Marie Guerne vdiq pak para ditëlindjes së saj të 112-të. Asnjë grua e gjallë në Zvicër nuk është aktualisht më e vjetër sa ishte ajo.
Shtypi zviceran e lajmëronte vdekjen e saj, e ashtuquajtura superqindvjeçare, sepse jetoi të paktën 112 vjeç, ndryshe nga sa ndodh normalisht.
Madame Marie Guerne i mbijetoi Luftës së Parë Botërore, Gripit Spanjoll, Depresionit të Madh, Luftës së Dytë Botërore, i mbijetoi edhe Covidit.
Marie Guerne vdiq të premten në mëngjes. Ajo ishte 111 vjeç e 322 ditë. Ajo ka jetuar në shtëpinë për të moshuarit Les Roches në fshatin Orvin pranë Biel për 20 vitet e fundit. Drejtori i kësaj shtëpi, Stéphan Chopard, i tha gazetës “Journal du Jura”: “Ajo na la krejt natyrshëm”. Shtëpia mban zi. “Vdekja e një banori gjithmonë godet fort stafin, veçanërisht pasi Marie Guerne jetoi me ne për gati 20 vjet, gjë që është e rrallë,” tha Chopard. “Kohëzgjatja e qëndrimit të saj ishte po aq e jashtëzakonshme sa edhe fakti që Guerne ishte në gjendje të ruante autonominë e saj. Ajo ishte me mendje deri në fund.”
Edhe pse Guerne nuk i mbante më mend të gjitha ngjarjet e së kaluarës së saj, kujtesa e saj afatshkurtër funksiononte gjithmonë shumë mirë. “Ajo vazhdoi gjithmonë me aktivitete artizanale,” tha drejtori i shtëpisë, Chopard. Guerne gjithmonë lahej dhe vishej vetë, hante dhe lëvizte në mënyrë të pavarur. “Madame Guerne ishte gjithmonë e buzëqeshur dhe shumë e lumtur. Ajo ka shijuar eventet e ndryshme dhe ditëlindjen e saj. Nëse do të përshkruhej me një tipar, do të ishte lumturia.”/eb