Lefter Çipa përherë të befason me qenien e tij, me ato që thotë, me mënyrën si shprehet, me fjalët që zgjedh për të bërë qoftë edhe një falenderim. Metafora e tij është e pasur, është pa fund. Ajo e ka burimin aty, në fshatin e tij, te rrënjët e tij, te malet që qëndrojnë si kurorë mbi bregdetin e Himarës. Këtu, ku i ka rrënjët edhe polifonia e Pilurit, ylli i mëngjesit të Lefter Çipës. Ai yll që nuk shterron në jetë të jetëve, që është përherë i ndezur, që lind dhe vetëm lind mëngjesve, që të udhëheq, që të ndriçon rrugën, të bën të ndihesh optimist në çdo fillim dite. Për Lefter Çipën, po bëre diçka për Pilurin, ajo duhet të lidhet, të nisë ose të ketë brenda, polifoninë e këtij fshati. Sepse, polifonia është pikënisja e jetës, është vetë jeta.
Ajo nuk është thjesht një simbol, nuk është një koperturë, por është thelbi i ekzistencës, është e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja e këtij fshati që shfaqet sipër, mbi kreshtat e maleve, por që rrënjët i ka thellë në tokë, në tokën shqiptare të Himarës. Për Lefter Çipën, për banorët e këtij fshati, kënga, polifonia, është përditshmëria, është frymëmarrja, është ritmi, është gëzimi, është gjithçka që ekziston. Asgjë nuk mund të mendohet pa të, asgjë nuk mund të krijohet e të ndërtohet pa të. “Polifonia e Pilurit është si zjarri i ndezur”, shprehet Çipa, teksa përdredh mes gishtave të veta cigaren që nuk e ndan asnjëherë. Sheh atë dhe hedh vështrimin më pas nga unë. Ngulmon të më shohë në sy që të shohë efektin e fjalëve të veta. “Një memorial për polifoninë.?.!!!”.. “Më pëlqen si ide, më pëlqen shumë….”. Një pauzë, aq sa nevojitet që të sjellë nëpër gishta cigaren dhe të luajë më pas paksa me shtëllungat e tymit që ngjiten lart, ndërkohë që oxhaku shpërndan ngrohtësinë. “Polifonia e Pilurit është si zjarri i ndezur, sepse e tillë është edhe kultura shqiptare.
Një oxhak, me një zjarr që të ngroh, të ngroh pafundësisht”, shprehet poeti, që nuk ndalet në simbolikën e vet, për atë që i ka kushtuar jetën, për atë që është ajri i tij. “Aty, në flakën e zjarrit të oxhakut, aty gjen polifoninë. Aty gjen edhe trashëgiminë, trashëgiminë e Pilurit”. Lefter Çipa është i pakrahasueshëm, është i beftë, është pafundësisht njerëzor, është ai që të mungon, pasi e takon dhe bashkëbisedon, qoftë edhe një herë të vetme. Nuk kuptohet si kalon koha, duke qëndruar me të. Dita duket orë dhe ora minutë. Ai është i thellë në fjalë, në atë që unë e kam përmendur dhe shkruar edhe herë të tjera, në filozofinë e vet. Në atë që emërtohet “Filozofia e Lefter Çipës”. Prandaj dhe çdo fjalë e tij ka një kuptim, ka një mesazh, një mesazh që duhet ta përjetosh e ta zbërthesh. “Shiko. Unë besoj dhe e vlerësoj. Pse? Sepse polifonia në Pilur, i ka të dyja, edhe kryqin, edhe hënën”, shprehet poeti, teksa tjerrim bisedën tonë për atë që do të plotësojë pas pak kohe, sheshin e fshatit të tij të lindjes, për Memorialin e Këngës, të Polifonisë së Pilurit. Dhe, ndërkohë, metafora e tij sjell të tjera krahasime, të tjera simbolika.
Sepse, për të polifonia është ylli i mëngjesit dhe çdo gjë që lidhet me të, vjen natyrshëm, siç vijnë gjërat e reja në jetë. Është si njeriu, është si të moshuarit që ngrihen herët nga shtrati pas një nate që i mundon dhe, gjëja e parë që shihin është Ylli i Mëngjesit. “Ai është vegimi i parë me të cilin përballen, i cili u del përpara syve”, plotëson mendimin e vet, Lefter Çipa, duke trazuar pak cigaren në majat e gishtave dhe teksa hedh vështrimin tej…”. Prandaj dhe them se, është gjë e bukur ajo që është menduar për Pilurin, e bukur dhe e kënaqshme”.
Dhe, ndërsa përfshin në bisedë, deputetin e zonës, Koço Kokëdhima, të cilin thotë se e ka mik, ngulmon ta falenderojë në atë mënyrën e vet, për këtë nismë, për Memorialin e Polifonisë së Pilurit. “Koço Kokëdhima është miku im dhe fakti që e merr këtë nismë, është një motiv tjetër që ta nderoj më shumë… Polifonia nuk ka të majtë dhe të djathtë. Ajo është një, e vetme. Prandaj dhe Bukuria e Shqipërisë është atdhe, është atdhe i perëndive dhe ka nevojë për burra të zotë. Dhe nuk do të ngelet kurrë pa burra të zotë. Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Fan Noli…. Dhe ja, prapë ka burra të zotë Shqipëria, që do ta bëjnë atë”. Dhe…ndërsa ndahemi, shtrëngojmë duart… Por Çipa nuk harron: “Faleminderit, faleminderit për këtë bisedë, për këtë interesim të gazetës tuaj”, thotë ai.
Lartësim për vlerat e polifonisë
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj, thotë se, ideja për të plotësuar sheshin e rehabilituar të fshatit Pilur, me memorialin e Polifonisë, synon të lartësojë, jo vetëm vlerat e kësaj pasurie të jashtëzakonshme, por edhe të vetë historisë. “Polifonia është simbol i Pilurit”, thotë Danaj. Përse është menduar që sheshi i rehabilituar i fshatit Pilur, të plotësohet me një memorial për Polifoninë? Sepse, polifonia është simbol i fshatit Pilur, i historisë së hershme dhe të vonë. Me këtë pasuri, lidhet historia dhe jeta e këtyre banorëve. Nuk mund të kuptohet Piluri pa polifoninë, pa këngën e vet. Nuk mund të kuptohet Piluri pa poetin dhe emblemën e vet, Lefter Çipën. Grupi i famshëm i këtij fshati, Grupi i Pilurit, është fiksuar në dekada me këngët e veta po aq të famshme, si “Bejkë e bardhë”, etj. Por, veç kësaj. Polifonia, si një vlerë dhe aset i jashtëzakonshëm, duhet shfrytëzuar, duhet të bëhet një pasuri reale e kësaj zone, në funksion dhe në shërbim të banorëve.
Pra, duke e vënë në shërbim të turizmit, të turistëve të shumtë që vizitojnë këtë pjesë të bregdetit.. Dhe, konkretizimi i kësaj vlere, i kësaj pasurie, përmes një memoriali, përbën një veprim mëse të nevojshëm që vjen në momentin e duhur. Dhe si do të jetë ky memorial, si është menduar? Kjo është një pikë që është në diskutim. Prandaj dhe procesin e realizimit të tij, ne e kemi planifikuar të shkojë në disa faza. Së pari, shpallëm konkursin e koncept-idesë. Fituesi do të prezantojë edhe koncept-idenë e vet të realizimit. Nuk mund të them asgjë paraprakisht. Kjo u takon artistëve, ata do të propozojnë, ndërkohë që një juri e ngritur me specialistë të fushës, do të bëjë edhe selektimin, do të bëjë vlerësimin, për të arritur tek idea më e mirë.
Pas kësaj do të nisë konkretizimi i këtij memoriali. Rehabilitimi i sheshit të fshatit, do të jetë një mundësi, një hapësirë e përshtatshme që edhe memoriali të shfaqet me dimensionet e veta, në simbolizim të pasurisë më të vyer të ëtij komuniteti. Jam i sigurtë që, me përfundimin e tij, Piluri do të ketë një argument më shumë që të bëhet një destinacion i vërtetë për turistët e huaj, por edhe për ata shqiptarë, nga zona të ndryshme të vendit. Ai është pjesë e një axhende turistike nga agjenci të ndryshme, që çojnë në këtë fshat qindra turistë çdo verë. Por, me investimet që ju përmenda dhe me plotësimin e tyre, me memorialin në fjalë, fshati Pilur do të ofrojë një performancë turistike më të plotë.
Historia e polifonisë himariote
Në fshatin Pilur, të Bashkisë Himarë, do të konkretizohet Memoriali i Polifonisë që mban emrin e këtij fshati. Ky konceptim artistik do të jetë pjesë e asaj që emërtohet “Qendra e fshatit” dhe që po rehabilitohet përmes një projekti të financuar nga Bashkia. Piluri është një fshat me histori të pasur në këtë zonë. Është një vend ku kryqëzohen rrugët që lidhin Himarën me fshatrat e thellë të Labërisë dhe anasjelltas. Piluri është edhe mali edhe deti, është edhe natyra e ashpër edhe e butë. Dhe të tillë janë edhe njerëzit, banorët e tij. Prandaj dhe kënga, polifonia e Pilurit ka ato dimensione, është e pasur, e thellë, e pafund në bukuri. Në vitet 1930 grupi i Neço Muko Himarjotit u shndërrua në protagonist dhe sjellës i parë i artefaktit më jetëgjatë të muzikologjisë shqiptare.
Ai grup regjistroi pllakat e matricës “Pathe”, në të cilat u bashkëregjistruan edhe ato të këngëtares së famshme, Tefta Tashko, dhe të cilat janë sot një visar i rrallë kulturor. Kjo traditë në fillim të viteve 1960 u rigjallërua në Himarë me Grupin e Himarës, që simbolizohet me një emër të shquar si Dhimitër Varfin, apo grupin e “Vajzave të Dhërmiut”. Në fillim të viteve 1970, tradita vijoi me një kulm të ri ose me Grupin e Pilurit. Simbol i këtij grupi dhe kësaj kënge është Lefter Çipa, për të cilin Dritëro Agolli ka shkruar “Ai nuk merr frymë, por frymon poezi”. Lefter Çipa, është autor i 18 librave. Mes tyre, përfshihen “Engjëjt e polifonisë shqiptare”, “Bejke e Bardhë”(1973); “Shqipëri moj ballëhapur”(1976); “Bilbilat e vendit tim”(1981), Dheun tim përsipër marr”(1989); “Polifonia dhe vjershërimi i polifonisë”(1994); “Bilbili që këndon vetëm”(1999); “Për Kosovën prapë do ngrihem”(1999); Tre vëllime në vitet 1993-94-95 “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akrokeraunit” dhe “Këngët e Ruzharës”. Më pas, janë “Princi i polifonisë”, “Djali që fluturon”.
Po ashtu, në krijimtarinë e tij, përfshihen edhe 2 almanakë, të realizuar para viteve 1990-të. Sipas Çipës, polifonia bregase himariote, është më e lashtë se Greqia e lashtë, se Roma, se Bizanti. Ajo është krijuar që kur u krijua Zoti. “Polifonia është shpirti i ditës dhe zëri i natës”, thotë ai, duke shtuar se, ditën vuan njeriu ndërsa natën sheh ëndrra të bukura. Pikërisht vuajtja dhe bukuria e ëndrrave, përbëjnë edhe thelbin e polifonisë. “Polifonia është me kurorë qiellore, sese ajo ka sakallëk”, shprehet Çipa. Në këtë kontekst, ai shpjegon ndryshimin thelbësor të polifonisë bregase himariote, krahasuar me atë të trevave të tjera. “Në Himarë ka një fenomen real; nuk i këndohet atij që merr hak, nuk i këndohet hakmarrjes, i këndohet faljes së gjakut”, sqaron poeti popullor. Në këtë këndvështrim, “Memoriali i Polifonisë së Pilurit”, një nismë e deputetit të zonës, Koço Kokëdhima, që do të realizohet në javët që vijnë, është më shumë se sa simbol i emrit dhe historisë së këtij fshati. Për këtë qëllim, Këshilli i Qarkut të Vlorës ka shpallur edhe konkursin për koncept idenë. Përmes tij janë ftuar të marrin pjesë artistë, për të prezantuar konceptidetë respektive, ndërkohë që një juri e përbërë nga specialistë do të përcaktojë fituesin. Deri tani kanë shfaqur interesin për të konkuruar, 12 subjekte, individë e studio. /Harilla Koçi, Shekulli
Komentet