Ndihem me fat që jam lexuesja e parë e krijimeve të Skënder Buçpapajt. Edhe e poemës Vetëm të Vdekurit Pendohen, që unë e shoh si poemën e Pemës së Jetës, të konceptit kozmik të krijimit, që lidh trupin me shpirtin, prej zanafillës e deri kur jeta kthehet në frymë. Është poema më e bukur e shkruar për Nënën në rrang botëror, sikur ta kenë shkruar gjithë bijtë e Nënave të këtij Njerëzimi, përgjatë epokave dhe mijëvjeçarëve që kur njeriun e ngjizi Zoti.
Është poemë për Nënën e poetit dhe poemë që eksploron enigmën e jetës, një obsesion eternel i poetëve, të cilët ndihen mbi tokë si zëdhënësit e të Plotfuqishmit, sepse arrijnë t‘i sendërtojnë ndjenjat, t‘i bëjnë të prekëshme e vajtuese vuajtjet, pikëllimin, të zëshëm gëzimin, simbolet abstrakte të universit e gjithësisë.
Këtë sensasion të krijon leximi i Vetëm të Vdekurit Pendohen, prej gërmës së parë deri tek gërma e fundit.
Kjo poemë nuk do të mund të shkaktojë mahnitje vetëm tek lexuesi pa të cilin poetët nuk do të ishin të pavdekshëm. Vetëm të Vdekurit Pendohen do të shkaktojë huti tek vetë poetët që do të konstatojnë se kjo vepër është e pamundshme për t’u shkruar, pasi ndjeshmëria e poetit ka thithur brënda gjithë spiralin e jetës në ciklin e përherësisë.
Vetëm të Vdekurit Pendohen është një poemë e harmonisë së dizarmonisë të mirëfilltë që hulumton deri në grimcën e fundme humnerën e shpirtit njerëzor me të gjitha dramat dhe tragjeditë njerëzore, prej njeriut të parë deri tek fundi i njeriut.
Ndërsa Dantja tek Komedia Hyjnore zbulon ferrin, purgatorin e parajsën në shoqërinë e Virgjilit, Skënder Buçpapaj zbulon përherësinë duke u ritakuar me Nënën e tij në jetë të jetëve.
Është poema më e fuqishme e shkruar për Nënën, çdokush që e lexon, tronditet rëndshëm, sepse gjen veten, në raportin nënë-bir a bijë, aq e pakufishme është në poemë përmasa e dashurisë, jo si univers abstrakt por si ndjenjë e ndjesi, sa që Toka kthehet thjeshtë në metaforë. Nëna është gjithësia, është shkaku, është e Para ndërsa Toka si planet me qiellin, detet e oqeanet e gjithçka është pasoja.
Vetëm të Vdekurit Pendohen është e një krijim poetik i atij niveli, që do të meritonte epigrafin e „Farkëtarit më të mirë“që Thomas Stern Eliot do t’ia dedikonte Ezra Paundit në poemën e tij kryevepër „Waste Land“ – „Toka e shkretëtirës“.
Skënder Buçpapaj e absorbon të gjithë kohën ku jeton dhe s’ka si të mos jetë përjetuesi më i thekur i eksodit biblik shqiptar të milenarit të tretë në një shoqëri postkomuniste. Diktatura vrau njeriun, ndërsa postdiktatura i vrau njeriut Atdheun. E po të mblidheshin lotët e nënave nga ndarjet me bijtë e tyre patjetër do të krijohej Oqeani i Lotëve e Skënder Buçpapaj u ngriti një apoteozë monumentale këtyre lotëve e këtyre ndarjeve.
Poema është kompozuar me katër përgjërata: Udhës për tek Nena, Loti i të vdekurit, Motra e Isufit dhe Para Jetës është Ëndërra që janë shkruar në kohë të ndryshme, me ndërprerje midis njëra-tjetrës, për shkak të ngarkesës së madhe emocionale, në kufirin kur shpirti plas sepse nuk duron dot më.
Të katër përgjëratat për nga objekti formojnë një trinitet të përkryer. Ato i kushtohen nënës, atit e të birit, poetit, ku nëna është shpirti i shenjtë që dikur e qetëson vullkanin e poetit, i paqton më në fund dhe i mposht tronditjet, dyshimet, kaosin prej së panjohurës të vetme, që vjen përtej jetës.
Nga përgjërata tek përgjërata tronditja është shkundëse, cfilitëse, bërtitëse si tek „Ulërima“ e Edvard Munch apo tek „Howl“ – „Britma“ e Allen Ginsberg, ndërsa dhimbja është piskamë, klithmë,rënkim e gulçim e njëherësh të gjitha së bashku rebelim kundër vdekjes dhe në fund pajtim me deduksionin profetik të Skënder Buçpapajt se në fund të fundit, jeta është vetëm një parantezë.
Skënder Buçpapaj e zbulon si amalgamë lidhëse për poemën e tij fjalën „përgjëratë“ nga verbi „përgjëroj“ që ka një polisemi kuptimesh e plotkuptimësi gjendjesh emocionale si dëshira e zjarrtë, dhimbshuria, adhurimi, lutja, malli apo premtimi solemn. Është një nga fjalët më të përveçme e më të bukura të shqipes, që nuk e ka simotrën e saj në gjuhët e tjera, krijuar posaçërisht prej vuajtjes ekstreme në trollin e baladave shqiptare ku universi i dhimbjeve nga pritjet e ndarjet janë homerike.
Skënder Buçpapaj i përfshin në poemën e tij Vetëm të Vdekurit Pendohen të gjitha sensacionet, përjetimet, perceptimet, vizionet, ngjyrat, dritat e hijet, përveç urrejtjes që mungon si njësi, si ndjesi, si koncept e nocion.
Skënder Buçpapaj e përfshin të gjithë leksikun e gjuhës shqipe, në mënyrën më elegante supreme, mjeshtër i metaforave dhe asosacioneve, mjeshtër i figurave të kuptimit e shqiptimit poetik, mjeshtër i kontrasteve, duket se i ka shterur të gjitha fjalët e kësaj jete, asnjë objekt i kësaj bote s’ka mbetur jashtë orbitës së poetit pa u permendur, emër për emër, gjithë universi është brënda, universi i natyrës dhe universi i shpirtit të njeriut, sa vjen një moment kur duket se vargjet i shkruan subkoshienca e poetit në një delir e jerm niçean, shumë afër cakut e kufirit ku poeti ve në dyshim vetveten a është njeriu apo është vetë Zoti./ Elida Buçpapaj

PS Libri më i ri i Skënder Buçpapajt “Vetëm të vdekurit pendohen”, botim i Onufrit, për të interesuarit dhe kulturdashësit, gjendet në dy libraritë kryesore të Tiranës, Adrion dhe Albania.
Komentet