VOAL

VOAL

“Luftëtarët kibernetikë” të SHBA-së edhe në Maqedoninë e Veriut

May 21, 2019

Komentet

Antonio Costa i bën thirrje Shkupit të ndryshoje Kushtetutën për të nisur negociatat me BE

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i kërkoi sot Maqedonisë së Veriut që të përmbushë detyrimet e saj për ndryshimet kushtetuese, nëse dëshiron të nisë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Gjatë një vizite në Shkup, ai theksoi se nuk ka më vend për negociata të reja dhe se marrëveshja e arritur në vitin 2022 duhet të zbatohet plotësisht.

“Është e qartë se ajo për të cilën është rënë dakord në vitin 2022 është tashmë e qartë dhe nuk ka më asgjë për të negociuar. Nuk ka vend për kërkesa të mëtejshme. Ne e dimë cilat janë Kriteret e Kopenhagenit, e dimë cilat reforma duhen përfunduar dhe tani është koha për zbatim”, deklaroi Costa.

Procesi i integrimit evropian i Maqedonisë së Veriut është në ngërç, kryesisht për shkak të mungesës së zbatimit të propozimit evropian të miratuar në verën e vitit 2022. Ky propozim parashikon përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e vendit – një kusht kyç për hapjen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit.

Ndërkohë që marrëveshja u pranua nga qeveria e mëparshme e qendrës së majtë, partia aktuale në pushtet, VMRO-DPMNE e krahut të djathtë dhe kryeministri Hristijan Mickoski, e ka kundërshtuar ashpër atë. Në takimin me Costën, Mickoski përsëriti refuzimin e tij për ndryshimin e Kushtetutës.

“Nuk mund ta pranojmë këtë pa parë vullnet të mirë nga pala tjetër, ajo bullgare. Nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën tonë sërish, pa një mesazh të qartë dhe një reagim konkret nga pala tjetër”, u shpreh Mickoski.

Si Brukseli, ashtu edhe Sofja, kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se Maqedonia e Veriut mund të nisë negociatat vetëm pasi të miratojë ndryshimet kushtetuese.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2021, bullgarët përbëjnë rreth 0.2% të popullsisë së vendit, ose afro 3,500 persona. Megjithatë, autoritetet bullgare e kontestojnë këtë shifër dhe pretendojnë se përqindja e komunitetit bullgar është dukshëm më e lartë.

Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë tensionuar veçanërisht pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së në qershor të vitit të kaluar. Dy vendet kanë mosmarrëveshje të thella historike, etnike dhe gjuhësore që i kanë rrënjët në dekada më parë.

Pavarësisht sfidave, Costa përshëndeti angazhimin e qeverisë në Shkup për reformat dhe vlerësoi progresin e arritur.

“E inkurajoj Kryeministrin të bëjë çdo përpjekje për të çuar përpara këtë proces. BE-ja është në dispozicion për t’ju mbështetur. Është thelbësore që reformat të vazhdojnë. Dua gjithashtu të shpreh vlerësimin për përafrimin tuaj me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, tha ai.

Vizita në Shkup është pjesë e një turneu të Antonio Costës në Ballkanin Perëndimor që nisi të martën. Ai ka vizituar tashmë Beogradin, Sarajevën, Podgoricën dhe Prishtinën. Pas takimeve në Maqedoninë e Veriut, ai udhëtoi drejt Tiranës, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) që mbahet në kryeqytetin shqiptar. sn

Intervista- Bujar Osmani: Tragjedia në Koçan po keqpërdoret për polarizim etnik e politik

Sanja Vasiq

Ajo që po ndodh pas tragjedisë në Koçan është një polarizim selektiv etnik, partiak dhe politik për të mbrojtur të vetët me çdo kusht, thotë nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani.

Në një intervistë për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë, ai thotë se nuk ka marrëveshje me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravarin, as për protestat e paralajmëruara, as për kërkesën për zgjedhje të dyfishta.

Shënim: Kjo intervistë është realizuar para se partia e Arben Taravarit, Aleanca për Shqiptarët, të tërhiqej nga koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

Radio Evropa e Lirë: Pse BDI po paralajmëron sërish protesta? Kryetari juaj, Ali Ahmeti, deklaroi se nëse ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, akuzohet për tragjedinë në Koçan, “do të dalë në rrugë dhe nuk do të kthehet derisa të shpallen zgjedhje të dyfishta”?

Bujar Osmani: Mendoj se është e gabuar të lidhet emri i Kreshnik Bekteshit si arsye për protestë. Ai është një simbol i drejtësisë selektive që po zbatohet. Ajo që po ndodh pas tragjedisë në Koçan është e paprecedentë në përmasa botërore. Bëhet fjalë për një polarizim etnik, partiak dhe politik për të mbrojtur të vetët.

Edhe kur Ahmeti flet për protesta si të drejtë kushtetuese të opozitës, nuk i referohet Bekteshit si individ, por situatës në shtet. Qeveria po e segregon vendin, po i shkatërron elementet themelore të kohezionit shtetëror. Ato janë: Marrëveshja e Ohrit po sulmohet dhe po tentohet të anulohet, perspektiva evropiane është zhdukur, dhe drejtësia selektive është bërë kanceri i mosbesimit në një shoqëri demokratike.

Radio Evropa e Lirë: Presidentja Gordana Silanovska këtë e quajti presion ndaj gjyqësorit.

Bujar Osmani: Presidentja nuk reagoi kur kryeministri paralajmëroi protesta kundër prokurorisë dhe gjyqësorit, kur çdo ditë kërcënonte me shkarkime të gjyqtarëve e prokurorëve, kur sillej si prokuror e gjykatës dhe u thoshte shqiptarëve se do t’i tërhiqte zvarrë.

Ajo nuk e ka përmbushur rolin e saj kushtetues si ndërmjetëse mes pozicioneve politike dhe etnike, por është bërë zëdhënëse e dominimit monoetnik, e drejtësisë selektive, dhe e një partie të vetme. Ky funksion më nuk përfaqëson shqiptarët, dhe duhet të krijohen mekanizma që të paktën presidenti të jetë i pranueshëm për të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: Pse BDI nuk protestoi kur u dyshua Artan Grubi?

Bujar Osmani: BDI është parti serioze me mbështetje të madhe. Çdo vendim ynë ka pasoja dhe ne i matim ato. Ka dallime mes rasteve të ndryshme, por sërish: Ahmeti përmendi Bekteshin si simbol të drejtësisë selektive, jo si emër që do shkaktonte protesta.

Radio Evropa e Lirë: BDI kishte marrëveshje me kryeministrin Hristijan Mickoski për riorganizimin e qeverisë në Kuvend. A ka marrëveshje të re për zgjedhje të dyfishta apo të parakohshme?

Bujar Osmani: Është e qartë se kjo qeveri është monoetnike dhe pa legjitimitet mes shqiptarëve. Zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme në mënyrë që kjo situatë të mos normalizohet kurrë. Kjo është një anomali, një gjendje jonormale që nuk mund të jetë e qëndrueshme – duhet të ndërpritet, në mënyrë që të hyjmë në atë periudhë të artë ku pas 20 vjetësh, për herë të parë do të kemi 4 vjet pa asnjë palë zgjedhje. Unë i kam llogaritur: gjatë 20 vjetëve të fundit kemi pasur 14 cikle zgjedhore, që do të thotë se çdo 17 muaj kemi pasur zgjedhje. Tek ne, një proces zgjedhor paralizon vendin për 6 muaj para dhe 6 muaj pas.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë periudhe e artë për integrimet evropiane, kur gjithçka është në ngërç – Bashkimi Evropian nuk jep garanci se Bullgaria nuk do të vazhdojë me kushtëzime, qeveria aktuale nuk ka qëllim të ndryshojë Kushtetutën sipas kushteve të vendosura. A mendoni se keni bërë gabim që i pranuat këto kushte edhe pse e dinit që nuk kishit konsensus në Kuvend?

Bujar Osmani: Së pari, çështja e garancive është vendosur gabim. Po, duhen garanci, por nuk duhet të krijojmë një tjetër problem si ai i emrit. Garancitë nuk duhet të kërkohen nga Bashkimi Evropian. BE është një trupë kolektive ku shtetet kanë të drejtë vetoje, përfshirë Bullgarinë. Garancitë duhet të kërkohen individualisht nga shtete anëtare, nga Gjermania, Franca, nga shtete të rëndësishme të BE-së, të cilat duhet të na garantojnë që nuk do të lejojnë që nesër në procesin negociator Bullgaria ta keqpërdorë kornizën. Pra, po për garanci, por jo në mënyrën që abuzohet me një term abstrakt që vetëm do të krijojë një problem të pazgjidhshëm.

Së dyti, a duhej të pranohej korniza negociuese? Po, do të ishte një gabim historik nëse do të humbnim mundësinë që për herë të parë në histori, gjuha maqedonase të shkruhej në dokumentet e BE-së pa asnjë shtesë.

Ne shkuam përmes Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe në kornizën negociuese nuk ka “sipas Kushtetutës”. Nëntëdhjetë për qind e negociatave me Bullgarinë ishin për atë formulim. Për të shtuar “sipas Kushtetutës” apo një yll shpjegues në përkufizimin e gjuhës, ne e zgjidhëm këtë 100 për qind në kurriz të vetvetes.

Radio Evropa e Lirë: Hipotetikisht, nëse ka zgjedhje, dhe fitoni e hyni në qeveri me VMRO-DPMNE, a do ta zbatoni këtë?

Bujar Osmani: Edhe para zgjedhjeve të mëparshme, partitë politike shqiptare nënshkruan një marrëveshje që nuk do të hynin në qeveri me një parti që nuk pranon të përfundojë procesin evropian. Sepse, pa një të ardhme evropiane, ky shtet nuk ka të ardhme. Kjo është fjalia kyç. Dhe, të gjithë e nënshkruan atë: edhe VLEN, edhe Ahmeti, edhe Taravari, edhe Izet Mexhiti dhe të tjerët. Por, u tërhoqën nga ajo marrëveshje, ndërsa ne vazhdojmë ta respektojmë që nga viti i kaluar.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë mirëqenie pa të ardhme evropiane të shtetit. Dhe, këtë nuk e themi si kërcënim, por si kujdes për të ardhmen e qytetarëve që çdo ditë po marrin pasaporta bullgare, nesër mund të marrin edhe pasaporta shqiptare dhe do të jemi i vetmi paradoks në botë – një vend joanëtar i BE-së, por me qytetarë që janë të gjithë qytetarë të BE-së përmes shteteve fqinje.

Radio Evropa e Lirë: Të kthehemi te zgjedhjet. A ka vendim në BDI nëse do të merrni pjesë në zgjedhjet lokale?

Bujar Osmani: Deklarata e Ahmetit në lidhje me zgjedhjet lokale ishte një shpjegim i situatës në rast se hipotetikisht Ligji për Gjuhët do të prekej nga Gjykata Kushtetuese. Atëherë, nuk ka logjikë të funksionojë më politika në shtet, sepse aty përfundon Marrëveshja e Ohrit. Dy shtyllat e para tashmë janë rrëzuar.

Çështja e legjitimitetit – po shihni inxhinieri në bllokun politik shqiptar, kryeministri vendos kush përfaqëson shqiptarët, nuk ka logjikë pse të marrim pjesë në zgjedhje kur dikush tjetër vendos për ne. Së dyti, “Balancuesi” dhe Badenteri, që janë shtylla e dytë, dhe së treti – gjuha. Nëse preket gjuha, nuk ka më marrëveshje kornizë.

Radio Evropa e Lirë: Por, vendimi është shtyrë për pas zgjedhjeve lokale.

Bujar Osmani: Edhe pse raporti është përgatitur, po përgatitet terreni për këtë, dhe kjo i bën zgjedhjet e ardhshme më shumë një referendum për gjuhën, sesa zgjedhje për kryetarë komunash.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë kjo? A do të marrë pjesë BDI në zgjedhje?

Bujar Osmani: BDI, sigurisht, do të marrë pjesë në zgjedhjet e përbashkëta – zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale.

Radio Evropa e Lirë: Po nëse janë vetëm lokale?

Bujar Osmani: Sigurisht që do të marrim pjesë dhe do të fitojmë ato zgjedhje.

Radio Evropa e Lirë: A ka marrëveshje bashkëpunimi me Arben Taravarin dhe Aleancën për Shqiptarët për zgjedhjet lokale?

Bujar Osmani: Nuk ka një marrëveshje të tillë, po ndjekim zhvillimet në VLEN. Mendoj se vendimi i Taravarit për të ngritur zërin kundër këtij poshtërimi është një vendim vërtet i guximshëm. Po presim të përfundojnë ato dinamika atje, pastaj do të shohim se si do të jetë pozicionimi për zgjedhjet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: A po bisedoni me LSDM-në për ndonjë bashkëpunim në zgjedhjet lokale?

Bujar Osmani: Nuk ka komunikim formal ndërmjet dy partive për këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Pse BDI po luan sërish me kartën etnike para këtyre zgjedhjeve? Pse nuk fokusohet te problemet reale, si ekonomia, lufta kundër korrupsionit, emigrimi i të rinjve?

Bujar Osmani: Mendoj se pyetja është vendosur gabim. Pse qeveria nuk fokusohet te çështjet ekonomike, te çështjet normale, por duhet të heqë “Balancuesin”? Pse bëhen punësime monoetnike? Shikoni të gjitha konkurset e fundit në institucionet shtetërore – për shkak të heqjes së “Balancuesit”, nuk ka asnjë të punësuar shqiptar. Pse po zhduket gjuha shqipe nga institucionet shtetërore? Pse po përpiqen me çdo kusht të mbyllin Inspektoratin e Gjuhëve? Kjo është pyetja.

BDI po reagon ndaj përpjekjes për të sulmuar themelin e unitetit të shtetit – Marrëveshjen e Ohrit, marrëveshjen historike midis maqedonasve dhe shqiptarëve për mënyrën se si duhet të qeveriset dhe jetohet në këtë vend. Kjo është çështja që duhet t’ia bëni Qeverisë.

Radio Evropa e Lirë: Tragjedia në Koçan tregoi edhe se çfarë sistemi keni ndërtuar ju vetë, që jeni në pushtet prej 20 vjetësh.

Bujar Osmani: Mënyra se si po trajtohet tragjedia në Koçan është në fakt paradigma e asaj që po them tani. Gjykata duhet të tregojë. Deri tani nuk është treguar se çfarë sistemi kemi pasur.

Ajo që pamë është se Policia nuk ndërhyri me kohë, se Policia e dinte që një vit më parë salla nuk kishte licencë, se në ditën kur ndodhi ai organizim me 600 njerëz, që ishte reklamuar, nëpër Koçan dihej se do të ndodhte, dhe Policia e dinte që nuk kishte licencë, që nuk kishte kushte – por kjo nuk po trajtohet. Po hetohen ministrat e Ekonomisë prej 15 vjetësh më parë.

Radio Evropa e Lirë: Po, por licencat janë dhënë për 15 vjet.

Bujar Osmani: Këtu shihni përpjekje të qartë. Kush janë fajtorët? Gjetëm disa shqiptarë. Dhe, tani duan t’u tregojnë njerëzve në Koçan se “shqiptarët ju vranë”. E dini sa e rrezikshme është kjo ide? Por, jam shumë i lumtur që nuk zuri rrënjë kjo përpjekje për ta etnizuar çështjen.

Nuk dëgjova asnjëherë nga nënat, nga prindërit e të ndjerëve në Koçan, që ta përmendnin këtë. Ata identifikuan saktë dhe thanë kush duhej t’i mbronte atë natë. Populli në Koçan, familjet, kaluan testin më të rëndësishëm – nuk ranë pre e kësaj propagande dhe në fakt treguan gishtin aty ku prisnin që dikush t’i mbronte.

Arkeologët zbulojnë kryeqytetin e humbur prej kohësh të qytetërimit të lashtë të lidhur me Aleksandrin e Madh

Arkeologët në Maqedoninë e Veriut kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm të Kryeqytetit të Humbur të Qytetërimit të Lashtë, i cili mund të zbulojë njohuri të reja mbi jetën e Aleksandrit të Madh dhe origjinën e tij.

Ata mund të kenë zbuluar kryeqytetin e humbur prej kohësh të një qytetërimi të lashtë – Mbretërinë e Lyncestis – një vend që dikur ishte një qendër e lulëzuar shumë kohë para ngritjes së Perandorisë Maqedonase.

Ky zbulim jo vetëm që ofron njohuri mbi rrënjët historike të rajonit, por gjithashtu mund të ndihmojë në përcaktimin e vendit të lindjes së Euridikës I, gjyshes me ndikim të Aleksandrit të Madh.

Sipas GB News , ky zbulim konsiderohet si një nga më të rëndësishmit në kohët e fundit, duke ofruar të dhëna joshëse rreth një bote të lashtë që ka mbetur e fshehur prej kohësh.

Posta e lashtë ushtarake e riklasifikuar si qytet i humbur

Zbulimi u bë pranë fshatit Crnobuki , ku mbetjet u identifikuan për herë të parë në vitin 1966. I konsideruar prej kohësh si një post i thjeshtë ushtarak, vendi është riinterpretuar rrënjësisht falë një studimi me lidar të kryer në vitin 2023 nga studiuesit e Cal Poly Humboldt , në bashkëpunim me Institutin dhe Muzeun e Maqedonisë në Manastir .

Duke përdorur dronë të pajisur me lazer, ekipi hartëzoi terrenin e vendit përmes bimësisë së dendur, duke zbuluar një akropol që shtrihej në më shumë se shtatë hektarë.

Duke folur për Fox News Digital, Nick Angeloff, një profesor antropologjie në Cal Poly Humboldt , tha se provat sugjerojnë fuqimisht se vendi është me të vërtetë Lyncus, kryeqyteti i një qytetërimi të lashtë që u pushtua nga Mbreti Philip II i Maqedonisë në vitin 358 para Krishtit.

«Çdo tregues tregon se ky është qyteti i Lyncus, brenda Lyncestis», deklaroi Angeloff.

Artefakte të habitshme sfidojnë afatin kohor

Studimi i avancuar zbuloi më shumë sesa thjesht terren. Gërmimet nxorën në dritë një punishte tekstili, një teatër të mundshëm dhe një sasi të madhe objektesh kulturore. Ndër gjetjet: qeramikë, monedha, pjesë lojërash dhe një biletë të rrallë teatri prej balte – të dhëna që tregojnë për një qendër urbane të gjallë dhe të sofistikuar.

“Potenciali që arkeologjia në të gjithë Maqedoninë e Veriut të na japë informacion mbi epokat klasike, si dhe epokën romake, është shumë i rëndësishëm”, tha Angeloff.

Ndoshta më intriguesi ishte zbulimi i një monedhe, të prerë midis viteve 325 dhe 323 para Krishtit – gjatë jetës së Aleksandrit të Madh . Ky zbulim rrëzon teoritë e mëparshme që e datonin themelimin e qytetit në mbretërimin e Filipit V (221–179 para Krishtit), shumë kohë pas vdekjes së Aleksandrit.

Nga rrënjët e epokës së bronzit te pushteti maqedonas

Gjurmë edhe më të hershme u gjetën midis rrënojave. Arkeologët zbuluan sëpata dhe copa qeramike që datojnë që nga Epoka e Bronzit (3300–1200 p.e.s.), duke treguar historinë e gjatë dhe të shtresuar të banimit njerëzor të vendit.

«Ne arritëm të mbulonim dhe të shihnim se çfarë kishte nën tokë. Akropoli mbi të cilin ndodhet, i cili është në thelb një majë kodre e sheshtë, ka dhoma dhe infrastrukturë të mjaftueshme për të mbajtur një qytet të tërë brenda mureve të fortesës», vërejti Angeloff.

Këto shtresa ndërtojnë një argument bindës që vërteton se Lyncus është më shumë sesa thjesht një shënim në gjeografinë e lashtë – ai mund të ketë qenë një pjesë jetësore e origjinës dinastike maqedonase.

«Pa Euridikën I, nuk e kemi Filipin II, babanë e Aleksandrit, dhe as Aleksandrin e Madh», tha Angeloff, duke theksuar rëndësinë e mundshme historike të këtij vendi.

Ripërcaktimi i ndikimit maqedonas

Qyteti i lashtë i Lyncus dikur ishte kryeqyteti i Lyncestis, një mbretëri e vogël që përfundimisht u përfshi nga Filipi II në perandorinë e tij në zgjerim. Nëse identiteti i vendit konfirmohet, kjo jo vetëm që do të vendoste origjinën e Euridikës I atje, por do të ofronte edhe një pamje të epokës themelore të prejardhjes së Aleksandrit të Madh .

“Ky është i vetmi vend i përshtatshëm që kemi përcaktuar se mund të jetë qyteti i lashtë i Lyncus , ku lindi dhe u rrit gjyshja e Aleksandrit të Madh.”

Duke folur për implikimet më të gjera, Engin Nasuh , kurator në Institutin Kombëtar të Maqedonisë dhe Muzeun e Manastirit , e përshkroi qytetërimin maqedonas si një qytetërim që “luajti një rol të madh në kuptimin e sotëm të botës dhe dëshirën për të lidhur qytetërime dhe kultura të ndryshme”.

Ndërsa gjetjet janë premtuese, gërmime dhe analiza të mëtejshme janë duke u zhvilluar për të konfirmuar identitetin e vendit si Lyncus , kryeqyteti i një qytetërimi të lashtë .

«Ne shohim të gjithë gamën e infrastrukturës së nevojshme për të mbajtur një qytet brenda mureve të fortesës gjatë një sulmi nga Roma në veçanti», vuri në dukje Angeloff.

Për momentin, çdo monedhë dhe fragment lë të kuptohet një histori më e thellë – një histori që mund të ripërcaktojë atë që dimë për trashëgiminë maqedonase dhe lidhjet e saj me një nga figurat më legjendare të historisë. bw

A Theater Token Was Found At The Site Suggesting That A Theater Building May Be Found In The Future Cal Poly Humboldt 1200x750

 

Ali Ahmeti gjatë takimit me presidenten e Kosovës: Shqiptarët në RMV po përballen me një ofensivë të rrezikshme

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, gjatë takimit të sotëm në presidencë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi formim sa më të shpejtë të institucioneve kosovare.

Gjithashtu, Ahmeti theksoi se shqiptarët në RMV “po përballen me një ofensivë të rrezikshme që ka për qëllim zhbërjen e shtyllave të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit”.

Këto detaje të reja i ka dhënë Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI, në komunikatën e publikuar në Facebook.

“Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe pati në fokus situatën politike në dy vendet tona, sfidat rajonale, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe zhvillimet shqetësuese në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se “Ahmeti ngriti shqetësimin e thellë për përkeqësimin e situatës politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët janë vënë në shënjestër nga një bosht hibrid politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike dhe me një përfaqësim të inxhinieruar politik të shqiptarëve”.

“Sot, shqiptarët po përballen me një ofensivë të rrezikshme që ka për qëllim zhbërjen e shtyllave të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një instrument partiak që po anulon themelet e barazisë si gjuha shqipe dhe mekanizmat e balansuesit dhe badinterit.

Kjo është një shkelje flagrante e barazisë ndëretnike,” theksoi Ahmeti.bw

Afrim Gashi: Nuk ka nevojë për panik apo zgjedhje të parakohshme parlamentare

Sanja Vasiq

Shumica parlamentare është e qëndrueshme pavarësisht tronditjeve në koalicionin VLEN, thotë kryetari i Kuvendit maqedonas, Afrim Gashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në afatin e rregullt.

Çfarë po ndodh në koalicionin VLEN?

Përçarjet në koalicionin VLEN, pjesë e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nisën më 16 prill, kur lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, bëri të ditur se në zgjedhjet lokale të vjeshtës do të garojë i vetëm me kandidatët e tij.

Kjo lëvizje shkaktoi reagime brenda koalicionit, me akuza se Taravari kishte bërë marrëveshje me liderin e BDI-së opozitare, Ali Ahmeti.

Për këtë arsye, VLEN vendosi ta përjashtojë Taravarin nga koalicioni.

Nëse ai do të largohet edhe nga posti i ministrit të Shëndetësisë, do të vendosë kryeministri Hristijan Mickoski pas festave të 1 majit.

Ndërkohë, VLEN ka paralajmëruar transformimin e koalicionit në parti politike.

Grupi parlamentar i VLEN-it, me gjithsej 14 deputetë, ende nuk ka marrë vendim për mënyrën e veprimit në Kuvend, nëse Taravari bashkë me pesë deputetë të tjerë largohen nga koalicioni.

Ka shumë spekulime për orientimin e këtyre deputetëve – nëse do të qëndrojnë në VLEN apo do t’i bashkohen opozitës – çka do të ndikonte edhe në shumicën e Badenterit, të domosdoshme për miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë përkrahjen e komuniteteve etnike.

Aktualisht, grupi parlamentar i VLEN-it përbëhet nga pesë deputetë të Aleancës për Shqiptarët, tre nga Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, dy nga Lëvizja BESA dhe një deputet i pavarur i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës.

Ngjarjet e fundit kanë hapur diskutime në skenën politike nëse përçarjet në koalicionin shqiptar mund të çojnë në rikonstruim të Qeverisë ose në zgjedhje të parakohshme, krahas zgjedhjeve lokale.

Në zgjedhjet e majit 2024, koalicioni VLEN ia doli ta largojë BDI-në nga pushteti, pas gati dy dekadash qeverisje dhe bashkëpunimi si me VMRO-DPMNE-në ashtu edhe me LSDM-në.

Radio Evropa e Lirë: A nënkuptojnë zhvillimet brenda VLEN-it edhe ndryshime në Qeveri apo në Kuvend? Dhe a është në rrezik shumica e Badenterit? A mendoni se bashkë me zgjedhjet lokale duhet të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Afrim Gashi: Jemi këtu në Kuvend, dhe përpiqem të jem sa më i shkëputur nga politika ditore dhe partitë politike. Jam vërtet i përkushtuar ndaj punës në Kuvend, por natyrisht nuk mund të shmangim politikën, sepse edhe ne jemi pjesë e strukturave politike. Mendoj se nuk ka arsye për panik, shumica është stabile dhe duhet të vazhdojmë punën, pa marrë parasysh nëse dikush hyn apo del nga koalicioni. Nuk pres ndryshime të mëdha në numrin e deputetëve. Shumica është e fuqishme, kemi rreth dy të tretat.

Nga ana tjetër, po afrohen zgjedhjet lokale, por nuk duhet të na kapin ethet e zgjedhjeve për çdo gjë. Lokalet janë natyrshëm të fokusuara në probleme të infrastrukturës, kanalizimeve, ndriçimit, rrugëve – nuk duhet që politika e lartë të ndikojë në këtë proces. Prandaj nuk do t’i vija në të njëjtën peshore zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Kuvendi dhe Qeveria duhet të vazhdojnë punën deri në fund të mandatit, për të garantuar stabilitet politik për qytetarët. Zgjedhjet lokale janë temë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që partneri juaj i koalicionit, Aleanca për Shqiptarët dhe Taravari të mbeten në Qeveri?

Afrim Gashi: Kjo është çështje që do ta vendosin liderët politikë të VLEN-it. Ka sinjale për unifikim të koalicionit në një subjekt të vetëm politik. Nëse kjo ndodh, ata do të vendosin se si do të pozicionohen Aleanca për Shqiptarët dhe Taravari. Unë për momentin nuk do të hyja në këtë temë. Mendoj se, çfarëdo që të ndodhë, nuk do të ketë ndikim të thellë në politikat qendrore. Dhe gjithsesi nuk duhet të ndikojë aspak në zgjedhjet lokale – janë dy procese të ndryshme dhe qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se VLEN duhet të shndërrohet në një parti politike?

Afrim Gashi: Qytetarët duan stabilitet. Një nga arsyet kryesore pse dikush voton për një parti politike është ndjenja e qëndrueshmërisë që ajo i ofron. Ne ishim katër parti në koalicionin VLEN dhe duam të tregojmë se ky projekt është afatgjatë. Me stabilitetin që i ofrojmë qytetarëve, rritet besimi dhe potenciali për të tërhequr më shumë votues. Nuk është vetëm për numra, është për stabilitet politik.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që Ziadin Sela t’i bashkohet nismës suaj?

Afrim Gashi: Nuk e di, nuk është në dorën time kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Kuvendi në këtë përbërje ka punuar një vit. Si e vlerësoni punën e tij? Me notë nga një deri në pesë?

Afrim Gashi: Sinqerisht, ndihem ende si nxënës dhe nuk do t’i jepja vetes një notë. Por, në përgjithësi, Kuvendi ka përmirësime në disa fusha kyçe: funksionalitet, efikasitet, transparencë dhe diplomaci parlamentare. Këto përmirësime janë të matshme me të dhëna konkrete. Por në politikë perceptimi është shumë i rëndësishëm dhe ai ndryshon ngadalë. Në këto 30 vjet demokraci, qytetarët kanë zhvilluar perceptim negativ ndaj Kuvendit. Nuk mund ta ndryshojmë atë përnjëherë, por besoj se kemi hapur mjaft kanale për të liruar energjinë negative. Synimi im është që deri në fund të mandatit, edhe qytetari nga një fshat i thellë, që na sheh në televizior, të thotë: “Jam i lumtur që kemi këtë Kuvend”.

Radio Evropa e Lirë: Kuvendi u kritikua për mungesën e një seance komemorative për tragjedinë në Koçan. Cili ishte qëndrimi juaj?

Afrim Gashi: Tragjedia në Koçan na preku të gjithëve. U mblodhëm me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe biseduam si njerëz përgjegjës, jo si përfaqësues partish. Kishim konsensus se, në ato ditë zie, mosmbajtja e seancave parlamentare mund të interpretohej si mungesë respekti. Deputetët ishin aktivë në zonat lokale, morën pjesë në komemorime me qytetarët. Prandaj vendosëm të tregojmë respekt, jo me një seancë në sallë, por përmes veprimit tonë të përbashkët.

Radio Evropa e Lirë: Por ushtruesi i detyrës së kryetarit të Koçanit tha se ishte mungesë respekti.

Afrim Gashi: Një person nuk përfaqëson gjithë opinionin publik. Ai është kryetar i një qyteti, por nuk është vetë qyteti.

Radio Evropa e Lirë: A pajtoheni me qëndrimin e kryeministrit Mickoski që nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese derisa Bullgaria t’i përmbushë detyrimet e saj ndaj minoriteteve?

Afrim Gashi: Nuk dua të komentoj qëndrimet e të tjerëve. Është e ditur se të gjitha partitë shqiptare, përfshirë VLEN-in, mbështesin nisjen e negociatave me BE-në. Por ka edhe një ndjeshmëri të madhe – edhe gjatë marrëveshjes me Greqinë – që shqiptarët të jenë krah popullit maqedonas në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë së tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si shqiptarë. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Integrimi europian është qëllim strategjik, por duhet ruajtur kohezioni ndëretnik – shtylla kryesore e stabilitetit të shtetit.

Radio Evropa e Lirë: BE ka kërkuar që, në pritje të ndryshimeve kushtetuese deri më 2027, të përmbushen reformat e Planit të Rritjes. A është kjo përparësi?

Afrim Gashi: Ne jemi shteti i parë në rajon që ka përmbushur të gjitha obligimet e fazës së parë të Planit të Rritjes. Prandaj morëm dhe donacionin e parë nga BE. Reforma do të mbetet prioritet. Nuk mund të presim vetëm për ndryshimet kushtetuese. Ka shumë punë për t’u bërë: harmonizimi i legjislacionit, reforma gjyqësore, etj. Nëse ndryshimet kushtetuese mbeten për në fund, të paktën gjithçka tjetër të jetë përfunduar.

Radio Evropa e Lirë: Reforma në gjyqësor përfshin edhe ndryshimet në Kodin Penal. Kur pritet diskutimi dhe votimi?

Afrim Gashi: Po punohet intensivisht. Gjykata Kushtetuese dha rekomandime për Kodin Penal dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike. Kemi krijuar grupe pune. Ligji për komunikimet është dorëzuar në Qeveri sepse kërkon ekspertizë të veçantë. Ne jemi të përqendruar edhe në reformat tjera. Reforma në drejtësi është prioritet i yni, jo vetëm për BE-në. Na duhet një sistem gjyqësor i besueshëm për vete, pastaj hapen edhe dyert për kapitujt negociues.

Radio Evropa e Lirë: A pritet që në qershor të përmbushen afatet?

Afrim Gashi: Do të varet nga grupet punuese. Kuvendi nuk ka ekspertizën teknike për çështje si komunikimet elektronike, por jemi shumë efikasë në procedimin e ligjeve. Çdo ligj që vjen në fillim të muajit, e votojmë brenda atij muaji. Ka rregull, parashikueshmëri, seanca të rregullta çdo muaj. Dhe për reformat, jemi të përkushtuar ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur, sapo të marrim propozimet e përgatitura.

Radio Evropa e Lirë: Ku qëndron ligji për përfaqësim të drejtë – i ashtuquajturi “balancues”?

Afrim Gashi: Ka vullnet politik, është kërkesë kushtetuese. Po punohet me kujdes për të mos pasur probleme me kushtetutshmërinë apo opinionin e Komisionit të Venecias. Synimi është që të miratohet një ligj funksional, pa dilema. Nuk ka afat zyrtar, por jam shumë optimist se deri në fund të muajit do të arrijë në Kuvend. Dhe do ta procedojmë menjëherë sipas Rregullores.

Radio Evropa e Lirë: Filluat me shumë premtime për reforma në Kuvend, për digjitalizim, por ajo që doli e para ishte shpallja për logo të re. A është kjo më e rëndësishmja?

Afrim Gashi: U prezantuan dy mjete të reja. Pas çdo seance, ajo do të ngarkohet në YouTube dhe qytetarët apo gazetarët do të mund t’i bëjnë pyetje inteligjencës artificiale për secilin diskutant, për votimet, e kështu me radhë. Do të ketë edhe mjet për komunikim të drejtpërdrejtë me deputetët, për takime virtuale apo fizike. Transparenca dhe llogaridhënia do të rriten ndjeshëm. Logoja e re është pjesë e trendit për t’u përshtatur me kohën dhe për t’i dhënë hapësirë edhe kreativitetit dizajnerëve. Do të vendoset nga një komision profesional. Çdo gjë që është funksionale për Kuvendin dhe për qytetarët, është për të mirën e përbashkët.

Në vitin 2016 gazeta Italiane la Repubblica publikon statistikën e qytetarëve të Maqedonisë

Në vitin 2016 gazeta Italiane la Repubblica publikon statistikën e qytetarëve të Maqedonisë, e cila ishte publiku nga shërbimi sekret CIA në Amerikë! Sipas CIA-s në R.M.V në vitin 2016 kemi qenë 800,000 Shqiptarë ose 40% ndërsa Maqedonë 55% ose 1,100,981 banorë ! Kjo duhet të Shpërndahet nga të gjithë Shqiptarët!/StrugaPost

Skandal në Maqedoninë e Veriut- Shiti sekretet shtetërore te bandat kriminale, arrestohet truproja e kryeministrit Mickoski

Truproja personale e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, Angel Saramakov është arrestuar dhe është dërguar në burgun e Shkupit ditën e sotme, ndërsa pritet që ndaj tij të ngrihet një kallëzim penal për zbulime të sekreteve zyrtare.

Sipas informacioneve nga policia, Saramakov dyshohet se në këmbim të parave ka ndarë sekretet zyrtare që posedonte me anëtarët e klanit mafioz Grërçec.

Saramakov është denoncuar disa herë në kontrollin e brendshëm dhe ai personalisht është ankuar se është degraduar dhe është paraqitur në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Diskriminimit.

Deri në prill të vitit 2024 ka punuar në SPB të Velesit si inspektor i lartë për vepra pronësore, ndërsa nga prilli si inspektor për kontrolle në mjekësinë ligjore. bw

Arrestohet ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi mes të dyshuarve për ngjarjen me 59 viktima

Ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është arrestuar dhe vendosur në paraburgim pasi dyshohet se Ministria që ai drejtonte ka lëshuar licencën e falsifikuar për funksionimin e lokalit të natës ku ndodhi tragjedia që i mori jetën 59 personave dhe shumë të tjerë u lënduan.

Ai është në mesin e 23 të dyshuarve për tragjedinë në klubin e natës ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Nga ana tjetër, BDI dhe LSDM thonë se rasti nuk duhet të politizohet, por të hetohen të gjitha institucionet që mund të lidhen me rastin në fjalë.

Gjatë ditës së hënë edhe kreu i komunës së Koçanit, Lupço Papazov dha dorëheqjen.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka deklaruar se për këtë ndodhi duhet të ketë përgjegjësi, duke shtuar se “asgjë s’është më e rëndësishme se jeta e një të riu”.

“Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova dhe theksoi se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësi dhe nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë.sn

Krejt çfarë dihet deri tani për zjarrin vdekjeprurës në klubin e natës në Maqedoninë e Veriut

Pamje nga lart e klubit të natës pas zjarrit vdekjeprurës në Koçan, Maqedoni e Veriut.

 

Radio Evropa e Lirë

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u zgjuan të hënën për ta nisur mbajtjen e një jave të gjatë të zisë kombëtare, një ditë pas zjarrit vdekjeprurës në një klub nate që tronditi vendin duke vrarë dhjetëra njerëz dhe plagosur qindra të tjerë.

Të paktën 59 njerëz u vranë dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, në orët e hershme të së dielës, thanë autoritetet.

Autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe kanë arrestuar dhjetëra të dyshuar në lidhje me zjarrin, përfshirë zyrtarë qeveritarë.

Çfarë ndodhi në klubin e natës?

Zjarri në klubin e natës në Koçan shpërtheu në orët e hershme të të dielës pasi shkëndijat e mjeteve piroteknike, të përdorura për efekt ndriçimi, ia vunë flakën çatisë, thanë autoritetet.

Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu teksa bendi ADN po përformonte.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan se çatia prej llamarine e klubit u dogj dhe u shemb në disa vende, duke lënë të ekspozuara dhe të nxira trarët e tij të brendshëm prej druri.

Deri tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.

Mbi 155 persona janë shtruar në spitale – kryesisht në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se 20 prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë.

Më shumë se 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare, sipas ministrit të Brendshëm, Pance Toskovski.

Disa pacientë u dërguan për mjekim në Bullgari, Serbi dhe Greqi, thanë autoritetet.

Hetimi

Autoritetet maqedonase premtuan hetim të shpejtë dhe të plotë, duke thënë se po sigurohet dokumentacioni për diskotekën e djegur, si dhe për personat e dyshuar të lidhur me zjarrin.

Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, tha se pesë prokurorë janë angazhuar për ta hetuar ngjarjen.

“Për momentin, janë lëshuar urdhra për mbledhjen e provave” dhe po merren në pyetje persona, tha Kocevski.

Toskovski tha se autoritetet kanë arrestuar anëtarë të grupit muzikor, djalin e pronarit të klubit dhe zyrtarë qeveritarë.

Ai shtoi se kanë identifikuar 20 të dyshuar në lidhje me zjarrin, 15 prej të cilëve janë në mbajtje.

Në mesin e të arrestuarve është edhe menaxheri i klubit të natës “Pulse”.

Klubi i natës nuk kishte licencë të vlefshme, sipas Toskovskit.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se licenca ishte lëshuar në mënyrë të paligjshme nga Ministria e Ekonomisë dhe premtoi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

“Pavarësisht se kush janë, nga cila institucion, nga çfarë niveli, nga cila parti apo profesion”, tha Mickoski.

Tragjedia e Koçanit, Papa Françesku mesazh ngushëllimi familjarëve të viktimave

Përmes një telegrami të nënshkruar nga Sekretari Kardinal i Shtetit, Pjetro Parolin, Papa Françesku ka shprehur ngushëllimet e tij pas zjarrit në një klub nate në Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën 59 persona, kryesisht të rinj.

Papa shprehu “ngushëllime të thella për familjet e viktimave” si dhe “afërsinë e tij shpirtërore me të lënduarit”, thuhet në telegramin dërguar peshkopit të Shkupit Kiro Stojanov. bw

Tragjedia- Tensionohet situata në spitalin e Koçanit, familjarët kërkojnë të afërmit e tyre. Qeveria shpall 7 ditë zie

Pas publikimit të shifrave të viktimave nga tragjedia e ndodhur në një diskotekë në Koçan, në Maqedoninë e Veriut, familjarët e personave që dyshohet se kanë qenë brenda godinës, kërkojnë informacion për të afërmit e tyre. Sic njofton TV Alsat, situata duket e tensionuar në spitalin e Koçanit.

Sipas ministrisë së Brendshme, dyshohet se nga zjarri që përfshiu godinën kanë humbur jetën 59 persona  dhe 155 janë plagosur. Qeveria maqedonase, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.

“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.

Qeveria mori vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare. bw

Të paktën 50 persona të vdekur si pasojë e zjarrit në një klub nate në Maqedoninë e Veriut

Radio Evropa e Lirë

Të paktën 50 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase për agjencinë e lajmeve MIA.

Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup.

Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë.

Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.

Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.

Autoritetet kanë thënë se do të deklarohen më vonë gjatë ditës.


Send this to a friend