Nëntëmbëdhjetë (19) fëmijë dhe 2 të rritur janë vrarë nga të shtënat me armë në një shkollë fillore në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Numri i viktimave është rritur duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë. Autori hapi zjarr brenda shkollës fillore përpara se të vritej nga policia. Ai ishte një 18-vjeçar i armatosur me pistoletë dhe pushkë gjysmë automatike
Nga Sarah Smith, BBC
Kjo është një tjetër tragjedi tronditëse, por në Amerikë kjo është në mënyrë dëshpëruese diçka e njohur.
Dhimbja dhe simpatia që shprehet në të gjithë vendin është e sinqertë. Por askush nuk është vërtet i befasuar që kjo mund të ndodhte.
Vetëm këtë vit ka pasur 27 raste të të shtënave me armë zjarri në shkolla. Fëmijët e vegjël në shkolla mësojnë në mënyrë rutinore se çfarë duhet të bëjnë nëse një person i armatosur hyn në klasën e tyre.
Kanë kaluar vetëm 10 ditë që kur dhjetë persona u vranë nga të shtënat masive në Nju Jork.
Politikanët e njohin këtë problem pothuajse unik për Amerikën, ku armët kanë kapërcyer aksidentet me makinë si shkaku kryesor i vdekjeve te adoleshentët dhe fëmijët. Por është një problem që politika duket e paaftë për ta zgjidhur. Pikëpamjet e rrënjosura thellë mbi kontrollin e armëve nuk ndryshohen në përgjigje të ngjarjeve si tragjedia në Uvalde.
“Pse ne vazhdojmë të lejojmë që kjo të ndodhë,” pyeti presidenti Biden. “Pse jemi të gatshëm që të jetojmë me këtë masakër?”
Por nuk ka asnjë shenjë se demokratët do t’i afrohen miratimit të legjislacionit më të rreptë për kontrollin e armëve. Disa republikanë po i akuzojnë që tani ata se po përdorin këtë sulm të fundit në shkollë për të çuar përpara objektivat e tyre politike në mënyrë cinike.
Shkolla fillore ‘Robb’ do i bashkohet listës së masakrave në shkollë së bashku me ‘Sandy Hook’ dhe ‘Parkland’.
Vrasja e nxënësve të pafajshëm në shkolla ka ringjallur debatin për armët në Amerikë, por nuk e ka afruar atë më pranë një zgjidhjeje.
syri.net
Komentet