VOAL

VOAL

“Lutuni për Shqipërinë”- Gjest fantastik nga klubi kroat, dhuron të ardhurat e biletave për të prekurit nga tërmeti

December 7, 2019
blank
2 Comments
  • author avatar
    Alfons 3 years ago Reply

    Bellissimo… Sodarita e respekt për Popullin Shqiptar.

Komentet

blank

FIFA e dënon Serbinë, pasi harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb u shfaq në zhveshtoret e tyre

Federata serbe e futbollit u gjobit me 20,000 franga zvicerane për shkak se në dhomat e zhveshjes u shfaq harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb.

Aty ishte edhe një shkrim: “S’ka dorëzim”, transmeton Gazeta Express.

Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA për këtë gjest.

Përveç FFK-së, ankesë bëri edhe Komiteti Olimpik i Kosovës në FIFA dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Ky gjest ndodhi në ndeshjen e parë të Serbisë në Kampionatin Botëror ndaj Brazilit

blank

Shkëlqimi dhe drama e portierit të madh Qemal Vogli- Nga Kastriot Kotoni

Kujtimet janë monument i emocioneve, ato herë të ftojnë në kohë e ngjarje të kaluara e herë të ringrenë nivelin e adrenalinës, sepse faktet dhe ngjarjet janë të ndryshme në të njëjtën kohë. Kampionati Botëror në Katar është ngjarja më e madhe e këtij fundviti e ku ka më mirë se t’i shtosh kësaj ngjarje emra të mëdhenj të sportit shqiptar që kanë lënë pas gjurmë të pashlyeshme.  Mua m’u kujtua një shkrim i komentatorit të shquar Ismet Bellova për Qemal Voglin në librin “Visare të Sportit Shqiptar” me një tjetër autor mjeshtrin e mjekësisë sportive Lluka Heqimi.

Qemal Vogli djali nga Kavaja bëri emër në qytetin e tij qysh në moshën 15 vjeçare duke u aktivizuar si portier i ekipit të parë të “Besës” në kategorinë e parë të Kampionatit shqiptar. Ai ndihmonte familjen edhe duke punuar edhe duke luajtur, për arsyen se dy vëllezërit e tij i kishte në burg, për motive politike. U shkëput nga Kavaja për të punuar në “Kantierin Detar” të Durrësit, ku edhe u aktivizua përsëri si portier në këtë qytet.

Qemal Vogli një nga portierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, 11 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare dhe 60 ndeshje ndërkombëtare me klubet. Mjeshtër sporti dhe mjeshtër i merituar i sportit e nis shkrimin e tij Ismet Bellova për këtë figurë të sportit shqiptar. Jashini me famë të jashtëzakonshme ndërkombëtare kishte konsiderata të larta, dhe kish folur me nota superlative për portierin e talentuar Qemal Vogli. Natyrisht Jashini e kishte parë në Moskë Qemalin dhe ishin takuar në banket, duke u shprehur, se “jam mahnitur me të .Është një portier madhështor: trim e i guximshëm, me krahë si të shqiponjës. Reagon në mënyrë të përsosur, ka reflekse jashtëzakonisht të zhvilluara, është shumë energjik dhe ka një temperament të çuditshëm. Rrallëherë kam parë një talent të tillë…”

Bellova i çmon këto konsiderata më shumë se çdo medalje për Qemal Voglin. Deri në atë periudhë , Qemal Vogli, portieri ynë i talentuar , kishte spikatur me një madhështi befasuese mes emrave të mëdhenj e të bukur si të Loro Boriçit, Vasif Biçaku, Rexhep Spahiu, Muhamet Dibra, Sllave Llambi, Bahri Kavaja, Qamil Teliti, Bimo Fakja, Aristidh Parapani, Pal Mirashi, Besim Fagu, Zihni Gjinali, Xhevdet Spahiu, Muhamet Vila, Skënder Jareci, Refik Resmja, Kolec Kraja, Simon Deda e plot të tjerë.

Qemal Vogli u bë portier i një kalibri të madh, sepse e madhe ishte puna e tij përgatitore. Stërvitja që bënte ai, ishte e gjithanshme dhe tepër këmbëngulëse. Ai nuk stërvitej vetëm në ato minuta, që përfshinte procesi stërvitor e që drejtonte trajneri. Po aq e rëndësishme, në mos më shumë, ishte puna vetjake që bënte ai. Qemal Vogli mban një rekord origjinal në karrierën e tij sportive, sepse qysh në moshën 17-vjeçare ai ka veshur fanellën e Kombëtares, duke luajtur si një dirigjent i “prerë” dhe i përkryer i shokëve.

blank

Mjeshtri Bellova si askush tjetër përshkruan dramën e këtij talenti të madh i cili po ngjiste majat “një grusht” i tmerrshëm e goditi për vdekje. Gjatë një turneu ndërkombëtar të njërës prej skuadrave tona të asaj kohe, “Dinamo” në Çekosllavaki e në Gjermaninë Lindore, më 1956, fill pas ndeshjes së fundit në Berlin me “Dinamon” e këtij qyteti, ndërmori një “aventurë”, duke ëndërruar e dëshiruar që të provonte fatin e të luante në futbollin profesionist perëndimor. Kishte harruar Qemali se edhe për të parë ëndrra të tilla nuk të lejonte njeri. Në ndeshjen e fundit kishin triumfuar futbollistët tanë dhe “heroi” i takimit kishte qenë Qemali. Ai ishte “Tigri i zi” i turneut. Dikush i kish hedhur grepat, për ta shtyrë për të kaluar përtej “Murit të Berlinit. I ishte prishur mendja djaloshit të shkretë. “Shpërblimi” qe i majmë dhe dhurata shumë e bukur burgimi e më pas persekutimi pa mbarim, që e sfilitën dhe e shkatërruan tërësisht. Ishte një tragjedi si e shumë njerëzve tanë, si e shumë të rinjve e të rejave shqiptarë, kështu e pësoi dhe “heroi” ynë… Ndërkaq gazeta sportive gjermanolindore “Deutsche Sport Echo” dhe revista futbollistike “Fussball Ëoche” do të derdhnin një lum fjalësh të bukura e do të mbushnin faqet për portierin tonë. Dhe Mazreku i madh, që shoqëronte ekipin tonë në atë turne, duke qenë njëherazi gjermanofil i klasit të parë, do të njoftonte Qemalin menjëherë, që të nesërmen në mëngjes, për shkrimet e botuara.

–Qemal! Shiko sa bukur është shkruar për ty! –Ruaji dhe mos i humb kurrë këto, mbasi përbëjnë një kujtim shumë të bukur e me vlerë.

Jemi futur në një tjetër shkrim për Qemal Voglin nga mjeshtri Ismet Bellova në librin “PORTIERË TË MËDHENJ”. Një biondinë e bukur dhe simpatike, Renata i ka ngulur sytë djaloshit tonë, duke mos ia shqitur sytë e i është vardisur atij hap pas hapi, pa e lënë të marrë frymë. E përlau zogëzën gjermane, e ka mbërthyer me krahët e fuqishëm si të shqiponjës dhe janë drejtuar së toku te pylli i gjelbërt pranë kampingut të skuadrës sonë…

Qemal Vogli ishte zhdukur! Lajmi i arratisjes së Qemalit kishte arritur edhe në Tiranë e kishte rënë si bombë, duke shkaktuar tronditje të madhe sidomos në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe qarqet sportive.

Bellova shkruan një detaj tejet të skajshëm emocional në një paragraf.

-Unë dhe Boriçi i paharruar e mësuam ndër të parët këtë lajm të trishtueshëm. Ishim atëherë në Klubin Sportiv “Partizani”: ai trajner i ekipit përfaqësues të futbollit dhe unë i atletikës. Atë paradite vere djemtë sportistë kishin shkuar në kinema  dhe në klub ishim vetëm ne të dy –Loro dhe unë. Ndërsa po kuvendonim një mesoburrë hyri në oborrin e klubit  tonë dhe, pa u përshëndetur e pa u prezantuar, më tha se duhet të shkoja me të në Ministrinë e Brendshme. U vesha dhe dola me shpejtësi nga klubi, në rrugë, priste një “Vollgë” e zezë. Çfarë kërkoja unë, ushtari, në ministri? Drejt me thënë kisha filluar të shqetësohesha disi e, pse jo, dhe ndjenja e frikës më kishte pushtuar. Po kjo gjendje kaloi shpejt, sapo hyra tek ministri, i cili më priti jo keq. Pasi më ftoi për t’u ulur, u drejtua tek karrigia e tij dhe ngriti xhamin e tavolinës, nën të cilën kishte një fotografi. Ishte ajo e Qemalit. Në çast u nxi akoma më shumë në fytyrë dhe tha me nervozizëm “Ka ikur qeni”. Ishte një fjalë, që i doli nga thellësia e shpirtit dhe sikur u lehtësua disi. “E kam dashur me gjithë zemër se ishte sportist i mirë dhe kishte sedër të admirueshme”. Më bëri përshtypje që nuk e grisi fotografinë, por e mënjanoi diku gjetiu, në të djathtë të tavolinës. Mirëpo ai u ngrit nga vendi, lëvizi nga tavolina dhe m’u afrua për të më përshëndetur. Pastaj, me një ndjenjë miqësore e dashamirësie, më tha. “Ulu, ulu, se do të pimë një kafe, veçse pa sheqer…” Duke pirë kafenë biseduam fare pak. Më tregoi për arratisjen e Qemalit e, ndërkohë, përsëriti edhe një herë dashurinë dhe respektin që kishte patur gjithnjë për të. Njëherazi ai shprehu dhe habinë sesi e pse e kishte bërë ai këtë akt! Pastaj filloi të më porosisë: Ky është një formular për personat që dalin jashtë shtetit. Merre potsoja atij portierit kavajas (e kishte fjalën për Shefqet Topin), se duhet ta nisim urgjent, mbasi skuadra ka mbetur vetëm me një portier.

blank

Megjithëse porosia ishte për të “mos bërë komente”, unë Loros nuk mund t’i mbaja të fshehur takimin me ministrin dhe qëllimin e thirrjes time atje. Për më tepër se e dija që ai ishte “dry zviceran”. Boriçi është çuditur dhe ka shtangur në vend, duke mbetur i hutuar për disa çaste. Përfundimisht ne e groposëm atë ngjarje dhe nuk ia treguam askujt. Po sekreti nuk jetoi gjatë. Kjo edhe për faktin se një mbrëmje, një radiostacion i huaj-me sa më kujtohet  Londra e kishte dhënë lajmin e madje dhe e kishte komentuar.

Ç’është e vërteta, edhe pse kanë kaluar vite e dekada shkruan Bellova, askush nuk e mësoi me saktësi sesi i ndodhi Qemalit dhe si iku ai? Asnjëherë nuk u tha ashtu siç ishte ngjarja, por vetëm se u dënua, madje rëndë, ajo dhe i zoti i saj, duke e paguar shumë shtrenjtë atë. Sigurisht këtu duhet vënë në dukje se edhe vetë Qemali nuk ka dashur të flasë për këtë. Një sekret që ka dashur t’ia lërë kohës dhe Zotit.

***

Pra Qemali ishte larguar nga kampingu. E vërteta është se dëshira për të shkuar në perëndim i kishte lindur qëmoti Qemalit dhe ai veçse priste rastin, që t’i dilte në shteg e t’ia mbathte. Dhe ja, ky moment kishte ardhur dhe zogu nuk duhej lënë që të ikte. Eja të luash në Gjermaninë Perëndimore i kishte thënë një i panjohur. Dhe ndërsa Qemali priste i vetëm diku, në periferi të Berlinit, një makinë e zezë “Mercedes” iu afrua dhe ndaloi pranë tij. Gjermani i veshur bukur e i shëndetshëm, zbriti nga makina dhe u përshëndet e pastaj i foli në gjuhën e tij:

-Her Vogli! Ëollen Sie fur unsere Manschaft spielen?

Ishte presidenti i klubit të futbollit “Munchen 1860” skuadra e dytë e Mynihut, pas “Bajernit”, pjesëmarrëse në Ligën e parë të kampionatit gjerman. Duke këmbëngulur, bosi gjerman foli përsëri: -Ja kjo është rroga që do të merrni, kjo është makina që do të keni, ky është hoteli ku do të instaloheni fillimisht dhe pastaj do të keni shtëpinë tuaj.

Sakaq ai u largua me shpejtësi dhe u nis për në Berlin. Qemali shtangu në vend. Shtrëngonte kartëvizitën që i dha presidenti dhe vazhdonte të ishte ende i shokuar. Ndërsa personi, që do ta ndihmonte për të kaluar “Murin e Berlinit” e që do ta shoqëronte në hyrje të metrosë, po e shikonte qetë- qetë. Nuk u vonuan shumë dhe u nisën. Një vajzë e bukur e priste në Mynih, ku arriti pa vonesë. Filloi të stërvitej me “Munchen 1860” në ambiente moderne dhe në kushte të përsosura. Presidenti i klubit e merrte me makinë nga hoteli për në stadium dhe e kthente po me “Mercedesin” e tij. Mirëpo Qemalit i shkonte mendja diku gjetkë në Itali, në vendin e tij të preferuar si për futbollin e madh, ashtu edhe për faktin se atje kishin luajtur me sukses idhujt e tij, futbollistët e mëdhenj e të talentuar Riza Lushta, Naim Kryeziu, e Loro Boriçi. Pikërisht produkti i kësaj fantazie u nis për në kufirin austriako-italian, ku nuk depërtoi dot dhe kështu u detyrua të qëndronte në Austri. Për fat të tij atë ditë  Kombëtarja Hungareze do të luante me Austrinë. Trajneri Bukovi e njihte mirë Qemalin dhe e ftuan në Budapest dhe i propozuan që të kthehej me ta. Qemali pranoi dhe pas disa ditësh u gjend i vetëm në kryeqytetin hungarez. Ndërkohë po e brente meraku për familjen, sikurse e dinte fare mirë ç’bëhej në kësi rastesh. Ndërkaq dy shqiptarë të panjohur kanë nisur t’i mbushin mendjen për t’u kthyer në Tiranë. Një luftë e tmerrshme motivesh kishte shpërthyer në kokën e tij e ia kishte bërë lëmsh mendimet. Ti je portier i madh dhe nuk kanë se ç’të bëjnë! –kthehu në Tiranë! Aty ke familjen dhe mendo se çfarë mund t’u ndodhë njerëzve të tu!-i thoshte njëri. Dhe, më në fund, në një ditë vjeshte, në drekën e një tetorit të 1956-s, u gjend në aeroportin madhështor të Budapestit për t’u nisur drejt Tiranës ku e priste një “Gaz” i Ministrisë së Brendshme. Dënohet me 16 vjet për “tradhti të lartë”. Më 1962 lirohet pas tri amnistive për të burgosurit politikë. Rikthehet në jetën civile i lodhur, i rraskapitur nga kampet e punës dhe tharja e kënetave, por edhe i braktisur, veçse jo kurrsesi nga miqtë, shokët e simpatizantët e vet të zjarrtë, e mbyll shkrimin e tij mjeshtri Ismet Bellova.

Unë i përmblodha këto shkrime sepse ndjeja se i kam borxh mikut dhe profesorit tim fjalët e para për futbollin qysh kur isha fëmijë, dhe gjeta rastin t’i shpreh mirënjohjen atij dhe brezave që i kanë dhënë kaq shumë sportit shqiptar. Postulati i Bellovës është “shkoni më shumë në stadiume dhe shkarkoni streset, sesa nëpër mitingje partish”.

blank

Jetëshkrim i shkurtër

Qemal Vogli lindi më 29 shtator 1929 në qytetin futbolldashës të Kavajës. Që i vogël ai mbrojti për 2 kampionate portën e Besës. Pastaj për 3 vjet atë të Yllit të Kuq të Durrësit. Por Vogli, në kontrast me mbiemrin e tij u bë shpejt i madh. Ai bëhet pronë e Dinamos, që në lindje të saj, duke fituar 6 herë titullin kampion dhe 5 herë Kupën e Shqipërisë.

Qemal Vogli është ndër futbollistët shqiptarë, që e ka veshur në moshën më të re fanelën kuqezi. Ka qenë vetëm 17 vjeç. 11 ndeshje me kombëtaren shqiptare sigurisht nuk janë shumë për një portier të kalibrit si Qemal Vogli, por kushtet e regjimit komunist ne Shqipëri bene qe Qemal Vogli te arratisej per ne Gjermani ku luajti disa ndeshje me ekipin Mynih 1860. Regjimi komunist nepermjet interpolit e risolli portierin e famshem ne Shqipëri ku kreu dhe disa vjet burg. Ai ishte i gjatë 1 metër e 87 centimetër dhe peshonte 75 kilogramë.

U nda nga jeta më 4 korrik 2004.

blank

Sfida ndaj Kroacisë në çerekfinale, Brazili ka bilancin super pozitiv

Kroacia është një kombëtare e re, duke qenë se ajo ka dalë më vete pas ndarjes së ish-Jugosllavisë, kështu që edhe të gjesh shumë precedentë mes ballkanasve dhe Brazilit nuk është se ka shumë.

Gjithsesi, kjo në çerekfinalet e “Katar 2022” do të jetë përballja e tyre e tretë në një Kupë Bote, ndonëse dy precedentët e tjerë kanë qenë në fazën e grupeve. Sfida më “e freskët” në kujtesë është ajo e Botërorit brazilian, në vitin 2014-të, kur të zotët e shtëpisë fitonin 3- 1, pasi bardhekuqtë kishin bërë rezistencë vetëm në pjesën e parë, kur një autogol i Marselos i dha avantazhin, ndërkohë që Oskar barazonte në pjesën e parë.

Në të dytën, spektakël personal i Nejmari me një dopietë. Tjetër përballje, në fazën e grupeve të “Gjermani 2006”, por në Berlin mjafton një shpërthim i Kakasë. Ndërkohë, dy sfidat e tjera janë dy miqësore, në 2018-ën sërish fitore 2-0 për “Seleçaon” (Nejmar e Firmino në gol) dhe më 2005-ën barazim 1-1.

BRAZIL-KROACI

PANORAMASPORT.AL

blank

“Janë ca kinse patriotë të mëdhenj”, Rama reagon sërish për Xhakën: Nuk i ndihmoj dot ata që s’duan të kuptojnë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish me anë të një postimi në twitter lidhur me akuzat e bëra ndaj tij se përse nuk pati një reagim lidhur me deklaratën e FIFA-s për të gjobitur Granit Xhakën pasi veshi fanelën me emrin “Jashari” pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë.

Në reagimin e parë Rama theksoi se nuk i takon atij të reagojë kur bëhet fjalë për dy qytetarë që luajnë për kombëtaren e zviceriane, pasi nuk është kryeministër i Zvicrës.

Pas këtij reagimi në rrjet u publikua një post i Ramës në vitin 2018-të ku ai shprehte krenarinë për Xhakën dhe Shaqirin të cilët kishin shënuar po kundër Rusisë në Europian.

Në postimin e dytë Rama shkruan se ai i qëndron të dyja postimeve, por nuk mund t’i ndihmojë dot ata që nuk kuptojnë pse-në.

Postimi i Ramës:

Janë ca kinse patriotë më të mëdhenj se të tjerët e disa kinse të zgjuar më shumë se të tjerët, që fjalëve të mia sot u kundërvihen me postimet e mia dikur për  e Xherdanit e Granitit! U qëndroj 100% të dyjave dhe ata që nuk duan ta kuptojnë psenë nuk kam se si i ndihmoj../ dita 

blank

 

blank

FFK ankohet në FIFA për “fyerjet dhe thirrjet raciste” ndaj shqiptarëve në ndeshjen Zvicër-Serbi

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, gjatë një përplasjeje me lojtarët e Serbisë gjatë ndeshjes të zhvilluar në Katar më 2 dhjetor 2022.

RFE/RL

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se ka dorëzuar në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) ankesë dhe dëshmi, për shkak të, siç tha, “fyerjes së rëndë të trajnerit të përfaqësueses së Serbisë” si dhe “veprimeve raciste të tifozëve serbë” gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi, të mbajtur më 2 dhjetor në kuadër të Kupës së Botës.

Sipas FFK-së, shfaqja e sloganeve me mesazhe politike dhe raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan pothuajse gjatë tërë ndeshjes, që Zvicra e fitoi me rezultat 3:2.

“FFK kërkon nga FIFA hetim të këtij rasti dhe sanksione ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, në mënyrë që thirrjet fashiste njëherë e përgjithmonë të qëndrojnë larg stadiumeve të futbollit dhe larg ngjarjeve si Kupa e Botës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sipas FFK-së, thirrje të tilla nga tifozë të ekipeve pjesëmarrëse në Kupën e Botës, që po mbahet në Katar, “nuk mund të kuptohen e arsyetohen nga askush, sidomos tani kur Evropa po kërcënohet nga situata e brishtë e sigurisë si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë”.

“Ekipe dhe tifozë me sjellje e filozofi të urrejtjes së njeriut për njeriun nuk do të duhej të kenë vend në ngjarje kaq të rëndësishme sportive siç është Botërori ‘Katari 2022’”, tha FFK-ja më 4 dhjetor.

Në përfaqësuesen e Zvicrës luajnë lojtarë me prejardhje shqiptare, përfshirë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri me prejardhje nga Kosova, dhe Ardon Jashari me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

Ndeshja midis Zvicrës dhe Serbisë u përshkrua me tensione, midis kapitenit të Zvicrës Xhaka, dhe lojtarëve të Serbisë që ishin në fushë, por dhe ata që ishin në bankën rezervë.

Zvicra arriti të eliminonte Serbinë nga Kupa e Botës, duke kaluar kështu fazën e grupeve, dhe tashmë do të përballet me Portugalinë më 6 dhjetor në rundin e eliminimeve direkte.

Ndryshe, në nëntor FFK-ja dorëzoi ankesë në FIFA për shfaqjen e një flamuri në zhveshtoren e përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

Pas kësaj ankese, FIFA tha se ka nisur masa disiplinore ndaj Federatës serbe të Futbollit.

FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”.

blank

S’e lejoi Vuçiçi- Rama fyen Xhakën e Shaqirin: Nuk i fryj zjarrit nacionalist

Edhe pse të gjithë politikanët kryesorë në Shqipëri dhe Kosovë uruan djemtë shqiptarë të Zvicrës, për fitoren historike ndaj Serbisë në Botëror, mungoi urimi i kryeministrit Edi Rama.

Ky njeri, që nuk lë asnjë moment pa shfrytëzuar për të marrë vëmendjen, duke u bërë nacionalist qesharak sa herë i duhet, nuk tha asnjë fjalë, edhe pse çdo shqiptar e kishte këtë çështjen kryesore të diskutimeve.

Por sot, i pyetur nga ndjekësit në rrjetet sociale se përse nuk reagoi, ai sërish reagoi si miku i ngushtë i Serbisë dhe Aleksandër Vuçiçit, duke thënë se nuk donte t’i frynte zjarrit.

“Nuk jam kryeministri i Zvicrës, por i Shqipërisë. Nëse do ndaja dy shqiptarët që ne i shohim me dashuri dhe simpati të madhe. Çfarë do të bëja? Do t’i përdorja për politikë? Dhe në një mënyrë aspak dinjitoze. Do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak. Nacionalizimi është sa qesharak edhe i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme dhe kush e bën këtë me vjen keq. Nuk mund të shkëputen dy shqiptarë, që janë qytetarë të një shteti si Zvicra. Dhe nuk mund të përdoren si mish për top për një lojë luftash ballkanike. Sa i përket sanksioneve, lidhen me politikën e FIFA-s. E dini shumë mirë që është politikë strikte për të mos cenuar kuadrin sportiv nga asnjë lloj nuance politike,” tha Rama.

Çfarë e pengon realisht Edi Ramën të bëjë një reagim?!

Arsyeja është e thjeshtë. Jo vetëm shqiptarët, por edhe protestuesit e shumtë në Mal të Zi e kanë kuptuar. Rama dhe Vuçiç janë bashkë dhe punojnë për një qëllim: që bota serbe të dominojë në rajon.syri.net

blank

Njëmijë ndeshje në karrierë, Messi thyen heshtjen pasi kaloi Maradonën

Leo Messi ishte edhe një herë protagonist absolut në suksesin përballë Australisë, një fitore që i siguroi një biletë për në fazën çerekfinale ku do të përballen me Holandën.

Në ndeshjen e tij të 1 mijë në karrierë, Messi realizoi golin e tij të nëntë në Botëror duke kaluar një legjendë si Diego Armando Maradona:

“U relaksuam pak pasi menduam se ndeshja ishte në kontroll. Në fund vuajtëm jo pak, por e rëndësishme ishte të kalonim turin dhe e bëmë. Kjo ishte një ndeshje e vështirë pasi nuk kishim pushuar mjaftueshëm. Jemi shumë të lumtur që kaluam turin”, u shpreh Messi pas ndeshjes.bw

blank

Katar 2022, ‘The Guardian’ për serbët: Kërkuan vrasjen e shqiptarëve, u treguan fashistë, FIFA hesht

The Guardian kërkon marrjen e masave nga FIFA për Serbinë dhe mënyrën si u sollën lojtarët serbë përballë atyre shqiptarë që luanin për Zvicrën në Botëror.

Në artikull, The Guardian shkruan se është totalisht e padrejtë që në fushë janë lejuar të futen simbolet serbe dhe jo ato shqiptare.

Mbështetur në rrëfimin e një shqiptari, The Guardian shkruan se shqiptarët janë ndjerë të sulmuar në momentin që serbët kanë thirrur në kor dhe kërkonin vrasjen e shqiptarëve. Simbolet me tre gishta nuk mungonin në stadium.

Zvicra fitoi 3 me 2 me Serbinë. Ndeshja në Botërorin e Katarit solli emocione të forta edhe për tifozërinë shqiptare, teksa pas fitores pati edhe tension mes Granit Xhakës dhe futbollistëve serbë. Festa dhe traizra ka pasur kudo, kryesisht në Zyrih, Bazel, Prishtinë e Tiranë.

Artikulli i plotë:

Mbështetësit e Serbisë shfaqën slogane fashiste dhe synonin thirrje raciste ndaj shqiptarëve etnikë gjatë ndeshjes së ekipit të tyre kundër Zvicrës të premten mbrëma, sipas një dëshmie okulare të dhënë për Observer.

Skenat në Stadiumin 974 në Doha, ku Zvicra fitoi 3-2 për të siguruar një vend të 1/16-tës në një ndeshje që u përhap gjatë pjesës së dytë, ngrenë pikëpyetje në lidhje me drejtimin e FIFA-s dhe në veçanti tolerancën e saj të dukshme ndaj shenjave fyese. Hasan Rrahmani mbërriti në ndeshje me një flamur shqiptar në qafë, por thotë se ia kishin konfiskuar atë në hyrje, ndërsa simbolet poshtëruese nacionaliste lejoheshin të kalonin. Ai thotë se iu shfaq një mesazh WhatsApp që FIFA i kishte dërguar stafit të sigurisë që përmbante fotografi të sendeve, fotografi dhe fraza që nuk lejoheshin.

“Isha krejtësisht i shtangur kur pashë numrin e parullave fashiste, bluzave dhe flamujve”, tha Rrahmani. Ai ka treguar dhe një foto të një tifozi që mbante një kapele jeshile të lidhur ngushtë me mizoritë e kryera në luftërat e Kosovës dhe Bosnjës, dhe thotë se burri ishte pjesë e një grupi me të njëjtën veshje. Ndër veshjet e tjera të veshura lirisht nëpër stadium, thotë ai, ishin bluzat që shkruanin “Nga Serbia në Tokio”, një slogan nacionalist i përdorur nga tifozët serbë të futbollit të përdorur gjatë luftërave të viteve ’90. Rrahmani thotë se policia nuk ishte e interesuar për ankesat në lidhje me sendet, apo me gjestet me tre gishta të konsideruar fyese në shumë kontekste.

FIFA mund t’i shohë thirrjet e mbështetësve më të thjeshta për t’u trajtuar, pasi ka lëshuar një mesazh publik në minutën e 77-të duke kërkuar që të ndërpriten “thirrjet dhe gjestet diskriminuese”. Rrahmani thotë se ato ishin të dëgjueshme që në fazën e hershme të mbrëmjes. “Isha i tronditur, absolutisht i shtangur,” thotë ai. “Ata po këndonin këngët më të ndyra raciste.”

Midis atyre që ai thotë se dëgjoi ishin këngë që përfshinin fjalë e terma nënçmues kundër shqiptarëve, dhe thirrjet “Vritini, vritini, vritini shqiptarët”. Fansat gjithashtu kënduan “Kosova është zemra e Serbisë”, lidhur me refuzimin e vendit të tyre për të njohur pavarësinë e Kosovës, thotë ai.  Këngë të tilla nuk janë të panjohura në ndeshjet ku tensionet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë ndezur, duke përfshirë dronin e ngritur vite më pare.

Rrahmani përshkruan se ishte sulmuar nga shtatë apo tetë mbështetës të Serbisë pas daljes nga zona e stadiumit. “Ata më shtynë duke më thënë: ‘Shko q*** veten shiptar’,” tha ai. “Më hodhën ujë. U përpoqa të largohesha, por shtatë ose tetë burra të mëdhenj më ndiqnin. Në fund vrapova drejt policisë, e cila nuk bëri asgjë. Gjithçka që ndodhi rreth mbrëmjes ishte thjesht e frikshme. Ajo që prisja të ishte një natë e mirë ringjalli të gjitha ato kujtime të së kaluarës që mendova se kishin ikur.” Ai thotë se policia ishte e sjellshme dhe qetësuese, por e la grupin të largohej.

Serbia tashmë është nën hetim nga FIFA për shfaqjen e një flamuri që tregon Kosovën si pjesë të territorit të tyre, së bashku me fjalët “Ne nuk dorëzohemi”.

“Mosreagimi i FIFA-s më trondit,” thotë ai. “Si në vitin 2022, mund të lejosh tifozët në një stadium të Kupës së Botës të bërtasin për vrasjen e një kombi tjetër? Unë u largova duke u jo i mirëpritur nga FIFA”.

Ai ka lindur në Kosovë dhe jeton në Londër; ai ka ndjekur Anglinë dhe Uellsin në Katar, por ka ndjekur ndeshjen e së premtes për të mbështetur Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën, lojtarët e Zvicrës që kanë rrënjë shqiptare. Festimet e tyre të golave ​​në të njëjtën ndeshje në Rusi 2018, duke formuar me duar simbolet e “shqiponjës” shqiptare, shkaktuan polemika.

Xhaka mund të përballet me hetimin për prekjen e organeve të tij gjenitale. Një tifoze e Shqipërisë është parë duke u shoqëruar nga stadiumi gjatë pjesës së dytë pasi ka bërë gjestin e shqiponjës. FIFA nuk pranoi të komentojë në lidhje me perspektivat e masave disiplinore apo për çështjet e përshkruara nga Rrahmani./ dita

blank

VIDEO- Boksieri shqiptar mposhti serbin në Gjermani, të rinjtë ia marin valles

Disa të rinj nga Shajkoci i Podujevës, kanë festuar me këngë e valle pas fitores në boks të bashkëvendasit të tyre, Miridon Mulollit, i cili e ka mposhtur serbin, Darko Knezeviq, me kncok-out.

Djem e vajza të fshatit Shajkoc bllokuan rrugën për të vallëzuar nën tingujt e tupanëve.

Lufta mes Mulollit e Knezeviq u zhvillua në Gjermani. /KlanKosova

blank

Pelé: “Jam i fortë, mos u shqetësoni”

VOAL- “Miqtë e mi, dua që të qëndroni të qetë dhe optimistë. Jam i fortë, me shumë shpresë dhe vazhdoj trajtimin si zakonisht”. Me këto fjalë, të besuara në kanalin e tij zyrtar në Instagram, natën e së shtunës dhe të dielës, Pelé u dërgoi një mesazh shprese miliona tifozëve dhe entuziastëve të futbollit që janë të shqetësuar për gjendjen e tij shëndetësore. Që nga e marta e 29 nëntorit, ish-kampioni brazilian është shtruar për kancer në spitalin Einstein në Sao Paulo.

“Dua të falënderoj të gjithë, të gjithë ekipin mjekësor dhe ekipin e infermierisë për të gjithë kujdesin që kam marrë. Kam shumë besim te Zoti dhe të gjitha mesazhet e dashurisë që marr nga ju dhe që vijnë nga e gjithë bota. Më mbani plot energji dhe më bëjnë të shikoj ndeshjet e Brazilit në Kupën e Botës!”, shton ai.

Dhe mesazhi përfundon me këto tri fjalë, shoqëruar me emotikon me duar të bashkuara në lutje: “Muito obrigado por tudo”. Kjo është: “Faleminderit shumë për gjithçka”.

blank

Ish-futbollisti i Real Madrid e thotë troç: Humbje e qëllimtë e Spanjës, donte të shmangte Brazilin

Të shumtë janë ata që mendojnë se humbja e Spanjës ishte e qëllimshme mbrëmë, pasi ekzsiton ideja se ekipi i Luis Enriuqes dëshironte të shmangte një rival si Brazili gjatë rrugës (Katar, Botërori). I këtij mendimi është edhe Hugo Sanchez, ish-sulmuesi meksikan i Real Madrid.

“Unë ju siguroj. Nuk isha atje dhe nuk jam në mendjen e Luis Enrique-s, por ai kishte menduar mënyrën më të mirë për të shmangur përballjen me Brazilin në çerekfinale. Po, ka një rrezik, por është një rrezik që ia vlen të merret për bazë. Nuk është se kanë frikë nga Brazili, por e respektojnë atë” – tha ai.

blank

Kupa e Botës, Shtetet e Bashkuara fitojnë 1 me 0 përballë Iranit

Christian Pulisic duke shënuar për Shtetet e Bashkuara në ndeshjen përballë Iranit në Stadiumin Al Thumama në Doha, të Katarit (29 nëntor 2022)

VOA/Marrë nga Reuters

Ndeshja mes kombëtareve të futbollit të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit sot pasdite në Kampionatin në Katar përfundoi me fitoren e ekipit amerikan.

Futbollisti Christian Pulisic shënoi golin e fitores për Shtetet e Bashkuara në minutën e 38-të të pjesës së parë, duke i dhënë kështu ekipit amerikan avantazhin e duhur për t’u kualifikuar në fazën eliminatore.

Me rezultatet e deritanishme, ekipi i Shteteve të Bashkuara renditet i dyti në grup, pas Anglisë, duke siguruar në këtë mënyrë kualifikimin, ndërsa Irani renditet i treti. Të shtunën, Shtetet e Bashkuara do të përballen me ekipin kryesues të Grupit A, Holandën.

Ekipi amerikan duke festuar në fushë golin e shënuar në pjesën e parë

Ekipi amerikan duke festuar në fushë golin e shënuar në pjesën e parë

Ndeshja u prit me interes jo vetëm si ngjarje sportive, por edhe në kontekstin e marrëdhënieve mes dy vendeve. SHBA dhe republika islamike kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga viti 1980 pas Revolucionit Islamik dhe aktualisht situata mes tyre është e tensionuar. Kur ekipet u përballën me njëri-tjetrin në Botërorin e vitit 1998, ndeshja që u fitua nga Irani, u konsiderua si nga më të ngarkuarat politikisht në historinë e Kupave të Botës.

Ekipet e të dy vendeve e patën të qartë që nuk bëhej thjesht fjalë për një lojë futbolli. Trajneri i kombëtares amerikane, Gregg Berhalter tha në një konferencë për shtyp se ekipi i tij do ta përdorte firoren e Iranit 2-1 në vitin 1998 për të nxjerrë mësime dhe për të dhënë maksimumin.

Ai anashkaloi në komentet e tij konsideratat politike duke këmbëngulur se ato nuk do të linin në hije entusiazmin për vetë lojën, ku SHBA mund të kualifikohet për raundin e ardhshëm nëse fiton, ndërsa Iranit i duhet vetëm një pikë.

Por në një shenjë se politika është e pranishme, kapitenit të kombëtares amerikane, Tyler Adams iu desh t’i përgjigjej një pyetjeje të një gazetari iranian, i cili pasi vuri në dukje se ai po e shqiptonte gabim emrin e Iranit, kërkoi mendimin e futbollistit amerikan për diskriminimin e afrikano-amerikanëve në SHBA.

“A ndjeheni mirë që përfaqësoni SHBA-në?”, pyeti gazetari iranian.

“Kërkoj ndjesë për shqiptimin e gabuar të emrit të vendit tuaj. Por diskriminim ka kudo. Unë kam mësuar, veçanërisht nga jeta jashtë vendit në vitet e fundit dhe nevoja për t’u përshtatur me kultura të ndryshme, se në Shtetet e Bashkuara, ne vazhdojmë të bëjmë përparim çdo ditë”, tha kapiteni Adams.

Duke marrë si shembull veten e tij si një person me prejardhje afrikano-amerikane, por i rritur në një familje të bardhë, ai tha se fakti që vinte nga kultura të ndryshme, ia bënte më të lehtë përshtatjen.

“Por jo të gjithë e kanë lehtësinë dhe aftësinë ta bëjnë një gjë të tillë. Pa dyshim duhet më shumë kohë për të kuptuar, dhe mendoj se në këtë drejtim edukimi është shumë i rëndësishëm. Ashtu siç më mësuat ju tani për shqiptimin e (emrit) të vendit tuaj. Pra, është një proces. Gjëja më e rëndësishme është që të ketë përparim”, tha ai.

Flamuri i Shteteve të Bashkuara shpaloset në fushë në fillimin e ndeshjes në stadiumin e Dohas, Katar (29 nëntor 2022)

Flamuri i Shteteve të Bashkuara shpaloset në fushë në fillimin e ndeshjes në stadiumin e Dohas, Katar (29 nëntor 2022)

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u pyet për ndeshjen në një konferencë për shtyp në Bukuresht ku ndodhet për një takim të NATO-s.

“Po e pres me padurim ndeshjen SHBA-Iran. Do ta shoh më vonë dhe do të brohoras për Shtetet e Bashkuara. Nuk mendoj se ka ndonjë aspekt të veçantë gjeopolitik. Do të jetë një ndeshje konkurruese. Le ta lëmë atë të flasë vetë”, tha zoti Blinken.

Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë tensionuar vitet e fundit pasi ish-presidenti Donald Trump u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore me Iranin.

Shtetet e Bashkuara vranë një gjeneral të lartë iranian në vitin 2020 dhe Teherani u përgjigj me sulme me raketa ndaj forcave amerikane me bazë në Irak.

Lojtarët e Iranit nga ana tjetër kanë ndjerë presionin e krizës politike në vendin e tyre, ku protestuesit po sfidojnë legjitimitetin e sundimtarëve klerikë të vendit.

Para ndeshjes mes dy vendeve, tensionet u ndezën më tej kur Federata e Futbollit e SHBA-së shfaqi përkohësisht flamurin kombëtar të Iranit në mediat sociale pa emblemën e Republikës Islamike, si një shfaqje solidariteti me protestuesit.

Tifozët amerikanë duke brohoritur në Los Anxhelos

Tifozët amerikanë duke brohoritur në Los Anxhelos

Ndërkohë tifozët amerikanë thanë në Doha se shpresonin që fokusi i ndeshjes të mbetej në fushë dhe jo tek polemikat mes rivalëve gjeopolitikë.

Fakti që pyetjet politike mbizotëruan në konferencën për shtyp, i la të zhgënjyer shumë prej tyre.

“Kjo sigurisht e largon vëmendjen nga loja. Për fat të mirë trajneri, lojtarët nuk u bënë pjesë e këtyre polemikave. Ata janë përgatitur gjatë gjithë kohës për këtë lojë”, tha 40 vjeçari Kevin Barker, një tifoz nga Kalifornia.

Paraqitja e Iranit në lojën me Uellsin ku ekipi iranian fitoi 2 me zero, i shqetësoi disa tifozë amerikanë.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë. Irani po vjen me të gjitha forcat. Një barazim nuk vlen. Unë shpresoj për një fitore 3-1 që të mund të kalojmë në raundin e dytë”, tha Don, një tifoz nga Majami i Floridës.

Ndërsa të dyja vendet prisnin se cili nga ekipet do të fitonte, ishte e qartë që interesi për lojën i kalonte kufijtë e futbollit.


Send this to a friend