Romë, 16.I.1954
Piazza Ungheria, 6
Shum i dashtuni Mustafë,
Po si mundet me të shkue mêndja se heshtja e ime, me të vërtetë tepër e zgjatueme, shkaktohet nga ndoj mosmarrëveshje apo nga ndonji ftoftësí me burim në ndoj fjalë të ndëgjueme? Ajo qi na lidhë nuk âsht nji prej atyne miqsíve të brishta qi çdo trillim anmiqësh ase çdo frymë ere ligështon e këputë. Nji jetë e tânë, nji ideal i përbashkët qi gjak shokësh të dashun kanë rî e shugurue, vulosin tashmâ marredhânjet t’ona. Arsyet e heshtjes janë këto: mbassi qi s’mundem me shkrue gjatë tepër, laçë mbas dore letërshkëmbimin e shkurtë i cili nuk do t’a shuente nevojën shpirtnore qi ndiejshem – e ndiej – me u këshillue, me shfry, me shëndrrue mendime me Tý. Nexhmedini, sa herë qi erdhi këtu, më theksoi se letrat censurohen. Agoja m’a vërtetoi këtë tue shtue se, nga shkaku i nji letre s’eme, ishte qênë i thirrun e i pyetun në nji vend zyrtar të atyshëm. Kjo m’a pat thye hovin. Para dý vjetve shpresova se me ndoj mënyrë do të gjêjsha rasën të ví aty. Mbrapa mendojshem se ndoshta Ti do të kalojshe këndej pari ase unë do të mund të vijshem m’u takue në Tý në ndoj qytet europján. Kam shum sende me bisedue.
Agon e kam pyetë mbi jetën qi Ti bân aty dhe e diej orë për orë mënyrën si e kalon kohën. Natyrisht tue punue, si e ké pasun zakon gjithmonë dhe si na ke dhânë shëmbull né qi të duem e të ndjekim. I kam kallzue (Agos) si jam përpjekë (deri tash pa ndonji rezultat) me krijue nji qêndër veprimtarije kulturore, ku Ti do të zêjshe vêndin e parë drejtues. Tash nji vjet e tekndej u rropata në vênde të ndryshme të gjej mjetet për botimin e nji riviste albanologjije : s’i kam humbë ende të gjitha shpresat. Shkurt: në të gjitha projektet Tý të pata parasŷsh. Me Kapidanin dhe me dashamirë të përbashkët nuk shkon ditë qi nuk të përmendim.
Abetarin e mora. Un dërgojshe n’Amerikë për Radjon Free Europe 5 scripts në muej tue zhvillue në ta vetëm landë ditunore e letrare, jo politike. Nji ndër scripts fliste për abetarin, por më këthei me plot tjerë, pa u përdorë, kur transmetimet shqipe t’asaj radjo u prenë. Shpejt, si pasojë e hŷmjes s’onë në Komitet, mendojmë t’i apim fletores Albanie Libre nji drejtim mâ të theksuem shoqnuer-kulturuer-letrare. Aty do të shkruej mbi abetarin e prozën t’ande përgjithsisht. Dishka kam përmendë në konferencën qi mbajta me 16 dhetuer 53 për l’Oriente Moderno (institut universitar) me titull: “Influenze orientali sulla letteratura albanese”.[1]
Mbi punët e këtushme kishem me pasun shum shka me të shkrue. Nexhmedini besoj e sidomos Agoja do të kén vû në dijeni (i kemi shprehimisht porositun) mbi atmosferën e Romës. Ngjarjet tregohen shpejt e shkurt, atmosfera përshkrohet vetëm me gojë a me letra shum të gjata.
Punët e fundit më kanë qetësue disi ndërgjegjen. Si konsulent i ndëgjuem i kryesís së Blokut kishe shpesh dyshime (dhe të bréme zêmre) për vijën e préme në substancë dhe moderate në trajtë e në dukje qi karakterizonte veprimtarín e partís s’onë, objekt luftimesh e kundrështimesh mizore. Mendimi qi mbarë jeta na kaloi n’opozitë, edhe periudha 1939-1943 në realitet na shtërngoi sidomos mue e Tý të jemi në nji farë opozite me Italjanë qi s’kuptojshin dhe bâjshin gabime, më lodhte. Abituta e opozitarit mund të duket kalorsiake, ideale, teatralisht e bukur, por kur zgjatet tepër dhe fazat historike zhdrivillohen me shpejtí, shkakton dâme. Drojshem se po kontribuoj me i shtŷ drejtuesat e Blokut në nji qëndrim të padobishëm ku partija të fosilizohej dhe të ndalej në giri di motore a vuoto.[2] Desht Zoti e, kur nuk e pritshim aqë shpejt, rrethânat ndrruen dhe Bloku, pa abdikue aspak nga idét e veta dhe nga trashigimet e kalesës, hŷni a bandiere spiegate[3] në Komitet. Shoshija u thye. Parimet e shtrêmbta qi dallojshin të bijt e Shqipes në Shqiptarë e të Nën-Shqiptarë, ase qytetarë të klasës I e qytetarë të klasës II u thyenë edhe ato. Sod jemi në nji shesh të gjithë. Gzohem mjaft për vete: gzohem veç mâ tepër për eksponentat kryesorë të Blokut qi s’u përkulën tue qindrue me vjet burrnisht ndër mjerime e ngushtina, për ndjeksat e Blokut qi u ndêjtën besnikë pa u tundë atyne eksponentave. Gzohem edhe për ata mbrêndë qi, e diejmë nga burime të sigurta, u disprojshin tue kundrue dasít në mes atyne prej të cilvet presin (ah, të mjerët!) shpëtim.
E kupton vetë qi kjo bisedë, kështu e nisun, do të më çonte shum larg. Nji vëllim libri nuk do t’a kryente. Po e këpus. Të kam urue Motin e Ri me nji kartë të veçantë. Edhe shum tjervet aty. Uroj qi të gjithëve aty ky vjet t’u pjelli mâ tepër fat e mâ pak telashe. Të mijt të kujtojnë e të falen me shëndet. Edhe motrës s’ate.
Të përqafon me dashamirsí qi nuk ndrron.
I yti Ernesti.
Romë, 27 prill 1954
Shum i dashun mik,[4]
Kam marrë letrën Tande të 16 /IV/ 1954, e cila, me të thânë të drejtën, më ka vue në siklet të madh. I a u këndova miqve të përbashkët. Kemi diskutue mbi vështrime të ndryshme të çâshtjes. Këtu, mâ parë po Të diftoj mendimin tem personal e mandej dhe atë të shokëve të përbashkët.
Ndihmësi amerikan i Komitetit, në mos pastë nji plan të saktë të përcaktuem në të gjitha pikat e veta, të cilin ndoshta don t’a realizojë hap mbas hapi, duket i turbullt në idetë e i shartuem në veprime. Mund të jetë nji mjet taktik edhe kjo pavendosmëní e dukshme. Por mungesa e qartësisë damton nisjen e mbarë të Komitetit i cili, i formuem nga fundi i nândorit 1953, s’ka bâ asnji hap para deri n’ditë të sodit. Kriteret mâ të çuditshme zbatohen në diskutimet, në proçedurat e vendimeve e në trajtimin e partive të ndryshme.
Ȃsht mendim i të tanvet, miq e kundërshtarë, qi ky konfuzion idesh e sjelljesh janë shkaktue nga Gaqo Gogo, qi ka dijtë me fitue besimin e plotë të ndihmësit amerikan e qi drejton lojën në mënyrë të preme, pa pyetë kërkênd. Mâ të shumtit, tue kujtue përbâmjen e shkueme të Komitetit dhe punën e njianshme të tij, e pranojnë gjêndjen e tashme, me shpresë se do të përmirësohet, por të gjithë, pa dallim, kanë frikë se metodat qi ndiqen sot, do të çojnë në mënyrë të pashmangëshme në shkatërrimin e formacionit të sotëm politik.
Për fat, bashkqytetari Yt nuk shfrytëzon argumentat e mrekullueshëm qi kjo gjêndje i jep. Përndryshe do të bâhej zâdhanës i opinioneve të konformistëve, tue u rrethue nga nji aureolë popullariteti të ri. Simbas meje as ai as Gogo nuk mendojnë për suksesin e ideve që mbështesin, por shtyhen nga interesa krejtësisht vetiake, të kuptueme keq prej të dyve. Natyrisht simpatitë e mâ të shumtëve i shkojnë rrjeshtimit të ri monarkist, por janë simpati të lëndueme nga dyshimi se e gjithë ajo do të jetë nji përqëndrim i rrezikshëm në duert e Gogos. Ky me ndjeksit e tij të rij, me ndjeksit e Hasan Dostit dhe ndonji të pavarun krijon nji shumicë të sigurtë e mund të marrë vendime të paarsyeshme e të papërshtatëshme, qi mund të dâmtojnë prestigjin e Komitetit e mund të cënojnë veprën e tij, qi duhet të drejtohet nga zgjidhja e problemit kombëtar në binarët klasikë t’urdhnueme nga realiteti. Ja sepse dobësimi i Abaz Kupit, pavarësisht mangësive të tij, i duket ndonjenit si shêmbja e nji shtylle serioze të Komitetit dhe humbja e çdo lloj garancie mbi veprimtarinë e tij t’ardhme.
Gogoja dhe Hasan Dosti shohin çdo ditë ndihmësin amerikan e ndikojnë në mënyrën e tij të trajtimit të problemeve të ndryshme e të përballimit të zgjidhjeve, ndërsa të tjerët nuk gjêjnë kurrë rast me bisedue me tê e me mbrrîjtë ke ai duhet të ndjekin nji proçedurë të ngatrrueme.
Kjo âsht gjêndja. Ja dhe opinionet e idetë e shokëve të përbashkët. Blloku ka vendosë zyrtarisht mos me u rrjeshtue me asnjí nga dy grupet, në të cilat âsht nda Partia e Legalitetit, pa asnji shênj të dukshëm njohjeje të njânit apo tjetrit nga ana e Zogut. E përsëris, simpatitë tona shkojnë drejt Ferid Dervishit, Safet Kurtit, prof Spahís etj. Por âsht frika se ndershmënia e admirueshme e tyne i shërben synimeve të mshefta të Gogos. Asnjí prej nesh nuk kundërshton Gaqon për paragjykim. Madje e kemi ndihmue sa herë ka qênë rasti. Por asnjí nuk e quen nji personalitet t’aftë me zgjidhë vetëm me mêndjen e vet problemin e ngatërruem shqiptar….
Kapidani, qi âsht i shqetsuem për dobësimin e nji partije si Legaliteti, (afër grupit tonë për traditat dhe bindjet e eksponentëve kryesorë të tij) priret nga emnimi i Fiqiri Dines si Kryetar. Të tjerë do të shihnin me qejf në krye të nji partije të riformueme nga themelet tonin (flas si shkodran) Sali Efendi.
Kështu, i dashun Mustafë, sa i përket qëndrimit Tând vetiak në këte serí krizash, mendoj se nuk ka ardhë ende koha me u ekspozue. Gjêndja nuk âsht e qartë ende. T’i lamë rrjedhat e ndryshme të ecin në shtratin e tyne natyror. Të presim të nxierrin gështenjat nga zjarmi ata qi kanë mashën në dorë, të kursejmë gishtat tonë të zdeshun nga diegiet.
Në qershor ndihmësi i sotëm amerikan do të iki. Ai thotë se nuk do të zâvêndësohet. Në këte rast jeta e Komitetit mund të mbahet nga loja e partive qi marrin pjesë, nëse ato do të jenë të zonjat me qindrue të bashkueme pa ndikime drejtpërdrejt të hueja. Atëherë do t’jetë e nevojshme me dalë nga pritja e me caktue secili vijën e vet. Ose, shpejt a vonë do të zâvêndësohet. E atëherë do të shohim se me çfarë porosish do të fillojë punën e tij ndihmësi i ri.
Sidoqoftë, do të jetë nji punë e madhe pregatitore për zgjedhjet qi duhet të bâhen, simbas statutit tashmâ të miratuem në gjysëm të majit. Do Të vê në dijeni. Deri tash asnji këshillë e jona nuk âsht marrë parasysh. Gafat ndjekin gafat. Edhe ndërmjet antarëve të të njâjtit Komitet trajtimi âsht i pabarabartë. Pa marrë parasysh partinë së cilës i përket, kush i bindet Gogos merr ndihma mâ shumë se antarët qi zbatojnë drejtimin e ndërgjegjes së vet apo të grupit përkatës.
Këta janë idetë e pjesës mâ të madhe të konformistëve qi dallohen : disa do të dojshin me kalue menjiherë në veprime drastike, për me shmângë vështirësitë, e janë Koço Muka, ballistat e Hasan Dostit dhe ndjekësit e Gogos ; të tjerë (ndërmjet tyne dhe nè) mendojmë se gjêndja duhet studiue mirë, qi duhet matun, qi nji hap i gabuem mund të shkaktonte shkrimjen e Komitetit ose krijimin, jashtë tij, të nji opozite të fortë e të gjallë, qi do të mblidhte rreth vetes pjesën mâ të madhe të të mërguemvet.
Përshndetje të gjithëvet, në veçanti Haxhires. Të përqafoj vllaznisht.
Ernesti
Chianciano Terme 21 /VII/ 1954
Mik i dashun,[5]
Jam këtu me “kalue ujnat”, siç âsht zakon me thanë, e me u shlirue prej uriçemisë qi, gjatë vitit, më ka mundue (artrite). Shenja të pleqnisë. Ka mbarue Ernesti i shkujdesun e buzëqeshun qi Ti njohe në Zara. Kohë të bukura, gjithnjí mâ të gjalla në kujtimet.
Kam këtu me vete letrën Tânde të fundit (5 /V/ 1954). Nuk jam përgjegjë shpejt, mbasi nuk kisha asgjâ të rândsishme me Të thânë. Sot do të kisha boll, por janë mjaft delikate e disa gjâna âsht mirë mos me qênë të shkrueme. Sidoqoftë un po provoj me shkrue sa mundem e Ti mundohu me i kuptue sa të mundesh.
Po filloj nga fundi : ma ço veprën e daktilografueme të Hans Krahe-s, të përkthyeme prej Teje. Do të bâj, ç’âsht e mundun, me e botue në nji serí të vogël botimesh tek Albanie Libre (e cila, shpresoj se do të dalë në tetor, këtë herë nën përgjegjësinë time vetiake, tue mbetun gjithmonë organ i Partisë, por me nji theksim të pjesës kulturore e letrare).
Tashti të shohim faktet tona.
Komiteti, në strukturën e tij të soçme, shtjepon. Nuk ndërmerr asnji nismë. Por âsht e domosdoshme të jetë, pra si nji shênjë e gjallë, edhe se e palëvizëshme, e nji interesimi anglo – amerikan për çâshtjen shqiptare. Duhet të mundohemi t’a përmirësojmë, pa i minue bazat. Gjêndja sot âsht kjo : Gogo…… mbrrîti me i përmbysë termat e fillimit, pra me i bashkue të gjithë kundër tij dhe mbrojtësit të tij amerikan…… Ai zotní synonte, tue shfrytëzue simpatinë e ndihmësit amerikan, të bâhej “spiritus movens” (fryma lëvizëse) e gjithë politikës shqiptare, të tashme e t’ardhme. Nuk ka shtatin për nji detyrë të tillë ! E nuk gëzon përkrahje tek konformistat. Mund të kishte qênë i dobishëm nëse do të kishte kërkue këshillat e njerëzve të hapun e të sinqertë ; mund të kishte krijue nji grup njerëzish e, për pasojë, nji shumicë në Komitet qi mund të këthehej në nji instrument tepër të dobishëm e dinamik për objektivat kombëtare. Asnjiherë nji gjêndje e favorshme nuk âsht shpërdorue me kaq ngut. (……..)
Tue mbajtë parasysh këshillat, të shprehuna ose të pashprehuna, të nxjerra si përfundim i nji grumbulli faktesh të hershëm e të vonë, ose të marruna nga biseda të hapta, si amerikanët, si shtetet e tjera mike, na këshillojnë me krijue nji shumicë organike e me ecë drejt nji marrëveshjeje të grupeve dhe individëve, qi të ketë mundësi veprimi, edhe tue lanë mënjanë Komitetin qi, ndoshta, edhe mund të shkrihet.
Plani qi ne propozojmë, tue pa qi aleanca me Ballin e Klisurës shihet me sy të mirë dhe inkurajohet nga Miq qi kanë për zêmër, për arsye qi përputhen me tonat, çâshtjen shqiptare, mendojmë se do t’ishte e përshtatëshme me e zgjânue marrëveshjen me grupin legalist, a mbretnor, a zogist (nuk po dijmë si t’a quejmë). Të tre grupeve, sërishmi të bashkuem, me i shtue të pavarun të ndryshëm deri sa të mbrrîjmë shumicën në Komitet. Mbrapa, tue qênë të nji mêndjeje për nji veprim politik me frymëmarrje të gjânë, me i bâ propozime serioze, të peshueme e t’arsyeshme amerikanëve, tue u frymëzue nga interesi i vërtetë i Vêndit dhe çâshtja e tij, sot të mënjanuem prej paaftësisë e mungesës së vullnetit të mirë.
Nga sa nxjerrim si përfundim nga disa fakte të hershëm e të vonë, do të gjejmë ndigjim. Koalicionet spontane, qi kanë si themel nevojat e vërteta dhe detyrat e mërgatës sonë (mâ rrezikzeza qi ka marrë ndonjiherë rrugët e kurbetit), i pëlqejnë atyne qi kanë në dorë garuzhden e politikës botnore. Në mêndësinë e padronëve pëlqehet edhe ndamja e t’arratisunvet politikë në grupe të ndryshme (politikë), mjaft qi ndërmjet tyne të jetë mundësia e kombinimeve dhe marrëveshjeve të qindrueshme.
Simbas meje, duhet të ndjekim këtë rrugë dhe të mbrrijmë sa mâ parë në nji marrëveshje të saktë në brendí, edhe se jo shumë të ngurtë në formë, për me i dhânë nji provë serioziteti, ndershmënie e vetëdije Amerikanëve, që janë tue tregue shum durim me shfaqjet tona pështjelluese të s’ashtuquejtunës politikë.
Duhet qi Ti, sapo të mundesh, të vish si një vëzhgues, pa ndonji detyrë të caktueme, me vizitue miqt e shumtë e vllaznorë qi ke këtu. E them këtê mbasi shumë tremben prej Teje e ndonji mund të mendojë me të përdorë si ambasador. Marrëveshja duhet mbrrîjtë.
Këtu, mbas vitesh trysnie të vazhdueshme, diçka ka lëvizë.. Mjaft qi të vendoset parimi, të tjerat vijnë vetë.
Pa bashkim nuk mund të sendërtojmë asgjâ të dobishme, koncept qi e përsërisin të gjithë miqtë. Në teori bashkimi ekziston në zemrat e shpirtnat tuej e tonët. T’a sendërtojmë me zgjuarsi e ndershmëní.
Shëndete Xhires edhe nga të mijtë. Gjithmonë Të kujtojnë me simpati.
Nji përqafim nga i yti
Ernesti.
Marrë nga “KUVEND LETRASH ME MIQTË”, Vëllimi II
[1] “Ndikimet lindore në letërsinë shqipe” (E.M.)
[2] “rrotullim i motorrit bosh” figurativisht : vëndqëndrim, mungesë ecjeje (E.M.)
[3] “flamuj të shpalosur” figurativisht : ballëhapët, pa ndrojtje, pa kompromise (E.M.)
[4] Kjo letër është shkruar në gjuhën italiane e përkthyer nga Eugjen Merlika.
[5] Kjo letër është shkruar në italisht. Përkthimi u krye nga Eugjen Merlika
Komentet