VOAL

VOAL

Maqedoni, parlamenti miraton propozimin për ndryshimin e emrit

October 20, 2018
blank

Komentet

blank

Protestë në Tetovë; kërkohet zbulimi i fajtorëve të zjarrit që u mori jetën 14 personave

VOA/Isak Ramadani

Dy vjet pas zjarrit që u mori jetën 14 personave në spitalin e koronavirusit në Tetovë, sot një grup qytetarësh protestoi përgjatë rrugëve nga spitali i qytetit deri tek Prokuroria Themelore për shkak të mosgjetjes dhe mosdënimit të fajtorëve.

Familjarë të viktimave dhe në përgjithësi opinioni publik u zemëruan në veçanti pas një dokumentari të shfaqur para pak javësh, që zbuloi se ndërtimi i spitalit modular ishte bërë jashtë standardeve të duhura dhe punimet i kishte bërë kompania e ish-zëvendës-kryeministrit Koço Angjushev, i lidhur ngushtë me ish-Ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe me ish-Kryeministrin Zoran Zaev.

Prokuroria akuzoi dy drejtorë dhe një mjek të spitalit të Tetovës. Dy drejtorët morën dënime me kusht me nga një vit e gjysmë, ndërsa mjeku u lirua nga akuzat.

Protesuesit kërkuan që prokuroria të hapë një proces të ri gjyqësor. Ata gjithashtu kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit të vendit dhe prokurorëve të Tetovës, të cilët e proceduan rastin. Ata mbanin parulla ku shkruhej: “32 vjet shtet, 32 vjet korrupsion”.

Godina e djegur nga zjarri dy vite më parë në Tetovë (9 shtator 2021)

Godina e djegur nga zjarri dy vite më parë në Tetovë (9 shtator 2021)

Prokuroria Publike thotë se ende po bëhen hetime lidhur me tenderin për ngritjen e spitaleve modulare.

Ndërkohë, një skandal tjetër në Klinikën e Onkologjisë në Shkup ende mbetet pa zgjidhje. Prokuroria po punon për zbulimin e rastit të vjedhjes së ilaçeve për të sëmurët nga kanceri me qëllim shitjen në tregun e zi jashtë vendit. Ende nuk janë ngritur akuza, teksa Ministria e Shëndetësisë dhe drejtuesit e klinikës kanë lënë të kuptohej se një infermiere, tanimë e pezulluar nga puna, ishte parë në të kaluarën duke vjedhur ilaçet.

Rasti ka marrë dimensione politike në Maqedoninë e Veriut.

blank

Kryetari i Tetovës reagon ashpër pasi ftohet nga Gjykata maqedonase për dëshmi

Pas ftesë nga Gjykata Themelore e Tetovës ku Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, akuzohet se në rastin e pritjes së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Përdorimin e Simboleve Shtetërore, Flamurin dhe Hymnin në Maqedoni të Veriut, Kasami ka shprehur indinjatë të thellë me autoritetet, ku madje është shprehur se ‘është duke vdekur regjimi” dhe se ato duhet “t’i numërojnë ditët’.

“Edhe një tentim për frikësim dhe heshtje, që më bën të kuptoj se sa frikë e kanë opozitën shqiptare.

Me këto akte, po na e shtoni kurajon. Po e përsëris, koha e frikësimit dhe shantazhimit të shqiptarëve ka vdekur, ashtu siç është duke vdekur regjimi juaj. I detyrohemi vetëm qytetarëve dhe këtij populli, sa për regjimet e këtilla, nuk jemi frikësuar as në kohën e komunizmit, as tani.

Koha juaj ka përfunduar. Numëroni ditët!”, ka shkruar Kasami.

blank

Mickoski: S’i votojmë ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet e reja rrugëdalja e vetme

Isuf Kadriu

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka bërë thirrje të shtunën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke thënë se ato janë “rrugëdalja e vetme” e Maqedonisë së Veriut nga kriza e thellë politike.

Ai bëri këto komente vetëm një ditë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e mbylli debatin për ndryshimet kushtetuese, por pa hedhjen e tyre në votim pasi shumica parlamentare nuk i kishte votat e nevojshme prej dy të tretave.

Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për procesin e integrimit evropian dhe kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me “propozimin francez” për zgjidhjen e kontesteve me Bullgarinë.

“Nuk ka çmim me të cilin do t’i pranonim këto ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar. Për këtë çështje nuk duhet humbur asnjë sekondë. E vetmja rrugëdalje e arsyeshme nga situata tani janë zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski më 19 gusht në një konferencë për media në Shkup.

Seanca për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht nuk zgjati më shumë se tri orë, edhe pse ishte paraparë që debati të zgjatë dhjetë ditë.

Opozita mori pjesë vetëm në caktimin e rendit të ditës, për të cilin votuan 70 deputetë, që për VMRO DPMNE-në ishte “dëshmi se shumica nuk ka 80 votat e domosdoshme për t’i votuar ndryshimet” prandaj edhe lëshoi mbledhjen.

Qëndrimet e tyre mbi “rëndësinë e miratimin e ndryshimeve kushtetuese” i paraqitën partitë në pushtet, por seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj për aktin e votimit mund të mbahet vetëm nëse shumica e njofton kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi, se i ka siguruar votat e nevojshme.

“Autoritetet ngushëllohen dhe bëjnë llogaritë se e kanë lënë të hapur derën për ndryshime kushtetuese duke mos e mbyllur qëllimisht seancën dhe se bashkësia ndërkombëtare tani do të bëjë presion. Kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk tregojmë triumfalizëm, as gëzim, sepse gjërat janë shumë serioze, dhe Maqedonia është në një situatë shumë të vështirë”, tha Mickoski.

VMRO DPMNE-ja thotë se mbështet ndryshimet vetëm pas marrjen së garancive nga BE-ja se Sofja nuk do të paraqesë kushtëzime tjera. Kjo parti kërkon që ndryshimet të miratohen pas përfundimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, apo pasi vendi të jetë anëtarësuar në union.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi ndryshimin e Kushtetutës dhe futjen e bullgarëve në të, pasi në vitin 2022 Sofja hoqi veton për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Hyrja në BE është rruga jonë e vetme. Por, jo me çmimin e vetëmohimit, as me çmimin e një diktati që është kutia e Pandorës për shpifje të identitetit dhe hapjen e derës për shumë kërkesa të tjera”, tha Mickoski.

Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit Dimitar Kovaçevski reagoi ndaj vlerësimeve të Mickoskit, duke thënë se kreu i VMRO DPMNE-së “edhe njëherë konfirmoi se është kundër BE-së dhe dëshiron të bllokojë të ardhmen evropiane të vendit”.

LSDM-ja tha se në javën në vijim do të vazhdojë me përpjekjet për të siguruar dy të tretat e votave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Koalicioni pro-evropian i udhëhequr nga LSDM-ja nuk do t’i nënshtrohet sjelljes së tillë të papërgjegjshme dhe joshtetërore të Mickoskit. Nuk do të lejojmë që qytetarët, e ardhmja e tyre, shteti të bllokohet nga DPMNE”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Partitë shqiptare i kanë dhënë mbështetjen ndryshimeve kushtetuese, por kanë kërkuar që procesi të përfshijë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e cila njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës në Maqedoninë e Veriut.

blank

Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit

Pamje nga pritja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Çair të Maqedonisë së Veriut.

Isuf Kadriu

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për, siç ka thënë, “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale.

“Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023, në rrugën ‘Ferid Murati’ në Shkup dhe në sheshin e qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

Në komunikatën me shkrim është thënë se “Policia do t’i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’”.

Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore, neni 30, parasheh dënime prej 1.000 deri në 5.000 euro në rast se personi publik bën shkeljen e dispozitave, respektivisht nëse nuk përdor këto simbole në manifestimet e përcaktuara me dispozitat tjera ligjore.

Marrja në pyetje është konfirmuar edhe nga kryetarët e dy komunave, të cilët veprimin e autoriteteve e kanë quajtur “komunist” me qëllim “frikësimi”.

“Komunizmi këtu nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e [Arben] Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur”, ka thënë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami përmes një postimi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami.

Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë ka marrë pjesë në përurimin e një rruge në Malësinë e Tetovës.

Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës kanë folur për nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash, që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, respektivisht përdorimi i ikonografisë shqiptare gjatë manifestimeve të organizuara, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite.

blank

Vizita e Kurtit në Tetovë trazon Shkupin dhe Beogradin, reagon dhe Pendarovski: Të dënohen organizatorët!

Vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë ka nervozuar Shkupin dhe Beogradin, teksa presidenti Aleksandër Vuçiç dhe homologu i tij Stevo Pendarovski e kanë cilësuar si “skandal”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kryer një vizitë joformale në Tetovë ku ka takuar vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka dënuar faktin që brenda territorin e tyre është organizuar një manifestim në të cilin nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë.

Për këtë ka reaguar ashpër edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Pendarovski ka kërkuar që ligji të merret me organizatorët, pasi ata përhapën ide shoviniste, që ndezin urrejtje dhe provokim nacionalisht duke komentuar përdorimin e flamujve “Autochtonus” gjatë këtyre tubimeve.

“Theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha përfaqëson ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat themelore të Marrëveshjes Kornizë, si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, thuhet në reagimin e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, me rastin e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka bërë thirrje që organizatorët e tubimeve në Tetovë e Çair të sanksionohen ligjërisht.

”Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. I bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë t’i kryejnë procedurat e parapara”, nënvizoi Pendarovski në reagim.

Më tej, Pendarovski ka reaguar edhe me riemërtimin e një rruge në Çair me emrin e Adem Demaçit.

“Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit, sipas reagimit të Pendarovskit, është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në shtet.

Në këtë kuptim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, ku duhet të përfshihen edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, thuhet në reagimin e Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski.

Ndërkohë, në lidhje me vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë ashpër ka reaguar edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ai e quajti vizitën një skandal pasi sipas Vuçiçit, Kurti promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe”.

“Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”, tha Vuçiç.bw

blank

Beteja me dezinformatat ruse në Maqedoninë e Veriut

Isuf Kadriu

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Rusia ka bërë gjithçka për të rritur ndikimin e saj në Maqedoninë e Veriut, sipas të të ashtuquajturit koncept i “fuqisë së mprehtë”, tregojnë të dhënat e një studimi të asociacionit civil “Most”.

Ky hulumtim analizon propagandën ruse, ndikimin dhe narrativat dezinformuese lidhur me luftën në Ukrainë, e që janë të pranishme online në Maqedoninë e Veriut në periudhën mars 2022 – shkurt 2023.

Një koncept i tillë i “fuqisë së mprehtë”, siç thuhet në studim, zbatohet veçanërisht përmes promovimit të vëllazërisë sllavo-ortodokse dhe shfrytëzimit të kishës për qëllime të tilla.

“Ndikimi rus e tërheq popullsinë në konceptin e vlerave të përbashkëta me “vëllezërit sllavë dhe ortodoksë nga Rusia që nuk kanë asgjë të përbashkët me botën perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, duke inkurajuar kështu rezistencën ndaj Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s”, thuhet në studim.

Sipas hulumtimit, “narrativat armiqësore ruse në Maqedoninë e Veriut” në vitin e parë të agresionit rus kundër Ukrainës kishin pesë synime kryesore; arsyetimin e agresionit, portretizimin e Ukrainës si kërcënim për ekzistencën e Rusisë për shkak të afërsisë së saj me Perëndimin dhe nazizmin e pretenduar, përmes narrativave “Laboratorët e armëve biologjike në Ukrainë dhe se ukrainasit janë nazistë”.

“Ky ndikim i jashtëm është i dëmshëm. Është një propagandë që përçan hapësirën informative duke bërë përpjekje për të rritur ndikimin te qytetarët përmes manipulimeve të ndryshme. Synimet tjera kishin të bëjnë me plasimin e dezinformatave se sanksionet dëmtojnë Perëndimin më shumë se Rusinë dhe krijimin e perceptimit se Perëndimi dëshiron të shkatërrojë Rusinë për shkak të botëkuptimit të saj ortodoks, një tregim që është promovuar nga zyrtarët rusë, si dhe aleatët dhe propaganduesit rusë”, ka deklaruar Rosana Aleksoska, nga asociacioni civil “Most”.

Një synim tjetër i dezinformatave ruse, sipas hulumtimit, kishte të bënte me kthimin në të kaluarën përmes manipulimeve lidhur me ngjarjet në Jugosllavi, si dhe duke promovuar narrativën “Kosova është Serbi, Donbasi është Rusi”.

“Të gjitha këto synime, sipas studimit, kanë qëllime përçarëse dhe synojnë të nxisin ndjenjën anti-perëndimore në audiencë, duke bërë gjithçka për të penguar integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit. Maqedonia e Veriut dhe Ballkani janë lart në agjendën e Kremlinit”, thuhet në studim.

Ndërkohë, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut është i pranishëm në veçanti në dhjetë vjetët e fundit.

“Maqedonia e Veriut llogaritet si një nyje, një udhëkryq apo si një terren, në të cilin shumë më lehtë ushtrohet strategjia e Rusisë që të ketë një ndikim të madh me një kosto të vogël. Këtë ajo e arrin me propagandën e saj duke nxitur përçarje në baza etnike dhe religjioze dhe duke joshur kështu popullatën ortodokse dhe sllave që të bashkohet rreth Moskës si një promotore dhe mbrojtëse e interesave sllave”, thotë Neziri.

Ai shton se kjo propagandë bëhet me një kosto të lirë përmes mediave të ndryshme, kryesisht portaleve dhe rrjeteve sociale.

“Është një ndikim me një kosto shumë të lirë dhe efikase, sidomos te gjeneratat e reja andaj institucionet tona, sikur edhe vendet tjera të Ballkanit duhet të kenë strategji konkrete që t’i përgjigjen kësaj lufte hibride që ka për qëllimin devijimin nga qëllimet strategjike të këtyre vendeve drejt integrimeve euroatlantike”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti Neziri.

Studimi i asociacionit civil “Most”, bazohet në gjetjet dhe rekomandimet e bëra në studimin “Dezinformimi dhe shtrembërimi i informacionit në Maqedoninë e Veriut”, botuar nga “Most” në dhjetor 2021.

“Autoritetet, partitë politike, komuniteti akademik, sektori privat, mediat dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet të njohin praninë e ndikimit malinj rus në vend. Pasi të bëhet kjo, duhet të hartohet, miratohet dhe zbatohet në mënyrë konsistente një plan strategjik afatgjatë për të luftuar ndikimin e huaj malinj, si dhe një plan afatgjatë komunikimi strategjik”, thuhet në studimin e asociacionit civil “Most”.

blank

Ahmeti: Japin dorëheqje ministrat e BDI-së në Qeveri

Isuf Kadriu

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka thënë të dielën se ministrat dhe funksionarët e partisë që udhëheq ai, kanë dhënë dorëheqje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se vendimi për dorëheqje është marrë “duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës [VMRO DPPMNE-së] se do t’i votonte ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria”.

Por, kreu i BDI-së, ka thënë se dorëheqjet e zyrtarëve të partisë së tij do të hyjnë në fuqi pasi të votohen ndryshimet kushtetuese.

“Duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota të shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar! Dorëheqjet, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita t’i votojë ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Ahmeti në njoftimin publik drejtuar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë pas një takimi me Kovaçevskin, më 7 qershor, se “VRMO-ja është e gatshme të mbështesë ndryshimet kushtetuese, nëse do të formohej një qeveri e re, pa BDI-në, si dhe nëse ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian”.

Por, një kërkesë e tillë e VMRO-së është refuzuar edhe nga Bashkimi Evropian, pasi ndryshimet kushtetuese duhet të hyjnë në fuqi para se të nisin bisedimet me BE-në për kapitujt e anëtarësimit.

Ndryshimet në kushtetutë duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues dhe bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve, ashtu siç bëri edhe në vitin 2020.

Opozita maqedonase është kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”.

Debati parlamentar për ndryshimin e kushtetutës ka nisur më 25 korrik, ndërsa seanca plenare është caktuar të mbahet më 18 gusht.

blank

Çfarë fshihet pas veturës së djegur që përdorej nga Artan Grubi

Vetura e djegur që përdorej nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, Shkup, 22 korrik 2023

Isuf Kadriu

Derisa Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokuroria Publike e Shkupit (PPP) po i vazhdojnë hetimet për zbulimin e autorëve dhe shkaqeve të djegies së një automjeti që shfrytëzohej nga zëvendëskryeministri Artan Grubi, në publik po vazhdojnë debatet rreth pronësisë së këtij automjeti tash e tri ditë me radhë.

Incidenti ka ndodhur të shtunën, më 22 korrik, në lagjen Çair në Shkup, para banesës ku jeton zëvendëskryeministri Grubi.

Pas publikimit të lajmit në të gjitha mediat për djegien e veturës së Grubit, MPB-ja e konfirmoi incidentin, por edhe sqaroi se vetura e tipi Audi ishte në pronësi të një personi 35-vjeçar me inicialet B.L. nga Shkupi.

Nga Prokuroria publike thanë se menjëherë pas incidentit ishte dhënë urdhër për zbardhjen e rastit, por edhe për sigurimin e të dhënave për mënyrën dhe kohën e blerjes së automjetit, pronësinë dhe përdorimin e tij.

Artan Grubi, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Artan Grubi, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“Nëse kontrollet na dërgojnë në elemente për vepër penale, e cila ndiqet me detyrë zyrtare, Prokuroria do të veprojë në pajtueshmëri me kompetencat e saj ligjore”, tha Prokuroria në një njoftim, pa dhënë detaje të tjera.

Grubi: Djegia e veturës, akt tinëzar kundër angazhimit tim politik

Përmes një postimi në Facebook incidenti u konfirmua edhe nga vetë zëvendëskryeministri Grubi.

“I kërkoj ndjesë edhe shokut tim dhe familjes së tij për dëmin e shkaktuar vetëm për arsye të profesionit tim”, shkroi Grupi, duke lënë për kuptohej se automjeti nuk ishte në pronësi të tij.

Por, ai djegien e veturës e cilësoi si sulm ndaj “veprimtarisë sime politike”.

“Kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet e njëpasnjëshme i konsideroj si qyqare dhe tinëzare, por unë nuk e kam ndër mend të ndalem dhe të zmbrapsem nga puna dhe realizimi i pritshmërive të qytetarëve”, tha Grubi.

Megjithatë, derisa ai nuk pranon se vetura është e tij, zyrtarë të tjerë të BDI-së në të gjitha reagimet kanë folur për “djegien e veturës së zëvendëskryeministrit Artan Grubi”.

“Jam i indinjuar me aktin e neveritshëm, djegien e automjetit të zv.kryeministrit Grubi. Ky akt i urryer dhune nuk është vetëm sulm ndaj një kolegu të respektuar, por edhe një fyerje ndaj vlerave tona demokratike dhe strukturës së shoqërisë sonë”, thuhet në reagimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

BDI: Sulmi kundër Grubit, sulm kundër BDI-së

Madje, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) këtë e quajti edhe “sulm ndaj BDI-së nga një qendër hibride politiko-ekonomike që ka frikë barazinë”.

“Ata me çdo kusht po tentojnë të bëjnë dëm ndaj BDI-së duke e vlerësuar BDI-së si paradigmë e barazisë etnike në vend, me idenë se po e dëmtuam BDI-në, po e dëmtuam Ali Ahmetin, do ta pamundësojmë humbjen e monopoleve entike që kanë ekzistuar në këto 30 vite”, ka deklaruar Bujar Osmani në cilësinë e nënkryetarit të BDI-së, pas një mbledhjeje të organeve drejtuese të kësaj partie në Tetovë.

Asnjëri nga zyrtarët e kësaj partie nuk ka folur për pronësinë e veturës së djegur, apo pse e njëjta nëse është shfrytëzuar nga Grubi nuk është në emër të tij dhe nuk është paraqitur në listën anketuese të zyrtarëve të zgjedhur dhe emëruar.

Antikorrupsioni nuk mund ta hetojë djegien e veturës

Sipas dispozitave ligjore në fuqi, çdo person i zgjedhur dhe emëruar në Maqedoninë e Veriut, është i obliguar që të paraqesë gjendjen e tij materiale në listën anketuese të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).

Artan Grubi në listën e tij anketuese ka paraqitur vetëm një automjet “Citron” në vlerë prej 1,000 eurove.

Artan Grubi e ka paraqitur vetëm një automjet “Citron” në vlerë prej 1,000 eurove në Komisionin Antikorrupsion.

Artan Grubi e ka paraqitur vetëm një automjet “Citron” në vlerë prej 1,000 eurove në Komisionin Antikorrupsion.

Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Jovanovska, ka thënë se komisioni nuk mund ta hetojë rastin e djegies së veturës, pasi ajo nuk figuron në emër të Artan Grubit. Sipas saj, ky rast edhe një herë thekson nevojën e plotësimit të ligjit me të dhëna tjera mbi prejardhjen e pasurisë së personave të zgjedhur dhe të emëruar.

“Sjellja e ligjit për rrjedhën e pasurisë është më se i domosdoshëm. Në këtë rast ata do të jenë të detyruar ta paraqesin pronën, por jo vetëm pronën, por edhe burimet se si kanë ardhur deri tek ajo pronë. Në ligj, do të lihej hapësirë edhe hetimi i rasteve kur ata fshehin pronat apo i regjistrojnë ne emër të personave të tjerë”, tha Jovanovska

Por, lidhur me rastin në opinion dolën edhe pretendime për “lidhje të mundshme biznesi në këtë rast”.

Fokus: Djegia e automjetit nxjerr në sipërfaqe bizneset milionëshe

Javorja maqedonase “Fokus”, të dielën doli me një shkrim, në të cilin djegien e veturës e ndërlidhi me veprimtarinë e dy kompanive.

Sipas hulumtimit, pronari i veturës i mjetit të përdorur nga Artan Grubi është bashkëpronar i kompanisë “Eurocom Lighting”, një kompani që operon me humbje prej disa vitesh, por e cila siç bënë të ditur “Fokus”, ka blerë hotelin “Granit”, në qendrën turistike “Kodra e Diellit” në Tetovë për 55 mijë euro.

Sipas gazetës, blerja e hotelit ka ndodhur para se kompania e ndërtimit “Granit”, që posedonte hotelin, ta fitonte një tender prej disa miliona eurosh për rrugën Shkup-Bllacë.

VMRO DPMNE: Vetura jozyrtare, me drita rotative e sinjale zanore

Ndërkohë, djegia e automjetit ka nxitur edhe polemika të shumta politike, kryesisht nga opozita e cila kërkon hetimin e rastit, respektivisht ndjekjen e Artan Grubit për “fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe evazion fiskal”, por edhe për “keqpërdorime tjera në rastin konkret”.

“Nëse automjeti i djegur i Artan Grubit nuk ishte në pronësi të tij, por drejtohej në emër të firmës ‘Eurocom’, apo fqinjit të tij dhe Grubi e përdorte vetëm atë, atëherë kush e ka lejuar që një automjet që nuk është në pronësi të Ministrisë së Brendshme, apo të një organi tjetër shtetëror, të vendoset me drita rotative me sinjale zanore”, ka thënë deputeti i VMRO DPMNE-së, Dragan Kovaçki.

BESA: Grubi të tregojë të gjithë pasurinë e tij të fshehur

Lëvizja Besa ka kërkuar nga zëvendëskryeministri Grubi të dalë para opinionit dhe të sqarojë gjithçka që ka të bëjë me pasurinë e tij.

“Fakti që veturën e tij luksoze e ka regjistruar në emër të tjetër kujt, Artan Grubi duhet të japë llogari edhe sa prona të tjera të tij i ka të fshehura në emër të tjetërkujt, të familjarëve të tij dhe njerëzve tjerë të besueshëm. Nëse Grubi nuk e bënë këtë, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse si Komisionit për Anti-Korrupsion dhe Prokurorisë Publike t’i fillojnë hetimet për Artan Grubin në bazë të kompetencave të tyre”, thuhet në reagimin e lëvizjes Besa.

blank

Mbishkrime ‘vdekje për shqiptarët’ në qytetin e Gostivarit

Në disa objekte banimi në Gostivar janë shkruar mbishkrime me përmbajtje naziste dhe antishqiptare. Bashkë me parullën “Vdekje për shqiptarët”, janë vizatuar edhe simbole nënçmuese e ofenduese nga më të ndryshmet.

Mbishkrime të tilla janë shkruar në objektet banesore drejt stacionit të autobusëve, konkretisht tek banesat kolektive në rrugën “Mara Ugrinova”.

Qytetarët theksuan se këto mbishkrime përbëjnë kërcënim për tA. Sipas tyre ato janë shkruar në orët e vona të natës së kaluar ose herët mëngjesin e sotëm.

Rasti është denoncuar edhe në Polici nga ku kanë theksuar se ekipet policore do të ndërmarrin të gjitha masat për zbardhjen e rastit.

Klan Macedonia

blank

Shkup, Drejtuesi i OSBE-së me plan për shtensionimin e gjendjes në veri të Kosovës

VOA/Isak Ramadani

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani ua prezantoi sot në Shkup shefave të misionit te OSBE-së në Kosovë, Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut një plan disa-pikësh për shtensionimin e gjendjes në veriun e Kosovës. Plani, në fakt është identik me udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian të mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara. Zoti Osmani thotë se vendi i tij është mjaft aktiv në nxitjen e dialogut dhe uljen e tensioneve për shkak të rrezikut nga dëmevet e pariparueshme për rajonin.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së synon që organizata të ndihmojë në lehtësimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, por para së gjithash për shtensionimin e gjendjes në veriun e Kosovës.

Shefi i diplomacisë në Shkup shpreson se një udhërrëfyes apo plan nëntë-pikësh do të gjejë zbatim tek palët; ndonëse ky ‘udhërrëfyues’ nuk dallon shumë nga kërkesat që Brukseli dhe Uashingtoni ua kanë paraqitur Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova dhe Serbia të riafirmojnë përkushtimin për zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Dialogu nuk ka alternativë, marrëveshjet duhet të implementohen. Çdo mosimplementim i marrëveshjeve të arritura, vetëm humb besimin ndërmjet palëve dhe në këtë mënyrë tensionon edhe më tej situatën. Pikat tjera të udhërrëfyesit kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe nënkuptojnë: tërheqjen e menjëhershme të forcave speciale të Kosovës nga veriu i Kosovës, që nënkupton se policia e rregullt bashkë me KFOR-in dhe organizatat tjera të mbajnë rendin në veri. Kurse, Serbia të ulë nivelin e gatishmërisë ushtarake në veri të Kosovë. Të shpallen zgjedhje të reja në këto katër komuna, me qëllim të pjesëmarrjes së komunitetit Serb që do rikthejë legjitimitetin, legaliteti është aty, por legjitimitetin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës dhe në këtë mënyrë të krijohet besimi dhe rikthimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës dhe këtu OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë vetëm me ekspertizë, me këshilla dhe natyrisht me krijim të mirëbesimit për participimin e komunitetit serb atje, me fokus tek të rinjtë”, tha z. Osmani duke renditur disa prej pikave të ‘udhërrëfyesit’.

Zoti Osmani gjatë takimit me shefat e misioneve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadorët Jan Braathu në Serbi, Michael Davenport në Kosovë dhe Kilian Vahl në Shkup është shprehur se “udhërrëfyesi i ofruar inkurajon atmosferë të dialogut dhe të bashkëpunimit”, teksa ka diskutuar me ata lidhur me perspektivat e mundshme të shtensionimin të gjendjes midis dy vendeve fqinje të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Serbisë, por ka biseduar edhe mbi çështje të tjera rajonale.

Maqedonia e Veriut dëshiron të paraqitet si një shembull suksesi në rajon dhe më gjerë me Marrëveshjen e Ohrit që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe në këtë vijë edhe me organizimin e pritjes së takimit të Ohrit më 18 mars midis Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiç me ndërmjetësimin e Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrel dhe të dërguarve evropianë e amerikanë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Diplomatët perëndimorë po i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’i hapin rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës. Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Nga Serbia ndërkaq të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës. Por, asnjëra palë nuk ka dhënë shenja gatishmërie për të lëshuar pé.

blank

Kërcënohet kryetari shqiptar i komunës së Çairit në Shkup

Kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu ka denoncuar të premten në mbrëmje se është kërcënuar përmes telefonit nga një përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim. Zoti Ganiu e ka paraqitur rastin në polici, ku ka thënë se kërcënuesi ishte prezantuar si Muharrem Hasani dhe ishte shprehur se: “Ti dhe Izet Mexhiti do ta gjeni veten të palosur në rrugë” dhe se kishte vazhduar me sharje dhe ofendime të rënda.

Zoti Ganiu, i cili ndodhet në mandatin e tretë në krye të Çairit, një komunë e banuar me shumicë shqiptare brenda kryeqytetit, i ka thënë televizionit Alsat në Shkup se kërcënimet vijnë pas prononcimit në media se “zgjedhjet e kryetarëve të degëve të Bashkimi Demokratik për Integrim bien ndesh me statutin e partisë”.

Visar Ganiu është pjesë e fraksionit të BDI-së të njohur në publik si “grupi i zjarrit” ku bëjnë pjesë ish-nënkryetari i partisë dhe ligjvënësi Izet Mexhiti, dy deputetë të tjerë, kryetari aktual i komunës së Sarajit në Shkup, Blerim Bexheti dhe ish zyrtarë të lartë të BDI-së.

Aktualisht, partia më e madhe në pushtet, BDI ndodhet në një fushatë riorganizimi të brendshëm, përkatësisht të zgjedhjes së kryetarëve të degëve dhe nëndegëve të saj. Muharrem Hasani është kandidat për kreun e degës së Butelit në Shkup. Ai po ashtu është zëvendës-drejtor i Agjencisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut. Zoti Hasani ka përgënjeshtruar në rrjetet sociale akuzat e zotit Ganiu duke i quajtur shpifje dhe të pavërteta.

“Shpreh keqardhje për çdo tentativë për njollosjen e proceseve demokratike zgjedhore në BDI nga të vetlarguarit e familjes, e cila i lindi, i rriti dhe i solli këtu ku janë”, shkruan zoti Hasani.

Përplasjet brenda BDI-së filluan pas pakënaqësisë dhe reagimeve të zyrtarëve të njohur tani si “grupi i zjarrit” ndaj ministrave të BDI-së në qeveri, sidomos ndaj Zëvendës-kryeministrit Artan Grupi, për të cilin pjesëtarët e fraksionit thonë se vepron në pushtetin ekzekutiv pa u këshilluar me kryesinë e gjerë të partisë.

Ndërkohë, BDI-ja vlerëson se sipas statutit nuk mund të ketë fraksion brenda partisë dhe se kjo është një mënyrë për largimin e këtij grupi nga postet partiake. Ndërkaq, analistët thonë se “grupi i zjarrit” mund të formojë një parti më vete, eventualisht të bëjë koalicion në zgjedhjet e radhës me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut./VOA

blank

Nxirren nga Lepenci trupat e tre shtetasve të Kosovës

Ekipet e kërkim-shpëtimit duke nxjerrë makinën nga lumi Lepenc.

Isuf Kadriu

Njësitë speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim kanë nxjerrë nga lumi Lepenc tmakinën me tre trupat e pajetë të shtetasve të Kosovës, e cila të shtunën kishte rënë në lumë pas një aksidenti me një automjet tjetër.

Aksidenti ndodhi afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve, në Bllacë.

“Zyrtarët policorë të Njësisë Speciale Antiterroriste kanë gjetur të vdekur tre personat të cilët po kërkoheshin në lumë pas aksidentit të shtunën në rrugën Shkup- Bllacë. Është gjetur edhe automjeti BMW në të cilin ndodheshin personat, tashmë të vdekur”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Vetura që ra në lumin Lepenc, pas një aksidenti në afërsi të Shkupit.

Vetura që ra në lumin Lepenc, pas një aksidenti në afërsi të Shkupit.

Në veturën me targa të Kosovës ishin katër persona dhe njëri prej tyre ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin ranë në lumin Lepenc.

Personi është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori” në Shkup dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, ka bërë të ditur policia maqedonase.

Autoritetet maqedonase më herët gjatë 18 qershorit njoftuan se kanë ndaluar shoferin e automjetit me targa të Shkupit, që u aksidentua me makinën me targa të Kosovës.

“Sektori i punëve të brendshme në Shkup po vazhdon hetimet lidhur me incidentin në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë dhe me urdhër të prokurorit publik, drejtues i automjetit Volkswagen Turan, me inicialet B.B. është ndaluar për hetime të mëtejme”, thuhet njoftimin e MPB-së.

Në momentin e aksidentit, sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

Në operacionin e nxjerrjes së makinës kanë marrë pjesë edhe ekipe të kërkim-shpëtimit nga Kosova.

Në vendin e ngjarjes dolën edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.


Send this to a friend