VOAL

VOAL

Lista e kriminelëve që sulmuan Selën më 27 prill 2017

April 27, 2018

Komentet

Dita e 106 e protestës- Diaspora zbret sërish në shesh, paralajmërohet tjetër revoltë masive për dorëheqjen e Ramës

Revolta qytetare ndaj qeverisë ka hyrë sot në ditën e saj të 106-të radhazi, duke konfirmuar vijimësinë e një prej lëvizjeve më të gjata protestuese në kryeqytet.

Përballë godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, revoltës do t’i bashkohet sërish masivisht diaspora shqiptare, e cila ka udhëtuar nga vende të ndryshme të Evropës për të mbështetur protestën në terren.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar organizimin e një tjetër proteste masive me kërkesën e prerë për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Sipas përfaqësuesve të protestuesve, prania e emigrantëve shqiptarë sjell një impuls të ri për lëvizjen, ndërsa është bërë me dije se qëndresa qytetare do të vijojë pa ndërprerje deri në plotësimin e kërkesave të tyre politike. bw

Protesta e 12 shtatorit, thirrja për tifo-grupet e Shqipërisë: Bashkohuni sonte me ne!

Një thirrje drejtuar tifo-grupeve shqiptare po qarkullon për ditën e sotme, 12 shtator, me kërkesën për bashkim dhe marshim në shenjë proteste kundër qeverisë.

 

Në thirrje u bëhet apel tifozëve që të bashkohen në protestën e sotme, duke e cilësuar këtë si një moment për të treguar unitet dhe vendosmëri.

“Thirrje për tifo-grupet e Shqipërisë Sot me dt 12 shtator të bashkohen dhe marshojnë deri në largimin e qeverisë tradhëtare. Është koha që vêrtetë të tregohemi një. Të mbrojmë pronen, familjen, atdheun, flamurin.Bashkë për një qëllim”. gsh

Protesta madhështore kundër qeverisë, emigrantët mbërrijnë me autokolona për t’iu bashkuar qytetarëve në shesh

Ashtu sikurse kanë paralajmëruar, qindra emigrantë kanë mbërritur në Shqipëri për t’iu bashkuar qytetarëve që protestojnë prej më shumë se 3 muajsh në sheshin para Kryeministrisë kundër qeverisë së Edi Ramës.

Në pamje, shihen një autokolonë e gjatë e emigrantëve që po udhëtojnë për të qenë të pranishëm pasditen e sotme në shesh.

Protesta është paralajmëruar si një prej tubimeve më të mëdha, ndërsa pjesëmarrja e diasporës shihet si një mesazh i fortë kundër qeverisë dhe një dëshmi e mobilizimit të shqiptarëve edhe jashtë vendit. Panorama

Shqipëria, me rënien më të lartë të lindjeve në Europë në tri dekada. Si po i nxit Ballkani bebet

Ballkani po paguan gjithnjë e më shumë për të nxitur shtimin e bebeve, por po lind gjithnjë e më pak. Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe të lindjeve në Europë, nga viti 1997,  ndërsa i gjithë rajoni ka zbritur nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë. Serbia ofron deri në 27 mijë euro për fëmijën e katërt, ndërsa vendet e tjera kanë zgjeruar bonuset, shtesat mujore dhe lehtësitë për familjet. Por përballë emigracionit, plakjes dhe kostos së jetesës, pyetja mbetet: a mund të blihet e ardhmja me një bonus për beben?

Në fillim të viteve ’90, harta demografike e Ballkanit Perëndimor nuk ishte aspak uniforme. Shqipëria dhe Kosova hynin në dekadë me nivele ende të larta lindshmërie, ndërsa Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe, pjesërisht, Maqedonia e Veriut e kishin nisur shumë më herët tranzicionin drejt familjeve më të vogla.

Pra, ideja se i gjithë rajoni “lindte shumë” deri në vitet ’90 është vetëm pjesërisht e vërtetë.

Në vitin 1990, norma e fertilitetit ishte rreth 3 fëmijë për grua në Shqipëri dhe 3.67 në Kosovë, por vetëm 1.65 në Serbi, 1.79 në Bosnjë-Hercegovinë, 1.95 në Malin e Zi dhe 2.27 në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Në tri dekadat që pasuan, rënia e lindjeve në të gjithë Ballkanin Perëndimor ka qenë e shpejtë. Nga viti 1997, kur ka të dhëna të disponueshme për të gjitha shtetet, deri në vitin 2025, Shqipëria ka shënuar tkurrjen më të fortë të numrit të lindjeve, me 63.5%, nga 61.7 mijë në 22.5 mijë.

Pas saj vijnë Kosova, me një rënie rreth 48.6%, Maqedonia e Veriut me 46.2%, Bosnjë-Hercegovina me 45.7%, Serbia me 25.4% dhe Mali i Zi me 20.9%, bazuar në të dhënat e përpunuara nga Eurostat. Shqipëria ndodhet kështu në skajin më të fortë të një prirjeje që ka përfshirë të gjithë rajonin.

Të dhënat të tjera më të detajuara të Eurostat për gjithë Europën, të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se në periudhën 1997-2025, Shqipëria ka shënuar jo vetëm tkurrjen më të lartë të lindjeve në rajon, por në të gjithë Europën.

Në vend të dytë dhe të tretë janë shtetet e ish Bashkimit Sovjetik, Lituania (-53%) dhe Moldavia (-51%) dhe më pas stafetën e vazhdon Ballkani, me Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Në të gjithë Europën, në tre dekadat e fundit vetëm tre shtete kanë arritur të rrisin lindjet: Suedia (+7.7%), Islanda (+5.7%) dhe Irlanda (+2.9%). (Për më shumë info shiko grafikun:  Europa, ndryshimi i lindjeve 2025 ndaj vitit 1997)

Image

Edhe lindjet për 1,000 banorë kanë rënë ndjeshëm

Rënia, që po përjeton rajoni bëhet edhe më e qartë kur numri i lindjeve vendoset në raport me popullsinë. Në mesin e viteve ’90, diferencat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin shumë të mëdha.

Shqipëria regjistronte 21.7 lindje për 1,000 banorë dhe Kosova 21.4, ndërsa Serbia ishte në vetëm 10.8, Bosnjë-Hercegovina në 12 dhe Mali i Zi në 15, sipas serive kohore të publikuara nga Eurostat.

Deri në vitin 2025, këto diferenca janë ngushtuar ndjeshëm, por jo sepse vendet me lindshmëri më të ulët janë përmirësuar. Përkundrazi, pjesa më e madhe e rajonit ka konverguar drejt niveleve shumë më të ulëta.

Kosova vijon të ketë normën më të lartë, me 12.8 lindje për 1,000 banorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 11.1. Shqipëria ka zbritur në 9.6, Serbia në 9.1 dhe Maqedonia e Veriut në 8.7, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është në 7.7 lindje për 1,000 banorë, në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Europian.

Tkurrja më e fortë në raport me popullsinë është regjistruar në Shqipëri, ku norma është më shumë se përgjysmuar, nga 21.7 në 9.6 lindje për 1,000 banorë. Rënie e lartë është shënuar edhe në Kosovë, nga 21.4 në 12.8, dhe në Maqedoninë e Veriut, nga 15.8 në 8.7.

Ky tregues pasqyron jo vetëm faktin që familjet po lindin më pak fëmijë, por edhe ndryshimin e strukturës së popullsisë. Emigracioni, plakja dhe tkurrja e brezave të rinj kanë ulur numrin e grave në moshë riprodhuese, duke e përforcuar rënien e lindjeve në raport me popullsinë.

Edhe stili i jetesës ka ndryshuar dukshëm, me gratë që lindin më vonë, familje më rë vogla, duke qenë një faktor i rëndësishëm shtesë.

I gjithë Ballkani Perëndimor, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, vazhdon ende të ketë lindje për 1000 banorë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 7.7.

Image

Në të njëjtën kohë, numri absolut i lindjeve dhe lindjet për 1,000 banorë nuk duhen lexuar të shkëputura nga fertiliteti. Një vend mund të ketë një normë relativisht më të lartë fertiliteti dhe përsëri të regjistrojë më pak foshnja, nëse brezi i grave në moshë riprodhuese është tkurrur.

Kjo është arsyeja pse përmirësimi i lehtë i fertilitetit në Serbi në vitet e fundit nuk është përkthyer domosdoshmërisht në më shumë lindje dhe pse rishikimi i popullsisë në Shqipëri e ngriti statistikisht normën e fertilitetit në vitin 2024, pa ndryshuar faktin se numri i foshnjave vazhdoi të bjerë.

Sot, i gjithë Ballkani Perëndimor ka zbritur nën nivelin e dy fëmijëve për grua. Tkurrja më e fortë krahasuar me fillimin e viteve ’90 është regjistruar në Kosovë dhe Shqipëri.

Mali i Zi ka tashmë normën më të lartë të fertilitetit në rajon, me 1.75 fëmijë për grua, ndërsa më e ulëta është në Bosnjë-Hercegovinë, me 1.49.

Megjithatë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 1.34 fëmijësh për grua, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për vitin 2024 nga Eurostat.

Image

Nga familja e madhe te financimi i lindjeve

Kriza e sotme ka një pikënisje të ndryshme për secilin vend, por një destinacion të përbashkët: fertilitet nën nivelin e zëvendësimit dhe breza familjesh gjithnjë e më të vogla.

Sot, qeveritë e rajonit përpiqen ta zbusin këtë kthesë me çek për të porsalindurin, pagesa mujore, kompensim page gjatë lejes prindërore, subvencione banese, kopshte dhe tekste shkollore falas.

“Monitor” ka analizuar paketat mbështetëse që po zbaton rajoni, në një artikull të përbashkët me korrespondentët e saj në rajon, në kuadër të rubrikës “Western Balkans Monitor”, që mbështetet nga Programi Rajonal i GIZ-it #SustainMedia, i financuar nga Bashkimi Europian (BE) dhe Qeveria Gjermane (BMZ).

Politikat nuk kanë të njëjtën logjikë. Disa janë universale, të tjera u takojnë vetëm familjeve me të ardhura të ulëta. Disa paguhen menjëherë pas lindjes, ndërsa të tjera shtrihen për dhjetë vjet. Në Bosnjë, e njëjta familje mund të marrë shumë më tepër, ose më pak, vetëm sepse jeton në një kanton tjetër.

Serbia ka paketën më bujare të pagesave të lidhura me rendin e lindjes: rreth 4,260 euro për fëmijën e parë, 5,112 euro për të dytin, 19,427 euro për të tretin dhe 27,095 euro për të katërtin. Shqipëria jep përkatësisht 40 mijë, 80 mijë dhe 120 mijë lekë, por vetëm një herë.

Maqedonia e Veriut jep rreth 80 euro për fëmijën e parë dhe 325 euro për të dytin; mbështetja më e gjatë, rreth 150 euro në muaj për dhjetë vjet për fëmijën e tretë, kushtëzohet nga niveli i të ardhurave të familjes.

Kosova nuk e ka ndërtuar sistemin mbi një çek të madh lindjeje, por mbi shtesa mujore. Jepen 20 euro për secilin fëmijë në familjet me një ose dy fëmijë dhe 30 euro për secilin në familjet me tre ose më shumë, deri në moshën 16 vjeç. Mali i Zi jep 30 euro në muaj për çdo fëmijë deri në 18 vjeç.

Që nga mesi i vitit 2024, pagesa shtetërore në lindje është 1,112 euro për fëmijën e parë, 1,669 euro për të dytin, 2,225 euro për të tretin dhe 2,782 euro për të katërtin dhe çdo fëmijë pas tij; shumica e komunave shtojnë edhe 100 deri mbi 1,000 euro.

Bosnjë-Hercegovina nuk ka një shifër kombëtare. Në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, pagesa federale është 1,000 marka të konvertueshme, ose rreth 511 euro, për çdo të porsalindur.

Mbi të mund të shtohen pagesa kantonale dhe bashkiake.

Në Republika Srpska, familja merr 500 marka për pajisjet e bebes, plus 600 marka për fëmijën e tretë ose 450 marka për të katërtin.

Pikërisht ky shtresëzim e bën Bosnjën një laborator politikash, por edhe një shembull pabarazie territoriale.

Por politika pronataliste po hyn në garë me një proces shumë më të gjatë se një mandat qeverisës. Emigracioni largon pikërisht të rinjtë në vitet kur krijojnë familje; plakja zvogëlon bazën e popullsisë; ndërsa kostoja e banesës, kujdesit dhe karrierës ndryshon llogarinë e prindërimit.

Ballkani nuk po humbet vetëm banorë të sotëm. Po humbet edhe lindjet që do të kishin ndodhur nesër.

Image

 

Image

 

Image

Nga shtatë fëmijë për grua te më pak se dy

Rënia e fertilitetit nuk ka nisur njësoj në të gjithë rajonin. Në vitin 1950, Shqipëria dhe Kosova kishin ndër nivelet më të larta, përkatësisht 6.17 dhe 6.95 fëmijë për grua.

Por Serbia ishte që atëherë nën 3, ndërsa deri në vitin 1990, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi kishin zbritur nën pragun 2.1 të zëvendësimit të brezave.

Kjo tregon se tranzicioni drejt familjeve më të vogla kishte nisur dekada përpara viteve ’90 në një pjesë të rajonit; Shqipëria dhe Kosova e përjetuan kthesën më vonë dhe më shpejt.

Image

A ulet kostoja?

Krahasimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor tregon se mbështetja për familjet është zgjeruar, por modelet ndryshojnë ndjeshëm.

Disa vende mbështeten te pagesat e njëhershme në lindje, të tjera kanë ndërtuar skema mujore ose shumëvjeçare, ndërsa në disa raste, përfitimet rriten ndjeshëm për fëmijën e tretë dhe të katërt.

Ndryshime ka edhe në mënyrën e përfitimit, nga skemat universale te pagesat e kushtëzuara nga të ardhurat, vendbanimi apo statusi i punësimit.

Serbia ka zgjedhur mbështetjen më të lartë financiare dhe më afatgjatë për familjet me disa fëmijë. Mali i Zi ndërthur pagesën në lindje me shtesën mujore për fëmijët, ndërsa Kosova ka kaluar drejt mbështetjes mujore më të gjerë.

Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë sisteme më të fragmentuara, ku përfitimet varen nga kategoria sociale, numri i fëmijëve ose niveli i qeverisjes.

Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht te Bonusi i Bebes, një pagesë që përqendrohet në momentin e lindjes dhe nuk shtrihet në mënyrë universale në vitet e para të rritjes së fëmijës.

Megjithëse skemat janë zgjeruar, të dhënat demografike nuk tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes shumës së pagesave dhe rritjes së qëndrueshme të lindjeve. Vendet me përfitimet më të larta nuk kanë shmangur rënien e fertilitetit, plakjen e popullsisë dhe largimin e të rinjve.

Kjo tregon se pagesat mund të ulin kostot e familjeve dhe varfërinë e fëmijëve, por ndikimi i tyre mbi vendimin për të pasur fëmijë është më i vështirë për t’u veçuar.

Në të gjithë rajonin, lindshmëria ndikohet njëkohësisht nga të ardhurat, siguria e punësimit, kostot e banesave, mundësia për të siguruar çerdhe dhe kopshte, kohëzgjatja e lejes prindërore dhe ndarja e përgjegjësive të kujdesit.

Një faktor tjetër është emigracioni, i cili redukton drejtpërdrejt popullsinë në moshë riprodhuese. Për këtë arsye, edhe një skemë financiare relativisht bujare mund të ketë ndikim të kufizuar nëse zbatohet në një mjedis me pasiguri ekonomike dhe largim të vazhdueshëm të të rinjve.

Krahasimi rajonal nxjerr në pah edhe mungesën e vlerësimeve të plota për rezultatet e këtyre politikave. Institucionet raportojnë kryesisht numrin e përfituesve dhe fondet e shpërndara, por më rrallë analizojnë nëse skemat kanë ndikuar te lindja e fëmijës së parë, të dytë apo të tretë.

Pa të dhëna sipas të ardhurave, moshës, zonës së banimit dhe rendit të lindjes, është e vështirë të përcaktohet se cila pjesë e ndryshimit demografik lidhet me bonuset dhe cila me faktorë të tjerë.

Shqipëria: Bonusi erdhi, lindjet u tkurrën

Shqipëria e nisi Bonusin e Bebes në vitin 2019 me një formulë të thjeshtë: 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin dhe çdo fëmijë pas tij. Për binjakët, pagesa është 80 mijë lekë për secilin; për trinjakët dhe lindjet e shumëfishta mbi këtë numër, 120 mijë lekë për secilin.

Masa synon të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të para të familjes. Ajo nuk lidhet me të ardhurat dhe rritet sipas rendit të lindjes, pra ka edhe një komponent të qartë nxitës. Por rezultati demografik ka ecur në drejtim të kundërt.

Sipas INSTAT, në vitin 2025 u regjistruan 22,541 lindje, 3.3% më pak se në vitin 2024. Krahasuar me vitin 2015, kur u regjistruan 32,715 lindje, rënia arrin në 31.1%.

Edhe në raport me vitin 2019, kur nisi programi dhe u regjistruan rreth 28,600 lindje, tkurrja është mbi 20%. Kjo nuk provon se bonusi nuk ka ndihmuar asnjë familje; tregon se ai nuk ka qenë në gjendje të ndryshojë prirjen kombëtare.

Popullsia po tkurret, Kosova lind më pak dhe emigron më shumë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka parashikuar se deri në vitin 2060, vendi mund të mbetet me 1 milion banorë, çka nënkupton një rënie prej 37% të popullsisë, nga 1.6 milionë banorë që rezultuan në matjen e fundit të regjistrimit të popullsisë.

Me këtë trend, pritet që në vitin 2060, mosha mesatare e shtetasve të Kosovës të arrijë në 49 vjeç, ndërsa në vitin 2024, ajo ishte 35.3 vjeç.

Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës (UP), Ymer Havolli, tha për “Monitor” se ky trend shpjegohet kryesisht me rënien e natalitetit dhe fenomenin e emigracionit. Ndërsa, sociologu Labinot Kunushevci shton edhe faktorin e modernizimit dhe përballjen e tij me normat tradicionale.

Më shumë para, më pak foshnja: pse stimujt e Serbisë për lindjet nuk po e ndalin rënien demografike

Popullsia e Serbisë mund të bjerë në 5.2 milionë banorë deri në vitin 2052, një reduktim prej 1.5 milionë banorësh krahasuar me vitet 2020, nëse vazhdon tendenca aktuale e rënies demografike.

Pavarësisht se Serbia ofron një nga ndihmat më të larta prindërore në Europë, leje lindjeje bujare dhe fertilizim in vitro falas, numri vjetor i lindjeve vazhdon të bjerë. Përse stimujt materialë nuk kanë arritur ta përmbysin këtë tendencë dhe cilat ndryshime sociale e kulturore po ndikojnë në vendimet për të pasur fëmijë

Një vend, të drejta të ndryshme: Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paratë janë vetëm një pjesë e zgjidhjes

Nga pagesat e njëhershme deri te mbështetja afatgjatë për familjet, vendet e Ballkanit po kërkojnë një përgjigje për të njëjtin problem: si të ndalet rënia e lindjeve, plakja e popullsisë dhe largimi i të rinjve.

Përvoja e Bosnjë dhe Hercegovinës tregon se paratë mund të jenë një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes, por se ato nuk janë të mjaftueshme më vete. Rënia e popullsisë është e dukshme edhe në të dhënat e regjistrimeve: nga rreth 4.38 milionë banorë në vitin 1991, Bosnjë dhe Hercegovina zbriti në 3.53 milionë në vitin 2013.

Republika e Maqedonisë së Veriut nën “kërcënimin” e kolapsit demografik: emigrim, më pak lindje, rënie e popullsisë!

Në vitin 2025, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan gjithsej 15,850 lindje të gjalla, shifra më e ulët në historinë e vendit. “Prej katër dekadash, më shumë se 50% e komunave në vend kanë shtesë natyrore negative të popullsisë dhe, që nga viti 2019, këtë e ka edhe i gjithë vendi.

Ky është rezultat i rënies së lindshmërisë dhe rritjes së vdekshmërisë. Ka disa arsye për rënien e lindshmërisë: situata ekonomike, punësimi, arsimi, siguria sociale dhe, më e rëndësishmja, emigrimi”, thotë Donço Gerasimovski, një nga demografët më të njohur në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ky “mozaik” faktorësh tashmë e ka “shkatërruar” panoramën demografike të vendit. Popullsia po zvogëlohet.

Ora demografike e Malit të Zi po ngec, pavarësisht subvencioneve

Krahasuar me vitin 1961, panorama demografike e Malit të Zi ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Numri i foshnjave të lindura vitin e kaluar ra në nivelin më të ulët historik, në 6,925, afërsisht gjysma e shifrës së regjistruar në vitin 1961, kur vendi kishte një popullsi prej vetëm 470,000 banorësh.

Norma e fertilitetit ka mbetur prej dekadash në rreth 1.7 deri në 1.8 fëmijë për grua, shumë më poshtë nivelit të zëvendësimit të popullsisë prej 2.1. Në vitin 1961, ajo ishte 3.5.

Popullsia është gjithashtu dukshëm më e moshuar. Mosha mesatare u rrit nga 27 vjeç në vitin 1961 në 39.7 vjeç në vitin 2023. Pesha e popullsisë deri në moshën 18 vjeç ra nga 36% në rreth gjysmën e këtij niveli, ndërsa përqindja e personave 65 vjeç e lart u rrit nga 7.1% në 16.8%./MONITOR

Protesta e 105-të kombëtare, qytetarët dhe diaspora sot në shesh

Mbahet sot protesta e 105-të kombëtare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Tubimi, i cili është parashikuar të nisë në orën 19:30, pritet të mbledhë sërish qytetarë nga Tirana dhe qytete të ndryshme të vendit, ndërsa protestës do t’i bashkohet edhe diaspora shqiptare.

Edhe në protestën e djeshme, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ku u stacionuan për të vijuar tubimin kundër qeverisë.

Në fokus të protestës së sotme pritet të jenë edhe zhvillimet e fundit që kanë prekur shqiptarët jashtë vendit. Një ditë më parë u denoncua një ngjarje e rëndë në Nikshiq të Malit të Zi, ku qytetarë shqiptarë, të ardhur nga vende të ndryshme të botës për t’iu bashkuar protestës, u bllokuan nga autoritetet malazeze dhe nuk u lejuan të vijonin rrugëtimin.

Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e qëndresës, ndërsa protesta e 105-të pritet të zhvillohet sërish përpara Kryeministrisë, në orën 19:30.

Tubimi i sotëm shihet gjithashtu si një tjetër përpjekje për të bashkuar qytetarët brenda vendit me diasporën në një aksion të përbashkët kundër qeverisë Rama. gsh

UGSHPD: KUR SHKARKIMI QUHET ULJE NË STOL, EMËRIMI DO TË THOTË VAZHDO SKEMËN (Stoli, Rama dhe strategjia e korrupsionit)


Nuk ishte më lajm ulja e Lamallarit në stol, por dhënia e dy ministrive Demos ajo që tregoi shumë herë më tepër për të ardhmen e lojës në strategjinë e Ramës.


Kush do t’ia zgjasë më shumë pushtetin kryeministrit veç Zgjedhjeve Vendore 2027(?!), kjo është çështja.

Zhvillimet e Shqipërisë ngjajnë me një stadium të mbyllur lojërash me dorë (ku është frikë të hidhen firmat), por bukuria është se arena është e mbushur plot e përplot me spektatorë në këtë fazë të playoff’s (eleminatoreve). Protesta vazhdon.
 
E përsa zëvendësimet po bëhen më të shpeshta në qeveri për shkak të mbushjes me ‘5 gabime personale’ më aktivi këto në javët e ‘playoff’s’, është presidenti i Republikës së Shqipërisë, SHTZ Bajram Begaj dhe institucioni i tij që firmosin dekretet për shkarkimte dhe emërimet e ministrave/eve të kabinetit të qeverisë Rama sikurse dhe më pas me dorën në Kushtetutë do zhvillojë betimin me ta.
Pra i shndërruar në sportivitet shteti paska stolin me të cilin trajneri Rama e ka ndërtuar lojën.
Ekipi i Rilindjes njeh vetëm skemat korruptive në sulm dhe në mbrojtje pavarësisht gjinisë apo gjatësisë.
Çdo zëvendësim që tani shohim, është i lexueshëm nga tifozët, media dhe gjyqtarët e SPAK-ut e ku të gjithë mezi presin që kjo ndeshje të mbarojë dhe të kemi një rezultat përfundimtar.
Fituesin!
Lojtarë/e të dobët zëvendësuesit/et janë ata/ato që ende nuk i kanë mbushur 5 gabimet personale

Çdo zëvendësues/e i/e gatshëm për trajnerin Rama tregon se e ka humbur çdo energji në këtë pjesë të katërt (mandat të IV).

 

Në se Lamallari do të qëndrojë pranë trajnerit Rama, 4 gabimet personale dhe gafat e tij që ranë në sy gjatë një viti si ministër ishin jo vetëm sulmi policor mbi protestën, por edhe përdorimi i rrjeteve sociale me një gjuhë kërcënuese dhe veprime anti demokratike ndaj qytetarëve. Të tjerë faulle si promovimi nga zyra e Ministrit të Brendshme për policinë private të parë si biznes anësor në disa raste duhet kuptuar se nuk ka mbetur jashtë shikimit. 
Kujtoni dhënien ose heqjen e licencave të policive private (shoqëri të sigurisë fizike) që lulëzojnë në heshtje si biznese. 
Lamallari është promovues i tyre.
Në rastin e ngjarjeve të Zvërnecit sjellja jo profesionale e “Major Security dhe “Myrto Security 1.3A” në Maj të vitit 2026, ku masat e marra nga Ministri i Brendshëm me heqje licencash pas që nnxorri jashtë loje Policinë e Shtetit dhe nuk mbrojti qytetarët e pronarët e ligjshëm të tokës flasin më shumë për konceptin e dorëheqjes edhe pse interpelancat në Kuvendin e Shqipërisë u rrëzuan. 
Kryetari Peleshi, (një tjetër mbrojtës) duke e rrëzuar kërkesën tha atëherë se “kjo tematikë ishte konsumuar dhe ezauruar në debatet e seancave të mëparshme me ministrin.” 

Sa qesharake.
 
Mos ishte Rrjolli ezaurim (?!),  apo dora e fortë pas lirimit të hapësirave publike dhe Thethi që ngritën nga stoli Lamallarin dhe Peleshin në pozicionet e tyre pas zgjedhjeve të 11 Majit, 2025.
Ka me dhjetra raste për të cilat media lajmet mund t’i kthejë në padi. Por duke u censuruar dhe duke i mbajtur anën qeverisë çdo shkelje dhe neglizhencë u kthye në vuajtje mbi shpatullat e qytetarëve të cilët një ditë të bekuar u ndërgjegjësuan dhe u bashkuan për ta thënë fort zërin e tyre.
Disa herë në faqet e ATSH dhe në disa media Lamallari ka promovuar nga zyra e tij policinë private si model suksesi në biznes. Kujtojmë këtu Illyrian Guard”, e cila funksionon si polici private në pronësi të Ministrisë së Brendshme për ruajtjen e objekteve shtetërore dhe institucioneve të ndryshme. Pronar i saj Florenc Spaho i cili njihet si ish deputet i PS-së për qarkun e Elbasanit. Tabloja më e plotë është se Lamallari nga zv/ministër i drejtësisë u bë ministër i drejtësisë, pastaj i brendëshëm e më pas në stol si këshilltar i kabinetit Rama dhe duket se e ka ende një rol tjetër para se të mbushë gabimin e 5-të personal. 

Po kështu edhe Peleshi që zëvendësoi Spiropalin në detyrën e Kryetarit të Kuvendit pasi la vendin e kapitenit në GPS.

Ndërsa tani kur bie fjala për ndryshimin dhe marrja e dy roleve (e dy ministrive), nga Demo ku në CV-në e pasur të ish kryebashkiakut të Beratit, operativi politik rilindës dhe shoqëruesi i zgjedhur i Ramës për vizitën në Shkurtit të kaluar për “Bordin e Paqes” në Uashington, ai njihet edhe si bashkëfirmëtar i projektit më zhvatës ekonomik dhe politik të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri të quajtur “Paketa e Maleve”. Njësoj besnik si ish veterani Agaçi që i la vendin Ballukut (organizatore-luan topin).


Kur projekti i  “Paketa e Maleve” nisi të promovohej, kujtojmë se Shijaku ishte ndër përfituesit e parë. 
UGSHPD në një shënim me titull, A ËSHTË SHIJAKU MALËSI?! (“Paketa e Maleve” dhe 20 Zona Zhvillimore në +92 km 2)* , qëllimi ishte tregimi mbi propagandën mediatike të pushtetit që mbulonte një skemë përfituesish. Nuk kaloi shumë dhe në muajin Maj, 2026 oreksi që 43 nga 61 bashkitë pas identifikimit të zonave për zhvillim të Paketës së Maleve” ndër 369 zona të miratuara i dhanë Beratit 44 zona. 
Ky fakt flet qartë për ndikimin.  
Tani Skema është e lexueshme.
Me 1 € hyn në lojë...
 
Në prag janë zgjedhjet vendore dhe çmimi ose blerja e votës është bërë më e shtrenjtë për ata që nuk largohen nga pushteti.
 
Sot pyetja nuk është më se kush do të përfitojë (?),  sepse firmat janë hedhur.

Puna është se:- A do të mundë Protesta Qytetare që krahas kërkesës për Dorëheqjen e Panegociueshme të Ramës, diskreditimin e aferave si Paketa e Maleve” dhe përgatitjen e Zgjedhjeve të Parakohshme përmes një qeverie teknike ta realizojë atë përpara se zgjedhjet vendore të kthehen në një tjetër coptëtim dhe plaçkë tregu e territorit shqiptar në duart e krimit dhe të korruprionit?

A do të kemi investitorë strategjikë?
 
Pikërisht për këto cilësi shoqëria shqiptare sikurse edhe tifozët socialistë duhet të ndërgjegjësohen përpara një loje të shitur.

Rama sot flet si trajner për stolin dhe heq Lamallarin. 
Por po sot ka dalë edhe Kakaraçi që po premton licencimin e dy TEC-eve Lundrues 100 MW në Vlorë (ndoshta edhe drita për të vjedhur natën), … ashtu sikurse sot lajmi se “Kthehet Koka e Deas së Butrintit i jep një tjetër lojtari shtat shkurtër por të shkathët si Gonxhja mundësinë e qëndrimit në lojë me aftësitë që nuk të lë të turpërohesh në sytë e botës duke marrë nga arka e shtetit dhe emergjencat 4.3 milion euro dhe t’i shumëfishojë ato.
 
Kështu Rama nesër do të na flasë ndoshta për një ekspozitë si piktor dhe duke heqë Gonxhen ashtu siç bëri me Salën dhe Spahiun do bëjë edhe me të tjerët.
Mund të rendisim edhe më shumë pasi rastet janë pa fund.
Thelbi është se kush sjell vota rri në stol ose luan.
 
Tani mbetet vetëm një merak nga fjala ‘Stoli”.
Stol/i lexohet dhe kuptohet nga rilindësit si një vend ku ulesh apo Stoli/a është si ato varëse e rruaza, byzylykë e verore që varen për zbukurim pa dallim gjatësie e gjinie?
 
Për korrupsionin dihet se ka edhe ca byzylykë të tjerë dhe këtë e di më mirë se kushdo tjetër SPAK-u dhe Drejtësia për cilin do të korruptuar. 
Dy duar. 
Majtas, djathtas. 
Korrupsioni nuk bën dallim.
Ndaj ajo që duket në palayoff’s– në eliminatoret është se stoli shumë shpejtë do të mbetet pa rezerva.
Koha po mbaron(!).
Rama o do futet vetë në fushë, o do të mundet si pa e kuptuar në ndonjë ndeshje ndërkombëtare.
__________
*ATSH- 31/05/2026 Arrestohet roja i sigurisë që dhunoi një qytetar gjatë tubimit në Zvërnec, hetim disiplinor policisë Vlorë
*ATSH- 13/07/2026 Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarit për pronat në Rrjoll
*ATSH- 06/04/2026 Lamallari: Profesionistë nga policia dhe ushtria i bashkohen “Illyrian Guard”
11 Shtator, 2026
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Rritet emigrimi- Më 2025 rreth 69 mijë shqiptarë u zhvendosën në BE me letra

Tendenca e emigracionit është përshpejtuar sërish vitin e fundit, sipas të dhënave indirekte nga Eurostat, që raporton lejet e qëndrimit të dhëna për herë të parë të dhëna nga vendet e Bashkimit Europian për shtetasit shqiptarë.

Sipas të dhënave të detajuara, në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 4% në krahasim me vitin e mëparshëm. Tendenca është e kundërt me 2024-n, kur lejet ranë me 14%.

Vitet kur është shënuar rekordi vijojnë të mbeten 2022-shi dhe 2023-shi, me përkatësisht 79 mijë dhe 77 mijë leje.

Sipas Eurostat, ritmet e emigracionit janë përshpejtuar që pas vitit 2015, që përkon me valën e re të kërkesave për azil, që në atë kohë arritën deri në 60 mijë në vit. Pjesa më e madhe e të ikurve rezultojnë se ia kanë dalë të marrin leje qëndrimi në një shtet të BE-së (rënie të fortë shënoi vetëm 2020-a për shkak të kufizimeve të pandemisë).

Ndonëse kërkesat për azil kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit, në rreth 15 mijë në vit, rritja e lejeve të qëndrimit tregon se shqiptarët kanë gjetur forma të reja për tu larguar, kryesisht përmes kontratave të punës. Në 2025-m, sipas Eurostat, 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 0.8% për edukim, 29.4% për punësim.

Ritmet e larta të emigrimit dhe rënia e lindjeve kanë bërë që popullsia e vendit të reduktohet vazhdimisht, duke u bërë një pengesë reale për tregun e punës, konsumin dhe skemat e pensioneve. Më 1 janar 2026, sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë zbriti në 2.335.930 banorë, duke pësuar një rënie prej 1,16% krahasuar me 1 janar 2025.

Sipas Eurostat, stoku i lejeve të dhëna për shtetasit shqiptarë nga BE është 875.1 mijë, duke e futur Shqipërinë, një ndër vendet me popullsinë më të vogël në Europë, në listën e 10 vendeve që kanë marrë më shumë leje, pas Marokut (2.2 milion), Turqisë (2.0 milion), Ukrainës (1.7 milion), Kinës (përfshirë Hong Kong) (1.2 milionë), Sirisë (1.1 milion), Indisë (1.0 milion), Mbretëria e Bashkuar (919 297), Rusia (876 625). Për këto shtete, popullsia luhatet mes 24.7 milionë, që është Siria e cila ndodhet në luftë dhe India, që ka 1.45 miliardë banorë!.

Lejet e para të qëndrimit në BE u rritën me 10% në vitin 2025

Në vitin 2025, vendet e Bashkimit Europian lëshuan 3,9 milionë leje të para qëndrimi për shtetasit e vendeve jashtë BE-së, duke shënuar një rritje prej 10,1% (+355.350) krahasuar me vitin 2024.

Punësimi ishte arsyeja kryesore për dhënien e lejeve të reja në BE, duke përbërë rreth një të tretën e të gjitha lejeve të para të qëndrimit të lëshuara gjatë vitit 2025, me 1,3 milionë leje ose 33,6% të totalit. Arsyet familjare renditeshin të dytat, me 1,1 milionë leje të para qëndrimi ose 28,1%, të ndjekura nga arsye të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, me 0,9 milionë leje ose 22,8%. Pjesa e mbetur e lejeve të para të qëndrimit u lëshua për arsye që lidhen me arsimin, me 0,6 milionë leje ose 15,5%.

Krahasuar me vitin 2024, lejet e para të qëndrimit për arsye punësimi u rritën me 16,1%, ato për arsye familjare me 14,1%, ndërsa lejet për arsye arsimimi u shtuan me 9,0%. Kategoria e vetme që regjistroi rënie ishte ajo e arsyeve të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, ku numri i lejeve të para të qëndrimit ra me 0,9%.

Në vitin 2025, shtetasit e Ukrainës morën numrin më të lartë të lejeve të para të qëndrimit, me 335.100 të tilla. Pas tyre renditeshin shtetasit e Indisë me 227.600 leje dhe ata të Marokut me 202.100.

Në fund të vitit 2025, në Bashkimin Europian rezultonin gjithsej 27,8 milionë leje qëndrimi të vlefshme të dhëna për shtetas të vendeve jashtë BE-së. Bashkimi familjar ishte arsyeja kryesore për pajisjen me leje qëndrimi, duke përbërë 32,4% të totalit.

Shtetasit marokenë mbanin numrin më të lartë të lejeve të vlefshme të qëndrimit në fund të vitit 2025, me 2,2 milionë, të ndjekur nga shtetasit turq me 2,0 milionë dhe ata ukrainas me 1,7 milionë. /Monitor

“Shteti ka rënë! Kombi na thërret” Sot protesta e 104, qytetarët mbushin sërish sheshim: Rama jep dorëheqjen!

Vijon këtë të premte protesta e 104-t në Tiranë, në kuadër të protestave të njëpasnjëshme të qytetarëve kundër qeverisë. Tubimi i sotëm vjen një ditë pas protestës së 103-të, e cila u zhvillua mbrëmjen e së djeshme në kryeqytet.

Protestuesit janë mbledhur dhe kanë vijuar marshimin në bulevardet e Tiranës, ndërsa gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Mesazhet e protestuesve kanë qenë të fokusuara te kërkesat për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.

Gjatë protestës qytetarët kanë marshuar në bulevard, ndërsa janë dëgjuar thirrje si “Dorëheqje”, “Arrestoni Ramën” dhe “Arrestoni Berishën”. Protestuesit janë ndalur edhe pranë “Air Albania”, ndërsa janë bërë thirrje për vijimin e rezistencës.

Protesta është shoqëruar gjithashtu me bllokime të disa akseve rrugore në Tiranë. Nga protesta janë bërë thirrje edhe për qytetarët që t’i bashkohen tubimit, ndërsa aktivistët kanë kërkuar lirimin e personave të arrestuar gjatë protestave.

Të rinjtë ikin, por dhe ata që mbeten nuk kanë ku punojnë, papunësia e tyre rritet 16%

Shqipëria po humbet popullsi dhe veçanërisht të rinj, por tkurrja e kësaj grup-moshe nuk po shoqërohet me një lehtësim të tregut të punës.

Përkundrazi, të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se numri i të papunëve 15-29 vjeç është rritur me ritme dyshifrore gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa punësimi i tyre ka rënë.

Më 1 janar 2026, popullsia banuese e Shqipërisë zbriti në 2,335,930 rreth 27.4 mijë banorë më pak se në 1 janar 2025. Tkurrja është më e dukshme te moshat e reja, ku ndërmjet vitit 2022 dhe janar 2026 kishte të rinjtë në grup-moshën 15-29 vjeç u tkurren me 62 mijë persona ose 13.4%.

Por, teksa numri i të rinjve po bie, numri i atyre që kërkojnë punë dhe nuk e gjejnë atë po rritet.

Sipas të dhenavë të INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026 kishte 36.7 mijë të papunë të moshës 15-29 vjeç, nga 31.6 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Brenda një viti janë shtuar mbi 5 mijë të rinj të papunë, ose 16.1%.

Në të njëjtën kohë, numri i të rinjve të punësuar ra nga 177.4 mijë në 170.3 mijë persona, ose me rreth 7 mijë të punësuar, apo 4% më pak. Forca e punës 15-29 vjeç, që përfshin të punësuarit dhe të papunët, zbriti lehtë nga 209 mijë në 207 mijë persona.

Llogaritjet mbi të dhënat e INSTAT tregojnë se shkalla e papunësisë tek të rinjtë u rrit në rreth 17.7% në tremujorin e dytë 2026, nga 15.1% një vit më parë, një përkeqësim me rreth 2.6 pikë përqindjeje.

Ecuria e të rinjve bie në kontrast me pjesën tjetër të tregut të punës. Numri i përgjithshëm i të papunëve në vend u ul me 4.2% në një vit, në 104.6 mijë persona. Te grup-mosha 30-64 vjeç, numri i të papunëve ra me 12.1%, ose rreth 9.2 mijë persona. Vetëm te të rinjtë tendenca ishte në drejtim të kundërt.

Si rrjedhojë, të rinjtë po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të papunëve në vend. Në tremujorin e dytë 2025, 15-29-vjeçarët përbënin rreth 29% të të papunëve gjithsej, por një vit më vonë pesha e tyre u ngjit në rreth 35%.

Tregu i punës në vendin tonë nuk ka qenë historikisht tërheqës për të rinjtë, mirëpo së fundmi kushtet janë vështirësuar më tej. Sistemi arsimor duket se nuk prodhon profilet që kërkojnë bizneset aktuale. Ka një mbiprodhim të të diplomuarve në degë tradicionale dhe një mungesë të theksuar të specialistëve në fusha teknike, teknologji, apo zanate të specializuara që kërkohen nga sektori privat.

Largimi masiv i të rinjve, veçanërisht i atyre me arsim të lartë apo aftësi të mira, krijon një paqëndrueshmëri në treg. Ndërkohë, shumë të rinj që mbeten ose presin të largohen, ose janë në fazë tranzicioni duke kërkuar punë më të mira, por pa sukses afatgjatë./ Monitor

11 Shtatori, 25 vjet nga sulmet terroriste në SHBA që ndryshuan botën

Më 11 shtator 2001, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga një seri sulmesh terroriste që tronditën jo vetëm vendin, por mbarë botën. Ngjarjet e asaj dite u shndërruan në një nga momentet më tragjike dhe më përcaktuese të shekullit XXI, duke sjellë ndryshime të thella në politikën ndërkombëtare dhe sigurinë globale.

Katër avionë pasagjerësh u rrëmbyen nga 19 terroristë të lidhur me rrjetin al-Kaida. Dy prej avionëve u përplasën me kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërsa një avion i tretë goditi Pentagonin, selinë e Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Avioni i katërt, United Airlines Flight 93, u rrëzua në një fushë pranë Shanksville, në Pensilvani. Pasagjerët dhe ekuipazhi kishin tentuar të rimerrnin kontrollin e avionit nga rrëmbyesit, duke penguar që ai të arrinte objektivin e tij.

Asnjë nga 246 personat që ndodheshin në katër avionët nuk mbijetoi.

Sulmet shkaktuan rreth 3 mijë viktima, mes tyre pasagjerë, punonjës të shërbimeve të emergjencës dhe persona që ndodheshin në ndërtesat e goditura. Qindra zjarrfikës, policë dhe punonjës të tjerë të emergjencës humbën jetën gjatë përpjekjeve për të shpëtuar njerëzit e bllokuar.

Pamjet e sulmeve në Nju Jork u transmetuan drejtpërdrejt në televizionet e të gjithë botës. Tymi, zjarret dhe shembja e kullave binjake u bënë ndër imazhet më të fuqishme të tragjedisë, duke ndryshuar përgjithmonë perceptimin global mbi terrorizmin dhe sigurinë.

Pas sulmeve, Shtetet e Bashkuara nisën një fushatë të gjerë kundër al-Kaidës dhe organizatave terroriste.

Në tetor 2001, SHBA-ja dhe aleatët e saj ndërhynë ushtarakisht në Afganistan, ku regjimi taleban kishte strehuar udhëheqësin e al-Kaidës, Osama bin Laden.

11 shtatori solli ndryshime të mëdha edhe në mënyrën se si trajtohej siguria në aeroporte, kufij dhe institucione. U miratuan ligje të reja kundër terrorizmit, u zgjeruan kompetencat e agjencive të sigurisë dhe udhëtimet ajrore në mbarë botën iu nënshtruan kontrolleve shumë më të rrepta.

Sot, 25 vjet pas tragjedisë, 11 shtatori mbetet një plagë e thellë për familjet e viktimave dhe shoqërinë amerikane.

Çdo vit, në Nju Jork, në Pentagon dhe në Shanksville zhvillohen ceremoni përkujtimore, ku nderohen dhe lexohen emrat e personave që humbën jetën në sulmet terroriste.

Por përtej përkujtimit të viktimave, 11 shtatori vazhdon të jetë një pikë referimi për politikën ndërkombëtare. Luftërat që pasuan, ndryshimet në sistemet e sigurisë dhe pasojat politike të ndërhyrjeve amerikane në Afganistan dhe Lindjen e Mesme kanë ndikuar në zhvillimet botërore për më shumë se dy dekada.

Ngjarjet e 11 shtatorit mbeten kështu jo vetëm një kujtim i një prej ditëve më tragjike në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, por edhe një moment që ndryshoi rrjedhën e politikës dhe sigurisë ndërkombëtare. bw

UGSHPD: PAS 100 DITËSH (Si u përcoll mesazhi i Revolucionit të Flamingove në media)

Këtë shënim mund ta titullonim edhe Hashtag 2 (#2), në vijim të atij të disa ditëve më parë ‘Propaganda Anti-Rini e Ramës’.

Një arsye kjo ishte se ATSH-ja kurrë nuk hoqi dorë nga dhënia e një lajmi mbi protestën çdo ditë.

Një rekord mbulimi dhe që vijon përkujdesjen e rrëfimit në varjantin zyrtar!

Shpesh 100 ditë kur bie fjala për qeverisjen, teza kthehet në angazhim për të marrë masa dhe bërë ndryshime, por kjo me qeverinë Rama gjatë muajve të verës ishte thjeshtë një heshtje ndaj kërkesave të protestës.

100 ditë të pandërprera, të ilustruara me foto që sigurisht janë një dokument, asnjëherë nuk ishin të motivuara profesionalisht. Asnjëherë lajmi zyrtar nuk moti mundimin të tregon té se përse njëra ditë mund të jetë e ndryshme nga tjetra.

Edhe në të 100-ën ditë, formati standard i lajmit veç titullit nuk i kalonte nga 7-9 fjalitë.

Një përsëritje që duket më shumë si një detyrim i punëdhënësit se sa lajm profesional.

Tituj përtej të mërzitshmes që nuk kanë motiv dhe për më tepër po t’i lexosh nga i pari tek i fundit lajmi zyrtar është jo vetëm i mërzitshëm për të njëjtën strukturë që shkruhet, rishkruhet dhe huazohet ndoshta nga të tjerë botues, por humbet vazhdimësinë e qëndresë qytetare.

Ndoshta ky vëzhgim paraprak mund të ndihmojë diçka për Degën e Gazetarisë që tashmë rifillon e ndoshta edhe për një temë studimi duke e gërshetuar atë edhe me praktikën, pasi Protesta do të jetë aty…

Vjen ky vëzhgim si një shikim i shpejtë edhe nga se shumica e mediave programin prime time, shqiptarëve u pëpiqet që t’u jepet një larmi temash për ta zbritur këtë të fundit në muajin e katërt të saj, në renditje dhe rëndësi.

Diku vetëm protesta, diku tjetër me pak protestë nëpër të, por kishte edhe nga ato televizione fare pa protestë në ditën e 100-të pasi , edicionet informative e kishin transmetuar ngjarjen me të njëjtën cilësi sikurse edhe ATSH-ja.

Me të njëjtin kujdes për ta bërë të mërzitshme.

Dy tre Media ndërkombëtare si Reuters dhe APT, Al Jaseera e të tjera më pas si dhe Organizata Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Shpendëve (Bird Life International), i kishin kushtuar rëndësi protestës së Tiranës në 100 ditëshin e saj. Jo vetëm nga vendngjarja, por titujt e tyre rezononin në kuptimin për të marrë e përgjigjet se :- A është kjo protestë jo vetëm për mbrojtjen e natyrës një provë për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë?

… 100 Ditëshi i Protestës Qytetare tregon se mbetet më motivues për disa këndvështrime të që kjo Lëvizje ka sjellë në shoqërinë shqiptare në lidhje me vendin, kohën dhe kërkesën për ndryshim më shumë se sa për mënyrën se si ja kushton seriozitetin asaj media.

Lajmi mbetet një mjet informimi dhe komunikimi kur jep të vërtetën.

Ai përvetësohet tani më lehtë nga teknologjia për t’u shpërndarë, por ai edhe mund të konkurrohet po kaq lehtë përmes teknologjisë duke i ballafaquar pikërisht qëndrimet dhe opinionet  në raportet që ato janë me mendimin dhe fjalën e lirë dhe patjetër me të vërtetën.

Pikërisht këtu dallon shkalla profesionale e medias për t’u kuptuar në se është; e lirë, e pavarur, e vërtetë, ndërtuese përpara se të jetë shtetërore, publike dhe e rrjeteve sociale,… dhe ca më keq e censuruar dhe jo rrallë shtrembëruese ose e manipuluese me faktet pasi mundet të jetë e blerë.

Shumë nga këto simptoma bënin prognozën se nuk do të kishte më protestë gjatë stinës së verës dhe pikut të pushimeve, por Shtatori erdhi dhe 100 Ditëshi i Protestës kaloi.

Kësaj pike të fundit media e shtrembëruar ose e manipuluar ju investua me bojkot dhe me etiketime dhe për këtë do të kemi kohë dhe mundësi një tjetër herë për ta trajtuar gjerësisht.

Kryesore tani është të ndalemi për pak tek protesta në 100 Ditët e saj.

A është kuptuar Dorëheqja e kryeministrit si  një çështje e panegociueshme?

Kjo është qëndresa dhe mesazhi mediatik.

Në dobi të këtij qëllimi mirë informimi, njohja e problemeve, qartësimi i opinionit publik dhe ajo që del nga lajmësit e gazetarët e terrenit janë historike për nga rëndësia.

Kjo gjithashtu të bën të mendosh që në fillim se: – A kanë qenë të mjaftueshme këto 100 ditë proteste për të kuptuar kauzën dhe kush ka fituar terren?

Përgjigjet do të ishin sigurisht pa i ngritur supet të plota; Po(!) dhe Jo(!)…

Ata /ato me supe ngritur ende nuk e kanë ndjekur nga afër protestën, por nuk do të thotë se do të jenë përgjithmonë të tillë…

Ndërsa ata/ato që mendojnë Jo(!), janë mosbesuesit se Vjeshta do të vinte me protestën ndezur. Administrata shtetërore i kishte deklaruar që më parë pushimet e verës. Ndaj me ditët e punës së qeverisë protesta duket ende ka mbetur në muajin e parë.

Kishte edhe nga ata/ato që pritën se protesta do të zbehej dhe një riorganizim i saj do ndikohej nga përçarja dhe dyshimet e mos vazhdimësisë. Dhe kjo mund të ishte kostoja e parë e humbjes.

Me sa duket kjo nuk ndodhi.

Çdo ditë në shesh kërkohet:-“Rama jepe Dorëheqjen!”.

Ndërsa për ata/ato me bindjen Po(!), aspekte të tjera si Vapa, Botërori i Futbollit, “ndeshjet miqësore” me vezë e domate me policinë dhe parlamentin, koncertet e improvizuara, mund të thuhet se janë disa ditë kulmore në ulje-ngritjet e protestës qytetare të cilave jo rralë ju bë mbështetëse bashkëkombës nga diaspora shqiptare, nga trojet shqiptare, nga media e huaj, nga përfaqësues të PE-së, nga ambjentalistë ndërkombëtarë si edhe nga turistë të huaj e kthyen në një atraksion Protestën Qytetare dhe nuk e lanë atë të shuhej, Sheshi u kthye në energji.

Kjo ishte përmasa e vërtetë e saj e shkrirë kryesisht mes masivitetit krijues rinor me vajza e djem të palodhur.

Çdo ditë mund të dukej “më e pakët” në numër krahasuar me bukurinë e ditëve të para dhe të atyre fundjavave të mbështetjes nga diaspora, por kohëzgjatja ishte dhe u bë një refren i ditës.

Në përditshmëri Sheshet e Tiranës, dhe në disa qytete të tjerë Shqipërisë si edhe në disa shtete të botës ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, kauzat “Shqipëria nuk është për shitje” dhe “Rama jepe Dorëheqjen!” mbetën të pranishme deri në gjetjen e rrugëzgjidhjes.

Ditët e para të muajit Shtator kaluan shpejtë dhe numri i 100 Ditëve, e ka shumëfishuar rëndësinë dhe mesazhin sigurisht edhe me fillimin e Sesionit të ri parlamentar ku politika nuk mund të qëndrojë më dot pas ngurtësisë as të rezultatit zgjedhor, por as edhe pasive në rrafshin institucional mbi performancën e dobët të qeverisjes, 1 vit pas zgjedhjeve.

Fryma kritike dhe analiza janë pjesë e ndërgjegjes politike personale e partiake, por edhe përgjegjësinë e përfaqësimit të zgjedhësve në Kuvendin e Shqipërisë.

Mbi këto përgjegjësi dhe vullnet që e respekton institucionin e protestës paqësore, në mënyrë demokratike krijohen hapësirat e veprimit të Kushtetutës.

Qytetarët mbajnë ritmin e protestës ndërsa shteti që mendohet se i shërben qytetarëve në rastin ideal zbaton ligjet duke reaguar me shumë shpejtësi për të ndaluar korrupsionin dhe kriminalizimin e shoqërisë shqiptare.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

8 Shtator, 2026

“Drejtësi” – Qytetarët protestë para SPAK, kërkojnë të hetohen audiopërgjimet e Arben Ahmetajt

Përgjimet e publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, të cilat tregojnë se si njerëz afër Qeverisë favorizohen duke përfituar drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit pa asnjë garë apo meritë të bazuar në ligj, ishin arsyeja që një grup qytetarësh protestuan sot para Prokurorisë së Posaçme.

“Drejtësi”, “Këtu vendosim ne”, “Dorëheqje”, ishin thirrjet e protestuesve. Ata kërkojnë që SPAK të marrë seriozisht deklaratat e Ahmetajt dhe të nisë hetimet për të gjitha aferat korruptive, prapaskenat e të cilave u zbardhën nga ish-zëvendëskryeministri.

Protestuesit thonë se audiopërgjimet e bëra publike nga Ahmetaj duhet të merren në dorëzim nga SPAK në mënyrë të hetohet plotësisht çdo pretendim i ish numrit 2 të Qeverisë. Panorama


Send this to a friend