Kush nuk e ka parë lakuriq të paktën njëherë? E re yll, joshëse dhe shpërthyese mbi atë çarçaf ngjyrë purpuri. Ose grua e shkrifët në bregun e një pishine, një Venerë në filmimet me ngjyra. Ose gruaja më sekrete me vel, në bardh e zi të shërbimit të fundit fotografik. Marilyn Monroe është shikuar nga gjithkush gjatë pesëmbëdhjetë viteve të ngjitjes së saj nëpër shkallët e famës, nga kalendarët për garazhistët e Kalifornisë së pastluftës deri tek autorët e kalendarëve hollivudianë të Amerikës së Eisenhower dhe Kennedy. Periudhë pas së cilës, në gjysmë shekulli të pasvdekjes së saj, trupi i Marilyn është shndërruar (sipas nuhatjeve të sakta të Andy Warhol) një mall konsumi më shumë i dëshëruar se i zhvlerësuar: gruaja e të gjithëve, miliona e miliona Marilyn që përdoren e hidhen në mbajtëset e çelësave apo në çakmakët, në bluzat apo në tasat e çajit.
Një qenie e paarritshme, por që mund ta kesh kur e ku ta duash. Një perëndeshë, por e gatshme për gjithkënd. Kjo ka qenë Marilyn Monroe në shikimin mashkullor të Perëndimit krejt, para se në moshën 36 vjeçe nga një mbidozë qetësuesish që ndoshta i mori posaçërisht, ndoshta jo. Gruaja e vdekur nën emrin e rremë, krejt vetmitare atë të shtunë natën, 4 gusht 1962, e pastaj prapë vetmitare në frigoriferin e morgut të Los Anxhelosit, trup pa emër, “rasti nr. 81128”. Por gjithmonë grua lakuriqe, natyrisht: si për faj të fatit. Dhe ende sot, kur gjithsesi plot gjëra kanë ndryshuar prej atëherë, përfshirë teoria e bukurisë femërore dhe praktika e kostumeve tunduese, nuri i Marilyn Monroe duket tek përplas flatrat diku në atmosferë. Edhe në vitin 2011 (vit kur Marilyn do të mbushte tetëdhjetë e pesë vjet) trupi i saj duket trup special.
Vite më parë në Amerikë ringjallej debati për Marilyn Monroe si sex symbol- gjithnjë në rrafshin e “zbulimeve” të partnerëve sekretë apo të vetëvrjasjes-vrasje- nga dalja e një libri inteligjent e origjinal: The Many Lives of Marilyn Monroe, “Shumë jetët e Marilyn Monroe”, e Sarah Churchwell, është një histori e historive: flet sesi është treguar jeta e Marilyn. Nga gazetarët, kur diva ishte gjallë; pastaj nga romancierët dhe kinematografët, ish burrat e saj dhe ish të dashurit e saj, nga mjekët ligjore e nga kamarieret, nga mashkullistët dhe nga feministet… Por këndshikimet e tërthorta ia vlen të mbështeten në teza të drejtpërdrejta dhe provokatore. Sipas Churchwell, të gjithë ata që kanë mëtuar ta ringjallin Marilyn, e kanë vrarë për herë të dytë. Sepse duke iu bindur një refleksi të kushtëzuar, o një zakoni të pashmangshëm, të gjithë kanë parë trupin, askush nuk e ka parë shpirtin e saj.
E vështirë, e pamundur të moq përqëndrohesh në atë trup që i imponohej shikimit nëpërmjet tiparave fizike ndjellëse aq sa të përkryera: flokët bjondë të platintë, vetullat e zeza, sytë gjysmë të mbyllur dhe goja gjysmë e hapur, nishani në faqe, lëkura ngjyrë qumësht, gjinjtë e bollshëm, vithet e gjera, këmbët e gjata. Revistat e viteve Pesëdhjetë nuk bënin gjë tjetër veçse e tkurrnin Marilyn brenda trupit të saj: ballina e numrit të parë të Playboy, 1953 (“Për të parën herë në mënyrë absolute, me ngjyra, e famshmja Marilyn Monroe nudo”), por edhe Time dhe Life, kishin kryetitujt “Marilyn Monroe, një trup që ka ndërtuar një karrierë”, ose (më keq) “Marilyn Monroe, trupi tashmë është paguar”. Të pafundme diskutimet pas vdekjes, kanë vazhduar të njëjtën logjikë.
Sarah Churchwell e di mënyrën sesi diva e ka trimëruar këtë kult trupor. Për shembull, duke lejuar të fotografohet mijëra herë në pasqyrë, si duke propozuar një vijë të ndërmjetme mes narcisizmit të saj dhe vuajarizmit: mos u ngopni duke më parë, unë nuk ngopem duke parë veten time! Por Churchwell kundërshton se përparësinë numër një i trupit në jetën e Marilyn i përgjigjet sovranitetit tërësor, absolut të mishit. Brneda atij trupi ishte një zemër dhe një tru, ndërsa parabola ekzistenciale e Marilyn është vijëzuar pamungueshëm rreth sferës së saj mishërore. Marilyn ninfomane, sepse frymëzohej nga modeli luçiferrian i nënës. Marilyn e ftohtë, sepse dhunohej kur ishte e vogël nga njerku dhe nga një kushëri adoleshent. Marilyn e shthurur, sepse interesohej vetëm për karrierën. Marilyn histerike, sepse tërbohej nga dëshira për të qenë nënë. Marilyn drogmene, sepse ishte e zhgënjyer në kënaqësitë e saj nga burra tepër më të vjetër se ajo. Marilyn e helmuar, sepse ishte gruaja sekre e një apo dy Kennedy. Me një fjalë, gjithçka është kundër gjithçkaje, megjithëse brenda një trupi të vetëm.
“Stradivari i seksit”: përkufizimi më banal i Marilyn Monroe i përket penës së një shkrimtari të njohur, Norman Mailer. I njëjti Mailer nuk nguronte të përshkruante orët përgjatëve të cilave Marilyn kishte qëndruar e mëgjunjur mbi një qilim për t’i kënaqur orkeset e producentëve të Hollivudit. Por vetë Marilyn, tashmë e famshme, pranon: “Sa kohë kam kaluar e mëgjunjur!”, e vazhdon të komentojë martesën me Arthur Miller: “Kështu do të shpëtoj nga bajgat.” Ja e vetmja pikë ku biografët përputhen: shthurja në kohën e lirë të jetës së saj. Kjo nuk e habit Sarah Churchwell, kur ka parasysh se kemi të bëjmë me një grua tepër vitale (edhe pse e dëshpëruar), tepër e pavarur (edhe pse e dobët) e tepër inteligjente (edhe pse personifikim i bjondes së marrë) për të arritur të jetë e pranuar vërtetë në Amerikën konfromiste të viteve Pesëdhjetë, por edhe në Amerikën e Klintonit dhe Bushit. Ku deri edhe një shkrimtare liberale si Joyce Carol Oates ka bërë që t’ia paguajë Marilyn- në romanin bestseller “Blonde”- taksën e një personaliteti tepër kompleks saqë të mos mësohej dot me bukurinë e saj joshëse. Kush ka frikë nga Marilyn Monroe? Shumë, tejet shumë burra, dhe jo pak gra të djeshme e të sotme përgjigjet Churchwell. Por mbi gjithçka është shpirti i saj ai që ngjall frikë.
Mrekullia e saj buronte nga ato që nuk i sheh syri i njeriut
Më 5 Gushtin e 1962 Marilyn Monroe ishte ndarë fizikisht nga kjo botë, duke u kthyer në një legjendë që nuk vdes kurrë. Sepse biondja legjendare që në takimin e parë me ekranin, që në skenën e parë, u vendos në qendër të vemendjes të Hollywoodit. Njeriu i parë që e ka shikuar atë në ekran, njeriu që i ka bërë asaj provimin e parë, ku ajo ka dhënë provën e parë, përpara se të bëhej Marilyn, kur ishte vetëm një grua e zakonshme emrin Norma, e ka ndjerë i pari se kishte përpara një artiste të dimensioneve universale. “Kur i kam bërë provën e parë përpara kamerës kinematografike më kanë shkuar nëpër trup djersë të acarta,” tregon ai. “Vajza kishte diçka që unë nuk kisha arritur ta kundroja dot. Kjo ishte vajza e parë që të kujtonte ato bimët e harlisura gjithë lëng, që të dehnin që me vështrimin e parë dhe të bënin memec. Në çdo të qindtën e sekondës gjatë xhirimit në provën e parë përpara kamerës, ajo rrezatonte hir dhe hijeshi që kishte mundësi të çarmatoste një ushtri.” I famshmi Billy Wilder, që ka qënë edhe regjizor i Monroes, e përkufizonte magjinë e yllit biond si një “reaksion mishëror”, “reaksion të kurmit”, të shtjellës fizike. Ky lloj reaksioni është tepër i rrallë, vazhdon ai. “Si profesionist unë kujtoj vetëm tri raste të ngjashme, me tri yje të tjera të kinematografisë, që kanë qenë Clara Bow, Jean Harlow dhe Rita Hayworth. Këto vajza edhe në ekran- por edhe në fotografi- duken si të mishta, janë aq të vërteta sa të bëjnë që në fotografi t’i prekësh me dorë. E tillë ishte edhe Marilyn Monroe.”
Adhuruesit e saj ishin gati që të paguanin 200 milionë $ për të prekur atë diçka magjke që mishëronte Monroe. Asnjë tjetër sex-simbol i të gjitha kohëve, përveç Brixhit Bardosë nuk mund të matej me popullaritetin e Monroes. Mjerisht, në fund të karieres ajo arriti që të bindë edhe kritikën, sikur e kishte bindur publikun që në fillimet e saj, se Monroe ishte mrekullia e ekranit të madh. Gjatë viteve kur ajo ishte në majat më të larta të lavdisë, ajo pa me keqardhje se si dy martesat e saj përfunduan me ndarje. Ajo ka vuajtur po ashtu tmerrësisht se nuk pati kurrë mundësi që të shtrëngonte në gji një fëmijën e saj.
Marilyn ka lindur në Los Angeles më 1 Qershor 1926, me emrin Norma Jean Mortenson, dhe mbiemrin që tregon emrin që duhej të ishte babai i saj, i cili e braktisi atë foshnje dhe të jëmën. Për këtë arsye Marilyn mbante mbiemrin e së jëmës Norma Jean Baker.
Por megjithëse fëmijërinë e kishte kaluar në kushte ferri, Norma e vogël kishte filluar që në fëmijëri ta shihte veten si një yll të kinematografisë. Më vonë Nunnally Johnson, producent, skenarist dhe shkrimtar do të shihte tek Marilyn, diçka të jashtëzakonshme “një fenomen të natyrës, si Ujvara Niagara…” Shtjella e kurmit dhe figurës së saj i tejkalonte që të gjitha analizat e përmasve të saja trupore. Dimesionet e saj ishin -37-23- 37. Ishte tmerrësisht e kolme, por po ta gjykoje vetëm prej përmasave nuk ishte e jashtëzakonshme. E megjithatë ajo ishte e jashtëzakoshme, sepse mrekullia e saj buronte nga ato që nuk i sheh syri i njeriut. Marilyn Monroe ishte e gjatë 1 metër e 67 cm, me flokë të butë biond, e plotë, ëndërrimtare me sy të kaltër-gri. Ajo e kishte kumtin si të një foshnjeje, dhe fliste me zë të lartë dhe kumti i saj i ngjante më tepër një fëshfërime të shqiptuar ashtu sikur të merret fryma.
Adhuruesit i shkruanin asaj të paktën 5000 letra në javë dhe të paktën gjysma e tyre i bënin lutje për martesë. Komunistët e akuzonin atë si një truk kapitalist për ta bërë popullin Amerikan që të harronte mjerimin. Në Turqi, një djalë i ri duke e parë magjinë bionde në filmin “How to Marry a Millionaire” – “Si të martohem me një Milioner”, e humbi mendjen dhe i nguli vetes në gjoks një thikë. Ajo u martua tri herë, dy herët e fundit, me dy meshkuj idolë të Amerikës, i pari ishte një atlet, i dyti ishte një intelektual. Joe DiMaggio, ishte kampion i beizbollit, ndërsa dramatirgu Arthur Miller ishte një fitues i Çmimit Pulitzer. Ajo ishte vetëm 16 vjeç kur u martua për të parën herë, dhe dhëndëri 21 vjeçar ishte James Dougherty, një teknik avionësh, me të cilin u nda pas katër vitesh, më 1946. Marilyn Monroe u bë e famshme, që me rolin e parë dhe filmin e parë tek “The Asphalt Jungle,”, më 1950. Roli i saj i parë ishte i shkurtër, episodik por i paharrueshëm, sepse që të gjithë spektatorët pyesnin “e kush është kjo bionde”…” Ndërsa sot pas 44 vjetësh vazhdojnë që ta kërkojnë se ku është ajo bionde ?
Mestitulli/Intervista e fundit e Monroes
“But please don’t make me look like a joke…”(…por ju lutem, mos më bëni të dukem si një lojë …): janë fjalët e fundit të Merilin Monrosë (Marilyn Monroe), në përmbyllje të një interviste që ka zgjatur 8 orë, të cilën Richard Maryman, gazetar i revistës „Life”, e ka regjistruar në një kasetë në mënyrë që pastaj ta shkruante për numrin e revistës që do të publikohej me 3 gusht 1962. Dy ditë më vonë, në një vilë në Brentwood, pak jashtë Los Anxhelosit, Merilin është gjetur e vdekur, zyrtarisht e vetëvrarë. Prej atëherë kanë kaluar 44 vjet, por miti i saj vetëm lartësohet. Lexuesit po i sjellim pjesë nga intervista.
“…Kam hyrë në shtëpinë e saj, në një sallon praktikisht të zbrazur ku ishin vendosur vetëm dy ndenjëse…e kam vendosur në tokë regjistratorin dhe jam ulur vetë këmbëkryq, kur kam parë një palë pantallona të verdhë dhe kam dëgjuar një zë që më pyeste “ka diçka që duhet të bëj për ju. Pikërisht kështu jam ndarë për të fundit herë nga Merilin Monro”. Objekti i intervistës ishte ‘Suksesi’ por në realitet aftësia e gazetarit dhe gjendja shpirtërore e Monrosë bëjnë që, nga pyetja në pyetje, nga ora në orë, rezultati përfundimtar të jetë një portret i plotë i aktores dhe me hijedritat më pikante të personalitetit të saj. Pak pushime gjatë bisedës. Merilin nuk ha asgjë dhe vetëm pi shampanjë. Dhe vetëm dy telefonata i janë bërë asaj gjatë asaj dite. Gjatë intervistës Merilin e ka porositur gorvernanten që të mos ia japë një telefon një person të caktuar në se e kërkon atë. Marilin thotë disa fraza që kanë mbetur të famshme, si: “suksesi është si haviari, por nëse han shumë të vjen të përzjerë”. Ose, në kontekstin e depresionit: “kur më ndodhin ato ditë të vështira nganjëherë mendoj: të paktën të isha njëra nga ato gratë fshesare. Tek e fundit, megjithatë, jam e kënaqur që jam kjo që jam”. Maryman mbyll intervistën dhe kthehet në Nju Jork për ta shkruar artikullin. Kur në mëngjesin e 5 gushtit, një reporter e thirri nga Los Anxhelosi për t’i thënë se Merilin kishte vdekur, ai kishte mbetur pa frymë. Pavarësisht thekseve nganjëherë të përndezura e dramatike të asaj dite, në fakt, asgjë nuk linte të mendoje se ajo do të bënte vetëvrasje, siç raportuan, ndërkaq, mjekët zyrtarë.
Aktori hollivudian George Clooney, ka komentuar me humor “të zi” grabitjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit, duke u “deklaruar krenar për autorët”.
Ylli i kinemasë e krahasoi grabitjen e fundit me grabitjet e filmave në serialin “Ocean’s”, ku luan dhe vetë rol kryesor. Duke folur të enjten në mbrëmje, më 23 tetor, në premierën e filmit të tij të ri “Jay Kelly” në festivalin AFI, Clooney tha duke buzëqeshur, se ndihej “krenar” për autorët.
“Nëse je një grabitës profesionist, si unë… Jam shumë krenar për këta djem”, bëri shaka ai, duke iu referuar rolit të tij si Danny Ocean, udhëheqësi i grabitësve të filmave në trilogjinë e famshme “Ocean’s”.
Kur u pyet nëse kjo grabitje mund të ishte një frymëzim për një film të ri, ai u përgjigj me të qeshur:
“Mendoj se duhet ta grabisim Luvrin”.
Raporti i tij erdhi disa ditë pas grabitjes që ndodhi në muzeun e Luvrit në Paris, kur hajdutët hynë me forcë mëngjesin e së dielës, më 19 tetor, dhe vodhën tetë xhevahire të paçmuara, me vlerë që shkon në 88 mln euro, bizhuteri të ish-perandorit Napoleon Bonaparti.
Clooney dukej i impresionuar nga mënyra se si ata arritën ta përfundonin grabitjen “në mes të ditës”.
“Ishte fantastike. Pyes veten nëse do t’i kapin. Duket se bënë një punë mjaft të mirë duke ikur”, tha ai.
Siç tha ai, skenari është gati dhe prodhimi është “në formë të shkëlqyer. Tani na mbetet vetëm të koordinojmë oraret tona”, tha ai. gsh
VOAL- Aktorja amerikane Diane Keaton vdiq të shtunën, më 11 tetor, në moshën 79 vjeç, njoftoi zëdhënësi i saj për revistën “People”. Keaton u bë e famshme në vitet 1970 falë rolit të saj në sagën “The Godfather” dhe bashkëpunimeve të saj me regjisorin Woody Allen. Në vitin 1977, ajo fitoi çmimin Oscar për Aktoren më të Mirë për performancën e saj në “Annie Hall”.
Gjatë karrierës së saj të gjatë, ajo luajti në filma të suksesshëm si “The First Wives Club”, punoi disa herë me regjisoren Nancy Meyers dhe ishte pjesë e serisë së suksesshme “Book Club”.
Artistja vdiq në Kaliforni. Aktualisht nuk ka detaje të mëtejshme dhe të dashurit e saj kanë kërkuar privatësi, sipas një zëdhënësi të familjes për revistën People. Aktorja lindi si Diane Hall në Los Angeles në vitin 1946 dhe ishte më e madhja nga katër fëmijë.
Robert Redford, aktori karizmatik dhe regjisor i vlerësuar me çmime Oscar, i cili shmangu jetën tipike të një “ylli Hollivudi” për t’u përkushtuar kauzave që i kishte për zemër, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Lajmin e konfirmoi publicistja e tij, Cindi Berger, kryetare dhe CEO e agjencisë Rogers and Cowan PMK.
“Robert Redford u nda nga jeta më 16 shtator 2025, në shtëpinë e tij në Sundance, në malet e Utah, vendi që e donte, i rrethuar nga njerëzit që donte. Do të na mungojë shumë,” thuhet në deklaratën për CNN, ndersa familja ka kërkuar privatësi.
Redford u bë i njohur për rolet kryesore në filma si Butch Cassidy and the Sundance Kid dhe All the President’s Men, ndërsa si regjisor fitoi çmime për filma si Ordinary People dhe A River Runs Through It.
Dashuria e tij për artin e kinemasë e çoi drejt themelimit të Sundance Institute, një organizatë jofitimprurëse që mbështet filmin dhe teatrin e pavarur dhe që sot është e njohur në të gjithë botën për Festivalin e Filmit Sundance, që mbahet çdo vit në Utah.
Por Redford nuk ishte vetëm një figurë e madhe në film. Ai ishte gjithashtu një aktivist i përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit, duke u shpërngulur në Utah në vitin 1961 dhe duke udhëhequr përpjekje për të ruajtur natyrën e egër të shtetit dhe të Perëndimit Amerikan.
Redford vazhdoi të aktronte edhe në vitet e tij të fundit, duke u ribashkuar me Jane Fonda në filmin e Netflix Our Souls at Night në vitin 2017. Një vit më pas, në moshën 82-vjeçare, ai luajti në The Old Man & the Gun, film që e quajti të fundit të karrierës së tij, megjithatë, ai kurrë nuk pranoi konceptin e “daljes në pension”.
“Në kuptimin tim, pensioni do të thotë të ndalosh diçka. Unë mendoj se sa kohë që ka jetë, pse të mos e jetojmë sa më shumë që të mundemi?” – tha Redford për CBS Sunday Morning në vitin 2018.
Në tetor të vitit 2020, gjatë zjarreve shkatërruese në Perëndimin Amerikan, Redford shkroi një editorial për CNN, ku kritikoi mungesën e fokusit ndaj ndryshimeve klimatike. Po atë muaj, ai humbi djalin e tij 58-vjeçar, David James Redford, nga një sëmundje e rëndë. David kishte ndjekur gjurmët e të atit si aktivist, regjisor dhe filantrop.
Nga një djalosh i trazuar, në yll ndërkombëtar
Redford lindi në Santa Monica, Kaliforni në vitin 1936. I rritur në Van Nuys, ai rrallë e shihte të atin, i cili punonte gjatë gjithë ditës si qumështor dhe më pas si kontabilist. Shumë kohë e kalonte në bibliotekë, ku u magjeps nga mitologjia greke dhe romake, por nuk ishte një nxënës shembullor.
“Nuk kisha durim, nuk isha i frymëzuar,” thoshte ai. Megjithatë, pasioni për artin dhe sportin e çoi në një bursë për bejsboll në Universitetin e Kolorados në vitin 1955. Po atë vit, nëna e tij ndërroi jetë në moshë të re, një humbje që e tronditi thellë.
Pas kësaj periudhe, Redford humbi bursën, u përjashtua nga universiteti dhe shkoi të punonte për Standard Oil, duke kursyer për të ndjekur studime arti në Evropë. “Jetova me pak, por doja aventurë dhe përvoja të reja,” tha ai.
Pas kthimit në SHBA, filloi studimet për aktrim në American Academy of Dramatic Arts në New York. I rezervuar dhe i mbyllur, Redford nuk përshtatej me studentët e tjerë të dramës. Por një mësuese e pa potencialin e tij dhe e inkurajoi të mos hiqte dorë.
Në vitin 1959, u shfaq për herë të parë në serialin “Perry Mason”. Roli që i hapi dyert e mëdha ishte në 1963 në shfaqjen e Broadway Barefoot in the Park, rol që më pas e interpretoi edhe në film, përballë Jane Fonda.
Në vitin 1961, Redford dhe gruaja e tij Lola Van Wagenen u shpërngulën në Utah, ku blenë tokë për vetëm 500 dollarë dhe ndërtuan një kabinë.
“E kuptova sa e rëndësishme ishte natyra për mua. Doja të isha aty ku ajo është e fortë dhe e përjetshme,” tha ai.
Suksesi i madh erdhi me rolin në Butch Cassidy and the Sundance Kid (1969), përballë Paul Newman, me të cilin krijoi një miqësi të përjetshme dhe më pas u ribashkua në The Sting (1973), fitues i Oscar-it për Filmin më të Mirë.
Në vitet ’70, Redford luajti në disa hite: Jeremiah Johnson, The Way We Were (me Barbra Streisand), The Great Gatsby dhe All the President’s Men (1976), përkrah Dustin Hoffman.
Me Jeremiah Johnson, Redford sfidoi studion për të ruajtur vizionin e tij si artist, duke parashikuar fillimin e rrugës si regjisor dhe mbështetës i filmit të pavarur. Filmi u bë hit, duke fituar mbi 45 milionë dollarë, pavarësisht skepticizmit të studios.
Debutimi i tij si regjisor erdhi në 1980 me Ordinary People, film që fitoi Oscar-in për Filmin më të Mirë dhe për Regjinë më të Mirë. Ai vazhdoi me suksese si The Natural (1984), A River Runs Through It (1992), Quiz Show (1994) dhe The Horse Whisperer (1998).
Edhe pse shpesh i përshkruar si mashkulli romantik i përsosur, Redford ndjehej i kufizuar nga kjo etiketë. “Ishte nder që të quhesha i pashëm, por më kufizonte si aktor,” tha ai.
Trashëgimia që lë pas
Themelimi i Sundance Institute në vitin 1981 shënoi një pikë kthese, një vend për të mbështetur artistë të rinj që rrezikojnë dhe guxojnë.
Festivali Sundance është sot platforma më e madhe për kinemanë e pavarur në SHBA, vendi ku emra si Quentin Tarantino (Reservoir Dogs) dhe Steven Soderbergh (Sex, Lies, and Videotape) nisën rrugën drejt famës.
Në vitin 2002, Robert Redford mori një Oscar Nderi për kontributin e tij jetësor në industrinë e filmit.
Në vitet e fundit, nuk ndaloi së krijuari dhe së foluri për çështje që e preknin mjedisin, drejtësine, kulturën dhe rininë.
“Dua të bëj më të mirën me atë që më është dhënë,” tha Redford në një intervistë për CNN në vitin 2015. “Duhet të shtysh përpara, të provosh gjëra të reja, kjo është gjallëruese.” Panorama
Aktori dhe regjisori i madh amerikan, një ikonë kinemaje që përfshin gjashtë dekada, ndërron jetë në moshën 89 vjeç.
VOAL- Robert Redford vdiq në gjumë në shtëpinë e tij në Provo, Utah. Ai ishte 89 vjeç.
Lajmi për vdekjen e aktorit dhe regjisorit të madh amerikan u njoftua nga New York Times sot, të martën, pas konfirmimit nga Cindi Berger, drejtoreshë e agjencisë së komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun Rogers & Cowan PMK.
Një ikonë e vërtetë e Hollivudit, Redford arriti famë botërore nga fundi i viteve 1960 e tutje falë performancave të tij në një seri të gjatë filmash shumë të suksesshëm: “The Way We Were”, “All the President’s Men”, “Barefoot in the Park”, “Three Days of the Condor” dhe “Out of Africa”, ndër filmat e tij më të njohur dhe të vlerësuar.
Në vitin 1981, ai fitoi Çmimin e Akademisë për Regjisorin më të Mirë, dhe në debutimin e tij si regjisor, për “Ordinary People”. Ai ishte gjithashtu themeluesi i Festivalit të Filmit Sundance.
Shtëpia në të cilën Marilyn Monroe kaloi ditët e fundit të jetës së saj, në lagjen Brentwood të Los Anxhelosit, është në rrezik të shembet, pasi pronarët aktualë, Brinah Milstein dhe Roy Bank, kanë ndërmarrë hapa për ta rrënuar ndërtesën historike.
Sipas një raportimi të Bloomberg, plani i tyre ka shkaktuar kundërshtime ligjore dhe ndërhyrje nga autoritetet lokale.
Milstein, vajza e një manjati pasurish të patundshme nga Cleveland dhe Bank, producent i televizioneve reality, blenë pronën historike në adresën 12305 Fifth Helena Drive vitin e kaluar, duke paguar 8.4 milionë dollarë në vitin 2023. Kjo pronë ndodhet ngjitur me rezidencën e tyre ekzistuese, të cilën e zotërojnë që nga viti 2016.
Pas blerjes, çifti siguroi leje për prishjen e shtëpisë, por konservatorët kulturorë arritën të bindin autoritetet e Los Anxhelosit që të klasifikojnë ndërtesën si monument historik-kulturor, duke ndaluar përkohësisht çdo ndërhyrje ndërtimore.
Tashmë, Milstein dhe Bank presin një vendim nga Gjykata e Lartë e Qarkut të Los Anxhelosit, për të ditur nëse do të lejohen të vazhdojnë me planet e tyre për të bashkuar pronën me shtëpinë e tyre ekzistuese. Megjithatë, statusi i monumentit historik kufizon ndjeshëm të drejtat e tyre si pronarë.
“Shteti i Kalifornisë ka mijëra shtëpi ku kanë jetuar ose vdekur njerëz të famshëm,” deklaroi avokati i tyre, Peter Sheridan, për Bloomberg. “A do të thotë kjo që çdo ndërtesë e tillë duhet të ruhet si ‘monument’? Sigurisht që jo.” Në padinë e paraqitur, ata pretendojnë se “nuk ka asnjë provë konkrete që Monroe ka kaluar qoftë edhe një ditë aty”.
Megjithatë, faktet historike tregojnë ndryshe. Monroe e bleu shtëpinë për 75.000 dollarë në atë kohë, vlerë që sot do të barazohej me rreth 800.000 dollarë dhe ishte prona e parë që bleu vetë pas divorcit me Joe DiMaggio dhe Arthur Miller.
Gjatë qëndrimit të saj atje, ajo fitoi një Golden Globe dhe dha performancën e famshme “Happy Birthday, Mr. President” për John F. Kennedy. Që nga vdekja e saj, shtëpia ka kaluar në duart e 14 pronarëve të ndryshëm, ndërsa janë bërë shtesa të shumta, përfshirë një dhomë rekreacioni dhe një studio.
Përballë presionit publik dhe interesit të madh turistik, çifti Milstein dhe Bank janë shprehur të hapur për të ruajtur ndërtesën, por kanë propozuar që ajo të zhvendoset në një vend publik. Ata theksojnë se privatësia e tyre është cënuar rëndë për shkak të fluksit të turistëve dhe përdorimit të dronëve, që mbërrijnë vazhdimisht për të fotografuar shtëpinë e ikonës së Hollywood-it. gsh
VOAL- Taylor Swift, Mbretëresha e Popit, do të martohet. Dhe njoftimi në mediat sociale e ka çuar të gjithë internetin në një tërbim. Me një postim të përbashkët, ata ndanë njoftimin e dasmës së tyre në Instagram me 281 milionë ndjekësit e saj dhe gati 8 milionë të tij.
Pesë foto, e para më baritore, me yllin e futbollit amerikan Travis Kelce të gjunjëzuar nën një hark lulesh para këngëtares, shkaktuan shpërthimin e internetit, duke lënë në hije gjithçka tjetër. Dhe lajmi ishte i pritshëm; mori një dimension publiciteti, pasi shumë u përpoqën ta shfrytëzonin njoftimin.
Dhjetëra marka amerikane, duke përfshirë zinxhirët e ushqimit të shpejtë, zinxhirët e picave, zinxhirët e petullave dhe zinxhirët e kopshtarisë, ofruan të organizonin pritjen. Disa tashmë kanë fituar shumë, si Ralph Lauren, fustani i të cilit prej 400 frangash, i veshur nga 35-vjeçarja në fotografi, u shit në 20 minuta. Nuk dihet se si shkuan shitjet për Cartier dhe orën e saj prej 35,000 frangash në kyçin e dorës së këngëtares.
Diskutimi më pas u zhvendos te unaza, një prerje antike, e bukur apo e shëmtuar: a përputhet me stilin e Taylor? Pati disa komente negative (është një veprim promovues; mbretëresha e popit njoftoi publikimin e albumit të saj të ri rreth dhjetë ditë më parë): madje edhe Donald Trumpi, i kritikuar hapur nga Taylor Swift, e cila nga ana tjetër u denigrua nga presidenti, i uroi ata për dashurinë e tyre: “U uroj fat të mbarë. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe një djalë i shkëlqyer, ajo është një person fantastik, iu uroj shumë lumturi.” RSI
… Në vitin 1958, në restorantin e famshëm, Romanoff, në Beverly Hills, Natalie Wood kaloi pranë tavolinës së Frank Sinatrës kur ai bëri një koment të lartë dhe vulgar për të.
Pa hezitim, Natalie u kthye, shkoi drejt e te tavolina e tij dhe e goditi në fytyrë – para elitës së Hollivudit.
Zhurma e mprehtë e shuplakës së saj, në faqen e tij preu ajrin. Bisedat u ndalën. Buzëqeshja e Sinatrës u zhduk.
Natalie nuk tha asnjë fjalë. Ajo thjesht e shikoi, pastaj u kthye dhe u largua me qetësi dhe dinjitet, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Gazetat nuk shkruan kurrë, por historia u përhap si zjarr në të gjithë Hollivudin.
Romanoff, nuk ishte thjesht një restorant – ishte streha e aktorëve, producentëve dhe manjatëve të studiove.
Po Sinatra?
Ai ishte i paprekshëm. Me një Grammy pas vetes dhe me një reputacion të pushtetshëm ai mund të shkatërronte ose të ndihmonte në fillime karrierash me një pëshpëritje.
Megjithatë, me një gjest të vetëm, Natalie Wood, bëri diçka që askush nuk e priste.
Ajo ishte rritur në sistemin e studiove – që projektonin kukulla porcelani, modeluar për kamerën, dhe të stërvitura për të buzëqeshur.
Por në fund të viteve 1950, pasi luajti përkrah James Dean në “Rebel Without a Cause”, Natalie po ndryshonte.
Ajo mori role më komplekse, kërkoi më shumë respekt dhe foli hapur për mënyrën se si trajtoheshin gratë pas skenave.
Shuplaka nuk ishte një shpërthim zemërimi.
Ishte shprehja fizike e një gruaje që kishte duruar mjaftueshëm – dhe nuk ishte më e gatshme ta toleronte atë.
Ata që e njihnin Sinatrën prisnin hakmarrje. Ai ishte i njohur për mbajtjen e mërisë.
Por diçka e habitshme ndodhi.
Pas një momenti heshtjeje të pabesueshme, Sinatra u mbështet në karrigen e tij dhe thuhet se murmëriti,
“Ajo ka guxim. Ajo vajzë do të shkojë larg.”
Ai nuk foli kurrë publikisht për incidentin, dhe shumë thanë se ai në heshtje filloi ta respektonte atë.
Brenda pak ditësh, historia ishte bërë legjendë pëshpëritej vesh më vesh – në dhomat e zhveshjes, në sheshet e xhirimit…
Emri i Natalie Wood mori një peshë të re.
Ajo ishte ende një bukuroshe, ende një yll – por tani ishte edhe një grua, që nuk iu përul rregullave të heshtura të Hollivudit.
Aktore të tjera e lavdëruan privatisht.
Shumë prej tyre kishin jetuar momente të ngjashme, të detyruara të heshtnin, për të mbrojtur karrierën e tyre.
Natalie bëri atë që të gjithë kishin ëndërruar – jo me një fjalim, por me një gjest të vetëm, të paharrueshëm.
Ajo nuk foli kurrë publikisht për atë natë.
Asnjë intervistë. Asnjë anekdotë nëpër talk show.
Ajo nuk kishte nevojë për to.
Atë natë te Romanoff, Natalie Wood dha një mesazh më të fortë se çdo fjalim.
Trilleri hakmarrës i regjisorit disident iranian Jafar Panahi, “Ishte vetëm një aksident”, fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë të shtunën, duke ia dhënë çmimin kryesor të festivalit një regjisori të cilit i ishte ndaluar të largohej nga Irani për më shumë se 15 vjet.
Kana
Pas çmimit që iu dorëzua nga aktorja e njohur Kate Blanchet, regjisori disident iranian Jafar Panahi u shpreh se “është koha t’u kërkojmë të gjithë iranianëve në mbarë botën: le t’i lëmë mënjanë problemet, dallimet, gjëja më e rëndësishme është liria e vendit tonë.”
“Kinemaja, nënvizoi ai, është një kompani, askush nuk ka të drejtë të na tregojë çfarë të bëjmë, çfarë jo”.
“Është vërtet e vështirë të flasësh: përpara se të them diçka, më lejoni të falënderoj familjen time për gjithë kohën që nuk isha me ta”, tha Panahi i emocionuar.
“Dhe pastaj të gjithë ekipin që më shoqëroi dhe më lejoi të realizoja këtë film me ta. Dhe gjithashtu falënderoj të gjithë ata që më shoqëruan në Francë për post-produksion dhe distributorin tonë ndërkombëtar. Nuk do të kishte qenë e mundur të realizohej ky film pa një ekip të përkushtuar.”
Regjisori e mbylli fjalimin e tij të shkurtër, por intensiv, duke falënderuar “Festivalin e Filmit në Kanë dhe të gjithë të pranishmit”. bw
Me një tapet të kuq të mbushur me yje të njohur dhe një ceremoni hapjeje që bashkoi kinemanë dhe politikën, edicioni i 78-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë u çel të martën në Rivierën Franceze. Të pranishëm ishin emra të mëdhenj të ekranit si Robert De Niro, Leonardo DiCaprio dhe Quentin Tarantino, ndërsa festivali pritet të zgjasë 12 ditë, duke ofruar premiera të shumëpritura dhe diskutime të zjarrta.
Në ceremoninë hapëse, Robert De Niro u nderua me Palmën e Artë për karrierën e tij, një çmim që iu dorëzua nga Leonardo DiCaprio.
Tapeti i kuq u mbush me yje të tjerë si Quentin Tarantino dhe Juliette Binoche. Tarantino, i cili bëri një hyrje dramatike për të shpallur festivalin të hapur, do të nderojë të mërkurën regjisorin amerikan George Sherman. Ceremonia përfshiu gjithashtu një homazh për Ukrainën dhe shfaqjen e një versioni të restauruar të klasikës “The Gold Rush” të Charlie Chaplin.
Një moment i rëndësishëm i ditës ishte edhe njoftimi i dënimit të aktorit francez Gérard Depardieu me 18 muaj burg me kusht për sulm seksual ndaj dy grave, një rast i lidhur me lëvizjen #MeToo në Francë. Lajmi tronditi komunitetin artistik dhe solli në vëmendje tensionin mes artit dhe sjelljes personale të artistëve.
Juria e këtij edicioni kryesohet nga aktorja franceze Juliette Binoche dhe përfshin emra të njohur si Halle Berry, Jeremy Strong dhe regjisori koreano-jugor Hong Sang-soo. Ata do të vendosin për çmimin më të lartë të festivalit, Palmën e Artë, që do të dorëzohet më 24 maj.
Në garë janë 22 filma nga regjisorë të njohur si Wes Anderson, Richard Linklater, Julia Ducournau, Jafar Panahi dhe Joachim Trier. Festivalit i pritet t’i japë një tjetër impuls botës së kinemasë, duke e kthyer qytetin e Kanës edhe një herë në qendrën globale të artit filmik. bw
Val Kilmer, aktori i njohur për rolet e tij ikonikë në filma si “Top Gun”, “Batman Forever”, dhe “Tombstone”, ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Mercedes Kilmer, përmes një deklarate të lëshuar për New York Times. Shkaku i vdekjes ishte pneumonia, pas një periudhe të gjatë betejash shëndetësore.
Kilmer ishte diagnostikuar me kancer në fyt në vitin 2017 dhe kishte kaluar një trakeotomi që i kishte ndryshuar plotësisht zërin. Pavarësisht sfidave të shëndetit, ai vazhdoi të qëndronte aktiv në industrinë e filmit dhe pati një rikthim të madh në vitin 2022, kur ai përsëriti rolin e tij si Tom “Iceman” Kazansky në Top Gun: Maverick.
Një nga figurat më të dashura të Hollivudit, Kilmer ka lënë një trashëgimi të paharrueshme në kinemanë ndërkombëtare.
Kilmer u shfaq gjithashtu në role të tjera të paharrueshme, duke krijuar një profil të fortë dhe të shumëpërfolur në industrinë e filmit. Kilmer, përfundoi një nga karrierat më interesante dhe më të vlefshme në historinë e Hollivudit.bw
Prapa shkëlqimit të sezonit të çmimeve të filmit që kulmoi me ceremoninë ‘Oscar’ të dielën, Hollivudi po lufton për të ruajtur vendin e tij si qendra e industrisë globale të filmit. Pandemia COVID-19, xhirimet më pak të kushtueshme në vende të tjera dhe zjarret e fundit janë disa nga sfidat që po rrezikojnë statusin e Los Anxhelosit si kryeqyteti botëror i filmit.
Asnjë nga pretendentët për fituar çmimin ‘Oscar’ për filmin më të mirë këtë vit nuk është xhiruar në Los Anxhelos, ku për më shumë se një shekull ndodhen kompanitë kryesore të prodhimit të filmave dhe serialëve televizivë.
Studiot e filmit ka vite që po largohen nga Hollivudi, duke u zvhendosur drejt vendeve që ofrojnë stimuj tatimorë, ku xhirimet janë më pak të kushtueshme.
Krijuesit e filmave shpresonin për një rikthim në Los Anxhelos pas grevës së skenaristëve dhe aktorëve në vitin 2023, por statistikat tregojnë se rikthimi është i ngadaltë.
Prodhimi në Los Anxhelos ka rënë me 5.6 për qind nga viti 2023 në 2024, sipas kompanisë ‘FilmLA’. Ky është niveli i dytë më i ulët pas atij të vitit 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.
Zjarret që shpërthyen gjatë janarit shkatërruan disa pjesë të qytetit, duke shtuar shqetësimet se producentët mund të shkojnë diku tjetër, ndërsa punonjësit e industrisë kinematografike mund të largohen në vend që të përpiqen të rindërtojnë jetën në qytet.
Ekziston frika se studiot e Los Anxhelosit si Netflix dhe Walt Disney mund të vendosin të largohen nëse këto prirje vazhdojnë.
“Ka shumë njerëz që nuk kanë punuar për një kohë për shkak të grevave dhe tani zjarreve. Mendoj se këto ngjarje janë një thirrje për zgjim, për të gjithë ata që duan të nxisin prodhimit, të kthehen në Los Anxhelos”, thotë Samantha Quan, producente e filmit ‘Anora’ e cila fitoi çmimin e Akademisë ‘Oscar’ për filmin më të mirë.
Një grup prodhuesish ka nisur fushatën “Qëndro në Los Anxhelos”, me shpresën për të përfituar nga vullneti i mirë pas zjarreve në Kaliforni.
Përveç thirrjeve për stimuj tatimorë, ata gjithashtu po kërkojnë angazhimin e studiove për të rritur prodhimin në Los Anxhelos me të paktën 10 për qind gjatë tre viteve të ardhshme.
“Ky është vendi më i mirë në botë për të prodhuar projekte filmike. Ne kemi ekipet më të mira në botë, prodhuesit më të mirë në botë. Shumica e njerëzve jetojnë këtu. Ata duan të punojnë në shtëpinë e tyre. Duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet, kjo është ajo që shpresoj, të kthejmë prodhimin në Los Anxhelos”, thotë Susan Sprung, shefe ekzekutive e kompanisë “Producers Guild of America”.
Një studim me producentë nga kompania ‘ProdPro’ gjeti se Kalifornia ishte vendi i gjashtë më i preferuar për të filmuar në dy vitetet e ardhshme, pas Torontos, Britanisë, Vankuverit, Evropës Qendrore dhe Australisë.
Gjatë ndarjes së çmimeve Oscar të dielën pjesëmarrësit kujtuan zjarret dhe vlerësuan qëndresën e Los Anxhelosit.
Ngjashëm me ceremonitë e tjera të ndarjes së çmimeve, edhe në natën e çmimeve ‘Oscar’ folësit bën thirrje për rritje të prodhimit të filmave dhe serialëve në Hollivud.
Regjisori i filmit “Anora”, Sean Baker, duke pranuar çmimin për filmin më të mirë, i rrethuar nga ekipi dhe aktorët, në skenën e ceremonisë së 97-të të Çmimeve të Akademisë në Dolby Theatre në Hollywood, Kaliforni, më 2 mars 2025.
Radio Evropa e Lirë
“Anora”, historia e një punëtoreje të seksit nga Nju Jorku, së cilës i jepet një mundësi për të nisur një jetë të re kur martohet papritur me një klient të pasur rus, fitoi pesë çmime Oscar, përfshirë edhe çmimin prestigjioz për filmin më të mirë të vitit.
Përveç filmit më të mirë, Sean Baker fitoi çmimet për regjisorin më të mirë, skenarin origjinal dhe montazhin, duke barazuar rekordin për numrin më të madh të Oscarëve të fituar nga një individ në një vit të vetëm me Walt Disneyn, i cili kishte fituar për katër filma të ndryshëm në vitin 1954.
Ylli 25-vjeçar i filmit, Mikey Madison, u shpall aktorja më e mirë.
“Anora” u realizua me një buxhet prej gjashtë milionë dollarësh, një shumë fare e vogël për standardet e Hollywoodit. Ajo doli fituese në një garë të paparashikueshme për çmimin e filmit më të mirë, ku konkurronin gjithashtu thrilleri me temë papale “Conclave”, historia e emigrantëve hebrenj “The Brutalist”, dhe superproduksioni muzikor “Wicked”.
“Nëse po përpiqeni të bëni filma të pavarur, ju lutem vazhdoni. Na duhen më shumë. Kjo është dëshmia”, tha Baker, një regjisor i njohur për realizimin e filmave të shkurtë për aktorë të filmave për të rritur, punonjëse seksi transgjinore dhe njerëz të tjerë nga grupe të margjinalizuara.
Madison fitoi garën kundër Demi Moore, e cila ishte favoritja për çmimin e aktores më të mirë për rolin e saj në “The Substance”.
“Unë u rrita në Los Anxhelos, por Hollywoodi gjithmonë më dukej kaq larg”, tha Madison në skenë. “Të jem këtu sot është vërtet e pabesueshme”.
Mikey Madison.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e saj për komunitetin e punëtoreve të seksit, duke thënë “unë do të vazhdoj të jem një aleate”.
“Anora”, e shpërndarë nga kompania e pavarur Neon, ka gjeneruar 40 milionë dollarë në arkat kinematografike globale. “Wicked” ka arkëtuar 728 milionë dollarë.
Adrien Brody fiton çmimin për aktorin më të mirë
Adrien Brody fitoi Oscarin e tij të dytë për aktorin më të mirë për rolin e një arkitekti dhe emigranti hebre që ndjek ëndrrën amerikane në “The Brutalist”. Aktori 51-vjeçar nga Nju Jorku kishte fituar më parë për “The Pianist”, kur në moshën 29-vjeçare u bë fituesi më i ri ndonjëherë i këtij çmimi.
“Aktrimi është një profesion shumë i brishtë”, tha Brody. “Nuk ka rëndësi ku ndodhesh në karrierën tënde, gjithçka mund të zhduket. Mendoj se kjo e bën këtë moment edhe më të veçantë”.
Zoe Saldana u shpall aktorja më e mirë në rol dytësor për rolin e saj si ndërmjetësja e një bosi të drogës meksikan në “Emilia Perez”, një film në gjuhën spanjolle i shpërndarë nga Netflix.
Filmi, i cili fitoi gjithashtu çmimin për këngën më të mirë origjinale me “El Mal”, ishte një nga favoritët për filmin më të mirë në fillim të vitit. Por, shanset e tij u zvogëluan kur dolën në dritë postime të papërshtatshme në rrjete sociale nga aktorja kryesore, Karla Sofia Gascon.
Gascon, transgjinorja e parë e nominuar për një Oscar ndonjëherë, u tërhoq nga aktivitetet promovuese, por mori pjesë në ceremoninë e së dielës.
Kieran Culkin mori çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor për interpretimin e njërit prej dy kushërinjve që udhëtojnë në Poloni për të studiuar rrënjët e familjes së tyre në filmin “A Real Pain”.
Adrien Brody, Mikey Madison, Zoe Saldana dhe Kieran Culkin.
Culkin falënderoi bashkëshorten e tij dhe nënën e dy fëmijëve të tij, Jazz Charton, dhe tha se së fundmi i kishte thënë asaj se dëshironte gjithsej katër fëmijë. Charton kishte bërë shaka duke i thënë se do të pranonte nëse ai fitonte një Oscar.
“Le të fillojmë punën për ata fëmijë!”, tha Culkin nga skena, duke iu drejtuar bashkëshortes së tij.
Fituesit e statujave të arta të Oscarit zgjidhen nga rreth 11.000 aktorë, producentë, regjisorë dhe profesionistë të tjerë të industrisë që përbëjnë Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit.
Shpërblehet dokumentari izraelito palestinez
“No Other Land”, një film mbi zhvendosjen e një komuniteti palestinez nga Izraeli, fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë dokumentar. Regjisorët e tij apeluan ndaj botës për t’i dhënë fund konfliktit, duke akuzuar SHBA-në për bllokimin e një zgjidhjeje.
Bashkëregjisorët e filmit, aktivisti palestinez Basel Adra dhe gazetari izraelit Yuval Abraham, kaluan pesë vjet duke e realizuar këtë dokumentar, që tregon ushtarët izraelitë duke shkatërruar shtëpi dhe duke dëbuar banorët për të krijuar një zonë stërvitjeje ushtarake, si dhe zgjerimin e vendbanimeve hebraike në komunitetin palestinez.
Dokumentari nxjerr në pah realitetet paralele në të cilat jetojnë dy miqtë – Abraham me targat e tij të verdha izraelite që ia lejojnë të udhëtojë kudo, ndërsa Adra mbetet i izoluar në një territor që vetëm sa tkurret për palestinezët.
“’No Other Land’ pasqyron realitetin e ashpër që kemi duruar për dekada dhe të cilit ende i rezistojmë, teksa u bëjmë thirrje vendeve të botës të marrin masa serioze për t’i dhënë fund padrejtësisë dhe spastrimit etnik të popullit palestinez”, tha Adra kur mori çmimin në skenë.
Duke qëndruar pranë bashkëregjisorit të tij, Abraham shtoi: “Ne e realizuam këtë film, palestinezë dhe izraelitë bashkë, sepse zërat tanë janë më të fortë kur jemi së bashku. Ne e shohim njëri-tjetrin, shkatërrimin e tmerrshëm të Gazës dhe popullit të saj, që duhet të ndalet, pengjet izraelite të marra brutalisht në krimin e 7 tetorit, të cilat duhet të lirohen.
“Kur e shoh Baselin, shoh vëllain tim, por ne nuk jemi të barabartë. Ne jetojmë në një regjim ku unë jam i lirë nën ligjin civil, ndërsa Basel është nën ligjin ushtarak që ia shkatërron jetën dhe ai nuk ka kontroll mbi të”, tha Abraham.
“Ka një rrugë tjetër. Një zgjidhje politike pa supremaci etnike, me të drejta kombëtare për të dy popujt tanë. Dhe duhet ta them sa jam këtu, politika e jashtme e këtij vendi po ndihmon në bllokimin e kësaj rruge”, shtoi ai.
Yuval Abraham, duke bërë me dorë drejt Basel Adras.
Thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar që palestinezët të emigrojnë nga Gaza, përfshirë në Egjipt dhe Jordani, është dënuar gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si destabilizuese.
Ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, e quajti fitoren e filmit një “moment të trishtë për kinemanë”, pasi, sipas tij, ai paraqet një pamje të shtrembëruar të Izraelit, që ende po përjeton pasojat e sulmit të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.
“Liria e shprehjes është një vlerë e rëndësishme, por përdorimi i shpifjeve ndaj Izraelit si një mjet promovimi ndërkombëtar e dëmton shtetin e Izraelit, dhe pas masakrës së 7 tetorit dhe luftës së vazhdueshme, kjo është dyfish më e dhimbshme”, shkroi Zohar në X.
Pavarësisht se ka fituar çmime të rëndësishme në Evropë dhe SHBA, filmi ende nuk ka arritur një marrëveshje për shpërndarje në kinematë amerikane, tha Abraham për Deadline muajin e kaluar.
I pyetur pse mendon se shpërndarësit amerikanë nuk e kanë marrë filmin, Abraham u përgjigj: “Besoj se është e qartë që arsyeja është politike. Shpresoj që kjo të ndryshojë.” Ai tha se vendosën të mos prisnin një publikim tradicional në kinema dhe e shfaqën atë në gati 100 kinema në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, çmimi për filmin më të mirë të animuar shkoi për filmin e pavarur “Flow”, filmi i parë nga Letonia që fiton një Oscar. Filmi brazilian “I’m Still Here” fitoi çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Të nominuarat, Ariana Grande dhe Cynthia Erivo, hapën ceremoninë e Oscarit me disa performanca muzikore me tematikën e “Wizard of Oz”, përfshirë këngën “Defying Gravity” nga filmi “Wicked”.
Cynthia Erivo dhe Ariana Grande.
Në mes të shfaqjes, prezantuesi i Oscarit, komediani Conan O’Brien, solli në skenë një grup zjarrfikësish nga Los Anxhelosi dhe i falënderoi për punën e tyre gjatë zjarreve të janarit. Ai gjithashtu i ftoi ata të bënin disa batuta.
“Është kënaqësi të jem sërish me Conanin”, tha kapiteni i zjarrfikësve të Pasadenës, Jodi Slicker. “Zakonisht, kur na telefonon, ka ngecur në ndonjë pemë”.
Komentet