VOAL

VOAL

Marjan Rroku rrëfehet edhe tek Rudina Xhunga

May 22, 2016
1 Comments
  • author avatar
    John Humphrey 6 years ago Reply

    Përshëndetje, unë jam z. Humphrey, kreditor i kredive private dhe unë jam këtu për t’i bërë ëndrrat tuaja të realizohen për të marrë një hua. A keni nevojë për një hua urgjentisht? A keni nevojë për një hua për të paguar borxhet tuaja? A keni nevojë për një hua për zgjerimin e biznesit tuaj ose për të filluar biznesin tuaj? Ne jemi këtu për ju me një normë interesi të ulët prej 2% dhe ju mund të merrni një kredi kredi prej $ 3,000 deri në $ 100,000,000.00 shumën maksimale të kredisë dhe deri në 40 vjet kohëzgjatje të kredisë.
    Ju lutemi na kontaktoni në adresën tonë e-mail [email protected]

Komentet

Intervista- Gift: Gara mes Trumpit dhe Harrisit do të ishte e ngushtë

Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, dhe ish-presidenti Donald Trump – fotografi e kombinuar

 

Neil Bowdler

Gara presidenciale në SHBA mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris – nëse kjo e fundit konfirmohet – do të jetë e ngushtë, thotë Thomas Gift, drejtor i Qendrës për politikat amerikane në Kolegjin Universitar të Londrës.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ai thotë se rezultati do të varet nga një përqindje e vogël votash në shtetet si: Ohajo, Pensilvania, Miçigeni, Uiskonsini, Xhorxhia dhe Arizona.

Presidenti aktual, Joe Biden, njoftoi më 21 korrik se tërhiqet nga gara e nëntorit, duke i dhënë mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris.

Nga tabori republikan, ish-presidenti Donald Trump pranoi nominimin javën e kaluar, ndërsa Konventa e Partisë Demokratike, ku do të konfirmohet kandidati/ja demokrat/e, do të mbahet në gusht.

Radio Evropa e Lirë: Cili është reagimi juaj pas dorëheqjes së presidentit Biden nga gara për rizgjedhje?

Thomas Gift: Isha i befasuar që Biden u tërhoq, por, nëse i shohim gjërat në retrospektivë, mbase nuk do të duhej të isha. Biden ishte në një pozitë të keqe. Sa herë që një anëtar i Kongresit bënte thirrje që të tërhiqej, ai dëmtohej në sondazhe. Sa herë që kërkohej dorëheqja e tij, ai thoshte jo dhe kështu vazhdonte rrethi vicioz.

Kjo, thjesht, nuk do të ishte e qëndrueshme për një kohë të gjatë. Biden po bënte dy luftëra në të njëjtën kohë – një kundër Donald Trumpit dhe Partisë Republikane dhe një kundër Partisë së tij Demokratike. Do të ishte e tepërt që fushata zgjedhore të vazhdonte kështu.

Radio Evropa e Lirë: Sa është domethënëse që ai nuk po largohet nga posti i presidentit?

Thomas Gift: Mendoj se është domethënëse, por, në të njëjtën kohë, nuk është për t’u habitur. [Dorëheqja nga posti i presidentit] do të ishte vërtet një hap shumë larg për Bidenin. Dhe, natyrisht, republikanët do të flasin vazhdimisht për këtë deri në zgjedhje.

J.D. Vance [kandidati republikan për nënpresident] ka pyetur nëse Biden mund të thotë se është i aftë për ta udhëhequr vendin edhe për katër ose pesë muajt e ardhshëm, nëse nuk është i aftë për të garuar në zgjedhje.

Kjo është një pyetje e arsyeshme për t’u bërë, por mendoj se do të zbehet, në krahasim me disa çështje të tjera që do të lindin.

Radio Evropa e Lirë: A është rruga e Harrisit drejt nominimit tani e thjeshtë dhe e qartë?

Thomas Gift: Mendoj se po, marrë parasysh që Biden e mbështeti Harrisin. Ka pasur shumë pyetje nëse ai, thjesht, do ta linte këtë çështje të rridhte dhe ta merrte drejtimin në konventë [të Partisë Demokratike]. Por, ka pasur edhe shqetësime se do të dukej keq për demokratët.

Këto javët e fundit kanë qenë mjaft të këqija për demokratët. Gjëja e fundit që do t’u duhej, do të ishte një konventë vërtet e mavijosur. Kështu që mendoj se Biden ka vepruar mirë që ka mbështetur Harrisin. Disa nuk do të jenë të lumtur për këtë, por ai ka qenë i nominuari i supozuar dhe, sigurisht, është në prerogativën e tij të thotë se kush mendon se do të ishte pasardhësi i tij më i mirë.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni garën presidenciale Trump-Harris, nëse do të jetë mes tyre?

Thomas Gift: Mendoj se do të jetë një garë e ngushtë. Do të ishte e ngushtë nëse Biden do të qëndronte në garë, mendoj se do të jetë e ngushtë nëse Harris do të jetë kundërshtare e Trumpit.

Nëse i shikoni vetëm sondazhet, kohëve të fundit, Kamala Harris ka dalë pak më mirë se Bideni në përballjen me Trumpin. Por, kjo mund të ketë ndodhur edhe për faktin se Biden i ka pasur disa javë ku gjithçka dukej se po shkonte keq.

Por, në fund, fituesi do të përcaktohet nga një përqindje e vogël votash, në një numër relativisht të vogël të shteteve, si: Ohajo, Pensilvani, Miçigen, Uiskonsin, Xhorxhia, Arizonë… Të dyja palët do të aktivizohen dhe do të shohim se si do të përfundojë.

Radio Evropa e Lirë: A do të ishte gara Trump-Harris ndryshe nga ajo Trump-Biden?

Thomas Gift: Nuk e di nëse kjo e ndryshon rrënjësisht dinamikën e garës. Trump nuk ka qenë kurrë një nga ata që ka bërë përpjekje ta zgjerojë rrethin e tij të mbështetjes. Ai ka qenë gjithmonë i interesuar ta aktivizojë bazën e tij dhe të sigurohet që votuesit e tij kryesorë dalin në votime. Mendoj se do të përfshihet në shumë sulme të ashtuquajtura ‘ad hominem’.

Jemi, ndoshta, në një sezon shumë të keq të fushatës, por ky është një lloj realiteti i politikës amerikane tani. Ndoshta do ta shihnim të njëjtin edhe sikur Biden të mbetej në garë.

Radio Evropa e Lirë: Cila mendoni se është trashëgimia e Bidenit nëse mund të flitet për të në këtë fazë?

Thomas Gift: Mendoj se Biden e çimenton trashëgiminë e tij me tërheqjen nga gara. Do ta vinte në rrezik nëse do të garonte për rizgjedhje.

Tani, ai mund ta kthejë kokën pas dhe të thotë se ka pasur sukses në mposhtjen e Donald Trumpit, se ka shtyrë përpara disa ligje të vështira, se ka udhëhequr SHBA-në gjatë pandemisë dhe më pas ia ka kaluar pishtarin brezit të ardhshëm.

Mendoj se trashëgimia e tij, ndoshta, do të ishte edhe më e mirë, nëse do të jepte dorëheqje disa muaj më parë, por nuk e ka bërë këtë dhe kështu janë gjërat… Tani duket sikur është dëbuar.

Por, në të njëjtën kohë, unë mendoj se ai mund të jetë krenar për atë që ka arritur. Ai ka pasur vërtet një karrierë të jashtëzakonshme në politikë, jo vetëm si president dhe nënpresident, por edhe në Senat. Ai ia ka kushtuar jetën vendit të tij.

Mendoj se duke e kaluar pishtarin, ai ka bërë gjënë e duhur, ka bërë gjithçka që Partia Demokratike dhe Amerika mund t’i kërkonin.

Përgatiti: Valona Tela

Intervista- Campbell: Zgjedhja e Vances nga Trumpi, shqetësuese për Ukrainën

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke dëgjuar J.D. Vancen teksa flet në një miting në Ohajo, 17 shtator 2022.

 

 

Todd Prince

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do të garojë sërish në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, zgjodhi senatorin e Ohajos, J.D. Vance, kandidat për zëvendëspresident.

W. Joseph Campbell, profesor i komunikimeve në Universitetin Amerikan, thotë për Radion Evropa e Lirë se Vance ka qenë shumë kritik ndaj ndihmës së SHBA-së për Ukrainën dhe se zgjedhja e tij dërgon një sinjal për politikat që mund t’i ndjekë Trump ndaj Ukrainës, nëse fiton.

Campbell thotë se zgjedhja e Vances – edhe pse ka qarkulluar si emër – ishte e befasishme, për faktin se ai ishte kritik i Trumpit.

Trump u konfirmua të hënën zyrtarisht si kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet e 5 nëntorit. Kundërkandidat i tij do të jetë presidenti aktual i SHBA-së, Joe Biden.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Campbell, Donald Trump zgjodhi J.D. Vancen kandidat për zëvendëspresident – një senator 39-vjeçar, i cili është në detyrë vetëm për pak më shumë se dy vjet. Përse J.D. Vance?

W. Joseph Campbell: Sipas meje, Trump mendon se kjo është një zgjedhje brezash, që duke zgjedhur dikë kaq të ri në krahasim me veten – meqë ai është në fund të të 70-tave – programi MAGA (Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe) që Trump ka përkrahur nga viti 2015, do të vazhdojë të jetojë edhe pas largimit të tij nga skena politike.

Vance është një zgjedhje jofrymëzuese, meqë është një senator i ri. Ai vjen nga shteti i Ohajos, i cili është bërë shumë më i kuq [v.j. më republikan] në ciklet e fundit zgjedhore.

Unë nuk jam i sigurt se ai e ndihmon shumë Trumpin në Ohajo, apo nëse ka efekt të përhapur në shtetet e tjera si Pensilvania ose Miçigeni, që kufizohen me Ohajon. Ato janë shtete shumë të rëndësishme për sa i përket kolegjit zgjedhor, por nuk mendoj se votuesit e pavarur e të pavendosur do ta shohin këtë përzgjedhje si shumë frymëzuese.

Për mua, zgjedhje më e mirë do të ishte Glenn Youngkin, guvernator i Virxhinias, i cili është në detyrë tash e disa vite. Ai edhe do ta ndihmonte Trumpin në atë shtet.

Youngkin nuk është 39 vjeç, por nuk është as i vjetër. Kështu që unë mendoj se do të ishte një zgjedhje më e mirë në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni, atëherë, se kjo është një shenjë se Trump beson se do të fitojë dhe, për këtë arsye, ai ka mundur të zgjedhë dikë që jo domosdoshmërisht do ta rrisë numrin e votave për të?

W. Joseph Campbell: Emri i Vances ka qarkulluar për kohë të gjatë si një nga kandidatët e mundshëm për zëvendëspresident, andaj nuk është emër i ri dhe nuk është befasi e madhe.

Duke qenë se emri i tij ka kohë që qarkullon, unë mendoj se Trump e sheh Vancen si një lloj zgjedhjeje të sigurt për bazën republikane.

Por, unë gjithashtu mendoj se Vance është dikush që është paksa i paparashikueshëm – të paktën në të kaluarën e tij të afërt. Ai nuk ka qenë mbështetës i Trumpit kur Trump ka hyrë në garë në vitin 2016, për shembull. Madje, mendoj se ai ka deklaruar se nuk do të jetë kurrë mbështetës i tij.

Kjo e kaluar e tij, mendoj se e bën këtë zgjedhje paksa befasuese, sepse Donald Trump është dikush që mban mëri. Ai dihet se mban mëri me vite të tëra.

J.D. Vance

J.D. Vance

Radio Evropa e Lirë: Si do ta përshkruanit Vancen si politikan? Cilat janë pluset e tij? Cilat janë minuset e tij? A është rinia e tij plus?

W. Joseph Campbell: Mendoj se mosha e tij është, sigurisht, një plus. Ai vjen nga një shtet i rëndësishëm republikan dhe ky është një plus – jo se Trump ka shumë shqetësime për të mbajtur Ohajon në nëntor, por, megjithatë, kjo e ndihmon për ta çimentuar bazën e tij.

Duket se ai flet mjaft mirë, është i artikuluar. Është autor i një libri shumë të shitur për jetën e tij. Mendoj se do t’ia dalë shumë mirë në debate – le të themi kundër Kamala Harrisit [zëvendëspresidentes aktuale].

Por, nuk e di. Nominimet për nënpresidentë, zakonisht, nuk i ndryshojnë votat në një mënyrë ose në tjetrën. Nuk kanë efekt të madh në vota.

Sarah Palin, e cila ishte zgjedhja e John McCainit në vitin 2008, mund të jetë një përjashtim, sepse u prit aq negativisht. Por, në përgjithësi, kandidatët për nënpresidentë nuk janë një ndihmë e vërtetë për biletën presidenciale.

Radio Evropa e Lirë: Nëse jeni një udhëheqës evropian, Emmanuel Macron apo Volodymyr Zelensky, dhe sapo e keni parë këtë zgjedhje… çfarë po mendoni?

W. Joseph Campbell: Mendoj se Zelensky do të jetë shumë i shqetësuar për këtë zgjedhje. Vance nuk ka një vlerësim të lartë për vazhdimin e ndihmës për Ukrainën. Dhe, kjo duhet të jetë pak shqetësuese, sepse mund të sinjalizojë atë që Trump e mendon në të vërtetë për ndihmën për Ukrainën, nëse ai e fiton presidencën.

Por, sigurisht, amerikanët në përgjithësi janë më nervozë për luftën në Ukrainë. Ajo vazhdon për më shumë se dy vjet dhe po arrin në një pikë ku njerëzit po pyesin: për çfarë po i shpenzojmë gjithë këto para dhe çfarë po marrim në këmbim? Pra, Vance është disi në këtë kamp, dhe do të jetë një shqetësim i vërtetë – jam i sigurt – për disa liderë evropianë, sidomos Zelenskyn.

Nuk mendoj se Vance ka kredenciale të mëdha të politikës së jashtme, por, në fakt, kjo nuk është kërkesë për një kandidat për zëvendëspresident.

Duhet të kthehemi prapa në histori për të gjetur një kandidat për nënpresident, i cili ka qenë vërtet i përfshirë në politikën e jashtme. George H.W. Bush për Ronald Reaganin në vitet ‘80 ka qenë një shembull, ndoshta.

Radio Evropa e Lirë: Sa u përket njerëzve që do t’i zgjidhte për administratën e tij, a jep kjo një lloj aluzioni se Trump nuk do të shkojë me njerëz nga establishmenti, se ndihet më i sigurt kësaj radhe?

W. Joseph Campbell: Mendoj se ky mund të jetë rasti. Është, po ashtu, e qartë se shumë njerëz që kanë punuar për Donald Trumpin – shumë njerëz nga establishmenti siç e thatë edhe ju – nuk kanë kaluar mirë. John Bolton është një shembull. Ai ka pasur kredenciale shumë të mira në politikën e jashtme, por nuk ka pasur përvojë të mirë me Trumpin.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se do të shohim shumë të ashtuquajtur MAGA-njerëz në administratë? Dhe, a është kjo diçka që duhet t’i shqetësojë partnerët, aleatët e NATO-s?

W. Joseph Campbell: Mund të ndodhë. Sigurisht, nëse Trump i fiton zgjedhjet. Ky cikël zgjedhor, më 2024, ka qenë plot drama dhe paparashikueshmëri. Dhe, është vështirë të thuhet nëse do të kemi një rund të ri befasish, siç kemi pasur në dy ose tri javët e fundit.

Mendoj se duhet të jemi vigjilentë për çdo lloj befasie në fund të verës, në tetor, në fillim të nëntorit. Me siguri do të ketë diçka që mund ta ndikojë sërish diskursin në këto zgjedhje.

Por – që t’i përgjigjem pyetjes suaj – unë mendoj se ka të ngjarë që Trump të sjellë në administratën e tij, nëse fiton, shumë mbështetës që ndajnë filozofitë e tij, pikëpamjet e tij dhe qëndrimet e tij politike.

Sigurisht, është e vështirë të thuhet se cilët janë ata kandidatë të mundshëm. Por, nuk mendoj se do të shohim përsëri në administratë njerëz si Bill Barr. Ai ka qenë Prokurori i Përgjithshëm në pjesën e fundit të viteve të Trumpit. Unë dyshoj se do të kthehej edhe për një rund tjetër.

Shënim: Intervista është shkurtuar dhe përshtatur në shqip për qëllime të qartësimit.

Përgatiti: Valona Tela

Intervista- Spitzer: Atentati ndaj Trumpit do të ketë pasoja politike

Dy persona në një kafiteri shikojnë lajmet për atentatin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

 

Todd Prince

Atentati ndaj kandidatit të pritur republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të shkaktojë pasoja politike në vend.

Kështu tha në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Robert Spitzer, profesor i shkencave politike në SUNY Cortland në SHBA, teksa foli për ndikimin që do të ketë atentati ndaj Trumpin në garën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Spitzer tha pritet që Trump të ngrihet në sondazhe, për shkak të mbështetjes së marrë pas të shtënave të 13 korrikut, por shtoi se pas disa javësh mbështetja për të dhe për presidentin aktual, Joe Biden, pritet të bjerë në nivelet e mëhershme.

Trump ishte duke folur në një tubim në Pensilvani, kur u qëllua me armë zjarri në veshin e djathtë. Sulmuesi i dyshuar u vra nga autoritetet, ndërkaq Trump shpëtoi me lëndim joserioz. Presidenti amerikan, Joe Biden, e dënoi ashpër dhunën.

Në këtë intervistë, Spitzer flet edhe se di do të dukej një kandidaturë për Shtëpinë e Bardhë e nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, nëse Biden do të tërhiqej nga gara presidenciale.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Spitzer si do të ndikojë ngjarja e 13 korrikut në garën presidenciale në SHBA?

Robert Spitzer: Kjo ka pasoja politike. Sa për rikujtim, kur Ronald Reagan ishte viktimë e një atentati në vitin 1981, dhe ai ishte një atentat shumë i rëndë, ai u godit me një plumb në gjoks dhe gati vdiq. Në fakt, iu deshën disa muaj që të rimarrë veten. Por, kur Reagan u qëllua, në atë kohë ai ishte president. Këshilltarët e tij u mblodhën brenda 24 orëve nga ajo ngjarje, për të vendosur të përfitonin më së miri politikisht nga ajo ngjarje sepse pati një shpërthim të mbështetjes për Reganin. Kjo pati një pasojë të rëndësishme politike për të, për mandatin e tij presidencial dhe e ndihmoi atë të miratohej një ulje e madhe taksash verën e vitit 1982 dhe ky vendim kaloi përmes Kongresit.

Rrethanat sot janë ndryshe. Donald Trump nuk është presidenti aktual i SHBA-së. Por, sigurisht ka një vërshim të menjëhershëm të mbështetjes. Për fat të mirë, ai nuk u plagos rëndë nga të shtënat. Edhe pse, sigurisht, asnjë e shtënë me armë nuk është një gjë e mirë.

Do të shihni një rritje të tij në sondazhe në dy javët e ardhshme, do të ketë mbështetje për të. Megjithatë, mendoj se në kontekstin e kësaj gare, dhe për shkak se ai nuk u plagos rëndë, mendoj se shifrat e sondazheve për të do të kthehen në nivelet që ishin para atentatit të djeshëm [13 korrik].

Megjithëse do të shtoja një gjë tjetër që, për koincidencë, duke filluar nga nesër, më 15 korrik, do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i republikanëve, që do të zgjasë katër ditë dhe kandidatët presidencialë në përgjithësi marrin një shtysë në votime për shkak të kuvendit të partisë. Pra, pritet që kandidatura e trupit të ketë një rritje të mbështetjes pasi të dominohet. Kjo mbështetje mund të jetë pak më e lartë për shkak të atentatit. Por, unë mendoj se brenda disa javësh, rezultatet, pozita e Trumpit dhe presidentit Biden do të arrijë ku ishte në muajin e fundit apo dy muaj më parë.

Radio Evropa e Lirë: Si mendoni se ata mund të tentojnë ta shfrytëzojnë situatën apo nëse ata do të tentojnë ta përdorin këtë ngjarje për të treguar se sa energji ka Trumpi në krahasim me Bidenin?

Robert Spitzer: Pa dyshim, kushdo që ka parë televizion ka parë disa pamje të mjaftueshme, sepse të gjitha kamerat ishin aty, pasi ai sapo kishte filluar të fliste me turmën. Ai nuk e kishte filluar fjalimin e tij zyrtar, por bënte biseda me njerëz, që është mënyra e tij. Ka shumë fotografi dhe incizime të asaj që ndodhi. Mbështetësit e tij dhe njerëzit e tij do t’i përdorin ato fotografi dhe pamje ku ai duket duke mbajtur lart grushtin pasi u qëllua, për të treguar forcën dhe vendosmërinë e tij si udhëheqës, diçka e tillë.

Donald Trump pas atentatit ndaj tij, teksa agjentët e Shërbimit Sekret e largojnë nga skena në Pensilvani.

Donald Trump pas atentatit ndaj tij, teksa agjentët e Shërbimit Sekret e largojnë nga skena në Pensilvani.

Dhe kjo nuk do të ishte befasi. Simbolet dhe imazhet do të përdoren nga njerëzit e tij për të promovuar kandidaturën e tij. Edhe kur ai u akuzua në gjykatën federale disa muaj më parë, atij iu mor fotografia e arrestimit, dhe më pas kësaj fotografi u vendos menjëherë në bluza dhe filxhanë kafeje. Ky është një moment shumë më heroik për të dhe mbështetësit e tij padyshim do ta përdorin atë për të forcuar kandidaturën e tij.

Tani, a do të ketë kjo ndonjë efekt në rezultatin e nëntorit? Nuk besoj se do të ketë. Por, tani kjo i jep atij dhe fushatës së tij pak “karburant raketash”. Dhe kjo është sigurisht e dobishme për të.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket retorikës së fushatës, a prisni që ajo të ndryshojë te të dyja palët?

Robert Spitzer: Është një lloj thike me dy tehe në një farë mënyre, që do të thotë, sigurisht që ka mbështetje për Trump-in. Tradicionalisht është një moment dypartiak, sepse të dyja palët e urrejnë dhunën, në përgjithësi, dhe nuk duan ta inkurajojnë atë dhe duan të dënojnë dhunën. Por, ka një pjesë tjetër të kësaj, që është se disa në bazën e Trumpit e trajtojnë atë në një mënyrë të kundërt. Për shembull, senatori nga Ohio, JD Vance, i cili ishte në listën e ngushtë për t’u emëruar kandidat për nënpresident nga Trumpi dhe Trumpi nuk e ka marrë ende vendimin e tij, me sa dimë, Vance lëshoi një deklaratë mbrëmë duke fajësuar për të gjitha këto presidentin Biden.

Dhe kjo, për mua, është e tepruar, pikërisht sepse në vend që ta përdorim atë si një moment shërues, pozitiv dhe dypartiak, ne po shohim retorikë rreth përdorimit të dhunës ose fajësimit të palës tjetër për këtë lloj veprimi.

Radio Evropa e Lirë: Një nga politikat e Bidenit ka qenë kontrolli i armëve. A mund ta përdorin demokratët këtë në avantazhin e tyre?

Robert Spitzer: Pasi ndodhi kjo ngjarje dhe unë e pashë atë në TV, menjëherë pas ndodhisë, u trondita menjëherë nga disa fakte. Njëra ishte se kjo ishte padyshim një armë e gjatë, jo një pistoletë, dhe ishte qëlluar nga distanca dhe shumë shpejt, që do të thotë se ishte një armë gjysmë-automatike.

Kisha ndjenjën se mund të ishte një armë e tipit të një pushke gjymsmë-automatike, dhe një lloj pushke sulmuese. Dhe vërtet kështu ka thënë deri tani policia. Dhe unë mendoj se kjo do të përshpejtojë thirrjet për të rishikuar çështjen e kufizimit të armëve të tipit sulmues.

Rreth 10 ose 12 shtete këtu në Shtetet e Bashkuara kanë kufizime të tilla në ligjet e tyre. Pensilvania nuk është ndër to, aty ku ndodhën të shtënat. Po ashtu, pyetja se sa plumba janë qëlluar dhe kaq shpejt para se të qëllohej dhe të vritej sulmuesi. Padyshim, Shërbimi Sekret ose ndonjë autoritet policor e goditën sulmuesin pothuajse menjëherë dhe e qëlluan për vdekje, domethënë ai qëlloi shumë shpejt dhe me shumë saktësi. Por, këtu përsëri, ne kemi një pikëpyetje se si një 20-vjeçar në radhë të parë mund të merrte në posedim një armë të tillë në mënyrë të ligjshme. Në disa shtete, duhet të jesh 21 vjeç për të blerë një armë gjysmë-automatike, por jo në Pensilvani. Pra, lehtësia e qasjes në këto lloj armësh dhe fakti që gjuajtësve u pëlqen të përdorin armë të llojit gjysmë-automatik për të shkaktuar dhunë, veçanërisht dhunë masive, do të jenë çështje që do të diskutohen shumë në ditët dhe javët në vijim nga kampi i Bidenit.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket fushatës, a prisni që të ketë ndonjë ndryshim? A do të ketë ndonjë ngadalësim në afat të shkurtër sa i përket fushatës, pasi Shërbimi Sekret të kuptojë se çfarë duhet të bëjë? Apo kjo do të jetë thjesht një pengesë e vogël?

Robert Spitzer: Unë mendoj se Trump do të dëshirojë të kthehet në fushatë, pjesërisht për të demonstruar se është në rregull dhe për të treguar se kjo ngjarje e tmerrshme nuk e ka frenuar. Dhe kjo sigurisht do të ushtrojë presion edhe më të madh mbi përgjegjësit e sigurisë.

Ai mbrohet nga Shërbimi Federal Sekret, por mbrojtja e tyre ishte e kufizuar vetëm brenda zonës ku u mbajt tubimi. Me sa duket, zonat e tjera jashtë vendit të tubimit ishin nën kompetencën e policisë shtetërore dhe lokale të Pensilvanisë. Ata mund të kenë humbur një pikë të rëndësishme që duhej të ishte mbuluar. Ne do të mësojmë shumë më tepër për këtë në ditët në vijim. Kjo çështje do të vendosë një theks edhe më të madh te siguria dhe nevoja për siguri për të dy kandidatët presidencialë. Kështu që, i bënë të gjithë edhe më të ndërgjegjshëm për sigurinë.

Dhe kjo do të thotë se në çdo lloj ngjarjeje do të ketë padyshim siguri të shtuar dhe do të jetë gjithashtu një nxitje për të zhvilluar mitingje të ardhshme në ambiente të mbyllura dhe jo në vende të hapura, sepse po të ishte zhvilluar ky tubim në ambient të mbyllur, sigurisht që të gjithë do të mund të ishin kontrolluar para se të hynin.

Radio Evropa e Lirë: A nxjerrin në pah këto të shtëna ndarjet në SHBA dhe ngrenë pyetje për gjendjen e demokracisë?

Robert Spitzer: Mendoj se nënvizon dallimin mes partive politike për çështjen e armëve. Para së gjithash, demokratët në përgjithësi kanë mbështetur ligje më të forta për kontrollin e armëve. Dhe Partia Republikane gjithnjë e më shumë, vitet e fundit, ka kundërshtuar çdo masë, megjithëse ka pasur përjashtime. Kështu që unë mendoj se kjo do ta rikthejë atë çështje në plan të parë.

Përveç kësaj, shpresohet që përgjigja afatshkurtër të jetë pajtimi dhe paqja, por tashmë po shohim një retorikë që shkon në drejtim të kundërt, duke folur për dallimet mes palëve dhe për pensionimin.

Për disa elementë të skajshëm në koalicionin republikan, ekziston dëshira për të armatosur më shumë dhe për të folur më shumë për dhunën dhe përdorimin e dhunës. Ne kemi dëgjuar tashmë një deklaratë nga një grup ekstremist i quajtur “Proud Boys” kur flasin për armë dhe dhunë, dhe për nevojën për të qenë të përgatitur për dhunë. Kjo retorikë është jashtëzakonisht gërryese për një sistem demokratik, sepse thelbi i një shoqërie demokratike është që vendimet dhe zgjedhja e liderëve të bëhen me mjete paqësore. Kjo është ajo që themeluesit e shtetit dëshironin. Dhe kështu, kjo sjell debatin përsëri në sferën publike.

Radio Evropa e Lirë: Të ndryshojmë pak temën. Kemi Kuvendin Kombëtare Republikane këtë javë, dhe muaj më vonë, atë të Partisë Demokratike. Ka shumë thirrje që Biden të tërhiqet nga gara. A do të prisnit që ai të largohej nga pak kohë përpara Kuvendit? Dhe nëse nënpresidentja, Kamala Harris, është ajo që zgjidhet si kandidate presidenciale, cilat janë, sipas teje, pikat e saj të forta dhe dobësitë?

Robert Spitzer: Unë mendoj se është shumë e qartë që presidenti Biden ka deklaruar se është në garë dhe dëshiron të qëndrojë në garë, duke besuar se mund ta drejtojë me sukses fushatën. Ai ka përballuar disa sfida, duke përfshirë edhe një lloj belbëzimi [gjatë debatit presidencial], por duket se Partia Demokratike nuk është e gatshme ta sfidojë atë drejtëpërdrejt, duke pranuar që ai është nominuari i partisë.

Nëse ai vendos të largohet, atëherë padyshim që demokratët do të veprojnë për të mbushur boshllëkun dhe nënpresidentja Kamala Harris do të ishte pasardhësja e pritur. Ajo ka treguar inteligjencë dhe aftësi, është më e re dhe është afrikano-amerikane, në kuptim të prejardhjes.

Ajo mund të drejtojë një fushatë mbarëkombëtare, megjithëse nuk e kemi parë ende në atë rol. Ajo ka kandiduar për presidencë më parë dhe fushata e saj nuk shkoi shumë larg, por ajo mbetet një kandidate e fortë. Sondazhet tregojnë se ajo performon më mirë se Biden në përballjet kundër Trump. Por, efektet aktuale të fushatës janë ende të panjohura dhe ajo do të ishte një kandidate e patestuar. Megjithatë, ajo duhet të jetë e përgatitur mendërisht për perspektivën e marrjes së drejtimit nëse diçka i ndodh presidentit Biden.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të ishin temat që do ta ndihmonin Harris të ngjitej në krye dhe të mposhtë Trumpin? A do të ishte çështja e abortit? Apo e drejta e votës, kujdesi shëndetësor?

Robert Spitzer: Ajo do të ishte e gatshme të fliste për çështje si kujdesi shëndetësor, të drejtat e abortit, ndoshta dhuna me armë dhe politika e armëve. Ajo ka punuar për të mbështetur kredencialet e saj të politikës së jashtme dhe ka udhëtuar mjaft jashtë vendit. Ajo është e pozicionuar mirë për të diskutuar dhe promovuar çështjet që Partia Demokratike mbështet dhe që do të përmblidhen në platformën e Partisë Demokratike kur ata të mblidhen për kuvendin e tyre në gusht. Pas kuvendit, të nominuarit zakonisht marrin një shtysë të vogël, dhe atëherë do të shohim se ku qëndron gara deri në nëntor.

Intervista- Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

VOA/Menada Zaimi

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që do t’i jepte zgjidhje konfliktit të ngrirë mes dy vendve.

Ai shton se zgjidhja duhet të vijë nga lart-poshtë, që do të thotë se të dy vendet duhet të njohin njëri-tjetrin si shtete të pavaruara.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës eksperti thotë se formula e ndjekur deri tani, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka treguar se nuk ka funksionuar ndaj ai sugjeron reflektim e qasje të re në dialog, gjë që kërkon siç tha angazhimin e BE-së, por në mënyrë të veçantë atë të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Rakipi foli dhe mbi alarmin e dhënë së fundmi nga Departamenti amerikan i Shtetit se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të krijuar destabilitet.

Kjo për ekspertin nuk është një gjë e re, por që sigurisht duhet të jenë një alarm i madh për udhëheqësit politikë të Ballkanit.

Zoti Rakipi ndodhej në Uashington për të marrë pjesë në Forumin Publik të NATO-s një aktivitet që u mbajt në kuadër të takimit të nivelit të lartë të aleancës.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi cili ishte roli i Forumit Publik të NATO-s gjatë takimit të nivelit të lartë të aleancës që u mbajt këtu në Uashington?

Albert Rakipi: Ky është një aktivitet i përvitshëm që organizohet nga divizioni i diplomacisë publike të NATO-s. Paralel me Samitin e NATO-s çdo vit organizohet një konferencë ku marrin pjesë kryetarë shtetesh, qeverish, ekspertë ndërkombëtarë dhe akademikë, për të diskutuar mbi politikat e NATO-s kur është fjala për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

E veçanta këtë vit ishte se përkoi me 75 vjetorin e aleancës. Lidhur me pjesëmarrjen e institutit, e veçanta është se për të herë të parë ai u zgjodh si partner institucional i këtij forumi në Uashington, dhe besoj se kjo është një njohje e angazhimit dhe kontributit që Instituti i Studimeve Ndërkombëtare ka dhënë për çështje të sigurisë, e të marrëdhënieve ndërkombëtare, me botime, publikime si dhe debate.

Ne organizuam në Tiranë këtë vit me rastin e 15 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO një konfererencë ndërkombëtare, ku diskutuam çështje të sigurisë në kontekstin e zhvillimeve dramatike siç është agresioni i Rusisë në Ukrainë, por edhe zhvillimeve të tjera që lidhen me sigurinë në nivelin botëror.

Dua të them që instituti në mënyrë të vazhdueshme ka dhënë kontribut të madh për anëtarësimin në NATO, që është një nga arritjet më të mëdha, në mos më e madhja, në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, që nga krijimi i shtetit shqiptar.

Më kujtohet Samiti i NATO-s në Bukuresht në 2008-n, kur ne morëm ftesën, për t’iu bashkuar aleancës. Kam parasysh një gazetar austriak që po më pyeste: Përse i duhet Shqipërisë NATO? Gazetarët prisnin si përgjigje që kjo është një çështje që lidhet me sigurinë e vendit, dhe sigurisht që lidhet me çështje të sigurisë dhe mbrotjes, por për rastin e Shqipërisë ishte një hap i sigurt që e nxirrte vendin nga izolimi dhe e bashkonte me Perëndimin. Në këtë kontekst them që ka qenë një arritje e jashtëzakonshme e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe një kontribut jo të vogël ka dhënë e vazhdon të japë edhe instituti.

Zëri i Amerikës: A mendoni se takimi i Uashingtonit i dha përgjigje sfidave të sigurisë me të cilat përballet aleanca sot, që nga agresioni rus në Ukrainë apo rrezikun që paraqet Kina?

Albert Rakipi: Nuk ka asnjë dyshim që Samiti i Uashingtonit u dominua nga agresioni rus, nga lufta në zemër të Evropës, e cila ka tronditur rendin botëror kur bëhet fjala për sigurinë ndërkombëtare. Ishte krejtësisht e qartë që Samiti dhe i gjithë angazhimi kryesor në kuadër të tij, debatet, politikat dhe vendimet që u morën kishin të bënin me luftën në Ukrainë. Ajo që spikati sigurisht ishte uniteti, vendosmëria dhe qartësia e të gjitha vendimeve të Samitit që Ukraina ta fitojë luftën. U bë shumë e qartë gjatë takimit që e ardhmja e Ukrainës është në NATO. Dhe ky Samit shënoi në fakt një hap thelbësor dhe të rëndësishëm për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës. Po është e qartë që nuk mund të merret një vendim i shpejtë në këtë drejtim, sepse kjo praktikisht do të thoshte që NATO-ja të hynte në luftë me Rusinë bazuar në artikullin 5 të aleancës. Ndaj kjo është një gjë që i takon së ardhmes. Por siç e tha dhe sekretari i NATO-s qartësia dhe paqja duhet të arrihen me një fitore të Ukrainës. Duhet të jetë e qartë në këtë kontekst se nuk duhet të përsëriten skenarë të ngjashëm pasi siç e kemi parë ka patur një dimamikë të tillë në fillim me aneksimin e Krimesë dhe pastaj të Dombasit, pra si të thuash ka pasur një dinamikë që paravarësisht se Perëndimi dhe NATO kanë vendosur linja të kuqe që të mos kapërcehen, ato janë kapërcyer, siç tha dhe vetë sekretari i NATO-s. Ndaj është e rëndësishme që paqja e ardhshme të jetë vendimtare dhe vendimtare është me anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Kjo do të thotë që Rusia nuk do të mund të ndërmarrë asnjë aksion tjetër, pasi do të hynte në luftë me aleancën.

Zëri i Amerikës: Një nga shqetësimet e ngritura në takim ishte dhe ajo që lidhet me situatën e sigurisë në Kosovë. Zyrtarë të NATO-s paralajmëruan mbi rrezikun e përkeqsim të saj, duke theksuar se stabilizimi i situatës së sigurisë do të varej plotësisht nga zgjidhjet politike. Por sa të mundur e shihni ju një gjë të tillë kur palët nuk kanë lëvizuar nga qëndrimet e tyre edhe pse ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për ringazhim urgjent në dialog dhe pa kushte?

Albert Rakipi: Ka një stanjacion në këtë drejtim. Duhet pranuar që nuk ka progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe siç e kemi parë ka një mungesë vullneti total nga ana e Serbisë për të zbatuar marrëveshjet. Mendoj se është koha për një reflektim dhe një qasje tjetër në dialogun dhe në zgjidhjen e këtij konflikti të ngrirë. Jo më nga poshtë-lart, sikurse zgjidhja e problemeve teknike, për shembull targat e makinave apo të tjera si këto, por një zgjidhje që duhet të vijë nga lart-poshtë, që do të thotë që të dy vendet duhet të njohin njëri-tjetrin si shtete të pavaruara. Ne kemi parë që formula e ndjekur deri tani dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nuk ka funksionuar për fat të keq. Dhe është krejtësisht e natyrshme që të pyesim se pse edhe 25 vjet pas mbarimit të luftës kemi ende një situatë të tillë kur në dialog janë diskutuar çështje krejtësisht teknike, të dobishme, por që gjithmonë janë teknike. Supozoni sikur një çerek shekulli pas përfundimit të luftës mes Gjermanisë dhe Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore, Parisi dhe Berlini të diskutonin se me çfarë targash makinash do të futeshin qytetarët e dy vendeve tek njeri-tjetri. Pra besoj që ka ardhur koha për një reflektim, dhe një qasje tjetër në dialog në zgjidhjen e kofliktit të ngrirë, gjë që kërkon angazhimin e BE-së, por në mënyrë të veçantë atë të Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, së fundmi zyrtarë të Departamentit të Shtetit kanë thënë se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të krijojë “destabilitet e të pengojë integrimin euroatlantik të rajonit”. Sa seriozisht po e marrin udhëheqësit e Ballkanit rrezikun që paraqet Rusia?

Albert Rakipi: Politikat ‘proxy’ të Rusisë nuk janë një gjë e re në Ballkan. Dhe sigurisht duhet të jenë një alarm i madh për udhëheqësit politikë të Ballkanit. Në qoftë se kemi parasysh në 24 shtator të vitit të kaluar pati një akt terrorist dhe ishim shumë pranë një përshkallëzimi të konfliktit, që mund të shkonte ndoshta deri aty sa mund të hapej një front i dytë konflikti, në kontestin mjaft dramatik siç është agresioni rus në Ukrainë. Sigurisht është në interesin e politikave të Rusisë për të mbajtur një gjendje të tillë tensioni dhe për ta ushqyer atë. Dhe sigurisht që është e rëndësishme jo vetëm që alarmi mbi këtë çështje të vijë nga vetë vendet e Ballkanit, por edhe siç thashë ka rëndësi që edhe faktorë të rëndësishmëm, siç janë BE dhe SHBA.

“Trashëgiminë e të drejtat e autorit, babai m’i la mua”- Vepra e plotë për Skënderbeun, i biri i Kristo Frashërit: Punuam familjarisht

(vijim)

VALENTINA MADANI/ Prof. dr. Gjergji Frashëri, arkeolog, restaurator dhe historian e ndan jetën dhe veprimtarinë e tij shkencore midis qëndrimit dhe punës në Shqipëri dhe në disa vende të Evropës Qendrore, kryesisht në Gjermani, të cilën e rrëfen për gazeta “Panorama”.

Prej më shumë se gjysmën e shekullit ai ushtron aktivitetin e tij të palodhur shkencor brenda dhe jashtë vendit dhe vijon të prodhojë dhe të publikojë veprën e tij arkeologjike dhe historike në vendet ku ka punuar. Prej vitit 2007, qëkurse ishte gjallë babai i tij, profesori akademik historiani Kristo Frashëri, bashkë themeluan qendrën “Frashëri” me qendër në Tiranë dhe në Durrës. Pikërisht në ambientet e banesës dhe studios së Gjergjit në Durrës, ai ka krijuar dhe ruan edhe Mjedisin familjar Muzeor të babait dhe të parëve të tij.

Z.Frashëri, Çfarë i dëshironte këtij vendi babai juaj, të cilit i kushtoi veprën dhe jetën?

Para të tjerave – Shqipëria (Albania) të bëhej! Shqipëria të bëhej së paku, si ajo që shpalli të pavarur Ismail Qemali më 28 nëntor 1912 në Vlorë – të katërta vilajetet shqiptare të bashkëjetonin nën Shtetin Shqiptar – ashtu siç ajo u deklarua (shpall) me vërtetësi kombëtare dhe historike më 1912 pas Rënies së Perandorisë Osmane. Pra, të rinjihej si shtet i vetëm kombëtar në viset e veta historike shqipfolëse, ashtu siç doli e rrudhur nga shekujt e sundimit perandorak osman, në formatin e vet, para ndarjes me urgjencë, me dhunë, në panik dhe pa të drejtë, që i bënë Fuqitë e Mëdha, viseve tona historike një vit më vonë, më 1913. Ky format nuk përbën Shqipërinë e Madhe – siç spekulohet – por Shqipërinë aktuale, të mbetur sot nga historia e copëtimit dhe e kafshimit të trupit të saj gjatë mijëvjeçarit të fundit nga ardhacakët që na rrethojnë. Qëkurse unë u rrita dhe derisa babai vdiq, kjo ka qenë me dekada të tëra tema e tij në shumë e shumë mbrëmje të vona kur rrinim bashkë, sikur përsëriste lënien e amaneteve të tij, që ne të vijonim t’i mbanim ato mes të gjallëve, në që do vazhdonim të jetonim pas shuarjes të tij…

Çfarë kishte më shumë merak akademiku Frashëri të realizohej pas vdekjes së tij?

Personaliteti historik shqiptar më i shquar për tim ati ishte ai, i cili me veprën e tij i kishte dhënë më tepër identitet dhe lavdi kombit shqiptar – ishte padyshim Skënderbeu. Për Heroin e lavdishëm kombëtar, ai pati punuar në veçanti gjithë jetën dhe realizoi pa pushim prej mesit të shekullit të kaluar një mori studimesh dhe botimesh. Meraku kryesor i tij ishte të botohej e plotë vepra prej dhjetë vëllimesh e hartuar prej tij mbi Skënderbeun. Këtë amanet të babait, mbas vdekjes së tij më 31 janar 2016, ia pata bërë të njohur jo vetëm Akademisë së Shkencave, por edhe udhëheqjes së vendit, të cilat e përkrahën pa mëdyshje… Për realizimin e kësaj vepre kemi punuar familjarisht nën drejtimin tim si redaktor shkencor i caktuar nga Akademia dhe si redaktore teknike, shoqen time të jetës, albanologen, dr. Antonia SchützFrashëri. Seria prej 10 vëllimesh mbi Skënderbeun u promovua në prill 2019 në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve, nën kujdesin e Presidencës, së Kryeministrisë dhe të Akademisë së Shkencave.

Vizita e Kristo Frashërit gjatë gërmimeve në Lulishten “1 Maji” në Durrës (2010)

Po meraku për angazhimin tënd me çështjet historike dhe arkeologjike në Shqipëri, si shfaqej tek ai?

Në vitin 1999, mbas përfundimit të Luftës së Kosovës, kur punoja dhe jetoja prej disa vitesh në Bonn, asokohe ende kryeqyteti Gjermanisë, në marrëveshje me ambasadën tonë atje, solla në Tiranë bashkë me disa kolegë gjermanë, një projekt shumëvjeçar për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë arkeologjike të Durrësit, në bashkëpunim me Universitetin e Köln-it dhe atë të Amsterdamit. Projekti ishte hartuar sipas fjalës së fundit të Arkeologjisë Evropiane, bashkë edhe me Rregulloren e Administrimit shumëvjeçar të kësaj pasurie, bashkëngjitur edhe fondet e institucioneve ndërkombëtare. Në Tiranë morëm kontakt me Akademinë e Shkencave (asokohe babai ishte çliruar plotësisht nga detyrat shtetërore), me Ministrinë e Kulturës, Institutin Arkeologjik dhe atë të Monumenteve të Kulturës. Ndërsa në Durrës me Bashkinë e qytetit dhe Muzeun Arkeologjik. Projekti ishte një dhuratë udhërrëfyese për të parandaluar shkatërrimet e pasurisë arkeologjike të këtij qyteti, të cilat kishin filluar të shfaqeshin asokohe, në “emër të ndërtimeve të reja”(!). Projekti nuk gjeti zbatim, për mosdashje nga ana shqiptare. Vetë projekti u vodh nga pala shqiptare duke u botuar si punë e tyre nga një profesor Kopjac province i paepur (që mjerisht vijon të “nderohet” edhe sot, nga administrata e kësaj qeverie!).

Në vend të projektit në fjalë, vijojnë të shfaqën në Durrës seri iniciativash me arkeologë italianë, francezë, gjermanë, etj., jo vetëm pa perspektivë për ruajtjen e pasurisë arkeologjike të tij, por edhe për keqvlerësimin me dashje historik të qytetit. Mjerisht për këtë strategji të saj për mundësimin e “ndërtimeve të reja”, qeveria ka vënë në dispozicion për interesa antishqiptare, “arkeologë” të papërgjegjshëm në kuptimin e plotë të fjalës. Rezultati është kjo që shohim sot, kjo që nëntoka me thesare arkeologjike ndërkombëtare të Durrësit është dhunuar me kast nga ndërtimet e reja, duke zhdukur njëherë e përgjithmonë thesaret e historisë origjinale të kombit tonë. Me projektin e lartpërmendur që solla atëherë, mendova se do të ndjehej nevoja të merrja pjesë në drejtimin për disa vjet të arkeologjisë evropiane në vendin tonë. Babai atëherë u trishtua si kurrë ndonjëherë, më shumë për faktin, se m’u hoq mundësia që të kontribuoja si duhej për Shqipërinë tonë. Por ky rast nuk ishte zhgënjimi ynë i fundit familjar.

Kristo dhe Gjergji Frashëri në ballkonin e profesorit (Tiranë 2007)

A mori ai një satisfaksion nga puna jote në Shqipëri? Keni kryer projekte të tjera në Durrës apo gjetkë…?

Në mbyllje të vitit 2007, kur ndodhesha tejet i zënë me projektin e madh arkeologjik në qendrën e qytetit të Köln-it në Gjermani, më erdhi një ftesë nga Ministria jonë e Kulturës, për të ndihmuar qeverinë në hartimin e Rregullores së Arkeologjisë Evropiane në Shqipëri. Ishte një kërkesë serioze, pasi kjo i qe dhënë qeverisë sonë nga Bashkimi Evropian, si një nga detyrat e radhës për t’u realizuar. Realisht në vendin tonë nuk kishte atëherë kualitete profesionale të informuara për realizimin e kësaj detyre (mjerisht nuk ka as sot!). Për të kryer me përpikmëri ligjore aktivitetin tim atëkohë ngrita në Tiranë edhe firmën time ‘AKer Shpk’ të licencuar nga Ministria e Kulturës dhe njëkohësisht, edhe Fondacionin familjar qendra “Frashëri”.

Im atë padyshim u entuziazmua, që më ishte dhënë rasti për të realizuar një punë cilësore për ruajtjen dhe vlerësimin profesional historik të trashëgimisë arkeologjike në republikën tonë. Përballë ngarkesës që kisha në dorë në Gjermani mu desh gjatë vitit 2008 të vija në Shqipëri rreth 25 fundjave bashkë me specialistë gjermanë të institutit tim (padyshim me shpenzimet e mija), për të vlerësuar aktualitetin e gjendjes së nevojave për Shpëtimin Arkeologjik në mbarë vendin, me qëllim të përshtateshin kriteret e Rregullores Evropiane me specifikat e gjendjes së substancës arkeologjike të vendit tonë. Rregullorja shqiptare më 2008 u dërgua në Parlament, ku doli e ratifikuar. Vendi ynë realizoi detyrën e BE-së, por mua nuk më dhanë asnjë fletë falënderimi apo mirënjohjeje. Madje, nuk më dhanë as edhe një dokument formal për konfirmimin e kësaj pune tejet të mundimshme nga shumë pikëpamje dhe me shpenzime jo të pakta.

Vetëm im atë, atëherë 90- vjeçar, e “gëlltiti” pakënaqësinë time, sepse sidoqoftë – kisha ndihmuar një “copë Shqipërie!”. Jo vetëm kaq! Pas ratifikimit në Parlament, doli problemi se si do të vihej në praktikë kjo Rregullore Evropiane e Arkeologjisë? Aq e panjohur sa ishte ajo në teori, aq e panjohur ishte për vendësit edhe për t’u realizuar në praktikë. Kështu u caktua për gërmim arkeologjik, trualli i quajtur “Lulishtja 1 Maji” në Durrës (2010), ku u aplikuan në praktikë rregullorja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, se si do të mbahej dokumentacioni i detyruar arkeologjik dhe si do të përpunohej ai deri në botimin e detyruar. Ky projekt arkeologjik është padyshim edhe sot, shembulli më i suksesshëm i zbatimit të Rregullores së Arkeologjisë Evropiane në vendin tonë.

Prej tij doli në dritë një pjesë e plotë urbane e Lagjes së Zejtarëve dhe Tregtarëve të Dyrrahut ilir Arkeologjik. Por nga ana tjetër, rezultatet e këtij gërmimi arkeologjik nxorën në pah, se çfarë pune shkatërrimtare kapitale ishte kryer deri atëherë në dy dekada (1991-2010) nga institucionet shtetërore dhe qeveritare të vendit, deri në zhdukjen njëherë e përgjithmonë të substancës arkeologjike të bërthamës qendrore urbane të Dyrrahut ilir. Ato dëshmuan se në çfarë përmasash kriminale ishte zhdukur ajo, nën pretekstin absurd të “ndërtimeve të reja”, pa kryer më parë as kërkime dhe dokumentime arkeologjike – një vepër e pashembullt shkatërrimtare në kohë paqeje në historinë botërore. Në këto kushte ballafaqimi, mbërriti me shpejtësi edhe reaksioni për mbrojtjen e legjitimitetit të veprës masakruese të pasurisë arkeologjike të nëntokës së Dyrrahut, të shkaktuar nga institucionet shtetërore dhe qeveritare të vendit tonë në ato dy dekada.

Padyshim nxitoi të vinte si reaksion në formën “gjueti shtrigash” me përfaqësues “kompetentë” prej këtyre institucioneve, prej atyre që u “djeg miza nën kësulë”. Kemi gati tashmë për botim një dokumentar-tregimtar-denoncues, që mbështetet në shpifjet e një numri individësh të strukturuar të pushtetit, të qeverisë, të partive, të mediave dhe të të ashtuquajturave patronazhistë, apo aktivistë të shoqërive civile, të cilët kakarisën të kurdisur pa përgjegjësi dhe seriozitet prej vitit 2014, duke dashur të përçmojnë punën profesionale arkeologjike në këtë objekt, duke vetëdiskredituar institucionet e mjera, ku ata marrin rrogën, për të ulur punën tonë arkeologjike në lulishten “1 Maji”. Me që ra fjala, rezultatet e këtij gërmimi shumë të rëndësishëm për historinë e Dyrrahut dhe të Arkeologjisë Evropiane të Shpëtimit, i kam publikuar në një botim voluminoz me titullin “Dyrrahu ilir”, vëllimi i parë (2015), të promovuar në Akademinë e Shkencave në gjuhën gjermane, angleze dhe shqipe. Kjo ishte dhurata e fundit dhe shumë e rëndësishme që i bëra tim ati disa ditë para vdekjes së tij, bashkë edhe me dedikimin e librit.

Anastas dhe Dhoksia Frashëri më 28 nëntor 1937 të ftuar në prominencën e Pallatit të Zogut në Durrës me rastin e 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë

Keni realizuar edhe projekte të tjera mbas vitit 2009, të cilat shërbyen si shembull në orientimet e reja profesionale arkeologjike apo restauruese?

Kemi bërë edhe projekte dhe gërmime të tjera në periudhën e viti 2010-2017, të tilla si: Vlerësimi arkeologjik dhe urbanistik i Kalasë së Tiranës bashkë me disa gërmime arkeologjike atje në vitin 2007/2008; Projekt dhe realizim punimesh restaurimi në një segment muri fortifikues në Kalanë e Butrintit (2009); Projekt arkeologjik dhe restaurues të Kalasë së Ali Pashë Tepelenës në Vrinë (2010-2011). Gjithashtu, patëm kryer disa survey (vëzhgime) arkeologjike në rajone të ndryshme të Republikës, për të paraqitur si shembull konkret, modelet e këtij procesi sipas rregullores Evropiane të Arkeologjisë së Shpëtimit. Nuk duhen harruar edhe hartimet e disa projekteve në Durrës, midis të cilave – Projekti i Madh mbi gjurmimin dhe restaurimin e Amfiteatrit të Durrësit, me qëllim që shteti ynë ta paraqiste për të nxjerrë fondet e duhura në World Monuments Fund (UNESCO). Gjithashtu, patëm kryer disa projekte dhe gërmime në terren dhe dokumentime të rregullta në pika të ndryshme të qytetit të Durrësit nën mbikëqyrjen e Ministrinë e Kulturës.

Aktualisht jeni duke kryer realizime projektesh arkeologjike apo konservimi këtu?

Prej disa vjetësh nuk ka më as projekte hulumtimi dhe as gërmime dhe aq më pak projekte konservimi arkeologjik për mua. Punonjësit rrogëtarë të Instituteve Shtetërore të Arkeologjisë janë pajisur vetë me licenca për aktivitete private në këtë fushë. Ata vetë i kryejnë ato, vetë i “kontrollojnë”, vetë marrin vendime mbi fatin e substancës arkeologjike që përmbajnë këto terrene ku kryejnë gërmime, vetë vendosin mbi fatin e substancës arkeologjike etj., sepse janë njëkohësisht edhe anëtarë të Komisioneve të Larta Shtetërore ku merren këto vendime.

Me këtë lloj organizimi dhe përgjegjësie, duke qenë punonjës të institucioneve shtetërore, nuk i pengon kush më, të vendosin vetë, se ku do të bëhen gërmime, apo të zbrazin gropat e ndërtimit brenda qytetit arkeologjik të Durrësit. Mjerisht, jo në pak raste vendosin vetë dhe shkruajnë vetë pa mbajtur dokumentacion, se u gjet apo nuk u gjet gjë, u pa apo nuk u pa ndonjë substancë me vlerë arkeologjike etj.. Natyrisht, kemi të bëjmë edhe me arkeologë që nuk kanë formimin e duhur dhe etikë profesioni për t’i kryer këto punë. Ata sillen si zbatues urdhrash për “lejime ndërtimesh në vende me substancë brisante arkeologjike” kundrejt pagesave që marrin… Prandaj, për të mbushur boshllëkun e punës së tyre, jo vetëm për punët e mija, por edhe për veprat e babait, prej viteve të fundit ndodh edhe fenomeni i plagjiaturës, si një lloj pandemie – si fenomen i kohës që po realizohet nga vetë institucionet, mjerisht të mbështetur nga qeveria, parlamenti dhe strukturat institucionale shtetërore.

Disa profesorë arkeologë të Universitetit të Tiranës patën angazhuar një studentin e tyre, për të kopjuar pjesë të punës suaj origjinale nga libri “Dyrrahu ilir”, vepër të cilën e përmendët edhe ju vetë më sipër gjatë bisedës. Duke ushtruar plagjiaturë, Komisioni i profesorëve të Universitetit Shtetëror e kanë pajisur atë me titullin doktor i shkencave, duke shkelur të Drejtën tuaj të Autorit që ju takon? Si ishte përballja në procesin gjyqësor?

Fillimisht për ata që po e ndjekin këtë bisedë, situata në fjalë ndodhet e përshkruar në një shkrim denoncues që kam paraqitur në gazetën “Panorama” me dy pjesë në vijim, të datës 11 dhe 12 Prill 2024 me titull: “Xhevahiret” e Universitetit dhe të Gjykatës së Tiranës mbi vjedhjen e të Drejtës së Autorit. Esenca e ndodhisë ka shumë humor: Kur filloi të dalë në dritë substanca arkeologjike gjatë gërmimeve tona në truallin e lulishtes “1 Maji” në Durrës, nuk mbeti llaf i zi pa u shkurdisur nga goja dhe pa u shkruar nga dora prej “miletit” të asaj kategorisë që përshkrova pak më sipër. Ndërsa kur doli libri i botuar – shumë interesant – dukej sikur Universitetit të Tiranës i dolën jargët (lëng) nga goja, për ta lëpirë dhe për ta ngrënë (vjedhur) mundësisht të gjithë këtë vepër si tortë. Po përpiqem ta përmbledh çështjen shkurtimisht: Libri u promovua më 27 janar 2016 në Sallën e Akademisë së Shkencave të Republikës sonë, disa ditë para vdekjes së Babait tim, i cili arriti ta shihte të botuar dhe të dëgjonte vlerësimet e kolegëve. Por dy vjet më vonë, në vitin 2018 zbuluam rastësisht në uebsite të Universitetit të Tiranës një plagjiaturë të këtij libri në përmasa të pabesueshme.

Konkretisht një doktorant kishte kopjuar një pjesë të madhe të librit, midis të tjerave 386 foto dhe ilustrime vizatimore dhe i kishte përfshirë në doktoraturën e vet. Përveç kësaj, një pjesë të mirë të tyre, i ka paraqitur atje, si “dokumente të pabotuara, të realizuara prej vetë atij” (!). Në fillim mendova pas konsultimit me avokatët, se ishte e udhës t’i kërkonim Universitetit të Tiranës, që të largonin njëherazi nga Ëebsite i tij, morinë e fotove dhe të vizatimeve origjinale dokumentare të skanuara nga libri im dhe të publikuara pa autorizim. Por, Universiteti në vend që të përgjigjej siç është rregulli evropian i reagimit në kësi rastesh, mbështeti plagjiaturën e kopjacit. Atëherë u detyrova t’i drejtohesha gjykatës.

Procesi gjyqësor zgjati gati gjashtë vjet dhe në fund, vendimi i gjykatës na la me gojë hapur për nga ofendimi qytetar: Ajo vendosi “Rrëzimin e kërkesë padisë si të pabazuar në prova dhe në ligj” – me argumente skandaloze, të cilat i kam denoncuar në artikullin e lartpërmendur. Shkurtimisht, ky është thelbi i konfliktit gjyqësor, meqenëse më drejtuat pyetjen. Ky nuk është i vetmi konflikt gjyqësor për të mbrojtur punën tonë, që po përjetojmë në Shqipëri. Kemi mbi dhjetë çështje të tjera për shpifje dhe plagjiatura, që prej viti 2014 e vijojnë edhe sot. Për një pjesë të mirë të tyre kanë dalë vendimet e gjykatës, një pjesë tjetër është ende në procesin gjyqësor (apel).

Familja e Kristo Frashërit: Bashkëshortja Antoneta dhe të tre fëmijët Gjergji, Zana dhe Arbana më 1972

Arkivi i historianit Kristo Frashëri ndodhet në ambientin muzeor privat?

I vutë emër të madh! Për cilën arkivë bëhet fjalë? Në këtë dhomë që ne po bisedojmë, ne familjarët kemi sjellë sendet, orenditë, fotot, librat në rafte të babait tonë pas vdekjes së tij. Kjo është një dhomë muzeore shpirtërore familjare në kujtim dhe nderim të Babait, të Nënës sonë dhe të Parëve tanë. Kjo është pasuri shpirtërore intime e familjes sonë. Ne të tre fëmijët kemi vendosur ta ruajmë këtë dhomë siç ishte. Kaq. Në një rast tjetër, ne mund t’i ndajmë ato, duke marrë secili diçka si kujtim. Përveç nesh, nuk ka treguar kush deri më sot interes me vizion qytetar perspektiv për mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre, pas vdekjes së tij në vitin 2016. Përveç librave që ndodhen në bibliotekë janë edhe skedat, fragmente të zgjedhura dhe të kopjuara nga dora e tij në kohë, kur nuk kishte as makina kopjimi, as skanera dhe as kompjutera. Ato nuk kanë ndonjë vlerë ripërdorimi, sepse sot këto fragmente të kopjuara me dorë, kushdo mund t’i gjejë në kompjuter. Ne kemi ruajtur edhe dollapin e prindërve me koleksionin e fundit të veshjeve të babait dhe të nënës thjeshtë për kujtimet tona familjare dhe për t’ua treguar fëmijëve tanë e më pas. Me vlerë mund të jenë vetëm pak dorëshkrime të mbetura, por ato nuk i ka njeri në inventar, as është i interesuar njeri deri më sot.

Disa dorëshkrime të gjyshit, Anastas Frashëri, i kam përmbledhur me një parathënie time dhe dëshiroj t’i botoj në një vëllim të vogël. Vitet e fundit kanë ndodhur gjëra të pabesueshme, sidomos në shfaqjen e tendencës për përvetësimin e të Drejtës së Autorit. “Talente” të reja akademike nga “Shkolla e çthunun drizash” me çanta hajdutësh në shpinë, po kopjojnë edhe pjesë nga veprat e tim ati, të botuara më parë. Gjykata jonë në këtë Republikë po tregon sheshit paaftësi të madhe dhe nënvleftësim qytetar për të luftuar këtë shfaqje, si shumë fenomene të tjera korruptive. Në këto kushte, kam vendosur, edhe në se ka mbetur ndonjë dorëshkrim i babait, në përgjithësi që ia vlen të botohet, njëherazi të ruhet më tej nga ne familjarët. Këtu në vendin tonë unë bashkë me gruan jemi tërësisht të papunë, kështu që kohën më të madhe të vitit e kalojmë jashtë vendit. Rrjedhimisht, dorëshkrimet i kemi larguar me kohë prej këtej, së bashku me ato tonat që përgatisim për botim në vendet ku jetojmë më shumë dhe jemi më të qetë.

Çështja kombëtare është goditur, është plagosur rëndë. Ana e jashtme e saj, fasada e këtij fenomeni ligështues shpirtëror, siç i thonë me fjalë të tjera – eksodi popullor që ka përfshirë vendin nga mungesa e motivacionit kombëtar, është ana e dukshme. Por fenomenin po e bren nga brenda – korrupsioni i gjithanshëm dhe varfëria që po e pllakos vendin çdo ditë. Askush këtu nuk tregon interes për punën tonë hulumtuese, apo mundësitë tona mësimore kualifikuese në praktikën profesionale, as për mua dhe as për bashkëshorten time, e cila është një arkeologe tejet e kualifikuar dhe njëkohësisht një albanologe gjermane e rrallë dhe e dobishme për shqiptarinë e amanetit të të parëve të mi. Ne të dy jemi në Shqipëri, si dy pikat e fundit të ujit nga gjymi shumëshekullor i Familjes Frashëri dhe na mbajnë këtu tashmë vetëm amanetet e babait, historianit Kristo Frashëri…

Dr.Taulat Muka : 25-40% e stafit mjekësor të onkologjikut mund të kenë kancer – A është e mundur të jetohet në një vend me këto fenomene (Intervista e plotë)

Dr.Taulant Muka: Kryeministri që feston hapjen e një tuneli në ditëlindjen e tij të 60-të në vend të një qëndër arti/shkence;
25-40% e stafit mjekësor në klinikën e onkologjisë mund të kenë kancer për shkak të ekspozimit ndaj rrezatimit…
A është e mundur të jetohet në një vend me këto fenomene?

I biri ktheu në muze shtëpinë e Kristo Frashërit, amanetet që la historiani i njohur! Rrëfehet Gjergji Frashëri

VALENTINA MADANI/ Prof. Dr. Gjergji Frashëri, arkeolog, restaurator dhe historian e ka ndarë jetën dhe veprimtarinë e tij shkencore midis qëndrimit dhe punës në Shqipëri dhe në disa vende të Evropës Qendrore, kryesisht në Gjermani të cilën e rrëfen për gazeta “Panorama”.

Kaloi tashmë gjysmën e shekullit në aktivitetin e tij të palodhur shkencor brenda dhe jashtë vendit dhe vijon të prodhojë dhe të publikojë veprën e tij arkeologjike dhe historike në vendet ku ka punuar. Prej vitit 2007, qëkurse ishte gjallë babai i tij, profesori Akademik historiani Kristo Frashëri, bashkë themeluan “Qendrën Frashëri” me qendër në Tiranë dhe në Durrës. Pikërisht në ambientet e banesës dhe studios së Gjergjit në Durrës, ai ka krijuar dhe ruan edhe Mjedisin familjar Muzeor të babait dhe të parëve të tij.

Z.Frashëri! Ju keni akomoduar në banesën tuaj në Durrës disa ambiente me atmosferë historike muzeore të të Parëve tuaj dhe në veçanti, mjedisin familjar muzeor të babait tuaj, historianit Kristo Frashëri. Gjithkush do të bëhej të paktën kureshtar të mësonte – mbi nevojën, idenë dhe realizimin e këtij ambienti muzeor që kini ngritur…

Duhet të them, se të Parët e familjes sime qoftë nga ana e Babait, po ashtu edhe nga ajo e Nënës nuk kanë banuar në Durrës. Së bashku me bashkëshorten time, jemi vendosur këtu pas rikthimit në vendin tonë për të rinisur punën në arkeologji dhe në historinë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Arsyeja kryesore është, se kjo banesë ku ndodhet edhe studio jonë, na ofroi rastësisht më shumë hapësirë banimi, se sa apartamenti që kemi në Tiranë. Pra n’a dha mundësinë të ngrinim pa bërë ndërhyrje të posaçme ndërtimore, edhe Muzeun intim familjar me vërtetësi ambientale, së bashku me objektet autentike, ashtu siç ka qenë dhoma e gjumit, dhoma e ndenjes, kuzhina dhe në veçanti dhoma e punës së babait tonë, historianit të njohur Kristo Frashëri.

Kolegët dhe miqtë që e vizitonin atë kur ai ishte gjallë dhe punonte, e njohin këtë ambient dhe vërejnë menjëherë, se mungon vetëm historiani për të biseduar. Përveç bibliotekave që rrethojnë të katër muret e dhomës së punës së tij, ju shikoni, fotografitë që babai i pati përzgjedhur prej morisë së fotove që trashëgon familja jonë prej 150 vjetësh: Fotografinë e madhe të gjyshit tim Anastas Frashëri, dalë si student universitar në kohën e Kongresit të Manastirit (1908); pranë, fotoja e tij me bashkëshorten Dhoksinë, gjyshja ime, dalë duke qenë të ftuar zyrtarisht në prominencën e Pallatit të Zogut në Durrës me rastin e 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë (28 Nëntor 1937); më tej piktura e stërgjyshit tim Josif, një prej sponsoruesve kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878); më tej fotoja e Dëshmorit Gjergj Frashëri, vëllait më të vogël të babait, njëri nga Katër Dëshmorët e Tiranës, pushkatuar nga okupatorët e vendit dhe kolaboracionistët e tyre më 28 Shkurt 1944. Më tej radhiten fotot familjare të babait me nënën tonë Antonetën dhe ne të tre fëmijët e tyre në mosha të ndryshme, midis tyre edhe një foto imja, dalë duke mbrojtur diplomën më 1973, etj.

Mund të na thoni diçka rreth jetës, arsimimit dhe punës tuaj tashmë kaluar gjysmë shekulli …

Jam lindur më 1949 dhe rritur në Tiranë në një familje intelektualësh me tradita patriotike nga Frashëri i Përmetit, me gjyshin Anastas Frashëri, jurist i ardhur nga mërgimi në Tiranë me thirrjen e Nolit (1924) dhe me babanë historianin dhe akademikun e njohur Kristo Frashëri. Paralelisht me përfundimin e studimeve të Inxhinierisë për ndërtime civile, jam plotësuar me studimet pasuniversitare të programuara në Historinë e Shqipërisë, në Arkeologjinë Urbane dhe në Teorinë e Konservimit dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Qëkurse student kam qenë aktivizuar në gërmime arkeologjike të ekipeve pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe të Institutit Arkeologjik (IA), në Kalanë e Beratit, të Krujës, të Ndroqit. Madje si student kam marrë pjesë qysh herët me studimin tim mbi Kalanë e Ndroqit në Sesionin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1971 (botuar në: MONUMENTET 4 , Tiranë 1972 , ff. 185-192).

Me mbrojtjen me sukses të diplomës së profiluar me temë “Kalaja e Krujës, gjurmime arkeologjike dhe probleme të konservimit dhe restaurimit të saj”, nën drejtimin e Ark. Gani Strazimirit, u emërova në IMK në vitin 1973. Fillimisht në vitet ‘70 iu përvesha aktivitetit tim të parë madhor të nisur qëkurse isha student, në gërmimet disavjeçare arkeologjike, konservime dhe restaurime në Kalanë e Krujës, të cilat paraprinë planet qeveritare për ndërtimin e Muzeut të Skënderbeut atje (1982). Me rezultatet e këtyre gërmimeve dhe konservimeve arkeologjike dhe restaurimeve mbrojta edhe titullin doktor i shkencave pranë Institutit Arkeologjik Tiranë me titull: “Qyteti i fortifikuar i Krujës – gërmime arkeologjike, gjurmime arkitektonike dhe konservime”.

Si ndodhi angazhimi juaj në Universitetet e Gjermanisë?

Gjatë viteve ‘70-‘80, aktiviteti im mbi gjurmimet e mjediseve arkeologjike dhe konservimet e tyre, u shtri në studimin dhe konservimin e fortifikimeve mesjetare dhe të antikitetit të vonë, të historisë së arkitekturës dhe artit të krishterë, të veprave osmane si dhe të ansambleve urbane qytetare historikë, të cilat pasqyrohen në botime të ndryshme shkencore të kohës. Kam qenë pjesëmarrës me detyra aktive profesionale në disa ekspedita të rëndësishme arkeologjike të vendit të asaj kohe, të drejtuara nga arkeologët tanë të mirënjohur të kohës, si Profesorët Skënder Anamali, Selim Islami, Dhimosten Budina, Damian Komata, etj.

Në vitet ’80, përmes miratimit të Akademisë së Shkencave, kontribut të veçantë kam dhënë si hartues dhe redaktor i të gjithë artikujve enciklopedikë mbi Historinë e Artit dhe Arkitekturës Shqiptare të pasqyruara në “Enciklopedinë Botërore angleze të Artit” (Dictionary of Art, London 1996) në 34 volume, ku përfshihen artet e të gjithë llojeve, nga prehistoria dhe deri më sot – në pikturë, skulpturë, artit të aplikuar në metal-tekstil-qeramikë-xham-gurdru, arkitekturë, etj. Po ashtu edhe hartues dhe autor për të gjitha Zërat mbi Arkitekturën Shqiptare në “Enciklopedinë Gjermane të Arkitekturës Botërore” (Lexikon der Weltarchitektur, München1992). Po ashtu kam dhënë kontribut si hartues, autor dhe redaktor i shumë zërave mbi Shqipërinë në enciklopedinë gjermane mbi krijimtarinë dhe krijuesit e monumenteve artistike, arkitektonike, etj, e të gjitha vendeve dhe të periudhave historike (Allgemeines Künstlerlexikon, München/London/New York/Leipzig, 1992-1999, 70 vëllime), etj.

Në vitet ’80 pata marrë pjesë edhe në konferenca e simpoziume brenda dhe jashtë vendit duke paraqitur rezultatet e punës sime shkencore mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës. Në ndonjë rast qeshë dërguar si referent delegacioni shtetëror në aktivitet ndërkombëtar jashtë vendit, për të paraqitur ecurinë dhe rezultatet e veprimtarisë organizative dhe shkencore mbi studimin, gjurmimin dhe vlerësimin e qendrave urbane arkeologjike, si dhe arritjet në restaurimin e monumenteve të kulturës të Republikës sonë. Me realizimin e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1987 me Republikën Federale të Gjermanisë u hap mundësia të konkurronim për të fituar bursën e “Alexander von Humboldt-Stiftung”, e përkrahur nga Ministria e Jashtme Gjermane. Me arritjet e mija asokohe munda ta fitoja atë, dhe kështu u largova me punë fillimisht në Universitetin e Mynihut, më tej në Universitetin Bonn dhe më pas si profesor me angazhime të komanduara në Universitetin Berlin. Duhet të them, se qëkurse u ndodha në Universitetin e Mynihut perspektiva e angazhimit të punës sime në Gjermani u rrit ndjeshëm.

Mbas Bashkimit të dy Gjermanive (1989), pikërisht kur vendet e Evropës Qendrore filluan të planifikojnë në perspektivë Bashkimin Evropian, u hartua Konventa e Maltës (1992) mbi unifikimin e Rregullores së Arkeologjisë Evropiane, i standardizimit të Rregullave dhe metodave të saj, veçanërisht i Kapitullit mbi Arkeologjinë e Shpëtimit, çështje e mbetur pezull qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Pata fatin dhe rastin kështu të kualifikohesha në këtë disiplinë të re dhe të vështirë shkencore të kohës, përmes realizimit të projekteve madhore të shtetit gjerman, madje të drejtoja deri dhe gërmimet arkeologjike nga më të mëdha që ka pasur Evropa e Pasluftës, në qendrën historike të qytetit të Köln-it. Rezultatet e tyre janë pasqyruar në disa monografi nën autorësinë time në gjuhën gjermane me përmbledhje në anglisht.

Gjej rastin të shprehem me modesti, se për këtë m’ë ndihmoi shumë shkolla jonë e viteve 70- 80´ të shekullit të kaluar, gjithashtu niveli dhe mirëkuptimi bashkëkohor që kishin arritur institucionet tona të trashëgimisë kulturore të asaj kohe dhe padyshim, edhe ambienti familjar, konkretisht im atë, i cili më drejtoi qysh i ri në këtë disiplinë. Kështu, mbërrita në vitin 2000, kur vetë institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore të Landit Nordrhein-Westfalen (Bonn) dhe ato të Landit Berlin/Brandenburg më udhëzuan dhe më përkrahën në krijimin e institucionit tim privat të njohur me emrin Stadt- und Landschaftsarchäologie/Büro für bodendenkmalplegerische Gutachten me qendra në Bonn, Köln, Aachen, Berlin dhe Venecie të Italisë, për gërmime dhe konservime arkeologjike. Rezultatet e arritura më lejojnë të shprehem, se institucioni në fjalë ka lënë gjurmë në Arkeologjinë Gjermane, jo vetëm për rezultatet e operacioneve arkeologjike, por edhe për botimet shkencore dhe eksperiencën profesionale në terren që fituan në praktikë subjektet universitare që bashkëpunuan.

Për sa ju treguat, besojmë se keni pasur mirëkuptimin e babait tuaj, qoftë për angazhimin tuaj relativisht të gjatë jashtë vendit, qoftë me kohën që i kini dhuruar arkeologjisë gjermane në veçanti dhe asaj evropiane në përgjithësi?

Jo vetëm kam pasur mirëkuptimin e tij, por deri sa ai pushoi së jetuari më 31 janar 2016 kam pasur edhe bekimin e tij për të gjitha projektet dhe arritjet. Në radhë të parë, unë e fitova profesionin tërësisht sipas udhëzimeve dhe drejtimit të babait, qëkurse isha i ri. Domethënë, qysh në fillim i pata plotësuar atij dëshirën themelore që kishte projektuar për mua. Pasi punova me sukses disa kohë të mira në Shqipëri, ku shteti e inkurajonte ndjenjën kombëtare, fitova të drejtën për t’u kualifikuar më tej në vende më të zhvilluara si Gjermania, Italia, etj.., me këtë shkencë.

Ishte dëshira dhe nxitja e tij, pasi ai donte që të bëhesha një profesionist i mirë bashkëkohor në fushën e arkeologjisë së mjediseve urbane, për t’i shërbyer trashëgimisë kulturore shqiptare në ballafaqimet me rajonin evropian në planin e dëshmive materiale historike. Edhe këtë dëshirë m’ë duket se ia kam plotësuar dhe vijoj ta plotësoj edhe tani që im atë mungon tashmë prej vitesh.

Si ndiheshit që babai juaj jetonte i vetëm në Shqipëri, sepse edhe dy vajzat e tij ishin larguar qysh herët në emigracion? Si ishin takimet tuaja me atë, të cilat për shkak të largësisë, ndoshta kanë qenë të rralla?

Me siguri nuk e kini fjalën për segmentet kohore të meditimit përqendrues në vetmi, të cilat ka nevojë dhe i kërkon vetë çdo njeri i letrave dhe studiues që krijon. Ndoshta pyesni, nëse ne të tre fëmijët e tij e patëm braktisur atë në Tiranë, duke parë hallet tona? Këtë nuk mund ta thotë askush! Babai ynë nuk e ka ndjerë asnjëherë vetminë në kuptimin e ngrohtësisë familjare apo të mungesës sonë prej largësisë ku kemi jetuar. Sepse nuk kemi qëndruar asnjëherë larg tij. Përkundrazi.

Mbas vdekjes së Nënës Antoneta në vitin 1996, kuptova se im atë tashmë dëshironte që ne të tre fëmijët të mërguar, të kishim më shumë kontakte me atë, gjë të cilën ia kemi plotësuar duke alternuar me njëri tjetrën ardhjen në Shqipëri, si dhe duke folur për çdo mbrëmje me atë në telefon, kudo që ishim, si të thuash me një lloj grafiku, çdo mbrëmje njëri prej nesh. Shpesh, unë dhe motrat, Zana dhe Arbana, vinim dhe qëndronim tek ai në atdhe. Nga njëherë vinim edhe të tre njëherësh. Unë vija më shpesh në Tiranë sepse isha një i mërguar në Evropë, ndërsa të dy motrat më larg, në Amerikë.

Jo rrallë ai vinte vetë të na vizitonte, duke e programuar punën e tij në biblioteka apo në arkivat atje ku jetonim… Natyrisht nuk harronim të programonim edhe vizitat mjekësore të tij tek mjekët tanë familjarë atje ku jetonim, të cilët e trajtonin me respekt si pacient të tyre. Atij nuk i mungonte kujdesi mjekësor në Shqipëri, por nuk e quante asnjëherë të tepërt të provonte edhe mjekët që kujdeseshin për atë larg vendit… Të gjithë jemi kujdesur edhe për udhëtimet e tij jashtë Shqipërisë, sidomos kur kaloi 77-78 vjetët, jo vetëm nëpër Evropë, por duke e shoqëruar edhe për në Amerikë dhe anasjelltas. Jo pak herë për t’iu gjendur atij pranë, fluturoja të premteve pas punës dhe kthehesha të dielën në darkë, madje shpesh edhe natën, si të alternoheshin avionët.

Përmendët, se kur ai arriti 77-78 vjetët kërkoi natyrisht për shkak të moshës së thyer një kujdes të shtuar, në cilat drejtime u bë më i nevojshëm ky kujdes nga ana juaj?

Humbja e Nënës mbas më se gjysmë shekulli bashkëjetese, i solli dilema të kuptueshme Babait për vazhdimësinë normale të jetës së përditshme. Ai ishte mësuar me një përkujdesje të gjithanshme prej saj, aq sa shumë herë e pat deklaruar botërisht, se në meritat e prodhimtarisë historiko-shkencore të tij, gjysma (50%) i takonte gruas së tij, Antonetës. Duke ditur se babai nuk pranonte kurrë të shpërngulej nga Tirana, së bashku me motrat u morëm seriozisht për mbulimin e nevojave deri në detaje të jetës, të punës dhe të mbarëvajtjes së shëndetit të tij.

Duke qenë se të tre ishim në gjendje financiare, ne punësuam me pagesë, forca me përvojë shtëpiake për 24 orë qëndrimi në shtëpinë e babait për gjithçka që i nevojitej atij, nga gatimi dhe të gjitha shërbimet e nevojshme ditore, deri problemet shëndetësore dhe nevojat infrastrukturore jashtë banesës së tij. Meqenëse afër moshës 80- vjeçare filloi t’i dobësohej gradualisht shikimi deri në humbjen e tij pas disa vjetësh, një ndihmesë tjetër e pandërprerë erdhi nga institucionet qeveritare dhe të Akademisë së Shkencave, për forca teknike për shkrim-lexim tekstesh, punë redaksionale, etj. Veçanërisht në periudhën 2007 dhe deri sa ai u largua nga kjo jetë (31 janar 2016) unë kam qëndruar bashkë me bashkëshorten në segmente të gjata kohe në Shqipëri, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, duke qenë pranë tij…

Ajo që bie në sy ndër ju frashëllinjtë, është lidhja e ngushtë me prindërit, marrëdhëniet qytetare reciproke që krijoni midis brezave, respekti që gëzoni ndaj tyre dhe kujdesi që tregoni për shëndetin dhe pleqërimin e mbarë të tyre…

Kjo nuk përbën ndonjë sekret dhe nuk ndodh vetëm te frashëllinjtë e Dangëllisë. Ka pasur mjaft familje në Shqipëri, në qyteza e qytete, që e kanë trashëguar dhe kanë punuar ndër breza për zhvillimin e ndjenjës kombëtare qytetare. Edhe po t’i referohem historisë së familjes së Kristo Frashërit, janë së pari gjyshërit dhe prindërit që investojnë dashuri, përkujdesje familjare dhe edukim tek fëmijët e tyre. Kjo sjell rritjen e fëmijës me një borxh shpirtëror ndaj tyre, i cili, si të thuash, i “detyron” ata t’i qëndrojnë gjatë jetës, realizimit me besnikëri dhe përkushtim dëshirës së prindërve. Ne të tre fëmijët u rritëm nën preokupimin e tyre intensiv, që të pajiseshim në themel me sjellje dhe edukim qytetar bashkëkohor, dhe në vijim me aftësi kualifikuese në profesionet që ata kishin përzgjedhur për ne sipas traditës familjare, përmes investimit pa rezerva për arsimimin tonë, në nivel integrues me botën e përparuar. Ky orientim i fëmijëve të tyre, përbën te frashërllinjtë si të thuash, sekretin e pasurisë së tyre të përjetshme familjare. Frashërllinjtë i kanë çuar tërë jetën fëmijët e tyre të merrnin arsim të lartë në mërgim, deri edhe të shkruanin shqip, edhe kur Shqipëria vetë nuk e kishte themeluar zyrtarisht gjuhën e saj, edhe kur ajo vetë nuk kishte shkolla amtare…

Po marrëdhëniet atë e bir, si e kishit?

Mbas vdekjes së Nënës më 1996, kujdesi im dhe i motrave të mia u shtua në përkujdesjen ndaj babait, jo vetëm për diçka që mund t’i mungonte, por para së gjithash, të tre ne ndiqnim me kujdes ecurinë e tij shëndetësore. Midis hapësirave të vizitave tona në Tiranë, nuk kishte mbrëmje që dikush prej nesh të mos e thërriste në telefon në orën e caktuar, për të folur për gjithçka me atë. Rregullisht kishte dëshirë dhe nevojë të dëgjonte zërin edhe nipërve dhe të mbesave dhe sidomos ndodhitë e tyre në shkolla në tërësi, deri edhe vogëlsira jete të tyre mbi ecurinë në shkolla… e kështu me radhë. Gjej rast të tregoj diçka që nuk e kam thënë më parë. Prej atëherë, sjellja e babait ndaj meje filloi të bëhej më intime dhe prindërore, sikur fliste edhe në emër të Nënës. Përherë e pata personifikuar tim atë me Atdheun – me viset kombëtare, pra me tokën që duhej mbrojtur me çdo kusht nga grabitësit, edhe me armë nga pushtuesit, kur të ishte nevoja.

Ndërsa Nënën e kisha personifikuar me Mëmëdheun – me thesarin e pafundësisë së ndjenjave të dashurisë ndaj fëmijës, ndaj trashëgimisë kulturore dhe pasurisë shpirtërore të vendit dhe njerëzve që jetojmë historikisht – krijesë e bukur shpirtërore e kësaj Bote, që nuk duhej lënduar kurrë! Dalëngadalë fillova të vëreja, se pikërisht babai po huazonte pjesë të zgjedhura edhe nga rolet e Nënës sonë që n a mungonte, e cila i mungonte së pari vetë atij. Kjo e bëri Babain në lidhje me mua disi më të hapur dhe padyshim të mos e mbante aq të maskuar dashurinë prindërore (siç ndodh zakonisht me baballarët ndaj djemve). Natyrisht kjo kishte të bënte edhe me dobësitë që të sjell pleqëria. Fakt është se fitova më shumë të drejta për të ndërhyrë në kujdesin mjekësor ndaj tij dhe sidomos të kufizimeve në ushqimet e tepërta për të parandaluar apo reduktuar ato, të cilat sillnin simptomat shëndetësore kundërshtare, si sheqeri, luhatjet e tensionit dhe mbi të gjitha venitja sistematike dhe e pakthyeshme e shikimit, aq i nevojshëm për punën e tij të palodhur.

Pra, ai u bë më i durueshëm të dëgjonte përsëritjen e “këshillave” të mija shëndetësore, të cilat i merrja nga mjekët që e vizitonin periodikisht. Hap pas hapi filluam të flisnim edhe me gjuhën e kolegut dhe së fundi më erdhi mua radha të dëgjoja ndonjë hall të tij, për shembull, mbi vështirësitë që ndeshte në gjetjen e dokumenteve historike nga arkivat e vendeve të tjera, që i duheshin për botimet e tij. Padyshim mosha filloi ta pengonte të rendte pas Arkivave jashtë vendit si më parë, punë të cilën ia kemi lehtësuar pa u kursyer ne të gjithë pasardhësit e tij. Krenari të veçantë ndjente kur merrte ndihmesë të kësaj natyre nga ndonjë prej nipërve apo mbesave të tij. Babai ishte një mjeshtër i vërtetë i zgjimit dhe i përpunimit natyrshëm të ndjenjës kombëtare tek fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve! Ky ishte Kreu i Testamentit që na la për Amanete të tij! Dua të theksoj, se prej vitit 1993 (73 vjeç) deri sa vdiq më 31 Janar 2016 (96 vjeç) babai botoi pareshtur, veprat e tij fondamentale dhe më të mirat e krijimtarisë së tij. Nganjëherë pjesë të tyre para botimit, m’i jepte t’i lexoja për ndonjë vërejtje, gjë që nuk e kishte bërë më parë.

Shpesh fillova të dalloj, se ai më drejtohej gjithnjë e më shpesh indirekt edhe me gjuhën e Amanetit, për detyrat që më mbeteshin të bëja pas vdekjes së tij. Fakt është, se edhe zyrtarisht, trashëgiminë dhe të drejtat e autorit të veprës së tij, ai m’i la mua. Gjuha e Amanetit në racën tonë është disi e veçantë, si të thuash, nga bota përreth. Amanetet e tij, ishin të lidhura me “kavo historike” me ato të paraardhësve të tij. Shqipëria kombëtare historike, prej shekujsh nuk është bërë ende shtet. Është kombi i dallueshëm i Evropës që nuk ka ende ndërgjegje dhe disiplinë shtetërore arkivore dhe të tjera. Instinktivisht kjo m’ë detyron t’i marr seriozisht dhe t’i përçoj në duar të sigurta më tej përmes “Qendrës Frashëri” amanetet e tij, të Parëve të Tij dhe së fundi edhe ato përmbyllëse modeste të mia….

Mund të kemi ndonjë shembull më konkret, se si shfaqej dëshira (forma) e tij për t’i lënë amanetet…

Ja një shembull: Në vitin 1998 pikërisht kur filloi Lufta e Kosovës, Diaspora e Zvicrës organizoi një Kuvend në qytetin Arbon, mbi “Historinë 2000 vjeçare të krishterimit te shqiptarët”. Në atë kohë im atë drejtonte Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, e cila ishte e ftuar të merrte pjesë në Kuvendin në fjalë. Një mbrëmje më telefonoi enkas në Bonn të m’ë theshte në formë urdhri, sikur të isha punonjësi i tij, se duhej të merrja pjesë aktive edhe unë në Kuvendin e Arbonit, me një punimin tim të botuar më parë mbi kryqin e krishterë shqiptar. Nuk e kisha parë asnjëherë më krenar tim atë në ditët që ndodheshim bashkë në Arbon të Zvicrës mes shqiptarëve të mbledhur nga anë e anës, dhe të huajve albanologë.

Kjo ndodhte edhe kur takonim bashkërisht albanologë në vende të ndryshme që udhëtonim bashkë, që nga Vatra në Amerikë dhe deri në Albanien-Institut të Mynihut, e gjetkë … për të takuar e biseduar me figura të shquara të Albanologjisë, midis të cilëve edhe albanologun shqiptar Martin Camaj (1990), etj. Amanetet të lidhura me “kavo historike” me ato të paraardhësve të tij E veçanta e gjuhës së amanetit në racën e Frashëllinjve “Disa dorëshkrime të gjyshit, Anastas Frashëri, i kam përmbledhur me një parathënie time dhe dëshiroj t’i botoj në një vëllim të vogël”

Vijon…

Bassuener: Dodiku dhe Vuçiqi garojnë “kush është serb më i madh”

Goran Katiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, prej kohësh garojnë me temën “kush është serb më i madh”, por pas të ashtuquajturit “Kuvendit gjithëserb”, ata ndiejnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Kështu ka thënë Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit me seli në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Biseda me Bassuenerin u zhvillua dy ditë pasi që Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Sërpska, miratoi Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb, e cila fillimisht u miratua në të ashtuquajturin “Kuvendi gjithëserb”, më 8 qershor.

Ndër të tjera, Bassuener foli edhe për ndikimin që Deklarata do të ketë në të ardhmen e marrëdhënieve në rajon, idetë e reja secesioniste në Republikën Sërpska, cili do të jetë reagimi eventual i SHBA-së dhe BE-së, si dhe çfarë pret nga zgjedhjet lokale të këtij viti në Bosnje e Hercegovinë.

Radio Evropa e Lirë: Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb, e konfirmuar në “Kuvendin gjithëserb”. Cila është rëndësia e saj në afat të shkurtë dhe afat të gjatë, a është vetëm simbolike, apo rëndësia e saj është ngritur në një nivel më të lartë, duke pasur parasysh se në çdo gjë ka qenë i përfshirë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq?

Kurt Bassuener: Në afat të shkurtër, e rëndësishme është se është treguar qëllimi dhe siç është e zakonshme – si për Vuçiqin ashtu edhe për Dodikun – shikojnë se sa larg mund të shkojnë.

Gjithashtu, duke marrë parasysh atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara, nuk mendoj se janë neutralë as Dodik dhe as Vuçiq, kur bëhet fjalë për zgjedhjet amerikane.

Të dy shpresojnë që ish-presidenti [Donald] Trump të bëhet sërish president në janar dhe nëse kjo ndodh, ata kanë besim se mund të vazhdojnë me veprimtarinë e tillë.

Në thelb, me këtë i “hedhin dorëzën” në fytyrë bashkësisë ndërkombëtare dhe i bëjnë pyetje – çfarë do të bëni për të na ndaluar?

Pra, nuk mendoj se kjo është vetëm deklarative apo simbolike. Mund të mos jetë diçka për operim në muajin e ardhshëm, por sigurisht që do të vazhdojë të shkojë në atë drejtim, do të vazhdojë në të ardhmen me takime, shpallje të qëllimeve të përbashkëta e të tjera.

Deri më tani, do të thosha se kundërshtimi i vërtetë i Perëndimit ndaj këtyre lëvizjeve nuk është trajtuar me gjuhën dhe metodat e duhura.

Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë, ligjvënësit në Republikën Sërpska planifikojnë të miratojnë Informacionin për rregullimin e marrëdhënieve midis dy entiteteve, që në thelb është një thirrje për shkëputje paqësore. E veçanta e këtij akti është se kjo “ndarje” nuk u përmend në Kuvendin e 8 qershorit.

A do të thotë se kjo është edhe një “e shtënë në ajër” e pushtetarëve të Republikës Sërpska, sepse nuk e kanë mbështetjen e Vuçiqit, por megjithatë e kanë të paktën mbështetjen implicite të tij? A mund të presim që Vuçiq, në të ardhmen, të “justifikojë” aspirata të tilla të autoriteteve të Republikës Sërpska?

Kurt Bassuener

Kurt Bassuener

Kurt Bassuener: Është e qartë se ka kohë që ekziston një garë mes Dodikut dhe -Vuçiqit në temën se kush është serb më i madh, kështu që nuk mendoj se ata i besojnë plotësisht njëri-tjetrit.

Megjithatë, ata tani janë në situatë ku, pas cirkut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të ashtuquajturit “Kuvend gjithëserb” dhe miratimit të Deklaratës, ata ndiejnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin, por asnjëri prej tyre nuk mund ta pushojë garën.

Besoj se Dodik mendon se, së paku, mund të vazhdojë të fitojë mbështetjen e Vuçiqit në sferën publike, dhe se ai mund të vihet në pozitën ku eventualisht do t’i duhet të përmbushë premtimet e tij.

E gjithë kjo po ndodh në një atmosferë ku duket se gjithçka lejohet.

Faktorë të shumtë në BE duan të shihen si dikush që paraprakisht e inicion statusin kandidat të Bosnje e Hercegovinës, në mënyrë që të fillojnë negociatat, dëshirojnë të jenë ata që kanë arritur progres, prandaj nuk duan t’i theksojnë këto probleme.

Kishte shumë njoftime dhe deklarata të ashpra amerikane, jam dakord me shumë prej tyre, por nuk ndodhi diçka që në Republikën Sërpska nuk do të mund ta injoronin, siç është rivendosja e faktorëve të parandalimit dhe frikësimit.

Pikëpamja ime është se duhet të dërgohet porosia – ju kurrë nuk do të ndaheni, sepse ne nuk do t’ju lejojmë. Mund të flisni çfarë të doni, por nuk mund të bëni asgjë, kështu që në të mirën tuaj është të ndryshoni temën.

Që nga viti 2009, unë dhe kolegët e mi nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit kemi kërkuar vendosjen e trupave në Bërçko, riparimin e brigadës EUFOR me mbështetjen e aleancës së NATO-s. Mendoj se kjo do të ishte kthesë.

Jo vetëm që do ta shkatërronte agjendën “gjithëserbe”, por edhe idenë e “Botës serbe”, e cila është si një ombrellë mbi agjendën gjithëserbe.

Megjithatë, më duket se nuk ekziston dëshira në të dyja anët e Atlantikut për t’u parë si dikush që do të përshkallëzojë situatën. Mendoj se një gjë e tillë është problem.

Kjo ua lehtëson Dodikut dhe Vuçiqit që të vazhdojnë me “garën” e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Lidhur me shkëputjen janë deklaruar Ambasada amerikane dhe Zyra e BE-së në Bosnje e Hercegovinë. Të gjithë e dënuan këtë dhe thanë se ishte e pamundur në praktikë, kur u paralajmërua për herë të parë, më 23 maj. Për sa i përket Deklaratës, Ambasada amerikane ishte e vetmja që reagoi mënyrë specifike.

Ndërkohë, SHBA-ja ka vendosur një sërë sanksionesh që mund të dhembin shumë – të drejtuara kundër kompanive të afërta me familjen e Dodikut. Jake Sullivan, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, njoftoi gjithashtu masa të reja të mundshme. A prisni sanksione të reja amerikane dhe kundër kujt?

Kurt Bassuener: Kjo që e thoni se është diçka e pamundur, më nuk është e rëndësishme.

E nevojshme është që të vërtetosh se diçka është fizikisht e pamundur, t’u tregosh të gjithëve, jo vetëm lidershipit por edhe qytetarëve, se nuk mund të bëhet.

Kjo përfundimisht do të përjashtonte faktorin e frikës.

Për sa u përket sanksioneve, nuk e di se kë do të kishin cak, por e di se çfarë lloj njerëzish do të ishin cak.

E dimë se veprimi i bankave, të cilat mbyllën llogaritë e personave dhe kompanive nën sanksione, i lëndoi vërtet. Kjo është pozitive dhe tregon forcë.

Mendoj se në atë rast, më e mundshme është zgjerimi i rrethit të personave të sanksionuar.

Gjithashtu, unë mendoj se do të piketohen edhe ata njerëz, të cilët, për shembull, i obligojnë të tjerët të blejnë letra me vlerë të Qeverisë ose entitetet e mëdha që i kanë blerë ato.

Autoritetet e Republikës Sërpska kanë problem, për sa i përket parave, me të cilat i paguajnë rrjetet e tyre të patronazhit dhe punonjësit në sektorin publik.

Nëse ka presione të reja, me siguri do të synojnë këtë.

Cilat janë caqet e Vuçiqit dhe Andrija Mandiqit?

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli luan Vuçiq në të gjitha veprimet e Republikës Sërpska dhe Millorad Dodikut. A “bekon” ai gjithçka nga prapavija, apo nuk ka aq shumë ndikim te presidenti i Republikës Sërpska?

A është e mundur që ai po përpiqet – siç u spekulua më parë – që me aktivizimin dhe “qetësimin” e Dodikut kur i duhet, të arrijë një pozicion më të favorshëm për Serbinë në lidhje me Kosovën?

Kurt Bassuener: Mendoj se ata e shfrytëzojnë njëri-tjetrin. Asnjëherë nuk kam krijuar përshtypjen se Dodiku është “lodra” e dikujt. Natyrisht, ai është në një pozicion vartës.

Sidomos, sepse ai është i cenueshëm kur bëhet fjalë për financimin, ndërkaq (kryeministri i Hungarisë, Viktor) Orban dhe Vuçiq e ndihmuan atë në këtë drejtim. Dhe, përfundimisht mendoj se Vuçiqi po e shfrytëzon këtë për qëllimet e tij më të gjera, përfshirë veriun e Kosovës dhe kjo është pjesë e konceptit të tij të “Botës serbe”.

Kjo është ajo që ka marrë vëmendjen më të madhe në hapësirën publike. Mund të debatohet edhe për atë se ka marrë mjaft vëmendje të madhe në Mal të Zi, përmes [kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Andrija] Mandiqit.

Ai (Vuçiq) u përball me probleme të reja në veri të Kosovës, veçanërisht pas Banjskës, dhe nëse e shikoni këtë në dritën e “performancës” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe të gjithë historisë dhe parullës “ne nuk jemi popull gjenocidal”, unë mendojnë se po përdorin njëri-tjetrin.

Mendoj se kjo është e dobishme për Vuçiqin, për arsyet që përmendët, për qëllime më të gjera dhe për të krijuar një imazh të vetes si partner, sepse Dodik nuk e paraqet veten si aleat të kujtdo nga Perëndimi.

Vuçiq, natyrisht, po kryen arbitrazh gjeopolitik dhe po drejtpeshon. Dhe ai dëshiron të shihet si një partner pak a shumë i pranueshëm për SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe.

Mendoj se te britanikët kjo “shitet” më shumë, sesa tek amerikanët dhe evropianët.

Natyrisht, duke përfshirë kinezët, rusët, turqit, arabët nga rrethi i Gjirit Persik, etj. Mendoj se përshtatet në atë ekuacion.

Dodik ndoshta nuk i tërheqë të gjitha fijet, por nuk mendoj se ai po bën gjithçka që Vuçiq kërkon prej tij.

Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë, u shfaq edhe Andrija Mandiq, lider pro-serb nga Mali i Zi, i cili bëri thirrje për mbajtjen e një Kuvendi të ri gjithëserb në Mal të Zi. Çfarë roli mund të luajë ai dhe të tjerët të mbledhur rreth tij në narracionin për “Botën serbe”, që u materializua pjesërisht përmes Deklaratës?

Kurt Bassuener: Natyrisht, ai do të dëshironte që të jetë leva e tretë.

Në rast se gjërat përkeqësohen në Mal të Zi, në qoftë se nuk do të ketë përparim, por edhe në rast se forcat reaksionare në Evropë, nga kjo anë e Atlantikut, fitojnë fuqi, mendoj se ai beson që një gjë e tillë mund të jetë e realizueshme.

Edhe pse Mali i Zi tash është pjesë e NATO-s dhe nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, gati se në përgjithësi shihet si vendi më i mundshëm për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në [BE].

Kështu që unë mendoj se kjo edhe për të është një deklarim i qëllimit. Nuk besoj se ai mendon se mund ta bëjë këtë në një afat të shkurtër, por në të ardhmen e afërt, le të themi në vitin e ardhshëm, ai mendon se mundet, nëse ngjarje të caktuara përkojnë në mënyra të caktuara, në mënyrë që ai të mund ta ndjekë këtë në mënyrë më agresive. Kjo sigurisht i bën edhe më domethënëse përgjigjet perëndimore ndaj këtij plani në kohë reale.

Reagimet e Zyrës së përfaqësuesit të lartë (OHR) dhe Bashkimit Evropian

Radio Evropa e Lirë: Lidhur me Deklaratën, ka reaguar edhe Christian Schmidt, përfaqësues i lartë në Bosnje e Hercegovinë, i cili i shkroi kryetarit të Asamblesë së Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq dhe e paralajmëroi se, ndër të tjera, ajo shkel Marrëveshjen e Dejtonit dhe detyrimet e Republikës Sërpska ndaj saj. Ai përmendi, madje, edhe Kompetencat e Bonit.

A prisni që ata t’i përdorin këto, në lidhje me këtë dokument dhe dokumentet e tjera të paralajmëruara? A mund të pritet edhe shkarkimi i politikanëve, gjë që pritej, por deri më tani nuk ka ndodhur gjatë mandatit të tij?

Kurt Bassuener: Po, mendoj se nuk ka pasur diçka të tillë.

Kam punuar për Paddy Ashdown [ish-përfaqësues i Lartë në Bosnje e Hercegovinë] dhe më pas, për një kohë të shkurtër për pasardhësin e tij. Dhe, sigurisht, më kujtohen shkarkimet e mëdha të njerëzve, në numër të madh, si dhe çfarë i parapriu kësaj.

Mendoj se zyrtari i fundit i lartë që u hoq nga detyra në Republikën Sërpska, ishte Nikolla Popllashen [president i Republikës Sërpska, në fund të viteve ‘90], por për një gjë të tillë ishin të nevojshme forca të shumta të SFOR-it. Nuk ishte vetëm në stilin – përfaqësuesi i Lartë e ka fuqinë të shkarkojë dikë nga detyra; kjo është e ligjshme dhe mbetet kompetencë e tij.

Por, për ta vënë në praktikë, nënkuptonte të vendosje mjete të blinduara përreth zyrës së Popllashenit, t’ia fikje dritat dhe ndalje ujin, duke pritur që ai të dilte, për aq sa më kujtohet.

Kështu që unë nuk e shoh këtë si opsion.

Mendoj se Dodiku e di që kjo nuk është diçka që ekziston si kërcënim.

Nëse dikush shkarkohet tani dhe ai urdhër nuk respektohet, kjo e gërmon një gropë më të thellë për OHR-në. Por, përsëri mendoj se Schmidt do të kishte të drejtë të bënte diçka të tillë, sepse ai është autoriteti përfundimtar për të përcaktuar se kush e shkel Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Nuk ka gjykatë apeli për këtë gjë, por mendoj se diçka e tillë kërkon mjete serioze dhe ai nuk i ka ato.

Kjo nuk është për fajin e Schmidt-it, por Schmidt duhet të ecë tutje duke pasur këtë në mendje. Prandaj, deklaratat e llojit “nuk mund të shkëputesh, nuk është e mundur, kjo nuk është e ligjshme”, nuk do ta ndryshojnë dinamikën.

Radio Evropa e Lirë: Ndërsa SHBA-ja ka filluar të zbatojë më seriozisht sanksionet në muajt e fundit dhe llogaritë e njerëzve dhe kompanive po mbyllen, BE-ja kryesisht kufizohet në njoftimet që shprehin zhgënjimin dhe tërheq vërejtjen se hapa të caktuar të autoriteteve të Republikës Sërpska janë në kundërshtim me integrimet evropiane.

A duhet që BE-ja ta marrë më seriozisht çështjen e Bosnje e Hercegovinës, duke pasur parasysh se ajo kufizohet drejtpërdrejt me këtë vend, dhe të paktën në mënyrë deklarative, dëshiron ta pranojë atë në bashkësinë e vet?

Kurt Bassuener: Anëtarët e BE-së, qysh në vitin 2011, shprehën qëndrimet në një dokument, dhe u përgatitën për skenarin që po ndodh tani.

Por nga viti 2022, vendimi duhet të merret me konsensus. Asokohe u miratua me shumicë të thjeshtë.

Viktor Orban e mbrojti Millorad Dodikun nga sanksionet e BE-së. Ai nuk është i vetmi. Mendoj se në një kohë edhe Kroacia dha mbështetjen e saj që kjo të bëhet me aklamacion dhe jo me shumicë të kualifikuar.

Kështu që, për fat të keq, sanksionet nuk do të ndodhin, për sa kohë që qëndrimi i Budapestit është të mbështesë Dodikun, dhe nuk shoh që kjo do të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

Natyrisht, shtetet anëtare individuale mund të vendosin sanksione, megjithëse disa do të thonë se vetëm sanksionet evropiane mund të zbatohen.

Gjermania, për shembull, pezulloi financimin e shumë projekteve, gjë që mendoj se ishte e dobishme.

Por BE-ja ka një mandat për “parandalim”. Për gati 20 vjet, puna e tij ka qenë të ofrojë një mjedis të sigurt.

Unë do të thosha se gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjë Bashkimi Evropian është të tregojë se pavarësia nuk është e mundur, dhe jo vetëm të thotë “jo, kjo e ndalon rrugën e juaj evropiane”.

Problemi është se, në rastin e përdorimit të mjeteve më serioze, ato do të tregonin se zgjerimi nuk inkurajon përparimin. Kështu që ata në fakt do të pranonin se politika e tyre për 18 vjetët e fundit ka dështuar, që do të thosha se është e vërtetë, por ata nuk dua ta pranojnë.

Kështu që unë kam ndjenjën që BE-ja nuk do të përdorë kompetencat që ka dhe se nuk do t’i japë fund këtij cirku, i cili është i rrezikshëm, sepse nuk duan të duken keq. Unë mendoj se, fatkeqësisht, është kaq e thjeshtë.

Sfidat e vitit zgjedhor në Bosnje e Hercegovinë

Radio Evropa e Lirë: Ky vit është vit zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë. Deri në fillimin zyrtar të fushatës, mund të presim një shtrëngim shtesë në marrëdhëniet politike dhe në retorikë, edhe pse zgjedhjet janë lokale dhe ofertat janë disi më të ulëta se zakonisht.

A prisni që ndoshta SHBA-ja apo BE-ja do të përfshihen drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore, në kuptimin e sanksioneve ndaj partive politike, si dhe a mund të presim që partitë, që deri më tash fituan zgjedhjet në vija etnike dhe në narracione etnike, të dominojnë sërish?

Kurt Bassuener: Mendoj se qëndrimi ndërkombëtar do të jetë i ngjashëm me atë që ishte në zgjedhjet e mëparshme. Do të thotë, votuesve do t’u kërkojnë të votojnë për interesat e tyre, ndërkaq partive politike që të fokusohen në shqetësimet e votuesve për ekonominë, korrupsionin, drejtësinë dhe çështje praktike, si cilësia e ajrit dhe gjëra të tilla, të cilat të gjithë politikanët do t’i shpërfillin.

Në nivelin e popullit, ende nuk kam takuar asnjë qytetar të Bosnjës, të asnjë kombi, qoftë serb, boshnjak, kroat, që të jetë i kënaqur me politikën dhe liderët.

Në qoftë se do t’i pyesnit qytetarët se a duan të dërgojnë në Goli Otok gjithë elitën politike – klounët e mi, klounët e tyre, klounët tuaj, jam i sigurt se do të kishte 95 për qind të votave “për’, dhe një dalje e madhe në votim.

Gjëja e rëndësishme për zgjedhjet lokale, megjithatë, janë njerëzit që mund ta lidhin kryetarin e bashkisë, në veçanti, me atë që po ndodh në komunitetin e tyre lokal dhe e dinë se ku jeton ai ose ajo.

Pra, ka më shumë potencial për llogaridhënie të zyrtarëve të zgjedhur në nivel lokal se kudo tjetër mbi atë nivel. Në nivelin më të lartë, nuk ka fare llogaridhënie.

Kështu që, unë shpresoj se do të ketë një befasi, se ka disa liderë të mirëfilltë lokalë që zgjidhen, të cilët nuk janë pjesë e sistemeve partiake, ose të paktën nuk janë pjesë e sistemeve kryesore të partisë në pushtet, të cilët mundësisht janë të pavarur, të cilët në fakt zbatojnë agjenda lokale për qytetarët e tyre dhe kanë vullnet të madh të jenë të zëshëm në skenën kombëtare, në skenën më të gjerë për qytetarët e tyre, si dhe të kundërshtojnë nivelet më të larta të qeverisjes, qofshin ato të kantoneve apo të entiteteve, varësisht nga vendi ku jetoni, sepse është gjithmonë çështje resursesh.

Mendoj se ka mundësi për lëvizje më të vogla. A pres çfarëdo ndryshime drastike? Jo, sepse zgjedhjet lokale nuk funksionojnë ashtu, por shpresoj se, në qoftë se do të ketë mashtrime më të vogla zgjedhore, ndoshta do të shohim së paku zgjedhje më të pastra. Por, nuk kam pritje shumë të mëdha.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Intervistë tre dimensionale e Helena Kadaresë që daton 9 Mars 2017 – Ose shumë pyetje marrin përgjigje nga kjo intervistë

Rrëfimi i Helena Kadaresë për burrin e saj, Ismailin

Intervistë e gazetares dhe editores së tiranapost.al Mira Kazhani zhvilluar në Paris me shkrimtaren Helena Kadare.

Sot është 8 Marsi, dita e gruas. Ka një seri rastësish të mrekullueshme me këtë të mërkurë: Për shembull në Paris mësova gjatë bisedës me Helena Kadarenë se e mërkura ishte dita më e bukur e javës për të (dhe për Is gjithashtu) për një shkak që e ka emrin Adrian. Adriani është nipi i pazakontë i familjes Kadare për të cilin do mësoni gjatë intervistës. Xhanëm ku ka të zakonshëm në atë familje!

E kam takuar disa herë përgjatë këtyre 3 viteve të fundit. Sa herë që jam ndarë prej saj kam thënë me vete:- Sikur të gjithë ta njihnin Helenën. Sikur ta dinin se ç’mendon e ç’thotë ajo për jetën. Sikur ta dinin se vepra më e madhe e Ismail Kadaresë është bashkëshortja e tij.

Një supergrua që vetëm një gjeni mund ta meritonte. Me një sinqeritet çarmatosës, një thjeshtësi që të zë në befasi dhe t’i skuqesh pse e bëre atë pyetje. Helena të ul me këmbë në tokë.

Është një intervistë e gjatë (për këtë arsye kemi vendosur që ta publikojmë të ndarë në 2 pjesë, në 2 ditë rresht) që më pëlqen ta quaj një tjetër roman mbi jetën personale të Helena Kadare; raportit aspak të lehtë dhe njëherësh fantastik me shkrimtarin tonë të madh. Sepse ne gratë ankohemi gjatë gjithë kohës, kur e kemi dashurinë dhe kur se kemi atë, me të njëjtën forcë e pezm.

Tek Helena do bindeni që asnjë burrë qoftë ai edhe më i adhuruari i kohërave nuk është fat por durim, dhe përkushtimi e dashuria janë vuajtje. Është punë të duash përjetë një burrë. Jo me fjalë dhe mesazhe, ankesa, sherrnaja…

Helena nuk jep këshilla, nuk bërtet në asnjë mendim. Nuk ankohet për asgjë edhe pse e ka ëndërr të rrijë njëherë me shoqet në kafe pa i rënë zilja e telefonit nga Is:- Beka kur do kthehesh?

Në fund të intervistës do e kuptoni vetë se suksesi i një martese nuk bëhet nga lumturia por toleranca. Nuk bëhet nga pretendimet, kërkesat, por dedikimi pa e bërë të madhe sikur ç’po bën; Sidomos pa turinj të varur edhe në paç të drejtë!

Do kuptoni nëse është apo jo e lumtur ajo. Është në zgjedhjen tuaj, vërtet! Kur të lexoni Helenën do kuptoni nëse keni dashur me të vërtet  një burrë apo jo. Një martesë, një familje. Nëse keni dashur!

Nëse ka ardhur koha të pushoni nga gjithë ato pretendime të kota dhe t’ja nisni jetës me më qetësi. Ajo mi tha të gjitha në Paris! Kam një parandjenjë që Helena Kadare ka dhënë intervistën e jetës së saj. Lexim të këndshëm…

***

Mira Kazhani: Sa herë kam ardhur në Paris gjithmonë kam menduar se çfarë jeni duke bërë ju të dy, Ismaili dhe ju. Si është dita e Helenës këtu?

Helena Kadare: Është një ditë e zakonshme e mbushur më shumë angazhime. Kryesisht gjera që lidhen me Ismailin. Mëngjesi fillon, për secilin veç e veç, në leximin në internet të lajmeve që vijnë nga Shqipëria. Kam kujdes që, se paku, orët e para të ditës të kalojnë pa i komentuar ato, e sidomos gjatë ngrënies së mëngjesit. Një fjalë goje! I them Is: Le të hamë një mëngjes në qetësi dhe pa lajme… Kemi rënë dakord për këtë por në të vërtet nuk ndodh asnjëherë kështu. Sepse, siç e dini fort mirë edhe ju që vini prej andej, nuk ka ditë që të mos ndodhe diçka atje. Herë e mirë, herë e keqe, më së shumti kjo e fundit. Si të gjithë bashkëkombësit tanë, kudo që janë, duam që atje punët të shkojnë mbarë, që synimi i politikave të jetë çuarja e Shqipërisë në Europë, që ajo të bëhet një vend normal, që të ketë shtet ligjor, me pak sherre dhe mospajtime dhe që ky vendi ynë të hyjë, më në fund, në gjirin e Europës, të përparojë e të begatohet si gjithë vendet e tjera të kësaj zone të botës.

Mira Kazhani: Çfarë nuk ju pëlqen konkretisht? Një gjë qe ju trishton kur e dëgjoni nga Shqipëria?

Helena Kadare: Kam bindjen se shumica e shqiptarëve e duan me gjithë shpirt rikthimin e kombit tonë në Europë, pas 500 vjetësh të shkëputur nga otomanet dhe dyzetë vjet nga komunizmi. Mirëpo gjërat që ndodhin atje të prishin gjakun. Një pjesë e veprimeve të politikanëve tregojnë se jo të gjithë e duan një gjë të tillë.

Mira Kazhani: Po a ka figura në politikë që ju pëlqejnë ? Që i ndiqni me vëmendje dhe thoni: Po, ky po e bën punën e tij. Ky është një njeri-politikan i mirë për Shqipërinë.

Helena Kadare: Po sigurisht që ka. Ka të tillë, pa dyshim. Ka madje shumë djem dhe vajza të tjerë të talentuar, që nuk bëjnë pjesë në politikë, por që janë të zot për një punë të tille. Lidhur me këtë, po të tregoj një kuriozitet. Para ca ditëve mori në telefon një gazetar amerikan qe kërkonte një intervistë me Is. Dhe bëmë pak muhabet mbasi ai dinte ca frëngjisht. E dini ç’më tha? Në Amerikë shqiptarët e arsimuar që kanë ardhur këtu, bëjnë një përshtypje të jashtëzakonshme. Janë të dijshëm, shumë të zot, dinë rrjedhshëm nga tri gjuhë të huaja, që i përdorin pa problem, gjë që nuk është aq e lehtë për një amerikan. Shqiptarët e tillë janë shumë të mirëpritur në Amerikë. Unë vetë kam qenë në Shqipëri dhe jam mahnitur nga bukuria e këtij vendi. Dhe kam pyetur veten, përse ky vend me këto kapacitete njerëzore, me këtë natyrë e klimë të mrekullueshme, nuk arrin ta ngrejë kokën, ka përherë probleme, nuk ecën përpara, ashtu siç do të ishte dashur të ecte… Për të vijuar pyetjen tuaj. Po, i ndjek me vëmendje ngjarjet e vendit tim nëpërmjet shtypit, rubrikave televizive, kontakteve të shumta që kam në Shqipëri. S’do mend, entuziazmohem kur punët shkojnë mirë, kur shoh e dëgjoj djem dhe gra të mençura, që i kanë idetë të qarta, që përdorin logjiken dhe jo militantizmin e radhës, dhe sidomos që dinë të ruajnë etiken e të folurit. Ndoshta të duket si pa rendësi kjo e fundit, por më beso, tek njerëzit që jetojnë aty, që janë të lodhur nga sherret dhe demagogjia agresive, kjo mënyrë të foluri ka një efekt jashtëzakonisht negativ. I përmbahem mendimit se me urrejtje bëhen shumë gjera, akoma me shumë behën me dashuri. Nga miq e të njohur që kam atje, kuptoj se të gjithë e duan, e vlerësojnë dhe e presin këtë gjë. Ata për të cilët po flas, janë njerëz pa poste, janë intelektualë të mirëfilltë apo njerëz të thjeshtë, por që aspirojnë për një jetë normale, pa grindje dhe pa fyerje. Madje dëgjoj prej tyre që shpesh e mbyllin fare televizorin, aq e padurueshme iu bëhet gjuha e dhunshme që sundon atje. Është e mundur që politikanët tanë të mos ta kuptojnë një gjë të tillë? Që të bëjnë një përpjekje të përbashkët për t’u marrë vesh normalisht? Më ka rënë rasti të dëgjoj, në një darkë miqësore një grua, që s’ishte aspak budallaqe, madje dhe e bukur, do të shtoja, që këmbëngulte: Epo ashtu e do politika. Ndryshe nuk ia del dot ! Mbeta pa fjalë…

Mira Kazhani: Çfarë ju bën veçanërisht përshtypje atje?

Helena Kadare: Mira, unë iu përkas njerëzve pozitiviste dhe përgjithësisht kërkoj të gjej të mirën edhe atje ku nganjëherë ajo s’ekziston. Mundohem ta largoj nga mendja të keqen, por jo gjithnjë ia arrij. Ku ta dish, ndoshta ngaqë s’jam në politikë… Ndoshta në atë terren, optika e të parit është ndryshe. Ndaj më pëlqejnë ato vajza dhe ata djem të përgatitur, që kërkojnë t’u japin një drejtim pozitiv gjërave, siç më dëshpërojnë tipat negativiste, që me dashje, do të thoshja, shikojnë zi ngado, aspirojnë kaosin dhe, me sa duket, (madje shpesh është aq e dukshme) i ngazëllen kjo kahje negative e të parit të gjërave. Sot pashë ne lajme që u përurua një ujësjellës i ri për Tiranën, pastaj dikush tjetër që i kundërvihet Shteteve të Bashkuara, me një mllef të pazakontë. Se cilin nga këto lajme unë parapëlqej është e thjeshtë ta kuptosh. Atë që ndërton ujësjellësin, pa dyshim.

Mira Kazhani: Ambasadori amerikan Donald Lu ju duket simpatik apo edhe tip që po e tepron disi?

Helena Kadare: Çfarë pyetje! Po natyrisht jam katërciperisht dakord me vëmendjen që tregon Amerika ndaj nesh e që transmetohet nëpërmjet qëndrimeve të ambasadorit Lu. Madje e quaj fat të madh për vendin tim që ky ambasador, që përfaqëson një shtet aq të fuqishëm sa s’është Amerika, është i investuar kokë e këmbë në mbarëvajtjen e shqiptarëve. Palodhshmëria e tij në çështjen aq të debatuar të problemeve të drejtësisë, më prek sinqerisht. Ne, brezi ynë doja të thoshja, jemi rritur në komunizëm me urrejtjen ndaj Amerikës, ne e dëgjonim zërin e saj në radio kur kjo gjë ishte krejt e dënueshme në atë kohë. Ndaj them me vete, lavdi Zotit që erdhi kjo ditë që ky vend i madh të merret me punët tona. Lexoj nganjëherë komente njerëzish të pamend që thonë se Shqipëria është sa një pike ujë në vëmendjen e Amerikës dhe se në agjendën e saj e zë a nuk e zë të qindën e sekondës. Nuk e perceptoj kurrsesi kështu qëndrimin e Amerikës ndaj nesh. Të gjithë po e shohim qartas që është krejt e kundërta.

Mira Kazhani: Ju bën përshtypje që ka mësuar shqip për shembull? Që shumë mesazhe i bën në gjuhën shqipe?

Helena Kadare: Është diçka që e çmoj pa mase. Veç të tjerash, kjo tregon seriozitetin e këtij diplomati karriere, që u nis në këtë detyrë me shqipen e tij të gatshme për komunikim. S’është gjë e pakët, për një gjuhë aq të vështirë sa e jona, apo jo? Shqiptarët kanë mundësi ta dëgjojnë atë direkt, pa nevojën e përkthimeve nganjëherë aproksimative të palëve dhe e kuptojnë se ndërhyrjet e tij janë të dobishme për fatet e Shqipërisë, pa cënuar interesat e vendit të tij, natyrisht.

Mira kazhani: E keni takuar ndonjëherë?

Helena Kadare: Po.

Mira Kazhani: Dhe çfarë ju ka lenë më shumë mbresë?

Helena Kadare: Vetë angazhimi i tij total për ato gjëra që sapo folëm. Biseda kryesore me të, duke lëne mënjanë ato të familjes, fëmijëve etj., kanë qenë temat e së përditshmes shqiptare, ato tema që i njohim të gjithë… Ai e do vendin tonë, kjo është e qartë dhe e dukshme. Kaq me mjafton për ta dashur.

Mira Kazhani: Po në jetën publike në media ? Ka njerëz që ju pëlqejnë, që i ndiqni?

Helena Kadare: Dëgjo Mira, siç ju thashë më parë, nuk ka asnjë artikull, asnjë analize apo ngjarje që ndodh atje që të na shpëtojë pa e vënë re. Natyrisht ka shumë syresh që i dëgjoj me respekt dhe që më ndihmojnë të kuptoj realitetin e atyshëm. Sikurse ka edhe të tjerë që më vjen keq për ta tek i dëgjoj sesi përpëliten për t’i dredhuar problemit, për t’i bërë qejfin shefave të tyre. Ne jemi në Paris gjysmën e vitit, por në vijojmë të jetojmë me Tiranën… Ismaili i përjeton edhe me fort se unë… vetëkuptohet.

Mira Kazhani: Ku është ai në këtë çast që po flasim?

Helena Kadare: Ka shkuar në një kafene këtu afër ku bën ato orët e tij të zakonshme të punës. Jo, jo më në kafe Rostand sikurse hamendësojnë të gjithë ata, që kanë lexuar librin e tij “Mëngjese në kafe Rostand”. Shumë njerëz që kalojnë këndej nga Parisi, e kanë bërë zakon të kalojnë nga ajo kafe, me mendimin që t’i shtrëngojnë dorën autorit të tyre e të shkëmbejnë dy fjale me të. Një ndjesi e natyrshme dhe fisnike, do të thoja. Mbaj mend kur kemi qenë në fakultet, ne dilnim me shokët e kursit nga rruga ku do të kalonte Petro Marko, që sapo kishte botuar në atë kohë « Hasta la vista ». Te gjithë lexuesit në botë janë njësoj.

Mira Kazhani: Po ku është kjo kafeneja tjetër?

Helena Kadare: (qesh) Këtë s’mund ta them. Ndryshe atij do t’i duhej ta ndërpriste punën orë e çast. Ose të ndërronte përsëri kafenenë…

Mira Kazhani: Cila do të quhej një ditë e përkryer për ju?

Helena Kadare: Një ditë e bukur për mua do të ishte një e mërkurë (ditë që nxënësit e kolegjeve te Francës e kanë pushim). Ndodh shpesh që të mërkurave, së bashku me nipin tim, Adrianin, të shkojmë në ndonjë nga restorantet e panumërta japoneze që ka këtu përballë nesh, në rrugën e ngushte që mban emrin “Monsieur le Prince” dhe që ti e vizitove sot në mëngjes. Restorantet japoneze janë të vogla e të lira ndaj frekuentohen më së shumti nga studentët e Sorbones këtu pranë, në kohen që bëjnë pushimin e drekës. Adrianit i pëlqen kjo lloj kuzhine, mua gjithashtu. Por me shumë nga të gjitha unë i gëzohem bisedës që bej me këtë djalë të vogël dymbëdhjetë vjeçar, që është një lexues fantastik dhe i palodhur librash. Ndoshta nuk do ta besosh, por herë-here e harroj moshën e tij, për nga serioziteti dhe pjekuria e temave që flas me të. Për mua është thjesht një mrekulli çdo drekë e kaluar së bashku me të!

Helena Kadare dhe Adriani

Mira Kazhani: Po një ditë e keqe?

Helena Kadare: (qesh) Nuk ka ditë të keqe, Mira. Çdo ditë ka mundin e saj, siç thuhet. Gjithsesi një ditë jo e mirë është kur jam e detyruar të shkoj në ndonjë pritje apo aktivitet pak a shumë zyrtar. Le ta themi midis nesh: Nuk i duroj dot me takat e larta, të detyrueshme për këto raste. Nuk kam energji të shkoj te parukierja për flokët, të zgjedh veshjen e duhur për atje etj.,etj. Mezi pres të kthehem në shtëpi, të vërvis tutje këpucët e lodhshme, të vesh një rrobë të rehatshme dhe marr në duar librin e radhës që e kam lënë përgjysmë. Ose kur më pret ndonjë film që ia vlen në TV.

Mira Kazhani: Do të vazhdoni të jetoni Paris-Tiranë? Ku është me mirë?

Helena Kadare: Kësaj pyetjeje po i përgjigjem me fjalët e një mikut tonë që jeton këtu, ai gjithashtu: Franca është një parajse e trishtuar,(që në të vërtetë vetëm e trishtuar s’është dhe s’mund tëe jetë!) kurse Tirana një ferr i gëzueshëm.  Nëse do që ta dish tamam, unë personalisht veten e ndiej njëqind për qind të plotësuar kur jam në Tiranë. Aty kam mikeshat e mija, familjen time, njerëz të tjerë me të cilët kam mall e dëshirë të rri e të shkëmbej mendime duke folur shqip (ka rendësi edhe kjo), me një fjalë, siç thotë Naimi, “atje ku rroj me gaz e me shpresë, ku kam dëshirë të vdes”. Tani fëmijët tanë janë rritur dhe kanë angazhimet e tyre, kështu që është e padrejtë të kërkosh praninë e tyre orë e çast, siç do të kisha dashur. Gjë që natyrisht edhe s’mund të bëhet. Në Tiranë që të gjithë i ke në dispozicion kurdoherë, (flas për njerëzit që kanë të bëjnë me mua), me të cilët kaloj momente që më këndellin shpirtin. Atyre nuk ka nevojë t’iu shpjegosh se si e qysh ka ndodhur më parë, se si punët rrodhën me pas kështu e ashtu. Me ta të gjitha referencat i gjen aty ku i ke lënë dhe biseda vijon natyrshëm sikur e ke lënë në mes dje.

Mira Kazhani: Pse është e domosdoshme të rrini këtu?

Helena Kadare: Thjesht për arsye që lidhen me punën e Ismailit. Ai këtu ka shtëpinë e vet botuese “Fayard”, që merret me të gjitha problemet e tij, ka agjentin letrar edhe pse agjentin kryesor e ka ne agjensinë “Wylie” në New York. Janë ata që bëjnë kontratat për botimet dhe shpërndarjen e librave të tij nëpër botë. Por jeta këtu për mua ka filluar të jetë e lodhshme. Nuk ka dite të mos vijnë letra, email-e, ftesa, çmime, kërkesa për intervista, takime, zhurira, e plot gjëra të tjera të këtij lloji. Tani edhe Ismaili vetë ndihet i lodhur prej tyre. Ai quan punë të mirëfilltë vetëm ato faqe që ka caktuar të shkruaje në ditë me dorë dhe kaq. Për të tjerat nuk interesohet më si dikur. Kështu me bie mua detyra t’u përgjigjem me shkrim apo me telefon të gjithë kësaj ngarkese. Natyrisht më e lodhshmja është të gjej arsye dhe justifikime për ato “jo”-të e vazhdueshme të Ismailit, për çdo gjë që i kërkohet. Dhe të më besosh, nuk është ndonjë gjë e këndshme të thuash “jo” majtas e “jo” djathtas për gjithçka dhe, aq me tepër, në emër te tij. Të qenët negativ, kundërshtues, të lodh shumë më tepër nga të qenit aktiv edhe kur të duhet të besh mund dhe sakrifica. Ndaj do preferoja Tiranën. Atje do të gjendeshin njerëz të tjerë që ta bënin këtë punë rutinore shumë më mirë se sa unë. Botuesi i « Onufrit » i ka të gjitha strukturat për një angazhim të tillë dhe ai ka qenë përherë i gatshëm, madje shumë mirëkuptues, për ta ndihmuar në gjithçka që lidhet me veprën e Ismailit. Tani ka filluar punën aty vajza e tij, Enxhi, që është tepër aktive dhe çdo ditë me kompetente për punën e botimeve. E vetmja gjë, për të cilën më vjen vërtet keq tani, është mosdëshira e Is për të bërë udhëtime, gjë për të cilën unë nuk do të thosha kurrë jo. Sepse, siç dihet, shpirti ka më shumë nevojë për hapësirë sesa trupi.

Mira Kazhani: Cilat janë udhëtimet që kanë lënë mbresë në mendjen tuaj?

Helena Kadare: Do të veçoja dy. Udhëtimin tim të parë në Kosovë më 1981 dhe një udhëtim në Izrael ca kohë më parë. Po e nis me Kosovën. Në vitet 80 Kosova për të gjithë ne shqiptarët e Shqipërisë ishte një ëndërr e paprekshme. Kështu, kur më caktuan në grupin e shkrimtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve për një vizite në Kosovë, desh me ndali zemra nga lumturia. Delegacionin e kryesonte kryetari i Lidhjes, Dritero Agolli. Ne të bënin pjesë shkrimtarja Eglandina Mandia, Zija Cela, Shefqet Musaraj dhe unë. Në Prishtinë sapo ishte inauguruar Hotel Grand-i dhe gjithçka dukej e përsosur në sytë tanë. Asnjeri prej nesh nuk kishte parë një luks të tillë. Por ajo që na tronditi të gjithëve ishte dashuria e jashtëzakonshme e njerëzve. Për gati një jave udhëtuam nëpër Kosovë. Kudo që vinim ngjante si një festë. Edhe pse ishim të porositur, ne nuk e dinim se çdo hap i ynë ishte i survejuar, i kontrolluar. Me vonë kemi marrë vesh se ç’ndodhte atje me ata njerëz që na kontaktonin. Por kjo është një teme që kërkon një bisedë tjetër. Dua të veçoj këtu një mbrëmje në Pejë në hotelin Metohia. Poshtë në restorant ishte ndezur një oxhak i vjetër i stërmadh dhe në tryezën tonë vinin direkt nga furra pogaçe të porsa pjekura. Mendo se ç’përshtypje për ne që nuk i njihnim restorantet private. Tirana e asaj kohe kishte apo s’kishte nja tri-katër restorante sterile, natyrisht shtetërore… Po i kujtoj të gjitha këto sepse vitin e shkuar ishim me Is në Pejë për çmimin “Azem Shkreli”, që ai mori, dhe qëndruam në të njëjtin hotel si 38 vite të shkuara, por që tani quhej Hotel Dukagjini. Shumë vonë e kuptova që bëhej fjalë për të njëjtin hotel, kaq shumë kishte ndryshuar ai. Ishte bërë një ambient modern, por bashkë me modernizmin, atij i kishte ikur dhe gjithë magjia e hotelit tradicional që kish pasur, me atë kuzhinë aq të veçantë. Në vend të atyre pogaçeve të dikurshme tani kishte «pasta» të shumëllojshme, me emra të bukur italiane dhe shumë gjëra të tjera të reja, nga ato që gjenden në të gjitha restorantet e botës sot. Në vend të Azemit, ishte tani bija e tij, Aida, një vajzë e hijshme që kishte ardhur nga Kanadaja e largët, për të nderuar kujtimin e të atit. Ndër mend me erdhën ato rrugicat e ngushta të Pejës së dikurshme, plot dyqanxhinj të vegjël, që bashkë me Eglantinën i shikonim si të rëna nga qifti. Dhe ajo që na habiti të dyjave, ta merr mendja ç’ishte? Çamçakizët dhe çokollatat, që në Tiranën tonë të atyre viteve as që ekzistonin. Natyrisht vë buzën në gaz tani… Kur u ktheva në Tiranë shkrova me një frymë tregimin me titull « Medalioni nga Peja ». Ishte, ndoshta, me i pëlqyeri dhe i mirëprituri nga publiku. Bëhej fjalë për një mbajtëse metalike çelësash, që ma kishin dhuruar në Pejë. Pak a shumë fundi i tregimit ishte ky: Tani çdo herë që kthehem në shtëpi, me vajzën time të vogël për dore dhe nxjerr çelësin për të hapur derën ajo më pyet : Ç’është ajo gjë që ke në dorë? Një medalion nga Peja, i them.–Çfare është Peja ? me pyet ajo. Një qytet në Kosovë. Po Kosova s’është ? Atëherë unë nis dhe i tregoj asaj se ç’është Kosova. Këtu përfundonte dhe tregimi. Dhe domethënia e tij ishte e qartë për të gjithë.Kosova ishte një tabu për ne. Për atë s’flitej ose përmendej nën zë, si të ishe në faj. Mbaj mend që një mik i familjes sonë dhe i profesor Çabejt, që mblidhte këngët popullore çame, ishte futur në burg pse kishte shprehur mendime për bashkimin me Kosovën… Ndaj dhe ndjeshmëria për këtë temë ishte aq e nxehtë dhe drithëruese për të gjithë.

Mira Kazhani: Po udhëtimi tjetër, ai i Izraelit?

Helena Kadare: Ah, ai udhëtim është një dashuri më vete. E kam përherë në mendje të bej një tregim për të… Kemi qenë të ftuar së bashku me Ismailin. Për mua, Jerusalemi mbetet qyteti më interesant në botë për nga shumëllojshmëria e jetëve, për nga kultura dhe historia e tij biblike, si dhe për plot vlera të tjera. Të gjitha këto nën një qiell me dritë të bardhë verbuese, hyjnore, do të thosha. Një dritë që çuditërisht i ngjan dritës që jep qielli i Tiranës, e që për mua është i pakrahasueshëm me asgjë tjetër. Si një ngjarje të madhe në jetën time, dua te veçoj takimin me një zotëri të madh, Simon Perezin, në atë kohë President i Izraelit. Kisha lexuar më parë për të, më kishte bërë përshtypje të madhe një libër nga bisedat e tij me shkrimtarin francez Zhak Attali, për të ardhmen e botës dhe të vendit të tij në veçanti, por, t’i rrije përballë këtij monumenti të gjallë dhe ta dëgjoje tek fliste, ishte diçka krejt tjetër. Gjate gjithë kohës që zgjati audienca jonë kisha përshtypjen se ndodhesha në një zone të epërme të Botës në prani të të Urtëve të saj.

Mira Kazhani: Po diçka tjetër që ju tërheq këtu në Paris?

Helena Kadare: Është teatri. Siç e sheh, ne ndodhemi pranë Teatrit Europian të Odeonit. Si një e abonuar që jam në të, marr rregullisht axhendën e shfaqjeve sipas sezoneve. Kur të dalim nga kjo kafeja, eja po deshe të shikosh afishet e shfaqjeve të këtij muaji. Dua të shikosh afishen e dramës « Pamje nga ura » të Arthur Millerit. E kam për zemër në mënyrë të veçantë këtë shfaqje mbasi shumë vite më parë e kam parë në teatrin Kombëtar të Tiranës, me interpretimin brilant të aktorit Pirro Mani. Në atë kohë shfaqja ka bërë jehonë të madhe në rrethet intelektuale të Tiranës. Kam kuriozitet ta shoh përsëri tani, për të parë se si do të jetë përjetimi i saj pas kaq vitesh.

Mira Kazhani: Në librin tuaj të kujtimeve «Kohë e pamjaftueshme» keni një foto me këtë dramaturg të shquar amerikan. E njihnit nga afër?

Helena Kadare: Jo nuk e njihja. M’u dha rasti ta takoja në një takim të gjerë në një sallë të Parisit, ku ishte ftuar dhe Ismaili, në një panel të bërë nga shkrimtarë dhe gazetarë të shquar, mes të cilëve i ftuari i nderit ishte Arthur Milleri. Bisedën e drejtonte gazetarja e shquar Christine Okrent. Pas takimit darkuam së bashku me Millerin në një restorant të njohur aty afër. Ishte një darke e paharruar.

Mira Kazhani: Po shfaqja që pamë mbrëmë se bashku në “Place de la Republique” si ishte për ju?

Helena Kadare: Atje luante një vajzë me origjinë shqiptare me emrin Aphrodite de Loraine, me një fjalë, Afërdita shqip, por që ajo e ka stilizuar për nevojën e skenës. Ajo më dërgoi dy ftesa dhe unë të mora ty në vend të Is. Siç, e pe, ishte premiere e një komedie të Goldon-it « Les amoureux » që po luhej për herë të parë në teatrin Dejazet. Të them të drejtën unë nuk i kam shumë për zemër komeditë. Nuk di si t’u duk ty…

Mira Kazhani: Me çfarë të ardhurash jetoni ju? Mjaftojnë ato që merrni nga librat? Si jeton familja Kadare?

Helena Kadare: Familja Kadare jeton me të ardhurat e librave. Kuptohet, ne nuk kemi biznese apo fitime anësore. E di, është e vërtetë që nuk është e lehtë të jetosh me libra, vetëm katër a pesë shkrimtarë arrijnë ta bëjnë këtë. Këtu nuk e kam fjalën për autorët që shkruajnë bestsellerë e që shiten me miliona kopje. Ismaili bën atë letërsi që ben, që ju e njihni të gjithë e që quhet elitare.Ne jetojmë në një apartament me qira, në një zonë të bukur të Parisit, përballë kopështit të Luxemburgut. Shumë njerëz që vijnë e na vizitojnë habiten që ajo nuk është e jona, por me qira. Por të merremi vesh, me çmimin që ajo ka, as që mund të imagjinohet blerja. Atë e ka dhënë Akademia Moralo-Politike, ku Is bën pjesë, me një qira dy herë me të ulet, por që mbetet shumë e lartë gjithsesi. Po, mund të kishim blere një shtëpi me kredi, siç kanë bërë plot të tjerë, por ajo shtëpi duhej të ishte në periferi dhe jo këtu ku jemi…

Mira Kazhani: Po ju vetë a keni një pension? Dua të them të ardhura personale. Pavarësisht se ju punoni më shumë se kushdo për librat e Ismail Kadaresë. Ju keni një jetë që i shtypni ato ngaqë Kadare shkruan me dorë. Jeni ju përsëri redaktorja e parë e tyre. E ju keni punuar në shtëpinë botuese kur jetonit në Shqipëri. Apo jo?

Helena Kadare: Po, kam punuar dhe mund të them se kanë qenë vite që i kujtoj me mall. Tani marr një pension që vetëm vitin e fundit m’u akordua… Ndërkaq përkthej, por punën e përkthimit e bëj ngadalë sepse edhe koha që më mbetet është e paktë. Ja kështu. Ndaj i mbetet të them se shtëpinë e « mban » vetëm burri i shtëpisë, siç thoshin pleqtë e qëmotit.

Mira Kazhani: Në atë kohë udhëtonit edhe ju me Kadarenë në Francë?

Helena Kadare: Pas botimit të « Gjeneralit » me 1970 në Francë, Ismaili u botua menjëherë në pothuajse gjithë Europën. Kuptohet që botuesit dhe kritikët e artit e kërkonin ta shihnin për së gjalli këtë autor të ri që sapo kishte dalë. Dhe nga cili vend, aq më tepër! Mirëpo në atë kohë ishte i pamundur udhëtimi jashtë vendit për këdo. Vite më pas, kur vepra e tij filloi të përhapej me gjerë, shteti e lejoi të nisej. Siç e ka shpjeguar edhe ai vete hollësisht në librin e tij të fundit, udhëtimi në Francë ishte një rastësi e ardhur nga një keqkuptim. Ftesat, kuptoheshin, bëheshin bashke me gruan. Ato vinin në Ministrinë e Jashtme dhe prej andej mirrej përgjigja se Helena nuk mund të udhëtonte ngaqë ishte shtatzëne. Kur Is filloi të shkonte vetëm atje, një ditë botuesi dhe miku i tij, Claude Durand, i tha duke qeshur: Ismail, ju duhet që deri tani të kishit se paku nja 30 fëmijë! Po edhe në Tirane ka patur situata tragjikomike të këtij lloji, siç ishte rasti me aktorin, Michel Picoli. Pas nënshkrimit të kontratës për filmin e « Gjeneralit » ai erdhi bashkë me ekipin e filmit në Shqipëri, për të piketuar vendet e xhirimit. Ditën e fundit të qëndrimit atij iu anulua riardhja në Shqipëri. U dëshpërua shumë se, veç të tjerash, humbi shumë para që kishte investuar, duke angazhuar aktorë të kalibrit si Marcelo Mastrojani, Anuk Aimé, etj. ditët e xhirimit të tyre ishin të caktuara. Ishte operatori italian, Tovoli, që në nxitim e sipër, i gjeti disa vende xhirimi në Korsike, që i përshtateshin pak a shumë natyrës shqiptare. E kujtoj mirë kur u ftuam prej tyre në një darke në Hotel Dajti. Një urdhër i beftë ndryshoi rrjedhën dhe zyrtari shqiptar që i shoqëronte, ju tha se Kadare nuk ndodhej në Tiranë, ishte jashtë Shqipërie apo diçka e tille. Micheli kishte shqyer sytë: Po si është e mundur? Unë sapo u ndava para pak prej tij!! Ja kështu shkonin punët, moj Mira.

Mira Kazhani: Pse ju quan Beka ai?

Helena Kadare: Bebeka ka qenë emri im deri në moshën tre vjeç…

Madje kështu me thërresin ata të familjes edhe sot e kësaj dite. Më pas me pagëzuan me emrin e gjyshes nga babai, të cilën unë nuk e kam njohur: Elena. Kur botova romanin tim të parë në Paris në shtëpinë botuese «Stock», e pashë librin të shtypur me emrin Helena. Me pëlqeu dhe e mbajta.

 Po ju e thërrisni Is, si ne libër, zotin Kadare ?

Po jo… Is ishte vetëm për librin…që të mos e përmendja orë e çast me të gjithë emrin e tij të gjatë.

Kam pare korrespondencën tuaj në libër, ku ju i drejtoheni me emrin Smill. Pse ky emër?

Ai erdhi me këtë emër nga Rusia. Ashtu e thërrisnin atje, ose e kishte gjetur ai vetë ashtu, për t’i shpëtuar emrit të vet Ismail. Madje provoi ta vinte dhe ne të parin libër me poezi që botoi në Moskë. Por në Shqipëri u prit keq kjo gjë, dhe ai u detyrua t’i shkruante një letër botuesit rus: Me falni, por ju kam dhënë pa dashje gabim emrin tim ! Quhem Ismail dhe jo Smill.

 

Ka qene xheloz për ju ?

Jooo. Nuk e besoj !

Kam vene re se e kërkon gjithandej praninë tuaj. Ka nevoje patologjike për Helenen?

Nuk mund ta quaj patologji, por një nevoje për të patur pranë njeriun që e ndihmon…Ndihet mirë kur unë ndodhem aty pranë, kjo i jep siguri. Të paktën kështu e lexoj unë sjelljen e tij…Ndaj kurdoherë që dal nga shtëpia, jam në kafe me ndonjë miken time etj. jam e vëmendshme të mos e kaloj orën kur ai është duke me pritur në shtëpi.

 A nuk e humbisni durimin në ndonjë moment të caktuar dhe të thoni se sot për shembull do ta prish rregullin dhe do të rri sa të dua… dhe se fundja më në fund kam edhe unë një jetë?

Jo, nuk arsyetoj ashtu. Ndoshta kjo vjen sepse tërë jetën time e kam parë punën që ai bën si një gjë të shenjtë, që s’duhet trazuar me asgjë. Nuk e di. Asnjëherë nuk me ka braktisur admirimi për punën që ai bën. Pra të shkruarit.  Por edhe kur është duke dhënë një interviste, duke marrë ndonjë çmim apo diçka të tillë, kam qenë përherë pranë tij. Duke e ndier se ai ka nevoje për këtë prani përse ta nervozoj me mungesën time?

Në fakt edhe unë do të thoshja: Përse të mos e bej Helena këtë? Kush e ka fatin të jetojë me një njeri të madh, një gjeni që e respekton gjithë bota. Kujt i behet vonë për një orë më shumë me shoqen kur e gjithë jeta është një rruge e lavdishme.

Ah, e lavdishme! Me thënë të drejtën, nuk kam ndonjë prirje të veçante për të vrapuar pas “jetës së lavdishme”.

Të gjithë ata që më njohin e kanë vënë re fare mire këtë gjë. Është një shprehje që thotë se, një gram paqe vlen më shumë se një ton fitore. E ndritshme po, ashtu ka qenë jeta ime me të, por jo  e lehtë.

Pra keni patur një jetë të pazakonshme. Jam kurioze të di, kur keni bërë një pale pushime të paharrueshme?

Pushime të paharrueshme?! S’më kujtohet ndonjë tip i tillë pushimesh. Ka patur ditë të bukura, të gëzueshme kur vinim me vajzat në hotelet e bregdetit që kishte Shqipëria e asaj kohe. Por më duhet të pranoj se pas tri-katër ditëve të para nuk doja të rrija me atje. Ndejtja me orë në diell, nxihu, skuqu, shiko rerën, shiko detin, jo , nuk mund të them se është pushimi ideal për mua. Pushime të vërteta për mua janë ato në lëvizje, me një lloj aktiviteti brenda. Por në atë kohe nuk kishte kushte për gjera të tilla. Tani po, mund t’i biesh Shqipërisë kryq e tërthor e të gjesh plot vende të mahnitshme. Por ato duan energji, që ne nuk e kemi me… Të bukura dhe të qeta janë tani pushimet tona në shtëpinë të plazhit në Golem, në Malin e Robit, siç quhet vendi. Ti ke ardhur në shtëpinë tonë vëren e shkuar, apo jo ? Në verë mblidhet e gjithë familja, fëmijët me miqtë e mikeshat e tyre, ne me njerëzit tanë, familjarët kryesisht, por edhe miqtë që vijnë e na vizitojnë nga gjithë Shqipëria por edhe miq nga jashtë. Kanë ardhur botuesit e huaj, përkthyesit e shumtë librave të Ismailit nga Gjermania, nga Amerika, nga Rumania, nga Spanja, Italia etj. Në raste të tilla është gjithmonë gëzueshëm, vetëkuptohet.

Cili është sekreti që të jesh e lumtur me një burrë? A mund të me jepni një këshillë sot?

Dhënia e këshillave është për mua gjeja më e padëshirueshme që mund të më kërkohet. Jam munduar të jem sa më e kursyer në këtë pikë edhe me vete vajzat e mija. Ismaili edhe më shumë se unë. Vajzat e mija i kanë bërë vetë zgjedhjet dhe rrugët e tyre në jetë. Me mençuri, me dinjitet, mendoj. Edhe kur kam dashur të filtroj ndonjëherë opinionin tim, këtë e kam bërë me shumë kujdes, pa i krijuar asesi mendimin se po ndërhyj në punët e tyre. Kur m’a kërkojnë ato vetë një mendim, ua jap me kënaqësi, pa ngurruar.

Ju me pyesni se çfarë duhet bërë që një marrëdhënie t’i rezistojë kohës. Për mendimin tim, mënyra më e mirë është që mos të kërkosh asnjëherë ta ndryshosh tjetrin sipas shijeve të tua. Personi që ke zgjedhur të ka joshur pikërisht me ato cilësi apo defekte që ai ka. Kur ke vendosur ta lidhesh jetën me të e ke marrë në sy këtë gjë. Pra pranoje kështu dhe respektoja individualitetin që ka. Në të kundërtën do humbasësh veten por edhe dashurinë. E them me bindje këtë.

 Çfarë ju bën përshtypje te vajzat/gratë shqiptare?

Unë njoh dhe kam lidhje me shumë gra dhe vajza shqiptare në Shqipëri; por edhe jashtë saj. Kuptohet, të parat rrijnë në zemrën time miqësitë e dikurshme, miqësitë e vjetra, të cilat i ruaj dhe i përkujdes me shumë kujdes. I qëndroj asaj shprehjes që thotë : Zër miq të rinj por mos harro të vjetrit. Të rinjtë janë prej argjendi, të vjetrit prej floriri. Por, rrethanat e kanë bërë që të njoh edhe shumë nga gratë e reja që sot kanë detyra dhe angazhime në jetën shoqërore shqiptare në vend. Këtu fus edhe gazetaret, koleget tuaja Mira, që, veç admirimit që më shkaktojnë kur i dëgjoj që flasin nëpër panelet televizive, po aq i vlerësoj në bisedat intime që kam me to. Një pjese e mire e tyre më befasojnë për mirë me kulturën që shpalosin, me mënyrën e të arsyetuarit, me qëndrimet e tyre, me gjithçka… Sikurse ndodh edhe mes nesh, mbaj me to lidhje të vazhdueshme dhe pasuruese për mua kur jam në Tirane, por edhe kur kthehem në Paris ;  nëpërmjet telefonit, sms-ve dhe asaj shpikjes se bekuar,  Ëhatsapp -it , që na i ka bërë gjerat aq të lehta në komunikim.

Tani t’ju them mendimin tim për vajzat shqiptare në të përgjithshmen e tyre, duke përfshirë këtu edhe ato që nuk i njoh. Jam shume e vëmendshme ndaj tyre ngaqë dua të kuptoj ecurinë e gjerave atje. Shoh një brez të ri, të ushqyer mirë, të veshur bukur e që deri diku sillen në mënyrë korrekte. Të gjithë e kanë vënë në dukje se vajzat shqiptare janë me të vërtetë bukuroshe dhe të shpenguara tanime… Është ky një brez që s’ka asnjë krahasim me  brezin e rinisë sonë. A të ka rënë rasti të shohësh heroina të filmave të kohës së komunizmit? Me flokë si driza, të pa mirëmbajtura, veshjet, mos e pyet. Dhe të mendosh se po flasim për aktoret!  Po ashtu edhe të folurit e tyre ka diçka që e kapërcen të qenit femëror. Duken të vrazhda, «që të tregojnë vendin » në çdo situatë… Me një fjale vajzat shqiptare sot janë të hijshme dhe kjo është e dukshme. Kam parë në disa shfaqje por edhe nepër intervista një aktore, që nuk kam patur rastin ta njoh personalisht. E kam fjalën për Ema Andrean. Shumë interesante, edhe intervistat e saj me pëlqejnë, për mendimet që përcjellin. Dhe me qe jemi tek pamja e tyre e jashtme, po ju tregoj një kuriozitet: Më kanë treguar se një amerikan nga Bostoni rrinte në një nga kafenetë e Tiranës dhe këqyrte vajzat që kalonin në trotuar. Ja si i komentonte ai: Bukur, bukur, bukur, jo bukur, bukur, bukur, bukur. Tek ne, shtonte ai, propocioni është ndryshe : bukur, jo bukur, jo bukur, jo bukur, buuukur…

Po diçka që nuk e pëlqeni tek ato ka?

Meqë më pyesni, po jua them.  Më bie rasti t’i shoh gati çdo ditë këto vajza në lagjen ku banoj në Tiranë, një lagje kjo  plot lokale e kafenera, gjithmonë të mbushura plot me të rinj…, por që kjo është një temë tjetër. Është mëkat, mendoj, që janë aq të reja dhe aq të lyera… Tepër të lyera që në orët e para të mëngjesit. Më vjen nganjëherë dëshira t’iu them : Goca, jeni shumë të mira edhe të pa lyera kaq shumë, lëreni për më vone këtë trendi, ju keni rininë dhe freskinë e moshës që do t’ju bënte edhe me origjinale dhe më interesante se sa kështu të llangosura e të gjitha njësoj. Por ka edhe një kategori tjetër, më të emancipuar e më të përpunuar, këto të fundit, që shkojnë nëpër zyrat ku punojnë me një luks që e kapërcen qëllimin për të cilin bëhet.  Nuk di, këtu ku jemi tani në të dyja dhe që është vendi i pranuar unanimisht nga gjitha bota si kulmi i modës, nuk e kam vënë re një gjë të tille…E vë re ti këtë gjë këtu? Ja, vështroi pak këto vajza e këto gra që kemi këtu përreth nesh. Është ora e drekës tani dhe shumica e tyre janë punonjëse të shtëpive botuese këtu afër. Sheh ndonjërën prej tyre të lyer ashtu? Nejse, gjithsesi kjo  është çështje zgjedhjeje për secilën.

Po vetë, si keni qenë në rini ? Jeni trukuar lehtë?

(Qesh) Në rini nuk jemi trukuar fare, ne do që ta dish, jo vetëm unë por të gjitha moshataret e mija të asaj kohe. Për arsyen e thjeshtë se nuk ekzistonte asnjë produkt kozmetik, përveç sapunit. Me kujtohen fjalët e Vera Grabockës, njëzet e ca vite të shkuara, kur organizoi mis-in e parë shqiptar. Vajza që fitoi kishte përdorur bojën e këpucëve për të lyer qerpikët…  E beson këtë? Sepse tregu ishte krejt i zhveshur nga këto gjera.

Të pyeta për femrat, gratë shqiptare, por nuk të pyeta për meshkujt. Djemtë, burrat, janë zhvilluar ata në Shqipëri? Kur i shikoni këtu, por edhe nga televizori, çfarë shije ju lenë?

Natyrisht që ndihet ndryshimi. Ajo që  bie në sy për keq është prirja e një shtrese të caktuar të djemve të rinj, ajo e parellinjve ,do të thoshja, djelmurina të pasur nga shkaku i prindërve që kanë dhe jo nga ndonjë meritë speciale e atyre vetë. Me habit kur i dëgjoj që flasin dhe nuk e kanë për gjë fare të shpalosin para publikut pa turp e pa droje një mirëqenie që çdo njeri me pak mend do ta vinte në pozite të vështire para moshatarëve, që nuk i kanë këto mundësi. Ose dhe para gjithë publikut që i sheh e i dëgjon. Nuk kuptoj, kujt i krekosen ata? Një populli me probleme ende të rënda jetike? Perse e bëjnë, ju jep kënaqësi perverse kjo gjë? Dëgjo Mira, ka 26 vjet që jetoj në perëndim dhe mund të them se kam parë shtresa nga më të ndryshmet të shoqërisë franceze, me një nivel të konsoliduar mirëqenieje, po kurrë, asnjëherë nuk kam arritur të kuptoj, se jashtmi së paku, se kush është i pasuri dhe kush është i varfëri. Në boten e qytetëruar këto gjera nuk thuhen kurrë haptazi. Sepse është  turp, është e papranueshme mburrja për gjëra të tilla.

 Cila është merita e një burri të vërtetë?

Helena Kadare: Për mua është integriteti që ai ka. Shtoi kësaj edhe gjenerozitetin shpirtëror, e kam fjalën. Njerëzit e këtij lloji, për fat të keq, në kohët që jetojmë sa vijnë e po rrallohen. Por kjo nuk do të thotë që mungojnë. Për mendimin tim, djemtë dhe burrat shqiptarë, të kuptohemi, ata që e kanë në gen dhe që janë të pajisur me vlerat e qytetërimit, (dhe fatmirësisht po i vijnë Shqipërisë) janë më superiorë se në këtë botën këtej. Nuk pretendoj se i njoh të gjitha shtresat, për të cilat po flasim, por ka midis tyre djem të zot me kualitete shpirtërore, që vlejnë 100 herë më fort se shumica e parellinjve që ka bota sot. Vajzave që njoh iu them shpesh : Zgjidhni dhe merrni burra shqiptarë.

Përse?

Vërej raportet mes njerëzve, kryesisht midis çifteve këtu ku jemi tani. Rasti e bie të jemi të ftuar nëpër shumë darka, dreka dhe evente të ndryshme. Në fillim habitesha se si ishte e mundur që ishin kaq të sjellshëm me njëri-tjetrin, kaq të dashur, kaq të përzemërt e të respektuar mes tyre. Më bënte përshtypje se sa bukur silleshin burrat me gratë e tyre, si i drejtoheshin partneres pa e hequr nga goja fjalën «cherie» (e dashur) etj.etj. Dhe normalisht ashtu janë. Por një mbrëmje, në një darke, kur ia shpreha këtë habi një mikeshës sime, ajo më tha : Madame Kadare, kjo sjellje bën pjesë në edukatën tone. Për shembull: ai çifti që juve iu bëri aq përshtypje për harmoninë që shpalos në publik , aktualisht janë në seancë divorci… Kam nxjerrë dhe një përfundim të përgjithshëm për njerëzit : Kurrë nuk janë njerëzit ashtu siç duken. Këtu, por edhe atje tek ne… Duhet t’i njohësh ata nga afër, të kesh kontakte në vende dhe në rrethana të ndryshme, për të nxjerrë konkluzione të sakta, por që edhe ato, nuk janë përherë të pagabueshme.

Vajzat tuaja kanë përfituar nga mbiemri që kanë?

E madhja kurrsesi jo. Ajo është e drejtuar nga shkencat, është kërkuese shkencore dhe pedagoge në universitet njëkohësisht. Të gjithë pedagogët që ajo ka patur dikur në Tirane mund ta konfirmojnë se çfarë studente ka qenë ajo. Gjithçka që ka bërë e ka bërë vetë në jetë. Dhe për këtë ndihem shumë krenare.

Po Besiana?

Ndryshe nga Gresa që është e qetë dhe e përmbajtur në gjithçka, Besiana në të kundërtën është eksplozive dhe energjike. Ajo ka një këmbëngulje të pabesueshme e të palodhur për t’i çuar gjerat përpara. Këtë e tregon më së miri puna që bën tani. Përkushtimi i saj për ta bërë sa më mirë detyrën që ka si përfaqësuese e Shqipërisë në Neë York është diçka që na e mbush zemrën me gëzim, sidomos kur dëgjojmë komentet që vijnë për të nga drejtime të ndryshme. Në fillimet e saj, ajo nuk donte të identifikohej me emrin e të atit. Donte ta krijonte vetë profilin e saj. Por tani që punon në diplomaci, e kupton qartë se si i hapen dyert  sapo del se vajza e kujt është. Ndaj nuk ka arsye më ta shmang mbiemrin që mban.

E pamundur të shkojmë më tej pa dale te Kadareja. A bezdiset nga fama e mbiemrit të tij ai vetë?

Me thënë të drejtën, po. E bezdis dhe e lodh. Unë vetë mendoj se, duke e pasur këtë njohje qysh në moshë të re, me kalimin e viteve duhet që ta ketë lodhur. Edhe pse asnjëherë s’e kam parë të joshet prej saj. Ka me mijëra raste, madje edhe në vende të huaja kur kemi qenë bashke, që e njohin nga fytyra, (ka një portret që identifikohet lehtë), që e ndalojnë në rrugë, i kërkojnë autografe apo  foto me të, e të tjera si këto. Ai i bën, por i duket qartaz në fytyrë bezdia që ndien. Ndaj dhe përpiqet me sa mundet t’i shmangë. Dhe më beso, nuk është e lehtë. Ka shumë vite tashmë qe i ka prerë shëtitjet në breg të detit, atje ku në shkojmë çdo vit gjatë verës. Janë të shumë njerëzit, e sidomos shqiptarë nga Kosova, që vijnë t’i japin dorën, të bëjnë një selfie me të, siç i thonë tani. Ka dy rrugë, ose atij  do t’i duhet të mos ia prishi askujt,  t’i nënshtrohet këtyre «selfijeve», pra ta ndërpresë në çdo hap shëtitjen, ose të mos dalë fare në bregdet. Ka zgjedhur këtë te dytën. Në breg dal unë e ai shëtit në pyll, brenda gardhit të shtëpisë…

 A ju pëlqen teknologjia ? Vura re me kënaqësi, se në komunikimet qe kemi shkëmbyer nëpërmjet Ëhatsapp-it i përdorni lirshëm emoji-t. Si do t’i quante Kadare emoji-t në shqip ?

Ai as që ua hedh sytë fare atyre. Me to merrem vetëm unë. Po, është e vërtetë se teknologjia me pëlqen. Nuk e kam hiç të lehte t’i mësoj tërë ato marifete, qe të rinjtë tani i dijen me sy mbyllur, por mbesa ime e ëmbël, Doruntina, m’i shpjegon me durim dhe unë përpiqem t’i mësoj sipas udhëzimeve të saj.

A ka një shok të ngushtë Kadare?

Sigurisht që ka. Për komunikimet me ta ai përdor shumë telefonin.

Po ndonjë shoqe të ngushte ? A ka patur shoqe të ngushte ai?

Ka patur dhe vazhdon të ketë. Ismaili është shumë i përkorë në miqësitë me femrat. E çmon shumë miqësinë e tyre dhe sillet me to me një sinqeritet çarmatosës. Gjithkush që gëzon miqësinë e tij, mund ta aprovoje pa mëdyshje këtë që po them. Ndaj edhe ato i rrëfehen atij me besim të plotë, të sigurta që kurrë nuk do t’iu shpërdorohet ky besim.

Çfarë është një gjë që i pëlqen. Qe ju e dini që e qetëson, ia ul nervat nëse është në ndonjë ditë jo të mirë, çfarë e zbut atë?

Ai kënaqet dhe i qesh fytyra kur unë i tregoj « bëmat » e Adrianit të vogël, që m’i thotë Gresa mbrëmjeve kur flasim në telefon. Një gjë tjetër që ia çel fytyrën është sa herë që i vjen një lajm i mire nga Shqipëria. Miqtë dhe shokët që ia dine këtë merak, nxitojnë ta marrin në telefon sapo kanë diçka të tille për t’i thënë. E gjithë gjendja e tij shpirtërore ndryshon për të mirë.

Pse nuk u bë President kur e deshi kaq shume Shqipërinë?

E ka shpjeguar kaq herë ketë, unë gjithashtu e kam treguar në «Kujtimet» që kam shkruar. Nuk ishte i prerë për këtë punë ai. Do të kthehej shumë shpejt në një autoritar. Nuk i respektoj dot rregullat që kërkon demokracia, thoshte. Përpara një akti kriminal që duket sheshit, do merrja masa ekstreme, pa pritur gjykatësit dhe avokatët e tyre. Dhe që në këtë çast kishte për të marrë fund edhe demokracia…

Ai thotë se nuk i behet vonë për çmimin Nobel. Po ju Helena?

Ka ardhur një moment që atij asgjë nuk i bën më përshtypje, Mira. Ishte tani vonë dekorimi i tij me urdhrin më të lartë të Francës, dhënë nga Presidenti Hollande. Të të tregoj peripecitë që kam kaluar më të për këtë shkak nuk do t’i besosh. Ishim në Tiranë në dhjetor dhe me merr në telefon sekretari i Presidentit Hollande për të saktësuar disa pika për fjalën që do të mbante Presidenti me këtë rast.  Ndërsa unë i përgjigjesha, Ismaili që ndodhej aty dhe dëgjonte, filloi të tregonte shenja padurimi nga gjatësia që po merrte biseda, dhe më bënte me shenje që « mjaft, tani, boll ». Për t’i shpëtuar padurimit të tij, u futa në kuzhine dhe mbylla derën që mos ta kisha si presion mbi krye. Sepse tjetri vazhdonte të pyeste dhe unë natyrisht vazhdoja t’i përgjigjesha. Kaq. Kulmi arriti kur u kthyem në Francë. « Ishalla e harrojnë atë ceremoninë ! » , me tha papritur një ditë.

Perse nuk donte ?

Sepse është i lodhur nga gjërat publike. Megjithëse, me thënë të drejtën, asnjëherë s’ka qenë pasionant i çmimeve, i nderimeve e më tej. I dukej një mundim i madh të dilte atje, të mbante një fjalë të shkurtër apo t’u jepte dorën gjithë të pranishmeve… Duket si diçka anormale, por kjo është e vërteta. Gjithë ne të tjerët ishim të gëzuar, vetëm ai ishte pa qejf. Duke hyrë në oborrin e Elizesë, mbaj mend se si Inva Mula erdhi drejt nesh me fytyrë të ndritur: Jam nisur sot që në katër të mëngjesit nga Tirana, tha duke buzëqeshur. Dhe ai : « E pse e bëre këtë ? ». Për kënaqësinë time, për të qenë me ju, ia priti ajo. Dhe ai prapë : E çfarë kënaqësie! Kot u lodhe! Ajo mbeti e hutuar. Dhe kishte të drejtë.

Duket sikur është dorëzuar. Mos është kjo një lloj frike nga vdekja?

Jo. Përkundrazi, tani ai edhe vdekjen e ka kthyer në favor të tij. Për çdo gjë që s’i pëlqen, përgjigjen e ka gati: Punë e madhe! Ne do vdesim, s’kemi pse e çajmë kokën kaq shumë! Dhe mesa duket, kjo mënyrë e relativizimit të gjërave e  qetëson. Por më e habitshmja është se, si gjithnjë, ma ka injektuar edhe mua këtë perceptim. Se si e se qysh unë nuk e di. Ai njeri ka një aftësi të çuditshme për të të mbushur mendjen edhe kur s’je i një mendjeje me të. Më ka qëlluar shpesh të them më pas: Po si arriti të më bind ? Unë s’mendoja ashtu!  Po të tregoj diçka të këtyre kohëve të fundit: Apartamenti ku banojmë në Tiranë ishte një nga gëzimet tona kur ktheheshim në Shqipëri. Pamja që hapej  përpara dritareve tona, me malin e Dajtit përballë ishte diçka fantastike. Qysh në mëngjes apartamenti mbushej me një drite hyjnore, do të thosha, nga lindja e diellit prapa malit. Dhe pa pritur e pakujtuar, brenda tre muajve që ne s’ndodheshim aty, para dritareve tona u ngrit një ndërtesë 22 katëshe !! Një përbindësh katër-pesë metra para nesh. Themelet e këtij pallati kishin 15 vjet që rrinin të « heshtura » aty poshtë. Një ditë na thirri për drekë ambasadori zviceran, që është ngjitur me këtë ndërtim,  për te na treguar zymtësinë ku kishte rënë rezidenca e tij.   Shteti zviceran e kishte blerë atë vile pasi kishte marre garancinë që ai pallat, jashtë të gjithë standardeve ligjore,  s’kishte për t’u ngritur. Por ja që s’ndodhi ashtu. « Shikoni ç’ errësirë është bërë këtu tek unë ,na  tha i dëshpëruar. Ne tani jemi të detyruar që natë e ditë të rijmë me drita elektrike të ndezura ». Pas kësaj, ardhjet tona në Tiranë e humben gëzimin e mëparshëm. Dhe një ditë, kur sapo ishim kthyer nga Franca, Ismaili më thotë si pa të keq: « E di si është puna ? Ne edhe pak kohe na mbetet për të jetuar. Do bëjmë si do bëjmë me këtë që na kanë bërë ketu. Ti mundohu të mos ia hedhesh sytë fare asaj gjeje përballë…». Po mire, ia ktheva, pse ky është ngushëllimi, vdekja jonë?

Çfarë thua?!

Duket absurde por kjo është e vërteta. E trajton punën e vdekjes si të jemi duke shkuar në pishine…kaq lehtë.

Po e lëmë këtë temë të pakëndshme. Kur me thatë se e doni teknologjinë desha t’ju pyes: A i ndiqni të gjitha ato që shfaqen nëpër internet ? Ka aty komente nga shqiptare që, për turp të dheut,  e snobojnë Ismail Kadarenë? Ju lëndojnë ato ?

Sikurse e thatë edhe ju, është diçka e shëmtuar. Mua personalisht më trishtojnë pa masë. Më trishtojnë se ti del dhe shkruan diçka në shtyp me emrin dhe mbiemrin tënd. Ai komentuesi banal trimërohet me një pseudonim. Natyrisht qe ai ka të drejtë të mendojë si t’ia dojë qejfi e t’i shprehë mendimet e veta pastaj nëpër komente, po ama le të vëjë dhe emrin e tij aty poshtë dhe jo të futet prapa gardhit dhe të leh ashtu, siç bëjnë gjithë frikacakët.

 Çfarë ka qenë një fyerje e madhe për ju nga komentuesit anonime, nga këta «prapa gardhit», siç i përcaktuat me të drejtë?

Ka plot gjera që të lëndojnë. Midis tjerash ka qenë dhe që vazhdon të jetë ajo shprehja që me demek e paskësh thënë Ismaili : «jashtëqitja e kombit », që mirret e tirret pa pushim nga blogu në blog nga dashakeqësit e tij. Nuk ka asnjë tubim, mbledhje, forum, TV, apo radio që Ismaili të ketë thënë një gjë të tille. Asgjëkund. Ai vetë e ka sqaruar kaq herë këtë gjë, por ata që këmbëngulin e bëjnë thjesht nga një ligësi e brendshme, që s’di se çfarë emri t’i vësh. Por siç thotë Chateaubriand, duhet dhënë me kursim përbuzja sepse ka shumë nevojtarë për të…

Po diçka tjetër që ju ka lënduar?

Ekziston ndërkaq diçka për të cilën s’kam folur kurrë , por që e ruaj thellë në zemër si fyerjen më të pashlyeshme të jetës sime. Dhe që s’do ta fal kurrë sikur edhe 200 vjet po të jetoja! Është fjala për vajzën time, të madhen, Gresën. Është bërë një emision i tërë televiziv për një histori të jetës së saj private, kur ajo nuk ishte veçse 16 vjeç. Pas 30 e kusur vjetësh studioja në fjale,  më një lidhje direkte speciale me kontinentin tjetër, një specialitet i ri ky në Tirane, i pa përdorur as me pare e as me pas, komenton si pa të keq jetën private të një gruaje të martuar, nënë e dy fëmijëve, që s’kishte kandiduar, të themi, as për t’u bërë deputete as për kurrfarë posti aty! Me siguri edhe ju e keni parë. Në atë periudhe unë ndodhesha në Tiranë. Dhe thashë me vete: Si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë? Ç’të drejtë ka kjo studio të marrë nëpër këmbë jetën e një gruaje, që s’ka bërë asgjë të veçantë? Ishte e qartë që kjo ndërhyrje bëhej me një qëllim të caktuar: që asaj gruaje t’i prishej jeta familjare. Natyrisht për të dëmtuar, në radhë të parë, të atin e saj. Ndryshe nuk kishte tjetër shpjegim.

Po ju si reaguat meqenëse ishit këtu?

Për fat të mirë, Gresa ka një bashkëshort të mrekullueshëm që as i hyn farë këtyre gjerave. Përkundrazi, ishte ai që e qetësoi vajzën time, me mirësinë e bukur që e karakterizon, duke i thënë që të mos çante kryet fare për to. Me thënë të drejtën, atë mbrëmje mendimi im i parë shkoi te prindërit e tij, që me siguri ishin duke e ndjekur këtë emision të mjerë. Ma merr mendja se duhet të ketë qenë një ditë e hidhur për ta.

Dhe së fundi, një pyetje për një ngjarje të ditëve të fundit në Tiranë. Dritëro Agolli u nda nga jeta dhe, meqenëse po flisnim për rrjetet sociale, desha t’ju pyes për komentet që po bëhen këto ditë lidhur më të. Si i shihni ato?

Helena Kadare: Populli ynë ka një shprehje të goditur për këtë: Për të vdekurin ose fol me respekt, ose mos fol fare. Është një gjë e papranueshme ajo që po ndodh në këto rrjete që përmendni ju. Nuk e kuptoj, kaq shumë ka rënë poshtë morali tek njerëzit tanë që i vërsulen në këtë mënyrë edhe një të vdekuri?! Nuk di ç’mund të them më tepër. Përveç trishtimit që më shkakton, nuk gjej fjalë tjetër.

 Cilat kanë qenë raportet tuaja me Sadijen ? Ju keni qenë edhe komshinj për një periudhë shumë të gjatë.

Të jesh komshi me dikë nuk është ndonjë kusht i domosdoshëm për të pasur raporte perfekte. Ndaj do të shtoja këtu që unë me Sadijen s’kemi qenë vetëm «komshinj» , por shumë me tepër se kaq. Ne kemi studiuar bashkë në fakultet, kemi fjetur një vit të tërë në një dhome të konviktit të qytetit të studentëve, kemi pasur marrëdhënie të ngrohta, por unë u martova po atë vit dhe u largova nga konvikti. Edhe pse e larguar marrëdhëniet tona kanë vazhduar normalisht si dy shoqe të mira. Shumë më vonë u bëmë edhe komshinj, duke banuar në të njëjtin pallat. Por jetët tona ishin të mbushura me aktivitete të ndryshme të një jete jo aq të lehtë, siç ishte jeta e të gjitha grave shqiptare të asaj kohe. Kështu, nuk patëm kohë ta kultivojmë edhe më tej miqësinë tonë. Por, raportet tona mbeten korrekte, siç vazhdojnë të jenë  edhe sot e kësaj dite që po flasim. Në të dyja flasim shpesh në telefon, që këtej nga Parisi, por sidomos kur jemi në Tiranë. /Tiranapost.al/

 

Intervista- Bujar Hudhri: Biseda e parë me Kadarenë më impresionoi, ishte konservator. Ja çfarë parandjeva të premten…

Botuesi Bujar Hudhri nga shtëpia botuese “Onufri” në rubrikën “Opinion” në Neës24, duke folur për figurën e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, tha se ka pasur një bashkëpunim 30-vjeçar me shkrimtarin, që përfshijnë një gamë të gjerë ngjarjesh, një marrëdhënie specifike.

Hudhri u shpreh se gjatë bisedave me Kadarenë ai ka thënë që shtëpia botuese është shtëpia e dytë për një shkrimtar.

“Kur jam takuar për herë të parë me Kadarenë ishte dhjetor 1995. Të gjithë mendojnë se Kadare ishte i vështirë, fliste pak, por thonte atë që duhej, nuk ishte i hapur, pra nuk kishte një shoqëri të gjerë. Kam folur në telefon me Kadarenë, përpara se të njihesha, isha i impresionuar nga kjo bisedë. Kadare me njerëzit që nuk kishte afërsi fliste me “Ju”.

 

Në vitet e para, Kadare vinte në Shqipëri në pranverë dhe vjeshtë, pastaj shtoi ardhjet dhe ditët e qëndrimit në Shqipëri, pastaj kur ndërtoi rezidencët e tij, krijoi ato kushtet e mira për veprat e tij. Pastaj erdhi një kohë që Kadare hoqi dorë nga Parisi dhe takimet ishin pothuajse të përditshme”, rrëfeu Hudhri, detaje nga koha e njohjes dhe takimeve me shkrimtarin.

Ai tha se Kadare ishte konservator, i ruante gjërat, nuk i ndryshonte, ruante miqtë, dhe kjo tregonte seriozitet, tregonte se bashkëpunimi me të ishte frytëdhënës.

Hudhri u shpreh se njohjen ndërkombëtare Kadaresë ia dha “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” që është romani më i famshëm, më i njohur, që e ndërkombëtarizoi shkrimtarin. Sipas tij, ky roman nuk ishte më i miri, por ai e ndërkombëtarizoi, u botua në Paris.

Hudhri tha se ende nuk i besohet që Kadare është ndarë nga jeta, aq më tepër nga një arrest kardiak. “Nuk ka pasur probleme nga zemra, dhe as që mund të mendohej se do të ishte një fund kaq i shpejtë. Ditën e premte ishim në një takim, u bë një tavolinë shumë e këndshme, gazmore, dhe bëra foto. Kisha parandjenjën që do ishin fotot e fundit të tij, nuk e di pse e kisha këtë ndjenjë”, tha Hudhri.

 

Ai u shpreh se është njoftuar nga familjarët e Kadaresë mëngjesin e së hënës. “Shkova në banesën e tij, e gjeta në atë hollin e madh të banesës së tij. Erdhi urgjenca i bëri ato ndërhyrjet mjekësore për rikthimin në jetë, pastaj u bë transporti në spital. Kadare ishte shumë supersticioz, nuk tregonte asnjëherë përpara një vepër”, rrëfeu Hudhri.

Intervista- Kupchan: Kurti duhet të bisedojë, nuk ka zgjidhje me ultimatume

Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan.

Valona Tela

Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është dashur të refuzojë të bisedojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e thirrur më 26 qershor nga Bashkimi Evropian.

Një gjë e tillë, sipas tij, “nuk shkon në dobi të Kurtit”.

“…sepse, nën një, Kosovën e portretizon si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë me ultimatume”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të mërkurën se Kurti e kushtëzoi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

Borrell tha se Vuçiq nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht kushtet e Kosovës.

Kupchan, tani profesor në Universitetin Georgetown, thotë se udhëheqësit e dy vendeve, herët a vonë, do të duhet të bëjnë “kompromise të vështira” dhe shpjegon se cilat janë ato.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht përpjekjeve, Bashkimi Evropian nuk arriti t’i takonte bashkë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kurti nxori disa kushte që Vuçiq nuk i pranoi. A mund ta konsiderojmë këtë situatë si një bllokim?

Charles Kupchan: Ky rund negociatash është sigurisht një bllokim. Fakti që bisedimet vazhdojnë, është një shenjë e mirë, por sigurisht se janë bërë jashtëzakonisht të vështira. Ka pasur shumë pak përparim që nga marrëveshja verbale [për normalizimin e marrëdhënieve], që është bërë e njohur si Marrëveshja e Ohrit.

Unë mendoj se nuk është në dobi të Kurtit të refuzojë të ulet në tryezën e bisedimeve, sepse, nën një, një gjë e tillë e portretizon Kosovën si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë kur njëra palë jep ultimatume ose refuzon të bisedojë. Palët duhet të ulen ballë për ballë dhe t’i zgjidhin çështjet në tryezë.

Mendoj se do të ishte më mirë sikur Kurti të kishte biseduar me Vuçiqin dhe t’i kishte nxjerrë në tryezë shqetësimet e tij.

Por, të nxjerrësh parakushte dhe të largohesh nga tavolina, sepse ato parakushte nuk janë plotësuar, nuk më duket qëndrim konstruktiv.

Radio Evropa e Lirë: Si i vlerësoni ju parakushtet e tij?

Charles Kupchan: Mendoj se dy prej tyre janë të arsyeshme – një duhet të shqyrtohet. E arsyeshme është kërkesa [për dorëzimin e] Radoiçiqit, i cili ka pranuar se ka marrë pjesë në gjakderdhjen në Banjskë. Qoftë autoriteti ligjor i Kosovës ai që vepron, apo autoriteti ligjor i Serbisë, ai është një individ që duhet të sillet para drejtësisë.

Kërkesa e dytë e arsyeshme ka të bëjë me letrën [e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq]. Mendoj se ajo letër është provokuese, në mënyrë të panevojshme, sepse Marrëveshja e Ohrit nuk specifikon njohjen, nuk specifikon se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, por fokusohet në normalizim. Ne e dimë se normalizimi është hap drejt njohjes përfundimtare, por nuk është produktive për Serbinë që të nxjerrë një deklaratë të tillë bardh e zi.

E, sa i përket këmbënguljes së Kurtit që Vuçiq ta nënshkruajë marrëveshjen, unë mendoj se ky është një argument më i dobët. Sepse, sipas mendimit tim, Vuçiq me të drejtë beson se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përpara se ta formalizojë marrëveshjen.

Radio Evropa e Lirë: Por, kanë kaluar nëntë muaj nga sulmi në Banjskë dhe Radoiçiq është ende i lirë. Kush duhet të mbahet përgjegjës për këtë?

Charles Kupchan: Marrë parasysh se Radoiçiq e ka pranuar fajësinë, në radhë të parë, Qeveria e Serbisë, gjykatat e Serbisë e kanë për detyrë të veprojnë. Deri më tani, ato nuk kanë arritur që ta mbajnë përgjegjës. Dhe, mendoj se Kurti ka të drejtë kur thotë se kjo është e papranueshme.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë rrezik që Kosova të përballet me ndonjë masë të re ndëshkuese, sepse Borrell tha qartazi se Kosova nuk ishte e gatshme për dialog?

Charles Kupchan: Në të kaluarën e afërt, edhe Shtetet e Bashkuara, edhe BE-ja kanë mbajtur një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Kosovës. Kjo për mua është e kuptueshme, sepse Kurti ka ndërmarrë hapa provokues, si për targat e makinave apo vendosjen e kryetarëve shqiptarë [në komunat me shumicë serbe në veri]. Unë nuk mendoj se kjo ka qenë një strategji produktive.

Deri në vitet e fundit, mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe evropianët e kanë parë më shumë Serbinë si problem dhe, për pasojë, trysnia është dashur të bëhet mbi Beogradin. Ka qenë Qeveria e Serbisë ajo që ka refuzuar të bëjë gjëra, por tani ekziston perceptimi se Prishtina refuzon gjithashtu dhe se Prishtina mban një pjesë të përgjegjësisë për paralizën. Nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Por, të paktën, sa u përket targave të makinave, Kurti mund të thotë se ka pasur sukses, sepse në veri të Kosovës nuk qarkullojnë më makina me targa ilegale serbe…

Charles Kupchan: Nëse kjo arritje vjen në kurriz të Kosovës, të marrëdhënieve të saj me mbështetësit kryesorë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, të normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, nuk jam i sigurt se ia vlen.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, cila është rrugëdalja?

Charles Kupchan: Të ndiqet rruga e normalizimit. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë sjellë energji dhe vendosmëri të përtërirë sa i përket kësaj çështjeje. Nuk mendoj se do t’i lënë Kurtin dhe Vuçiqin të qetë. Mendoj se do të bëjnë presion mbi të dy. Dhe, herët a vonë, do ta arrijmë vijën e finishit. Çështja është se kur Kurti dhe Vuçiq – ose kushdo që vjen pas tyre, nëse nuk ndodh gjatë mandatit të tyre – do ta shohin politikisht të favorshme për të bërë kompromise të vështira.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, ato kompromise të vështira janë?

Charles Kupchan: Për Kosovën – të pajtohet që t’iu sigurojë serbëve që jetojnë në Kosovë një nivel të autonomisë, me të cilën gjë shumë kosovarë mund të mos jenë rehat.

Për Serbinë – ta pranojë realitetin se e ka humbur Kosovën përgjithmonë dhe se, në fund të ditës, Serbia do të jetë më mirë.

Por, siç e thashë, këto janë vendime të vështira dhe të dhimbshme që duhet t’i marrin udhëheqësit politikë.

Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh se kjo mund të ketë qenë përpjekja e fundit e Borrellit për të ndërmjetësuar një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, pasi mandati i tij është drejt fundit, si do ta vlerësonit përkushtimin e Borrellit gjatë pesë vjetëve të fundit?

Charles Kupchan: Borrell meriton nota të larta si përfaqësues i lartë. Mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer në një pozitë që është e vështirë. Sepse, shtetet anëtare [të BE-së], në njëfarë mënyre, nuk janë rehat me një ministër të jashtëm evropian të profilit të lartë, pasi kanë frikë se kjo shkon në kurriz të ministrave të tyre të jashtëm. Kështu që, personi në këtë pozitë ka një rrugë të vështirë për të ndjekur. Dhe, unë mendoj se Borrell ia ka dalë mirë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë pritjet tuaja nga udhëheqja e re e BE-së në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi?

Charles Kupchan: Nuk parashikoj ndonjë ndryshim të konsiderueshëm të kursit apo humbje të entuziazmit.

Radio Evropa e Lirë: Strategjia e deritashme do të funksionojë?

Charles Kupchan: Dikur, po. Pyetja është: a do të jemi unë dhe ju gjallë kur të funksionojë?!

Intervista- Dorina Babuni: 25 vjet më pas, sfidat e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë

VOA/Artan Haraqija

Paragjykimet me të cilat përballën të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, sipas aktivistes Dorina Babuni, bën që ky grup të ndjehet vetë fajtor për atë çfarë u ka ndodhur. Zonja Babuni, një nga aktivistet më me përvojë nga organizata “Medica Gjakova” ndihmon dhe mbledh të dhëna për viktimat e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë. Gjatë intervistës me Zërin e Amerikës, ajo tregon se një raport në të cilin ajo dhe aktiviste të tjera kanë punuar mbi dy vjet me të mbijetuarit do të publikohet në muajin shtator. Aktivistja nga Kosova, e cila po qëndron në Shtetet e Bashkuara në kuadër të Programit të Departamentit të Shtetit për Vizitorët Ndërkombëtarë, thotë se shumica e të mbijetuarve nuk pranojnë të flasin publikisht për shkak të stigmës me të cilin vazhdojnë të përballen, 25 vjet pas çlirimit të Kosovës. Me zonjën Babuni bisedoi kolegu Artan Haraqija.

Zëri i Amerikës: Së shpejti pritet të publikohet një raport për të cilin keni punuar për dy vite me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mund të na thoni diçka rreth këtij raporti?

Dorina Babuni: Raporti, që do të publikohet në muajin shtator, është një studim për pasojat afatgjata të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ai është bërë nga organizata “Medica Gjakova” në bashkëpunim me ‘Medica Mondial’, organizatën tonë partnere në Gjermani dhe tregon se cilat janë pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, cilat janë strategjitë që të mbijetuarit i kanë përdorur që të rimëkëmben, që të rifillojnë jetën e tyre. Po ashtu raporti merret edhe me perspektivën e të mbijetuarve mbi vetëdijen e popullit, gjendjen në të cilën janë, si dhe çfarë ndikimi ka patur ajo çfarë iu ka ndodhur në jetën e tyre.

Zëri i Amerikës: Përmes raportit ju keni treguar se stigma është problemi kryesor me të cilën përballen. Nuk është vetëm akti i rëndë që kanë përjetuar, por edhe përjetimet shumë të rënda pas luftës nga shoqëria, nga rrethi dhe familja. Mund të ndani me ne ndonjë nga përvojat që të mbijetuarit ju kanë treguar?

Dorina Babuni: Stigma është ajo që ne, së bashku me të mbijetuarit, po mundohemi ta luftojmë çdo ditë për shkak se në supet e tyre ende qëndron faji padrejtësisht. Të gjithë fajin e mbartin mbi vete. Kjo është trauma me të cilën jetojnë. Disa nga tregimet që na janë thënë neve është se si kanë menduar t’i japin fund jetës, apo si kanë jetuar me ndjenjën se gjithçka mund të shkatërrohet në jetët e tyre nëse ato tregojnë se çfarë u ka ndodhur. Kemi raste kur kanë frikë se burri i dëbon nga shtëpia nëse e merr vesh se çfarë ka ndodhur. Ka patur raste të tjera që kanë rrëfyer që prindërit praktikisht e kanë dëbuar nga shtëpia ‘sepse është turpi i familjes’. E gjithë frika është nëse dalin hapur të tregojnë se çfarë u ka ndodhur, ato do të bëhen turpi i familjes, do të bëhen turpi i shoqërisë. Shumica prej tyre mundohen që këtë sekret, këtë vuajtje, ta mbartin me vete deri në varr. Ne mundohemi t’u ofrojmë mbështetje që t’i ndihmojmë ato t’ua tregojnë këtë përvojë të tjerëve. Në momentin kur e ndajnë këtë histori me të tjerët, aty fillon shërimi.

Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 25 vjet prej përfundimit të luftës dhe ka ende raste që askush nuk e di nga familja? E dini ju, por nuk iu kanë treguar asnjë anëtari të familjes?

Dorina Babuni: Ka ende shumë raste. Fatkeqësisht ka shumë dhe këtë po mundohemi që përmes aktiviteteve të ndryshme, përmes shërbimeve të drejtpërdrejta që i ofrojmë ne në organizatë, përmes aktiviteteve të ndryshme që të ndërgjegjësojmë shoqërinë që t’i pranojë ashtu siç janë. Ne duhet t’u ofrojmë mbështetje sepse është një grup shumë i ndjeshëm, është një grup që ka përjetuar shumë gjëra të tmerrshme dhe e gjithë ajo që iu duhet është mbështetja jonë. Këtë mbështetje ato nuk e kanë. Ka prej tyre që sekretin e tyre apo rrëfimet e tyre i kanë treguar vetëm në organizatë.

Zëri i Amerikës: Pra, ka arsye pse janë vetëm dy prej të mbijetuarve që kanë dalë hapur për të treguar historitë e tyre të përdhunimit?

Dorina Babuni: Pikërisht, janë gjithë ato arsye që përmenda dhe shumë të tjera që kanë ndikuar që këto të mos dalin hapur dhe të mos flasin për atë që iu ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Viteve te fundit, organizata juaj ka ndihmuar procesin për t’u siguruar pensione të mbijetuarve të përdhunimeve. Ka patur ankesa nga të mbijetuarit për kufizimet kohore që i janë vendosur këtij procesi, pastaj për verifikimin nga komisioni qeveritar… Ku qëndrojnë kundërshtimet?

Dorina Babuni: E gjitha ka të bëjë me ndjenjën që kanë kur përballen me intervistat. Ne po flasim për një ngjarje që ka ndodhur para 25 vjetësh, që ka ndodhur gjatë luftës dhe nganjëherë nga komisioni kërkohen disa gjëra që janë të vështira për t’u gjetur. Kërkojnë dokumente shtesë, kërkojnë ca gjëra që i bënë të mbijetuarat të ndjehen jo rehat.

Zëri i Amerikës: Për çfarë dokumenti shtesë bëhet fjalë, apo çfarë dokumenti në përgjithësi mund të prezantojë një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës?

Dorina Babuni: Nganjëherë edhe ne mundoheni t’i kuptojmë se çfarë dokumenti shtesë kërkojnë. Bëhet fjalë për disa raporte mjekësore, nëse kanë, pra gjithmonë çështja është nëse i kanë. Kërkohet për ndonjë dëshmitar, pasi ka raste kur ka anëtarë të familjes që janë dëshmitarë sepse kanë ndodhur dhunime në grup. Kemi raste kur janë pesë apo gjashtë motra.

Zëri i Amerikës: Të gjitha të përdhunuara gjatë luftës?

Dorina Babuni: Po, po të gjitha. Ka dhunime grupore, pra ka gjëra të tmerrshme që me të vërtetë kanë ndodhur dhe ne gjatë gjithë kohës po punojmë që së pari ky afat të hiqet fare sepse është e pakuptimtë të ketë afat kohor për statusin. Ne tek ‘Medica Gjakova’, së bashku me organizatat anëtare të platformës “Bëhu Zëri Im” po mundohemi gjatë tërë kohës që të heqim afatin. Po ashtu po punojmë që komisioni ta bëjë më të lehtë intervistën për identifikimin e të mbijetuarve. Ne i kuptojmë protokollet që qëndrojnë, jemi të vetëdijshëm për këtë, por jemi po ashtu përkrahëse të idesë që të ketë qasje më të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës dhe për këtë po punojmë.

Zëri i Amerikës: Ka patur raste kur Komisioni nuk ka pranuar t’i njohë statusin e të mbijetuarës një prej grave që ju besoni fuqishëm se ka qenë e përdhunuar gjatë luftës?

Dorina Babuni: Ka refuzime të tilla, por pastaj kemi procese të tjera ku përfshihet përpjekja jonë duke dërguar ankesa, bëhet rishqyrtimi i rastit dhe pastaj, në shumicën e rasteve, pas rishqyrtimit, iu është dhënë statusi.

Zëri i Amerikës: Për numrin e saktë të tyre janë dhënë shifra të ndryshme, është thënë se numri shkon nderi në 20 mijë – është e saktë kjo?

Dorina Babuni: Ka një debat të gjerë mbi këtë numrin 20 mijë. Kjo shifër ka dal prej CDC-së (Center for Disease Control – Qendra amerikane për Kontrollimin e Sëmundjeve), pas përfundimit të luftës. Ne besojmë fuqishëm që ka shumë të mbijetuar pavarësisht se ka pak nga ata që kanë dalë hapur, apo kanë aplikuar për procesin e pensionit. Mirëpo të gjitha rrethanat, të gjithë situatat brenda shtëpive të tyre i pengojnë ato të dalin hapur dhe kjo mund të ndikojë që në raporte ky numër të mos jetë 20 mijë. Por, unë besoj fuqishëm nëse nuk janë 20 mijë, ky numër megjithatë është shumë, shumë i madh. Këtë e dimë nga puna jonë, e dimë kur rrëfejnë duke thënë: ‘unë kam ardhur, por nuk kam mundur të bind edhe një shoqe, një kushërirë apo një të njohur që e dinë që i ka ndodhur, por ajo nuk ka mundësi të vijë. Këto janë deklarata që i kanë thënë vetë të mbijetuarat. Nëse kështu thonë, ne menjëherë e bëjmë një plus një, sepse e dimë që qenka edhe dikush tjetër, përpos asaj që ka ardhur në organizatë.

Zëri i Amerikës: Cilat janë argumentet që besoni ju se e bindin një grua të dalë para komisionit duke patur parasysh rreziqet nëse kuptohet se ajo është e mbijetuar e dhunës seksuale?

Dorina Babuni: Këtu luan rol të madh edhe mbështetja e organizatave që punojnë që prej 25 vitesh me këto të mbijetuara. Është mbështetja që iu ofrojmë çdo ditë sepse ne punojmë me qasjen ‘viktima në qendër’. Nga mbështetja që iu ofrohet, nga puna e këshillueseve që janë gjatë tërë kohës me to. Pra, ato janë fuqizuar deri në një masë dhe duan që edhe shteti të jetë i njoftuar për to, të kuptohet që këtu është një e mbijetuar. Shumica prej tyre kuptohet aplikojnë edhe për mbështetje financiare pasi ne të gjithë e dimë ekonominë, të gjithë e dimë sa i nevojshëm mund të jetë një pension. Po ashtu ka të tilla që aplikojnë vetëm për të thënë dhe këtu po e citoj njërën: ‘le ta dinë që jam, nuk e dua pensionin – por le të dinë që jam këtu”. Ne i inkurajojmë ato gjatë gjithë kohës që të aplikojnë sepse pavarësisht që është një shumë simbolike, apo që nuk ua zgjidh të gjitha problemet, sidoqoftë është një ndihmesë. Ne i inkurajojmë të aplikojnë pasi i ndihmon financiarisht, i ndihmon emocionalisht duke e ditur se e kanë fituar statusin e po ashtu ndihmon edhe në rimëkëmbjen tonë si shtet dhe që të dihet numri i tyre dhe ta dijë historia se çfarë ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Ju thatë që numri i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës është shumë i lartë, por numri i atyre ndaj të cilëve është ngritur padi është shumë i vogël…

Dorina Babuni: Fatkeqësisht krimi është ende i pandëshkuar, mirëpo po punojmë në këtë drejtim. Ka shumë punë sepse ka kaluar kohë dhe një pjesë e madhe e të mbijetuarve nuk e ndjejnë forcën brenda vetes që të përballen edhe me këtë proces. Mirëpo, është po aq i rëndësishëm dhe po aq e nevojshme që ne si organizata, si shoqëri, si shtet, të gjithë të përqendrohemi në punën që duhet bërë për të ndëshkuar atë çfarë ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Ju po qëndroni në Uashington në kuadër të Programit të Vizitorëve Ndërkombëtarë të Departamentit të Shtetit – mund të na flisni pak për vizitën?

Dorina Babuni: Ne jemi pjesë e programit që ka për qëllim qasjen ndaj traumës dhe kujdesin për pasojat nga çështjet traumatike që ndodhin. Vizita ime në Uashington, duke qenë se është edhe hera ime e parë këtu, është e mrekullueshme. Po takojmë njerëz të rëndësishëm që po na pasurojnë me informacione. Ne jemi një grup i shumëllojshëm, vijmë nga shtete të ndryshme me prapavijë të ndryshme profesionale, por që të gjithëve na bashkon ajo që po punojmë për individin, po punojmë që të shërojmë trauma. Duhet të falënderojmë shtetin e Amerikës që po na ofron shembuj të pakrahasueshëm në këtë drejtim dhe po na e pasuron edhe neve rrugëtimin tonë profesional.


Send this to a friend