Ajola Xoxa, akuzohet të jetë pjesë aktive e skemave të pastrimit të parave bashkë me bashkëshortin e saj duke përfituar qindra mijëra euro ryshfet nga fondet e Bashkisë apo kompani kontraktore e më pas “pastruar” ato tek “Harabel”. Kjo strategji nuk është e panjohur; që nga oligarkët rusë deri te donatorët politikë në Perëndim, galeritë e artit janë kthyer në kasaforta moderne për paratë e pista. Çfarë bënte Ajola me këto para të pista? Blinte fustane, buzëkuqe, stoli e mbathje online, ato që gjyshja nuk ia garantonte dot.
E pikërisht kështu, Ajola e rreshtoi veten në krah të asaj kategorie grash politikanësh që garojnë jo për të ndërtuar një emër të mirë dhe një figurë me integritet në skenën publike, por për t’u dukur e mbajtur mend nga markat e veshjeve, këpucëve që mbathin dhe çantave që hedhin në krah.
Vajza që dikur aspiroi të ishte një profesioniste e fushës së të drejtës dhe ligjit, e reduktoi veten në gruan e mbathjeve e stolive që ngarkonte në shportat online.
Historia e saj është krahasuar me atë të Imelda Marcos, por edhe pse nuk mund të krahasohet për nga ndikimi dhe popullariteti me ish-Zonjën e Parë të Filipineve, grykësia për luks duket se i bashkon.
Imelda vidhte miliarda hapur, duke krijuar koleksione këpucësh dhe diamantesh, Ajola blinte Prada dhe LV duke u fshehur pas transaksioneve nën emra të tjerë. Në Shqipërinë e 2.7 milionë banorëve, ku shumica mezi siguron jetesën mujore, babëzia e Ajolës vlerësohet se ia kalon asaj të Imeldës.
Pse Ajola e reduktoi veten në një grua mbathjesh, çantash e stolish?
Ajola mund të ketë hyrë në botën e korrupsionit për disa arsye, por mbi të gjitha, ndikimi i bashkëshortit të saj tashmë në arrest me burg për shpërdorim detyre, korrupsion aktiv e pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash, ka luajtur një rol të madh. Ndoshta në fillim ajo e pa si një zgjedhje të detyruar, një kompromis për të ruajtur ekuilibrin e martesës dhe kontrollin mbi financat. Me kalimin e kohës, kjo sjellje mund të jetë normalizuar, veçanërisht kur të gjithë ata të ngjashmit e tyre përfitonin nga e njëjta skemë.
Ambicia për pasuri dhe status social ka ndikuar gjithashtu. Edhe pse si avokate mund të siguronte të ardhura të mira, ajo mund ta ketë ndier se kjo nuk mjaftonte për të mbajtur hapin me gratë e tjera përqark. Do të ishte e tmerrshme për të sikur Bela, Linda apo Belinda do të shfaqeshin një ditë me “Hermès Himalaya Birkin” në krah. Frika se nuk do të ishte në lartësinë e duhur në paraqitje dhe luks mund të ketë qënë motivuese. Në Shqipëri, ku korrupsioni nuk shihet si përjashtim por si normë, Ajola e ka parë këtë rrugë si të pashmangshme.
Pushteti gjithashtu sjell emocione të forta. Kur ke mundësi të zgjerosh pasurinë, të lídhesh me individë me ndikim dhe të mbulosh transaksione të dyshimta në fshehtësi, e gjitha kjo mund të krijojë një ndjenjë eksitimi dhe besimi se je dikushi që ke në dorë fate e njerëz. Dhe pas cdo mëkati, sa herë që mund të kishte ndonjë vrarjeje ndërgjegjeje, Ajola e gjente faljen kur i shfaqej publikut si një modele pasarelash Gucci a Dior. Ah, për ato rroba, ato stoli ia vlente gjithçka!
Historia e Ajola Xoxës nuk është thjesht një rrëfim korrupsioni brenda familjes, zyrës, bashkisë, komunitetit apo shtetit, por një ilustrim i qartë se si etja për luks dhe pushtet mund ta transformojë një grua aspirante për profesioniste në një simbol të korrupsionit, pastrimit të parave dhe hipokrizisë publike.