Pas rënies së monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, më 20 shkurt 1991, pati një acarim të situatës dhe destabilitet në shkallë vendi.
Pikërisht në atë kohë dolën në skenë shoqatat për mbrojtjen e figurës së Enverit. Mirëpo a e kishte në dorë situatën Ramiz Alia dhe udhëheqja e asaj kohe? Ramiz Alia ato ditë për n jë javë me radhë ka thirrur drejtues të PPSH-së nëpër rrethe për t’u njohur me situatën në bazë, por edhe për të dhënë porosi për komunistët dhe popullin si të vepronin në rrethanat e caktuara.
Në redaksinë e DITA-s erdhi Ismet Balaj, me origjinë nga Tropoja, që në atë kohë ishte drejtor i shkollës së mesme në Fushë-Arrëz të Pukës. Së bashku me disa përfaqësues të rretheve të Shkodrës, Pukës, Kukësit e Lushnjes ai ka qenë pjesëmarrës në një takim me Ramiz Alinë një javë pas rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës.
Ai ka mbajtur shënime të detajuara gjatë asaj mbledhjeje dhe i ka renditur në formën e një shkrimi për gazetën. Janë shënime shumë domethënëse për të hedhur dritë mbi situatën që mbretëronte mes komunistëve e drejtuesve lokalë civilë e ushtarakë. Gjendja pas rrëzimit të monumentit ishte shumë e nderë.
Nga njëra anë ekonomia ishte në zgrip të skamjes, nga ana tjetër reagimi i shumë besnikëve të Enver Hoxhës mund të përshkallëzohej nga çasti në çast. Gjendjen ekonomike e pranon edhe vetë Alia, ndërkohë që raportuesit pohojnë se edhe pse në fshat kishte bukë, “atë nuk kanë me çfarë të hanë…”.
Për ata, është pakuptueshme heshtja dhe mpirja e drejtuesve qendrorë të PPSH-së, pa lënë mënjanë edhe akuza ndaj vetë Ramiz Alisë. Një ndërhyrje shumë të fortë bën ushtaraku komandant i brigadës së Lushnjes: “Për rrëzimin e bustit ka pasur hile nga brenda. Më duket se ishte bërë parapërgatitje…
Ju e hapët derën e pluralizmit. Kanë vërshuar tërë të liqtë: burgaxhinjtë, horrat. Shumica e tyre nuk kanë qenë të burgosur politikë, por batakçinj, hajdutë, kriminelë ordinerë, por kur janë akuzuar, akuzës i është vënë edhe një akuzë politike me qëllim për ta lënë brenda.
Tani ata batakçinj janë bërë pararoja e PD-së. Janë njerëz pa moral, pa ideale. Unë kam vërejtje për ju. Ku jeni ju që nuk dilni në radio, në televizion nuk flet, nuk orienton se si ta përballojmë situatën. Ku fshihesh? Nuk e di, kush je ti, Ramiz Alia?” Por pas ndërhyrjes sfiduese të Alisë, ai sikur tërhiqet.
Në gjithë këtë atmosferë ku përzihet hutimi, dëshpërimi dhe dorëzimi para këtij kaosi, bie në sy porosia e prerë e Alisë: Asnjë përplasje të dhunshme, aq më tepër me armë. “Jemi të dyja palët shqiptarë, nuk do vrasim njëri-tjetrin”, thotë Alia.
Për më shumë detaje, ja si e tregon Balaj atë mbledhje:
Nga Ismet Balaj
Më datën 28 shkurt 1991 në ora 17.00 në një sallë të Pallatit të Kongreseve u bë mbledhja e përfaqësuesve të partisë të katër rretheve: Kukës, Pukë, Shkodër dhe Lushnje. Mbledhjen e drejtoi Sekretari i Parë i KQ të PPSH, Ramiz Alia. Erdhi i shoqëruar me Haxhi Lleshin.
Ramiz Alia tha: “Ju jeni një nga 6 grupet që ka organizuar Komiteti Qendror me rrethet për t`u njohur me situatën e sotme dhe të përcaktojmë disa drejtime për të ardhmen. Sot e mbyllim. Gjithë ky aktivitet ka vlerën e një kongresi partie në rrethana të veçanta. Ju i dini rrethanat. Nga ju dua të dëgjoj si është situata poshtë në bazë. A orientohet organizata bazë dhe komunistët; në ç`pozitë qëndron; po punonjësit e kooperativistët si e kuptojnë situatën dhe ç`punë bëhet për të mbajtur qëndrimin e duhur. Si mendoni se duhet të veprojmë ne në qendër, që të mbajmë boshtin e drejtimit të vendit…”.
Litari në qafën e Enverit, është dhe në tënden, shoku Ramiz!
Pas tij e mori fjalën drejtori i minierave të rrethit të Pukës, i cili ndër të tjera tha: “… Kur e kam parë litarin në qafën e Enver Hoxhës, e kam parë edhe në qafën tënde, shoku Ramiz, pastaj në qafen time e kështu me radhë. (Ramiz Alia, kthen kokën majtas dhe e shikon diskutantin se e kishte në krah ngjitur)…”. Gjendja në minierat e Pukës është në përgjithësi e qëndrueshme. Punohet dhe realizohet plani. Me shumë sforcime, po nuk kemi humbur asnjë ditë pune. Kushtet e minatorëve janë relativisht të mira. Ushqimi, veshmbathja për ta janë të mira. Kemi mundur të ruajmë sasinë dhe cilësinë e ushqimit, me gjithë vështirësitë e mëdha ekonomike të vendit tonë. Edhe eksportin deri tani e kemi realizuar. Vihet re se ka pakënaqësi të ndryshme, për pagesën e ulët, sidomos. Punëtorët flasin me njëri-tjetrin për hallet e shumta që ka fshati, sepse ata janë edhe fshatarë. Kushtet në fshat po rëndohen për ditë. Bukë kanë, por nuk kanë me se ta hanë; mungojnë yndyrat, qumështi, djathi, kosi etj., mbasi blegtoria ka pësuar vit pas viti rënie edhe për shkak të punës së dobët të drejtuesve të kooperativave, por edhe të disa gabimeve që u bënë nga qendra gjatë viteve tetëdhjetë… Do të bëjmë gjithçka të mundur për të mbajtur situatën në dorën tonë, por mesa po shohim e dëgjojmë, problemet po shtohen e përkeqësohen sidomos në qytetet kryesore si Shkodra e Tirana. Radiotelevizioni po transmeton gjatë gjithë ditës ngjarje pas ngjarjesh. Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës dhe heshtja juaj ka dhënë një mësim shumë të keq në bazë. Poshtë njerëzit pyesin ku janë anëtarët e Byrosë Politike? Po Sekretarët? Po sekretari i Parë, shoku Ramiz? Ky është problem qendror. Cili është mendimi dhe qëndrimi i tyre? Pse heshtin…? Ngjarjet që ndodhën në vendet e Europës Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik kanë ndikuar për humbjen e timonit të drejtimit. Pyetja shtrohet, kur të tëra vendet Europiano-lindore kanë përmbysur sistemin socialist, po ne a mund të qëndrojmë. Nëse po, si mund të qëndrojmë….”?
Drejtori i ndërmarrjes së përpunim-drurit Fushë-Arrëz, P.Gj.: “Më duket e pabesueshme për shpirtin dhe sytë e mi: E rrëzuan, e përmbysën, e tërhoqën zvarrë Enver Hoxhën për së vdekuri. Nuk doli një burrë i gjallë, ta kundërshtojë këtë turp që e mbulon Partinë e Punës dhe sidomos ju sh. Ramiz… Nuk po përsëris ato që tha shoku parafolës. Edhe unë i kam këto shqetësime. Punonjësit e ndërmarrjes së përpunim-drurit deri tash nuk kanë përçarje të dukshme. Dalin në punë. Edhe në kushte të vështira punojnë dhe realizojnë planin, bile ka edhe tejkalime. Po vihet re zbehje e rolit të Partisë sonë. Komunistët heshtin. Nuk dinë as ku janë, as si të veprojnë… Formimi i PD ka ngjallur shumë dyshime për drejtësinë e partisë sonë. PD-istët janë njerëzit më të pabindur, punëtorët që kanë qenë problem edhe më parë. Ata po propagandojnë se çfarë do të bëjë PD-ja për popullin. Dikujt-dikujt i krijohet përshtypja se e kanë mirë dhe, megjithëse deri tash për sa di unë, pak punëtorë kanë kaluar në anën e tyre, por janë shumë të çorientuar. Shokët e partisë përpiqen të bëjnë sqarimet dhe t`i bindin se ne kemi të drejtë, se ata premtojnë, por s`janë në gjendje të bëjnë asgjë. Në fakt shfrytëzojnë mungesat tona në ekonomi, dobësitë e komunistëve disa prej të cilëve janë sa për emër, se janë shembull i keq edhe në punë. Megjithëse gjendja është e turbulluar, sepse Europa Lindore ndryshoi, vetëm ne kemi mbetur, e kemi të vështirë shumë ta përballojmë situatën…”.
Ndërhyn Ramiz Alia: “Pikërisht për këtë jemi mbledhur dhe po diskutojmë…”
“- Unë, -vazhdon P.Gj. jam i bindur se shumicën e kemi me vete…. Po sa do ta kemi me vete? Varet nga zotësia jonë, nga mençuria e Partisë dhe sidomos e juaja sh.Ramiz. Kërkohet më shumë të jesh energjik….”.
Rrëzimi i Enverit, është rrëzimi i Partisë
Diskuton A.D. nga Kukësi: “Për gjithë Partinë, rrëzimi i Enver Hoxhës, është rrëzimi i Partisë. Si nuk paska pasë një burrë që të bëjë të pabërën… Të gjitha ato që thanë parafolësit janë edhe në rrethin tim. Ndryshimet e mëdha në Europën Lindore e kanë tronditur shumë edhe popullin e rrethit tonë. Klasa punëtore në minierat e Kalimashit dhe të Gjegjanit, por edhe punëtorët e ndërmarrjeve ekonomike: tregti, ndërtim, me gjithë çoroditjen, po punojnë dhe realizojnë detyrat. Organizatat e partisë ndjekin me vëmendje situatën dhe mblidhen herë pas here dhe përpiqen që të sqarojnë punëtorët. Por ka nga ata komunistë që kritikojnë shumë të metat e dobësitë e punës sonë. Sidomos mungesat për lëndën e parë që çon në mosrealizime plani dhe punëtorët mbesin pa punë e pa rroga. Ndonjë komunist është përvjedhur dhe ka kaluar në anën e pd-istëve. Zakonisht janë ata që kanë më shumë probleme në punë e në sjellje. Këta lloje njerëzish bëhen shembull i keq. Me gjithë këtë, shumica është e painfektuar deri tash, së paku kështu duket. Çka ziejnë në krenat e tyre, nuk e dimë saktë. Në fshat gjendja është më solide. Kjo poterë e madhe e Europës Lindore shkon më ngadalë. Fshatarët besojnë më pak nga ndryshimet dhe i shohin më me dyshim se sa punëtorët e ndërmarrjeve ekonomike. Por me qenë se punëtorët tanë janë me rrënjë në fshat, shumica, shpesh shkojnë në shtëpi dhe çojnë njëkohësisht edhe turbullirat që ndodhin gjithkah Shqipërisë, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Radiot e huaja dëgjohen më shumë se kurrë, por edhe radio Tirana është zhyer. Ajo po bëhet zëdhënëse e PD-së. Në fakt tek ne me PD-në janë njerëz nga klasa të goditura me të drejtë gjatë pushtetit popullor, por ka edhe ndonjë nga intelektualët, specialist që ose kanë kaluar andej, ose po heshtin dhe heshtja e tyre tregon se kanë rrëshqitur ose presin se si po zhvillohen ngjarjet. Komiteti i Partisë është mbledhur disa herë, analizon gjendjen dhe shtron detyra që komunistët të jenë shembull disipline, pune dhe morali. Po të jenë edhe aktivistë shoqërorë për t`u ballafaquar me mendimet e kundërta që na dalin në kolektiva punëtorësh a punonjësish. Vihet re edhe një tërheqje nga fronti i luftës ideologjike. Larg meje (larg b….sime), po bëhet sëmundje. Vështirë e kemi, ta themi hapur… Si do të veprojmë, ende nuk e dimë. Qendra dhe kur them qendra kam parasysh vetëm Ju sh.Ramiz, se të tjerët sikur kanë avulluar; nuk dëgjohen as shihen në televizion… Ku janë, xhanëm, paskan qenë për mish e pilaf, e jo për shpatë e hanxhar, për privilegje e jo për sakrifica… E kanë mjelë si lopë shoqninë e u mbettë në fyt..”.
Sh.Ramiz: “Pikërisht se është kohë e vështirë, për këtë jemi mbledhur të bashkëbisedojmë pozicionin e partisë në këto kushte të turbullta. Po edhe në këtë turbullirë, në këtë mjegull, kundërshtarët tanë duken, bile kanë dalë tashmë hapur në ditën për diell. Pra duhet të ndryshojë edhe puna e partisë sonë…”
Kush je ti, Ramiz Alia?
Diskuton komandanti i Brigadës ushtarake në Lushnjë: (Ishte ballë për ballë, nja tre katër metra larg Ramiz Alisë) – Shoku Ramiz e them hapur: Gjendja është shumë e rëndë. Për rrëzimin e bustit ka pasur hile nga brenda. Më duket se ishte bërë parapërgatitje… Ju e hapët derën e pluralizmit. Kanë vërshuar tërë të liqtë: burgaxhinjtë, horrat. Shumica e tyre nuk kanë qenë të burgosur politikë, por batakçinj, hajdutë, kriminelë ordinerë, por kur janë akuzuar, akuzës i është vënë edhe një akuzë politike me qëllim për ta lënë brenda. Tani ata batakçinj janë bërë pararoja e PD-së. Janë njerëz pa moral, pa ideale. Ideali i tyre është të sjellë konflikt në shoqëri, të sjellë luftë civile tek ne, që ata të jenë pararoja e kësaj lufte që të vjedhin pasurinë kombëtare dhe të marrin pushtetin. Unë kam vërejtje për ju. Ku jeni ju që nuk dilni në radio, në televizion nuk flet, nuk orienton se si ta përballojmë situatën. Ku fshihesh? Nuk e di, kush je ti, Ramiz Alia? Çfarë bën ti e Kryeministri që nuk ia mbledh atij, se edhe ai diçka po luan. Ndërhyn Ramiz Alia: – Hë, pra kush jam unë, thuaje ti. Hapur këtu, thuaje si burrat. Ja si mendon ti për mua…? Komandanti stopohet për një çast dhe vazhdon:
-Unë shkurt, nuk kam më besim, por çfarë të bëj unë, nuk e di. Veç të mbaj rregull absolut në repart; të forcoj vigjilencën dhe të rri në gatishmëri numër një: ditë e natë. … Ku janë anëtarët e Byrosë Politike? Asnjë nuk duket. Ku janë futur?
Ndërhyn shoku Haxhi: “Isha në Klinikën Speciale. Kur po ngjitesha shkallëve, takova Manushin (Myftiu) tek po zbriste. E pyeta: Ku i ke djemtë, o Manush? Ngriti kokën, shikoi egër, tha diçka që nuk u muar vesh, dhe shpejtoi hapat poshtë. I thashë: Poshtë, poshtë po bie, poshtë…
Ramiz Alia: – Me kryeministrin (Fatos Nanon) bisedojmë dy-tri herë në ditë për gjendjen e vendit. Të dy në linjën e vet jemi në gatishmëri. Ju i kuptoni mirë situatat. Disa anëtarë të Byrosë nuk kanë forcë për asgjë. Janë konsumuar…
Ndërhyn komandanti i brigadës: – Po ata ka herë që konsumojnë vetëm të mbushin barkun e jo mendjen… Kanë rrjedhur. Për këto ditë duhen burrat… Unë them se do të bëhemi si në Liban: luftë, luftë civile, fetare a çka di unë. Po luftë. …
Ramiz Alia: -Hë si thua ti çfarë të bëjë partia, çfarë të bëjë ushtria?…
Komandanti i brigadës: … Unë pres urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm…
Enver Hoxha nuk ka lënë burrë pas vetes
Diskuton Ç.J. nga Shkodra: (Ramiz Alia sqaron: Shoku Ç.J. ish-partizan, shok besnik i partisë i sprovuar disa herë. Burrë qelibar. Është historian i zoti. Po e dëgjojmë).
Ç. J: “Rrëzimi i Enver Hoxhës së vdekuri nga banditë burgaxhinj e turma që nuk dinë se ç`bëjnë, tregon se Enver Hoxha nuk paska lënë burrë pas… Siç tha shoku i Pukës. Litari në qafë të atij burri, është litari në qafë të Partisë sonë. A do ta mbajmë? Me çka duket deri tash? Heshtje varri, varri, gjithkah. Po pritni se çka do të kërkojnë tash?
Ramiz Alia: Çfarë do të ketë, shoku Ç.J.?
– … Ne kemi bërë shumë gabime tash dhjetë vjet. Gabim pas gabimi…(Autori foli gjatë për historinë)… Lufta e klasave vazhdon…( ndërhyri Ramiz Alia: …Ka shkuar shumë vonë. Po kalon ora 21.00. Mendoj se na kupton sh.Ç. J… Ç.J. kërkon falje dhe ulet.
Ramiz Alia: Asnjë fishek nuk do të zbrazet
Ramiz Alia: -Edhe ju e keni kuptuar situatën. Kur e kupton, është fillimi i punës. Duhet guxim dhe veprim. Partia Demokratike kërkon përmbysjen e Partisë sonë dhe marrjen e pushtetit. Si opozitë që nuk ka histori, pra nuk ka barrë mbi shpinë, gëzon privilegjin e kritikës dhe të mohimit të çdo arritjeje tonën në të kaluarën. Ne kemi bërë gabime dhe kemi mangësi, por kemi edhe mundësinë e korrigjimit dhe të realizojmë premtimet… Kundërshtarët tanë na mohojnë gjithçka të arritur dhe premtojnë lumturinë, parajsën. Të mos mashtrohemi me premtimet e saj.
… Rrëzimi i shtatores së sh. Enver Hoxha, është një ngjarje e dhimbshme madhore, por a mund t`i ruajmë idetë dhe mësimet e sh. Enver, ky është problem. Turqit e zhdukën edhe varrin e Gjergj Kastriotit, por nuk zhdukën dot dashurinë e popullit për Gjergj Kastriotin…. Rroi dhe rron prej pesëqind vjetësh. Historinë nuk e kemi në dorë. Ne kemi në dorë të bëjmë më të mirën e mundshme në këtë kohë shumë të vështirë.
… Problemi më i madh sot është të shmangim me të gjitha mjetet dhe mundësitë tona një konflikt midis forcave politike shqiptare. Ne në qendër kemi marrë masa të rëndësishme. Komunistët duhet të jenë tribunarë: të shkojnë shtëpi më shtëpi dhe të bisedojnë me shtresa të ndryshme, mbi rrezikun dhe qëndrimin e secilit. Gjendjen në ushtri e kemi të shëndoshë. Edhe forcat e Ministrisë Brendshme janë në gatishmëri. Asnjë fishek nuk do të zbrazet. Ushtria dhe organet e brendshme do të veprojnë vetëm me urdhrin e Komandantit të përgjithshëm. Ju në rrethe siguroni me roje me armë depot e armatimit që ndodhen në fshatra e në lagje.
Komandanti i brigadës në Lushnje, të forcojë gatishmërinë dhe vigjilencën. Ai shprehu shqetësimin për rrezikun e një lufte civile. Ashtu siç tha ai, edhe në rrethet tuaja merrni masa. Komunistët në këmbë natë e ditë. Po shmangëm këtë rrezik, kemi realizuar qëllimin final të afërt. Gjithë ndryshimet që janë bërë e po bëhen, do t`i pranojmë në këmbim të ruajtjes së lirisë e të pavarësisë. Armiqtë tanë janë të shumtë. Të jashtmit kanë kohë që diversojnë dhe kanë krijuar vatra, siç është edhe PD-ja. Europa Lindore e BS e përmbysën rendin socialist dhe po vendoset kapitalizmi. Kuptohet se sa vështirë e kemi edhe ne të ruajmë gjendjen. Ekonomia është e mbeti guri i provës i yni. Për rrezik tonin e të popullit tonë, ky gur është i dobët…
Asgjë nuk duhet të na duket e papritur. Kryesorja është ruajtja e qetësisë dhe shmangia e konfliktit me armë. Në të gjitha rrethet dhe në çdo ndërmarrje e fshat, kooperativë, të ngrihen grupet e vigjilencës ditë e natë. Aparati i KQ është 24 orë i hapur. Njoftoni për gjithçka; merrni masa, por pa përdorë dhunë fizike, as armë, aspak. Edhe kundërshtarët tanë janë shqiptarë. Do të ndeshemi, por jo kurrë me mjete dhune. Ne jemi pushteti i punës, por edhe i dhunës për kriminelët, por jo pushteti i vdekjes, as do të jemi ndonjëherë. Ruajeni gjakftohtësinë. Populli ynë, nuk don konflikt me dhunë fizike e as me armë, kurrë brenda njeri-tjetrit.
… Jemi në luftë ballë për ballë. Kjo luftë zhvillohet me mjete demokratike. Komunistët të jenë në ballë, tribunarë për të folur me masat, për të thënë të vërtetën. Kushtojini kohë punës individuale shtëpi më shtëpi, me mbledhje e takime të vogla. E theksoj: Mos jeni gjaknxehtë, por këmbëngulës e të durueshëm. Ne për ditë do të provokohemi nga kundërshtarët tanë. Provokimi është mjeti i tyre për të na hedhur ne në gabime, në veprime të pakontrolluara. Tani komunistët janë para provës më të madhe, sa ajo e luftës antifashiste, bile edhe më vështirë e më e gjatë. …
Komentet