Palermo, 1.VI.1954
I dashuni mik,
Kemi gëzimin me të lajmue se nën hijen e Qeverís Krahinore Siciljane na âsht dhânë mâ së fundi mundësija me rifillue mâ me gjallní veprimtarín e Qêndrës s’onë, e cila tashmâ âsht e pajisun me nji selí të veten, sado të vogël, pranë Qêndrës së Bashkëpunimit Mesdhetár të Palermës, i së cilës Qêndra e jonë âsht nji nga themeluesit.
Tue përfitue nga këto mundësí të reja, kemi vendosë të mbajmë nji Kuvend të dytë të Studimevet Shqiptare në Palermë me 27, 28, 29 qershuer të këtij vjeti.
Kemi shpresë të ngulun se do të kemi nga Qeveria Krahinore Siciljane ndonji ndihmë financjare. Në ketë rasë do të të lajmojmë për së shpejti se deri ku do të jemi në gjendje me të lehtësue shpensimet e udhëtimit e të qëndrimit në Palermë. Ndër këto ditë do të të dërgojmë programin e Kuvendit.
Të përshëndesim
Sekretari i Qëndrës
Karl Gurakuqi
Të pata shkrue nji letër të gjatë. A thue nuk Të ká rá në dorë? Të falem e Të puthi, i yti,
Karl.
Ramleh (Alexandrie), 10.VI.1954
Rue Eglise Grecque, 2
Qêndrës Ndërkombtare për Studimet Shqiptare
Palermë
Miq të ndershëm e të dashun,
Kumtesa kurteze e juej me të parën e këtij mueji më ka mbërrîmë si nji sihariq i madh. Themelim’i asaj Qêndre në kryeqytetin e të dý trevave të mëdha, Siqilí e Kalabrí, qi pesë shekuj parandej qenë bâmë strehë shpëtimtare e disa mijë familjeve arbnore, ka qênë nji ndodhí qi pat mbushun me gzim e shpresë shumë zêmra Shqiptarësh. Por ky gzim e kjo shpresë patën nisun të porriten përditë mâ fort tue mos u pamë shênje gjallnije për t’u çëmuem n’atë themelesë aqë të bujshme e premtuese. Pra nji arsye mâ tepër, kjo, për me u gzuem tash nga prospektivat e ardhëshme qi keni pasun mirsinë me më kumtuem.
Me këtë rasë, nuk po më rrihet pa thërritun kujdesin e asaj Qêndre – e nëpër tê të kujdo qi duhet – mbi nji pikë që më lodh mênden tash sa kohë. Argumenti qi po due me prekun ka nji âmzë (sapore) politike; por ju e dijni e e kuptoni të gjithë se sod asnji veprimtarí shoqnore nuk shpëton nga kthetrrat e politikës. Pra desha me thânë se nuk dij a âsht e informueme ajo Qêndër e sidomos qeverij’e Romës se Shqiptarët e Kosovës janë tue zhvillue sod nji veprimtarí arsimore e kulturore aqë të madhe se s’ka qênë kurrë as në Shqipnin’e lirë: s’ka mbetun fshat n’atë trevë shqiptare pa shkollë fillore, s’ka mbetun qytet pa nji shkollë të mesme shqipe; perjodisht bâhen kuvênde arsimore e gjuhsore, fletore e rivista botohen shqip ndër qytetet mâ kryesoret, si në Shkup, Prishtinë e gjeti, vepra letrare e gjuhe dalin pa kursim, e të gjitha këto me shpenzimet e qeverisë jugoslave. Vetëm fjalorë sërbisht – shqip janë botuem nji në 1950 e nji tjetër në 1953, ndërsa qeverija komuniste shqiptare vetë s’ka nxjerrë deri tash, me sa dij un, veçse nji fjaluer të vogël prap sërbisht – shqip.
Nuk besoj se lypet nji mênde veçanisht e prehët për me i dhânë dum se deri ku mund të mbërrîjnë me kohë pasojat politike të ksaj veprimtarije tejèt mjeshtrore të dirigjentavet jugoslavë, ndërsa kurrgjâ nuk bâhet për t’a kundërbalancuem, nemose deri diku, n’anën tjetër t’Adrijatikut. Un s’kam asnji pretendim me u kallzuem dirigjentave të Romës rrugën e interesave t’atdheut të tyne në nji sektor të botës a në nji tjetër, si nji nga popujt mâ të mëdhajt t’Evropës, as qi jam i cilsuem për nji gjâ të tilë. Un jam vetëm Shqiptar, por nji Shqiptar qi e ka pamë shpëtimin e t’ardhëshmen e popullit të vetë të vogël vetëm në rrugën e Perëndimit, pra në nji miqsí të ngushtë e leale me popullin italjan: këtë rrugë na tregojnë të gjitha traditat e vêndit t’onë qyshë prej antikitetit e deri sod. Por Roma do të gabohej sikur të kujtonte se dy miljon Shqiptarë të botës janë të gjithë kryeneça si un; psikologjij’e popujvet âsht nji tjetër. Vetë historij’e Italisë na mëson se si popujt ashtu edhe njerzit qi i dirigjojnë shpesh herë rrëmbehen prej rrymash qi s’i kanë menduem as deshiruem kurrë. Më pëlqen, pra, me besuem, së paku me shpresuem se Roma s’ka mbërrîmë me e quejtun Shqipninë as definitivisht të humbun as quantité négligeable [1] për interesat e saja.
Tue marrë para sŷshë sa thashë mâ nalt, më thotë mêndja se në Romë nuk âsht çëmuem Qêndra Ndërkombëtare e Studimevet Shqiptare në vlerën e vërtetë qi ka e sidomos qi âsht suscettibile [2] me pasun për interesat reciproke italo – shqiptare në kohën e ardhëshme po të kurohet e të kultivohet si duhet. Ai institut, me ngjyrën apolitike e cilsinë “ndërkombtare” qi ka, kishte me u bâmë nji qêndër tërhjekse shpirtnore për të gjithë patrijotët shqiptarë të shpërdamë në të katër anët e botës e kishte me ngjallë traditat e nj’atij elementi arbnesh qi ka shërbyem kurdoherë me shkrimtarët, politikanët e shtetistat e tija si nji urë e sigurtë ndërmjet atdheut të gjakut e atdheut adoptiv. Âsht nji institut kulturuer, e prandej asnji Shqiptar nuk do t’i trembet për qëllime imperjaliste në qoftë se nuk e kanë verbuem paragjykime italofobe; si institut ndërkombtar, tue përfshîmë në gjî të vet edhe dijetarë prej kombesh qi s’kanë interesa politike në Shqipní, paraqet nji garantí edhe mâ të madhe faqe kujdo. Por mb’anë tjetër, po të dojë Roma, nji ditë mund të bâhet pa dyshim piknisja e pikpështetja kryesore e depërtimit kulturuer t’Italisë në Shqipní. Bota mbarë gjindet sod në rrugën e nji transformimi radikal e as populli shqiptar s’ka për të mbetun e s’ka si jet përjashta këtij evolucjoni. Edhe ndër ne politik’e klanevet duhet zânë e perëndueme. Âsht në zhvillim e sipër nji frymë e re, nji frymë kolektiviteti qi ka për bazë kulturën. Qe se pse nji Qêndër Ndërkombtare për Studimet Shqiptare n’Italí âsht e destinueme me pasun nji rândsí shumë të madhe në marredhânat italo-shqiptare. Por natyrisht nji Qêndër qi t’i ketë të gjitha mundsitë me vepruem. Masat gjymsake janë gjithmonë e kudo në short me deshtuem e sakrificat e bâme për to me shkuem kot.
Palerma âsht selija ideale e Qêndrës, për shumë arsye, jo mâ e mbrapmja arsyeja politike. Por për me u bâmë ashtu si duhet e si u mundova me e përshkruem ndër vija të përgjithëshme, nuk mjafton ajo ndihmë e vogël qi mundet me i dhânë qeverija regjonale e Ishullit dhe shërbimi qi pritet prej saj përfshîn interesat kombtare t’Italisë mbarë.
Të më falni, ju lutem, o miq të dashun, se ndoshta deshiri me e pamë atë Qêndër në naltsin’e rolit qi besoj se âsht e thërritun të lozë më shtŷni me hŷmë mâ thellë se më përket.
Do t’i kisha ruejtun këto idé bazilare të mija bashkë me tjera qi kam mbi veprimtarin’e Qêndrës për t’i shfaqun me gojë kur të vijsha me marrë pjesë në kuvêndin e afër. Por me shumë keqardhje më duhet me lypun ndjesën t’uej, mbasi ndodhem në pamundsí absolute me luejtun sod për sod prej këndej. Ju uroj pra qyshë tash nji kuvênd të mbarë e të frytshëm e ju përshëndes me zêmër.
Mustafa Kruja
Palermo, 18.6.1954
I dashuni mik,
Tue qênë se shum prej miqvet e kolegvet t’onë na kanë shkrue se nuk mund të marrin pjesë në datën e parapame për Kuvendin e Studimevet Shqiptare, prejsè të penguem nga detyra të ndryshme akademike, u pá e nevojshme qi Kuvendi të shtŷhet për në ditët e para të shtatorit.
Do të vijojmë të rrijmë në marrëdhanje me të ftuemit për çdo lajm në lidhje me Kuvendin.
Sekretari i Qêndrës
Karl Gurakuqi
Palermë, 23, 6. 1954
I dashtuni Mustafë,
Më râ në dorë letra e Jote bashkë me letrën drejtue Qêndrës. Kjo e fundit më pëlqeu shum, pse mendimet e çfaquna në tê përkojnë plotsisht me të mijat. Shpesh herë kam çue zânin për t’u a mbushë mendjen Italjanvet, qi të ndjekin nji rrugë të ndryshme nga ajo e sotmja kundrejt çâshtjevet shqiptare. Mjerisht zâni i êm âsht tepër i ulët e nuk mërrînë atje ku duhet. Letrën t’Ânde do t’i a parashtroj Këshillit të Qêndrës, të përkthyeme italisht; jam i sigurtë se do t’a bâjë at efektin e vet, do t’u a njoftoj edhe miqvet t’onë të përbashkët në Romë, të cilët ndoshta mund të bâjnë ma tepër se unë.
Po më vjen keq, si paska humbë letra e ême. Me Të kallxue të drejtën, kam pasë frigë qi Ti më ishe idhnue kah vononte përgjegja. Më duket, në qoftë se nuk kam harrue, se Të pata shkrue se kam përpilue nji gramatikë të shqipes; janë mësimet e dhânuna në universitet. E kam botue në dispensa, por mjerisht deri tash vetëm pjesën e parë deri ndër verba. Në qoftë se e dishiron, jam gatí me T’a dërgue. Letrën T’a pata dërgue ajrore e çuditem se qysh ká mujtë me humbë; ká qénë mun ndër ato ditë turbullimesh n’Egypt.
Simjet kemi pasë përsërí dý theza në gjuhën shqipe; 1) Gli articolí congiuntivi dalle opere di G. Schirò; 2) Vita e opere di P.F. Cordignano.[3] Në vjeshtë do të kemi prap të tjera, ndër të cilat nji studim mbí fjalorin dhe fjalët e urta të Bardhit.
Shum të fala nga Hanni e nga Gilberti. Fal me shëndet motrës.
Të përqafoj e Të puthi me dashuní
I yti Karl
Ramleh, 5 gusht 1954
I dashuni Karl,
Mirë mjaft qênka bâmë e shtŷmj’e kuvêndit. Por veçanë për mue as ky afat’i dytë s’ka për të bâmë dobí. Besoj se ti do t’a keshë marrë vesht mirë qi tashmâ un s’kam si luej këndej vetëm. Pritet javë për javë, për mos me thânë ditë për ditë (ase, në të pëlqeftë shqipja… moderne, dita ditës!) tash sa kohë dyndja e përbashkët e komitivës s’eme. E po të ndodhë kjo tue qênë un përjashta mue nuk më bie mirë. Kjo dyndje mund të gjajë (apo ngjajë?!) edhe mjaft vonë, por âsht nji gjâ qi s’dihet.
- Natyrisht kam me t’a dijtun fort për nderë dërgimin e dispensave të mësimeve të tuja n’universitet e ka qênë e tepër me më thânë në qoftë se i deshiroj. Por për arsyen qi të thashë mâ nalt duhet të m’i dërgojsh të porosituna, qi mos të na hupin.
- Mos u çudit se pse ka humbun letr’e jote. Letra humbin shpesh këtu, aqë sa shpesh herë ka protestuem edhe shtypi.
- Dý themat qi paskeni rrahun simvjet aty edhe ajo qi do të rrahkeni në vjeshtë qênkan mjaft interesante. Por duhen botuem. Apo s’ka lemë ende Gutenbergu për atê Qêndër aty?
- Ç’u bâ rivist’e famshme qi do të dilte aty e për të cilën ishte gati krejt lânda e numrit të parë? E P.Valentini a âsht gjithnji aty?
Kur të të dalë rend mos përto me më shkruem, se un nuk rrij pa t’u përgjegjun, e mos u trêmb qi të mërzis mâ me rrahje të gjata argumentesh gjuhore! Bashkë me motrën ju përshëndesim miqsisht tý me gjithë të tujtë.
I yti Mustafa
P.S. Cili âsht plan’i juej për rivistën? Po të m’a shkruejsh hollsisht mund të kemë edhe un ndoshta ndonji idé të dobishme për tê.
[1] Frengjisht : Sasi e papërfillëshme ( E.M.)
[2] Italisht : e përmirësueshme (E.M.)
[3] Italisht : 1) Nyjet lidhore nga veprat e G. Schirò 2) Jeta dhe veprat e Atë F. Cordignano (E.M.)
Komentet