-Masakra e Tivarit, të mos lejojmë që harresa të fitojë statusin e një forme të dytë vrasjeje.
-Futja e Masakrës së Tivarit në kurrikulat shkollore dhe universitare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni.
– Shpallja e një dite zyrtare përkujtimore kombëtare për viktimat shqiptare ne Tivar.
.
Rikthimi ynë tek Masakra e Tivarit nuk është një akt i zakonshëm përkujtimor, por një zbritje e thellë në nëntokën e historisë sonë, aty ku e vërteta është varrosur, prej 81 vjetësh, jo vetëm nga dhuna, por edhe nga heshtja e gjatë institucionale. Kjo tragjedi nuk është thjesht një fragment kronologjik i fundit të Luftës së Dytë Botërore; ajo është një metaforë e errët e fatit historik, e jetëve të pafajshme shqiptare që u shuan në mënyrë të programuar nga komunistet serbë dhe shqiptarë.
.
Në horizontin e gjerë të historisë ballkanike, kjo ngjarje shfaqet si një nyje tragjike ku ideologjia komuniste, pushteti dhe dhuna konvergojnë në një akt të përmasave gjenocidale. Mbi 7 mijë shqiptarë të pafajshëm u ekzekutuan pa gjyq nga komunistët serbë rrugës Prizren-Tivar dhe në fund në Tivar në mars -prill 1945. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një shpërthim brutaliteti, por me një racionalitet të ftohtë politik, i cili, i mbështetur mbi doktrinën e spastrimit etnik te Çubrilloviçit ndaj shqiptareve, i trajtoi shqiptaret si një njësi të tepërt në ekuacionin e rendit të ri. Në këtë kuptim, viktimat e Tivarit nuk janë vetëm dëshmorë të pafajshëm, por edhe dëshmi e gjallë e dështimit moral të sistemit komunist shqiptar që pretendoi çlirimin, ndërkohë që prodhoi shfarosje.
.
Por tragjedia thellohet edhe më tej në dimensionin e saj më të ndërlikuar: atë të përgjegjësisë së brendshme. Sepse historia, në këtë rast, nuk është bardh e zi. Ajo mbart në vetvete hijet e kompromisit, të nënshtrimit dhe të bashkëpunimit të strukturave shtetërore shqiptare të kohës, të cilat, në vend që të artikulonin një etikë mbrojtëse ndaj jetës së qytetarëve të tyre, u bënë pjesë e një mekanizmi që e tjetërsoi vetë idenë e shtetit amtar si strehë dhe garanci e ekzistencës. Kjo e shndërron Masakren e Tivarit në një plagë jo vetëm historike, por edhe ontologjike për vetë konceptin e shtetësisë shqiptare.
.
Në këtë pikë, është e pashmangshme të artikulohet me qartësi dhe pa ekuivok dimensioni i fajësisë shtetërore shqiptare të kohës. Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për një paaftësi për të parandaluar tragjedinë, por për një komprometim aktiv të sovranitetit moral dhe politik. Duke lejuar kalimin, shoqërimin dhe dorëzimin e mijëra shqiptarëve drejt një fati tashmë të parathënë, strukturat shtetërore të Shqipërisë së asaj kohe jo vetëm dështuan të mbronin qytetarët e tyre, por kontribuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në realizimin e një skenari shfarosës ndaj shqiptareve te Kosoves. Ky akt përbën një nga momentet më të errëta të historisë institucionale shqiptare, ku shteti, në vend që të funksiononte si mburojë e jetës së shqiptareve, u shndërrua në një hapësirë tranziti drejt vdekjes.
.
Në rrafshin e dijes, kjo ngjarje përbën një sfidë të dyfishtë: si të rikonstruktohet e vërteta në një terren të kontaminuar nga dekada manipulimi ideologjik, dhe si të ndërtohet një narrativë që nuk i nënshtrohet as patosit të verbër, as relativizmit të ftohtë. Arkivat, dëshmitë, dokumentet, të gjitha këto nuk janë vetëm burime; ato janë fragmente të një etike të munguar, që kërkon të rindërtohet përmes punës sonë kërkimore.
Dhe këtu qëndron misioni ynë: të mos lejojmë që harresa të fitojë statusin e një forme të dytë vrasjeje. Sepse harresa nuk është neutrale; ajo është një akt i heshtur i mohimit. Ndaj, përmes studimit, botimit dhe artikulimit public, siç përpiqet të bëjë edhe gazeta Nacional dhe Botimet Nacional, ne nuk bëjmë vetëm histori, por kryejmë një akt drejtësie simbolike.
.
Në fund, Masakra e Tivarit mbetet një pyetje e hapur drejtuar ndërgjegjes sonë kolektive: a kemi ne guximin intelektual dhe integritetin moral për ta parë të kaluarën pa iluzione dhe pa alibi? Sepse vetëm atëherë, kur e vërteta pranohet në tërësinë e saj, historia pushon së qeni barrë dhe shndërrohet në dritë udhërrëfyese.
.
Më poshtë kam disa ide se si duhet të trajtojmë Masakren e Tivarit, në mnëyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen:
1. Hetim i plotë shtetëror dhe ndërkombëtar për masakrën e Tivarit
Hapja e arkivave shtetërore shqiptare, por edhe kërkesa zyrtare ndaj arkivave në Serbi, Mali i Zi dhe ish-arkivave të Jugosllavisë.
Krijimi i një komisioni të pavarur historik dhe juridik, me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.
Bashkëpunim me organizata si Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur për identifikimin e viktimave.
2. Përcaktimi i përgjegjësisë
Identifikimi i zinxhirit të komandës ushtarake dhe politike që çoi në masakër.
Edhe pse autorët përgjegjës nuk jetojnë më, shteti mund të bëjë:
dënime simbolike (post-mortem).
Njohje zyrtare të krimit si krim lufte ose krim kundër njerëzimit
Dokumentimi i rolit të strukturave të kohës në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi.
Hartimi i një liste të plotë me emrat e të të gjitha viktimave të Tivarit.
Futja e Masakrës së Tivarit në kurrikulat shkollore dhe universitare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni.
Financimi i studimeve akademike dhe botimeve shkencore.
Prodhimi i dokumentarëve dhe arkivave digjitale për publikun.
4. Kujtesë dhe përkujtim dinjitoz
Shpallja e një dite zyrtare përkujtimore kombëtare për viktimat shqiptare ne Tivar.
Ndërtimi i një memoriali shtetëror në Shqipëri dhe bashkëpunim për një memorial në Tivar. Vendosja e pllakave përkujtimore gjatë gjithë qyteteve që ka përshkruar aradha deshmorëve shqiptarë nga Prizreni në Tivar. Identifikimi dhe shënjimi i varrezave masive. Mbështetje për familjet e viktimave.
5. Diplomaci dhe pajtim rajonal
Kërkesë zyrtare për transparencë dhe bashkëpunim nga Mali i Zi dhe Serbia.
Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta përkujtimore si hap drejt pajtimit, bazuar në të vërtetën.
6. Njohje zyrtare dhe kërkim falje
Parlamenti shqiptar të miratojë një rezolutë zyrtare që: njeh masakrën, nderon viktimat, kërkon transparencë ndërkombëtare.
Presion diplomatik për një kërkim falje zyrtare nga autoritetet pasardhëse të strukturave përgjegjëse në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Në thelb, pa zbardhje të së vërtetës, nuk ka drejtësi; pa drejtësi, nuk ka kujtesë të shëndetshme. Kjo nuk është vetëm çështje historie, por edhe dinjiteti kombëtar dhe respekti ndaj viktimave.
.
*Dr. Mujë Buçpapaj eshte studiues i letersise, poet me njohje nderkombetare, botues i gazetes Nacional dhe drejtor i Institutit te Studimeve Nacionale