-Gruaja e Llaqit ishte shumë e mirë. M’u duk gruaja më e këndshme në botë: e bukur, e dashur, e shoqërueshme, e përsosur. Pa dyshim Llaqi duhet të jetë shumë i lumtur me të, – më tha Reti, domethënë gruaja ime, pasi mbaruan dhjetë ditët e pushimeve në bregdetin jonian bashkë me Llaqin e familjen e tij.
– Dhe se mos e zgjodhi Llaqi, – ia prita unë.
– Si kështu? – u befasua ajo.
– Eshtë e vërtetë se Llaqi ka një grua të sosur fare, po u martua me të padashur.
– Qysh ore!?
-Po, po, tamam kështu… Ja si ka ngjarë:
Për t’ia zgjatur disi kureshtjen, i erdha anës e anës asaj që ajo priste me padurim, duke filozofuar paksa:
– Beqaria dhe largësia nga familja, – fillova unë, – e bëjnë të riun, si veriu, po se po, por edhe të papërgjegjshëm, harxhemadh, prishës parash pa karar, pijanec, më shumë të dehur se esëll. Shkurt, e bëjnë me vese, pak a shumë, të shkarë.
Këtë e kam tamam nga përvoja ime gjatë katër vjetëve që punova në Veri. Gjithë kohën e lirë e kalonim me dëfrime dhe aventura budallenjsh. Edhe kohën që na mbetej për gjumë, pas atyre paudhësive , pjesërisht e harxhonim me filozofime për jetën. Sillnim në mend hollësira, jo këtë, jo atë, mijra vogëlsira, që do të na kënaqnin edhe sot akoma. Binte fjala për martesën dhe secili thoshte me zemër të hapur: oh, është e çuditshme si bie njeriu brenda aq lehtë! Ke vendosur të mos martohesh kurrë, por vjen vera, ikën me pushime dhe kthehesh në punë i martuar. Ndodh edhe e kundërta, ikën në shtator për në punë e kthehesh në verë i martuar.
– Martesa është një llotari. Nuk duhet kurrë t’i zgjedhësh numrat. Ata numra që të takojnë rastësisht janë më të mirët, – thoshte Llaqi.
– Po, por mos harroni se për Llaqin do të zgjedhë Perëndia e Pijanecëve, – thoshte Rexhep Boriçi, inxhinieri i minierave.
– Para se të martohem, do të mendohem tre vjet . Bile, para se të vendos, do të mbyllem tre muaj brenda e do të bëj konspekte, – thoshte Çavi, emri i shkurtuar i profesor Stavrit, i cili jepte historinë në shkollën e mesme. Mirëpo, me një ngjarje tronditëse, gati të pabesueshme, filozofia e përçartur e Llaqit ngjau si profeci për veten e tij.
Këtu imeshoqe lëvizi pak dhe u përqëndrua, për të dëgjuar me vëmendje se si ndodhi martesa e Llaqit.
– Atë ditë, – vazhdova unë pasi mora pak frymë, – kur ndodhi ngjarja më e pabesueshme për ne, mezi prisnim të mbaronte puna, për të marrë rrogat e dy muajve të verës. Nuk kishte si të ndodhte, me gjithë ato para në xhepa, të mos ia bënim qejfin vetes. E, si ishm atëherë, ku rafsha, mos u vrafsha!
Rreth orës pesë shkuam te menca e minierës, ku ushqeheshim shpesh me çmime të lira. Me që Jovani, një kuzhinjer i zoti dhe tregëtar i shkathët, sa të jep ujë në bisht të lugës, siç thotë gjyshja ime, e njihte traditën e jugorëve që prej vitesh, qëkur kishte filluar emërimi në masë i universitarëve nga Jugu në zonat e Veriut, kishte siguruar një fuçi me birrë të freskët Korçe. Ishte pak e papritur kjo, pasi një minator i vjetër thoshte: “bora lart, birra poshtë, bora poshtë birra lart”.
Vasillaqi, domethënë Llaqi, atëherë kryeveteriner në një kooperativë të madhe, na kishte pjekur një mish keci në hell. Ishte një kec eksperimental, nga partitë e zgjedhura në tufat e kooperativës, për kontrollin nga parazitët e zorrëve. Falë punës së veterinerit, tufa ishte e pastër nga sëmundja e parazitëve, por njëri prej kecave, ai më i miri, kishte rezultuar “pozitiv” . Kecat eksperimentalë të sëmurë, si rregull, groposeshin, por Llaqi e poqi në stan, e futi në thes, ia hodhi në sup një bariu të ri dhe e porositi ta çonte te Jovani. Dihet ma ajo punë, thoshte bariu, që e solli në krah kecin me gjithë hellin.
Tavolinat e vjetra u mbuluan me mbulesa të pastra dhe ne u shtruam përqark tyre nga ora gjashtë. Me mësuesit, me inxhinjerin e minierave dhe atë të pyjeve, me veterinerin dhe agronomin e kooperativës, shumica nga Jugu, u bëmë 14 persona rreth tavolinave të vendossura në formë T-je. Për të grënë e për të pirë kishte boll. Kuzhinjeri dhe ndihmësi i tij kishin përgatitur lloj-lloj mezesh të skuqura e sallata të freskëta. Keci i coptuar e i ndarë në dy tepsi, joshte nepsin tonë të papërmbajtur. Voza e madhe prej druri me birrë të freskët rrinte në një fron të madh dërrase, i nxirë nga lagështira e pisllëku. Një djalë i shkathët, që punonte teknik pyjesh, me emrin Mirko, i cili njihej edhe si aktivist i rinisë, rrinte pranë fuçisë dhe mbushte në seri krikot me birrë, të cilat i vendoste në një tavolinë tjetër afër nesh.
Në orën dhjetë ishim akoma duke ngrënë e duke pirë. Ndonëse ishte natë e freskët, i kërkuam Mirkos të hapte dritaren, se u mbytëm në djersë nga birra dhe mbingopja. Nga dritarja e mencës dëgjohej muzika dhe kënga e hareshme e një dasme. Mirkos iu ngrit mëndja për në dasmë. Na kërkoi leje, por Jovani iu lut të ikte pak më vonë.
Pas një ore fiks, Mirkoja vendosi të largohej. Llaqi, i bërë xurxull, e kapi nga krahu.
-Prit, Mi-rko, – i tha si gagaç. –Unëëë… jam nga Drro puu-lli, por kam shuumëëë qejf të shigoj një das-më go-llo-bor-da sssse… Mirkoja mbeti pak i befasuar dhe i dyzuar, pastaj i buzëqeshi.
– Me kënaqësi, bile do të prezantoj si mikun tim dhe do të jesh i mirëpritur.
– Po shiko, ti, Mirrr-ko, unë nuk nda-hem dot nga ky profff-esorii iii matema-ti-kës. Pa këtë unë nuk shkoj as te dash-norrrja ime. Qeshën të gjithë, veç meje që u skuqa dhe Mirkos, që u skuq më shumë se unë.
– Profesorin e matematikës e kam edhe unë mik dhe do të vini të dy bashkë, – ia ktheu Mirkoja.
Unë hezitova, por shokët e trapezit, pothuajse më shtynë me zor për të shoqëruar Llaqin.
Sa u afruam te shtëpia e dasmës, dëgjohej kënga tërë potere e fshatarëve, që s’e linin fare muzikën të dëgjohej dhe tingujt e saj, trazuar me zërat e papërmbajtur të dasmorëve, dukej sikur binin nga qielli copa-copa. U futëm në oborrin e madh të shtëpisë. Burra e gra hidhnin valle në rreth, duke kënduar melodinë e një valleje të shtruar, tamam si në fshatrat e Jugut. Ne prisnim të dëgjonim surla e tupane, por orkestra kishte dy klarineta, dy violina, një fizarmonikë, një dajre e një daulle. Orkestrantët kishin zënë vend në sofat, pas një tryeze të madhe, mbushur me meze dhe para të hedhura nga valltarët. Dasmorët, ca të dehur nga vera e ca të ekzaltuar nga këngët e vallet, na shikuan të habitur, sikur të ishim alienë. Por Mirkoja u thoshte diçka dasmorëve dhe, me sa doli, disa edhe na njihnin, se na u afruan e na përshëndetën. Të tjerët iu kthyen qejfit të tyre.
Mirkoja na çoi te të zotët e dasmës dhe na prezantoi me ta. Ata na u dukën të përzemërt dhe shfaqën kënaqësinë për prezencën tonë në dasmën e vajzës së tyre. Menjëherë urdhëruan shërbyesit e zahiresë të na afronin një tavolinë më vete. Erdhën meze të zgjedhura, nga ata që kishin ruajtur për shërbyesit e dasmës, të cilët nuk i mbante vendi, për t’u shërbyer sa më mirë dasmorëve. Edhe atje vozat prej druri mani nuk na u ndanë. Dy të mëdha ishin të gatshme të zbraznin nëpër kana qelqi e mastrapara lëngun e kuq të verës, nga të cilat mbusheshin kupat në duart e zgjatura të valltarëve, të cilët, ulur ose në valle e sipër, ngrinin kokën përpjetë për t’ia hedhur gurmazit, të shuanin etjen, që të shkaktojnë netët e nxehta të fillmshtatorit. Në një vozë tjetër kishte një lloj rumi, që numd të ishte lëng rrushi apo qershie, nektar i ëmbël, të cilin e pinin gratë e vajzat, por nuk përtonin edhe burrat e etur, për të mbushur një kup nga curili i artë i mushtit të kulluar.
Nën xixëllimin e yjeve, kjo festë e madhe plot zhurmë të kënaqte ta shikoje, të fuste zilinë të pije edhe ti nga barku i këtyre vozave e të haje nga ato meze të përgatitura enkas për kënaqësinë e stomakut të dasmorëve. Ishte një dasëm e vërtetë, sa të ngacmonte nepsin edhe për t’u martuar.
Më kapi një dëshirë e çmendur të merrja pjesë edhe unë në ato qejfe, sidomos në vallet e gjalla, pasi ishin shumë të ngjashme me vallet e anëve tona. Unë prisja që të gjeja ato vallet e ashpra e burrërore të dibranëve, ku surrlat e daullet më trullosnin trutë. Të jem i sinqertë, mbase kam qënë pak i dehur që në mencën e puntorëve të minierës, por këtu më dehnin më tepër muzika, këngët e vallet e hareshme dhe më pas u deha fare edhe me verë. Ndërkohë një burrë zotni, që me sa duket ishte dollibash i trapezit, kërkoi leje për të ngritur një shëndet për ne, musafyrët e pa ftuar. Llaqit i dha shumë kënaqësi nderimi që po na bënte kryedasmori. Nga kjo ai u ngrit instinktivisht në këmbë, për ta pritur nderin me respekt. Pasi shkëmbyen urimet, Llaqi lëshoi gjuhën t’i nxirrte ato produktet e mëndjes së mpirë nga alkoli.
-Të dashur, dasmorë, – filloi ai, -unë jam tridhjetë e tri vjeç dhe, në se kam menduar të varem, aq kam menduar për martesë. Vajzat për shtëpi më duken si pa shije dhe më pëlqen më shumë qejfi. Por, me sa shikoj sonte, edhe dasmat janë të bukura, të begata e të dobishme. Vendosa të martohem dhe për këtë i jam mirënjohës Mirkos, që më ftoi dhe dasmorëve që më shpalosën poezinë e dasmës.
Zhurma që shkaktojnë dasmorët e dehur, gjysmë të dehur apo esëll, u fashit fare për një çast dhe fshatarë e fshatare, të vjetër e të rinj, zgjatën qafat në drejtim të LLaqit dhe mprehën veshët për të dëgjuar ato fjalë të shkoqura e tërë mësimdhënëse. Unë e kapa nga fundi i këmishës për ta ulur, se vazhdonte të rrinte në këmbë, por ai u sul si ari në mes të arenës së dasmës, kapi për dore një fshatare të fortë, që mezi merrte frymë dhe e bëri të kërcente aq shumë sa iu zu fryma.
Pastaj piu një gllënjkë verë dhe kapi një vajzë tjetër dërdënge. Që të freskohej, piu më pas një tas plot me musht dhe nisi prapë të hidhej si ndonjë ari arrxhiu nën ritmet e daulles.
Ama Llaqi ishte i shkathët; djelmoshat, të kënaqur, e shikonin dhe përpiqeshin të bënin si ai. Vajzat të gjitha donin të hidhnin valle me të dhe kërcenin rëndë me elegancën e një lope.
Më në fund, lër një valle e kap një tjetër, pas një kup vere pi një kupë musht, nga ora dy pas mesnate, u bë thumb, sa s’qëndronte dot në këmbë. E kuptova se ishte në gjëndje të rëndë dhe mendoja se si do t’ja bëja me të. Makinë s’kishim ku të gjenim në atë kohë; një shofer i kooperativës, që ishte në dasmë, ishte bërë xurxull; edhe sikur të merrnim leje nga kryetari i kooperativës, për të lëvizur me të, mund të na ndodhte ndonjë aksident.
Më në fund, me një konsulencë të kryetarit të këshillit, nuk kishte rrugë tjetër, veçse ta çonim në shtëpinë e ndonjë fshatari. U vendos ta çonim në shtëpinë e një farë Lazari, i cili kishte shtëpi të madhe dykatëshe me katër-pesë dhoma, ndërtuar me gurë të bardhë e të zi, ku, në vend të brezave të betonit, dukeshin ca breza druri, teknikë e hershme kjo e përdorur nga gollobordasit në ndërtimin e shtëpive fshatare. Sa u futëm në hajatin e shtëpisë, mua m’u morën mend, u kapa nga parmakët e shkallëve të brendëshme, që të çonte në katin e dytë dhe bashkë me Llaqin u ulëm në shkallaren e parë. Edhe të zotët e shtëpisë nuk ishin esëll, Lazari po aq i dehur sa unë, ndërsa gratë çakërrqejf. U ngrita, ashtu me zor, dhe, duke mbajtur Llaqin me një dorë për mesi dhe me dorën tjetër hekurat, për të mos u rrëzuar, ngjisja me kujdes shkallët. Tri-katër herë më zinte këmba bosh dhe bija në gjunjë, por në sajë të forcës së krahëve dhe vullnetit tim, nuk u rrokullisëm për fare.
Në katin e dytë ishin tri dhoma, njëra mu përballë shkallëve, dy të tjerat nga krahët e dhomës. Llaqin e çuam te dhoma nga e majta e shkallëve, e cila shërbente si dhoma e miqve. Ngulën këmbë të shtrihesha dhe unë, por ti e di se unë e kam të pamundur të flë në shtëpinë e të panjohurve. Nejse, përfundimisht, përfundova në shtëpinë e Mirkos, se nuk kisha nga t’ia mbaja. Dhe këtë s’ia kam falur kurrë vetes. Të nesërmen e kuptova se kisha bërë gabimin fatal, kur pranova që Llaqi të gdhihej në familjen e Lazarit. Dhe ja sepse:
Posa e kishte zënë gjumi, Llaqit i kishte dalë pak pija dhe ishte përpjekur të merrte vesh se ku ndodhej. Më kishte thirrur mua dhe, meqënëse nuk iu përgjigja, kishte dashur të merrte vesh se ku ndodhej. Në shtëpi nuk kishte asnjë dritë ndezur, por hënëza në të mbyllur bënte pak dritë, aq sa një njeri esëll mund të orientohej për të gjetur rrugën. Llaqi, duke u mbajtur mureve, kishte mundur të zbriste deri te porta kryesore dhe, me të prekur, kishte zbuluar se dyert ishin të mbyllura me lloze. Ai i kishte tërhequr të dy llozat, por dyert nuk hapeshin. Më në fund e kishte kuptuar se porta ishte mbyllur edhe me bravë. Kur e pa se nuk kishte mundësi për të dalë jashtë, filloi të ngjiste shkallët. Me sa dukej, mbante mend se, në ngjitje, kishte prekur murin me dorën e majtë. Duke prekur murin me dorën e majtë e me tjetrën mbahej nga parmakët, kishte mundur të ngjitej sërish në katin e dytë. Atje, i lodhur e i raskapitur, u përdrodh dhe u gjënd në murin përballë dhe atje, me qënë se mbahej me dorën e majtë, kujtonte se shkonte në dhomën majtas, por u gjënd tek dhoma djathtas. Uli dorezën dhe dera u hap. Meqënëse dera ishte pa çelës, u bind se ishte në dhomën e tij. Pasi bëri ca hapa nëpër terr, ndeshi në një gjë të butë dhe u lëshua mbi të. Ishte një kanape. Siç tregonte vetë, kishte zgjidhur këpucët, i kishte hedhur nën shtrat, kishte liruar rrypin e pantallonave, që i shtrëngonin barkun e citur me të grënë e me të pirë dhe ishte shtrirë pa marrë vesh ku ishte.
Pas kësaj Llaqin e kishte zënë gjumi top. Nuk dinte ç’orë ishte, kur dëgjoi një zë gruaje:
– Si, akoma flë ti moj përtace? A e di se ka vajtur ora nëntë? Një zë gruaje, përkundruall tij, iu përgjigj:
– Vërtetë? U lodha shumë dje. Llaqi vriste mëndjen i hutuar se ç’do të ishte kjo bisedë . Ku gjëndej? Ç’kishte bërë? Por gjykimi i tij ishte i rrethuar akoma me një mjegull të dendur. U dëgjua përsëri zëri i parë:
– Po i hap perdet.
Llaqi dëgjoi hapa që i afroheshin. E kishte humbur fare pusullën. Ndërkohë një dorë iu mbështet në kokë. Kishte zbuluar fytyrën i llahtarisur. Ai zëri e pyeti me të ashpër:
– Kush je ti?
Ai s’iu përgjigj.
Kur befas ndjeu një shkop fshese në kokë, u ngrit me vrull, ndërkohë panatallonat iu varën poshtë, se kishte zbërthyer rrypin. Zëri i gruas thirri i tmerruar:
– Ndihmë! Ndihmë!
Ndërsa Llaqi i hutuar kërkonte këpucët, ishin ngjitur duke rendur gjithë njerëzit e familjes dhe disa dasmorë të largët, që ishin gdhirë atje. Një grua, rreth të dyzetepesave hapi perdet. Llaqin e kishte mbërthyer nga krahët Lazari. Kishte fjetur në dhomën e të bijës, Destana, e cila, e dehur edhe ajo në dasmën e shoqes, nuk e kishte kyçur derën e dhomës nga e djathta. Sa e lëshoi Lazari, Llaqi ia mbathi me vrap në dhomën e tij. Shumë i frikësuar dhe i tronditur, u ul në cep të krevatit, shtriu këmbët në një karrige, se këpucët i kishte lënë në dhomën e vajzës. Atje filloi të dëgjonte lëvizje të madhe, hapeshin e mbylleshin dyrt, hipnin e zbrisnin shkallët.
Pa gjysmë ore trokitën në dhomën e tij, të cilën Llaqi e kishte mbyllur me çelës. Thirri me zë të dridhur:
– Kush është?
– Hape derën! – i kishte thirrur një zë, që iu duk si i njohur.
Tek hapi derën, mbeti i befasuar kur pa Mirkon të zemëruar përballë tij. Djaloshi që na çoi në dasëm dhe na prezantoi si miqtë e tij, kishte hyrë brenda i shfytyruar dhe i foli me të ashpër:
– U solle si ndonjë harbut në shtëpinë e Lazarit, a dëgjon.
Pastaj, me një ton ja aq të egër, i tha:
-More, shoku Llaqi, pse bën si hajvan, rri e të zënë në orën nëntë të ditës! Në vënd që të ikje menjëherë…menjëherë sa mabarove. Bie e flë si ndonjë gdhë në atë dhomë.
– Po jo, Mirko, – ia ktheu Llaqi, – ju siguroj se s’ka ndodhur asgjë nga ato që mendon ti… Thuaj xha Lazarit se gabova derën, isha i dehur.
– Po, tamam kështu duhet të thuash ti, -tha Mirkoja.
Llaqit i hipi në kokë dhe i tregoi fill e për pe çfarë kishte ndodhur. Mirkoja rrinte e dëgjonte syshqyer, duke mos ditur çfarë të besonte dhe doli të bisedonte me Lazarin, por nuk u kthye më te Llaqi. Ai erdhi direkt tek unë. Nga çehrja e ndjeva se diçka kishte ndodhur. Mëndja më shkoi menjëherë te shoku im, mos kishte patur pasoja shëndetësore nga pija e tepërt.
– Mirëmëngjes, Mirko, – e përshëndeta
– Vij nga Lazari, -filloi ai, pa më thënë as “mirëmëngjes!”. -Llaqi e ka katranosur fare.
– Çfarë i ka ndodhur, më trego, – iu përgjërova
Më tregoi fill e për pë ato që të tregova deri këtu.
– Ç’do bëhet më tej? – e pyeta i lemerisur.
Gruaja ime psherëtiu e mori frymë thellë. Unë vazhdova:
– Me sa mora vesh, – filloi Mirkoja, – ishin mbledhur shumë fshatarë, baballarë e nëna, antarët e këshillit të fshatit dhe kishin formuar një farë gjyqi, më tepër nënash e këshilltarësh, i cili kishte shqyrtuar hollësisht çështjen. Kryetari i këshillit do të bisedojë me ju.
Kryetari i këshillit u ul si ndonjë gjyqtar në një karrige dhe filloi të më fliste mua, që e dëgjoja në këmbë:
-Sido që të ketë ngjarë, unë, që të shpëtojë veterineri nga kjo mesele, gjej vetëm një rrugë: të martohet me Destanën.
Ia përcolla propozimin Llaqit. Llaqi kërceu i llahtarisur:
– Jo, kjo s’do të ndodhi kurrë.
– Mirë, po ti, ç’mendon të bësh?
– Do… të iki, – m’u përgjigj, – sa të më sjellin këpucët.
Ndërkohë hyri dhe Mirkoja në derë.
– Lëri shakatë, të lutem, – iu drejtua Llaqit. –Vëllai i saj, Petrovi, ka vendosur të të hedhë trutë në erë, posa të të shohë. Dhe ai është kokëkrisur, nuk të kërcënon kot. Dhe po s’arriti të të vrasë Petrov, do të gjykohesh në këshillin e fshatit, do të hetohesh, do të shkosh në prokurori e gjykatë… Po le ta shikojmë nga një anë tjetër çështjen. Në se e ke gënjyer, asnjëri s’ka për ta kërkuar më këtë vajzë. Po edhe në se është ashtu siç thua ti, se gabove e hyre në dhomën e saj, duke qënë i dehur, është më keq për ty nga ana morale, pasi një universitar s’bën budallallëqe të tilla, do të demaskohesh nga organizatat e masave. Sidoqoftë vajza e shkretë është e humbur nga fjalët që do t’i dalin, se kurrë nuk do t’i besojë njeri ato që thua ti. Viktima e vërtetë, e vetmja viktimë në këtë mes është ajo, Destana.
Mirko i tha këto dhe u ngrit e iku. Llaqi i thërriste nga pas:
– Thoni ç’të doni. Unë nuk martohem.
Mbetëm ndonjë orë të vetëm në dhomë, pastaj më kërkoi të shkonim te kryetari i kooperativës. Pasi e rraha nga çdo anë problemin, i thashë:
– Kërkoje, kërkoje, Llaqi, për grua; më vonë mundet të gjëndet ndonjë mënyrë të shpëtosh prej saj. Ndryshe pasojat për ty do të jenë shumë të rënda…
Ky mendim e lehtësoi. Vendosi ta bëntë kërkesën për fejesë. Unë ia përcolla kryetarit të këshillit, ai t’ia përcillte Lazarit….
Babai i Destanës ishte dakord me propozimin tonë.
Pas një ore Llaqi u nis për në qytet, të blente ca dhurata.
Pas një muaji, pa gjetur dot ndonjë marifet, ndonjë shkak për prishje, u gjend në zyrën e gjëndjes civile për celebrime, për ta bërë shoqe jete… gjer në vdekjen e tij apo të saj.
Pasi u bë celebrimi, ku unë isha dëshmitar dhe pasi u ndamë me familjen e Destanës, Llaqi më tha: Nuk e kisha parë më që atë ditë dhe e vështroja me një farë habie, me zemër të thyer. Po nuk qe e shëmtuar aspak. Thosha me vete: “Ja një grua që s’do t’i qeshë buza kurrë”
Në fund të tetorit u bë martesa e Llaqit me Destanën. Pas martesës Llaqi kishte ndryshuar plotësisht. Më tregonte me një dhembshuri të thellë për Destanën:
– Asnjë herë s’m’i kishte hedhur sytë gjatë ceremonisë së martesës. Kur hyra në dhomën e gjumit, e gjeta ulur në cep të krevatit, siç ishte gjatë ditës, e zbetë në fytyrë dhe me sy të skuqur, dukej se kishte qarë. Kur iu afrova, me qëllim që t’i shfaqja vendimin tim, se tani isha burri i saj, u ngrit dhe m’u afrua serioze. Më vështroi drejt në sy dhe më tha:
– Jam gati të bëj ç’të më thoni ju. Po të doni edhe veten e vras. Ishte e bukur e bija e Lazarit sa s’gjeje më, në këtë rol heroik. E përqafova, ishte e drejta ime. E pashë shpejt se nuk kisha rënë keq.
Sinqerisht m’u bë qejfi shumë për Llaqin dhe veten, pasi u çlirova nga një brengë…
Po Llaqi është vërtetë i lumtur me Destanën. Folëm atë ditë, kur shkuam për peshk pa ju:
– Ja, – më tha, – u bënë dhjetë vjet që jam i martuar. Tani u binda se martesa është një llotari. Nuk duhet kurrë t’i zgjedhësh numrat. Ata numra që të takojnë rastësisht janë më të mirët. Gjer tani s’jam fare i penduar, gruaja ime është e bukur, nikoqire, e sosur fare.
– Po, por mos harro se për ty zgjodhi Perëndia e Pijanecëve, – i përsërita me shaka fjalët e Rexhep Boriçit.
Komentet