VOAL

VOAL

LIBRI MË I RI DHE BUKURITË E NATYRËS SHQIPTARE – Reportazh nga TAHIR BEZHANI

May 3, 2016

Komentet

Tek Ura mbi Ibër Poezi nga Elida Buçpapaj

 

Tek Ura mbi Lumin Ibër
kalimtarët janë të rrallë
si retë e rralla në qiellin
mbi kokat tona

Tek Ura mbi Lumin Ibër
kalimtarët e rrallë
janë të heshtur
si retë e heshtura
në qiellin mbi kokat tona

qiell i rimtë sykthjellët
me ndonjë re tek-tuk
si kalimtarët tek-tuk
në Urën mbi Ibër

tre qenushë endacakë të bukur
patrullojnë
mbi Urën e Lumit Ibër
kanë uri dhe na afrohen
miqësisht
futen në fokusin
e aparatit fotografik
si miq të vjetër
nuk pyesin çfarë etnie ke
sytë i kanë miqsorë, lutës
t’i ftosh në shtëpinë tënde në Europë
të luajnë me fëmijët
të lehin gjithë gaz
kur kthehesh në shtëpi
nga shërbimi në Mitrovicë –
nga Ura mbi Lumin Ibër
aty ku qentë endacakë
lypin miqësi jo bukë
të ngopin
barkun e uritur
dhe vijnë e fotografohen me ty
si të jenë pjestarë të familjes

Liria është Poezi nga Elida Buçpapaj

Liria është e imja e jotja
pasuri e patundshme
që nuk gërryhet nga brejtja
Liria është një ushtri e çarmatosur
nga urrejtja

Liria është e pasur
që ngop çdo bark të uritur
burim i pastër, i pashtershëm drite
Liria është një ushtri e çarmatosur
nga çdo lloj frike

Liria është frymëzim
me sy të kthjellët si fëmija
që grish për ta jetuar jetën pa dallim
Liria është një ushtri e armatosur
vetëm nga dashuria
fund e fillim

KULAKU -Tregim nga Shkëlqim HAJNO

Qirjako Davera u ngrit shumë herët në fshatin Haskogravë. Gati dy sahatë pa zbardhur mbi majëmalet e Axhenikut, nga dilte si gjithmonë vetulla e parë e diellit. Pothuaj menjëherë pas këngës së këndezit të parë në fshat, e pa veten në këmbë . Gjumi i ishte terratisur dhe sytë i rëndonin nga pagjumësia. Gjoksi i veshur me fanellën e bardhë, punuar me shtiza nga duart e të shoqet, Rinës, gati sa s’i çahej nga ankthi i ditëve të fundit.
Në shtëpi nuk kishte më bereqet. Asnjë grusht miell dhe asnjë kalli misri. Tani rrezikonte që uria të ulej këmbëkryq në konakun e tij qysh atë ditë. Si do të bëhej me të gjashtë frymët që kishte për të ushqyer në shtëpi dhe, motrën sakate, shtatë? Mbathi opingat e lëkurta dhe doli në oborrin e madh me avorua dhe manin e moçëm në mes. Nisi të tymoste pa rreshtuar duhan të hapur nga nevoja për të folur me veten duke përtypur thërmijat farmak nga cigarja e varur në buzë. Nuk mjaftonte që e kishin futur në listë si të vetmin kulak në fshatin minoritar, për shkak të një dyqani që pati në katund gjyshi I tij kurbetli. Por kjo, tani e tutje, do të ishte si një gur nishani, paralajmërues për të gjithë.
Në këtë pragdimri, duhet të gjej medoemos disa hise misër apo thekër për të mbajtur gjallë frymët e pragut tim. Suferina e jetës nuk ka qenë bujare me pragun tonë sidomos gjatë Luftës së Dytë. Dhe mesa duket më keq akoma për ne, pas Luftës, me pushtetin e ri. Por kohë për të qarë, nuk ka. Kjo është silloia. Ka kohë vetëm për të gjetur pak misër. Përplase kokën ore, rob perëndie në daç në mure e në daç, në trarët e tavanit.
***
Në Votuca, qendër e lokalitetit, një mal larg me Haskogravën , u mësua shpejt se njerëzit e lokalitetit do të ndanin nga një sasi misri për çdo familje nga ndihmat e mbërritura në vend nga UNRA. Po vallë, do të kishte për të gjithë ndihma nga këto që kishin ardhur nga jashtë? Vallë, do t’u jepnin të gjithëve siç flitej?
Me këto brejtje në shpirt, Qirjako Davera mësoi se nga një sasi bereqeti do të ndahej për familjet e katundeve përreth pikërisht në hangarin e madh në qendër të kooperativës së re, me një emër të ri: Vëllazëria. Rrugës për atje, pikërisht te kroi në Qafë të Lëpjetës , pa gra të ngarkuara me tërkuzë me thasë misri po edhe kafshë dore të ngarkuara me thasë ku shquhej qartë në barkun e tyre stampa: ‘UNRA’. Ndihmat perëndimore për atë që nisësit e quanin furnizim për riaftësim nga Kombet e Bashkuara, nisën në vjeshtën e tretë të vitit njëmijë e nëntëqind e dyzet e pesë.
Rrugës për në vendmbërritje, Qirjako Davera kishte dëgjuar vërtet dikë se misër mund të mos jepej për të gjithë.Ca zëra të tjerë për shembull thoshin se për kulakët, nuk ka misër. Këto fjalë e murrëtyen edhe më tepër njeriun që po udhëtonte me kafshën e dorës drejt lokalitetit.

Vazhdonte të tërhiqte mushkën për kapistre i muzgosur në shpirt e fytyrë prej ankthit se, mund të kthehej duarbosh. Por, më shumë se kaq, prej veçimit të mundshëm nga të tjerët. E kishin futur në një rreth të kuq. Kulak! Ky-lak! përsëriti me vete.Pastaj i fliste mushkës. Eh, moj e bekuar. Ç’kemi ndryshe nga të tjerët që na pagëzuan me këtë emër. Si një mallkim dhe si ai kulari në qafën e qeve për të lëruar në ara. Eh, moj Çile, kuqalja ime, ç’fat të kemi këtë herë!. Nuk është në dorën tonë…
Ishin metrat e fundit deri në qendër, në Votuca.
Nga ata që ktheheshin të ngarkuar me misër në këtë dite të bekuar mësoi dy lajme. Një, të mirë sipas tij. Por tjetri, farmak. Njeriu përgjegjës për ndarjen e bereqetit në Votuca, ishte Myfit Dobra, sekretar i lokaliteti. Nërsa lajmi i dytë, ai, të cilit i trembej ishte se kulakët, këtë herë nuk do të përfitonin misër, deri në një urdhër të dytë, që do të thoshte deri në një ngarkesë tjetër, të dytë e cila, do të mbërrinte shumë shpejt në lokalitet.
Prit! Mendoi. Myfit Dobra. Ai kishte qenë partizan. E njihte. Myfiti vinte nga malet, ishte nga fshati fqinj me Daverën. Njiheshin. Ishin vërsnikë në moshë dhe dikur fëmijë, kishin lozur te jazi i mullirit. Ka një emër të mirë Myfit Dobra, mendoi. Edhe si njeri, edhe si familje. Edhe të parët tanë, familjet tona vërtet, njera e krishterë minoritare dhe tjera myslimane, kanë mbajtur lidhje e miqësira edhe në kohë lufte, edhe në kohë paqeje, silloiste me vete Qiriako Davera.
Njëherë e një kohë mendoi, burrat e këtyre familjeve kishi rrahur tregëtinë pas kurbetit. Por nga ato kohëra, ujëra shumë kanë rrjedhur dhe, njerëzit ndryshojne siç stinët, përtypte silloinë njeriu me mushkë.
***

Te kroi në Bregun e Milloshe Qiriako Davera u ndal. Ishte copa e fundit e udhës gjer në depot e ndihmave. Aty u përshëndosh me të tjerë banorë të fshtrave përreth: Skarani, Zhupani, Ragnoi, Ganicati, Axheniku e të tjerë. Kur i erdhi radha në oborrin e depos së madhe të lokalitetit, ishte pasdite vonë. Ai e njohu menjëherë përgjegjësin e ndarjes së ndihmave. Myfit Dobra ishte një burrë shtatlartë. Thatim por i stralltë dhe me mustaqe. Duke pritur ai po këqyrte çdo xhest e fjalë të Myfit Dobrës po edhe lëvizjen e radhës së njerëzve drejt një peshoreje me gurë zigji dhe një tavoline të madhe pranë stivave të thasëve me bereqet.
Ndihmësi i Myfitit herë pas here i bënte të njohur eprorit të tij emrin e personit në radhë dhe fshatin radhës. Tjetri, jepte urdhër dhe mbante shënim në një defter të madh emrin dhe sasinë e drithit që dilte nga depoja.
– Qirjako Davera! -bëzajti me një ton të lodhur ndihmësi. Njeriu të cilit i thirrën emrin, lëvizi nga vendi si ta kishte sëmbuar diçka e mprehtë në gjoks.
Eprori diçka lexoi në defterin e madh dhe tundi kokën sikur lexoi një kumt jo të mirë:
-Sot…nuk ka për të gjithë! E dimë, të gjithë janë nevojtarë. Po sot, nuk ka për të gjithë! As për ty Qirjako. Na vjen keq….Ndoshta do njoftoheni nje herë tjetër….
Njeriu që dëgjoi emrin në radhë ngriu dhe u murrëtye tok me cigaren që s’e hiqte nga buzët.
-Si kështu?!-mbeti pa fjalë njeriu në radhë.
Po ndjente se një dorë e fshehtë, në mister s’di se ku, po i pështillte në ters punët dhe fatin e tij.
Pas një heshtje që rëndoi si plumb e pllakosi mbi të gjithë ata që ishin në radhë, ndihmësi përsëriti fjalët e sekretari te lokalitetit, shefit të tij, Myfit Dobra:
-Sot…nuk ka për të gjithë! -picëroi sytë ndihmësi-Të gjithë janë nevojtarë. Po sot, nuk ka për të gjithë! As për ty Qirjako. Na vjen keq…
Një mërmërimë e lehtë u dëgjua nga njerëzit në radhë brenda depos me bereqet.
Si për ta prerë mërmërimën e turmës, Myfit Dobra iu drejtua ndihmësit me një ton të fortë:
-Rexhep! Hidhu jashte tani dhe, numëro sa njerëz janë akoma dhe mbaji shënim! Tani!Lëshou!
Tjetri u drejtua nga porta tok me një bllok të madh në dorë.
Myfit Dobra i bëri një shenjë me dorë Qirjako Daverës që të afrohej tek ai.
Tjetri u qas si i trullosur. Diçka i tha me një zë që askush nuk e dëgjoi nga kureshtarët e turmës, por të gjithë e panë sesi kulaku duke thithur cigaren i trishuar , u drejtua për nga porta e jashtme e depos i brengosur, me çapat që i hidhte ngadalë si mbi një tokë të minuar.

***
Era birsk e ftohtë e vjeshtës së tretë i fshiku fytyrën e brazduar Daverës, duke i kujtuar se dimri ishte në prag.
Çfarë më tha Myfit Dobra? Qirjako, eja sonte, në dy pas mesnate! Fiks në dy!Tok me mushkën. Për tre thasë me misër. Allvanika milao, Qirjako!(Shqip po flas, Qirjako!.) Sekretari i lokalitetit i kishte folur në gjuhën amtare të Haskogravës. Sepse, njëherë e një kohë të rinjtë e asaj ane, ia dinin gjuhën amtare njeri-tjetrit.
Atë grimë kohe kur Davera donte të thoshte diçka, Myfit Dobra i bëri me dorë shenjën “mos!”. Ik Qako! Tani, ik o byrazer!.
Ai, që njihej nga shumëkush aty me nofkën kulaku, lëvizi duke hequr këmbët zvarrë si në një ksoll apo mort.
Mori përdore mushkën e lidhur jashtë dhe pas pak, ikona e tij u tret ngadalë atë pasdite drejt lugut të kodrinave të Skaranit. Vuri instiktivisht pëllëmbën e djathtë në qafën e kafshës dhe nisi ta përkëdhelë. Ec, o Çile! Ec, o xhan. Nuk kemi prishur as kishë e as xhami, as teqe e as vakëf, por na kanë ngulur një damkë në lëkurë.
Damkë si ato që u bënin njëherë e një kohë kafshëve në lëkurë me hekur të djegur…. Unë jam kulaku.Ti je mushka e kulakut. Domethënë, nuk jemi si të tjerët, o e shkretë bashkë me zotin tënd që të tërheq për kapistre e, qajmë hallet së toku. Po ç’do u themi atyre në shtëpi, o xhan? Ç’do i themi Rinës, o Çile që na pret te pragu e kërkon miell për magje të mbrujë bukën e radhës? Po motrës sakate që më kupton edhe flet vetëm me sy?
Duhet t’u themi diçka. Të vërtetë a të reme? Nuk e di, o xhan!
Retë e dyshimit ia errësuan edhe më pamjen e shtegut në rrugën e mëhallës së tij. Po sikur, të na shkojë huq dhe të kthehemi si tani duarbosh? Po unë mendoj se nuk janë rralluar fare burrat, o Çile . Po vallë, Myfitit i peshon fjala e dhënë si dikur, të parët e tij?.
Po sikur të bëjnë lojë e prapë të na kthejnë duarbosh? Si do t’i vejë filli? Si do t’i vejë filli, o kuqale, o xhan, si? Po halli? Se tutje, përtej nga sinori shtetëror, nuk ikën dot të kërkosh si njëherë e një kohë, se kufijtë janë mbyllur. Po as këtej, nuk ke ku të mbytesh e ku të gjesh një trastë me bereqet?
Befas, vuri re se pemët e mëdha të valanidheve në hyrje të Haskogravës u shfaqën me tërë kurorat e rënda. E la një çast Çilen të kullosë e lirë dhe vetë, nisi të dridhte mbi një trung të prerë lisi cigaren e fundit që do të mjaftonte ta tymoste për atë copë rrugë deri te shtëpia.
Po vriste mendjen se çfarë do t’i thoshte Rinës që po kthehej duarthatë, kur sytë i mbetën mbi një degë të madhe lisi që ishte tharë e djegur nga rrufeja e shirave të fundit.
Ndjeu sërish nevojën e silloisë dhe shkëmbimit të fjalëve me dikë. O dru i lisit, o vëllai im, tha me zë. Sot, kisha një ditë të vdekur, o vëlla. Një ditë si kjo ana jote e përcëlluar dhe e shkrumbuar nga rrufeja. Ishte një ditë e vdekur, o vëlla dhe krahët e mi po i ndjej si ky krahu jot i tharrë e i nxirë, i çarë e i nxirosur nga rrufeja.
Te oborri i shtëpisë, baloja, qeni i shtëpisë iu ngashërye i pari plot kuisje gëzimi duke iu fërkuar e hedhur sa te këmbët e tij aq edhe te Çilja.
Pas tij, Rina që e ndjeu praninë e të zotit ende pa e parë, u dha te pragu i portës së madhe.
-Si vajti, o burrë! Nuk prure gjë apo mbaroi?
Qirjako i ndjeu sytë e saj që i depërtuan thellë në shpirt dhe i lexuan fytyrën e murrëtyer. Hoqi në shpirt duke thithur fort cigaren e dredhur.
-Ishte radhë e gjatë, mori Rinë.
-Edhe?
-Shkrova emrin dhe, nesër që pa gdhirë duhet të jem bashkë me Çilen përsëri në lokalitet.
-Të kam bërë dy vezë të ziera po hajde e shlodhu,-ia pat Rina që diç jo të mirë e të turbullt kuptoi me atë intuitën e pagabuar të zonjës së shtëpisë.

***
Nga dritaret e vogla të depos së drithit, në Votuca atë mesnatë mezi shquhej drita e një feneri të vogël, varur diku në faqen e murit. Që nga një ledh përbri depos së madhe të lokalitetit, shquhej hija e një njeriu që pinte duhan në gjysmëterr. Hija lëvizi drejt portës së depos dhe ikona e siluetës së tij nën dritëzën e fenerit u shfaq e stërmadhe në faqen e murit.
Ishte pas mesnate. Jashtë era frynte me suferinë duke krijuar melodinë e misterit dhe krokamën e zhurmës së llamarinave të çative aty rrotull.
Njeriu brenda mureve nxori orën me qostek nga xhepi i palltos. Hapi kapakun dhe pa se akrepat e orës kishin shkuar tek dyshi. Hapi portën e depos me kujdes dhe u mundua të shohë në sheshnajën para objektit të zhytur gjithashtu të terr.
Një. kollitje diku fare pranë tij, ishte si një shenjë e frymës së një njeriu. Pastaj dalloi cigaren e tjetrit dhe tha kuturu në errësirë:
-Ke ardhur Qirjako?
-Po or mik. Kam një copë herë që këtu jam bashkë me mushkën.
-Afroje këtu anash dhe hyr brenda e merr ngarkesën!
Tjetri, heshti pak.
-Ma bëre borxh dhe nuk di si do ta lajë, o Myfit Dobra, o njeri i fisëm!.-u dëgjua njeriu që hyri në hapësirën e ngrehinës së mbuluar me llamarina.
Tjetri nuk foli por thithi fort cigaren.
Pas pak, kafsha e ngarkuar ishte gati për udhë.
-Janë kohë të vështira, Qirjako.
Pasoi sërish heshtje..
-T’i kesh mirë kallaballëkun! Këtë të uroj.
Qirjako i zgjati kutinë e duhanit.
Myfit Dobra mori një cigare dhe i zgjati të tijën.
-Udha e mbarë!
Të dy burrat shtrënguan duart fort pa thënë dot asnjë fjalë.
Në atë shtrëngim, të heshtuar dukej se kishte shumë dhimbje dhe forcë burri.
Kafsha e ngarkuar dhe njeriu që e shoqëronte atë natë pragdimri nisën të çapiteshin në errësirën pus të thellë. Në një rrugëtim si drejt askundit.//

–oo0oo–

Veprat e Ismail Kadaresë – jehonë madhështore e gjuhës shqipe dhe vlerave etnokulturore e shpirtërore të kombit shqiptar- Nga Akademik GJOVALIN SHKURTAJ

1. Prelud:

Më 1 korrik, kur mësova se Ismail Kadareja u nda prej nesh, ashtu siç isha në një bar duke pirë kafen e mëngjesit, mora celularin dhe nisa në adresën e akademikëve  një shfrim të pikëllimit të ligjshëm për Njeriun e Madh të letrave shqipe:

“Kjo ditë e parë e muajit korrik erdhi me një kumt aq trishtues: qenka ndarë së gjallësh Ismail Kadareja, poeti, shkrimtari, mendimtari dhe akademiku ynë, pak të thuash më i lavdishmi i ditëve tona.

Natyrisht, pikëllimi e dhimbja janë të mëdha, por duke parafrazuar Migjenin, do të thoshim se është “dhimbje krenare”, është dhimbje për atë që na përfaqësoi e na bëri krenarë në botën e letrave, duke u lexuar veprat e tij në mbarë hapësirat e shqiptarisë, po edhe duke u përkthyer veprat e tij në frëngjisht e në shumë gjuhë të botës.

Nuk është sot rasti të përsërisim vlerësimet meritore për gjuhën e stilin e Tij, për të cilat edhe është shkruar e do të shkruhet prapë, por le ta bashkojmë sot dhimbjen e madhe me bindjen se burra si Isamil Kadareja i vijnë rrallë një kombi të vogël dhe se ai, ashtu si Nënë Tereza, me emrin e lavdinë e tij e bëri të madhe gjuhën shqipe dhe i la emër të madh Shqipërisë, u la krenari të pavdirë Shqipërisë e kombit shqiptar.

I qoftë e lehtë mbi shtat lëndina e Atdheut, për të cilin ai i bëri dhe malet të mendohen dhe sot, pa dyshim, fushat dhe malet e Shqipërisë kanë rastin të lëshojnë jehonë vajtimtare.

Durrës, 1 korrik 2024

2. Për gjuhën dhe prurjet ligjërimore në veprat e Ismail Kadaresë është shkruar jo pak, edhe unë, në rrjedhë të moteve, kam folur e shkruar artikuj e studime mirëfilli për prurjet e kahet e fjalëkrijimit të tij. Po lejohem të përmend disa pika nga trajtimet e mia për gjuhën e Kadaresë, të botuara në librin “Kadareja dhe fjala shqipe” (bashkautor me Tefik Çaushin) dhe te librat e mi: “Pesha e fjalës shqipe” (UFO Press, 2009) etj..

1. Veprat e Kadaresë si jehonë madhështore e gjuhës shqipe dhe e kombit shqiptar.

2. Gjuha shqipe dhe jetësia e saj në vizionin artistik të Ismail Kadaresë.

3. Koncepti i Kadaresë për gjuhën si njësia themelore dalluese e kombit.

4. Prurjet leksikore e togfjalëshat e shqipes së hershme e krahinore me vlerë pohuese dhe fisnikëruese.

5. Fjalë të përdorura me mëtime mirëfilli gjuhëpastruese: – ndajfoljet me -shëm: ankthshëm, frikshëm; emrat me -najë (bornajë, sherrnajë, grunajë)etj.

Disa vlerësime më të veçanta.

Kadareja është i lidhur me shqipen e shqiptarinë si Anteu mitik me tokën. I nisur prej një mjedisi si Gjirokastra, me pak tokë e shumë gurë, ai do të bënte pikërisht “kronikën në gurë” të Atdheut të vet.

Gurët, malet e ushtima e tyre do të ishin qysh në fillim të shkrimtarisë së tij “baza e nisjes”së tij. Ashtu si Naimi, që e niste poemën e vet me vargun “O malet e Shqipërisë…” edhe Ismail Kadareja metaforën më të fuqishme do të kishte malet:”Përse mendohen këto male…”Dhe ai, si një mal i lartë, do të ngrihej mbi të gjithë brezin e vet, duke na lënë  aso veprash që, pa dyshim, Shqipërinë e vogël e bëri të madhe, gjuhën shqipe e vuri krahas gjuhëve më të lexueshme dhe prej saj, opusi letrar i Kadaresë do të botohej, së pari, në frëngjisht në Francë, pastaj edhe në mbi 40 gjuhë e vende të tjera të botës.

Nuk kam qenë mik a shok i Kadaresë. Mund ta kem takuar tri a katër herë, në raste tubimesh letrare dhe, në vitet e fundit, në Akademi, kur iu dha çmimi i karrierës. Pra, kam qenë lexues dhe studiues e vlerësues i veprave  të tij, sidomos i gjuhës  dhe i konceptit të tij për rolin e shqipes si tipari themelor përbashkues e njësues i kombit shqiptar; natyrisht kam qenë e jam edhe adhurues i mjeshtërisë  së tij në njohjen, prurjet dhe përzgjedhjen e fjalëve e figurave, krahasimeve e metaforave aq të mahnitshme e origjinale, si dhe të ndihmesave të tij të pakundshoqe si fjalëkrijues e fjalëfisnikërues krejt  i veçantë.

Kam folur e shkruar për Kadarenë, jo pak në rrjedhë të viteve, artikuj, studime dhe një libër “Kadareja dhe fjala shqipe” (bashkautor me Tefik Çaushin).

Nuk është rasti t’i përsëris ato që kam thënë e shkruar, sepse janë dhe në librat e mi të botuar “Ta duam e ta mbrojmë gjuhën tonë të bukur” dhe “Pesha e fjalës shqipe”. Do të theksoj se, kur ikin nga kjo jetë burra të mëdhenj si Ismail Kadareja, botës së letrave (kritikëve, studiuesve, mësuesve dhe pedagogëve të shkollave të larta e, mbi të gjitha, atyre që drejtojnë shtetin e institucionet arsimore e kulturore, u bie detyra të veprojnë si bujqit mbas korrjeve të begata:

Të shtrojnë pyetjet: Çfarë na la? Çfarë të bëjmë me gjithë atë prodhimtari shkrimore të madhe, të larmishme e të gjithnduershme: poezi, poema, balada, prozë të shkurtër, tregime e novela, ese dhe sprova; prozë të gjatë, romane me teamtikë të rëndësishme nga e shkuara dhe e sotmja e popullit tonë, vepra të ripunuara e të përpajnuara në ribotimet e viteve të fundit etj..

Si bujqit e mirë që, së pari, ndajnë e lënë në ruajtje farën; ndajnë kokrrat më të shëndetshme për t’i mbjellë. Ndajnë drithin e bukës së përditshme dhe, duke e shoshur e hedhur me kujdes, heqin dhe çdo grozhël a kllogjër që duhet lënë mënjanë.

Për mua, si “gruri i farës” dhe si “drithi i bukës” do të mbeten modeli i shkrimtarisë dhe përzgjedhja e temave të shkrimtarisë nga Kadareja. Mbeten me vlerë të pavdirë puna me gjuhën e vlerësimi për shqipen e shqiptarinë, pohimi i vlerave dhe i jetësisë së shqipes si gjuhë pjellore e jo si “gjuhështerpë”, njohja dhe pohimi i hireve të shqipes si gjuhë e një populli që është në anën e diellit e në kundërvënie me hënën.

Le të kujtojmë strofën kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut:

“Si dritë e plotë ai shtjellej

Me re dhe erë  mbi Atdhe,

Një emër Gjergj e kish si diellin,

Tjetrin si hënën, Skënderbe.”

Motivin e kundërvënies, Kadareja e ka zgjeruar më tej e më shquarazi te poezia “Gjuha shqipe”. Aty, osmanët, bartësit e simbolit hënë, kundërshtarët e diellit u hodhën në sulm të tërbuar, por kështjellat shqiptare më të forta nuk i pushtuan kurrë. Këto kështjella janë “kështjellat e sintaksës” shqipe, janë palca e gjymtyrët e gjuhës  që mbeten të pathyeshme.

Mua si gjuhëtar, më ka ngazëllyer qëndrimi i drejtë i Ismail Kadaresë për gjuhën e sotme letrare shqipe. Ai, disa herë, ka gjetur rastin dhe ka shprehur qartë e prerë se gjuha shqipe e njësuar, ashtu si e kemi sot, është vepër me vlera të mëdha kombëtare; ajo është farkuar e njësuar si fryt i një pune më se shekullore të brezave  të tërë të shkrimtarëve dhe mendimtarëve  përparimtarë të kombit shqiptar. Kadareja, ashtu si gjithë krijuesit më të shquar shqiptarë të sotëm, brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë, i mëshon pikërisht përgjegjësisë  gjuhësore të shkrimtarit.

Për të gjitha këto, jam i bindur se Kadareja ynë i ka merituar të gjitha epitetet dhe atributet  e një mjeshtri të madh të fjalës shqipe. Jehona e veprave letrare të Ismail Kadaresë është, në të vërtetë, jehonë madhështore e gjuhës  sonë të ëmbël e të pavdekshme.

Ismaili u nda sot prej nesh, por vepra e tij na mbetet  përjetë si pasuri e pavdirë e trashëgimi kombëtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Durrës, 3 korrik 2024

‘Rrakullima’, dramatika hermetike e mbitekstit- Nga BEHAR GJOKA

Në këtë libër të rrallë për nga vlerat letrare, ku janë përfshirë katër tekste dramatike, përkatësisht: Murana, Kori i Korbave, Familja e Shenjtë dhe Antifona, pra duke u nisur kështu vetëm prej dheut të vendlindjes, Gjilanit, shkrimtari Beqir Musliu, prej Makondës reale, duket se ka sendërtuar një Makondë Letrare, që këtu na prezantohet në Magnus Libris, të ngjashme dhe të ndryshme, porse tejet të bukur si vatër e frymimit artistik vetanak. Tekstet dramatike/tragjike përçojnë veçmas tjerash, një ndjesi terri të thellë dhe si prani mbizotëruese, mbase tashmë edhe si të hijezuar, që i jep dramatikës së autorit një përndritje të veçantë dhe të pakrahasueshme në letrat shqipe.

ERRËSIRA SI FRYMË

Rrokja e saj është krejt e mundshme në të gjithë krijimtarinë e Musliut, në poezi dhe prozë, veçse në shkrimin dramatik, ajo na del e prekshme dhe fuqiplotë në të katërta tekstet, e paraqitura në këtë libër, madje na shpërfaqet edhe me nuanca më të forta:

– Si prani e fuqishme e frymës erratake, ku në fakt përzihen edhe hijedritat e ferrit – purgatorit – parajsës, pra të secilës pjesë të tetraptikut (kuartetit) dramatik, nga më të thekurit si poetikë e shkrimit të saj.

– Si një rrezatim krejt i pazakontë, i beftë dhe çudibërës, letrar dhe gjuhësor, i mbijetesës së qenies, sidomos të përfshirë nën kthetrat e fatit, tmerrësisht të zi.

– Si një frymim, etik dhe estetik, human dhe më përtej tij, për të shpaluar ankthin dhe tmerrin, kryesisht përmes ligjësive të artit të fjalës.

– Si një sprovë e përfunduar, e hartimit dhe materializmit, të dramatikës së mëvetësishme dhe hermetike, të autorit më një errësi të përveçme.

Terri, pra kuptohet se është fjala për errësirën e skajshme, mbase më tepër se sa çështje fryme dhe atmosfere mbizotëruese, në veprën e gjerë dhe përplot laryshi shkrimore të Beqir Musliut, shpërndërrohet këtu plotësisht, madje organikisht në vetë fatin e artit, si magji shkrimi, ka gjasa edhe si një mantel i ndriçimit erratak, të menduar dhe të endur qëllimisht kështu, si një qark i mbyllur, ku frymon jeta dhe matanëjeta.

RRETHI VICIOZ I QENIES

Jeta dhe vdekja, pa mëdyshje dy bashkudhëtar të ekzistencës së vetë qenies, veçmas në hapësirat tekstologjike të librit “Rrakullima”, përgjithësisht ecin përkrah, ndonëse nganjëherë lëvizin edhe në kahje të ndryshme:

– Ecin paralelisht, madje si dy prani të pandashme, duke krijuar kështu edhe një shans të qartë të kundrimit të tyre, pra të jetës dhe amshimit, mbase edhe si thelb dhe tipare përfaqësimi.

– Ecin përkundruall, pra gati–gati, si në një shesh beteje, ku nga çasti në çast, edhe mundet të nisë dyluftimi i ashpër, për jetë a vdekje.

– Ecin, po ashtu me turravrapin e tmerrit dhe lebetisë, duke ikur kështu prej shoqja – shoqes, pushtuar më tepër nga angështia e mosqenies.

Një shtysë e fortë, teorike dhe letrare, për të prekur praninë e këtyre shenjave ekzistenciale të qenies, ka qenë edhe sugjerimi i studiuesit Nehas Sopaj, kur shprehet: Dramat e B. Musliut janë ndërtuar si një rrëfim i vetëm dhe i gjatë me tetë shkëputje të titulluara, një rrëfim – udhëtim mes jetës dhe vdekjes në të cilin lexuesi mbetet i befasuar me saktësinë matematikore të të vërtetave në gjeneralitet, të vërtetave të realitetit objektiv. Jeta dhe matanë jeta, madje kjo e dyta, është diçka më e theksuar në hapësirat tekstologjike, të dramatikës hermetike të autorit, pra dukshëm janë dy protagonistët thelbësor të saj.

SHKËRBIMI I PERSONAZHEVE

Stilema letrare, thënëse dhe artistike, formatuese dhe sendërgjuese, shpaluese dhe rrëfimore, më e beftë dhe po kaq funksionale, e teksteve dramatike të librit, është shkërbimi i vazhdueshëm dhe krejt organik, i personazheve të dramave, domethënë shndërrimi i tyre në njëri – tjetrin, si dhe po ashtu edhe anasjelltas. Shpërndërrimi i vazhdueshëm, ngjet:

– Tek ‘Murana’, sidomos me dy Haxhinjtë në dy sfinga, pastaj në Harut dhe Marut, në dy hije, në treshenë, Mjekërrkuqi, Vetullkërleshuri, Sykapsallituri e pambarimisht kështu.

– Ndërsa tek ‘Kori i Korbave’, ku përveç dy Haxhinjve, që shpërndërrohen në Fatamorganë dhe Iblis Keqa, në skenë futet Ademi dhe Kipci, pra përsëdytësi i tij, për të ardhur tek historia e Havës me Ademi, që bart në fakt fatin biblik dhe jetësor, si dhe të fëmijëve të tyre, pra të Kabilit dhe Habilit, Vedia dhe Demimja.

– Në tekstin ‘Familja e Shenjtë’, një nga pjesët më tronditëse dhe më të skalituara, si skena tragjike dhe dialogim, sërish kemi praninë e të dy Haxhinjëve, po ashtu edhe të familjes së Ademit, por edhe të Qoftëlargut, e ku ky i fundit shpërndërrohet krejt natyrshëm, në secilin personazh, por mbase këtu, veçmas të tjerash, mbizotëruese është skena e gjeredekut, si një akt i shpërndarjes dhe ruajtjes së farës së fisit.

– Në tekstin ‘Antifona’, që shënon të mbramin tekst të ‘Rrakullimës’, ku tashmë rishfaqen në skenë të gjithë personazhet e të gjitha pjesëve të këtij librit, tronditës dhe hermetik, madje edhe në një dyzim kundërvënës dhe të jashtëzakonshëm ndërmjet vedit. Bota e trefishtë Tekstet dramatike të këtij libri, pa mëdyshje që të katërta pjesët dramatike, veçmas dhe bashkërisht, sugjerojnë dhe sendërtojnë një botë të trefishtë, e cila në fakt përbëhet:

A – Ferri/xhehenemi, nën dhe mbitokësor, i pranishëm dhe funksional, pothuajse nëpër të gjitha hapësirat e tekstit, si mëkat dhe madje edhe si mëkatim tërësor.

B – Purgatori ose mali i vuajtjeve të panumërta, padyshim i të gjithë protagonistëve, si një akt që krijon gjasat e plotësimit të kushteve për vajtjen e merituar deri në parajsë.

C – Parajsa/xheneti, që në të gjithë tekstet e dramave/tragjedive, që vetëm se përmendet se sa preket, duke mbetur kështu, mbase më tepër një ëndërr krejt e pamundur.

Trefishësia e botës, letrare dhe mentale, pra si Ferr, Purgator dhe Parajsë, që në fakt është sendërtuar më parë dhe madje mrekullisht nga Dante Aligeri, me ndarje të shumta në rrathë dhe në një formë letrare të papërsëdytshme, si dhe të pagjashme për t’u kryer më si e tillë. Prania e konceptit të botës së trefishtë, në tekstet e Musliut, ka pësuar ndryshime të thella:

– Tek ‘Rrakullima’, duket tashmë, se më tepër kemi të bëjmë më një udhëtim imagjinar, si më thënë këtu na shpalohet një shtegtim ëndërror, pra që realisht nuk u krye kurrë.

– Pjesa e tretë e kësaj bote, në hapësirat e teksteve të këtyre dramave/tragjedive, pra Parajsa vetëm sa përmendet dhe shpalohet, kinse dhe më tepër si një imazh ëndërror.

– Fati i qenies njerëzore, në ekzistencën dhe po ashtu edhe në mosqenien e vetë, në të gjithë tekstet e B. Musliut, është e bashkëlidhur me fatin e librit, pra të vetë artit të shkruar.

– Kemi të pranishme, madje të zhvilluara kaq gjerësisht, dy linja të njëkohshme, kërkimin dhe mohimin, qëmtimin dhe dyshimin, që më tepër të fanit fatin e doktor Faustit me Mefistofelin, të Gëtes. Këto ndryshime thelbësore dhe sendërtuese, të hermetikes dramatike të autorit, padyshim edhe të tjera shenja, të pranishme në hapësirat e teksteve të librit, të shpien natyrshëm edhe tek ngjizja e një tipologjie të përveçme shkrimore të Musliut.

SHKRIM – MBI – SHKRIMI DRAMATIK

‘Rrakullima’, veçmas teksteve të tjera dramatike të shkrimtarit, duket se palimpsestin, pra shkrim – mbi – shkrimin, e ka jo vetëm bazamentin mbi të cilën ka ngritur ngrehinën e vetë dramatike, ka më shumë gjasa të jetë mirëfilli tragjike, por edhe vetë tharmin unik të poetikës dhe estetikës së tij. Prania e disa shenjave të prekshme:

– Të frymës dhe teksteve të Biblës dhe Kuranit, në fakt i bëjnë ato materien parake, mbi të cilat ka marrë shtysa autori, për të sendërgjuar tekstet e të gjithë librit.

– Bota e trefishtë, pra e vizionit të Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës, të çon menjëherë tek një situatë paratekstuale e ‘Komedisë Hyjnore’ të Dantes, si frymë e qenies.

– Paratekstet, tashmë autoriale, në fillesë të secilit tekst dramatik, po ashtu edhe diku më në brendësi, të pasuara edhe nga shpërndërrime të pafundme të gjendjeve të personazheve, e zgjerojnë ndjeshëm gamën e pranisë dhe të rolit të palimpsestit.

Shkrim – mbi – shkrimi, ndërkaq bart edhe disa tipare të dyfishta, pra të një procesi zbulues, si dhe të një akti krijues estetik të mirëfilltë. Procesi zbulues, pra i shkrimësisë letrare, lidhet me heqjen e njollave dhe të pluhurit të pranishëm, si dhe tashmë edhe me sjelljen në dritë, të disa shenjave që njerëzimi, gati qe bindur se ishin zhdukur. Puna e thelluar dhe e domosdoshme, për të kryer procesin zbulues, nxori në pah edhe një moment tjetër çudibërës, të përplasjes së ngjyrave, të shkronjave dhe fjalëve të ndryshme, e prej saj, krejt vetiu edhe (si një qëmtim i vazhdueshëm) përlindi kështu edhe estetika e palimpsestit, pra e shkrim – mbi – shkrimit, që dihet se ka për at Borgesin.

TIPOLOGJIA E TRAGJEDISË MODERNE

Tekstet dramatike, të librit ‘Rrakullima’, padyshim që të katër veprat dramatike, gjer më tash, janë lexuar dhe emërtuar në një larmi formash. Ideja e N. Sopajt, kur shkruan: Ngjashëm si edhe te poezitë dhe romanet, dramat e B. Musliut parashtrojnë pyetjen e llojit letrar, zhanrin e veçantë dramaturgjik që kultivon autori për shkak të veçantisë së shkrimit të tij. Tipologjia e përcaktimit të këtyre, shtjellimeve dhe përcaktimeve, endet nëpër këto gjasa:

– Shkrimi dramatik modern, çka materializohet në skenat e shumta dhe të ndryshme, veprimet dhe në dialogun e pranishëm.

– Shkrim dramatik i antidramës, pra i një tip tjetër shkrimor, krahasuar me dramaturgjinë klasike.

– Shkrimi dramatik automatik, që ndërron kahje të paraqitjes së vetë orë e çast, porse e shoqëruar edhe më një nuancë të shkrimit sinkretik letrar, pra të ndërthurjes së poetikave shkrimore gjithëgjinore.

– Shkrimi dramatik i natyrës së tragjedisë, ku ‘Rrakullima’ përbëhet nga katër drama: Murana, Kori i korbave, Familja e Shenjtë dhe Antifona.

– Tragjedi moderne, një tip shkrimi, që do ta hasim si natyrë dhe formatim edhe tek dramatika e Anton Pashkut, me dy tekstet, Gof dhe Sinkopa, të cilat edhe i ka emërtuar si të tilla.

Duke qenë se sa i përket tipologjisë së llojit letrar dramatik, mbroj hipotezën se i përket, më tepër se të tjerave, natyrës së tragjedisë moderne, atëhermë do të duhen qëmtuar dhe theksuar argumentet mbi të:

– Fundi tragjik, i një humbje të shumëfishtë të familjes së shenjtë, që e shpie vetvetiu tek ngjyresat e një tragjedie të mirëfilltë.

– Befasia e fundit tragjik, që vjen krejt panatyrshëm si rrjedhë logjike -klasike, porse që na shpaloset krejtësisht organike, në rrjedhë të lëvrimit modern të shkrimit letrar.

– Prania e shenjave të paratekstit, të intertekstit, pra të natyrës së shkrimit letrar, si palimpsest ose shkrim – mbi – shkrim, e rrëshqet dramatikën e tij, përfundimisht dhe më tepër në tipologjinë shkrimore të tragjedisë moderne.

PËRFUNDIME

Shenjat e mësipërme, të frymës së errtë, të një rrethi vicioz ku gjallon qenie, të dyzimit dhe shpërfytyrimit të personazheve, po ashtu të sendërgjimit të botës së trefishtë, të pranisë së palimpsestit dhe të sendërtimit të tragjedisë moderne, burojnë vetëm se nga leximi, i vëmendshëm i teksteve dramatike të shkrimtarit. Druaj se, në procesin e rileximit të ‘Rrakullimës’ dhe të çdo teksti të B. Musliut, shumë prej këtyre qasjeve, ka gjasa që të vihen në dyshim, e madje edhe të përlinden të tjera, sepse tekstet e Musliut, bartin shumëkuptimësi, shumështresime dhe shumëngjyrësi letrare, çka mendimin përmbi shkrimtarinë e tij e vë në zgrip të përcaktimeve të fundme.

Brezi im – Poezi nga ISMAIL KADARE

1

Brezi im,
Jotja qoftë kjo këngë!
Dhe unë qofsha kudo me ty.
Dhe ne të gjithë të jemi
Drurë të mbjellë në udhëkryqet e historisë,
Tabela të kuqe përpara kohëve të vështira,
Me mbishkrimet:
“Kohë të shpëtuara”.
Ne ta spastrojmë këtë planet
Nga prangat, superfuqitë, poshtërimi,
Që ju pas nesh, kur të vini,
Ato mos t’ju pëlcasin ndën këmbë
Si mina.

Me këtë këngë s’kujtoj se po bëj
Tablo apo përgjithësime epike gjithçfarë,
Me këtë këngë dua vetëm t’i ngjaj
Shkollarit që në sallën e postës
Një plakë i lutet ngadalë
T’i shkruaj mbi zarf një adresë,
Ndoshta adresa e të birit ushtar.

2

Ne erdhëm në jetë
Në kohëra plot duman.
Ne erdhëm si ajo nusja e veshur me të bardha
Që pjek në rrugë një funeral vigan.
Ne erdhëm si manushaqe të hershme
Mbi varrin e ushtarit.
S’lindëm ne princa,
Megjithatë
Mijëra topa përshëndetën ardhjen tonë,
Ish kohë e hekurt, kur në qiej
Më shumë bombardonjës
Sesa zogj fluturonin.

Dhe qysh aherë dhe gjer tani
Unë zogjve akoma s’ua di emrat mirë,
Ne markat e aeroplanëve
Atëherë si abëcënë dinim!
Nga zhurm’ e motorëve i njihnim,
Siç duhet të njihnim
Zogjtë nga cicërima.

Mëso netëve më vonë zoologjinë,
Merr diplomën në veterinari…
Zogjtë, po nuk erdhën me fëmininë,
Nuk vijnë më kurrsesi.
Kështu, pra, u rritëm
N’atë kohë të rreptë,
Ne të pazogjtë,
Aeroplanmëdhenjtë!

3

Mirëmëngjes, Republikë!
Ndiej frymëmarrjen tënde ritmike.
Tek përkulesh
Me syze të zeza
Mbi fisat oksidrike.
Mirëdita, Republikë!
Këta tela tensioni të lartë që zgjaten pa kufi,
Që si nuse me tela të stolisin,
Janë nervat e tua të nderura,
Nervat e tua me çelik të salduara,
Nervat e tua të hekurta,
Shqipëri.

Mirëmbrëma, Republikë!
Shoh moshatarët
Ngjitur mbi shtylla
Mbërthejnë llamba
Mijëra dhe mijëra,
Sikur montojnë
Një qiell me yje.

4

Ka në jug një lumë
Që ka tre mijë vjet
Që buron nga malet,
Që rrjedh nëpër Eneidë,
Që rrjedh madje n’Iliadë
E mes mitesh të moçme.
Akeroni i skëterrës,
Bistricë e sotshme.

Mbi këtë lumë vozitën
Turma të vdekurish
Me qefinë të bardhë.
Me koka të verdha,
Të qullur nga shiu,
Të ngrirë nga era.

Ky lumë, që shekuj mbi valë
Shtyu varkën e Karontit,
Turbinat do të shtyjë
Dhe mbi të do lëvrijnë,
Jo më mijëra shpirtra,
Po miliona elektrone.

Dhe ti, xha Karont,
Erdh koha –
Në pension.

Braktise varkën e vjetër,
Vozite tre mijë vjet,
Se erdh një kohë e madhe,
Xha Karont,
Varkar i lashtë sa bota,
Xha Karont.
(Dhe ovullat që u more të vdekurve,
Kur i çoje në botën e amëshimit,
Depozitoji, xha Karont,
Në Sarandë,
Në arkën e kursimit!)

Po, o brezi im,
Ne kemi punë sot
Me Akeronë
Dhe Karontë,
Kjo s’është kaq e thjeshtë
Sa të shkulësh një fletë
Nga e lashta Eneidë.

5

Eja, ulu këtu,
Xha Karont,
O filozof i vdekjes,
Ulu të kthejmë një gotë:
Për të gjithë brezat nuk ka pasur
Kryqëzor më të tmerrshëm
Se varka jote.

Ulu dhe më trego
Për miliardat e shpirtrave
Që transportove në atë botë,
Për skllevërit, gratë e bukura, zyrtarët,
Heronjtë, kuzhinierët, carët.
Tregomë,
Si me kujën
E erërave përzihej
Kuja e tyre
Mes rrëmujës
Së ujërave,
Që rrokulliseshin
Rrokopujë.

I frikshëm tregimi yt, Karont,
I frikshëm dhe i madh;
Me këto shpatulla,
Duke lëvizur lopatat,
Ke tërhequr
Një botë të tërë të vjetër
Drejt vdekjes.

Po tani më dëgjo mua, xha Karont,
Të të tregoj diçka
Nga bota jonë e të gjallëve.
Të tregoj për brezin tim,
Që varkën tënde
Do ta copëtojë rrëzë maleve;
Të tregoj për brezin tonë,
Që, mbi tryezë, ku pleqtë lozin dominonë,
Në vend të 4-3-shit
Arushën e Madhe mund të zbresë!

6

Të shoh, brezi im,
Sot ngjitur mbi shtylla,
Monton ti llamba
Mijëra dhe mijëra.

Nesër
Në qiej ti do të sulesh të pasosur
Të shtrosh të ftohtat trase të universit
Dhe i pari ndër orbita të vendosësh shenjat
“Përpara”
“Zigzag”
“Kthesë”
Po, o brezi im,
Sot nxjerr ti në pension
Të lashtin varkar Karont.
Nesër në udhëkryqe, mes yjeve,
Trafikun do t’u mësosh perëndive.

Do të digjen semaforët e tu
Në kozmos natë e ditë.
I madh je ti, brezi im,
Nesër
Do të gjobosh perënditë.

7

Në këtë shekull shpejtësish,
Më shpejt se Tu-104,
Më shpejt se sputnikët në fluturim
Fluturojnë vitet e tu,
Brezi im.
Fluturojnë vitet e rinisë,
Ditët shkunden një nga një,
Si pendët e shqiponjave.
Ditët bien si rëra prej balonave,
Që më lart balonat të ngjiten
Në gji të pafundësisë.

Kështu ikshim një nga një, duk’ u ngjitur,
Duke shpërthyer tavanet plot tym duhani
të klubeve,

Ku pinë aranxhata,
Dhe mezi shqiptojnë “Lumumba”.

Ne do të ikim
Jo të kërrusur mbi bastune.
Po në sfonde shtyllash tensioni të lartë
Do të erremi si silueta
Horizonteve të lume.

Ne do t’ikim nga kjo botë si një funeral i
vogël
Që pjek në udhë një dasmë të pamatë.
Ne do t’ikim
Siç hiqen afishet e qullura
Pas një shfaqjeje gjigante, pas mesnate.

1961

(Marrë nga ExLibris)

PENDIM I VONUAR…..- Tregim nga TAHIR BEZHANI

 

Ishte dite e diel, ditë vikendi. Dielli e kishte përqafuar hapësirën tokësore kudo me rrezet e veta pranverore. Gjelbërimi i natyrës i kishte dhënë pamjen magjepsese gjithë atij qyteti. Bardh Shkreta, gjysmë i përgjumur, hapi dritaren e dhomës së fjetjes dhe shikoi gjithandej bukuritë e atyre kodrave të gjelbëruara. Nguli sytë në një katarakt uji, i cili shushurinte bukur gjatë rënies në shtratin e atij lumi të qetë, buzë qytetit piktoresk.

Pastaj u ndal në mendime rasti, ” kushedi se ku tretet ai lumë i qetë dhe çfarë bart në brendinë e tij…!”

Ktheu prapa, vështroi dhomën, ishte i vetëm. Trupi i lodhur nga mundimet e përditshme, kërkonte prapë pushim në shtratin e gjumit, ishte i dërmuar nga puna javore, mujore, e afër dyzet viteve…
Instinktivisht u shtri sërish n ‘atë krevat të natës, por nuk e zinte gjumi. Do kujtime iu mbështjellën kokës si një tym kur donte t’i dilte flaka, kujtime të kamotshme që e përcillnin gjithë jetën.Dhe filluan t’i lëvizin mendimet si ai uji i atij lumit ku derdhej shushurima e katarakteve bjeshkore.

-Eh! Sa shpejtë ikën vitet, shumë shpejtë, tok me jetën, mendoi Bardh Shkreta.Ishte natë kur dola nga shtëpia dhe nuk iu lajmërova askujt, bile nuk përqafova babë as nanë. Mora edhe Shpresën, bashkëshorten, pa njoftuar askënd. Një letër e lashë të shkruar si njoftim ,në kapakun e maxhës, nuk doja as t’i bezdis, por as të dinë qëllimet e ikjes sime tek të tjerë familjarë. Nuk më kishte mbetur vend të qëndroj më gjatë në vendlindjen time, në Gurbardh. Më kërkonin vazhdimisht organet e sigurimit. Ose burg të gjatë ose marrje jete, do më kushtonte zënia ime…

N ‘ato vite të tollovisë së madhe politike në Kosovë, fillim viteve nëntëdhjeta, kur shovinizmi serb donte të gëlltiste çdo krijesë të gjallë shqiptare në tokën tonë, ditët pasuroheshin vetëm me gjakosje, po rezistencë, jo jetë. Dhe, ikëm me Shpresën, natën pa hënë ! Ika si munda e si dita, rrugëve më të zorshme të jetës sime, si nëpër rrathë ferri. Ç’ka nuk të mëson zori!

Jemi të mësuar nëpër shekuj nga goditjet e gurëve të kohëve. Popull i lindur e rritur në vuajtje gjithmonë. Pas shumë peripecive, kalova në Zvicër.

U vendosa në kantonin e Zyrihut. Aty u vendosa dhe fillova punën e zakonshme si gyrbetaqarë, plot përmallim për vendlindjen e lënë mes flakëve të kohës. Fëmijët më linden në gyrbet, të tretë.
Këto mendime sa vinin e ia ngushtonin frymëmarrjen Bardh Shkretës. Malli për vendlindjen e digjte, por për prindërit akoma më tepër. Shpesh i shihte në ëndërr, duke i përqafuar, e pastaj qante si fëmijë. Dëneste, duke u kthyer herë në njërin e krah e herë në tjetrin, derisa e zinte gjumi, tejet të lodhur e të rraskapitur.Me gjithë atë mërzi, të nesërmen duhej vazhduar puna, punë e rëndë në ndërtimtari. Gjithnjë jetonte me shpresën se një ditë do bëhet mirë, do i realizohen ëndrrat e shumëpritura për lirinë e Kosovës, për të cilën kishte dhënë shumë, bile, kishte rrezikuar edhe jetën.

Pas asaj agonie malli që e kishte kapluar, i kaloi nëpër kokë e trup duke lënë gjurmë jete, perceptime të tmerrshme. U zgjua si i trembur nga një ëndërr e keqe, hodhi supeve një bluzë të lehtë dhe doli në kuzhinë, andej ku duhej të ishin e gjithë familja në një ditë vikendi, bile, një ditë sa për ta pyetur njëri tjetrin për punë, për mësime e shumë gjëra tjera të jetës familjare.

Pasi u ul në karrige ku gjithnjë pinte kafenë e mëngjesit, bashkëshortja Shpresa, e vërejti se diç nuk ishte në rregull me disponimin e Bardhit. Me një zë përulësie iu drejtua bashkëshortit ,duke lutur për kafe apo diç tjetër, me që ishte zgjuar më vonë .

-Më bëj një kafe dhe më thuaj se ku janë fëmijët?!

Shpresa duke ia sjellë kafenë, i jep përgjigje edhe për fëmijët, duke i thënë se kanë dalë sipas orareve të tyre. Festimi e Shkëlqimi për lojën e topit ndërsa Erëmirën e thirrën shoqet për disa detyra të shkollës, detyra shtëpie po u thonë.

-Shpresa, foli Bardhi, dëgjo mirë çfarë të them! Jemi në një vend që mund të fitojmë para, por mund të sharrojmë thellë për keq, në aspektin e moralit, karakterit, gjuhës, traditës e shumë gjëra tjera ,që na personifikojnë ndryshe nga këta këtu, nga ky popull ardhur nga e gjithë bota. Duhet të bëjmë çmos të ruajmë identitetin tonë, nga i kemi rrënjët. Mbajmë përgjegjësi për fëmijët tanë, për ardhmërinë e tyre. Mendohem gjithnjë e gjithmonë, të punojmë e fitojmë shumë, por t’i kthejmë fëmijët në çerdhën e vet, në Kosovë.

– E more njeri im! Sa zor e ke të realizosh atë dëshirë! A din se ku ke ardhë?! Sado të përpiqesh për ato synime, është tepër e vështirë, ambienti “t’i thithë dëshirat”, të lëkund tërë trupin me rrënjë e me çka ke, gjërat bëhen si të pandashme aty ku jeton…

Bardhit sikur se iu rrëqeth lëkura e trupit. Nuk e ndjeu në shpirt përkrahjen e bashkëshortes. Iu duk sikur edhe ajo po anonte kah ai “transformim “më logjikë perëndimore, ndonëse ka edhe të mira, por nuk iu duk përkrahëse Shpresa në esencën e karakterit edukativ të fëmijëve të tyre. Për herë të parë po e heton një ndasi mes vetës e Shpresës në kuptimin e rritës së fëmijëve të tyre.

-Shpresa, të kuptova por nuk po pajtohem thellësisht me juve. Ka gjëra që ruhen mirë me qëndrim e qëllim të përbashkët. Pemës edhe nëse i bien gjethet, rrënjët duhet të jenë të forta. Nga aty mbijnë pipat e rinj, nga i njëjti trung, Shpresa….

Përpiqu mos të më rrënosh ardhmërinë time. Kosova është jeta ime. Nga atje kam ikur për të shpëtuar ty e vetes kokën , për të rritur e shkolluar fëmijët tanë, jo për t’i asimiluar. Kujdes Shpresa!

Pas bisedës së përbashkët atë ditë vikendi mes bashkëshortëve, me qëllime të përbashkëta për ardhmërinë familjare, sikur se u ngulit një guri që hamendëson kahet e ecjes rrugëve të jetës.

Shpresa nuk bëzani, uli kokën dhe u ngritë me arsyetimin se ka shumë punë për të bërë. Ndërsa, Bardh Shkreta, ndërroi rrobat dhe doli në qytet, i ngarkuar me shumë probleme jete. Në mbyllje të derës, para se të dalë nga shtëpia, i la porosi Shpresës që të bisedoi me fëmijët kur të kthehen, t’ua tregoi bisedën e qëllimin tonë, e posaçërisht e porositi për bisedë me vajzën, Erëmirën.

Duke shëtitur rrugëve të qytetit, atyre parqeve të bukura me lulishte shumëngjyrëshe, aroma e të cilave të zinte frymën si parfum i kushtueshëm, u ul në një karrige dhe nxori pakon e duhanit, çakmakun dhe ndezi një cigare ,duke menduar për natën pa gjumë, dhe bisedën me bashkëshorten, për fëmijët dhe ardhmërinë, atë lumë jete që shpesh nuk pyet për dëshirat e askujt. Ai vazhdon rrjedhën e tij…

Nuk kishte thithur tri herë në cigaren e duhanit, kur befas, i shkuan sytë në anësoren tjetër të parkut, ku pa mikun e tij, bashkëvuajtësin e kohëve të kaluara, Mërgim Mermerin nga fshati Rrahishtë e Dukagjinit. Me të parë njëri tjetrin, fytyrat e tyre sikur u ndezën nga një dëshirë e shumëpritur, u ngrykuan sikur të ishin vëllezër.

-Ku ke humbë ore Mërgim Mermerin? Ka shumë kohë pa të parë! Më ka marë malli me llafosë, nuk kam shumë miq këndej pari, vetëm ty që më pushon zemra kur bisedoj.

Pasi shkëmbyen shumë pyetje për punën, jetën e familjet, ranë n ‘ujdi që të shkojnë në një bufe për të pirë nga një birrë e të bisedojnë më gjatë, të çmallen me njëri tjetrin.

Pas futjes në atë bufe komode, të qetë e të përshtatshme për biseda mes miqve të respektuar e familjarë të përkushtuar, filluan bisedat e gjata, duke trajtuar edhe situatën e pasluftës në Kosovë, duke ndërlidhur shumë situata e shembuj të pakëndshëm të gjendjes jo të mirë,në shumë aspekte të shoqërisë kosovare. Bisedat që trajtonin dy miqtë, faktet relevante që shtroheshin e nuk mund të tejkaloheshin, bënin që të merrnin flakë bisedat nga lami të ndryshme të jetës.

-Luftën që bëri populli ynë, nuk e meritoi këtë gjendje çfarë po e dëgjojmë, por edhe po e shohim kur shkojmë n ‘ato pushime të zezueme. Po shkojmë plot malli e kthehemi plot plagë në zemër. Nuk e kemi merituar këtë gjendje kështu Bardh Shkreta-përfundoi bisedën Mërgim Mermeri, duke zgjatur dorën kah pakoja e cigareve për ta ndezë tjetrën, megjithëse akoma tymonte në taketuke e mëparshmja, shpuza e së cilës ishte zgjatur sa masa e cigares së ndezur. Dhe, pasoj një heshtje e ndrydhur mes tyre…

-Mërgim, të kuptoj fare mirë dhe ndaj mendimin me juve sepse, pas një gjakderdhje të tmerrshme që na shkaktoi Serbia, me gjithë atë arsenal armësh lufte ndaj një populli duarthatë, nuk është dashur të humbë dashuria mes popullit, mes familjeve, mes miqve, nuk është dashur të jemi kaq anemik ndaj njëri tjetrit. Jemi popull i vogël dhe historikisht, nder shekuj, na ka mbajtë dashuria mes veti, bujaria, besa, karakteri i fortë njerëzor, morali e atdhetaria që nuk jemi përulur kurrë deri në lirinë e fituar, për të cilën dhamë shumë gjak…foli Bardh Shkreta, mjaft i brengosur për rrethanat e krijuara pa asnjë arsye në mesin e popullit tonë. Dhe shtoi:

-Mërgim Mermeri, kam dëgjuar se disa politikanë tonë po filozofojnë me jetën, janë bërë si ciceronët në tubime, fjalëmëdhenj, duke përdorur fjalë të filozofëve të ndryshëm, kinse jemi “shumë të aftë” me drejtue popullin. Ky lloj njerëzish ushqen tiparet e demagogjisë, Mërgim. Neve nuk na nevojiten shume filozofime, na kemi filozofinë e jetës sonë të traditës që me shekuj na e kanë vlerësuar. Pajtohem fort se shkollimi hap perspektiva të reja drejtë përparimit evropian e jo egoizmit personal e krahinor, i cili le prapa gjurmë të dogmatizmit, primitivizmit që na detyron të vendnumërojmë.

Biseda mes dy miqve vinte duke u ngritur si shkak i vlerave denigruese. Të qenit jashtë vendit në disa shtetet të Evropës e botës, janë krijuar mundësitë e përfitimit të disa “kulturave” evropiane, të cilat, bien ndesh me traditat tona të mirëfillta, andaj nuk janë të rastësishme edhe ngjarjet e ndodhura ne meset tona. Për fatin tonë të keq, na u janë futur në çdo familje kosovare, si “arsye” e kohës . Kur ke parasysh vendin e një burimi, nuk nënkupton se mund ta dish edhe vendin se ku derdhet ai uji, lakimet dhe pasojat e tij. Të gjitha këto burime, zor se e dimë se kah do na përplasin në aspektet e kulturës sonë.Vallë, a do të jemi në gjendje që edhe ne t’u japim të tjerëve diçka nga vetja, apo gjithmonë, vetëm të marrim nga të huajt?!

-Gëzuar Mërgim Mermeri!- Jeta është luftë dhe gjithmonë duhet luftuar të keqen. Ndryshe, nëse nuk veprojmë, e keqja kurrë nuk lejon të hapet dera e së mirës, foli zëshëm Bardh Shkreta.

-Vlerësim të drejtë dhe largpamës, fole mirë Bardh. Guximi dhe trimëria janë gjithmonë pranë njëra tjetrës, miku im. Këmbëngulësia për të luftuar të keqen është faqja e ndritshme e njerëzve me vlera largpamëse. Ta tregoj tani një shembull që dëgjova në Kosovën tonë, sa isha në pushime. E di, nuk të vjen mirë, por, duroje-foli Mërgim Mermeri.

-Sa isha në Kosovë, dy ditë rresht, njoftoi televizioni qendror, se në një banesë në një qytet të Dukagjinit, është gjetur një person i vdekur ,të cilin ende nuk e ka identifikuar policia.Të treten ditë, u identifikua dhe familjarët shpërndanë fjalën mortore, u hap e pamja. I ndjeri kishte dy djem në tokën e Zvicrës, dytë të martuar e me fëmijë, por babin nuk ua kishin pasë dëshiruar bashkëshortet e tyre, ndërsa fëmijët nuk e kishin atë etjen e gjyshit, sepse ata ishin rritur në ato rrethana dashurie me vlera të zbrazëta. I ndjeri i kishte rritur dy djemtë me shume sakrifica jete. Thuaja se ishte plakur, duke punuar si argat fushe e mali për kafshatën e gojës. Viteve të fundit i kishte sjellë djemtë jashtë shtetit, u kishin dalë letrare dhe i kishte martuar me dy nuse të cilat u treguan të pasojshme në vijim jete. Shpejt e shpejtë ndërhyri Bardh Shkreta duke pyetur Mërgimin:

-Po djemtë a i shkuan në varrim, a ia hapen të pamën, a dëgjove?!

-Po, kishin pas hapur edhe të pame për babin, por rrinin kokulur, më thoshin njerëzit. Besa nuk ishin shkuan shumë njerëz në të pame, sikur e kemi traditë. Dukeshin të penduar djemtë e të ndjerit.

– E tmerrshme, ja se çfarë po “fitojmë” në perëndim, i tha Bardhi Mërgimit. Ai pendim është i vonuar, Granit. A të ka ra ta dëgjosh atë këngën popullore “Fryni Era, u çel taraba” e cila përfundon me dy fjalë shumë kuptimplote:

” Bejta Syla shka fitove, faqen e zezë, një parë pishtole!….”

E kur mbillet “faqja e zezë” brenda familjes, nuk të hiqet për njëqind vjet Mërgim. E mira e tana të mirave është që të kthehemi gradualisht në vendin tonë, sa nuk është bërë tepër vonë, përfundoi Bardhi bisedën.

Bardh, iku dita e na të përmallshëm, mbetem pa drekë, pa pushim dite. Nesër, këta zotërinjtë, kërkojnë punë nga ne. Shkojmë miku im. Takohemi prapë. Situatë me shumë probleme në vendin tonë, Bardho. Lutim Zotin të bëhet mirë! Dëgjohemi me telefon për takimin e radhës.

Gjatë rrugës për në banesën e tij, në kokë i kumbonte e gjithë biseda që kishte zhvilluar me Mërgim Mermerin. Fliste me veten duke thënë :
” Zot mos më provo me gjëra të rënda”, si ato që dëgjova nga Mërgimi.

Në këtë diversitet mendimesh, akoma ka shumë gjëra për t’i sqaruar brenda vetes dhe familjes. Jeta është mësonjëtorja më e mirë me kusht q t’i mbash sytë të hapur gjithmonë. Jeta të jep, por edhe jetës duhet dhënë pa kursim…..

Gjakovë,Qershor,2024

Si u takova me Kadarenë pas shumë vitesh, ngatërrestarët na kishin “zemëruar” – Nga Fatbardh Rrustemi

Nuk do kisha asnjë foto me Ismailin, edhe pse kam ndenjur goxha gjatë me të, nëse botuesi Hudhri, nuk do më telefononte për një kafe me Kadarenë. Kishim më shumë se një çerek shekulli, që s`komunikonim. (Arsyet i gjeni në librin tim me refleksione “Them se e njoh Kadarenë”.)

Para disa vitesh, po me Bujarin, çifti Kadare, më dërgonte falenderime nga Parisi për një shkrimin tim kushtuar librit të tij “Mëngjeset në Kafen Rostand”. U nisa drejt Tiranës, si një i ftuar i tij. Kur aktori Timo Flloku u çua për t`më liruar vendin, Ismaili do më thoshte:

– Timo është njeri besnik.

– Pse dhe sot duhen besnikët?-ia ktheva me të qeshur. Mbeti për një çast. Ndërhyn ime shoqe:

– Duhen, se të ngatërrojnë.

– Mirë e ka.-e pasoi ai dhe përsëriti.-Të ngatërrojnë. (M`u kujtuan ngatërresarët, që më kishin prishur miqsinë me të, sikurse s`më lanë ta gëzoja librin me refleksione “Them se e njoh Kadarenë”.)

– Kështu live dukesh më mirë nga ç`të shohim nëpër gazeta dhe ekrane.-i thashë.

– Faleminderit.-ishte përgjigjja e tij lakonike, duke mos e fshehur kënaqësinë. Ndërkohë, pranë tavolinë afrohet, Vera Grabocka.

– Të përqafoj një çikë motra ty?-i thotë ajo duke qeshur. Dhe ai po me të qeshur i kthehet:

– Vetëm mos më përdhuno!-Qeshëm. Nuk ishte e lehtë ta rifillonim bisedën aty, ku e kishim lënë shumë vite më parë për shkak të ngatërresarëve. Për ta mbajtur gjallë humorin i hipi të ngacmonte Bujarin.

– Ky kujton se më ka bërë mua të famshëm!-duke i hedhur atij një vështrim zbutës, si për t`i thënë: “Shaka po bëjmë.” Unë e plotësova:

– Meqë qënka kaq i zoti, le t`më bëj dhe mua të famshëm.

Dikur, kur më pyeti se çfarë po shkruaja, një roman i thashë, befas ai lëshoi batutën:

– Dhe ti mendon se me të do bëshesh i famshëm?

– Ku i dihet, – ia ktheva aty për aty.

Nuk ishte e lehtë të rrije me Ismailin, të përballoje heshtjen e tij vrastare, ku vetja mund të dukej e tepërt. Ta pasoje në bisedat e tij plot kumte dhe, më kryesorja, nëse ai nuk ta ndjente mungesën, duhej t`ia mbathje. Kur dëgjoj ca kinse antikomunistë, apo të majtë të moderuar, të thonë: “Shkrimtar i madh, por njeri i vogël”, shprehje që kalon gojë më gojë tek ky soji njerëzish, dua t`u them: ky mendim që ju e përsërisni është i Nexhmije Hoxhës. E gjeni në librin e saj me kujtime, shprehimisht: “Kadare shkrimtar i madh, por njeri i vogël.” S`bëni keq t`i referohemi mbretëreshës Geraldinë: “I dashtun shkrimtari jonë i shquem, z. Ismail Kadare! Gjithmonë kam dashtun me gjet nji rast për t’ju falenderue përzemërsisht për veprat e mrekullueshme artistike që keni botue dhe që i kanë dhane nder e lavdi emrit Tuej, si dhe Shqipnisë sonë të bukur… Veprat e tuaja na kanë dhanë atë kënaqësi të rrallë se janë shkrue me nji art brilant e befasues, kanë mrekullinë e fjalës e horizontet e mundimit të thellë filozofik.” Mbretëresha ishte njohëse e disa gjuhëve të huaja, shpesh luante rolin e përkthyeses së mbretit, dikur punonjëse biblioteke.

Kadare ka ngrënë bukë në shtëpinë time dhe unë kam ngrënë bukë në shtëpinë e tij. Më kujtohet, kur bashkë me time shoqe dhe vajzën e vogël, Enin, bëmë një vizitë në shtëpinë e tij. Helena e mori vajzën në krah dhe duke e përgëzuar, fuste gishtin në zemrën e byrekut dhe e ushqente. Vajza ia përlante me gjithë gisht. Ajo gëzohej dhe kjo lojë vazhdoi gjatë.

– Ah, të ishte, Ismaili e ta shihte! Me vajzat kam hequr keq, kur ishin të vogla.

Kur nga shtëpia ime në Lushnjë, ku ndenji një natë, me tren e bëri rrugën bashkë me Helenën, po shkonim për një vizitë tek prindërit e mi. Rrugës do më thoshte:

– Ai komitet partie që sulmon shkrimtarët, duhet shkrirë!- S`ishte hera e parë, që fliste me këtë gjuhë me mua. Jam ndjerë shumë i vlerësuar, kur më ka dhënë të lexoja në dorëshkrim novelën “Natë me hënë”, “Ndjellësi i fatkeqësive”, “Aeroporti”, etj., sikurse më lexonte këngën e erinive të Oresties së Eskilit, që ishte duke e përkthyer.

– Të iki unë, Ismail, se ty të duhet koha.-i them një ditë.

– E ç`më duhet koha mua?! Ka disa javë që më ka ardhur një zarf nga Franca dhe po përtoj të hap…-Nuk ishte hera e parë, që e shihja të dëshpëruar, sa një ditë do më thoshte: “Më mirë të isha bërë marangoz!”

Fiks në orën 12.30, sikurse Bujari më kishte thënë, vjen gazetari spanjoll, që interesohej për shtëpinë muze të shkrimtarit. U bëra gati të çohesha.

– Bujar, merru ti me të, se unë do vazhdojë me Bardhin!-Bujari vazhdoi të fliste në anglisht me spanjollin, ndërsa biseda jonë u zgjat dhe 2 orë. Ishte ende heret për muzera. Kadareja s`njihej me një të takuar, qofshin ato dhe disa raste, por, vetëm atëherë, kur bashkë me derën e shtëpisë të hapte dhe zemrën, duke të besuar sekrete apo intimitet. S`ka ndonjë pasuri tjetër që të shkaktojë më shumë zili, nga pasuria intelektuale. Kjo po ndodh me Kadarenë. Asnjëherë s`e kam patur problem, që armiqtë e tij të bëheshin dhe armiqtë e mi, sikurse dhe ka ndodhur. Nëse do tentoni të zvogëloni të madhin Kadare, s`keni fat tjetër, veç atij të gaztorit. Nëse në foto na shihni duke qeshur një arsye mund të jeni dhe ju vogëlanë…

  • I drejtë
  • I padrejtë
  • Nuk e di

P R E M T I M    A    S H P R E S Ë – Nga BEKIM ILAZ BLAKU

Në kalldrëme të shkëlqyera
E në asfalte të pluhurosura
Defilojnë dhe të tillë plëngprishës
Me të kaluar të zgjebosur

.
Shpirtra të dridhur
Në prag skëterre
A djaj në petk të engjëjve
Që presin para dere

.
Premtohen kaltërsi
E qiejve përrallorë
Degdisje mendimi
Drejt një qëllimi të gjorë

.
Të shumëpritura pika shiu
Në këtë Tokë të thatë e të zhuritur
Janë e vetmja shpresë
Nga këtu për të mos ikur.

SHTATË DEKADA KRIJIMTARI NË SHTATË VËLLIME- Shënim i botuesit BUJAR HUDHRI

REALIZIMI I NJË ËNDRRE TRIDHJETËVJEÇARE
Sot, e mërkurë 17 maj 2023, nga shtypshkronja e shtëpisë botuese Onufri, doli ekzemplari i parë i veprës së plotë të Kadaresë, që do të paraqitet nesër në sallën Albania në
SALONE INTERNAZIONALE DEL LIBRO DI TORINO.
SHTATË DEKADA KRIJIMTARI NË SHTATË VËLLIME
Shënim i botuesit
Në vitet 2007-2009, “Onufri” e botoi në njëzet vëllime krejt krijimtarinë e deriatëhershme të Kadaresë. Për fatin e mirë të lexuesit, përgatitja e përmbledhjes u realizua nën kujdesin e vetë autorit. Vetëm një pjesë e papërfillshme, kryesisht shkrime të rinisë së hershme apo krijime që, sipas gjykimit të tij, nuk kishin cilësinë e duhur artistike, u lanë jashtë kolanës.
Ideja për një version të ri prej shtatë vëllimesh të veprës së plotë u diskutua pikërisht më 28 nëntor 2012, kur Kadareja shfletoi për herë të parë arkivin personal, në apartamentin e tij në Tiranë.
Edhe numri shtatë i volumeve u zgjodh nga vetë autori. Fillimisht u mendua që e gjithë vepra e plotë prej njëzet vëllimesh të përmblidhej në gjashtë volume, ndërsa i shtati të ishte arkivi i pabotuar. Por Kadareja u tregua rreptësisht përzgjedhës me krijimtarinë e pabotuar, sikundër do të shprehej vetë, diku, vite më vonë: “Romanet e mia kishin qenë diçka e gabuar, përderisa kishin lindur jashtë kohës së lejuar për letërsi.”
Kadareja veçoi nga arkivi një krijim të cilin e pagëzoi si zanafillën e veprës së tij letrare. Ishte novela “Në dheun e panjohur”, e cila në faqen e parë mban datën 8 tetor 1953, duke përkuar këtë vit me shtatë dekada krijimtari të autorit. Meqenëse për këtë botim është ndjekur kriteri kronologjik, vëllimi i parë hapet pikërisht me këtë novelë.
Me romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës” dhe krijimet e pesëmbëdhjetë viteve të fundit, si “Mosmarrëveshja”, “Mëngjeset në Kafe Rostand (Motive të Parisit)”, “Kukulla”, “Kur sunduesit grinden” etj., ky opus shtatëvëllimësh është më i ploti i botuar deri sot dhe e paraqet krijimtarinë e Kadaresë në përmasën integrale të saj, duke mbetur përgjithmonë versioni përfundimtar dhe referencial për të gjitha botimet e mëvonshme në shqip dhe në gjuhët e huaja.
Nuk ka fat më të bukur për një botues se të jetë i pranishëm në jetën krijuese të një shkrimtari si Kadareja, i cili i rishikon shkrimet e tij sa herë i jepet mundësia, me synimin e vetëm për t’i përmirësuar artistikisht e, sidomos, gjuhësisht. Gjatë tri viteve kur përgatitej kolana prej njëzet vëllimesh, ai lexoi kryekreje çdo libër të tij. Ndërkohë, në studion e tij, në kafenenë e preferuar, ndërsa ndjek nga afër ndryshimet, ndreqjet dhe përmirësimet që autori i shënon me dorën e tij mes rreshtave, në fund të tekstit apo anash faqeve të dorëshkrimeve të veprave të dikurshme, e ndihesh sikur ke qenë i pranishëm në kohën kur ato janë shkruar, para viteve nëntëdhjetë. Një mrekulli krejt tjetër ka qenë procesi i botimit të krijimeve të reja të autorit. Përherë, pasi dilnim nga bar “Juvenilja”, ecnim në natyrë, në Parkun e Madh te kodrat e liqenit, ai niste të tregonte vijimin e subjektit, të cilin ende nuk e kishte hedhur në letër. Si në një ëndërr, sheh si të shkasin nëpër gishtërinj grimca ari, po ashtu e ke të pamundur të fiksosh magjinë e fjalëve kur je ti i vetmi që po i dëgjon. Në ato orë të paharrueshme, sikur të mos ishin të kësaj bote, më pushtonte gjithmonë një ndjesi: sa do të doja t’ia përcillja në çast lexuesit gjithçka dëgjoja dhe përjetoja! Po si mund të arrihej kjo? Vërtet botuesi është një ndërmjetës midis autorit dhe lexuesit, por ai mund të bëhet edhe pengesë mes tyre. Nga përvoja tridhjetëvjeçare me një klasik të gjallë të letërsisë botërore, kam mësuar se si arti i botimit dhe i shtypit të kësaj kolane të bëhej i padukshëm, që lexuesi i tij shqiptar, i tanishëm dhe i ardhshëm, kudo në botë, të dëgjonte përhershëm vetë jehonën e zërit të Kadaresë.
Bujar Hudhri
Tiranë, maj 2023

NJË VJERSHË E VJETËR PËR KADARENË- Nga Albert HABAZAJ

 

E shkruar te hyrja e mbyllur e I. Kadaresë

Trokita tri herë në derë,
Thashë, mos erdhe nga Parisi
Të njihte Kulla Eifel
Një gjethe të gjelbër lisi.

Akoma nuk qenke kthyer,
Të të takoj s’qenka fat,
Një zarf po hedh sipër derës,
Kuptohet që s’është trakt.

Duke ngjitur shkallët lart
Drejt demonit Dritëro,
Të mendoja si një makth,
Si Eskil, (si humbës, jo).

Ç’domethënë Kadare,
Fenomen i Universit,
Nga shqipja ka dalë mbi rè,
Diçka mes fatit dhe tersit.

Përulet me krenari
Para teje Çmimi “Nobël”.
Pranoma, o Madhëri
Këtë dhuratëz të vogël!…

Libërthin me poezi
Me emrin “Nata me hënë”,
Nga racioni yt, pak mora
Posaçërisht për mua lënë…

Tiranë, 10.08.1996

 

 

DASHURI DHE DHEMBSHURI PËR BOTËN- Nga Dr. Sonila Sejdaras, Psikologe, Chicago

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” është një roman i shkrimtarit Visar Zhiti, thellësisht prekës i dhimbjes dhe i dashurisë përmes optikës së vuajtjeve të grave gjatë regjimit komunist të një vendi që luftonte vetveten.
Shpirti i Emës përshfaq një dëshirë të vazhdueshme për paqe mes dhimbjes therêse që i shkaktohet asaj (duke u bërë përfaqësuese dhe e të tjerave.)

Rrëfimi gërmon thellësitë në rropatjet dhe padrejtësitë e shkaktuara nga shteti totalitar. Nëpërmjet objektivit të një “njeriu të çmendur” që përmbledh dëshpërimet e brendshme emocionale dhe kaosin, edhe trishtimin që ai ndjen për vendin e tij, i paaftë për të shijuar qëllimin kryesor të jetës, as momentin, më e rëndësishmja që ai nuk mund të shohë shpirtin hyjnor të Emas (kupto dhe të tjera si ajo.)

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” merr në zotërim thelbin e femërores si një forcë e qendrueshme e karakterit, e paqes dhe e fuqisë së patundur, e simbolizuar nga një perëndeshë – protagonistja që rrezaton dashuri dhe dhembshuri për botën.

LOVE AND COMPASSION
FOR THE WORLD

By Dr. Sonila Sejdaras
Psychologist, Chicago

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” is a profoundly touching novel of pain and love through the lens of the suffering of women during the communist regime of a country that was fighting itself.
Ema’s spirit embodies a constant desire for peace amidst the intense pain inflicted upon her (becoming a representative for others as well.)

The narrative delves into the depths of the struggles and injustices caused by the totalitarian state. Through the lens of an “insane man” who encapsulates the internal emotional despair and chaos, as well as the sadness he feels for his country, unable to savor life’s main purpose, not even the moment, most importantly, that he cannot see Ema’s divine spirit (understand and others like her.)

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” captures the essence of femininity as a resilient force of character, of peace, and of unyielding strength, symbolized by a goddess – the protagonist who radiates love and sorrow for the world.”

 


Send this to a friend