Parlamenti ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës emërimin e Ylli Manjanit si ministër i ri i Drejtësisë. Manjani u emërua me 81 vota pro dhe me 27 vota kundër të opozitës. Ndërkohë që me unanimitet u realizua shkarkimi i Nasip Naços, i cili mori 104 vota pro dhe vetëm dy vota abstenim.
Më herët gjatë seancës ra në sy fakti se ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk kanë qëndruar në sallë. Ata janë paraqitur vetëm gjatë procesit të votimit. Për ish-kryeministrin Berisha ky ishte treguesi i prishjes së aleancës.
Madje, ai e ka krahasuar atë me divorcin e një çifti. “Ju jeni bërë si puna e atij çiftit që ndahet, por nuk e shpall. Dhe i thonë njëritjetrit s’po e shpallim për shkak të fëmijëve. Ju s’e shpallni për shkak të parave”, tha dje Berisha.
Debati dje në sallën e Parlamentit ka përplasur dhe ish-kryeministrin me deputeten Valentina Leskaj, e cila akuzohet nga PD-ja se djemtë e saj kanë përfituar tenderë të ndryshëm. Berisha e ka quajtur Leskajn si “zonja lokomotivë” dhe “zonja antistres”. Por deputetja e PS-së ka reaguar duke sqaruar se djemtë e saj nuk kanë përfituar para publike.
Sipas Leskajt, akuzat janë politike dhe se nuk do t’ia arrijnë qëllimit për t’i dëmtuar familjen. “Unë eci me çdo hap me ligjin. Djali im që është biznesmen, edhe pse ka punuar kaq shumë, jeton në një shtëpi të kohës së Enverit. Nuk jeton në një vilë shumë luksoze siç jeton djali juaj, edhe pse s’ka punuar asnjë ditë”, tha Leskaj. Por Berisha ka thënë se nëse socialistët do të zbulojnë që fëmijët e tij kanë përfituar para publike, atëherë t’i dënojnë.
Komentet