*Basha: Ja dy çështjet që çuan në prishjen e marrëveshjes së sapoarritur nga ekspertët
TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit Rama për të arritur konsensus për reformën në drejtësi. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha tha se ekspertët e PD prej orës 14:00 do të ulen në tryezën e bisedimeve për të vijuar aty ku mbetën mbrëmjen e djeshme, negociatat për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.
“I përgjigjem pozitivisht ftesës së Ramës për konsensus. Ekspertët tanë prej orës 14:00 do të ulen në tryezën e diskutimeve për të gjetur zgjidhje për reformës. Për këtë çështje kaq madhore përfaqësuesit e shqiptarëve duhet të jenë bashkë dhe të përkushtuar”, tha Basha.Kreu i demokratëve ka shpjeguar edhe dy çështjet që sipas tij kanë çuar në prishjen e marrëveshjes së arritur mbrëmjen e djeshme mes ekspertëve.
DEKLARATA E BASHES
U ra dakord në takimin e djeshëm që PS, OD, dhe LSI që me praninë e ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT t’i jepnin zgjidhje çështjeve të mbetura pezull. PD ka dhënë kontributin e saj për të gjetur zgjidhje të përbashkët. Kemi kërkuar bashkim dhe jo përçarje. Dyshja Rama-Meta, apo secili prej tyre për hesap të vet, kanë përjashtuar opozitën nga të gjitha hallkat e procesit, por nuk e kanë përjashtuar dot nga kontributi që kanë sjellë që ditën e parë.
Edhe dje thashë se ka qenë një takim konstruktiv. Rama nuk ra dakord për një deklaratë përbashkët, se tha secili do ketë deklaratat e veta, kishte organizuar një shfaqje tjetër. Ai iu rikthye gjuhës së vjetër të konfliktualitetit, çka për fat të keq nuk i kontribuonte shpirtit të negociatave që pritej të fillonin.
Negociatat nisën dhe për 2 çështje kryesore të mbetura pezull u mbajtën këto qëndrime: përfaqësuesit e mazhorancës propozuan nenin 123 të kushtetutës si formulën për funksionimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Neni 123 i Kushtetutës thotë se Republika e Shqipërisë u delegon ndërkombëtarëve kompetenca për çështje të caktuara. Por neni 122 thotë se një marrëveshje ndërkombëtare e miratuar me ligj ka epërsi ndaj ligjeve të vendit, kur bie ndesh me to. Dhe ne e konsideruam këtë një zgjidhje të pranueshme.
Problemi i dytë i mënyrës si do funksionojë Operacioni u zgjidh me një propozim të ardhur nga partnerët, të cilët propozuan që Operacioni të stacionohet pranë një prej dy organeve, Presidentit, apo Avokatit të Popullit që ai të marrë të gjitha aplikimet, të hartohet një listë e bardhe me ata që plotësojnë kriteret, një liste e gjelbër për ata që nuk plotësojnë kriteret dhe një listë e zezë për ata që ka dokumente fakte dhe prova.
Të 3 listat administrohen nga organi që është Presidenti. Presidenti ia dërgon 3 listat një komisioni ad hoc në kuvend. Ky komision ka mundësinë që me 4 nga 6 votat në qoftë se konstaton gabime materiale në listën e gjelbër kalon në listën e bardhë. Me 5 nga 6 vota nëse e sheh që ka gabime nga lista e zezë kalon në listën e bardhë. Lista i shkon komisionit ad hoc me 12 anëtarë dhe prej këtej me formulën hibride procesi vazhdon ashtu siç është.
Cilat janë kriteret? PD propozoi disa kritere dhe morëm vlerësimin e ndërkombëtarëve: aftësi profesionale, pastërti e figurës, deklarimi i pasurisë, nuk kanë qenë anëtarë partie në 20 vitet e fundit, nuk kanë marrë pjesë në reformën në drejtësi. Mbi bazën e këtyre kritereve do vendoset nëse i plotësojnë apo jo kushtet.
Por më pas u kërkua që Operacioni të ketë të drejtë të përjashtojë pa fakte kandidatë nga aplikimi. Kjo bie ndesh me kushtetutën. Një pretendim absurd, i papranueshëm. Po në qoftë se është një person i papranueshëm për opinionin publik? Duan t’i japin vëzhguesve ndërkombëtarë rolin e zëdhënësit të opinionit publik. Rikthimi te kjo pikë ishte për fat të keq sinjali i zhbërjes së marrëveshjes që ishte arritur tashmë.
Pika e dytë ka të bëjë me mënyrën se si rregullohet prania e misionit ndërkombëtar dhe funksionimi i tij në Shqipëri. Propozimi për nenin 123 papritur u kundërshtua. U kundërshtua me pretendime absurde, që një mision që funksionon në bazë të një marrëveshje të tillë mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese. Ky pretendim nuk qëndron.
Rreth orës 2 prisnim që rreth orës 2 edhe këto dy çështje që u ngritën të dakordësoheshin, por u refuzua çdo zgjidhje. Me pretendimin, jo se e çojnë në Strasburg. Por kjo është lajthitje, se edhe sipas kushtetues mund të shkosh në Strasburg. Po nëse një çështje çohet në Strasburg do të thotë se nuk është bërë ashtu siç duhet, por ne duam që kjo reformë të bëhet ashtu siç duhet”, tha Basha.
Komentet