjimit.
DËSHMIA E KUQALIT NË HETUESI
Dëshmia e Kol Kuqali, e mbajtur në Burgun Ushtarak të Tiranës më 30 maj 1947, paraqet jo vetëm historinë personale të një ishdeputeti opozitar, por edhe mekanizmin e represionit politik që përdori regjimi për të eliminuar çdo mendim ndryshe. Dokumenti hetimor nis me të dhënat personale të Kuqalit: i lindur në Progër të Korçës më 14 qershor 1891, me profesion nëpunës, i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Në dukje, procesverbali ka formën standarde të një deklarate hetimore. Por në thelb, ai është dëshmi e një kohe kur hetuesia dhe Sigurimi i Shtetit funksiononin jo për të zbuluar të vërtetën, por për të prodhuar “armiq” politikë dhe për të justifikuar eliminimin e tyre. Në dëshminë e tij, Kol Kuqali rrëfen jetën dhe aktivitetin e tij profesional. Ai tregon se kishte jetuar fillimisht në Rumani dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte punuar deri në vitin 1924. Pas kthimit në Shqipëri, ai ishte punësuar në Legatën Amerikane në Tiranë, ku kishte shërbyer deri në vitin 1938 si sekretar dhe përkthyes. Për hetuesinë komuniste, kjo lidhje me amerikanët ishte e mjaftueshme për ta konsideruar të dyshimtë. Në realitet, puna e tij kishte qenë pjesë e aktivitetit normal diplomatik të kohës. Ai kishte ndihmuar atasheun ushtarak amerikan me përkthime dhe informacione politike apo ekonomike, kishte organizuar komunikime dhe takime diplomatike dhe kishte ndërmjetësuar marrëdhëniet mes përfaqësuesve amerikanë dhe personaliteteve shqiptare. Në procesverbal, Kuqali përshkruan atmosferën e Legatës Amerikane në vitet e monarkisë së Zogut, ku organizoheshin darka dhe pritje me figura të njohura shqiptare. Ai theksonte se këto aktivitete kishin si qëllim forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Por në logjikën e regjimit komunist, çdo marrëdhënie me Perëndimin interpretohej si tradhti dhe bashkëpunim me “imperializmin”. Pjesa më dramatike e dëshmisë lidhet me periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Kol Kuqali shprehet se kishte simpatizuar Lëvizjen NacionalÇlirimtare, sidomos për faktin se djemtë e tij kishin qenë të lidhur me të. Madje, ai pohon se e kishte ndihmuar luftën antifashiste. Megjithatë, pas çlirimit ai kishte mbetur i zhgënjyer nga drejtimi që po merrte vendi. Në deklarimet e tij shfaqet qartë shqetësimi për konsolidimin e pushtetit komunist, arrestimet politike, shtetëzimet dhe afrimin e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik.
Kuqali pranon se kishte zhvilluar biseda me figura të njohura opozitare si Kostandin Boshnjaku, Selaudin Toto, Shefqet Beja dhe Riza Dani. Ai përshkruan mbledhjet e zhvilluara në fillim të vitit 1945, ku diskutohej nevoja për organizimin e një force opozitare kundër Frontit Demokratik të kontrolluar nga komunistët. Në këto biseda, sipas dëshmisë, shprehej shqetësimi për faktin se Partia Komuniste kishte marrë kontrollin absolut të shtetit dhe se çdo element tjetër politik po përdorej vetëm si fasadë. Në procesverbal përmenden edhe emra të tjerë të njohur të kohës, si Selim Kokalari, Gjergj Kokoshi dhe Suat Asllani. Hetuesia synonte të krijonte idenë e një organizate të gjerë opozitare të lidhur me misionet anglo-amerikane, me qëllim përmbysjen e pushtetit. Megjithatë, shumë historianë dhe studiues të periudhës theksojnë se këto procese hetimore zhvilloheshin nën presion ekstrem fizik dhe psikologjik. Tortura ishte metodë standarde pune në hetuesi. Vetë ish-funksionarë të Sigurimit dhe të Ministrisë së Brendshme e kanë pranuar më vonë përdorimin sistematik të dhunës për të nxjerrë deklarata të fabrikuara. Kol Kuqali nuk pranoi të firmoste akuzën kryesore të ngritur ndaj tij, atë të drejtimit të një organizate që synonte rrëzimin e pushtetit me ndërhyrje të huaj. Refuzimi i tij për t’u nënshtruar e bëri edhe më brutal trajtimin ndaj tij në hetuesi.
/Gazeta Panorama





Nje material mjaft i plote per filmin per Ebrejt. E lexova me andje!
Ju falemnderes z. Saimir!