VOAL

VOAL

Maqedonia më 6 shkurt nënshkruan protokollin për pranim në NATO

February 2, 2019

Komentet

Afrim Gashi: Nuk ka nevojë për panik apo zgjedhje të parakohshme parlamentare

Sanja Vasiq

Shumica parlamentare është e qëndrueshme pavarësisht tronditjeve në koalicionin VLEN, thotë kryetari i Kuvendit maqedonas, Afrim Gashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në afatin e rregullt.

Çfarë po ndodh në koalicionin VLEN?

Përçarjet në koalicionin VLEN, pjesë e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nisën më 16 prill, kur lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, bëri të ditur se në zgjedhjet lokale të vjeshtës do të garojë i vetëm me kandidatët e tij.

Kjo lëvizje shkaktoi reagime brenda koalicionit, me akuza se Taravari kishte bërë marrëveshje me liderin e BDI-së opozitare, Ali Ahmeti.

Për këtë arsye, VLEN vendosi ta përjashtojë Taravarin nga koalicioni.

Nëse ai do të largohet edhe nga posti i ministrit të Shëndetësisë, do të vendosë kryeministri Hristijan Mickoski pas festave të 1 majit.

Ndërkohë, VLEN ka paralajmëruar transformimin e koalicionit në parti politike.

Grupi parlamentar i VLEN-it, me gjithsej 14 deputetë, ende nuk ka marrë vendim për mënyrën e veprimit në Kuvend, nëse Taravari bashkë me pesë deputetë të tjerë largohen nga koalicioni.

Ka shumë spekulime për orientimin e këtyre deputetëve – nëse do të qëndrojnë në VLEN apo do t’i bashkohen opozitës – çka do të ndikonte edhe në shumicën e Badenterit, të domosdoshme për miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë përkrahjen e komuniteteve etnike.

Aktualisht, grupi parlamentar i VLEN-it përbëhet nga pesë deputetë të Aleancës për Shqiptarët, tre nga Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, dy nga Lëvizja BESA dhe një deputet i pavarur i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës.

Ngjarjet e fundit kanë hapur diskutime në skenën politike nëse përçarjet në koalicionin shqiptar mund të çojnë në rikonstruim të Qeverisë ose në zgjedhje të parakohshme, krahas zgjedhjeve lokale.

Në zgjedhjet e majit 2024, koalicioni VLEN ia doli ta largojë BDI-në nga pushteti, pas gati dy dekadash qeverisje dhe bashkëpunimi si me VMRO-DPMNE-në ashtu edhe me LSDM-në.

Radio Evropa e Lirë: A nënkuptojnë zhvillimet brenda VLEN-it edhe ndryshime në Qeveri apo në Kuvend? Dhe a është në rrezik shumica e Badenterit? A mendoni se bashkë me zgjedhjet lokale duhet të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Afrim Gashi: Jemi këtu në Kuvend, dhe përpiqem të jem sa më i shkëputur nga politika ditore dhe partitë politike. Jam vërtet i përkushtuar ndaj punës në Kuvend, por natyrisht nuk mund të shmangim politikën, sepse edhe ne jemi pjesë e strukturave politike. Mendoj se nuk ka arsye për panik, shumica është stabile dhe duhet të vazhdojmë punën, pa marrë parasysh nëse dikush hyn apo del nga koalicioni. Nuk pres ndryshime të mëdha në numrin e deputetëve. Shumica është e fuqishme, kemi rreth dy të tretat.

Nga ana tjetër, po afrohen zgjedhjet lokale, por nuk duhet të na kapin ethet e zgjedhjeve për çdo gjë. Lokalet janë natyrshëm të fokusuara në probleme të infrastrukturës, kanalizimeve, ndriçimit, rrugëve – nuk duhet që politika e lartë të ndikojë në këtë proces. Prandaj nuk do t’i vija në të njëjtën peshore zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Kuvendi dhe Qeveria duhet të vazhdojnë punën deri në fund të mandatit, për të garantuar stabilitet politik për qytetarët. Zgjedhjet lokale janë temë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që partneri juaj i koalicionit, Aleanca për Shqiptarët dhe Taravari të mbeten në Qeveri?

Afrim Gashi: Kjo është çështje që do ta vendosin liderët politikë të VLEN-it. Ka sinjale për unifikim të koalicionit në një subjekt të vetëm politik. Nëse kjo ndodh, ata do të vendosin se si do të pozicionohen Aleanca për Shqiptarët dhe Taravari. Unë për momentin nuk do të hyja në këtë temë. Mendoj se, çfarëdo që të ndodhë, nuk do të ketë ndikim të thellë në politikat qendrore. Dhe gjithsesi nuk duhet të ndikojë aspak në zgjedhjet lokale – janë dy procese të ndryshme dhe qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se VLEN duhet të shndërrohet në një parti politike?

Afrim Gashi: Qytetarët duan stabilitet. Një nga arsyet kryesore pse dikush voton për një parti politike është ndjenja e qëndrueshmërisë që ajo i ofron. Ne ishim katër parti në koalicionin VLEN dhe duam të tregojmë se ky projekt është afatgjatë. Me stabilitetin që i ofrojmë qytetarëve, rritet besimi dhe potenciali për të tërhequr më shumë votues. Nuk është vetëm për numra, është për stabilitet politik.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që Ziadin Sela t’i bashkohet nismës suaj?

Afrim Gashi: Nuk e di, nuk është në dorën time kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Kuvendi në këtë përbërje ka punuar një vit. Si e vlerësoni punën e tij? Me notë nga një deri në pesë?

Afrim Gashi: Sinqerisht, ndihem ende si nxënës dhe nuk do t’i jepja vetes një notë. Por, në përgjithësi, Kuvendi ka përmirësime në disa fusha kyçe: funksionalitet, efikasitet, transparencë dhe diplomaci parlamentare. Këto përmirësime janë të matshme me të dhëna konkrete. Por në politikë perceptimi është shumë i rëndësishëm dhe ai ndryshon ngadalë. Në këto 30 vjet demokraci, qytetarët kanë zhvilluar perceptim negativ ndaj Kuvendit. Nuk mund ta ndryshojmë atë përnjëherë, por besoj se kemi hapur mjaft kanale për të liruar energjinë negative. Synimi im është që deri në fund të mandatit, edhe qytetari nga një fshat i thellë, që na sheh në televizior, të thotë: “Jam i lumtur që kemi këtë Kuvend”.

Radio Evropa e Lirë: Kuvendi u kritikua për mungesën e një seance komemorative për tragjedinë në Koçan. Cili ishte qëndrimi juaj?

Afrim Gashi: Tragjedia në Koçan na preku të gjithëve. U mblodhëm me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe biseduam si njerëz përgjegjës, jo si përfaqësues partish. Kishim konsensus se, në ato ditë zie, mosmbajtja e seancave parlamentare mund të interpretohej si mungesë respekti. Deputetët ishin aktivë në zonat lokale, morën pjesë në komemorime me qytetarët. Prandaj vendosëm të tregojmë respekt, jo me një seancë në sallë, por përmes veprimit tonë të përbashkët.

Radio Evropa e Lirë: Por ushtruesi i detyrës së kryetarit të Koçanit tha se ishte mungesë respekti.

Afrim Gashi: Një person nuk përfaqëson gjithë opinionin publik. Ai është kryetar i një qyteti, por nuk është vetë qyteti.

Radio Evropa e Lirë: A pajtoheni me qëndrimin e kryeministrit Mickoski që nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese derisa Bullgaria t’i përmbushë detyrimet e saj ndaj minoriteteve?

Afrim Gashi: Nuk dua të komentoj qëndrimet e të tjerëve. Është e ditur se të gjitha partitë shqiptare, përfshirë VLEN-in, mbështesin nisjen e negociatave me BE-në. Por ka edhe një ndjeshmëri të madhe – edhe gjatë marrëveshjes me Greqinë – që shqiptarët të jenë krah popullit maqedonas në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë së tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si shqiptarë. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Integrimi europian është qëllim strategjik, por duhet ruajtur kohezioni ndëretnik – shtylla kryesore e stabilitetit të shtetit.

Radio Evropa e Lirë: BE ka kërkuar që, në pritje të ndryshimeve kushtetuese deri më 2027, të përmbushen reformat e Planit të Rritjes. A është kjo përparësi?

Afrim Gashi: Ne jemi shteti i parë në rajon që ka përmbushur të gjitha obligimet e fazës së parë të Planit të Rritjes. Prandaj morëm dhe donacionin e parë nga BE. Reforma do të mbetet prioritet. Nuk mund të presim vetëm për ndryshimet kushtetuese. Ka shumë punë për t’u bërë: harmonizimi i legjislacionit, reforma gjyqësore, etj. Nëse ndryshimet kushtetuese mbeten për në fund, të paktën gjithçka tjetër të jetë përfunduar.

Radio Evropa e Lirë: Reforma në gjyqësor përfshin edhe ndryshimet në Kodin Penal. Kur pritet diskutimi dhe votimi?

Afrim Gashi: Po punohet intensivisht. Gjykata Kushtetuese dha rekomandime për Kodin Penal dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike. Kemi krijuar grupe pune. Ligji për komunikimet është dorëzuar në Qeveri sepse kërkon ekspertizë të veçantë. Ne jemi të përqendruar edhe në reformat tjera. Reforma në drejtësi është prioritet i yni, jo vetëm për BE-në. Na duhet një sistem gjyqësor i besueshëm për vete, pastaj hapen edhe dyert për kapitujt negociues.

Radio Evropa e Lirë: A pritet që në qershor të përmbushen afatet?

Afrim Gashi: Do të varet nga grupet punuese. Kuvendi nuk ka ekspertizën teknike për çështje si komunikimet elektronike, por jemi shumë efikasë në procedimin e ligjeve. Çdo ligj që vjen në fillim të muajit, e votojmë brenda atij muaji. Ka rregull, parashikueshmëri, seanca të rregullta çdo muaj. Dhe për reformat, jemi të përkushtuar ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur, sapo të marrim propozimet e përgatitura.

Radio Evropa e Lirë: Ku qëndron ligji për përfaqësim të drejtë – i ashtuquajturi “balancues”?

Afrim Gashi: Ka vullnet politik, është kërkesë kushtetuese. Po punohet me kujdes për të mos pasur probleme me kushtetutshmërinë apo opinionin e Komisionit të Venecias. Synimi është që të miratohet një ligj funksional, pa dilema. Nuk ka afat zyrtar, por jam shumë optimist se deri në fund të muajit do të arrijë në Kuvend. Dhe do ta procedojmë menjëherë sipas Rregullores.

Radio Evropa e Lirë: Filluat me shumë premtime për reforma në Kuvend, për digjitalizim, por ajo që doli e para ishte shpallja për logo të re. A është kjo më e rëndësishmja?

Afrim Gashi: U prezantuan dy mjete të reja. Pas çdo seance, ajo do të ngarkohet në YouTube dhe qytetarët apo gazetarët do të mund t’i bëjnë pyetje inteligjencës artificiale për secilin diskutant, për votimet, e kështu me radhë. Do të ketë edhe mjet për komunikim të drejtpërdrejtë me deputetët, për takime virtuale apo fizike. Transparenca dhe llogaridhënia do të rriten ndjeshëm. Logoja e re është pjesë e trendit për t’u përshtatur me kohën dhe për t’i dhënë hapësirë edhe kreativitetit dizajnerëve. Do të vendoset nga një komision profesional. Çdo gjë që është funksionale për Kuvendin dhe për qytetarët, është për të mirën e përbashkët.

Në vitin 2016 gazeta Italiane la Repubblica publikon statistikën e qytetarëve të Maqedonisë

Në vitin 2016 gazeta Italiane la Repubblica publikon statistikën e qytetarëve të Maqedonisë, e cila ishte publiku nga shërbimi sekret CIA në Amerikë! Sipas CIA-s në R.M.V në vitin 2016 kemi qenë 800,000 Shqiptarë ose 40% ndërsa Maqedonë 55% ose 1,100,981 banorë ! Kjo duhet të Shpërndahet nga të gjithë Shqiptarët!/StrugaPost

Skandal në Maqedoninë e Veriut- Shiti sekretet shtetërore te bandat kriminale, arrestohet truproja e kryeministrit Mickoski

Truproja personale e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, Angel Saramakov është arrestuar dhe është dërguar në burgun e Shkupit ditën e sotme, ndërsa pritet që ndaj tij të ngrihet një kallëzim penal për zbulime të sekreteve zyrtare.

Sipas informacioneve nga policia, Saramakov dyshohet se në këmbim të parave ka ndarë sekretet zyrtare që posedonte me anëtarët e klanit mafioz Grërçec.

Saramakov është denoncuar disa herë në kontrollin e brendshëm dhe ai personalisht është ankuar se është degraduar dhe është paraqitur në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Diskriminimit.

Deri në prill të vitit 2024 ka punuar në SPB të Velesit si inspektor i lartë për vepra pronësore, ndërsa nga prilli si inspektor për kontrolle në mjekësinë ligjore. bw

Arrestohet ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi mes të dyshuarve për ngjarjen me 59 viktima

Ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është arrestuar dhe vendosur në paraburgim pasi dyshohet se Ministria që ai drejtonte ka lëshuar licencën e falsifikuar për funksionimin e lokalit të natës ku ndodhi tragjedia që i mori jetën 59 personave dhe shumë të tjerë u lënduan.

Ai është në mesin e 23 të dyshuarve për tragjedinë në klubin e natës ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Nga ana tjetër, BDI dhe LSDM thonë se rasti nuk duhet të politizohet, por të hetohen të gjitha institucionet që mund të lidhen me rastin në fjalë.

Gjatë ditës së hënë edhe kreu i komunës së Koçanit, Lupço Papazov dha dorëheqjen.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka deklaruar se për këtë ndodhi duhet të ketë përgjegjësi, duke shtuar se “asgjë s’është më e rëndësishme se jeta e një të riu”.

“Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova dhe theksoi se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësi dhe nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë.sn

Krejt çfarë dihet deri tani për zjarrin vdekjeprurës në klubin e natës në Maqedoninë e Veriut

Pamje nga lart e klubit të natës pas zjarrit vdekjeprurës në Koçan, Maqedoni e Veriut.

 

Radio Evropa e Lirë

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u zgjuan të hënën për ta nisur mbajtjen e një jave të gjatë të zisë kombëtare, një ditë pas zjarrit vdekjeprurës në një klub nate që tronditi vendin duke vrarë dhjetëra njerëz dhe plagosur qindra të tjerë.

Të paktën 59 njerëz u vranë dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, në orët e hershme të së dielës, thanë autoritetet.

Autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe kanë arrestuar dhjetëra të dyshuar në lidhje me zjarrin, përfshirë zyrtarë qeveritarë.

Çfarë ndodhi në klubin e natës?

Zjarri në klubin e natës në Koçan shpërtheu në orët e hershme të të dielës pasi shkëndijat e mjeteve piroteknike, të përdorura për efekt ndriçimi, ia vunë flakën çatisë, thanë autoritetet.

Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu teksa bendi ADN po përformonte.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan se çatia prej llamarine e klubit u dogj dhe u shemb në disa vende, duke lënë të ekspozuara dhe të nxira trarët e tij të brendshëm prej druri.

Deri tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.

Mbi 155 persona janë shtruar në spitale – kryesisht në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se 20 prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë.

Më shumë se 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare, sipas ministrit të Brendshëm, Pance Toskovski.

Disa pacientë u dërguan për mjekim në Bullgari, Serbi dhe Greqi, thanë autoritetet.

Hetimi

Autoritetet maqedonase premtuan hetim të shpejtë dhe të plotë, duke thënë se po sigurohet dokumentacioni për diskotekën e djegur, si dhe për personat e dyshuar të lidhur me zjarrin.

Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, tha se pesë prokurorë janë angazhuar për ta hetuar ngjarjen.

“Për momentin, janë lëshuar urdhra për mbledhjen e provave” dhe po merren në pyetje persona, tha Kocevski.

Toskovski tha se autoritetet kanë arrestuar anëtarë të grupit muzikor, djalin e pronarit të klubit dhe zyrtarë qeveritarë.

Ai shtoi se kanë identifikuar 20 të dyshuar në lidhje me zjarrin, 15 prej të cilëve janë në mbajtje.

Në mesin e të arrestuarve është edhe menaxheri i klubit të natës “Pulse”.

Klubi i natës nuk kishte licencë të vlefshme, sipas Toskovskit.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se licenca ishte lëshuar në mënyrë të paligjshme nga Ministria e Ekonomisë dhe premtoi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

“Pavarësisht se kush janë, nga cila institucion, nga çfarë niveli, nga cila parti apo profesion”, tha Mickoski.

Tragjedia e Koçanit, Papa Françesku mesazh ngushëllimi familjarëve të viktimave

Përmes një telegrami të nënshkruar nga Sekretari Kardinal i Shtetit, Pjetro Parolin, Papa Françesku ka shprehur ngushëllimet e tij pas zjarrit në një klub nate në Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën 59 persona, kryesisht të rinj.

Papa shprehu “ngushëllime të thella për familjet e viktimave” si dhe “afërsinë e tij shpirtërore me të lënduarit”, thuhet në telegramin dërguar peshkopit të Shkupit Kiro Stojanov. bw

Tragjedia- Tensionohet situata në spitalin e Koçanit, familjarët kërkojnë të afërmit e tyre. Qeveria shpall 7 ditë zie

Pas publikimit të shifrave të viktimave nga tragjedia e ndodhur në një diskotekë në Koçan, në Maqedoninë e Veriut, familjarët e personave që dyshohet se kanë qenë brenda godinës, kërkojnë informacion për të afërmit e tyre. Sic njofton TV Alsat, situata duket e tensionuar në spitalin e Koçanit.

Sipas ministrisë së Brendshme, dyshohet se nga zjarri që përfshiu godinën kanë humbur jetën 59 persona  dhe 155 janë plagosur. Qeveria maqedonase, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.

“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.

Qeveria mori vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare. bw

Të paktën 50 persona të vdekur si pasojë e zjarrit në një klub nate në Maqedoninë e Veriut

Radio Evropa e Lirë

Të paktën 50 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase për agjencinë e lajmeve MIA.

Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup.

Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë.

Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.

Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.

Autoritetet kanë thënë se do të deklarohen më vonë gjatë ditës.

BDI: Ligji për përdorimin e shqipes është miratuar mbi gjakun e dëshmorëve, s’do të lejojmë të ndryshohet

Nga BDI në një komunikatë për media theksojnë se si parti politike do të përdorin çdo mjet demokratik dhe institucional për të mbrojtur Ligjin për Përdorimin e Gjuhës Shqipe, pasi që siç thonë, është miratuar mbi gjakun e dëshmorëve.

Nga BDI theksojnë se nuk do të lejojnë të ndryshohet asnjë shkronjë pavarsisht kostos politike.

Deklarata e plotë e BDI-së.

“BDI riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur për mbrojtjen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe, një arritje e shenjtëruar nga sakrificat e dëshmorëve tanë.

Ne sigurojmë qytetarët se do të përdorim çdo mjet demokratik dhe institucional për të mbrojtur këtë ligj, edhe nëse kjo çon në një krizë të thellë politike.
Deklaratat e partive shqiptare të zgjedhura nga VMRO që synojnë të minojnë këtë përkushtim tregojnë pafuqinë, impotencën politike, servilizmin dhe inferioritetin e tyre ndaj partnerëve që i kanë zgjedhur për të shkelur mbi vullnetin e shqiptarëve.

BDI nuk do të lejojë që asnjë shkronjë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe të ndryshohet, pavarësisht kostos politike, sepse ky ligj është miratuar mbi gjakun e dëshmorëve.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, BDI është e gatshme të përballet në çdo kohë dhe nuk i konsideron këta frikacakë si kundërshtarë politikë.

Çdo shqiptar dhe qytetar e di, ashtu siç e dinë vetë udhëheqësit e VLEN-it se fati i tyre politik është i lidhur drejtëpërdrejtë nëse do e marrin ose jo mbështetjen e VMRO-s për kandidatët e tyre, andaj dhe janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim dhe të shkelin mbi çdo interes kombëtar.

Ata po të ishin të denjë për t’u matur me ne nuk do të luteshin natë e ditë që padroni i tyre të mos pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ata e kanë kuptuar se ndëshkimi i shqiptarëve i pret, ashtu siç i presin faqet më të errëta të historisë bashkëkohore të shqiptarëve”.

Mickoski përkujtoi viktimat maqedonase të Holokaustit: Të mos lejojmë që e kaluara të përsëritet

Kryeministri Hristijan Mickoski mbajti fjalim në Qendrën Përkujtimore të Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë.

Mickoski tha se mbi 7.000 hebrenj maqedonas u dëbuan në kampin Treblinka, ndaj nuk duhet kurrë të harrohet historia dhe ngjarjet e kaluara.

“Sot qëndrojmë me respekt, pikëllim dhe shpresë, duke kujtuar viktimat e Luftës së Dytë Botërore dhe tragjedinë e Holokaustit, që nuk e kurseu as Maqedoninë. Mbi 7000 hebrenj maqedonas u dëbuan në kampin Treblinka dhe jeta, historia dhe kultura e tyre u ndërprenë me forcë. Por historia nuk është vetëm një kujtim, është një mësim.

Detyrimi ynë është të ruajmë të vërtetën, t’i rezistojmë harresës dhe të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në tolerancë, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë. “Kurrë më” nuk është thjesht një frazë, është një premtim. Të mos lejojmë që e kaluara të përsëritet. I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave”, ka shkruar Mickoski në profilin e tij në Facebook. sn

Duke pritur Brukselin, Mickoski lidhet me një kamp tjetër

Kryeministrat e Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Viktor Orban dhe Hristijan Mickoski. Budapest, 04.03.2025

 

Zorana Gaxhovska Spasovska

Diplomacia në Maqedoninë e Veriut ka marrë një drejtim të ri – nuk heq dorë nga BE-ja, por po afrohet me vende që nuk janë në të njëjtën linjë me qëndrimet diplomatike të vendeve anëtare të Unionit, komentojnë analistët politikë për Radion Evropa e Lirë. Aktivitetet e fundit diplomatike në Uashington, Budapest dhe Stamboll interpretohen si një përpjekje për t’u inkuadruar në rigrupimin e ri global.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, vendosi që aktivitetet e tij diplomatike t`i forcojë në qendra të tjera botërore, në vend të Brukselit, pas vendimit për të pritur garanci nga Bashkimi Evropian (BE) se nuk do të ketë kërkesa të reja nga Qeveria bullgare për të bërë hapin e fundit drejt hapjes së kapitujve të negociatave të anëtarësimit.

Nga selia e BE-së përgjigja mbetet e njëjtë – negociatat formalisht do të fillojnë me përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës.

Vetëm javën e kaluar, Mickoski arriti një bashkëpunim të ngushtë me Hungarinë dhe Turqinë dhe ishte bashkësponsor i rezolutës së propozuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në të cilën Rusia nuk u përmend si agresor.

Në takimin në Budapest, me presidentin hungarez, Viktor Orban, u njoftua një zonë e re e përbashkët ekonomike midis Maqedonisë së Veriut, Hungarisë dhe Serbisë.

“Ky nuk është një zëvendësim për integrimin (në BE), por mund të konsiderohet si një çmim ngushëllimi për ndërtimin e një rajoni të përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Orban në konferencën e përbashkët për shtyp.

Më 28 shkurt, Mickoski nënshkroi një deklaratë të përbashkët politike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për krijimin e një Këshilli për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë. Erdogan tha se përveç bashkëpunimit ekonomik, me Mickoskin diskutuan edhe për çështje tjera globale, si konfliktet ushtarake në Ukrainë dhe Gaza.

“Këtu shkëmbyem disa mendime dhe për ne është thelbësore që në Ukrainë të vazhdojë dialogu dhe të zgjidhet ky problem në mënyrë paqësore. Për më tepër, në Palestinë kemi një mendim të përbashkët për krijimin e dy shteteve”, tha Erdogan.

Më herët, më 22 shkurt, Qeveria maqedonase ishte bashkësponsore e rezolutës së OKB-së, e propozuar nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Përfaqësuesit nga Maqedonia e Veriut në OKB votuan të përmbajtur si për rezolutën evropiane, ashtu edhe për atë amerikane.

Këto lëvizje diplomatike të Mickoskit kanë ngritur pyetje në publik nëse politika e jashtme maqedonase po ndryshon drejtim, përkatësisht nëse po largohet nga rruga e integrimit evropian, duke u afruar me partnerë strategjikë që nuk janë gjithmonë në të njëjtën linjë diplomatike me diplomacinë evropiane.

Mes SHBA-së dhe BE-së

Sipas ish-ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Uashington, njëherësh edhe profesor universitar, Vasko Naumovski, qëllimi strategjik i vendit është integrimi evropian, por ndërkohë po përpiqet të ndjekë një politikë të jashtme më autonome, pasi formalisht ende nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim në BE.

“Nëse Maqedonia (e Veriut) do t’i kishte filluar negociatat për anëtarësim, atëherë vetë BE-ja do të mund të ushtronte presion që Maqedonia (e Veriut) të harmonizohej me qëndrimet e saj. Por, në këtë situatë është e vështirë të thuhet nëse ekziston një qëndrim unik i të gjithë Bashkimit Evropian për çështjet kyç, duke ditur se një pjesë e mirë e vendeve anëtare të BE-së nuk janë konsistente në qëndrimet e tyre”, thotë Naumovski.

Ai vlerëson se marrëdhëniet që ka vendi me BE-në duhet të vazhdojnë në kuadër të zgjerimit të Unionit, por sa i përket çështjeve të politikës së jashtme, afrimi me qëndrimet e SHBA-së do të thotë që vendi të ketë një pozicion që nuk do të jetë gjithmonë i përputhshëm me shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

“Pozicioni ynë duhet të kërkohet diku ndërmjet qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së”, shton Naumovski.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nenad Markoviq, vizitat dhe takimet e shpeshta të Mickoskit me politikanë nga Uashingtoni, Budapesti dhe Stambolli i sheh në kuadër të filozofisë sovrane të veprimit.

Rigrupimi i kampeve

Blloku sovran është një aleancë politike e caktuar, ndonjëherë edhe joformale, e partive ose individëve që përqendrohen në mbrojtjen dhe forcimin e sovranitetit kombëtar.

Markoviq vëren se në atë bllok politik ekziston një lloj koordinimi ose marrëveshjeje për hapat e ardhshëm të përbashkët. Për të, kjo është e pritshme, duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE-ja dhe Mickoski e sinjalizuan këtë që para zgjedhjeve.

“Është shumë e qartë se mesazhi nga Qeveria jonë është se nuk mbështetet shumë në BE, se nuk mbështetet shumë në ndonjë qëndrim të përbashkët, pra se iniciativat do të jenë bilaterale ose multilaterale në bllokun politik që përmenda më parë. Është e qartë se kampet politike po rigrupohen në nivel global dhe ne po lidhemi me një kamp krejtësisht të ndryshëm, në një mënyrë që deri tani është mjaft e re dhe e paeksploruar. Do të shohim se cilat do të jenë rezultatet”, thotë Markoviq.

Analisti politik Bllagojçe Atanasovski mendon se kryeministri Mickoski dhe ministri i jashtëm Timço Mucunski, po largohen nga BE-ja.

“Ky është përfundimisht një impuls për një kurs të ri, pra braktisja e konceptit të integrimeve evropiane”, thotë Atanasovski.

Por, Markoviq mendon se aktivitetet e shtuara diplomatike në Uashington, Budapest dhe Stamboll nuk përfaqësojnë “kthim shpine ndaj BE-së”, por një përpjekje për të gjetur një ekuilibër midis dy rrëfimeve në politikën e jashtme.

“Ajo që më pak ose më shumë me sukses po bëjnë (Aleksandar) Vuçiqi, deri diku edhe (Viktor) Orbani, me atë që Orban vepron pak më radikalisht nga brenda, pak më ndryshe. Serbia dhe Maqedonia (e Veriut) nuk janë në BE, kështu që duhet të kenë pak më shumë takt dhe më shumë ndjeshmëri për këto çështje. Megjithatë, mesazhi është i qartë – Ne mendojmë se më tej nuk mund të vazhdohet nën këto kushte, dhe e vendosim atë në një lloj stand-by politik, duke u përpjekur të lidhemi me një rrëfim tjetër. Si do ta përjetojë këtë BE-ja mbetet të shihet”, thotë Markoviq.

Për Naumovskin, strategjia e re diplomatike e Qeverisë nuk është arsye për largim nga rruga evropiane, por përkushtimi i pamjaftueshëm i vetë vendeve anëtare të Unionit ndaj procesit të zgjerimit.

Normalja e re

Për vetëm tetë muaj, sa është në detyrë, Mickoski e ka vizituar tri herë Uashingtonin, përfshirë këtu edhe inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump.

Pas pjesëmarrjes në Konferencën për Veprim Politik Konservator (CPAC) në Uashington, Mickoski deklaroi se nga atje “vjen normalja e re” dhe ai dëshiron të jetë i pari që e kap atë.

“Duhet të zëmë terrenin dhe të gjejmë veten në normalen e re, kjo është fushata ime. Nga ana tjetër, duhet të themi se cili është frustrimi dhe dhimbja jonë”, tha Mickoski në Konferencën në Uashington.

Më parë, në janar, kryeministri maqedonas mori pjesë në inaugurimin e Donald Trumpi, dhe ishte në Uashington në fillim të mandatit të tij duke udhëhequr delegacionin që mori pjesë në Samitin e NATO-s.

Ndërkohë, gjatë mandatit të tij pas fitores në zgjedhjet e majit 2024, u mbajtën dy konferenca ndërqeveritare me të ashtuquajturin “partner i pabindur i BE-së”, Hungarinë, një vend nga i cili Qeveria e Mickoskit mori një kredi prej një miliard eurosh. E para ishte në shtator në Ohër, dhe e dyta u mbajt më 4 mars në Budapest.

Gjatë diplomacisë së intensifikuar të autoriteteve maqedonase, fokusi është edhe te bashkëpunimi ekonomik.

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, eksporti i Maqedonisë së Veriut në Hungari vitin e kaluar ishte 308 milionë dollarë, ndërsa importi i produkteve hungareze në vend ishte 232 milionë dollarë.

Produktet që arritën në tregun amerikan vitin e kaluar ishin me një vlerë totale prej 118 milionë dollarësh, ndërsa importi i produkteve amerikane në tregun e Maqedonisë së Veriut ishte 196 milionë dollarë.

Ndryshe nga këto dy vende, shkëmbimi tregtar turko-maqedonas është më i madh. Importi i produkteve turke vitin e kaluar ishte 816 milionë dollarë, ndërsa eksporti 165 milionë dollarë. Erdogan deklaroi se pret që këtë vit këto shifra të dyfishohen.

Partneri më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar ishte Gjermania. Gjithsej 40 për qind e të gjithë eksportit maqedonas të produkteve përfundon në tregun gjerman. Gjatë vitit të kaluar ky eksport ishte 3.3 miliardë dollarë, ndërsa importi maqedonas i produkteve gjermane ishte 1.3 miliardë dollarë.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Enis Shaqiri

Shkup: Akuza mes partive shqiptare për diskriminim në mbrojtje dhe ushtri

Enis Shaqiri

Partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar më 7 mars lidhur me mungesën, për siç tha, të përfaqësimit shqiptar në pozitat kryesore të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Këto pretendime u ngritën pas ndryshimeve në strukturat komanduese të ushtrisë, të nënshkruara një ditë më parë nga presidentja maqedonase, Gordana Silanovska-Davkova.

Sipas BDI-së, Agjencia e Inteligjencës, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Ushtarake nuk kanë asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse, duke e cilësuar këtë si një “kërcënim serioz për sigurinë e shtetit dhe një formë të spastrimit etnik në sistemin e sigurisë”.

“Në këtë situatë alarmante, partitë shqiptare në Qeveri duhet të ndërpresin rolin e avokatit të politikave antishqiptare dhe përjashtuese. Shqiptarët nuk do mbesin spektatorë, por do reagojnë për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre”, kumtuan të premten nga BDI.

Ndërkohë, sipas njoftimit të kabinetit të presidentes Silanovska-Davkova, me dekretet e nënshkruara, shefi i shtabit në Komandën e Operacioneve, gjeneral Mirce Gjorgoski, është emëruar komandant i Komandës së Operacioneve në Shtatmadhorinë e Ushtrisë, ndërsa gjeneral Orce Jordevi është emëruar drejtor i Shtatmadhorisë së Ushtrisë.

“Gjenerali i brigadës, Simeon Trajkovski, drejtori aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, është emëruar këshilltar i shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë për trajnim, ushtrime dhe mësime të mësuara”, thuhet në njoftim.

BDI ka ngritur gjithashtu shqetësime mbi integritetin e dy gjeneralëve të emëruar, Orce Jordev dhe Mirce Gjorgevski, duke pretenduar se ata kanë marrë përgjigje negative edhe nga NATO-ja për certifikatat e sigurisë. Kurse nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës – akuzuan se gjenerali Jordev, ka lidhje me strukturat ruse.

“Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, ndërsa Jordev nuk mori certifikatën e NATO-s katër vjet më parë, sepse ishte i lidhur me strukturat ruse përmes ‘Ujqërve të Natës’, thanë nga ASH – Sela.

Ndërkohë, Besnik Emini, i cili deri tani ishte komandant në Komandën e Operacioneve në Shtatmadhorinë e Ushtrisë, është emëruar këshilltar shtetëror për politikë dhe planifikim në Drejtorinë për Politikë dhe Planifikim, menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin civilo-ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes.

Nga BDI thanë se zhvendosja e gjeneralit Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve, pozitë që sipas partisë përfshin rreth 80% të kapaciteteve operative të ushtrisë, drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, përbën “goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri”.

Partia i bëri thirrje NATO-s dhe aleatëve ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj këtyre veprimeve dhe të sigurojnë që Maqedonia e Veriut të mbetet e angazhuar ndaj vlerave demokratike dhe partneriteteve strategjike.

Nga kabineti i Silanovska-Davkovas nuk kanë komentuar këto pretendime, por në njoftimin për emërimet thuhet se dekretet hyjnë në fuqi menjëherë dhe se emërimet janë bërë në përputhje me dispozitat e Ligjit të Mbrojtjes.

Po ashtu, nga Zyra e presidentes maqedonase informuan se kolonel Lulzim Nuredini është emëruar komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës dhe me dekret të Presidentit është ngritur në gradën gjeneral brigade.

“Vendosja e një oficeri shqiptar në një pozicion me ndikim të kufizuar nuk kompenson përjashtimin e udhëheqësve shqiptarë nga komandat operative kritike”, shtuan nga BDI.

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur dy ministra të Mbrojtjes shqiptarë në vitet 2011-2014. Partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së, koalicioni VLEN, akuzoi BDI-në se gjatë kohës që ata ishin në pushtet nuk ka pasur më shumë se dy gjeneralë shqiptarë.

“Por, tani me VLEN-in në pushtet, kemi tre gjeneral shqiptarë për tetë muaj qeverisje. BDI duhet ta kuptojë dhe pranojë se ne po avancojmë shqiptarët, por edhe ashpër po luftojmë krimin dhe korrupsionin. Tani, nuk kanë faj një popull i tërë shqiptar të durojë gënjeshtrat e shpifjet e tyre, që një grusht njerëzisht nga klani i turpit janë të korruptuar e të rrezikuar aktualisht”, thanë nga VLEN.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, nga ky koalicion, gjatë një bisede me Zërin e Amerikës, në janar të këtij viti, deklaroi se shqiptarët në hierarkinë ushtarake përfaqësohen me 50 për qind.

Megjithatë, ka paqartësi rreth numrit të drejtuesve të sektorëve në Ministrinë e Mbrojtjes.Në faqen e internetit të kësaj ministrie nga 18 emra që figurojnë, dy duket të jenë shqiptarë, teksa shumica e tyre në këto poste janë të autorizuar, që nënkupton ushtrimin e përkohshëm të detyrës.

Në Maqedoninë e Veriut po planifikohet edhe hapja e një konkursi për pranimin e 300 ushtarëve, dhe pritet të publikohet së shpejti. Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, theksoi se gjatë përzgjedhjes nuk do të merren parasysh kuotat etnike, por do të pranohen të gjithë ata kandidatët që plotësojnë kushtet e konkursit.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, të gjithë ata që duan të përfshihen në sistemin e sigurisë. Dhe këtu nuk ka përqindje, kushdo që plotëson kushtet, do të pranohet. Të gjithë ata që duan të marrin pjesë në mbrojtjen e atdheut të tyre”, tha Mickoski, të mërkurën.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025 është rreth 332 milionë euro, një rritje prej rreth 5.2 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s që nga 27 marsi 2020, pas marrëveshje për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, pas vitesh mosmarrëveshjeje mes Athinën, pasi Greqia pretendon se një prej rajoneve të saj quhet Maqedoni. REL


Send this to a friend