VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

LIBËR SI ALMANAK I DASHURISË, I SHPIRTIT DHE I MENDJES NDAJ JETËS, KOMBIT DHE ATDHEUT – Analizë libri nga Sejdi BERISHA

By | July 29, 2020

Komentet

Pajtimtari – Poezi nga Neki Lulaj

 

 

Hej, ta lumsha fjalën sa shkëmbi 

Bash si stërralli që me xixa zjarri ndizet 

Me ty e di fort mirë ku e ka gurrën urtia 

Me ty ia njoh regëtimat e zemrës te oxhaku. 

 

Në gjunjë ulem në shtatoren ku marr hijen e bajrakut 

Me ty i djeg gjerdhet që më jep lashtësia. 

Oo,  ç’ma spërkate vargun me pajtimet e gjakut 

Kur dëgjoj piskamën “O, po vjen Antoni -rinia!” 

 

Para teje e gjej saktësisht Kodin e Pajtimit 

Me ty e sfidoj urtinë që më jepka oda. 

Kur ia prek Dardanisë gurët dhe barin e gjelbër

E ndiej  rremb më rremb se ku të buron dashuuria- forca. 

 

E prapë na  presin udhë të largëta urtije 

Me mallin e krenarinë që më japin këto male. 

Hej, Anton Çetta, koha kujtimin s’ta treti 

Qofsh krushku i nesërm i  çdo darsme kah ardhëria. 

 

Po vetë verrat e Llukës të ulen në gjunjë paksa të heshtur 

Duart e forta të pajtimit  në kuvende i shtrinë baca. 

Me lirinë e trollit mbetëm në mote supmbështetur 

Fjalët për borxhin ndaj Dardanisë marrim të tjera flatra.

GJETHE T’HARRUEME VJESHTE – Poezi nga Enver Sulaj

N’ma t’mirën faqe të letrës
gërrithat e fjalës notojne mbi kujtime vjeshtake
E sa herë shkeli mbi gjethe t’harrume
Më vjen zani yt si za fyelli,
si erë e thirrje e frikshme
netve të lidhuna me litarë.
Nuk e di pse marrzinat më bajnë me qajtë
Tue kërkue si dikur me ngrehë zhag biçikletën e prishun
E hundëve pluhni s’mlen me shijue aromën e luleve
të këputuna tinëz ballkoneve të zonjave të randa.
Sa e bukur ashtë jeta kur e do marrëzisht
Tue shpue gishtat me therrat e ngjituna kambëve
Për me pa nga vrimat e gardhit fijet e dritës
Që vijnë nga lugina e lumit të egërsuem.
Në ato brigje flenë kandshëm zajet
Dhe psherëtimat e peshkatarëve
tue mbajtun me zor në dorë ngjalën
që butësisht rrëshqet në botën e ujit pafund.
Janar 2021

Rrëfim për ditëlindjen – Poezi nga Neki Lulaj

Lundrova me vitet si në ca dallgë të thinjura

Nëse nuk u bëra kapiten, nuk iu tremba së përpjetës.

Kisha në vite urimin e bacës e lokeve fjalëflorinjta

Kisha krenarinë që ma jepte plisi i bjeshkës.

.

Dikur lozja me kapuca e me thyerjen e krahut

Mes Broliqit jetova kujtimet e ëmbla rinore

Më tej preka Evropën pa harruar ngjyrën e bajrakut

Gdhiva netët në një libër në një varg e fletore.

.

Neë ditën e lindjes i përulem brazdës, shkronjës, pragut

I përulem kroit që më dha currilin e parë

Kudo ku shkoj më vjen ngrohtësia e oxhakut

Një besë të re ia jap ditës që në agim.

.

Në ditën e nesërme jetoj lumturinë e ëndrrës

Ashtu duarzgjatur eci drejt mirësisë së munguar.

Dhe vëmë në buzë  aromën  erëmirë të këngës

Drejt një jete me shresën e trëndafiliar

Gomari dhe gjinkallat – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Duke dëgjuar gjinkallat që këndonin, një ditë,
gomari për atë zë melodioz e zuri zilia,
i pyeti çfarë hanin që të lëshonin tinguj të tillë.
“Vesë,” iu përgjigjën ato,
dhe gomari, duke pritur të binte vesa, vdiq nga uria.

Kështu, kushdo që ka frymëzime të papajtueshme me natyrën e tij,
jo vetëm që nuk arrin t’i përmbushë, por edhe i shkakton vetes shumë batërdi.

Gjithnjë të kujtojmë kryetrimin HEROIN KOMBETAR GJERGJ KASTRIOTI! – Nga Eduard M. Dilo

 

TE RROJE DHE MBRETEROJE EMRI I MADH I GJERGJI  KASTRIOTIT SKENDERBEUT 

 

Nje vjershe e mrekullueshme e Asdrenit, shkruar per trimin legjendar, Heroin tone te madh Kombetar Gjergj Kastriot Skenderbeu. Eshte Gjergj Kastrioti dhe Nena Tereze, qe na bejne ne kudo, ne c’do vend dhe kurdohere te ndihemi krenare te origjines sone, jane keta qe kane pushtuar me statujat e tyre sheshe ne vendet me te qyteteruara te botes.

Eshte GJERGJ KASTRIOTI, ky mbrojtes i Krishterimit dhe krejt Evropes, qe per te jane shkruar afro njemije vepra e po vazhdojne e do te vazhdojne te shkruhen akoma. Sa krenare duhet te ndihemi ne qe jemi pasardhes te ketyre kolozeve!

O pall’ e burrit edhe, yllit te pa shuar

Te trimit shok qe s’pati -nje per jete;

Qe dergjesh sot pa shpirt; palle e degjuar

O shenj’ e kombit mbetur si kujtim!

Ti na perment luftarin , burrin vete

Qe per atdhene ra theror si trimi

Me tyn’ i solli mundje pershkelqimi;

Dhe sot rrivendit n’heshtje edhe harrim;

De tin’o helme e tija q’e patundur

Sot dukesh-ngrehur briret gjith perpjete,

Ti qe i qendrove kryes e pa e-mundur

Me madheshti , luftarit qe me s’rron!

Si nje dragua ay ish, – perpinte rete

Dhe syri i tij si zjar s’i trembej kurre,

Fuqi kish doren, krahun , ishte burre;

Dhe ti sot akull je , me vent qendron!

O arme plot shkelqim, o drit djelli

Ju qe i suallet fame e nder atdheut

Ne lufte qe tingellon gjer te qielli-

Shqiponja mali mveshur trimeri!

O palle edhe ti helme e Skenderbeut

Prej qindra vjetesh qe mban zi paprere

Ardh dita , Shqiperise edhe nje here

Me fame t’i shkelqeni perseri!

– Asdreni

Burrat trima si kryetrimi Skenderbe, edhe sot pas me shume se peseqind vjetesh, kur shkelim ne token e atdheut tone, na duket sikur i kemi gjalle . Gjaku i tij qe vlon ne dejet e shqipetareve te vertete na ben krenare dhe ta duam akoma me me shpirt memedhene.

Ne Lezhen, ku prehen eshtrat e kryetrimit, kushdo qe kalon, a nuk e ndjen se nuk ka vdekur Skenderbeu? “Shtini syte ne ate fytyre , qe nuk esht verdhur kurre! Shtini syte ne ate fytyre , qe qendron pa trembur! …. Shikoni gjurmet e tia ne fushat ku ka lene kaq nderime! Shikoni trandafilin , qjellor ne faqen e ti, edhe zjarrin e lirise , ne syt’ e ti!”

Gjergj Kastrioti i yne eshte i pa vdekshem, trima si ai nuk mund te vdesin kurre! “Ajo dore prej hekuri , qe tundi gjithe boten , nuk’ leviz me; ato buze qe kane folur gjith ato keshilla te bukura, po,ajo fryme e larte , qe urdheronte, punonte, vendoste, nderonte nuk mund te vdese kurre!” E kjo duhet te jete ajo fryma qe te na udheheqe ne shqipetareve .Ne kete fryme, e nen simbolet tona kombetare, qe gjithe na i kane zili, duhet te punojme e te veprojme ne sot per ta bere Shqiperine tone , tamam Zonje sic enderronin dhe Rilindasit tane te medhenj! Te rroje dhe te mbreteroje emri i madh i Gjergj Kastriot Skenderbeut  dhe gjithe simboleve tona kombetare , qe na bejne krenare si Shqipetare.

Bredhi dhe murrizi – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Bredhi iu mburr një murrizi:
“Unë jam i gjatë, i hollë, i hijshëm,
jam i fortë dhe shërbej për të ndërtuar
trarët e çative dhe anijet.
Si guxon të matesh me mua?”
Por murrizi iu përgjigj:
“Nëse të vjen në mend sëpata dhe sharra
që të bëjnë copë e grimë,
ndoshta të pëlqen të jesh murriz.”

Nuk është e mençur ta mbash veten shumë lart në këtë jetë, lum miku,
sepse sa më ulët të jesh, aq më pak do të jesh i ekspozuar ndaj rrezikut.

17 JANAR 1468… – Përgatiti Fritz RADOVANI

GJERGJ  KASTRIOTI – SKENDERBEU

 

(Skuptori: ODHISE PASKALI)

 

At GJERGJ FISHTA:

 

NJI GJAMË  DESPRIMIT.

                       

Me 16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik dhe kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika të Fishtës.   

 U botue herën e parë në “Hylli i Dritës”, Maji 1914.

                                                                            Nga At Viktor VOLAJ OFM (1941)

 

 

  1. Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk nuk ka;

            Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’ krahnorit

            Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá

            Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:

            Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,

            Pa Atme sod ka mbetë, pa plang, pa shpi!

  1. N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;

            Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

            E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

            Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

            Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

            Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

  1. O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull ulani xêhêt fjetun?!…

  1. E ju, ‘dhè hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit 

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

            Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

            Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

            E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

            E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…

  1. Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

            E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe….

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

  1. E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

            E e shoftë me fise, popuj e qytete;

            Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

            Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

            Selit e saja grimë me grimë u theshin;

            Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

  1. Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

  1.          O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sod qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

                       

  1. Me parsme t’ona n’ ata t’ hershmet mota

            Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,

            Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

            Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

            U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

            Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

  1. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

            Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

            Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun

            Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

            Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

            Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

  1. E kur per pesqind vjet na nder veriga

            Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

            E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

            Na reshte anmiku, tue na nzitë pa da,

            N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti

            E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na njiti.

  1. Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

                        Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

                        E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

                        Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

                        Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

                        Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

  1. Veç sod pse Evropa, sod qi asht t’ gjith uzdaja

            Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

            Pse sod Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –

            Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

            E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

            E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

  1. O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

            Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

            E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

            As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

            Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

            Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

 

Shenim nga F.Radovani: Poezia e At Gjergj Fishtës asht marrë nga libri “Lirika”, me komente nga At Viktor Volaj, botue në vitin 1941.

Melbourne, 17 Janar 2021.

JUSUF GËRVALLES Poezi nga Rita Saliu

Edhe te rreshtuar
Ndjehemi njejte mike
Zbresim me te njejtat hije
Ku nuk ka yje as bukuri

Ende na dalin perpara
Hijenat trishtuese
Me trup kuçedre
Me sy njeriu

Nenat nuk i lene te qeta
S’ u lene shami te bardha ne koke
As lotin e dhimbjes
Ta kthejne ne lule
Ne drite horizonteve qe i presim

Edhe une edhe ti
Ne kryqezime jete
Sfidojme lodhje,clodhje
Qe te mos harrohemi
Duke kujtuar ngjarje kohe

Presim lulezimin
Sprektin e ngjyrave

Flamujt e fitoreve
Te na nxerin nga mashtrimi
Kaq vite humbem
Duke pritur njeri – tjetrin
Pranveren te na perterinje
Bukurine me lule janari
Gjerdanin e ngrire rreth qafe
Per te na e zgjidhur

Njerk te vetvetes
Kemi mbetur
Larg kulles larg vatres
Qe na pret brigjeve te dhembjes
Per t’u bere shpirt e gjalleri

Si ta jap fjalen
As gjalle as vdekur
Ende bene stine e ftohte
As dashuria as kujtimi qe ruan dhembjen
S’ ben te celin trandafilet e kuq.

Një burrë i kafshuar nga një qen – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Një burrë i kafshuar nga një qen vraponte posht e lart ,
duke kërkuar dikë që mund t’ia shërojë plagët.
Ishte njëri që i tha se duhej të zhyste
një copë bukë në gjakun që nga plagët i dilte,
dhe pastaj ta ushqente me të qenin që e kafshoi.
“Por, – u përgjigj ai, nëse unë kështu do të veproj
të gjithë qentë në qytet do të përpiqen të më kafshojnë!”

Pra, nëse ligësia e njerëzve shpërblehet
ata janë të ftuar të bëjnë më të keqen.

Astronomi – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Një astronom e kishte zakon të dilte
çdo natë jashtë për të studiuar yjet.
Një natë teksa nëpër fshat ai bridhte,
ra në një pus, teksa mendjen ngulte në qiell.
Ndërsa ankohej dhe bërtiste, iu qas një kalimtar.
Duke e ditur ndodhinë, i foli me zemër në dorë:
“I dashur, ti përpiqesh të dish se çfarë ka në qiell,
dhe ndërkohë nuk shikon aspak se çfarë ka në tokë!”

Kjo fabul mund të shërbejë për ndokënd
që mburret me gjëra të hatashme,
ndërsa i shkreti nuk mund të bëjë as atë
që bëjnë përditë të gjithë normalët.

TA PESOSH NGA S’E PANDEH – Tregim nga HAMIT TAKA (pjesa e dytë)

 

Ata janë të çmendur vërtetë: të gjitha i marrin seriozisht. Të mos e kuptojnë se kjo ishte një fjalë pa të keq, gati një shaka. Në fakt ishte shqetësimi im, që duhet të jetë i të gjithëve. Ç’të keqe ka këtu? Nuk e besoj se ne jetojmë në një shoqëri të aftë të arsyetojë me gjakftohtësi dhe të gjykojë me drejtësi. Apo shteti ëhtë i rrezikshëm për të shqetësuarit për pronën e përbashkët? Hajde shkoqite. Por më duket se e gjeta ku e kanë hallin. Duan të më japin një mësim. Të më frikësojnë pak. Që në të ardhmen të mos më shkojë mëndja të bëj më shaka apo vërejtje të tilla. Mirë pra, le të mos kenë merak. Që tani unë as i mendoj më shaka të tilla. U dhashë fund proçkave të marra, u vura kryq gjithë vërejtjeve dhe shakave. Një herë në jetë kjo mund t’i ndodhë kujtdo. Thotë mirë gjyshja: pësimi të bëhet mësim. Të ngecur që bëra! Dhe vetëm se desha të ironizoja një të keqe. Kjo është e vërteta! I pashë ato dardha të hedhura dhe mua më mori dreqi mendtë. Si vallë kaq thjesht? Nga një kalimtar korrekt e paqësor, nuk e mohoj se isha ca i pirë, më shndërruan menjëherë në një armik e kriminel. Jeton si gjithë të tjerët pa ndonjë tronditje psiqike dhe, papritmas, sa çel e mbyll sytë, bëhesh element i rrezikshëm. Mos vallë shakatarët janë të rrezikshëm për shtetin apo shteti është i rrezikshëm për shakatarët? Hajde shkoqite. Unë së paku nuk marr vesh gjë prej gjëje. Ndërkohë po bëhen tri ditë që rri në qeli, si ndonjë i dënuar me vdekje. Kurse ata atje mbase më urrejnë mua. Doemos do të kenë pyetur edhe shokët e mi, këtë e kuptova menjëherë nga fjalët e hetuesit. Kurse shokët, me siguri, kanë dëshmuar në të mirën time. Se ç’mund të thonë ata të keqe për mua? Shokët me siguri do t’i kenë treguar hetuesit se ai po gabon. Se ata e dinë që shumë herë mua më hipën në kokë të bëj çapkënllëqe. Po, po, me siguri do t’më ndihmojnë. Më kot shqetësohem. Një keqkuptim dhe aq. S’kam pse të kemë frikë.

MARRJA NË PYETJE E DENONCUESIT

Hetuesi rrinte në tavolinë përballë denoncuesit. Ai qëndroi mjaft kokulur, pa folur dhe pa e vështruar në sy. Bënte sikur diçka lexonte apo sikur shkruante. Ky qëndrim indiferent dhe përbuzës i hetuesit e stepi dhe e frikësoi denoncuesin. Pastaj ngriti kokën dhe filloi pyetjet hijerëndë.

– Emri juaj, emri i babait dhe mbiemri?

– F. I. SH,  – u përgjigj dëshmitari dhe dukej se i kishte hyrë frika në palcë.

– Puna që bëni?

– Drejtor i shkollës 8-vjeçare në Grykeras.

– I martuar?

– I martuar me dy fëmijë.

– Betohu se do të thuash të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

– Betohem.

– A keni lidhje fisnore, gjak a qumësht me të pandehurin?

– Jo, asgjë fare.

– Keni ndonje hasmëri apo konflikt me të pandehuarin, familjen apo fisin e tij?

-Jo.

– Ku ndodheshit ju mbrëmjen e katërmëdhjetë gushtit?

– Isha në kafenenë e fshatit.

– Vetëm?

– Jo, isha me një shkok, revizorin e kooperativës së konsumit.

– Si e quajnë atë?

– H.S.

– E njihni ju të pandehurin.

– Nuk mund të themë se e njoh mirë, pasi ai jeton në Tiranë. Por gjatë verës vjen me pushime tek gjyshja dhe e njoh në mënyrë sipërfaqësore.

– Je takuar me të, ke biseduar ndonjë herë.

– Po, disa herë.

– Ke pirë ndonjë herë kafe apo diçka tjetër më të?

– Jo, nuk më kujtohet.

– I pandehuri flet për ca shokë. Mos ju konsideron dhe juve shok ai.

– Jo, nuk e besoj. Nuk e di, nuk e di, mbase, se kështu është ca çapajev ai.

– Atëherë, më trego më hollësisht, e keni takuar atë mbrëmjen e katërmbëdhjetë gushtit.

– Po, e kam takuar.

– Ku e keni takuar.

– Para lokalit të kafes. Ndërtesa e kafenesë në fshatin tonë ka qënë xhami në një kodër të ulët dhe të ngjitesh nga rruga deri atje, janë ndërtuar shumë shkallë. Kur ne po ngjiteshim, ai bisedonte me kamarieren te sheshpushimi para portës së lokalit. Pak shkallë më poshtë e prisnin shokët e tij.

– Nuk na interesojnë shumë këto përshkrime, por na thuaj çfarë dëgjuat nga biseda e tyre.

– Jo, nuk dëgjova gjë konkretisht nga ajo bisedë, por pashë se ishin të qeshur dhe hargaliseshin me duar. I pandehuri dukej pak i pirë… – Pak apo shumë i pirë?

– Jo, më mirë mund të thuash ishte pak entuziast nga pija.

– Çfarë ndodhi më pas.

– Kur po u afroheshim ne, vajza ia lëshoi duart dhe u nis me nxitim të futej në lokal.

– Po i pandehuri çfarë bëri.

– Ai e ndoqi me shikim dhe, kur u kthye të zbriste shkallët, i thirri: Mira! Vajza ktheu kokën. Ai i tha, duke qeshur: shikoje pronën e përbashkët, shikoje. Vajza iku me nxitim te banaku, ai zbriti shkallët dhe i futi krahun shokut të tij.

– Pse i tha ato fjalë i arrestuari?

– Poshtë shkallëve ishte një togë me dardha gjysmë të kalbura, që mbeteshin pa u shitur në dyqanin e perimeve. Për ato e kishte fjalën kur i tha shokut me qesëndi: ja, shiko, si përfundon prona e përbashkët. Domethënë tallej me pronën e përbashkët dhe ishte për pronën private.

– Kujdes, do të tregosh në ligjëratë të drejtë vetëm fjalët e të pandehurit, interpretimet i bëjmë ne, nuk është detyra juaj. Cilën nga shprehjet që përmende tha: “shikoje pronën e përbashkët, shikoje” apo “ja, shiko, si përfundon prona e përbashkët”?  Dhe kujt ia tha, vajzës apo shokut:

Denoncuesit i iku gjaku nga fytyra. Pasi hezitoi ca, tha i dyzuar…

– Tani kanë kaluar katër-pesë muaj, po më ngjan se të dyja shprehjet i tha.

Pas pak hetuesi i afroi një fletë të bardhë dhe i kërkoi të deklaronte me shkrim se mbante përgjegjësi të plotë për sa kishte dëshmuar.  Denoncuesi, pasi shkroi fjalët që i kishte thënë i hetuari, hodhi firmën e tij. Hetuesi vuri buzën në gas kur pa si i dridheshin duart drejtorit të shkollës.

Rreth një orë më pas, para hetuesit tjetër ndodhej një dëshmitar tjetër. Hetuesi filloi menjëherë:

– A keni lidhje fisnore me të pandehurin, mëri apo konflikte?

– Jo, fare.

– Ku ndodheshit mbrëmjën e katërmbëdhjetë gushtit?

– Në fshatin Grykeras, në një lokal ku pihet kafe dhe pije alkolike.

– Me kë e pive kafen?

– Me drejtorin e shkollës. Më pas erdhi edhe sekretari i partisë

– Jeni shokë të ngushtë me drejtorin e shkollës?

– Jo, thjesht si nëpunës bisedojmë, pimë ndonjë kafe… kaq.

– Po të arrestuarin e njihni mirë?

– E kam njohur rastësisht, nip nga ai fshat është edhe ai.

– Si e njeh, sipas mendimit tuaj, çfarë djali është, ka vese?

– Jo, nuk di të ketë vese. Duket djalë i gjallë, pak çapkën, por serioz. – Ç’mardhënie ka me shërbyesen e lokalit?

– Ajo vajza duket se e do. Por ai, kuptohet,… student i arteve të bukura…

– Nuk na intereson ajo anë. Por atë mbrëmjen e katërmbëdhjetë gushtit dëgjuat ndonjë shprehje që ta vrau veshin nga goja e tyre? – Diçka më tha drejtori i shkollës, por unë nuk kam dëgjuar gjë me veshët e mi.

– Nuk ju pyes çfarë ju tha drejtori i shkollës, çfarë dëgjove ti.

– Unë nuk dëgjova asgjë.

– Si ka mundësi, dy shokë rrinë ngjitur, njëri dëgjon ç’thotë një keqbërës dhe tjetri s’e dëgjon?

– Mbase nuk e kisha mëndjen në atë moment.

– Kujtohu mirë, mos ke dëgjuar diçka.

– Eshtë e kotë të mendohem, kur nuk më kujtohet asgjë.

– Dëshmitar, mendohu mirë, se ke firmosur për të treguar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Mosdeklarimi i së vërtetës dënohet me ligj.

– Po, shoku hetues, e di dhe mbaj përgjegjësi për deklarimin tim.

– Pra, ti nuk ke dëgjuar gjë fare?

– Jo, shoku hetues,

– Mund të largohesh.

– Faleminderit, shoku hetues!

MARRJA NE PYETJE E SHOKUT

– Ju keni shoqëri me të arrestuarin?

– Si urdhëron, shoku hetues.

– E njihni mirë atë?

– Dhe fort mirë, jo, xhanëm…

– Si duhet kuptuar kjo?

– Shumë njerëz krijojnë mardhënie të tilla, mjaft të sipërfaqshme. Njihemi, jemi takuar me të rrallë, pasi ai vjen vetëm gjatë pushimeve verore. Pastaj ai është student i arteve të bukura, unë kam bërë vetëm një shkollë të mesme bujqësore. Kemi disa shokë të përbashkët. Kjo është e gjitha.

– Mos u zgjat kaq shumë. Neve nuk na interesojnë hollësirat tuaja.

– Si urdhëron, shoku hetues.

– Shoku juaj ka ndonjë ves a ndonjë mendim ndryshe?

– Nuk e di, nuk besoj.

– Mbase ju mendoni se ai e tha me qëllim të keq dhe me gjakftohtësi atë shprehjen “Ja si përfundon edhe prona shoqërore!” – Këtë nuk e them dot.

– Mendoni ju që shoku juaj të jetë i pakënaqur nga pushteti popullor. Domethënë është për pronën private dhe jo për atë shoqërore.

– Gjersa e tha, mbase edhe është.

– S’ke ç’i thua, përgjigjja është logjike dhe e qartë. Përderisa e tha këtë, ai mund të ketë shprehur pakënaqësi edhe më parë, apo jo?

– Këtë nuk e thashë.

– Po në thelb ajo është.

– Ka mundësi.

– Cili është mendimi juaj, pse ta ketë thënë ai këtë.

– Nuk e di.

– Ishte i ndehur?

– Ndoshta pak çakërrqejf, si i thonë. Mund të kishte pirë pak më tepër se zakonisht.

– Ka patur raste më parë që të ketë thënë apo të ketë bërë marrëzira duke qënë i dehur?

– Nuk di ndonjë rast. –

Ç’mendoni ju për këtë histori.

– Atë që mendojnë gjithë shokët e tij. Vetëkuptohet, fjalët e tij na kanë habitur. Ne e mbanim për student të ditur dhe të ndershëm. Por, me sa duket, qënkemi të gabuar.

Miqësia është e brishtë si lulja. Flladi më i lehtë dhe lulja fishket. Shkulmi i parë i erës  rrëzon gjethet dhe lë vetëm kërcellin. Shumë shokë e miq pata. Ata më rrihnin shpatullat dhe më shtrëngonin dorën. Po tani? Hë de, po tani? Rreth e përqark shkretëtirë dhe në shpirt një pikëllim i turbullt. Me të ardhur fatkeqësia, miqtë m’u larguan siç bien gjethet. Ata kërkojnë prej nesh vetëm një gjë, që të mos dalim jashtë binarëve. Mos bëj gjëra të jashtzakonshme. Mos u dallo me asgjë. Mos vrapo përpara, mos qëndro prapa, mos qëndro anash, mos u ngre lart, mos zbrit poshtë, ndryshe mënjëherë të quajnë të huaj. Dhe ç’e pret një të huaj. Ftohtësia, moskuptimi, mosbesimi! Për të huajin nuk flet kurrkush një fjalë të mirë, të gjithë e vështrojnë shtrëmbër…

Fundi i pjesës së dytë

NËNTË VITE PAS Tregim nga Konstandin Dhamo

 

Si ka mundësi, që për nëntë vite rresht , të mos më qëllonte ta shihja qoftë edhe një herë të vetme në rrugë atë, të dashurën time të dikurshme, të cilën , megjithatë e kujtoja shpesh , ashtu shqetësueshëm por edhe me dëshirë,duke e përfytyruar veçse të bukur, me flokë të verdhë,që,kur rigonte shi,më këndellnin tek i vështroja,sepse rrëzëllinin mes asaj grisë përthithëse…

Mesa dija ajo vazhdonte të jetonte në Tiranë, në të njëjtin apartament, si dikur, por ja që, e thashë një herë, për nëntë vite rresht, nuk ishim përballur as në rrugë, as edhe në ndonjë supermarket , restorant, apo kafene, ku ne futemi përditë, madje as në shëtitjet përgjatë bregdetit të njelmët, të uikendeve dimërorë me diell të pjerrët dhe të largët…

Eh,por në kryeqytetin tonë,me trafik të lemerishëm dhe me dyndje banorësh të rinj nga të katër anët,që nguliten ngutshëm ku të munden,e me ca të tjerë, të cilët ikin nëpër botë e mungojnë për shumë kohë,sigurisht që,takimi i rastësishëm me të njohurit mund të ndodhë rrallë,në mos asftare…

Por çfarë bënte ajo, Klodi,të cilës  në celularin tim, emrin që s’ia fshiva asnjëherë, e kisha të shënuar KLD, pa zanoret pra ? Me çfarë merrej tashmë,a ishte në punë gjëkundi , dhe mbi të gjitha ,a ishte lidhur me dikë ndërkohë, sepse kush e linte Klodin të binte në tokë?

Sa e çuditshme; edhe për bashkëshorten me të cilën mund të jesh divorcuar prej vitesh ,edhe për të dashurën e braktisur,bëhesh xheloz i marrë dhe i bezdisshsëm dhe, për pasojë,interesohesh , madje acaroshesh dhe rebelohesh për lidhjet e reja që ato mund të krijojnë, ashtu të pavarura siç janë.

Unë, nuk isha nga ata meshkuj që mbërrijnë gjer aty,megjithatë çdo ditë e më shumë, më rritej kureshtja tunduese, të shihja nga afër ndryshimet që kishin ndodhur larg syve të mi. Por ndieja edhe mall, mall të vërtetë, besoja , që më sillte në mendje pandarshmërisht fytyrën e saj të vagullt…

A mbahej ende Klodi,a ishte përsëri yll e bukur, aq sa njerëzit të heshtnin në rrugë dhe ta shihnin të përqëndruar dhe pa takt ? Sepse bukuria e një femre ka gjithmonë një aureolë hyjnore…

Apo, më në fund, ishte lëshuar edhe ajo dhe, syri i kaltër prej qielli , i qe shuar, teksa gjoksi i madh, krenarisht i përpjetë , i kishte rënë? O Zot, a i kishin filluar ato rrudhat tinëzare në fytyrë dhe në gushë ? Sepse, kur u shkëputëm nga njeri -tjetri ishte plot dyzetepesë vjeçe ! E pra, shpejt e shpejt, i binte të ishte pesëdhjetë e katër…

Por sot mundësitë për t’u mbajtur në formë,janë të pambarimta dhe të frytshme. Edhe fare pak po të përqëndrohem mund të përmend sa e sa emra femrash të moshës gjashtëdhjetëvjeçare,që mbahen për mrekulli,duke vazhduar të ndjekin trendin e modës, duke shkuar rregullisht në palestër dhe pishina,duke pasur dashnorë të fshehtë apo të deklaruar, por edhe duke i zënë gjumi të gazmuara, pas argëtimeve të ditës.të përfshira nga ideja e ngulitur se,po rinohen,nuk po plaken. Jo më kot lonxhëritë trallisëse venë e i blejnë veçse te butikët e Victoria’s Secret, ngaqë ende kanë se kujt t’ia tregojnë…

Po ku këto femra me para nëpër duar, dhe ku Klodi modeste, që nuk kishte pranuar kurrë të përfitonte abuzivisht nga bukuria e saj e rrallë. Dhe,isha i sigurt se,edhe sot e kësaj dite, jetonte varfërisht,mjaft që të mos përlyej,a thua se i kishte përvetësuar më së miri ca mësime fetare…

Klodi ishte dukur çdo herë më e re se moshataret e saja dhe e freskët si një lule e çelur gjithë dritë, thjesht nga gjeni i saj, me vitalitet të programuar.

Por do ta takoja , do ta takoja se s’bën…

Aq shumë sa ç’e kishim dashur ne njeri – tjetrin, aq shumë sa ç’ishim përbetuar për të mos u ndarë kurrë (eh!) në këtë botë e përtej saj, aq shumë çaste lumturie të paharrueshme që kishim kaluar së bashku,kudo nëpër plazhe, nëpër restorante dhe hotele,brenda dhe jashtë Shqipërisë, nuk kisha përse të hezitoja t’i bëja një thirrje. Duke shpresuar se Klodi nuk do ta kishte ndryshuar numrin e celularit, ngaqë ishte e qëndrueshme në çdo gjë, hyra në një kafene dhe, me të zënë vend,ia gjeta emrin e shkurtuar, gati të koduar dhe, e nisa thirrjen; të dilte ku të dilte…

  • Alo , kush je ?

O Zot, ishte pikërisht Klodi,gjallërisht Klodi ! Vërtet s’e paskësh ndryshuar numrin .Mendo ca e ca e ndryshojnë edhe dy tri herë brenda vitit. Por përse habitesha aq shumë; a s’isha edhe unë si Klodi , a s’kisha edhe unë po atë numër që e vendosa që kur bleva celularin e parë, dhjetë vjet të shkuara ?

Por emrin tim, mesa duket, Klodi do ta kishte fshirë qyshkur në inat e sipër ndaj meje , përderisa nuk i doli dhe pyeti , kush je…

  • Alo, kisha ca numra të hershëm në celularin tim ,pa emrat përkatës, të cilët gjithsesi nuk desha t’i prish,pa mësuar më parë se të kujt ishin dhe,në më nevojiteshin t’i ruaja ende,apo t’i hiqja. Unë jam Ed Fregeni; pra , mos pandehni se po vras kohën – ia këputa në tym, duke u shtirur sikur s’e njoha në cast,por sa mirë që s’m’u drodh zëri.
  • Kush, Fregi ? !Po a e di ti se, po flet me Klodin ?
  • Ah Klod ! Nuk më dukesh aspak e huaj dhe e pakapshme. U zhdukën në çast nëntë vitet e ndarjes që kishim në mes. Pale, m’u drejtove me Fregi, si dikur; ah , zemra ime…
  • Mos i zër më në gojë ato vitet e ndarjes, të lutem !
  • Nuk do t’i zë .Do të pijmë një kafe , Klod ?Patjetër në njerin nga ato lokalet , ku venim shpesh, që të mund të rimiqësohemi menjëherë. Pijmë një kafe për të qenë dhe më pas hidhemi dhe hamë një drekë diku, por ç’diku; shkojmë te Leopardi, në Golem!
  • Po, i dashuri im, që s’e ke thënë kurrë një llaf të keq për mua. Ky qëndrim vlerësohet së tepërmi sot, po të kesh parasysh sesa të poshtër janë bërë njerëzit . Nesër do të marr unë në celular, dakord ?
  • Do të durojmë gjer nesër në mëngjes , u pa puna.Mezi pres sa të të shoh dhe, të të puth me afsh…

Tetë vite më i madh se Klodi,edhe mua më nevojitej të tregohesha i kujdesshëm  në paraqitje. Por,ashtu me flokët e prerë shkurt dhe,duke iu shmangur me këmbëngulje veshjeve demode për të ruajtur gjithmonë një sens sportiv, nuk e kisha cënuar asnjëherë identitetin tim prej kryeqytetasi. Hëm, kështu mendoja unë për veten,por Klodit ndoashta do t’i ngjaja me  një birbo fshati,që zbret në Tiranë i ekzaltuar dhe fodull.

Por nesër,nesër…

Nuk më kishte ndodhur më parë t’i isha kthyer një dashurie të humbur dhe të prishur, pra, nuk kisha kurrfarë përvoje vetjake, por nga sa kisha dëgjuar dhe kisha lexuar,por edhe nga sa hamendësoja,këto lidhje të përsëdytura, nuk para funksiononin , madje se ç’të linin një shije të shpifur…

Dhe ja e nesërmja u bë e sotmja,por aty nga ora njëmbëdhjetë,e humba durimin, sakaq edhe shpresën se, Klodi do të më thërriste por, pikërisht atëherë, kur po turfulloja i nervozuar , ra zilja e celularit dhe n’ekranin e tij, së bashku me numrin, u shfaqën edhe tri shkronjat KLD.Por sa ashpërsisht shqiptohen bashkëtingëlloret pa zanoret në mes…

  • Freg,më njëmbëdhjetë e gjysmë, të pres te Kafe Bardh e Zi…
  • Po, zemra ime…

Koha ishte shumë e bukur , gështenjat e egra sapo i kishin fryrë sythet dhe, tiranasit, të etur për pak rreze të ngrohta dielli, i kishin zaptuar të gjitha tryezat e sëritura ndanë trotuarit, por Klodi, që ia pashë flokët e artë përmes derës së qelqtë të kafenesë,  kishte preferuar të zinte një vend brenda , duke ia kthyer shpinën hyrjes ; përse ? Që kur të vija unë në kafene, të mos më pikaste drejtpërdrejt që tutje dhe të ngarkohej me emnocion? Ndoshta, por edhe mua më pëlqeu shpina e saj. Kishte shumë intrigë…

Hapa derën dhe hyra me vrull n’atë lokal të zbrazët dhe të mugët .Klodi që më ndjeu , apo që më pa tek iu shfaqa virtualisht si fantazmë te pasqyrat që kishte përballë, m’u hodh përsipër, duke më puthur në buzë.

Kur u shkëputëm,filluam të vëzhgonim njeri – tjetrin me vëmendje dhe, unë vura re se, e dashura ime ishte rrudhur paksa përreth syve melankolikë dhe në gushën e qarkuar me ca ruaza që feksnin mekshëm. Gjithashtu edhe flokët e kishin humbur volumin dhe të kujtonin ato kallëzat e grurit kur shemben.Por më shumë se ato pak rrudha dhe flokët e rrafshët, që gjithsesi e prisja t’i shihja, më bëri përshtypje keqardhëse bluza e saj e mbyllur gjer në grykë.Që kur e njihja unë atë femër, e kisha parë përgjithmonë veçse me dekolte, madje të tepruar, qoftë në verë, qoftë në dimër. Atëherë, çfarë ishte ajo bluzë ashtu ? Eh, nuk desha të thellohesha për të gjetur shkakun e heqjes dorë nga dekolteja e shumëpërfolur e Klodit, sepse sidoqoftë, ajo edhe me atë bluzë të mbyllur, dukej e hijshme dhe tërheqëse.

Zura vend fare pranë saj dhe ia kapa duart dhe ia putha ngjitshëm.

  • Si je shpirti im ? Ja, jemi përsëri bashkë; kaq papritur dhe kaq lehtësisht.
  • ..
  • Më thuaj çfarë nuk di për ty, më thuaj si ia ke kaluar ?
  • Kam pasur shumë telashe, por ç’t’i përmendim; do të mërzitesha shumë , por do të mërzisja edhe ty.Ah, sa e marrë jam, sa fajtore , pale sa kryeneçe! E si mund të ndahen njerëzit për së gjalli në këtë botë, si mund t’i humbin ata që i duan dhe i mbështesin ?
  • Ç’thua ? Sa mirë më vjen që ke mbetur ende e bukur e bukur.Klod, erdhi një çast, kur nuk duroja dot më pa të parë. Sidomos , kërkoja sytë, sytë e tu që më shihnin , por që sakaq edhe më përvidheshin …
  • Mbete miku im më i mirë; asnjëherë nuk të zëvendësova dot me një tjetër. Ndoshta jam treguar edhe e pazonja për t’u rindezur me një dashuri të re plot andralla të paparashikueshme, por ti e di si jam unë ; i them gjërat troç, pa pyetur për reagimin që shkaktojnë te tjetri. S’prek dot me dorë njeri po s’e desha !
  • Asqë prisja të kishe ndryshuar .
  • Në këtë moshë s’bëhet fjalë për ndryshime të karakterit. Ti,sa herë më ke zëvendësuar ? Kot të pyes,sa për muhabet,sepse s’jemi të detyruar të japim të tilla llogari.
  • E ku zëvendësohesh ti !
  • Ah, ç’përgjigje e dhelpërt,përmes një koplimenti të nënkuptuar !

Ajo zbërtheu pardysynë ngjyrë luleshege dhe tek i kaloi këmbët njera mbi tjetrën, vura re se kishte veshur minifund dhe një palë geta – rrjetë. Të paktën , thashë me vete,nga minifundi dhe getat – rrjetë i preferoka ende.

Desha t’ia kaloj dorën gjer lart, midis kofshëve, por u përmbajta në kohë, duke arsyetuar se,për momentin do të ishte një gjest banal dhe,ndoshta Klodi do të fyej nga përdhosja e asaj një çike fisnikërie të takimit tonë…

  • A po punon gjëkundi Klod ?
  • Oh, kam pesë vite që nuk punoj dhe nuk marr asnjë rrogë.Sot parapëlqejnë çupëlinat, ca fyryfyçka, që kanë një diplomë, por që nuk kanë ndjekur një herë të vetme një leksion gjer në fund.Në vend të auditoreve këmbët i kanë çuar gjithmonë te kafenetë rrotull oborreve të fakulteteve.
  • Po Klod! Veçse ty kurrkush nuk të beson se rron pa asnjë të ardhur, të paktën të drejtpërdrejtë. Kaq mirë sa ç’mbahesh ti…
  • Posi, posi. Rroj nën një çati me motrat dhe time më, përndryshe…
  • Si s’u zgjove një herë Klod, si nuk shpërtheve dhe të më kërkoje?! Ti asqë dyshon që unë do të të përgjigjesha në vend!
  • Ah, për sa gjera mund ta qortoj veten; prapë ta them këtë ? Një lëng të freskët portokalli , të lutem dhe një kafe – iu kthye më pas kamerierit që u avit.
  • Mua një fërnet dhe një kafe; faleminderit .
  • Kam një Ford të vogël që tashmë e ndez dhe e ngas shumë rrallë, kuptohet, por kur punoja te Spring TV, kur kisha para, me një fjalë, aqsa të jetoja si njeri, lëvizja çdo ditë me të lart e poshtë dhe, një mëngjes me shi të rrëmbyeshëm dhe me erë, m’u përhite ti ,te xhami anësor tek po ecje i përkulur me kapuç në kokë. Trafiku ishte i katrahurshëm dhe as ndaloja dot dhe, as kthehesha dot mbrapsht, që të të mbërrija.U trondita atë mëngjes dhe më rrahu zemra goditshëm, kur të pashë papritmas dhe mirë që s’bëra karambol! Po ta dija që më doje ende, që s’më përbuzje pra dhe , s’më shpërfillje, çnuk do të kisha bërë të të vihesha pas dhe të të mbërrija ! Do të dilja nga makina dhe do ta lija të fikur aty në mes të rrugës…
  • Sa inat po më vjen që nuk ndodhi kështu nën atë shi!

E putha , por u pikëllova që s’ndjeva aromën e parfumit Chanel ,pa të cilin Klodi asqë përfytyrohej. Sa keq; një femër pa parfumin e saj sensual ! Ç’parfum; ajo kushedi si ia dilte edhe për të ngrënë një copë bukë! Por s’dukej , s’dukej në pikë të hallit.

  • Do t’i hedhim benzinë plot e përplot Fordit tënd dhe , do ta ndalim vrullin ku të na teket, Klod, hë ? Kemi kaq shumë nevojë për dalldi dhe shkreptima; na mpiu rutina !

Ajo buzëqeshi trishtueshëm dhe, unë nuk e zgjata më.

  • Freg, – dhe më pickoi drithshëm në krah, siç bënte shpesh dikur – më duhet të iki. S’rrimë dot sot aqsa na e ka qejfi. Më presin motrat për të kryer një punë që nuk mban më.
  • Epo Klod; do të takohemi përsëri shumë shpejt, apo jo ? Nesër…
  • Do të të marr unë në celular në çdo rast , pra jo ti, sepse, si të ta shpjegoj…- u nëpërdhëmb dhe buzëqeshi përsëri trishtueshëm. Ju siguroj se ky trishtim , i shprehur përmes buzëqeshjes, s’kishte si bëhej më i thellë…
  • Merr kur të duash, Klod, veç mos harro ; hahaha !
  • Ti e di që unë e mbaj fjalën.
  • Po , madje si asnjë femër tjetër. Dale; – dhe i rrasa në dorë një shuk lekësh të cilat unë vazhdoj t’i mbaj dënueshëm pa portofol ,drejt e në xhep – s’patëm kohë sot të blinim gjësendi, por ti e di vetë çfarë të blesh; një parfum apo…
  • Ç’bën Freg ! Ah , por ty çfarë s’të kam pranuar unë. Por si s’të qerasa një herë të vetme!
  • Nuk do të më qerasësh dot. Nuk do të të lë unë.
  • Pa para më gjete kur u njohëm , pa para më gjete edhe sot, ah…
  • S’ka më të pasur se ty Klod; kaq e bukur sa ç’je ti…

U puthëm këtë herë përjashta dhe u ndamë pa e zgjatur…

Ç’u bë Klodi, vallë, ku humbi ? Kaloi një javë e tërë dhe, ajo nuk po më merrte në celular. Si të veproja, të duroja edhe ca, apo ta merrja vetë , pavarësisht se më porositi prerazi se, do të më thërriste e para veçse ajo ?

Sidoqoftë, kur të kalonin nja dy javë do ta merrja vetë i pari, nëse Klodi nuk do kujtohej, përndryshe , ç’kuptim do të kishte ajo thyerja trillane e akullit, siç do të quhej takimi ynë në letërsinë masive?

… Klodi nuk më telefonoi as pas dy javësh dhe, as pas një muaji. Gjithashtu, as unë nuk e prisha marëveshjen ; nuk i telefonova . Po çfarë rëndësie kanë kësi marrëveshjesh në raste të tilla ? Si kështu; u pamë një herë të vetme sa për të shuar kureshtjen tunduese, dhe kaq ?

… Nuk më kishte qëlluar tjetër herë t’i kthehesha një dashurie të humbur; për rrjedhojë, më mungonte përvoja vetjake,por ngasa kisha dëgjuar dhe kisha lexuar, por edhe mesa hamendësoja, këto lidhje të përsëdytura, nuk para funksiononin , madje se ç’të linin një shije të shpifur…


Send this to a friend