Voltiza Duro – Duke u bazuar në të dhënat shkencore që vijnë nga bota, numri real i të infektuarve duhet të jetë disa fish më i lartë, në një kohë që po flitet që shifrat e personave të infektuar me SARS-CoV02 po manipulohen. Kjo është deklaruar nga Erion Dasho, ekspert i Shëndetit Publik, i cili gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare” flet lidhur me numrin në rritje të të infektuarve në vend. Ai thekson se nëse shifrat e të prekurve janë reale, tendenca e ditëve të fundit është shqetësuese pasi çdo ditë sjell një numër më të lartë rastesh. Dasho shton se gabimi më i madh i rihapjes ishte lënia në mëshirën të fatit të institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe nënvizon më tej se karantina nuk mund dhe nuk duhet të shikohet më si opsion.
Të martën është shënuar numri më i lartë lartë i rasteve ditore pozitive me COVID-19 (82 të infektuar brenda 24 orësh). A mendoni se këto shifra janë reale?
Unë besoj se numri real i të infektuarve me COVID-19, nuk dihet për dy arsye. E para është një arsye objektive. Ka një numër të madh personash që nuk manifestojnë shenja klinike, apo manifestojnë shenja klinike jo të rënda, e si pasojë nuk paraqiten për të kërkuar kujdes shëndetësor. Arsyeja e dytë është subjektive. Duke u bazuar në të dhënat shkencore që vijnë nga bota, numri real i të infektuarve duhet të jetë disa fish më i lartë. Është duke u përfolur se shifrat e personave të infektuar me SARS-CoV02 manipulohen. Uroj që kjo të mos jetë e vërtetë pasi në të kundërt do të krijonte konfuzion dhe do të vinte në pikëpyetje çdo përpjekje që po bëhet për të kontrolluar pandeminë. Nëse shifrat e të prekurve janë reale, tendenca e ditëve të fundit është shqetësuese pasi çdo ditë sjell një numër më të lartë rastesh. Pa u arritur një stabilizim dhe më pas rënie e numrit të rasteve, askush nuk mund të jetë i qetë.
Cilat ishin gabimet gjatë rihapjes që situata u përkeqësua në këtë mënyrë?
Gabimi më i madh i rihapjes ishte lënia në mëshirën të fatit të institucioneve të kujdesit shëndetësor. Kjo nuk falet pasi ministria dhe komiteti kishin në dispozicion një periudhë kohe 3 mujore gjatë së cilës duhet të ishin marrë masat për të kthyer spitalet dhe qendrat shëndetësore në institucione të sigurta. Masat për mbrojtjen e spitaleve nuk u morën, dhe si pasojë spitalet u kthyen në vatra të transmetimit të infeksionit. Në fillim ishte një shërbim në QSUT, por tashmë vatra transmetimi infeksioni janë shërbime të tëra, madje edhe poliklinikat. Kjo gjendje duhej shmangur në mënyrë absolute, por më shqetësues është fakti se ende nuk po merren masa. Një vatër që nis nga spitali është e rrezikshme shumëfish pasi ajo prek të moshuarit dhe personat e prekur nga sëmundje kronike, dy kategoritë e rrezikuara nga COVID. Në se transmetimi spitalor vazhdon, rrezikojmë vërtet shumë.
Sa të sigurta janë spitalet dhe qendrat shëndetësore?
Fatkeqësisht sot spitalet dhe qendrat shëndetësore në vend nuk janë më ambiente të sigurta. Unë dhe çdo mjek, i bëjmë thirrje Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe strukturave shtetërore të reagojnë me urgjencë dhe të marrin masa për t’i rikthyer spitalet dhe qendrat shëndetësore në institucione të sigurta. Kjo kërkon hartim protokollesh, trajnim të të gjithë personelit, furnizimin me pajisje mbrojtëse, testime masive dhe periodike, si dhe mbi të gjitha mbikëqyrje për të verifikuar se protokollet zbatohen siç duhet si nga ana e personelit mjekësor, ashtu edhe nga ana e pacientëve.
Sa duhet të arrijë numri i pacientëve të shtruar në spitale që mund të na rrezikojë sërish mbylljen?
Ministria e Shëndetësie ka bërë me dije se nëse numri i të shtruarve në spital është mbi 150 dhe nëse numri i personave në repartin e kujdesit intensiv është mbi 25 atëherë duhet të rikthehen masa kufizuese, por pa e sqaruar se çfarë masash propozohen. Me ritmet e sotme kur shtrohen në spital 5 deri 10 persona në ditë, kuota e 150 pacientëve mund të arrihen brenda pak ditëve. Sidoqoftë, unë mendoj se këto kuota janë caktuar shumë të ulta dhe sistemi ynë shëndetësor mund të përballojë lehtësisht deri në disa qindra pacientë të shtruar në një muaj. Problem ende nuk janë shifrat e të infektuarve dhe të shtruarve, problem mbetet transmetimi në spitale dhe mosbesimi që është krijuar midis qytetarëve dhe strukturave shtetërore. Nga të dhënat e mia, edhe administrata dhe bizneset nuk janë duke i zbatuar protokollet e sigurisë. Pra përgjigjja e deritanishme ndaj COVID mund të thuhet se ka dështuar në të gjithë komponentët e saj dhe ky është rreziku i vërtetë.
A është e domosdoshme t’i rikthehemi karantinës?
Absolutisht jo. Unë kam besuar gjithmonë se masat e mbylljes duhet të aplikoheshin vetëm 2-3 javët e muajit mars pas diagnostikimit të rasteve të para me koronavirus në vendin tonë. Masat e karantimit gjatë muajit prill e në vazhdim kanë qenë të tepruara e të panevojshme e të dëmshme. Edhe sot me këtë numër të prekurish, izolimi nuk është zgjidhje, në një kohë që ka masa inteligjente dhe shumë më të efektshme për të përballuar situatën. Nuk bëhet fjalë që t’i rikthehemi karantinës! Karantina nuk mund dhe nuk duhet të shikohet më si opsion!
Jo pak qytetarë mendojnë se koronavirusi është një “legjendë urbane” dhe nuk zbatojnë masat e parandalimit të përhapjes së virusit. Cili është mesazhi juaj për qytetarët?
Koronavirusi ekziston! Tani virusi mund të ketë rrezikshmëri më të ulët se në janar apo shkurt. Por ai mbetet një virus i rrezikshëm sidomos për tri kategori: të moshuarit, të sëmurët kronikë si dhe për personelin shëndetësor. Ky i fundit infektohet vetë, por shërben edhe si mjet për t’ia transmetuar virusin pacientëve. Qytetarët duhet ta kenë të qartë se SARS-CoV-2 ekziston, është i pranishëm në komunitetin tonë dhe duhet të bëjmë çmos të marrim të gjitha masat për të parandaluar transmetimin e tij.
Çfarë masash duhet të merren për të ulur numrin e personave të prekur nga koronavirusi?
Janë dy masa që duhen ndërmarrë për frenimin dhe përmirësimin e situatës. E para është masa për ta rikthyer qytetarin në bashkëpunues, dhe jo në mosbesues. Si pasojë e masave të ekzagjeruara që u morën, gjatë muajve mars, prill dhe maj, qytetarët sot kanë mosbesim në atë çka u thuhet dhe rekomandohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe nga strukturat zyrtare. Duhet që ky mosbesim të tejkalohet dhe të rivendoset bashkëpunimi me qytetarin. Pa këtë bashkëpunim nuk mund të ketë parandalim të koronavirusit në komunitet. Masa e dytë që duhet marrë, po aq e rëndësishme sa e para, është rikthimi i spitaleve dhe qendrave shëndetësore në vende të sigurta nga virusi. Të marrim shembujt e mirë të botës dhe t’ia përshtatim Shqipërisë. Nuk kemi nevojë të rishpikim rrotën, por mund të ndjekim shumë shembuj botërorë për t’u orientuar në kushtet e pandemisë COVID.
Komentet